• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BREZI I DASHURISË SË NDALUAR

April 29, 2015 by dgreca

(Nderim kujtimit të Liri Dori Kupi)/
“Dashuria përqafon gjithë jetën e një gruaje ; dashuria është burgu i saj dhe mbretëria e saj qiellore : ajo që përulësisht flijohet duke dashuruar, shërben e zotëron në të njëjtën kohë.”/-Adalbert von Chamisso (1781 – 1838) poet dhe romancier gjerman/
Shkruan: Eugjen Merlika /
18 prilli 2015 qe një ditë zie për shumë shqiptarë të Nju Jorkut. Ishin ata që vinin nga një qëndrim i gjatë në sektorët e fermës së Lushnjes, të atij kampi të madh internimi që emërtohej “29 nëndori”, datë që tingëllonte si një ironi e fatit, mbasi shënonte zanafillën e fatkeqësive të tyre.
Atë ditë ata u mblodhën të gjithë aty, në lagjen Forest Hills Quins, me fytyrat e zymta e të ngrysura, për të përcjellë në banesën e fundit tokësore një nënë, një grua, një shoqen e tyre, e cila ishte bashkuar me ta në një ditë tashmë të largët të gjysëm shekulli më parë.
Sëmundja e pamëshirshme e rrëmbeu para kohe Lirinë nga gjiri i familjes, nga bashkëshorti i drobitur në afër gjysëm qindvjeti internimesh e burgjesh, si “armik i popullit”, si biri i “tradhëtarit”, edhe se babai xhelatët e tij i quante “kalamaj” që nuk dinin se çfarë bënin e nuk deshi të luftojë kundër tyre, sepse ishin “bij të shqipes”, bashkë me të cilët duhej përzënë pushtuesi nga toka shqiptare. Liria u nda nga fëmijët, tashmë të rritur e prindër vetë, nga kunatat që e pritën si motrën e tyre, kur ajo vendosi të bëhej shoqja e jetës së Fatbardh Kupit, mbiemri i të cilit atëherë, ashtu si edhe disa të tjerë, njëzet vjet mbas t’ashtuquajturit “çlirim”, ishte sinonim i urrejtjes që shoqëria duhej të kultivonte kundrejt pjesës më të mirë të saj. Liria atë ditë u la lamtumirën edhe bashkëvuajtësve të saj, atyre shoqeve e shokëve të sektorëve kampe të Grabianit, të Savrës, të Gradishtit që, për afër tre dhjetëvjeçarë, jeta i bëri të përballonin së bashku fatkeqësinë e të qenit në të njëjtën geto, lodhjen, shqetësimet, ankthin e përditshëm, dhimbjet e ndonjë çast gëzimi, siç ishin lindjet e fëmijëve.
Ata njerëz, ata burra e gra, pleq e të rinj, të mbijetuar kalvarit të gjatë të fushave të Myzeqesë, në atë ditë të trishtuar, thellë në vetvete i kanë njohur së ndjerës, që kishte emrin e konceptit më të bukur në botë, një meritë të veçantë, të tillë që e kishin shumë pak prej tyre. Liria nuk lindi me një mbiemër të njohur, me “mëkatin origjinal” që, shumica dërmuese e atyre që quheshin “armiq të klasës”, trashëgonin që në embrion si pasojë e një ideje ogurzezë e fatale që kasta drejtuese komuniste shqiptare kishte përvehtësuar nga përvoja më çnjerëzore e kriminale e zbatimit të doktrinës, së cilës i kishin besuar jo vetëm bindjet e tyre, por edhe fatet e shqiptarëve. Liria kishte mbiemrin Dori, mbiemri i thjeshtë i një familjeje nga Përmeti, e cila kishte menduar se e ardhmja e Vendit të tyre duhej t’ishte e lidhur me “shpresën” që frymëzonin ca djem e vajza të reja që kishin marrë malet, duke vënë në kokë një kësulë me yllin e kuq pesëcepësh në ballë e që këndonin : “Bijtë e Stalinit jemi ne /Që derdhim gjakun anembanë/ Sa të valojë përmbi dhe/ Flamuri drapër e çekan!”
Babai i Lirisë, xha Mitroja, në punën e tij si kamarier në klubin e vetëm të Lushnjes së viteve 50 – 60, dukej se nuk e parapëlqente “luftën e klasave”. Në klubin e tij vinin shpesh djem të rinj, që kishin në ballë një vulë të padukshme, por që thithte mbi të syrin “vigjilent” të besnikëve të regjimit. Xha Mitroja i trajtonte ata si gjithë të tjerët, madje shërbimi ndaj tyre, në normalitetin e tij, zbulonte një simpati të heshtur. Liria ishte fëmija e parë e, për t’i ardhur në ndihmë familjes, i u bashkua t’atit në punën e tij. Kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet nga ajo kohë, por fytyra e saj, mbas banakut të klubit, më vjen ende e gjallë para syve të mëndjes. Ajo vazhdonte gjimnazin natën së bashku me mjaft djem nga Savra e Pluku, që ishin të internuar.
Mund të tingëllojë si i çuditshëm ky fakt që u lejohej atyre djemve të vazhdonin gjimnazin në Lushnjen e udhëzimeve të posaçme nga udhëheqja qëndrore e partisë. Ndoshta dyshja Nuçi Tira – Qemal Myrseli e lejuan atë shkollim, mbasi dhjetë vjet më vonë, të tjerë drejtues përjashtuan nga shkolla e mesme edhe vajza 15 – vjeçare.
Në bangat e gjimnazit lindi dashuria ndërmjet Fatbardh Kupit dhe Liri Dorit. Ishte një dashuri e pastër dhe e vetëdijshme për muret që duhej të shkallmonte në sendërtimin e jetës së përbashkët. Vajza, që ende nuk kishte mbushur të njëzetat, gjeti në shokun e klasës, që ishte pesëmbëdhjetë vjet më i madh, njeriun e ëndrrave të saj vajzërore, “princin e kaltër” që i frymëzonte jo vetëm ndjenjën fisnike të dashurisë së parë, por edhe besimin në jetën, atë siguri që çdo femër kërkon instiktivisht të gjejë tek partneri për të krijuar një familje.
Ky ishte aspekti romantik i lidhjes së tyre, dukuria që ka lindur së bashku me njeriun, më fisnikja e më e pranishmja në fantazitë e veprat e shkrimtarëve dhe artistëve të gjithë epokave. Epoka e enverizmit në Shqipëri, duke huajtur nga përvoja më e keqe botërore e dasivet njerëzore konceptet penguese e kriminalizuese të dashurisë, kishte krijuar tabù të pathyeshme në krijimin e familjes. Marredhëniet dashurore nuk mund të dilnin nga kornizat e parapërcaktuara të përkatësive “klasore”. Familja që krijohej jashtë këtij konteksti ishte e paracaktuar të pësonte gjithë “mërinë e Akilit” të regjimit, nëpërmjet masave administrative siç ishte largimi nga puna apo internimi. Veçimi shoqëror, që fillonte nga ai i familjes së atij apo asaj që kishte “përbërje të mirë”, për të kaluar tek njerëzit e farefisit, tek shokët e shoqet e shkollës apo të punës, tek të njohurit e thjeshtë ishte synimi kryesor i pushtetit dhe “organizatave” të masave.
Le të mos shkandullohet ndonjë e re apo i ri i sotëm, që nuk mund të konceptojë një rend të tillë gjërash, nëse lexon historinë e asaj gruaje që mbylli sytë para pak ditësh në Nju Jorkun e demokracisë. Sa drama të tilla, herë herë të kthyera në tragjedi, ka përjetuar brezi i ynë, brezi i prindërve të tyre. Sa raste të panumurta dashurish të ndaluara kanë gjymtuar shpirtërisht atë brez, sa dhimbje, sa lotë, sa brenga cfilitëse kanë shoqëruar vitet e rinisë. Sa e vështirë ka qënë prova , në të cilën u vunë shumë të rinj e familje të tyre, sa familje të shkatërruara, sa ëndrra të varrosura nën peshën e “luftës së klasave”, sa fëmijë të rritur pa një prind edhe në rradhët e atyre që, deri në çastin e katastrofës vetiake, hymnizonin regjimin e përligjnin mizorinë e tij.
Qenë të paktë, n’atë kohë të ashpër, ata apo ato që dolën fitues në luftën e tyre të pabarabartë me pushtetin e dhunës e të poshtërsisë njerëzore. Liri Dori, që mori mbiemrin Kupi , përmetarja njëzet vjeçare, qe një nga ato, një nga të paktat. Ajo pati forcën të sfidojë gjithshka, mendësinë e familjes, dhunën e shtetit që u shfaq në tërë shëmtimin e saj në vitet e gjata t’internimit së bashku me familjen e katër fëmijët që mbushën vatrën krutane, mungesat, indiferentizmin, madje edhe “dënimin” e shoqeve të fëminisë. Në vend të shkollës së lartë e të profesionit të rehatshëm në një jetë normale pranoi të marrë shatin e lopatën e të punojë me dhjetra vite nën diellin përvëlues dhe erën e ftohtë dimërore të Myzeqesë. Jetoi në një kasolle majë kodrës së Grabianit, pa u ankuar kurrë, pa hapur gojën. Nuk kishte nevojë të fliste, sytë e saj shprehnin më së miri gjithë botën e saj të brëndëshme, në të cilën zotëronte vetëm dashuria, ajo sublimja, e përjetëshmja, që bashkohej me respektin për familjen e burrit, për vlerat morale, për aftësinë e flijimit për to.
Jeta e saj i shëmbëlleu asaj të shumë shoqeve të fatkeqësive, që regjimi u kishte paracaktuar mënyrën e jetesës ashtu si dikur një tjetër regjim kishte vepruar me hebrenjtë në pjesën më të madhe t’Evropës. Ato gra që mbajtën mbi supet e tyre peshën më të rëndë të diktaturës, duke çuar përpara familjet shpesh pa burra, duke rritur fëmijë, duke respektuar e kujdesur pleqtë, janë krenaria e vërtetë e rracës shqiptare. Ato janë heroinat e heshtura të Shqipërisë fisnike. Ato që u rritën kampeve të internimit, që u lindën, jetuan e u plakën duke përballuar çdo ditë mizorinë njerëzore në të gjitha format e saj të mundëshme, që nuk morën kurrë përkëdheli të babait, sepse u rritën pa baballarë, që ditën t’i dhurojnë dashuri e përkëdheli burrave e fëmijëve të tyre, janë stolia më e çmuar që shoqëria shqiptare ka në trupin e saj. Emrat e tyre janë të panumurtë, ashtu siç është e pamatëshme madhështia e shpirtit të tyre, ashtu siç është i pakufishëm borxhi që Shqipëria ka ndaj tyre, sepse gratë e virtytëshme janë pasuria më e çmuar e një kombi.
Liria ishte njëra prej tyre. Lotët e shoqeve, që shoqëruan fjalët e mbesës së vogël në funeralin madhështor të Nju Jorkut, ishin dëshmia e dhimbjes së thellë, por edhe e nderimit të posaçëm, të veçantë. Ishte nderimi për gruan që atë jetë privacionesh e sakrificash në kufijtë e heroizmit, për të krijuar e mbrojtur familjen, institucionin më të rëndësishëm të shoqërisë njerëzore, për të ruajtur e lartësuar dinjitetin njerëzor, qoftë edhe me çmimin e flijimit, ajo e zgjodhi vetë. E zgjodhi n’emër të ndjenjës së dashurisë, t’asaj vlere që e bashkuar me emrin e saj, përbëjnë një dyshe të përjetëshme, motorrin më të fuqishëm që çon përpara njerëzimin.
Shpirti i Lirisë sot është në dritën e përjetësisë, ndërsa për ne emri i saj mbetet një shembull e një simbol. Faleminderit Liri !
Prill 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: BREZI I DASHURISË, Eugjen Merlika, LIRI KUPI, SË NDALUAR

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT