Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Më në fund u paraqit para opinionit, duke e bërë me dije të mos kenë fort “ dert” punëtorët se, megjithatë, kreu i BSPK-së është gjallë, me shëndet të mirë e besa edhe me ndonjë kilogram të shtuar. Thonë edhe mjekët se qëndrimi ulur i tepruar shkakton rritjen e “ barkut”, por njeriu me këtë rast lëshon edhe peshë. Dhe kreu i sindikatës kosovare që dolën në skenë papritmas, si fantazma, i ka do zyre se me ba muhabet ndërmjet veti se “ tybe” gjë tjetër të hajrit nuk janë kah bëjnë. Apo thënë më mirë , ashiqare, po shihet e mund të kontatohet pa fije dyshimi se ata nuk janë kërkahë.
Protesta është mjeti i fundit që duhet të shfrytëzohet
Po të zgjaste edhe më tej ngërçi politik e të mos formohej qeveria e re, lirshëm mund të thuhet se përgjegjësitë e sindikatës do të vazhdonin me gjumin e rëndë që i kishte pas kapur, me shpresë se kah pranvera do të mund të zgjoheshin. Mirëpo, falë disa “ kujdestarëve, anonim që i ka ky organizëm, kreu i saj u informua se u ndërtuan institucionet e reja dhe se qeveria nuk do të bëj asnjë hap para sa i përket rritjes së pagave për punëtorët e sektorit publik. Pa një pa dy, ende në kllapi, përgjegjësitë sindikalist ngritën zërin se nëse nuk do të këtë rritje atëherë do të organizojnë protesta. Kjo nguti ka vetëm një qëllim që të arsyetohet para punëtorisë se ajo është në anën e tyre dhe se do të luftojë deri në fund për realizimin e kërkesave të drejta të tyre. Në demokracitë e zhvilluara protesta është mjeti i fundit që shfrytëzohet nga sindikata, sepse, në rend të parë, duhet zhvilluar debat dhe të jenë në kontakt të përhershëm me ata që kërkojnë rritje të pagave dhe të shohin deri në detaje burimin e të ardhurave buxhetore dhe mundësitë reale për realizimin e atyre kërkesave nga ana e punëtorëve. Kur të arrihet një përfundim i kapshëm edhe për sindikatën, sepse ajo duhet të ballafaqohet me qeverinë apo me ndonjë punëdhënës tjetër me tregues real se një gjë e tillë mund të bëhet, atëherë fillojnë bisedimet për zbatimin e një marrëveshje që mund të arrihet. Kështu duhet të veprohet dhe kështu duhet të gjendet zgjidhja e jo që menjëherë me kërcenime të bëhet presion mbi qeverinë dhe ndonjë punëdhënës tjetër. Në asnjë rast nuk pretendoj se punëtorët e sektorit publik nuk kanë të drejt në rritjen e pagave, por qëllimi im është që t’ia përkujtoj këtij asosacioni që i përfaqëson të ecën nëpër rrugën e duhur demokratike konform rregullave e normave të përcaktuara për raste të tilla. Premtimin për rritje pagash për 25 për qind e pati bërë partia fituese e zgjedhjeve, por për shkakun se tash qeverisjen e udhëheq një subjekt tjetër politik, vështirë do të jetë të bëj këtë gjë, aq më parë kur dihet se Kryeministri aktual e kishte kritikuar këtë premtim të dhënë edhe gjatë fushatës zgjedhore e më pas.
Përse asnjë fjalë për sektorin privat
Punëtoria shqiptare e Kosovës ka probleme të mëdha sidomos në shkeljen e të drejtave në vendet e tyre të punës dhe realizimit të kërkesave që rrjedhin nga kontratat e lidhura me punëdhënësit. Problem numër një është se në sektorin privat e posaçërisht në ndërtimtari punëtorët nuk i marrin të ardhurat personale me rregull, edhe ashtu të ulëta,.dhe ndodh që edhe pesë e gjashtë muaj të mos shohin asnjë euro t’iu këtë arritur në xhirollogarit e tyre nga firmat ku derdhin djersën e tyre edhe nga 12 orë në ditë. Problem tjetër është edhe puna e zgjatur dhe puna në vikende, të cilat janë të ndaluara më të gjitha normat e së drejtës që rregullon këtë materie, vetëm në ndonjë rast të veçantë kur për këtë të jetë pajtuar vetë punëtori. Ndërkaq, në praktik, fatkeqësisht, në këtë sektor jo vetëm për ndonjë rast, por punëtorët janë të detyruar që të punojnë çdo të shtunë e besa edhe shumë të dielave dhe askush për këtë “ detyrim” antiligjor nuk merret. E njëjta situatë mbretëron edhe në sektorin e tregtisë dhe të hotelerisë. Derisa për sektorin e ndërtimtarisë nuk kam informacione të bollshme sa i përket sigurimit dhe pagesës së pjesës nga të ardhurat personale për pensione të punëtorëve , kjo gjë në të shumtën e rasteve nuk bëhet nga punëdhënësit e restorantëve kudo në Kosovë. Kjo e dhënë jo që është për të ardhur keq, por kërkon angazhim maksimal të inspektoratit të punës që kjo gjendje të zgjidhet në favor të punëtorëve të këtij sektori, sepse ndryshe këta punëtorë do të punojnë deri në moshën kur duhet të punësohen dhe në fund të mos e realizojnë pensionin e merituar. Janë vetëm këta dy shembuj të pakëndshëm për këto dy kategori të punëtorëve ku ka vend të mjaftueshëm për të zhvilluar aktivitet të pandërprerë edhe sindikata e Kosovës e jo të mbyllen në zyrat e tyre e të marrin vetëm rroga të majme, që i realizojnë mu nga djersa e tyre. Punëtorisë i duhet punë konkrete e jo shtirje para tyre se kinse diçka po lëvizë nga sindikata. Pra roli i sindikatës duhet të jetë shumë më i fuqishëm, bindës e i pandërprerë në realizimin e të drejtave të punëtorëve që po shkilen kurdo e anëkënd Kosovës.