• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSTAFA KRUJA,BURRË SHTETI,ANTIKOMUNIST I VENDOSUR

August 30, 2017 by dgreca

1 Mustafa Kruja

Shkruan:Eugen SHEHU/

1 eugjen shehuNë plejadën e burrave të shquar të shtetit shqiptar,të atyre burrave që muarën mbi vete përgjegjsi të mëdha në kthesat kulmore të jetës të kombit të tyre,është shkruar me germa nderi edhe emri i Mustafa (merlikës) Kruja.Ky personalitet i madh,ngjit sot shkallët e lavdisë në historinë e kombit shqiptar jo si tradhëtar (kështu e quajnë ende komunistët e shtetit amë) por si protagonist i ngjarjeve më kulmore të Shqipërisë ç’prej vitit 1912 e deri më 1944.Ai është pjesë e historisë së këtyre viteve dhe pamvarsisht se ende sot anatemohet prej disa mjeranëve,pseudohistorian ideologjik,kjo asesi nuk mund t’ia fshehë vlerat,ashtu sikundër ndonjë re e zezë,kalimtare,nuk mund të fsheh dritën e diellit. Mustafa Merlika,lindi në qytetin historik të Krujës më 15 mars 1878.Aty i mori edhe mësimet e para në gjuhën turqishte,por duke u mëkuar me legjendat e famshme të kalasë së qytetit, ku qindra vjet më parë,kryetrimi,Gjergj Kastrioti pat ngritur flamurin e lashtë arbëror.Qytetin e vet e desh me mall dhe kur shkoi në Janinë për të vazhduar gjimnazin,kish dëshirë ta thërrisnin Mustafa Kruja.Këtë mbiemër ai e mbajti me nder,deri në ditën e largët kur dhe mbylli sytë.Në qytetin shqiptarë të Janinës,tanimë në moshën 16-17 vjeçare,nga shqiptarët e atyshëm do të njihte trimërinë e Ali Pashait të Tepelenës,i cili la gjurmë në kohra sa për trimëritë,aq edhe për rrebelizimin e tij. Falë rregullave të forta të gjimnazit,Mustafa Kruja do të paisej me kulturë të madhe për kohën e vet. Ndërkaq ai do të dallohej ndër gjimnazistët e tjerë,për etjen e madhe që shfaqte në rrafsh të përvetsimit të kulturave të lashta si edhe atyre të kohës.Me nxitjen e prindërve të vet,pasi ka mbaruar mjaft mirë gjimnazin e qytetit shqiptar të Janinës,Mustafa Kruja,sikundër qindra e mijëra bashkëkombas të atyre viteve,merr rrugën për në Stamboll,në kryeqendrën e perandorisë Osmane.

Më 1905,filloi studimet e larta në Universitetin Mylkije të Stambollit,në shkencat politike dhe administrative,aty sigurisht tejet enregjik,biri i Krujës do të jetë i preferuar në shoqërinë e atdhetarëve shqiptarë,të cilët patën filluar përpjekjet për një lëvizje madhore të kombit të tyre,në kahjen e ideve të pavarsisë.Qysh herët,Mustafa Kruja,shquhet për prirjet e tij në fushën e publicistikës.Ndonëse student,mësimet nuk e pengojnë asapk të marrë lapsin dhe të shkruaj në shtypin osman të kohës,mbi problemet e mëdha që patën kapluar në fillim të shekullit 20-të perandorinë osmane.Por guximi i birit të Krujës,do t’i kalonte idetë e shprehura në faqe të gazetave. ”Atdhetari i flaktë dhe përkrahës i pamvarsisë së kombit të vet,u gjind do s’do,i përfshimë në ngjarjet politike,tue marrë pjesë aktivisht në përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi osman.Në 1909 u përjashtua nga Univeristeti si protagonist i një demonstrate të rreptë të studentëve në favor të minoriteteve kombëtare të perandorisë osmane”.( Mustafa Kruja “Antologji historike “ Sejko 2001 , faqe 8 ).

Edhe pas kësaj,Mustafa Kruja nuk do të rreshtete përpjekjet atdhetare për të ndihmuar çështjen tone kombëtare.Shkrimet e tij në vite 1909-1910,(me pseudonimin Asim Xhanani) do të tronditnin ate system të kalbur të autokracisë osmane,duke bërë thirrje për më shumë të drejta ndër popujt e vegjël,të rrobëruar.Në këto vite,pos të tjerave,Mustafa Kruja do të njihet edhe me atdhetarin tjetër të shquar Mid’hat Frashërin,me të cilin do ti lidh miqësi burrash të përkryer.Në verën e vitit 1910,Mustafa Kruja merr titullin në shkencat politike dhe administrative të Universitetit të Mylkijes dhe detyrën për të punuar në qytetin e Durrësit. 23 vjeçar,me dëshirën e madhe për t’i shërbyer atdheut,me aftësi të dukshem në punët e administrates,çuditërisht Mustafa Kruja nuk do të pranonte ofertën e Esat Pashë Toptanit,për të punuar si nënprefekt i Durrësit.Biri i Krujës,në shum pak takime që pati me Esat pashën,dyshoi në atdhetarizmin e tij,në të kaluarën disi të errët,ndaj edhe la pezull dorën e shtrirë për bashkëpunim të Esatit.Përkundër “Ndereve” të propozuara nga Pashai i Shqipërisë së Mesme,Mustafai u punësua në Durrës,por në detyrën që vet e dëshironte të thjeshtë dhe modeste,si mësues i matematikës.”Në këtë qytet,u lidh me Don Nikoll Kaçorin dhe Abdi bej Toptanin me të cilët zhvilloi veprimtari kombëtare”( B.Gaçe,”Ata që shpallën pavarsinë kombëtare” – Tiranë 1997 , faqe 98 ).

Në vitet 1911-1912,ndonëse jepte lëndën e matematikës në gjimnazin e Durrësit,ai kurrsesi nuk mund të ishte indiferent për gjithshka ndodhte në trojet shqiptare.Ngase bashkëpunonte me atdhetarin Abdi bej Toptanin (kushëriri i Esat Pashës) në pranverën e vitit 1912, e le gjimnazin dhe i përkushtohet me gjith shpirt ngjarjeve nacionale që po tentonin pavarsinë e trojeve tona.Me nismën e tij shkon në qytetin e Krujës falë emrit të nderur të familjes,por edhe emrit të tij,organizon çetat e para luftarake kundër sundimit osman.Më pas kalon edhe në rrethina të Matit dhe duke i shtrirë dorën e bashkëpunmit 17 vjeçarit Ahmet Zogu,arrin të ngrejë edhe aty formacionet vullnetare popullore në dobi të çështjes shqiptare.Kështu që,kur në verën e vitit 1912,forcat e garnizonit turk të krujës,donin të bënin reprezalje në qytet e rrethina,kinse flitej hapur kundër qeverisë së Stambollit,Mustafa Kruja mblodhi disa qindra luftëtarë të armatosur dhe duke rrethuar garnizonin lëshoi ultimatumin se batarja e pare e osmanlinjëve,do të ishte fillimi i luftës,mandej le të fitonte kush të ishte më i zoti.Komandanti i garnizonit të qytetit,ftoi Mustafanë në bisedë dhe pas këtij kuvendi të dy palët ulën armët.Por askush prej osmanlinjëve nuk e ndjente në ato momente vehten të sigurtë,ndërsa nacionalistët krutanë parashihnin tek figura e Mustafa Krujës,prijësin e tyre energjik dhe syçel.

Në tetorin e vitit 1912,Mustafa Krujën e shohim në Shkup,për të biseduar me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare siç ishin Bajram Curri,Mid’hat Frashëri,Rexhep Mitrovica,Bedri Pejani,Sali Gjuka etj.Në emër të popullit të Krujës,Mustafa Merlika çoi në Shkupin e lashtë shqiptar,mesazhin e madh të bashkimit të krejt shqiptarëve,për arritjen e pavarsisë së tyre.Ai çoi gjithashtu në zemër të Maqedonisë shqiptare,besën e madhe krutane për të luftuar deri në fund për kufijtë e rrezikuar të vilajeteve shqiptare.Ndërkaq në Krujë e rrethina,emri i Mustafa Krujës,po përcillej me respekt të madh.Nën shembullin e tij,ishin me dhjetra atdhetarë,të cilët lanë bangat e shkollave për të rrëmbyer armët në mbrojtje të flamurit kuqezi.Është kjo arsyeja që populli i qytetit të Krujës dhe rrethinave,së bashku me Abdi bej Toptanin,zgjodhi si përfaqsues në kuvendin kombëtar të vlorës(28 nëndorë 1912) edhe Mustafa Krujën,birin e vet që pat dhënë prova të pashembullta të heroizmit.Firma e tij,në listën e madhe të firmave të dhjetra patriotëve dhe atdhetarëve të tjerë ;”është shënuar me emrin,Mustafa Asim Efendija”(Lef Nosi “ Dokumente Historike – Elbasan 1924 , faqe 119 ).Në ditët historike të kuvendit të Vlorës,fjala e Mustafa Krujës u dëgjua me respekt,pamvarsisht moshës së re të tij.Në proces verbalin e mbledhjes së parë të këtij kuvendi,pasi u vërtetuan kartat e kandidatëve : “Fjalën e mori z.Salih Gjuka e tha që,duke qenë se Korça ndodhet sot e qarkuar nga ushtria e nuk mund të dërgojë delegatë dhe duke qenë se atdhetaria e Korçës është njohur,kërkon që të pëlqehen si përfaqsonjës të Korçës zotërinjtë : Pandeli Cale,Athanas Floqi e Spiro Ilua.Mbledhja me plotsinë e zerave e pelqeu kete vendim.

z.Mustafa Asim Efendiu kërkoi edhe që për Shkodrën të pëlqehet Luigj Gurakuqi,i cili ka qenë edhe në mbledhje të tjera kombëtare përfaqsues i Shkodrës dhe është nga inisiatorët e mbledhjes së sotme.Kuvendi me plotësi zërash e pelqeu z.Luigj Gurakuqi përfqsonjës i Shkodrës”.( Gazeta “Përlindja e Shqypnis” viti II,nr 6-7, datë 31 janar – 4 shkurt 1913 ).

  Ngase dallohej për ndershmëri dhe korrektësi në punët e administratës shtetërore,me propozim të Ismail Qemal Vlorës,Mustafa Kruja emërohet si nënprefekt i qytetit të Vlorës.Këtu duhet pasë parasysh se në atë kohë Vlora shërbente edhe si rezidencë e shtetit të parë shqiptar,me ç’rast detyrat dhe përgjegjsitë ishin tejet të mädha dhe të ndërlikuara.Nën trusninë e një finance të dobët,Mustafa Kruja u përpoq të bënte ç’të mundete për qytetin e Vlorës,të cilit i mungonin jo vetëm dritat,rrugët dhe shkollat por edhe buka e gojës.Po aq sa për punët administrative,Mustafa Kruja u përkujdes edhe për furnizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë së prefekturës së vlorës,formacionet e të cilave ishin çdo ditë në përpjekje me armiqtë e shtetit të pavarur shqiptar.Disa muaj më vonë,Mustafa Kruja emërohet në detyrën e drejtorit të arrësimit në rrethin e Elbasanit.Ai gjen përkrahje të madhe në personalitetin e Aqif Pashë Elbasanit ( asaj kohe prefekt i qytetit) dhe ndërrmer nisma të mëdha për përhapjen e arësimit dhe shkollave shqipe jo vetëm në qytet por edhe në fshatra.Energjik nga natyra por edhe njohës i mirë i mentalitetit shqiptar,Mustafa Kruja punon ditën dhe natën për shkollimin e bashkëkombasve të vet,i bindur në idenë se pavarsia e një kombi mbrohet me pushkë dhe pendë.Shtypi shqiptar i asaj kohe duke pëlqyer cilësitë e birit të Krujës,shkruante: “Një nga nënpunësit më të shkathtë dhe puntor që ka Elbasani,asht zotnija e tij Mustafa Asim Kruja,drejtor i arësimit”.(Gazeta “Përlindja e Shqynies “ 1914 ).

Ndërkaq ngjarjet në Shqipëri sa vinin e përkeqësoheshin,qeveria e Ismail Qemal Vlorës,po goditej nga të gjitha anët,si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe ata të jashtëm.Fuqitë e Mëdha,duke paraparë në horizont interesat e tyre,dërguan në Shqipëri,Princ Vidin,i cili do të përpiqej ta kalonte krizën shqiptare.Ndër elementët turbullues më të rrezikshëm,u shfaq në vitin 1914,Esat Pashë Toptani,i cili nëpërmjet lëvizjes së Haxhi Qamilit,donte të rrëzonte Princ Vidin për të vendosur në krye të Shqipërisë së coptuar një princ tjetër.Me porosi të Aqif Pashë Elbasanit,Mustafa Kruja le detyrën e drejtorit të arësimit dhe shkon në qytetin e lindjes.Aty bashkëpunon ngushtë me Abdi Bej Toptanin dhe atdhetarë të tejrë,duke mos lënë që lëvizja rebele e Haxhi Qamilit të depërtonte në Krujë.Pas largimit të Princ Vidit,Esta Pashë Toptani u vetshpall si kryetar i parisë së Durrësit,Tiranës,Krujës e rrethinave,duke patur sigurisht ndihmën e të huajve e sidomos Italianëve.Me urdhër të tij,Mustafa Kruja internohet në Itali,në fillim në qytetin e Barit e mandej në ishullin e Favinjavës në perëdnim të Sicilisë.Dy vjet ai do t’i kalonte në këtë ishull,sigurisht larg atdheut dhe familjes,por pranë librave e studimeve që i kishte aq fort në zemër.Në verën e vitit 1917,biri i Krujës lirohet nga internimi dhe shkon në Romë.Aty bie në kontakt me atdhetarin e njohur shqiptar Sotir Gjika,me ç’rast të dy së bashku botojnë gazetën politiko-letrare “Kuvendi”. Në detyrën e kryeredaktorit të kësaj gazete,Mustafa Kruja do të shpallosë ide të shquara për ardhmërinë shqiptare.Ai do të përpiqet me çdo kusht të ringjallë tek bashkëkombasit e vet,ate ndjenjë të shquar nacionale si në vitin 1912,për të rikthyer atdheut besimin e humbur.

Në vjeshtën e vitit 1918,i ndikuar sidomos nga Sotir Gjika,Luigj Gurakuqi dhe Abdi bej Toptani,shkon sërish në Krujë dhe 1 muaj pas shkuarjes atje,populli i qytetit e zgjedh përfaqsues të tij në Kongresin e Durrësit.Siç dihet,më 25 dhjetor 1918,në Durrës u formua qeveria e përkohshme shqiptare nën drejtimin e Turhan Pashës.Falë reputacionit të madh që gëzonte,Mustafa Kruja në këtë qeveri,emërohet në detyrën e ministrit të Postë-Telegrafeve.Më pas,në vitin 1919,ai do të ishte në delegacionin shqiptar për Konferencën e Paqës në Paris ku së bashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë do të ngrinin zërin në mbrojtje të fateve të vendit të vet. Me dhjetra telegrame, memorandume e peticione të qeverisë shqiptare në konferencën e Paqës,mbajnë pikërisht nënshkrimin e Mustafa Krujës.Një ngjarje tjetër që flet për vizionin e gjërë dhe atdhetar të Mustafa Krujës,është Këshilli Kombëtar i dalë prej zgjedhjeve parlamentare,të lirë,në vitin 1921.Në këtë Këshill Kombëtar,Mustafa zë vend si përfaqsues i popullit të Kosovës,i cili,duke u mbështetur në vetitë më të vyera të burrit e pranoi ate si zërin e vet në ngjarjet kulmore që kalonin viset shqiptare.Të dhënat e shumta arkivore,provojnë se ndër shqetsimet e mëdha të këtij Këshilli Kombëtar,ishte dhuna serbosllave në Kosovë dhe Maqedoninë shqiptare.Në diskutimet që këshilli bëri në korrik 1921,Hasan Prishtina,kërkoi që të dërgohej një komision parlamentar në Romë,Paris e Londër,dhe deri në Vashington,për t’i bërë të qartë botës  se çfar po ndodhte me shqiptarët jashtë kufijve politike të shtetit amë.Menjëherë pas fjalës së Luigj Gurakuqit,diskutoi deputeti i Kosovës,Mustafa Kruja i cili jo vetëm përkrahu Luigj Gurakuqin,por propozoi për ta vënë problemin mdhahorë të Kosovës në urdhër të ditës.Propozimi i deputetit Kruja u pranua nga të gjithë të tjerët,mandej u lexua edhe urdhëri i ditës i punuar prej Mustafa Krujës ku hidhej ideja e formimit të një komisioni parlametar prej tre vetash,për të shkuar pranë parlamenteve të kombeve kryesore “Me qëllim që të mundohen me i shty ata,për me detyru qeveritë e tyre me mjete që kan në dorë,për krijimin e të drejtave njerzore e kombëtare të vllezërve tanë”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë. Fondi 246, dosja 43 , fleta 19 ).

Në vitet 1922-1924,mërgon nga Shqipëria dhe lidhet sidomos me atdhetarët Aqif Pashë Elbasanin,Azis Çamin,Halim Pashë Derallën dhe Hajdin Dragën.Ndjen së brendshmi se ka mospërputhje të mendimeve të tij me Ahmet Zogun dhe për këtë arsye nuk pranon të bashkëpunojë me të.Vetëm 6-7 muaj shkon në Shqipëri në vitin 1924 dhe largohet po në fund të atij vitit së bashku me familjen,për t’u kthyer në atdhe në vitin 1940.Në periudhën kohore 1925-1940,më së shumti ai qëndron në Itali e Zvicër.Studiues i apasionuar,njohës i shkëlqyer i greqishtes,italishtes, turqishtes,frengjishtes dhe gjuhës sllave,punimet e tij,në këto vite do të drejtoheshin në rrafshe të ndryshëm,por kurdoherë brenda historisë dhe gjuhës së shqiptarëve.Do të ishte interesant,sjellja në këto radhë, e mendimit të thellë të Mustafa Krujës,lidhur me etimologjinë e emrit shqiptar.E them këtë,pasi Kruja,futet nëpër labirintet e gjuhës,duke patur parasysh sidomos historinë e kombit të vet.Ja çka thotë ai tekstualisht.”Mue as emri i mbretit të shpendëve s’ma mbush mendjen per etimologjinë e shqiptarit.Ma parë nuk ma rezulton që populli shqiptar,flas për popullin,për turmën,natyrisht dhe jo për poetët e shkrimtarët,t’i kenë dhënë ndonjëherë atij zogu,ndonjë farë rëndësije të veçantë,për të zgjedhur emrin e tij,per emën e vet.E quem shqipe ose shqype,shiponjë e shkabë,shkabonjë.Mundohet me e  vrame kudo që ta shohë,pra s’ka ndonji simpati të madhe për te… S’mjafton simpathija,admirimi poet edhe adhurimi per diçka,ose një trill çfardo,per me lanë nji   emen të vjetër,të trashiguem brez pas brezi,per me marrë nji të ri.Për këte duhen shkaqe me të thella,duhen shkaqe historike e psykologjike shumë të rëndësishme”.(M.Kruja “Antologji Historike” – “Sejko” 2001 , faqe 122 ).

Gjatë kohës së qëndrimit në Itali,dijetari dhe atdhetari Mustafa Kruja,pos të tjerave arrin të hulumtojë edhe në dorëshkrimet e rralla të bibliotekës së Venedikut.E cila ruante në arkivat e saj mjaft të fshehta për derën e princërve të Kastriotëve.Mendohet se pikërisht mbi bazë të këtyre dokumentave,por edhe prej hulumtimeve në Rumuni e Zvicër,Mustafa Kruja të ketë dalë në konkluzionet e mëposhtme ; “S’ka gja që s’bahet.Por me faktet historike e gjeografike që kemi sot në dorë,une them se Kastrijotëve tanë,troje me të vjetër se ato të Kastriotit të Dibrës nuk mund t’u caktohen.Dynastija e Kastrijotëve i ka pasur rranjët në Dibër të Poshtme.Origjina e Hasit lyp prova shumë ma të sigurta se ato që permenden në veprën e Fan Nolit… Gjoni,i ati i Skenderbeut,i permendur nder dokumenta qyshe prej datës 1407 ka sunduem krahinat e Dibrës,Matit, Krujës , Tiranës,Shijakut,Kavajës,Bregun e Mates deri afër Lezhës”. (M.Kruja”Antologji historike” –“Sejko” – 2001 , faqe 254 ).

Sidoqoftë,ajo ç’ka do të përflitej gjatë lidhur me personalitetin e Mustafa (Krujës) Kosovës,është padyshim detyra e tij si kryeministër i qeverisë shqiptare në vitin 1940-1941.Duke shkuar nga Zvicra për në Shqipëri,në vitin 1940,Mustafa Kosova (kështu ka qenë edhe i njohur),vendoset në Tiranë dhe me propozimin e disa intelektualëve shqiptarë inicon çeljen e Institutit të studimeve shqiptare.Tri muaj më pas,emërohet drejtor i këtij Instituti dhe në nëndorin e vitit 1940 ngarkohet me detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.Historiografia shqiptare e dalë prej pelenave të arkitekturës bollshevike,ende sot, e merr funksionin e Mustafa krujës në ato vite,si shembull i bashkëpunimit me Italinë.Dhe ku bashkëpunimi nuk mohohet.Po Mustafa Kruja nuk hypi askurrë në atë fron për të përfituar për vehte.Ai parashihte rreziqet e mëdha që i kanoseshin krejt trevave shqiptare dhe Italinë e parshihte vetëm si instrument me anë të të cilit do të realizonte Shqipërinë Etnike dhe të rimëkëmbte sadopak ekonominë e rrënuar shqiptare.Por vlen të mos harrohet edhe diçka tjetër.Mustafa Kruja ka qenë ndër ata intelektualë shqiptarë,të cilët më tepër se kushdo,ndjenin së largu dhe parashihnin rrezikun komunist që i kanosej Shqipërisë.Tejet energjik,në detyrën e kryeministrit shqiptar,ai do të drejtonte me dorë “të hekurt” luftën kundër komunizmit,si rrymë ideologjike jashtë kontinuitetit shpirtëror e moral të shqiptarëve.Janë dhjetra lëvizje të menduara të tij,për të goditur qysh në rrënjë,pemën e helmuar të komunizmit.Mjafton të sjellim në këto radhë një prej qindra urdhërave të tij,të cilat gjenden në arkivat e shtetit shqiptar,për tu bindur pse historiografia komuniste ka dashur të nëpërkëmbe emrin dhe veprën e Mustafa Krujës. “Urdhnoj forcat tona të gjindarmërisë,të marrin masa sa ma të rrepta e t’domosdoshme,kundra gjithfarë levizjesh të komunistëve shqiptar,të shitun tek sllavo-bullgarët”(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë. Fondi Kryeministria, dt.6 maj 1941 ).Po aq sa ish i rreptë me komunistët shqiptarë,po aq ishte i afërt me nacionalistët e krejt trevave shqiptare.Kujdesi i Mustafa krujës,veçanërisht për Kosovën,shihet edhe në një varg zgjedhjesh që ai kreu në funksionin e Kryeministrit,sidomos për çeljen  e shkollave shqipe si edhe organizimin e mbrojtjes sonë kombëtare.Edhe mbas dorëheqjes së tij si kryeministër (kjo donte të thoshte se bashkëpunimi i tij me italianët ka patur parakushtet e veta) Mustafa Kruja nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet atdhetare.Anipse,nuk mori më funksione shtetërore,biri i krujës do të bahskëpunonte me Rexhep Mitrovicën,Azis Camin,Bedri Pejanin, Mid’hat Frashërin dhe Fuad Dibrën duke dhënë ndihmesë të çmuar në krejt lëvizjen nacionale shqiptare.Me nismën e tij,Mustafa Kruja,ky intelektual i madh dhe i shquar,ndonëse i kishte rrugët dhe dyert e hapura në krejt Evropën,preferoi më mirë të grumbullonte dhjetra burra e të të luftonte kundër forcave komuniste,të cilat,që në traktet e para të hedhura tinëz nëpër rrugë kishin dënuar me vdekje birin e Krujës.Në verën e vitit 1944,atëherë kur forcat gjermane po e linin të detyruara Ballkanin,komunistët shqiptarë muarrën zemër dhe u vërsulën mbi nacionalistët shqiptarë.,në bashkëpunim me serbosllavët.Në këto momente,Mustafa Kruja ndodhet kurdoherë pranë mikut të vejtër të tij ,Mid’hat Frashërit,duke u përpjekur t’i bëjnë ballë sulmeve të hapura të komunistëve.Vetë historiografia shqiptare është e detyruar të pohojë se : “Kreu i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri,ish kryeministri kuisling Fiqri Dine,Mustafa kruja e të tjerë,vinin rrotull zonave të veriut,binin në kontakt me bajraktarë e krerë tradhëtarë duke i bërë thirrje popullit që të qëndronin duke i mbajtur me shpresën se së shpejti do të zbarkojnë ushtritë anglo-amerikane”.(Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar” vëllimi 4 , faqe 511 ).

  Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve,në shtatorin e vitit 1944,Mustafa Krujën e lajmërojnë se biri i tij,Besimi,student në Vienë,ishte sëmurë rëndë.Biri i Krujës ngarend drejt Vienës,por me gjithë kujdesin e madh,Besimi 19 vjeçar vdes.Vdekja e djalit,sidoqoftë do të shpëtonte jetën e atit.Në fillim të vitit 1945,Mustafa Kruja shkon në Itali ku rri disa vite.Më pas,në vitet e 50-të të shekullit që lamë pas e shohim në Egjypt ku ndjehet sigurisht më mirë në shoqërinë e Ahmet Zogut.Nga Egjypti shkon në Francë për tu prehur në vitet e 70 në Amerikë.Gjatë tërë kësaj kohe,ai punoi me vullnetin dhe intelegjencën që e karakterizonte,për të hedhur sa ma shumë dritë mbi fatin e mjerë të popullit shqiptar.Botoi me dhjetra artikuj në shtypin evropian dhe ate amerikan për çështjen shqiptare por meraku i tij,deri në varr,ishte “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i cili mbeti pa botuar dhe kishte mbi 2500 faqe.Një mikut të vet,më 1949 do t’i shkruante ; “Kam lanë në Shqipni nje mori dokumentash të jetës seme,që sigurisht janë bamë hi e tym ose pluhun në duer te komunistëve.S’mujshim me i bartun me vete,kur u ndava i deshpruem prej atdheut dhe familjes.Atje lash edhe dorshkrimin e fjalorit”.

  Me këtë brengë si edhe me dhimbjen e madhe për fatin e zi të kombit të vet,Mustafa Kruja,ky burrë i madh i shtetit,shkenctar,studjues e antikomunist i vendosur,mbylli sytë përgjithmonë më 27 dhjetor 1958 në qytetin Niagara Falls të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bern-Zvicër

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: ANTIKOMUNIST I VENDOSUR, burre shteti, Eugen Shehu, Mustafa Kruja

ILJAZ VRIONI, BURRE SHTETI ME SHPIRT FISNIK

July 22, 2013 by dgreca

Foto e Rrallë më 1920 nga e majta;Xhafer Ypi,Tef Curani,Iljaz Vrioni,Selaudin Shkoza, Kristo Floqi/

 Shkruan:Eugen SHEHU/

Shtigjet e historisë së një kombi janë kurdoherë paralele të hequra nga e shkuara drejt ardhmërisë. Anipse të duket sikur nëpër këto shtigje kthehesh prapa në kohë,në të vërtetë je duke ecur nëpër kumbime që zgjojnë dritë.Gjurmët e gjeneratave që shkuan mbeten kurdohere të afërta dhe të shkëlqyera sepse ato gjurmë çanë nëpër mote të vështira.Në mënyrë të veçantë,hapat e burrave që bënë dikur Shqipërinë,do të ruhen të gjalla në kujtesën e kombit tonë.Koha ka gdhendur në kujtesën  e vet,ashtu si për dhjetra burra shteti të shquar edhe figurën e Iljaz Vrionit.Duke risjellë këtë figurë në fletët e sodit,unë mendoj të sjellë disa prej ngjarjeve kulmore të lëvizjes sonë kombëtare në fillim të shekullit të njëzet,me të cilat është lidhur fort emri i atdhetarit Iljaz Vrioni.

Lindi në vitin 1882 në familjen e madhe të vrionasve,të parët e së cilës kishin bërë emër deri në hierarkinë më të lartë të Stambollit.Mësimet e para do t’i merrte në qytetin e lindjes në gjuhën turqisht dhe do të binte në sy për etjen e madhe ndaj librave.Në familjen e Iljazit egzistonte një mjedis me tradita të vyera dhe pamvarsisht kulturës osmane të marrë në shkolla,të parët e tij,kujdeseshin që çdo fëmijë të dinte jo vetëm të fliste gjuhën shqipe por edhe ta mësonte atë për të shkruar e lexuar,pa lënë mënjanë historinë shumshekullore të Beratit dhe mbarë Shqipërisë. Kur ishte 15 vjeç, Iljaz Vrioni merre rrugën për në Stamboll,aty ku studiuan në vite me radhë, pinjollët e familjeve të mëdha shqiptare.Aty,në shoqërinë e kushëririt të tij më të madh,Sami Vrionit,do të mbaronte mësimet e mesme dhe më tej do të përfundonte me nota të shkëlqyera studimet e larta për jurispondencë.Nga ana e Samiut,do të njihej në Stamboll me shumë prej atdhetarëve shqiptarë që jetonin aty.Por në mënyrë të veçantë,ai do të frymëzohej prej veprës së vllezërve Frashëri,motrave Qiriazi si dhe takimeve me Mehmet Ali Delvinën dhe Shahin Kolonjën.Mbrëmjet e gjata të kaluara midis këtyre patriotëve do të nxisnin tek studenti i shkëlqyer i Stambollit simpatinë për idetë dhe vetë lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.Kanë qenë këto arsyet që menjëherë pas kthimit nga Stambollit,Iljaz Vrioni vendos lidhje të fshehta me kolonitë shqiptare në Egjypt dhe Janinë,duke dashur të ndezë aty flakën e shqiptarizmës.Nëpërmjet Gjergj Qiriazit dhe Shahin Kolonjës,ai do të njihet në vitet 1907-1908 me veprimtarinë e klubit të fshehtë të Manastirit,duke ndërmarrë më pas nismën për të çelur në Berat një klub të tillë.Falë pasurive që gëzonte familja,ai mundi të blente nga Bukureshti e Sofja,abetaret e para të gjuhës shqipe,duke ua shpërndarë ato në mënyrë të fshehtë bashkëqytetarëve të vet,madje duke paguar edhe mësues për ta përcjellë mësimin e shqipes.Tashmë emri i Iljazit do të shkëndijoj respekt në masën e beratesve.Shtypi shqiptar i kohës do të shkruante ; “Muarmë një letër nga korespondenti ynë në Berat,ku na thotë se të enjten,më katër të këtij muaji,klubi i Beratit qenka çelur zyrtarisht.Zotërinjtë Sulo Resuli dhe Iljaz Vrioni paskan folur fjalën shqip me shum zjarr”.( Gazeta “Liria” Selanik,nr.20, datë 13 nëndor 1908 ).

Falë reputacionit që Vrionasit gëzonin në Stamboll në vitet 1909-1911,Iljaz Vrioni drejton administratën turke të qytetit,në funksionin e Kryekadiut.Fjalëpak dhe gojëmbël ai do të ndërtonte marrëdhënie të mira me vartësit dhe në mënyrë të veçantë me ata shqiptarë.Ai do t’a zbraste administratën e qytetit nga nënpunësit turq,duke mos i flakur ata në rrugë por shpesh duke i paguar nga xhepi i vet,apo duke u interesuar për punësimin e tyre në vilajete të tjerë.Si bir i qytetit të Beratit ai do të dëgjonte kurdoherë fjalët e pleqve dhe do të punonte natë ditë për rregullimin e urave,xhamive,kishave deri edhe të ujësjellësve,aq të domosdoshëm për banorët.Natyrisht detyrat administrative nuk do ta pengonin Iljaz Vrionin të ishte në krye të lëvizjes autonomiste të qytetit të vet.I bindur se vetëm një rezistencë e organizuar dhe drejtuar nga shqiptarët do t’i sillte pavarsinë vendit,në vitet 1911-1912,ai bashkëpunon me Ismail Qemalin,Ferid Vokopolën,Sami Vrionin, Bab Dud Karbunarën dhe të tjerë atdhetarë.Është lehtësisht e kuptueshme që ngjarjet e rëndësishme në jetën e Iljaz Vrionit do të mbetet pa dyshim,pjesmarrja e tij në Kuvendin historik të Vlorës,në cilësinë e delegatit të popullit të Beratit.Ai aspironte realizimin sa më parë të platformës autonomiste shqiptare,për të kaluar më pas me vullnetin e lirë të popullit drejt lirisë së ëndëruar në shekuj.Dihet tanimë se Qeveria e Përkohshme e Vlorës, zgjodhi qeverinë e parë shqiptare si edhe Senatin,i cili në çdo moment do të shërbente për të ndihmuar në mbarvajtjen e të parit shtet shqiptar.Në një prej dokumentave të atyre ditëve është shkruar tekstualisht ;”Përpara se të fillonte votimi për të zgjedhur këshillonjësit,z.Dhimitër Berati i lutet Kuvendit që të mbarohej kjo zgjidhje me një votim,domethënë të quhen të zgjedhur ata që do të kenë vota më shumë.Propozimi i zotërisë së tij pranohet dhe sakaq nis votimi.Zërat u ndanë në këtë mënyrë ,Iljaz Bej Vrioni pati 55 zëra,Sami Bej Vrioni 54,Dud Karbunara 48,Mustafa Asim Kruja 42, Murat Bej Toptani 42, Eqrem bej Vlora 40,Myfid Vehbi Efendi dhe K.Meksi nga 39,D.Zografi dhe Bedri Bej Ipeku nga 35,Sali Gjuka 35,Veli Bej Klisura dhe Hajredin Bej Cakrani nga 32,Xhela Bej Skrapari 30 “.( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi “Qeveria e Përkohshme” viti 1912, dosja 6, fletët 58-59 ).

Krijimi i shtetit të parë shqiptar me të gjitha strukturat e saj,ishte një barë e rëndë për krejt ata burra që ngritën flamurin kuqezi në Vlorë.Ishte esencial në ato momente,veprimi energjik për ta shndërruar atë akt patriotik në lëvizje politike dhe diplomatike,që të njihej sa më parë prej fuqive evropiane.Po aq i rëndësishëm ishte edhe organizimi i ushtrisë kombëtare shqiptare,e cila duhej të përballej me një varg okupimesh të ushtrive serbe,malazeze apo greke,të cilat në zbatim të politikave shovene të vendeve që përfaqsonin,kërkonin coptimin e krejt trojeve shqiptare.Iljaz Vrioni së bashku me Shefqet Shkupin,(shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kombëtare) që në ditët e para të janarit 1913,bashkërendojnë detyrat me vullnetarë beratas, etj,për të organizuar një mësymje të fuqishme ndaj forcave greke.Në mënyrë të veçantë,këta zhvillojnë disa luftime të fuqishme në trevat e Përmetit,Starovës,Korçës dhe Kolonjës,ku me ndihmën edhe të dhjetra atdhetarëve të tjerë mundën të largojnë forcat greke disa dhjetra kilometra larg vijës Korçë-Kolonjë-Gjirokastër.Edhe në vitet që rodhën më pas,ndonëse nuk do të ishte në qendër të ngjarjeve të mëdha,Iljaz Vrioni do të jepte ndihmesën e vet të paçmuar në çështjen shqiptare si brenda edhe jashtë vendit.Duke ndjekur me një qetësi të madhe rrjedhën e ngjarjeve politike në vend dhe duke paraparë synimet aneksioniste të fqinjëve tanë ballkanik,Iljaz Vrioni,në vjeshtën e vitit 1919,rënditet në vargun e burrave që duan t’i dalin zot fateve të kombit.Tallazet në të cilat e pati futur Shqipërinë,qeveria e Durrësit po e shpejtonin katastrofën kombëtare ndaj atdhetarët e asaj kohe shpejtuan në Kuvendin e Lushnjës,me një tjetër vizion për ardhmërinë e kombit të tyre.Së bashku me Hoxhë Kadrinë,Hafuz Ali Korçën,Ramiz Dibrën etj,Iljaz Vrioni përgaditi disa nga projekt-vendimet që u diskutuan më pas në Lushnjë dhe që kishin për qëllimn t’i tregonin Konferencës së Paqes që do të mbahej në Paris,se Shqipëria kishte zot,se ajo nuk mund të trajtohej si plaçkë tregu për të kënqur orekset e fqinjëve të shqiptarëve.Si delegat të Beratit në Kuvendin e Lushnjës,fjala e Iljaz Vrionit u përcuall me ovacione të veçanta.Trazirat e brendshme gjatë vitit 1919,detyruan kryeministrin shqiptar Sulejman Delvina të jepte dorheqjen në nëndorin e po atij viti.

Këshilli i Regjencës duke çmuar pjekurinë,atdhetarinë dhe urtësinë e Iljaz Vrionit,ia ngarkoi këtij barën e kryeministrit dhe më 19 nëndor 1919,burri i Beratit u betua përpara këtij Këshilli.Më pas me anë të një qarkorje të shpërndarë në tërë Shqipërinë,kryministri i sapozgjedhur njoftonte kombin e vet ; “Sot formova kabinetin nën kryesinë time,me ndihmën e Perëndisë e tue u mbështetun në vullnetin e popullit shqiptar po filloj në detyrë.Pikë së pari,qeveria e re do të përpiqet sa të mundi që makina guvernative të punojë me nder me rregull dhe drejtësinë e mundun.Këtë barrë kaq të randë për me u kujdesue pikëve të poshtëshënueme e duke bamë me shpejtësi një rregullore për zgjedhjen kombëtare të re… kështu duke hapur mbledhje kombëtare,ta lemë qeverinë në duart e atyre që do të fitojnë besimin e përfaqsimeve në popull… “( Gazeta “Koha” –Korçë, më 20 nëndor 1920 ).

Në kabinetin e sapozgjedhur,Iljaz Vrioni bashkëpunoi me burra të tillë si Fuad Dibra,Selaudin Bej Prizreni,Ahmet Zogu,Xhafer Ypi, etj,duke mundur të vendosë një qetësi të brendshme dhe duke ndjekur me kujdes,çdo zhvillim jashtë trojeve shqiptare që lidhej drejtpërsëdrejti me fatet e kombit tonë.Në sajë të unitetit të treguar në radhët e atdhetarëve shqiptarë,të stabilitetit të arritur dhe veprimit energjik të diplomacisë,një muaj më pas,në fundhjetorin e vitit 1920,Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të barbarta në Lidhjen e Kombeve.Kjo padyshim ishte një fitore e shkëlqyer,pasi i siguronte shtetit shqiptar autoritetin  e munguar dhe për më tej i largonte në mënyrë të dukshme fqinjët sllavo-gerk prej synimeve aneksioniste.Grupimet politike shqiptare brenda vendit,sidoqoftë nuk e ndërprenë luftën klanore.Kokëfortësia e tyre në arritjen e qëllimit,jo rallë shkoi deri aty sa qeveritë të binin si gjethet  e vjeshtës dhe kjo shkaktonte trishtim tek atdhetarët e vërtetë,pasi çdo situatë intepretohej prej fqinjëve tanë me slloganin që “shqiptarët nuk janë të aftë të vetqeverisen”.

Kështu,pas ndërimit të tre qeverive më 11 korrik 1921,Iljaz Vrioni zgjidhet me shumicë votash përsëri kryeministër i Shqipërisë.Me pjekurinë që e karakterizonte,ai frymëzonte dhe bashkëpuntorët e tij,që t’i shërbenin me ndershmëri e shqiptarizëm popullit të tyre.Pamvarsisht se çfarë mund të sillnin rrethanat dhe faktorët e jashtëm,në çdo veprim dhe ide të tij,gjente vend fryma e mirëkuptimit midis shqiptarëve,si faktorë parësor në mbrothësinë e atdheut.Me të drejtë politikani dhe diplomati i shquar Eqrem Vlora,për këto situata ka vërejtur se ; “Në Tiranë zotëron një kaos i vërtetë.Në vallen e të ashtuquajturve “kombinacione parlamentare”,në një kohë të shkurtër,midis 19 nëndorit 1920 dhe 24 dhjetorit 1921,ishin ndruar gjashtë qeveri.Ato ishin formuar dhe rrëzuar jo vetëm i përgjigjeshin apo nuk i përgjigjeshin urdhërit të popullit apo përfaqsuesve të tij,por sepse u përgjigjeshin interesave të klikave të ndryshme.Megjithatë dy nga këto qeveri nën kryesinë e Iljaz Vrionit kishin punuar mirë” (E.Vlora “Kujtime” – Tiranë 2001,vëll i dytë,faqe 180-181 ).

Edhe në ngjarjet e trishtuara të vitit 1924,roli atdhetar i Iljaz Vrionit do të ishte tejet i pranishëm.Siç dihet në 23 shkurtin  e vitit 1924 krahu kinse “demokrat-revulucionar” me anë të një shqiptari të verbër Beqir Valteri,i bëri atentat kryeministrit Zog.Me të dëgjuar të shtënat e armëve shumë nga parlamentarët u strukën në kariget e tyre,duke menduar për fillimin e ndonjë gjakderdhjeje të përgaditur.Ndërkaq,kur Ahmet Zogu i plagosur po kërkonte ndihmën mjeksore,ka qënë burri i urtë Iljaz Vrioni,i cili është ngëritur në foltoren e kuvendit duke qetësuar menjëherë situatën.Mbas kësaj fjale si edhe daljes në parlament të Ahmet Zogut,.i cili me gjakftohtësinë dhe trimërinë që e karakterizonte tha se këto nuk ishin ngjarje të pazakonshme,kundërshtarët e burrit të Matit duket se i humbën shpresat për rrëzimin e pushtetit.Edhe mbas dorheqjes së Ahmet Zogut,ata vazhduan luftën politike për të arritur në revulucionin e tipit bolshevik,ashtu sikundër e parashihnin.” Si këpurdha të helmuara në një moçal,shpërthenin intrigat e grupeve dhe të partive; dora “e kuqe” dhe “e zezë”,organizata “Bashkimi” dhe shoqatat të tjera revulucionare,anarkike e më të shumtën e rasteve qesharake,që mbillnin vetëm kaos.Këshilli i regjencës dhe shumica e Asamblesë gjatë një periudhe qetësie relative u përpoqën të kalojnë kandidaturën e Iljaz Vrionit për kryeministër.Por dora “ e zezë” ( intelektualë të dështuar,nënpunës dhe oficer të politizuar) e kërcënonin me vdekje kandidatin,në rast se ai merrte në kabinetin  etij Ahmet Zogun.rruga ishte bërë kështu gjykatëse për fatet e vendit”.( E.Vlora “Kujtime” vëllimi i dytë – Tiranë 2001 , faqe 219 ).

Sidoqoftë duke njohur tiparin paqtues të Iljaz Vrionit,shumica e deputetëve e këshillojnë të drejtoj ai shtetin dhe në pranverën e vitit 1924,zgjidhet sërish kryeministër.Por rrjedhat e politikës shqiptare janë tejet të turbullta.Revullucionarët e tipit leninist,pasi përkëdhelin ëndrën e disa ushtarakëve për shkallë të lartë kariere,përgadisin puçin e shtetit,i cili do të kishte si prelud vrasjen e Avni Rustemit në Tiranë.Në mënyrë të veçantë gjendja po bëhej dramatike në ditët e para të qershorit të këtij vitit.Ndërsa mbi 1200 trupa antiqeveritare po i afroheshin Tiranës për të rëzuar qeverinë,kryeministrin shqiptar,Iljaz Vrionin, e lajmërojnë se forcat qevritare kishin rrethuar në Adrenicë të Lushnjës rreth 200 ushtarë shqiptarë të komanduar prej Taip Shkodrës që donin edhe këta të rrëzonin qeverinë.Mjaftonte një urdhër i Vrionit dhe gjaku i shqiptarëve do të derdhej pa pushuar në Adrenicë.Por kryeministri shqiptar njofton xhandarmërinë e Lushnjës;”Asnjë konfrontim me forcat kundra qeverisë.Ruani gjakftohtësinë dhe hapeni rrethimin”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi MPB, dok,dt. 28 maj 1924 ).(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: burre shteti, Eugen Shehu, Iliaz vrioni

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT