• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Abdullahu ynë, ç’bëhet?

February 21, 2015 by dgreca

Shkroi:Faik Konica/
Këtu e nj’a dhietë viet më parë, isha duke hyrë në Shqipëri me udhë të Sërbis.Në Zibefçe – emëri i kufirit – zbritme. Me një herë na rethuan zaptienj e meëmurë me fytyra të kungullta e t’egëra, e, duke na përmbledhur përpara, po-si dhën, na kallnë në një katua, ku, pas pakë, na suallnë edhe plaçkat e vogëla që kishim. Pastaj, me një “tullumbë” plot me ujë të fenikuar zunë të na lagin e të na çpëlajnë. Në protestime t’udhëtarëve të qullur, të ndotur e të zëmëruar, një “bash-meëmur” thosh me rëndësi: “Irade var. Karantëna-nun nëzamnamesënë idshra idiorëz”. Do me thënë, në gjuhë shqipe: “Kemi lejë të viedhim udhëtarët, se diku ka dalë kolera”. – Kolera kish dalë tre viet më parë… në Turqi, dhe Turqia kish urdhëruar karantinë për ata që vijin nga jashtë. Kolera kish shkuar, urdhëri kish mbetur.
Si na lagnë e na “qëruan”, na shpunë në një shtëpi të drunjtë e aty na lanë gjer të nesërmen. Tre a katër rogosë, e nj’a dhietë ndenjëtore të kalbura: aty duhet t’a shkojim natën. Ishim nj’a dy mbë dhietë veta, nër të cilët një Frënk me të shoqen, edhe gruaja e një ish-ministori bullgar në kabinet të Stambullofit, pshatarake me një bark si kade e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të piekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit. “Zonja ish-ministoreshë”, në mënyrë bullgare, kthehej në pshat të saj në “Maqedoni” bashkë me të birin e saj gjashtë-mbë-dhietë vietsh e me një vajzë dy vietsh. Nuk më bie nër mëntt në kish shërbëtore.
Kjo katundare e shkretë e shihte me frikë të qasurin e natës: jo vetëm nuk kish kamare për gratë, por s’kish as vënt për të fietur. Çoj pra fialë te meëmurët, që ish gati të jipte një lirë për të gjetur vënt për të fietur; po, nga që kish thënë këtë me zë të fortë dhe sicilido kish dëgjuar, Turqtë nukë deshnë të duken se janë njerës të ergjëndit. Pra, e mira grua u-shtrëngua të rijë tërë natën më këmbë.
Për të shkuar kohën, diali i saj, i cili dinte pakë frëngjisht, nisi të flasë me mua. Më thosh që, sikur të veja në Bullgari, do t’më mirjin për pakryetar (anarkistë), se në Bullgari si duket të gjith’ ata që i lënë leshërët të gjata i marin për pakryetarë. Një Turk që hiqte çibukun këmbë-kryq afër nesh, e që kuptonte pakë zuri të qeshë: “Ojle-më? Hajr, hajr: uzun saç birakan felesofdur”. D.m.th., kush i ka leshërat e gjata është filosof.
Ashtu, duke dëgjuar gomarërira të tilla, e pashë të gdhirët. Me mëngjes, erdhi, që të na shohë mos kishim kolerën, mjeku, i veshur vetëm me këmishë të natës e me brekë. Zonja frënge, duke parë këtë Turk aqë çuditërisht të veshur, zu të skuqet nga turpi, e burri i saj u-qas të më pyesë në ish zakon në Turqi të dalin ashtu përpara botës.Thashë se, me të vërtet, moda e lartë në Turqi është të dalin përpara botës me këmishë të natës.
Si e pa mjeku se s’ishin të sëmurë – do me thënë si e lozi lodrën që loste që nga tre vjet për të zhveshur udhëtarët – nxuarmë të paguajmë “visitën”, e zotëria e tij u-hoq i kënaqur. Aherë na qitnë nga kësolla e na shpunë në “jumryk” që të na vështojnë plaçkat dhe “pasaportin”.
* * *
Me të parë se kisha libra, një “meëmur” u-mvrejt dhe më tha: “Puna jote ësht’ e ligë; ne këto libra nuk i kuptojmë; do t’i dërgojmë pra në Stamboll, e ti do të presh këtu. Dale të shohim ç’ke tiatër”. Zura të bie në çdo farë mendimesh; më kishin shkruar se një fjalë nga an’ e Valiut te kryetari i kufirit do t’më kish çliruar edhe nga të tilla punë edhe për pasaport që s’kisha; ç’ishin këto tani, e ç’më duhej të lëja vëndet e lira që të vete të bije në duar t’egërsirave? … Isha duke menjtuar ashtu, kur meëmuri më thotë me një zë t’egër t’i rëfej pasaportin: si s’kisha, i rëfeva “nufus-tesqerenë”. – “Bu ne?tha duk’ e marë. Para etmez”. Po me të parë emërin t’im u-habit: “Hata-olldu” thiri, e, me një herë, libra, plaçka e gjithë ç’kisha i mblodhi, e, duke më rëfyer udhën, më shpuri tek kryetari i jymrykut. Këto u-bënë në më pakë kohë se sa duhet për t’i shkruar, aqë shpejt sa s’pata kohë të mar vesh. Atie, meëmuri më kërkoj prapë ndiesë, duke thënë se kishin shkruar për mua, e se, sikur të më kish njohur, as do të kish hapur plaçka as do të kisha ndënjur me të tierët.
Turku përpara të cilit isha, ish një Anadollak në mënyrë të vietër, do me thënë njeri baba e i mirë, i egër po e ngave në fe, po në të gjitha të tierat i urtë. Më priti fisnikërisht, e, duke pirë kafenë që, si në pralla magjish, erdhi me një herë, po shikoja këtë fytyrë të gjerë me miekër të gjatë e me një palë sy gjithënjë si të hapura këtë çast nga gjumi.Po hiqte çibuk, duke menjtuar.Zumë të flasim.I thashë se, në mes t’udhëtarëve, ndodhej edhe e shoqia e një ish-ministori në kabinet të Stambullofit, e cila hoqi shumë në kësollë të karantinës. Si e pashë, Anadollaku ynë kish një mendim të math për Stambullofin, se, me të dëgjuar këtë emër, çoj e thiri zonjën e i dha një ndënjëtore (në funt të kamares). “Vaj, vaj, biçare kadën!” vente duke thënë. Mierisht, gruaja e shkretë kish një vajzë dy vietsh, e cila i a dha të qarit. “Artek senda… Gjel” thret Anadollaku më në funt, e, shërbëtorit që vien, “nxir-e këtë jashtë”, i thotë.
* * *
Kish rënë fjala përmi Europë (Avropa), – kur, me një herë, Anadollakut i qeshi buza, e duke lënë çibukun, më pyeti me interest: “Bëzum Abdullah ne ollijor?” – Abdullahu ynë ç’bëhet?
Mbeta një çast, i habitur. Ç’do të jetë ky Abdullah?
Pa fjalë nonjë i njohur e që ndodhet n’ato vise ngaha vij. Po t’i rëfej se nukë di ç’ësht’ Abdullahu, do t’më marë për njeri të humbur… I u-përgjigja, pra: “Shumë mir’ është. Ju dërgon selam”.– “Falem nderies, tha Anadolloku i mierë, sa-do-mos i habitur. Po ay s’më njeh: si më dërgoj selam?” Eh dreq, rashë në grackë! po shpejt e mora veten, e: “Vërtet, i thashë, nuk ju njeh, po më tha që sa Turq të mirë të gjej udhës, t’u thom selam nga an’ e tija”. Në këto fjalë, u-kënaq shumë.Po mua s’më jipte dorë t’i zgjat fjalët përmi Abdullahun, zura pra të flas për të tiera.Lumtisht, erdhi edhe koha për t’ u-ndarë, e e lashë Anadollakun duke hipur në tren t’udhës-së-hekurtë.
Në qerre ku hipa unë, hynë edhe dy veta tierë: Njëri, kryepolici i kufirit; tiatëri, mjeku, po këtë herë i veshur. Vejin gjer në Shkup. U-hap fjala me një herë, e kryepolici nukë më çuditi pakë duke nxierë një librë turqishte për të mësuar frëngjisht! Një njeri i policës turke të mësojë gjuhë të huaja! Dhe nuk dinte pakë fjalë.“Ne, më tha, kemi nevojë të mësojmë gjuhë të huaja, që të dimë se ç’thonë Avropada për ne”. Në këto e sipër, zuri të qeshë si një njeri të cilit i bie nër mentt një gjë për t’u-gëzuar, e më pyeti: “Bëzum Abdullah ne ollijor!” – Abdullahu ynë ç’bëhet?
Me të vërtet dita nisi liksht për mua!… Ç’është ky Abdullah që s’më lë në paqe, i vërtetë mundim, e vërtetë persecution! Isha i shtrënguar të gjej një udhë për të shpëtuar nga Abdullahu.
“Po ngaha e njihni Abdullahun?”, i thashë, – “E kush nuk e njeh Abdullahun t’onë? Ay ka bërë aqë punë të mbëdha”, m’u përgjigj kryepolici. Do me thënë, thashë me vete, Abdullahu unë s’ësht’ një mik i veçantë i këtyreve, po qënka një njeri botërar, homme public. Mirë “Vërtet, vërtet. Ka bërë, ka bërë.Po jo dhe punë aqë të çuditshme”.U-hoth polici; -“Ne demek!Abdullahu ynë i ktheu Inglizët me mijëra n’islamësi.Abdullahu ynë ësht’ njeri i math”. E, duk’ e lënë të flasë, menjtohesha: Do me thënë, Abdullahu ynë qënka një njeri që ka vajtur t’islamësojë Inglizët. Mirë. Po nga ç’vent është? Këtë të kuptojmë. “Ka kthyer e do të kthejë. Abdullahu ynë është njeri me mënt, thashë. Po do të kish bërë edhe më tepër punë sikur t’a dinte më mirë inglishten”. – “Po s’i s’e ditka?më tha polici. Abdullahu ynë është Ingliz. Si e dini, e si e di gjithë bota, ay u-bë musliman kur ish një-zet-e-pesë vjetsh”. E prisha punën pakë, e, kur përpiqesha t’a ndërtoj, qëndroj treni në çast, e hyri një mylazim në kamare t’onë. Me të mësuar se vija nga Perëndimi: “Allah ashkëna, thirri duhe u-qasur, bëzum Abdullah ne ollijor?” Për dashuri të Perëndisë, Abdullahu ynë ç’bëhet?
“Për atë flisjim, thashë. Evropa e tërë Abdullahun ka në gojë”. – Hamd ollsun, tha mylazimi. Inshallah e kthen Evropën e tërë”.– “Inshallah.Po kam frikë se mos vonojë sado-mos ajo dit’ e madhe”.– “S’vonon, thotë polici, s’vonon.Siz korkmainiz.Japar bëzum Abdullah”.– “Mutllak japar bëzum Abdullah”, tha mjeku.– “Uallaha japar bëzum Abdullah, tha mylazimi.Po në sa vjet, pas mëndies s’uaj?” më pyeti, pa pakë.“Në nj’a pesë-dhjetë vjet, Inglizët do të jenë të gjithë muhamedanë”, thash unë.“Ne demek?i’ a bëri polici. On sene-de japar bëzum Abdullah!…” D.m.th.: Në dhjetë vjet e mbaron atë punë Abdullahu ynë.
“Në Shkup, më thotë mylazimi, mos harro, në u pjeksh me Ferikun, t’i zësh në gojë Abdullahun t’onë, se edhe atij shum’i k’ënda Abdullahu ynë”.
Udhëtimi u-mbarua. Pashë Shkupin. Vajta në shumë vise të Shqipëris: e, kudo që gjeja një Anadollak, e para fjalë qe: “Bëzum Abdullah ne ollijor?”; aqë sa, më në funt, zunë të më tingëllojin në vesh nat’ e ditë ato fialë. Zura të shoh Abdullahun n’ëndër, herë nënë fytyrë të nonjë hoxhe që, me çallmë të gjelbër të lartë sa një minare, falej duke kënduar; herë, nënë fytyrë të nonjë shehu të hipur me një kalë të zi e të rethuar prej Arapësh me kama të zhveshura… U-bë nevojë, për shëndetin t’im të largohesha sa më shpejt nga një qark i tillë; punë q’ e bëra pa pritur.
Mësova më tutje se “Abdullahu ynë” ish një Ingliz i Mançesterit i kthyer n’islamësi, e besonj të jet’ ay që, sot për sot, u bë “Sheh-Islam” i Inglizëve e për të cilin u-bë fjalë, më sipër, në këtë numër t’Albanies.
Kur u ktheva, shkova prapë me atë udhë me të cilën kisha ardhur. Në Zibefçe, treni qëndroj vetëm pesë minute: pra, me-zi pata kohën të përshëndoshem me efendijtë. Por kur u-ngrit treni, kryepolici më briti me një herë: “Bëzum Abdullaha selam!”.
Sqarime:
Meëmurë – turq.mehmurë, nëpunës osman
Ujë i fenikuar – përzierje e acidit fenik me uthull dhe kolonjë, përdorej dikur si antiseptik.
Jymryk – turq.gjymryk, doganë.
Nüfus teskere – turq.çertifikatë lindjet.
Ferik – gjeneral divizionit.
Abdullah Henry Quilliam (1856-1932) – avokat anglez nga Liverpool-i, u kthye në besimin islam dhe bëri prozelitizëm duke patur një farë suksese. Me vdekjen e tij pasuesit pothuajse u shpërndanë.
*Revista “Albania”, tetor 1903. Titulli origjinal i shkrimit është: Kuitim.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdullahu ynë, ç’bëhet?, Faik Konica

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT