-Kosovë – Gjermania kërkon të punohet për liberalizimin e vizave – investimet strategjike dhe diaspora çelës të zhvillimit ekonomik/
PRISHTINË, 12 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Zv. kryeministri Dardan Gashi priti ambasadorin gjerman, Christian Heldt, me të cilin bisedoi rreth përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave dhe kompletimin e këtij procesi të rëndësishëm për ecurinë e shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.Nevoja e investimeve strategjike dhe roli i diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të Republikës, ndër të tjera, ishin disa nga temat që u diskutuan në takim.
“Mbështetja e Gjermanisë si në të kaluarën, tash dhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjeve të tjera me rëndësi, si investimet strategjike, është e domosdoshme, dhe kosovarët janë të vetëdijshëm dhe mirënjohës për këtë”,- ka thënë Zv. kryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Ndërkaq, ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka kërkuar sa më parë të funksionalizohet aspekti ligjor i investimeve strategjike, që të nisë ky proces.
“Liberalizimi i vizave është një kapitull që duhet të mbyllet sa më shpejt, në të mirë të kosovarëve, por institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin detyrimet e dala nga ky proces. Ka investitorë gjermanë që mund të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë. Përfshirja e diasporës kosovare që jeton në Gjermani në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës, gjithashtu, është e rëndësishme”,- ka thënë ambasadori Heldt.
Zv. kryeministri Gashi dhe ambasadori Heldt u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy qeverive./b.j/