• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qerim Haxhiu, Rilindasi i Fundit në Diasporën e Shqiptarëve të Egjiptit

August 14, 2020 by dgreca

– Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES”….*

Qerim Haxhiu se bashku me zonjen Haxhiu dhe dy femijet.

– Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhe ishte i abonuar në gazetën DIELLI-

– Kur Mbreti Ahmet Zogu jetonte në Egjipt, I ftuar nga Mbreti Faruk, Qerim Haxhiu kishte lidhje të përhershme me Oborrin Mbretëror. Ai ishte takuar me Princin Leka, heroin e 7 Prillit Gjeneral Abaz Kupi, me Skënder Zogu dhe personalitete të tjerë….

– K/redaktori i sotshëm i Gazetës Dielli, ka pasë letërkëmbim me Qerim Haxhiun, kur drejtonte seksionin shqip të Gazetës Illyria.

Fotografi familjare…

Qerim Haxhiu lindi në Lushnjë më 7 shkurt 1920 në një familje qytetare,fisnike,patriotike të Lushnjes.

Foto me te atin, Bajram Haxhiu, i njohur per kontributin ne Kongresin e Lushnjes.

Djali i patriotit të shquar shqiptarë Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.Qerimi shkollën fillore e kreu në Lushnje ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës.Qerim Haxhiu shkollën e lartë e vazhdoi për teologji (shkenca islame) në universitetin “Al-Azhar” në Kairo,Egjypt.Ai në vitet ‘30 u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit ‘Kongresi i Lushnjes’ i qytetit të Lushnjes.Qerimi ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjarë dhe i pari që nisi “rrugën” e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjarë dhe atë shqiptarë “Haxhiu”.Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri.Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt,por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike.Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta,revista të diasporës shqiptare të Egjiptit gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet.Haxhiu ka qënë nismëtarë i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve,peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare.Në 7 prill 1939 kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte njëri prej studentëve shqiptarë organizator të protestave në Kairo.Në vitin 1958 Tito do të vizitonte Naserin në Egjypt dhe këtij të fundit Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe për gjëndjen e shqiptarëve në Jugosllavi.Në përmbajtjen e Memorandumit  jepeshin të dhëna mbi golgothën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanë nuk jetojnë vetëm në Bosnje,por edhe në Kosovë,Maqedoni,Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë.Memorandumi megjithëse iu drejtua Naserit nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit por memorandumi u dorëzua në Ambasadën Jugosllave.Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej gjitmonë përkohësisht kur Tito do të vizitonte Egjiptin.Në 9 korrik 1941 Qerimi do të shkruante poezinë  “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare të Baba Ahmet Serri Glina me origjinë nga Përmeti.Teqeja “Magauri” në Kairo të Egjiptit u kthye në një “shtëpi” për shqiptarët atje pas pushtimit të Shqipërisë nga italia fashiste.Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohur shqiptare që emigruan në Egjipt.Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut,Shqipërisë, Kosovës,shqiptarëve të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë.Qerimi ishte antikomunist i flakët,demokratë dhe nacionalist i madh.Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951),Qerimi mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e Çajupit,gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit,në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt.Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës PanShqiptare“Vatra” në Amerikë.Qerimi edhe në Egjipt gjatë gjithë jetës qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë është shprehur: – “ Unë kudo që të shkoj,kërkoj shqiptarë,sepse pa ta dita nuk më shkon ”.Qerimi ka takuar edhe Mbretin e Egjiptit me origjinë shqiptare Faruk njëherë në një iftar që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare.Ai në Kairo ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptarë ndër të cilët janë: Mbreti Zog I dhe Familja Mbretërore Shqiptare (Mbretëreshën Geraldina,Princin Leka I,Skënder Zogu),Ernest Koliqi,Abaz Kupi,Nexhmedin Qorraliu,Qemal Butka,Aleksandër Meksi,etj.Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri,Qerimi mbajti lidhje miqësore dhe kjo ishte vazhdimësi e një miqësie të vjetër që fillesat i ka në 1920 në Kongresin e Lushnjes e babait të Qerimit nismëtarit të Kongresit Bajram Haxhiu me delegatin e Matit Ahmet Zogun.Haxhiu e vizitonte shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare në residencën e saj në Aleksandri.Gjithashtu gjatë stinës së verës Qerimi qëndronte në residencën e Familjes Mbretërore Shqiptare,ku i mësonte dhe gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog.Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë.Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e Shqiptarëve në Kairo.Gjithashtu ai ka dhënë edhe leksione 3 herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kairos.Në vitin 1967 gati pas 3 dekadash u nis me anë të një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun Shqipërinë që pas vajtjes me studime në Egjipt në 1938.Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe,ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij aktivisti i shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu.Një moment prekës të kësaj vizite atdhetari Qerim Haxhiu nuk e harroi asnjëherë për të cilin ka treguar se: – “ Nga Tirana deri në Lushnje nuk kam pushuar së qari.Kur arrita në Lushnje oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz.U takova me të gjithë me shumë mall.Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu),ai posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj ngase njëzet e nëntë vjet nuk më kishte parë! Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë ”. Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj.Shukrane me origjine nga Prishtina por me vendbanim në Kairo,vajza e Dr.Shyqyri Çupishti i cili ishte kirurg dhe Drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-1935.

Qerimi ka lënë dy fëmijë nje djalë dhe një vajzë.Djali Iliri me profesion Farmacist dhe punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë ndërsa vajza Dhurata,Doktore e Shkencave të Kimisë,Profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë.Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kairos ndërsa Dhurata në atë Amerikan.Femijët e Qerimit jo vetëm gjuhën shqipe që ua mësoi i ati dhe që e flasin qartë dhe rrjedhshëm,por ata njohin edhe disa gjuhë të huaja.Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Egjipt ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj.Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo,me origjinë nga Shqipëria,Kosova,shqiptarë të Malit te Zi,Maqedonisë dhe Çamërisë) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga bibloteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për cështjet atdhetare.Bibloteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip,turqisht,italisht,anglisht,frëngjisht,etj.Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar Haxhiu ishin ata që tregonin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare.Në disa prej rafteve të Biblotekës së madhe të Qerimit qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij i cili ishte “Homeri Shqiptar” Gjergj Fishta.Librat e Fishtës e kthenin shpesh herë me mëndje e zemër në atdhe por pa harruar edhe pikturat e veçanta për të ato të piktorit korçarë Guri Madhi që pasqyronin atdheun që Qerim aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare.Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe,në Shqipëri.Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit.Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup.Në Gazetën Illyria,1209,21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar është publikuar një shkrim për atdhetarin e madh Qerim Haxhiu.Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët,ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël,bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.

Me Kryeministrin e Shqiperise Aleksander Meksi.

*Shtesë nga DIELLI: – Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhe ka bashkëpunuar me drejtuesit e Vatrës edhe në një project historik të diasporës shqiptare në Egjipt, projekt që e ndërmori Vatra dhe që u realizua nga Qerim Haxhiu në bashkëpunim me studentët shqiptar atje –

– Kur Mbreti Ahmet Zogu jetonte në Egjipt, I ftuar nga Mbreti Faruk, Qerim Haxhiu kishte lidhje të përhershme me Oborrin Mbretëror. Ai ishte takuar me heroin e 7 Prillit Gjeneral Abaz Kupi, me Skënder Zou dhe personalitete të tjerë….

– K/redaktori i sotshëm i Gazetës Dielli, ka pasë letërkëmbim me Qerim Haxhiun, kur drejtonte seksionin shqip të Gazetës Illyria.

*Shkrimi u dergua per Diellin nga Kevin Haxhiu

Filed Under: Featured Tagged With: diaspora shqiptare, Egjipt, Qerim Haxhiu, Rilindasi i fundit

DIASPORA SHQIPTARE DHE PERKUJTIMI I 500 VJETORIT TE SKENDERBEUT NE ROME

February 8, 2018 by dgreca

 

1 Monum Skenderb Rome1 sheshi Sh Pjeter arbereshet1 Shqip e amerik rom1 shqip Rome2 Salla e Kumtesave

SI E SHËNOI DIASPORA 50-VJETË MË PARË NË ROMË, 500-VJETORIN E VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBE/

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Siç dihet, viti 2018 është shpallur nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës, por edhe nga Kisha Katolike në trevat shqiptare dhe në diasporë, si viti i Gjergj Kastriotit Skendërbe. Janë mbajtur disa manifestime dhe është në plan të zhvillohen programe të ndryshme kulturore, akademiko-shkencore dhe ceremoni të tjera përkujtimore, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë — gjatë gjithë këtij viti.  Këtu në Shtetet e Bashkuara ky përvjetor është shënuar ditët e fundit nga diaspora me simpoziume në Nju Jork dhe në Detroit ku kanë marrë pjesë një numër studiuesish dhe historianësh të njohur nga Shqipëria, nga Kosova dhe diaspora, për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi historike.   Në këto simpoziume kanë marrë pjesë shqiptarët e diasporës pa dallim feje a krahine. Ashtu siç janë bashkuar gjithëherë për raste të tilla, ashtu u bashkuan edhe tani për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes.

Është kjo pjesë e një tradite që diaspora, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme, megjithë mjetet e kufizuara për të shënuar përvjetorë të tillë kombëtar – është përpjekur të kremtojë rregullisht datat historike dhe herojtë kombëtarë të shqiptarëve.  Shënimi këtë vit i 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut na sjellë në kujtesë 500-vjetorin e Skenderbeut dhe ceremonitë e simpoziumet që u organizuan nga diaspora shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.  Ishte pikërisht, 50-vjetë më parë që diaspora shqiptare qe bashkuar në Romë dhe në Vatikan për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Kryetrimit të Kombit shqiptar dhe të veprimtarisë së tij epike.  Me ndihmën e Vatikanit dhe Papa Palit të VI, të Arbëreshëve dhe të diasporës shqiptare të njohur në Romë në atë kohë, përfshir Profesor Ernest Koliqin dhe të tjerë shqiptarë të dalluar mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare — të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e vet për historinë kombëtare duke nderuar Fatosin e tyre të Madh.   500-vjetori i Vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe ishte gjithashtu një rast që vuri në dukje edhe respektin e Vatikanit për Heroin e Shqiptarëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi, gjë që u pasqyrua në pritjen entuziaste që iu bë shqiptarëve në vitin 1968 në Vatikan nga Pali Pali i VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar të shqiptarëve.

Shqiptarët — përfshirë një grup të madh të diasporës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga organizata pan-shqiptare Vatra që u prinin Peter Chicos dhe Anthony Athanas, kishin shkuar në Romë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit — nga të gjitha anët e botës, përveç Shqipërisë komuniste të asaj kohe.  Në një frymë vërtetë kastriotjane bashkimi kishin vajtur në Romë arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova, mërgimtarë nga Evropa, Australia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20, u bashkuan me arbëreshët të cilët ishin detyruar nga otomanët të largoheshin nga trojet e tyre, pesë shekuj më parë.  U bashkuan në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot – të bashkuar — ashtu siç i do shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skenderbe.  Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi — e cila i kishte kushtuar një numër të tërë prej 250 faqesh me një përshkrim të gjatë ceremonive me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut– shkruante se pjesëmarrja e diasporës shqiptare në Romë me atë atë rast nderoi botërisht, Shqipërinë dhe Fatosin e saj Gjergj Kastriotin – Skënderbe.  “Të huajt e ardhun nga katër anët e dheut çmeriteshin në atë shesh tue shikue ato vargje të ndritëshme shtegtarësh që ngitshin të dalun nga prehni i mesjetës, nga XV qindvjet i cili njofti lavdinë e Kruetanit të Madh.  Pyetshin plot kureshtje se kush ishin ata burra e ato vasha. Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tringulloi si za burije atë ditë në gojën e mija turistave ndërkombëtarë” do të shkruante Ernest Koliqi, në numrin e posaçëm4-6, 1968 të Shëjzave, kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar.  Koliqi e ka cilësuar pjesëmarrjen e Vatranëve dhe të tjerëve nga diaspora e Amerikës si një prani që ua “shtoi shkelqimin kremtimeve”.   “Hijet e madhnueshme të Fan Nolit e të Faik Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë në radhët tona kryesinë vatrane, që në këto kohëna të turbullta përpiqet të ndjekë gjurmët e mëdha të atyne dy patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës.  Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes atë ditë po reshte mbi bashkimin e Arbershve me Shqiptarë.   E bashkë me atë dritë edhe rrezja e bekimit të Perendisë”, ka shënuar Koliqi në kronikën e botuar në revistën e tij Shëjzat.   Në kronikat e Shëjzave për kremtimet e 500-vjetorit të Skenderbeut, përmenden disa prej emërave më të dalluar të diasporës shqiptare të asaj kohe në Amerikë, të cilët kishin marrë pjesë, si përfaqsuesit e lartë të Vatrës, Anthony Athanas e Peter Chicos, por edhe shkrimtari i njohur Nexhat Peshkëpia, Dr. Hamdi Oruçi, Selahudin Velaj, Adem Hodo shkrimtari Nelo Drizari, ndër të tjerë.   Nga Evropa dalloheshin, Princi Ferdinando-Castriota-Scanderbeg, Dhimitër Berati,  Profesor Ernest Koliqi, At Zef Valentini, Gjen. Zef Serreqi, Profesor Namik Resuli, major Rrok Nallbani, dr. Ragip Frashëri, dr. Ismail Verlaci, profesorët Abas Ermenji, Vasil Andoni e Zef Pali, Sulejman Meço, Kap. Ndue Gjomarkaj, dr. Luigj Zanga e poeti Martin Camaj.   Ndër pjesëmarrës të tjerë dalloheshin edhe personalitete të diasporës së atëhershme, të dëbuar, të arratisur ose të ndaluar të këtheshin në atdhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishin edhe Ahmet bej Resuli, Nexhmedin Vrioni e Ekrem Telhajn, prof Giuseppe Gardilone, Omer Fortuzi e Aslan Zeneli, Tahir Zajmi si dhe Lin Shkreli dhe piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija.   Ndër klerikët dalloheshin, Dom Prenk Ndrevashaj, At Daniel Gjeçaj, At Jak Marlekaj, At Ambroz Martini, At Paulin Margjokaj dhe At Vinçenc Malaj, e shumë e shumë pjesëtarë të tjerë të njohur të diasporës shqiptare, të mbledhur të gjithë së bashku në Romë, me gjithë ndryshimet e tyre politike që ekzitonin midis tyre.  Por ata u bënë së bashku me atë rast për të shënuar Krye Heroin e Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve.  Unë kam pasur fatin të njoh disa prej këtyre personaliteteve shqiptare dhe mund të them se në gjykimin tim modest, ishin ajka e Kombit shqiptar dhe se çdo komb do krenohej me njerëz të tillë.   Kombi i tyre, fatkeqsisht, i konsideron gjithnjë, shumë nga këta, si “kolaboracionist” dhe “surretër”.

Në kronikën e revistës Shëjzat thuhet gjithashtu se mallëngjim dhe ngushullim të veçantë shkaktoi, ndër pjesëmarrësit në kremtimet kastriotjane, prania e një grupi të madh bashkatdhetarësh mërgimtarë, ndoshta më pak të njohur, por aspak më pak patriotë — të udhëhequr nga Dom Prenk Ndrevashaj, i cili kujdesej për fatin e tyre.  Ata, që vitet e fundit kishin lënë Atdheun për të shpëtuar nga dhuna komuniste, u bashkuan me mergimtarët Arbëreshë të cilët kishin ikur nga Shqipëria 500-vjetë më parë për t’i shpëtuar dhunës otomane.  Thuhet se aty në Vatikan — për herë të parë — u bashkuan dy mërgatat shqiptare, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

50-vjetë më parë në Romë, ishte Gjergj Kastrioti- Skenderbe, Ai i cili bashkoi shqiptarët e të gjitha ngjyrave politike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Krye Trimit të shqiptarëve.   Ishte pikërisht, 50-vjet të shkuara që u bashkuan shqiptarët e diasporës rreth Gjergj Kastriotit, i cili ashtu si në kohën e tij, Ai pat bashkuar princat shqiptarë në luftën kundër hordhive otomane dhe armiqëve të vendit.  Po sot, me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe — të pakën në vitin e shpallur si viti i Skenderbeut – a do të mblidhen “princat” aktual të shqiptarëve që të kremtojnë dhe të veprojnë bashkarisht, në mbështetje të interesave madhore të Kombit?

Filed Under: Featured Tagged With: 500 vjetori, diaspora shqiptare, Frank shkreli, i Vdekjes se Skenderbeut

DIASPORA SHQIPTARE, ÇELËS PËR ZHVILLIM EKONOMIK

October 12, 2017 by dgreca

-Kosovë – Gjermania kërkon të punohet për liberalizimin e vizave – investimet strategjike dhe diaspora çelës të zhvillimit ekonomik/

PRISHTINË, 12 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Zv. kryeministri Dardan Gashi priti ambasadorin gjerman, Christian Heldt, me të cilin bisedoi rreth përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave dhe kompletimin e këtij procesi të rëndësishëm për ecurinë e shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.Nevoja e investimeve strategjike dhe roli i diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të Republikës, ndër të tjera, ishin disa nga temat që u diskutuan në takim.

1 ddiaspora1“Mbështetja e Gjermanisë si në të kaluarën, tash dhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjeve të tjera me rëndësi, si investimet strategjike, është e domosdoshme, dhe kosovarët janë të vetëdijshëm dhe mirënjohës për këtë”,- ka thënë Zv. kryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

Ndërkaq, ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka kërkuar sa më parë të funksionalizohet aspekti ligjor i investimeve strategjike, që të nisë ky proces.

“Liberalizimi i vizave është një kapitull që duhet të mbyllet sa më shpejt, në të mirë të kosovarëve, por institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin detyrimet e dala nga ky proces. Ka investitorë gjermanë që mund të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë. Përfshirja e diasporës kosovare që jeton në Gjermani në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës, gjithashtu, është e rëndësishme”,- ka thënë ambasadori Heldt.

Zv. kryeministri Gashi dhe ambasadori Heldt u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy qeverive./b.j/

Filed Under: Emigracion Tagged With: ÇELËS TË, diaspora shqiptare, ZHVILLIMIT EKONOMIK

DIASPORA SHQIPTARE NË SHBA DËNON ASHPËR AKTIN VANDAL NË PODGORICË

April 17, 2016 by dgreca

Djegëja e flamujve kombëtar dhe shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës pran ambasadave të tyre në Podgoricë është një akt vandal i mentaliteteve primitive të fqinjëve tanë ballkanas. Aktet e tilla të urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe shteteve të tyre qesin në pah nivelin e lart të urrejtës që mbizotëron në mentalitetet e shoqërisë malaziase për çdo gjë që ka të bëj me qenien shqiptare si tersi.

Diaspora shqiptare në SHBA është e zhgënjyer thellësisht me mënyrën se si vallë  për akte të kësaj natyre shteti i ashtuquajtur “demokratik” malazias asnjëherë nuk arrit të i qes para drejtësisë kryesit e këtyre sulmeve që në vazhdimësi po përsëriten duke acaruar deri në pikë të vlimit marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërshtetërore .

Diaspora shqiptare e cila ka qenë shpeshherë katalizator i shumë lëvizjeve të mëdha kombëtare, tërheq vëmendjen  me përfundimin e qartë  se nëse nuk merren masa adekuate për parandalimin e këtyre veprimeve antishqiptare,  reagimi i jonë do jetë i vrullshëm dhe shume energjik, dhe se do kërkojmë që trevat e copëtuara padrejtësisht shqiptare të i kthehen trungut të ndarë atdheut deri me ndryshimin e kufijve artificial të vendosur në mes të shqiptarëve me forcë nga të tjerët.

Shoqatat:

Shoqata Atdhetare ’’Ana e Malit’’-New York

Shoqata Atdhetare ‘’Malësia e Madhe’’- Detroit

Fondacioni ‘’Plavë Guci’’- New York

Shoqata ‘’Malësi e Madhe’’- New York

Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’- New York

Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’- New York

 

New York, Detroit

16 Prill 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: diaspora shqiptare, ne Podgorice, NË SHBA DËNON ASHPËR AKTIN VANDAL

INTERVISTA-DIASPORA SHQIPTARE, AMBASADORE E ÇËSHTJES KOMBËTARE NË AMERIKË

March 6, 2015 by dgreca

Intervistë e z. Sulejman Gjana, Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dhënë Editorit të Gazetës DIELLIT në SHBA, Dalip Greca/
Z. Sulejman Gjana, kryetar i Legalistëve shqiptarë kreu një vizitë pune në SHBA. Ai ishte mysafir në shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, pati takime pune me strukturat e Partisë së Lëvizjes së Legalitetit në SHBA, ishte i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës , ku ai përshëndeti; pati takime pune me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishte një takim të frytshëm me kongresistin Eliot Engel, mik i shqiptarve, ishte pjesë e panelit të konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York, u takua me komunitetin hebre, me krerët fetarë etj. Në fund të vizitës z. Gjana dha intervistën e mëposhtme për Gazetën DIELLI. Ndiqeni:
Pyetje: Z. Gjana ju kryet një vizitë në ShBA. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?
Gjana: Vizita ime në SHBA kishte disa qëllime. Së pari, për të takuar anëtarët dhe simpatizantët e Legalitetit që nuk janë të pakët në SHBA. Dega e PLL në SHBA që aktualisht drejtohet nga z. Hakik Mena është një ndër degët tona shembullore si nga historia e saj ku unë gjykoj se Etërit Themelues (founding fathers) të Legalitetit e kanë krijuar këtë degë dhe ideologjinë e PLL, si nga cilësia e përbërjes së kryesisë dhe anëtarësisë aktuale, si nga aktivitetet e kësaj dege në komunitetin shqiptar në SHBA, kontaktet që mban me partnerët tanë amerikanë dhe mbeshtetja e saj për partinë në Shqipëri. Së dyti, vizita ime kishte një axhendë të ngjeshur takimesh me zyrtarë amerikanë dhe miq të Shqipërisë. Po ashtu, kisha një ftesë për të qenë në panelin e konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York. Isha gjithashtu i ftuar në disa aktivitete të komunitetit shqiptar në New York dhe Connecticut me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë të Kosovës. Kisha po ashtu disa takime me përfaqësues të lartë të disa komuniteteve fetare në SHBA, ku ne kemi raporte të ngrohta edhe me komunitetin hebre i cili nuk harron kurrnjëherë mbështetjen që Shqipëria dhe Mbreti Zog ju dha atyre në vitet kur ishin të rrezikuar në vendet e tjera të Europës para LDB. Sigurisht që vizita ime kishte për qëllim edhe të takoj personalitetet dhe shoqatat shqiptare aktive në SHBA me të cilat PLL dhe legalistët kanë një histori të gjatë bashkëpunimi siç është Federata Pan-shqiptare Vatra.
Përse zgjodhët Vatrën për vizitën tuaj të parë?
Gjana: Vatra dhe udhëheqësit e saj kanë dhënë një kontribut të çmuar për kombin shqiptar dhe në kohëra të vështira siç ishin vitet e para të lindjes së mundimshme të shtetit shqiptar, koha e diktaturës komuniste në Shqiperi, periudha e gjatë e pushtimit të Kosovës, demokracia e brishte dhe tranzicioni i pafund në Shqipëri, etj; dhe ky kontribut duhet vlerësuar!
Nga ana tjetër, duhet të rrëfej se unë ndihem si në shtëpinë time tek Vatra dhe kjo për disa arsye: së pari, sepse një histori e gjatë e lidh Legalitetin dhe organizatën Vatra ku shumë personaletite të legalitetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në strukturat drejtuese të kësaj organizate dhe ku legalistët dhe zogistët shqiptarë i kanë dhënë Vatrës një mbështetje të konsiderueshme në vazhdimësi; së dyti, sepse Vatra dhe Legaliteti kanë si emërues të përbashkët çështjen kombëtare dhe angazhimin e vazhdueshem dhe të pakursyer për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si dhe për bashkim kombëtar; se treti, sepse Vatra është gjithmonë një burim dhe frymëzim ndjenjash patriotike dhe atdhetare për të gjithë shqiptarët dhe çdo takim tek Vatra dhe me vatranët shërbejnë si ushqim shpirtëror që nxit për të punuar dhe vepruar në shërbim të kombit dhe vendit tonë.
Ju patët takime edhe me përfaqësues zyrtar të politikës Amerikane. Cilin takim do të veçonit dhe çfarë përcollët në këto takime?
Gjana: Natyrisht takimet me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishin një rendësi të veçantë, sepse jetojnë mjaft shqiptaro-amerikanë në këto dy shtete dhe mund të zhvillohen shumë projekte në interesin tonë reciprok. Por, unë do të veçoja takimin në Kongresin amerikan, sidomos atë me Kongresmenin Eliot Engel i cili është një mik i ngushtë i Shqiptarëve. Në të gjitha takimet që zhvillova me zyrtarët amerikanë unë u përcolla vlerësimet e PLL për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon dhe theksova aty ky ishte e nevojshme edhe shqetësimet tona lidhur me disa çështje të rendësishme siç janë dekomunistizimi kurrnjëherë i realizuar i shoqërisë dhe organeve të pushtetit në Shqipëri, çështja e pronës, ajo e ish-të përndjekurve politikë, çështja e sistemit që është ndërtuar në Shqipëri në fillim të viteve 90 dhe që diskriminon qindra mijëra zgjedhës dhe përqëndron pushtetin ndonëse jo më në duart e një partie, gjithësesi në duart e dy partive pasuese të saj… Paraqita alternativën e PLL jo vetëm për të ardhmën e Shqipërisë por edhe pikëpamjet tona lidhur me situatën në rajon.
Po në Komunitetin Shqiptar, cila ishte axhenda e takimeve?
Gjana: Përveç vizitës te Vatra, isha i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë të Kosovës dhe ku mbajta një fjalë rasti dhe përshëndeta këto ceremoni. Zhvillova gjithashtu 4 mbledhje të veçanta me strukturat drejtuese të degës tonë në SHBA dhe me anëtarë e simpatizantë e PLL. Bëra edhe disa vizita tek disa veteranë të Legalitetit siç janë zz. Musli Mulosmanaj dhe Ndrec Gjergji në New York dhe z. Idajet Bushka në Waterbury të cilit i dorëzova një mirënjohje në emër të PLL “për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen e tij ndaj PLL, Mbretit Leka, çështjes kombëtare dhe kauzave tona në kohërat më të vështira”. Pjesë e axhendës time ishin edhe takimet me mediat shqiptaro-amerikane si Dielli, Illyria, Bota Sot dhe Televizori Kultura Shqiptare.
Çfarë mendoni për rolin e diasporës shqiptare në Amerikë në raport me çështjet e pazgjidhura Kombëtare?
Gjana: Besoj se diaspora shqiptare në Amerikë mund të luaje një rol të rendësishëm në favor të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe sidomos të çështjeve kombëtare akoma të pazgjidhura. Ekzistojnë të gjitha mundësitë për të zhvilluar një ndërgjegjësim dhe lobing tek institucionet amerikane në favorin tonë dhe duhen angazhuar të gjitha energjitë e shëndoshta kombëtariste në këtë drejtim. Mund të sensibilizohen edhe institucione ndërkombëtare dhe sidomos OKB dhe mediat e huaja lidhur me çështjen kombëtare shqiptare. Mërgata shqiptare, sidomos ajo në SHBA, ka dhënë provat e veta në të kaluarën përmes një kontributi të paçmueshëm në favor të demokracisë në Shqipëri dhe pavarësisë së Kosovës dhe besoj se një koordinim i veprimeve tona do të japë rezultate të pallogaritshme për kombin shqiptar.
Në takimin në Vatër juve ju shtrua një propozim për të krijuar një bashkim të forcave nacionaliste në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Egziston kjo mundësi? Si e konceptoni një bashkrëndim pune me platformë kombëtare?
Gjana: PLL ka bashkëpunuar gjithnjë dhe është e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike shqiptare që kanë një platformë kombëtariste. Ne e kemi platformën kombëtariste të qartë dhe angazhimin tonë e kemi të shkruar edhe në programin tonë. Nuk e kemi përdorur kurrnjëherë çështjen kombëtare për interesa politike dhe nuk pranojmë demagogjinë që përdorin disa parti apo individë në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Por ekzistojnë hapësira për një bashkërendim të përpjekjeve tona dhe jemi duke punuar në këtë drejtim me disa intelektualë dhe subjekte aktiv në trojet shqiptare.
Çfarë është cështja Kombëtare për Legalistët Shqiptarë?
Gjana: Për PLL çështja kombëtare është e drejta natyrore e popullin shqiptar që të jetojë i lirë dhe i bashkuar në trojet e veta. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se realizimi i aspiratave tona është një proces që do të kërkojë shumë kohë. Duhen marrë parasysh kushtet dhe mundësitë reale si dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare. Por nuk duhet hequr dorë nga e drejta jonë ashtu siç nuk kemi hequr dorë për sa i përket pavarësisë së Kosovës në kohën kur nuk bëhej fjalë për një pavarësi dhe madje nënshkruheshin edhe traktate ndërkombëtare që siguronin status quo-në në Europë. Kujtoni psh Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975 dhe ja ku është Kosova sot: një shtet i pavarur!
Si do ta vlerësonit gjendjen e sotme të Shqipërisë nën qeverisjen e koalicionit të Majtë?
Gjana: Gjykoj se gjendja në Shqipëri nuk është aspak e kënaqshme. Premtimet elektorale nuk po mbahen, madje është punuar në drejtim të kundërt. Kriza ekonomike, rritja e çmimeve, papunësia dhe borxhi publik kanë arritur nivele të frikshme dhe indikatorët ekonomik nuk japin asnjë shenjë të përmirësimit të gjendjes në muajt dhe vitet e ardhshme. E drejta e pronës paraqet akoma probleme që asnjë qeveri nuk ka marrë guximin ta zgjidhë në mënyrë të drejtë dhe qeveria aktuale nuk po bën asnjë hap në këtë drejtim. Mënyra e qeverisjes me revanshizëm dhe dhunë nuk është ajo që shqiptarët meritojnë pas traumes që kanë pësuar prej komunizmit. Qeveria socialiste ka shkelur edhe vendime të gjykatës kushtetuese dhe kjo është e papranueshme në një demokraci. Por është e vërtetë se sistemi që komunistët krijuan pas 90-ës është një demokraci e brishtë dhe një i ashtuquajtur tranzicion i pafund. Politikat konfliktuale dhe vendimet arbitrare nuk japin rezultat të dobishëm për vendin dhe unë gjykoj se nuk u shërbejnë interesave të popullit dhe kombit.
Po për zhvillimet në Kosovë, çfarë mendimi keni?
Gjana: Ne kemi qenë të parët që parashikuam një koalicion LDK-PDK pak orë pasi u publikuan rezultatet e zgjedhjeve të qershorit 2014 dhe në analizën tonë e konsideronim këtë koalicion, ndonëse jo të deshiruar prej nesh, si një zgjidhje e përkohshme të situatës paszgjedhore. Nëse do të ishin lexuar me kujdes sugjerimet tona, nuk do të kishim humbur kaq shumë muaj pa qeveri në Kosovë dhe nuk do të kishim krijuar përshtypje negative tek partneret tanë ndërkombëtarë. Ndërkaq, kjo qeveri nuk e ka punën e lehtë dhe zhvillimet politike dhe institucionale që priten mund ta rrezikojnë koalicionin qeverisës.
Lidhur me eksodin e madh të shqiptarëve, unë gjykoj se qeveria e Kosovës ka një përgjegjësi të madhe. Përveç zgjidhjes së krizës ekonomike e shoqërore dhe krijimit të besimit për të ardhmen sidomos tek rinia, besoj se qeveria e Kosovës duhet të kishte marrë masa për të parandaluar një eksod masiv dhe ilegal drejt BE. Ajo që me çudit është se autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë nuk morën masat e duhura për ta parandaluar por lejuan indirekt këtë eksod, i cili në fund të fundit përkeqësoi imazhin e Kosovës në Europë dhe nuk i shërbeu aspak interesave të Kosovës por i shërbeu vetëm dashakeqëve të Kosovës dhe trafikantëve të paskrupuj. Të paktën, presim që organet kompetente të Kosovës të ndëshkojnë ata që organizuan këtë trafik dhe eksod ilegal.
Si do ta karakterizonit gjendjen e të drejtave të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës?
Gjana: Situata e Shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka të ngjarë me atë të Luginës së Preshevës dhe Kosovës Lindore në përgjithësi. Edhepse të drejtat e shqiptarëve shkelen si në Mal të Zi ashtu edhe në Kosovën Lindore (ndonëse me një intensitet më të madh në Kosovën Lindore), në Mal të Zi mund të arrihet më shumë nëse faktori politik shqiptar angazhohet për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të të drejtave të shqiptarëve me aq vendosmëri sa i mbron interesat e shtetit malazez. Ndërsa, në Kosovën Lindore raportohen ende raste të shumta të dhunës e presionit ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe dhe gjendja ekonomike është shumë e rëndë sepse atje Shqiptarët trajtohen si popullsi e dorës së dytë. Besoj se Serbia është e interesuar që shqiptarët të braktisin shtepitë dhe tokat e tyre në Kosovën Lindore dhe po përdor të gjitha mjetet për të realizuar këtë qëllim. Dhe për fat të keq, shqiptarët në Kosovën Lindore nuk gëzojnë asnjë mbrojtje edhepse një gjë e tillë do të ishte e mundur nëse qeveria e Kosovës do të kërkonte reciprocitet për çfarë u ofron serbëve në Kosovës dhe nëse diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës do të angazhoheshin në mbrojten e tyre.
Çfarë e pengon suksesin e faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë.
Gjana: Për mendimin tim, partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të miratojnë ndërmjet tyre një platformë kombëtare të përbashkët që do të ishte minimumi, pa realizimin e të cilit asnjë parti nuk do të pranonte të hyjë në një koalicion qeverisës.
Po marrdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës si do t’i vlerësoni? E shihni të largët bashkimin Kombëtar dhe përmes kujt rruge?
Gjana: Besoj se nëse do të ekzistonte vullneti politik dhe një përkushtim kombëtarist i politikanëve në Shqipëri dhe Kosovë, një bashkim ndërmjet dy shtetet tona do të ishte plotësisht i mundur nëpërmjet një Konfederate Shqiptare ku do të siguroheshin të drejtat dhe interesat e të dy entiteve konfederative por edhe të partnerëve tanë.
Ju lutem, për lexuesin e Diellit, kush është Sulejman Gjana: Ku keni lindur, për cfarë keni studuar, cfarë hoby keni? Cila është familja juaj?
Gjana: Kam lindur në Bruksel në vitin 1970. Kam mbaruar në Bruksel, në vitin 1993, fakultetin e Shkencave Tregtare e Konsullore dhe kam përfunduar edhe studime pas universitare (MBA – Master in Business Administration). Kam punuar si drejtor i shtypit të huaj në Belgjikë për gati 15 vjet dhe njëkohësisht drejtor i një filiali të një grupi të madh francez, “Hachette”. Kam qënë në të njëjtën kohë anëtar i bordit drejtues të “DistriPress”, organizatë ndërkombëtare aktive në sektorin e medias së shkruar me seli në Zyrih. Kam drejtuar po ashtu disa vite katedrën e shkencave të manaxhimit ku isha përgjegjës i lëndes së Marketingut Ndërkombëtar në një universitet privat në Bruksel (ULI).
Familja ime është arratisur nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyshi im nga nëna bashkë me të gjithë burrat e fisit të tij u pushkatua në Shtator të vitit 1944 nga bandat kriminale komuniste; ndërsa gjyshi im nga babai, pas shumë peripecish, vuajtjesh dhe dënimesh që kishim pësuar në familje nga diktatura komuniste, u arratis në vitin 1956. Familja ime ka qenë pjesë e Legalitetit për vite me radhë e vazhdon të jetë ende. Ndërkohë unë kam qenë që prej vitit 1994 kryetar i Legalitetit në Belgjikë por nuk ka munguar edhe angazhimi im në strukturat drejtuese të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Shqipëri: prej vitit 1998 deri në 2008 isha Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i PLL dhe në vitet 2008-2009 Sekretar Politik, pastaj Nën-Kryetar i PLL nga viti 2009 deri në Kuvendin e fundit më dt. 24 Nëntor 2013 ku u zgjodha Kryetar i PLL. Kam qenë edhe kandidat për Deputet i PLL në qarkun e Kukësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në Shqipëri.
Kam qenë mjaft aktiv në shumë aktivitete me karakter politik e kombëtar. Isha Nën-kryetar i Grupit të Emergjencës për Kosovën në Belgjikë gjatë kohës së luftës (1998-1999) ; kam qenë Nën-kryetar i shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në kohën kur ky Universitet nuk gëzonte njohjen e shtetit maqedon (1999-2002) ; kam berë lobing pranë institucioneve të huaja lidhur me manipulimin e referendumit e vitit 1997 për Monarkinë në Shqipëri; kam qenë bashkë-organizator i protestave në favor të pavarësisë së Kosovës në vitet 1998-2000 dhe i protestave “Nano Ik” në Bruksel në vitin 1994. Kam dhënë disa intervista, mbajtur konferenca në Rotary Club të Brukselit si dhe shkruajtur disa artikuj në favor të Pavarësisë të Kosovës. Jam angazhuar edhe në organizim e disa aksioneve me ndihma humanitare për Shqipërinë që prej vitit 1992 dhe kam dhënë një mbështetje edhe në aktivitete kulturore dhe shoqërore në Shqipëri.
Gjatë vitit 2012 kam qenë bashkë-organizator i aktiviteteve më të rendësishme të komunitetit shqiptar në Belgjikë për rritjen e prestigjit dhe përmirësimin e imazhit të shqiptarëve dhe të vendeve tona duke organizuar konferenca shkencore dhe duke promovuar vlerat e popullit shqiptar siç janë bashkëjetesa fetare dhe shpetimi i hebrejve para dhe gjatë LDB.
Jam 44 vjet, i martuar dhe prind i një djali dhe dy vajzave.
Si hobby kryesorë kam leximin dhe udhëtimet.
Jeni penduar që latë Belgjikën për Shqipërinë? Cilat ishin motivet e kthimit?
Gjana: Nuk kam se si të pendohem përderisa e konsideroj angazhimin tim si një vazhdimësi natyrale të një angazhimi të kahershëm në shërbim të popullit e kombit tim si dhe të kauzave dhe vlerave që unë besoj. Aq më tepër që në Shqipëri kam krijuar shumë miq brenda dhe jashtë radhëve të PLL dhe me të cilët ndaj të njëjtat shqetësime lidhur me fatet e vendit tonë. Por, përderisa familja ime jeton në Belgjikë, kaloj mesatarisht një javë çdo muaj në Bruksel.
Cilat janë marrdhëniet e Partisë Lëvizja e Legalitetit me oborrin Mbretëror?
Gjana: PLL ka një lidhje historike me Oborrin Mbretëror Shqiptar dhe ne besojmë se është në nderin e të gjithëve që të zhvillojnë të njëjtat marrëdhënie si tonat me Familjen Mbretërore. Ne kultivojmë një raport të ngushtë me Oborrin Mbretëror pasi na bashkon interesi kombëtar përtej atij politik.
Cfarë mendoni për formën e regjimit në Shqipëri? Do të luftoni dhe për një Referendum të ri?
Gjana: Mendimi im është se sistemi në Shqipëri paraqet shume defekte dhe se sot ka ardhur koha që të ndryshojë ky status quo i dëmshëm për popullin dhe kombin tonë. Lidhur me formën e regjimit, besoj se do të vijë koha kur populli do të kërkojë një referendum të ri. Të pakten ne jemi të angazhuar në këtë drejtim.
Lëvizja e Legalitetit në Diasporë ka pasur si qëllim luftën kundër Komunizmit dhe kthimin e Oborrit Mbretëror në Shqipëri. Po sot, cfarë motivesh ka që mbani degë në diasporë, si në SHBA?
Gjana: Këto dy qëllime nuk kanë qënë eksklusive. Levizja e Legalitetit lindi si një levizje për shtetin dhe sot shohim se shteti shqiptar nuk funksionon për arsye pikërisht të sistemit dhe të politikës. PLL është një parti kombëtariste dhe nuk do të mbarojë kurrnjëherë misioni i vet pa u zgjidhur çështja jonë kombëtare dhe pa u rivendosur legjitimiteti institucional në vend. Për këto arsye dega jonë në SHBA ka një rendësi të veçantë jo vetëm për rolin që luan në komunitetin shqiptar por sidomos në kontaktet dhe lobingun që bën me autoritetet amerikane dhe miqtë e popullit dhe kombit tonë.
Cili është mesazhi për Shqiptarët e Amerikës?
Gjana: Urojmë që çdo shqiptar i Amerikës ta dijë se është një ambasador i popullit të vet dhe të veprojë gjithmonë dhe gjithkund si i tillë. Kështu që përtej faktit që do të jetë një qytetar i denjë amerikan do të ketë dhënë edhe një kontribut për vendin e tij. Kam pëlqyer gjithmonë devizen e Belgjikës “Bashkimi bën fuqinë” dhe besoj se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar kur vjen fjala për interesat tona kombëtare.

Filed Under: Interviste Tagged With: ambasadore e Kombit, dalip greca, diaspora shqiptare, Intervista, Interviste, Sulejman Gjana

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT