• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR HEDHIN RRËNJË, ÇELIN TRËNDAFILAT E FLUTUROJNË ZOGJTË…

February 13, 2015 by dgreca

T’u ndezësh në shpirt fëmijëve gjuhën e nënën, edhe pse mijëra kilometra larg mëmëdheut, është jo thjesht detyrë, është detyrim atdhetar…/
Meditime në 10 vjetorin e Shkollës Shqiptare të Athinës/
Shkruan: Abdurahim Ashiku/
Kam shkruar për TË, kam medituar i përhumbur në vlerën e saj, kam shkruar edhe një libër me emrin SHKOLLA SHQIPTARE E ATHINËS… Nuk kam pushuar së shkruari e së fotografuari aq sa po t’i mbledh të gjithë një libër i dytë dhe një album fotografik nuk i nxë.
Nuk e di pse jam i dhënë pas saj. Nuk e di pse “prindërit e saj”, çifti Lorenc dhe Orieta Koka, kanë hyrë në jetën time si njerëz të përveçëm dhe nuk më ndahen, edhe pse tash na ndan një oqean i tërë në mërgimin e tyre të dytë në Kanada.
E pashë dhe e dëgjova Lorenc Kokën në fluturimin e tij në Skipe mbi Atlantik, nga Torontoja e Kanadasë në Athinën e Greqisë.
Ia ndjeva mallin në zërin e tij.
I pashë lotin në rrjedhën e tij.
Ia kapa brengën në zemrën e tij.
Ia pashë dashurinë në lëvizjet e tij…
Tha se për ditëlindje të shkollës kishte zgjedhur ditëlindjen e djalit të tij, Pavlos, 3 shkurtin 2005.
Pavlon e kam parë, fotografuar e incizuar, në ditën e parë të mësimit të gjuhës shqipe, më 6 dhjetor 2006…
Dy data, dy ditë ku u hodh fara…
Kam parë se si u mbollën trëndafilat, karafilat, lulëkuqet…
Kam përjetuar në vite se si hodhën rrënjë, nxorën lastarë e u rritën…
Kopshtar ka qenë diploma e jetës sime.
Kam mbjellë.
Jam zhytur mes ngjyrave dhe aromave të luleve të mollës, qershisë, kajsisë, bajames, kumbullës, dardhës…
Kam vjelë…
Kam mësuar edhe të rinj…
Kam thurë edhe vargje pambarim në prozën e jetës më se një gjysmë shekullore mes njerëzve e për njerëzit…
Sot, më 8 shkurt 2015, ulur në një qoshe, shoh, me sy e zemër, lule të çelura…
Lule njerëzore të dala nga një kopsht njerëzor…
Po ndjej si kanë çelë zogjtë e si fluturojnë nga foleja, si cicërojnë me veshje ngjyra-ngjyra…
Shkollat për mua janë kopshte, janë fidanishte ku fara kthehet në fidan e fidani, nën “thikën” e mësuesit-kopshtar, shartohet për të nxjerrë filizin që kujdesi njerëzor do ta kthejë në një pemë që çel lule e formon kokrra.
Shkollat janë fole ku zogjtë hedhin vezët, i ngrohin, i çukisin me sqep për t’i nxjerrë në jetë, i ushqejnë dhe u hapin krahët të fluturojnë…
Unë kështu i mendoj dhe i jetoj. Është gjak nga shpirti i zanatit tim, i jetës time…
Jam ulur dhe shoh si këndojnë, si recitojnë, si vallëzojnë zogjtë e shkollës shqiptare të Athinës. Shoh të katër mësueset e rreth njëqind fëmijëve që u përcjellin fjalën e ngrohtë dashurinë e mësueses-nënë. Se mësuesja për mua është edhe nënë.
Shoh Ermira Morinën që kujdeset që vallja e Tropojës, truallit të jetës së saj, të marrë jetë, të ngrohë e ngrejë lart sallën me duartrokitjen, tingullin lakonik që flet më shumë se gjithçka.
Shoh mësueset tjera…Almirën, Mimozën, Entelën…shkrirë me fëmijët…
Shoh dy fëmijë, vëlla e motër, veshur me kostume kombëtare, që e nxjerrin dhe përcjellin këngën epike të maleve duke marrë e ngjit lart duartrokitjet dhe brohoritjet.
Ndjej dikë që thotë…”Zoti i ruajte…”.
Shoh vajza me fustane të kuq e kollanë të zi, kuq e zi, që i marrin me radhë vallet e mëmëdheut, nga Veriu në Jug, si lule bjeshke, me një dëshirë dhe hijeshi që të hyn e të mbetet në shpirt…
Dua t’i mbledh të gjithë fëmijët si në një tufë lulëkuqe…
Dua t’i shoh fëmijët si fluturojnë si zogjtë në pranverë…
Nuk mundem…
As djali im, Indriti, që bëri njëqind fotografi, bashkë dhe në portrete, nuk ma mbledh dot gëzimin që ndjej, ngjyrat që shoh, zërat që më janë ngjitur në të gjitha shkallët e pentagramit të gëzimit njerëzor…
Ishte një mbrëmje e bukur, një përvjetor i plotë, 10 VJET SHKOLLA SHQIPTARE E ATHINËS.
I urova me shprehjen e njohur shqiptare…EDHE NJËQIND!
I urova me besimin që shkollimi shqip i fëmijëve, mësimi të lexojnë e shkruajnë gjuhën e nënës, do të vazhdojë.
Një dritë që prindërit shqiptarë në Greqi duhet ta ndezin në sy e në shpirt…
Një dritë që shteti shqiptarë e vlen ta ngrejë si pishtar…
Faleminderit Lorenc dhe Orieta Koka…
Faleminderit mësuese të Shkollës shqiptare të Athinës…
Faleminderit prindër që e merrni përdore fëmijën për ta ulur në bankat e kësaj shkolle të mësojnë si shkruhet, lexohet dhe këndohet gjuha e bukur shqipe…
T’u ndezësh në shpirt fëmijëve gjuhën e nënën, edhe pse mijëra kilometra larg mëmëdheut, është jo thjesht detyrë, është detyrim atdhetar…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 8 shkurt 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku, ÇELIN TRËNDAFILAT E, FLUTUROJNË ZOGJTË..., KUR HEDHIN RRËNJË

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT