
Majko me Grubin: Bashkë për të nxitur Diasporën të regjistrohet në Census/Ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko priti me 23 Mars në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Në takim u fol për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe u theksua rëndësia që ka përfshirja sa më e madhe e Diasporës shqiptare në këtë proces. Zv/kryeministri Grubi u shpreh se kush më mirë se Ministri Majko mund të luaj një rol kyç për të ndihmuar në regjistrimin e mërgatës së Maqedonisë se Veriut, duke sjell në vëmendje gjithashtu kontributin e Ministrit Majko gjatë luftës së Kosovës.
“Kënaqësi e veçantë të takohem me mikun tim, Ministrin Pandeli Majko. Të gjithë e kujtojnë kontributin e tij në Kosovë. Jam këtu sepse mendoj se Zoti Majko ka rolin kyç për të ndihmuar në regjistrimin e mërgatës sonë. Ky proces regjistrimi është jetik në Maqedoninë e Veriut, sepse të drejtat e komuniteteve në Maqedoni varet nga përqindja në të cilën ato janë të regjistruar në Censius. Pas 20 viteve kemi marrë përgjegjësinë për të realizuar regjistrimin e popullsisë, në vitin 2021 kemi qenë 25.7 për qind, ndërsa tani do të varet nga puna që ne do ta bëjmë bashkërisht për të nxitur mërgatën tonë që të regjistrohen përmes aplikimit online, proces që merr vetëm pak minuta kohë. Zoti Majko nuk heziton asnjëherë të na ndihmojë dhe të japë kontributin e tij dhe e falenderoj shumë”, u shpreh Zv/kryeministri Grubi.
Ndërsa Ministri Pandeli Majko në thirrjen e tij drejtuar Diasporës, vuri theksin te rëndësia e këtij procesi, një proces që do tí japë mundësi shqiptarëve në Maqedoni të përdorin gjuhën dhe flamurin e tyre kombëtarë.
“Ka 24 orë që fushata elektorale është gjysmë e pezulluar, sepse të gjithë faktorët politik në Shqipëri janë të orientuar nga bashkimi dhe thirrja e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për regjistrim. Ky nuk është një proces burokratik. Shqiptarët janë një popull i refuzuar, një popull që i janë refuzuar të drejtat, i është refuzuar edhe numërimi. Numërimi për shqiptarët nuk është një proces burokratik, por është një proces që ka të bëj me të drejtat, në shtetin e tretë që ka më shumë shqiptarë në trojet e veta etnike, Maqedonia e Veriut. Maqedonisë së Veriut nuk i vjen asnjë rrezik nga regjistrimi real i shqiptarëve, por e bën Maqedoninë e Veriut shtet më të vërtetë. Në Maqedoninë e Veriut shqiptarëve deri vonë i është refuzuar numërimi. E theksoj numërimi nuk është proces burokratik, është një proces i cili ka të bëjë me të drejtën. Në qoftë se në një hapësirë ka më shumë se 20 për qind të regjistruar, atëherë i jepet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, zyrës zyrtare. Në qoftë se nga numërimi, i cili nuk është burokratik, numërohen më shumë se sa 50 për qind e shqiptarëve në një hapësirë të caktuar, shqiptarëve i jepet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtarë. Ky nuk është një numërim thjesht matematikorë, ky është një numërim që i bën shqiptarët kudo që janë, që më anë të regjistrimit do i japin të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe flamurit shqiptarëve, ndaj ashtu siç thoshte Çajupi i madh “Shqiptar mos rri po duku”. Kam vetëm një thirrje: Ju lutem, ju lutem të qenit shqiptar, të numëruarit si shqiptar nuk është një proces burokratik, por është një akt i madh patriotik”, u shpreh Ministri Majko.(Kortezi- Gazeta e Diaspores)
***
Maqedoni i Veriut/ Probleme me regjistrimin, ja kush ju ndihmon në Diasporë
Në Maqedoninë e Veriut që prej fillimit të muajit mars ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë , përkatësisht i personave që janë në vuajtjen e dënimit, personave të pastrehë, si dhe i shtetasve që momentalisht jetojnë jashtë vendit. Ky proces do të zgjasë deri më 21 prill, kur edhe përfundon i gjithë procesi i regjistrimit, i cili për shtetasit që jetojnë brenda vendit, do të nis më 1 prill.
Regjistrimi i shtetasve që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut bëhet përmes një aplikacioni të posaçëm, ose në adresën elektronike https://census.stat.gov.mk/al/ ku çdo i interesuar mund të fusë të dhënat, të cilat do të përpunohen së bashku me të dhënat tjera të shtetasve brenda vendit.
SHBA (USA):
Jasmin Miftari +14012121846
Valdet Zuteja
Vullnet Dervishi
Shoqata “USKANA” USA (online regjistrime, dergo mesazh per ndihme te https://www.facebook.com/Uskana.org)
Arben Kasa (Wisconsin) +19205428423 https://www.facebook.com/arben.kasa.161
Ilir Zenku
Pak ditë më parë Zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami tha se e shtetasit që jetojnë jashtë vendit “nuk duhet të shqetësohen” në rast se kanë probleme me regjistrimin, pasi ata do të kenë edhe një mundësi të dytë në rast se nuk arrijnë të regjistrohen përmes sistemit online.
“Kjo është mundësia e parë, por mërgata ka edhe mundësinë e dytë, do të thotë nëse nuk arrin të regjistrohen online për shkak të pengesave të natyrave të ndryshme, të dhënat e tyre mund t’ia japin ndonjë të afërmi të tyre që jeton në Maqedoninë e Veriut, i cili gjatë periudhës prej 1 prill deri më 21 prill kur do të bëhet regjistrimi i popullatës rezidente, të cilët përveç veten e tyre do të mund të regjistrojnë dhe të afërmit e tyre që nuk jetojnë në vend” sqaroi ai.
Ky është regjistrimi i parë i popullsisë në 19 vite në Maqedoninë e Veriut. Një përpjekje ka pasur në vitin 2012, por regjistrimi ishte ndërprerë dhjetë ditë pasi kishte nisur, për shkak të dallimeve mes partive dhe anëtarëve të regjistruesve në terren lidhur me regjistrimin e Diasporës, e cila luan rol të rëndësishëm në numrin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.