Nga Eugjen Merlika /
Më 17 korrik 2013, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Romën. Ishte vizita e parë në rolin e Kryetarit të Qeverisë në një Vend të huaj. Në traditën e Shtetit të pavarur, deri në ardhjen e komunizmit, Kryeministrat shqiptarë, sapo emëroheshin, vizitën e parë e kryenin në kryeqytetin italian, për vetë pozitën gjeostrategjike dhe lidhjet e veçanta që mbaheshin mes dy Vendeve. Sot kushtet kanë ndryshuar. Italia dhe Shqipëria nuk janë më, sa i përket peshës në fushën ndërkombëtare të politikës, ato të shekullit të shkuar. Megjithatë Italia ka ende një zë të fuqishëm në organizmat kontinentale, sidomos sa i përket problemeve të Ballkanit e të Shqipërisë. Nuk është i rastit fakti që BE ka dërguar në Tiranë, si përfaqësues të tijin, një diplomat italian, ambasadorin Sequi.
17 korriku ishte një ditë jo e zakonshme për politikën dhe Qeverinë italiane, të pushtuara plotësisht nga “Çështja Shalabajeva”. Nëse në atë ditë drejtuesi i socialistëve shqiptarë arriti të takojë Kryeministrin Letta, Ministren e jashtëme, Bonino dhe tre ish Kryeministra të Italisë e personalitete me peshë në jetën politike si D’Alema, Amato e Berlusconi, pa hyrë në brendinë e deklaratave të rradhës të secilit prej tyre, mjaft dashamirëse e pozitive, mendoj se kjo vizitë ka qënë mjaft e suksesëshme dhe premton mirë për t’ardhmen e marredhënieve mes dy Vendeve e mes Shqipërisë dhe BE, ku Italia është një nga Vëndet themeluese. E ardhmja do të tregojë nëse, në këtë drejtim, do të kemi zhvillime pozitive, apo do të mbetemi në fushën pa bereqet vetëm të deklaratave të politikanëve të cilët, zakonisht, nuk shquhen për vënien në jetë të tyre.
Objekti i shkrimit është pikërisht “Çështja Shalabajeva”që, atë ditë, polarizoi gjithë jetën poltike të Vendit, me një mocion mosbesimi të paraqitur nga Opozita e majtë kundrejt Ministrit të Brendshëm, sekretar i PDL, Angelino Alfano. Për t’i dhënë lexuesit një kuadër të qartë të problemit duhet të rrjeshtoj faktet që krijuan këtë zallamahi politike përtej Adriatikut, në të cilën ka shumë motive shqetësimi, dyshimi, zemërimi, zhgënjimi për këdo që, n’Evropën pas komuniste, e ka parë Perëndimin si një pjesë e kontinentit në të cilin siguroheshin të drejtat e gjithë qytetarëvet, si një strehë për ata që pësonin dhunë e përndjekje, për shkaqe politike, në Vendet e tyre.
Ja me pak fjalë zhvillimi i ngjarjeve dhe personazhet e tyre : Alma Shalabajeva është gruaja e Muhtar Abliazovit, një ish ministër i Kazakistanit që, duke hyrë në kundërshtim me Nursultan Nazarbajevin, ish sekretar i parë i partisë e më vonë Kryetar i Shtetit, është larguar nga Vendi i tij në vitin 2003, mbas disa muajsh burgimi. Në fillim shkoi në Moskë, ku më 2005 u bë kryetar i Bordit të bankës BTA, që financonte Opozitën politike kazake. Më 2009 u largua familjarisht nga Rusia e shkoi në Londër ku, më 2011, mori strehimin politik për veten e të shoqen. Ai ka një qëndrim të detyruar në Angli, ndërsa Alma mund të lëvizë në hapësirën Shengen. Alma shkon të jetojë në Riga të Letonisë, së bashku me motrën Venera dhe familjen e saj, por kupton se atje ishte vënë në përgjim të vazhdueshëm. Në gusht 2012 vijnë në Romë, ku Alma nuk kërkon asnjë lloj sistemimi sepse ka strehimin politik anglez dhe lejen e qëndrimit letone, të vlefshme për të gjitha Vendet e BE.
Në Romë vjen herë herë dhe i shoqi që largohet në mënyrë të parregulltë nga Anglia, mbasi mbi të ka një mandat arrestimi ndërkombëtar, nëpërmjet Interpolit, me akuza “për shpërdorime e përvehtësime financiare në shuma 6 miliardë dollarësh dhe për krijime shoqërish kriminale”, akuza të fabrikuara në Astana dhe në Moskë. Më 27 maj ambasadori i Kazakistanit në Romë u prit nga Shefi i skuadrës së lëvizëshme në Ministrinë e Brëndëshme dhe e njofton se në një vilë të periferisë së Romës, në Casal Palocco, gjëndet një i “kërkuar në nivel ndërkombëtar”, Muhtar Albiazov. Po atë ditë ai pritet nw takim nga shefi i kabinetit tw Ministrit tw Brwndshwm, Alfano. Më 28 maj, agjentë të policisë italiane dhe kundërzbulimit mbajnë në mbikqyrje shtëpinë, duke kuptuar se të njëjtën gjë e bënin dhe të tjerë civilë, të paguar nga një agjensi izraeliane zbulimi.
Më 29 maj në orën 00.05, një masë prej 50 agjentësh të policisë dhe shërbimit të fshehtë hynë në shtëpinë e mbikqyrur, ku gjejnë Almën, të motrën Venerën, burrin e saj Bolat dhe dy vajzat e vogla. Arrestojnë dy gratë, godasin burrin dhe mbjellin panik në shtëpinë. Gratë i çojnë në një qendër grumbullimi të imigrantëve, ku shqyrtojnë pozitën e tyre. Motrën e lirojnë mbasi paraqiti lejeqëndrimin leton, ndërsa Almën e mbajnë 15 orë pa ngrënë (kështu pohoi ajo), në një pyetësor të vazhdueshëm. Paraqiti një pasaportë të Afrikës Qëndrore, e cila rezulton “e rreme”, simbas Interpolit. Mbas 15 orësh Alma pohon se ishte gruaja e Albiazovit dhe dërgohet në një qeli të kuesturës së Romës. Ndërkohë funksionarët e ambasadës kazake drejtojnë të gjitha operacionet e policisë italiane, përfshirë dhe një tjetër “vizitë kontrolli” në Casal Palocco, e urdhërojnë funksionarët e ministrisë së brëndëshme në fazat e ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve.
Alma Shalabajeva kërkohet nga autoritetet kazake, edhe se në drejtim të saj nuk ka një mandat arresti. Policia e dorëzon në Zyrën e Imigracionit të Ministrisë, ku rasti i saj hyn në përzëniet e zakonëshme të njerëzve që hyjnë ilegalisht e pa dokumenta n’Itali. Kalohen të gjitha hallkat e veprimit në zyrat e ndryshme me një shpejtësi marramendëse, pa i dhënë mundësi të takohet me avokatët e duke e paraqitur si një rast ordiner të paidentifikueshëm, edhe se më 28 e më 30 maj ambasada kazake në notën zyrtare drejtuar kuesturës së Romës, përcakton qartë : ”Vërtetohet se zonja Alma Shalabajeva është qytetare e Republikës së Kazakistanit. Është në zotërim të pashaportës kombëtare Nr. 816235, të lëshuar më 3 gusht 2012 dhe një tjetër pashaporte kombëtare Nr. 5347890, të lëshuar më 23 prill 2007. Në bazë të të dhënave të Interpoliti, zonja Alma Shalabajeva mund të përdorë dokumenta identiteti të rremë për emrin Alma Ayan, e lindur më 15 gusht 1966, me pashaportë kombëtare të Republikës së Afrikës Qëndrore Nr. 6Fbo4081, të lëshuar më i prill 2010.”
Përzënien, që është në fakt një dorëzim autoriteteve kazake, e firmosin autoritetet e policisë, të prefekturës, të prokurorisë e të gjykatës. Firma e fundit është ajo e gjykatësit të Paqit, një grua që, pa u thelluar aspak në dramën e një tjetër gruaje e të fëmijës së saj, vendos të plotësojë kërkesën e policisë e të autorizojë dorëzimin e tyre autoriteteve të një Vendi ish komunist, ku strukturat e diktaturës janë në veprim të plotë. Kërkesës së avokatëve për të takuar të mbrojturën e tyre, u përgjigjen duke u lënë një orë takimi, i cili nuk kryhet mbasi më parë “pengjet” ishin nisur pako postare, me një aeroplan austriak të marrë me qira nga ambasada kazake, posaçërisht për t’i çuar në Vendin e saj. Kjo ndodhi më 31 maj, mbasdite vonë.
Për çudi, i gjithë ky operacion i rrufeshëm që Kryetari i Shtetit e quajti “të padëgjuar”, Kryeministri Letta “ka hedhur diskreditim mbi Italinë”, ministri i brëndshëm dhe sekretar i PDL Alfano, “nuk do t’a kisha miratuar kurrë” e zv.drejtori i gazetës Repubblica, Massimo Giannini “një akt poshtërsie”, kryhet me shpejtësi, por pa “dijeninë” e Qeverisë e të asnjë eksponenti të politikës. Paraqitet në fillim nga vetë ministrat Alfano, Cancellieri e Bonino si një veprim i marrë, në mënyrë të pavarur, nga kanceleritë e ministrive të tyre, krejtësisht në përputhje me normat dhe ligjet e Italisë. Do të kalonte një muaj e gjysëm, kohë gjatë së cilës kishin shkruar gazetat e huaja, sidomos ato angleze për skandalin e kur organizmat e BE kërkonin informacion të plotë, për të shqyrtuar nëse ky veprim pajtohej me rregullat e BE, kur Kryeministri Letta do të kundërvepronte duke kërkuar një hetim nga ana e Ministrisë së Brëndëshme.
Pyetjet dhe të panjohurat e një vendimi që ve në lojë prestigjin e Italisë, si një demokraci që respekton e mbron të drejtat e njeriut, janë të shumta e jo më të pakta janë hijet që rëndojnë mbi të. Është shumë e vështirë të besohet se “dorëzimi” i Shalabajevës ka qenë një veprim spontan i autoriteteve burokratike të ministrive, të cilët marrin udhëzime nga ambasadori kazak pa i vënë në dijeni eprorët përgjegjës. Shefi i kabinetit të ministrit Alfano pranon se ka qenë ai që i ka ngarkuar detyrën të presë ambasadorin kazak “për një çështje tepër delikate” e se ai të nesërmen i ka raportuar eprorit. Por ministri para parlamentit thotë se ka mësuar ngjarjen më datën 2 qershor nga kolegia e punëve të jashtëme.
Vetë e përzëna shprehet kështu mbas largimit nga Roma : “Përshtypja ishte se të gjithë zbatonin detyra të caktuara imtësisht “prej së larti”. Është vështirë të mos jesh në një mëndje me këtë grua të shkretë që po ballafaqohet në të njëjtën kohë me diktaturën në Vendin e saj dhe me real-politikën e një demokracie që flijon parimet për interesat e një individi, të një grupi, apo të një bashkësie. Gazi i Kazakistanit, interesat e ENI-t, miqësia e Berluskonit me Nazarbajevin, përbëjnë një kompleks të errët, para të cilit fati i një gruaje dhe i një fëmije të pafajshëm flijohen pa mëshirë. Shpejtësia e veprimit e autoriteteve italiane në këtë rast është fenomenale, madje e papërfytyrueshme. Kohët e zakonëshme biblike të burokracisë italiane u dogjën sa hap e mbyll sytë për t’i dorëzuar “pengun” Nazarbajevit. Sepse Alma është një peng, që “heronjtë e heshtur” të Kazakistanit do t’a përdorin duke vënë në zbatim të gjithë arsenalin dhe përvojat xherxhinskiane në dispozicion, për të shtënë në dorë kundërshtarin politik, burrin e saj.
Ata që kanë kaluar proçeset e hetuesive të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri e kuptojnë se çfarë e pret atë grua dhe atë fëmijë në ditët që vijnë. Abliazovi e “falënderoi” Kryeministrin italian për burgun që e pret të shoqen në Vendin e tij e për jetimoren, në të cilën është e paracaktuar të shkojë vajza e tij. Kryeministri, i prekur në sedër mbas pilafit, e shfuqizoi vendimin e përzënies, një masë e vlefshme në një Vend ku gabimet ndreqen e situatat riparohen, një shprehje hipokrizie pa asnjë vlerë praktike në ish republikën sovjetike.
Ka diçka të errët dhe dëshpëruese në gjithë këtë histori : flijimi i individëve, familjeve, grupeve në altarin e interesave shtetërore, flijimi i parimeve në vorbullën e poshtër të politikës. Pajtohen me këto dukuri, i anashkalojnë, i quajnë të parëndësishme, madje në nivele shtetërore i ligjërojnë. “Gjithshka është zhvilluar në mënyrë absolutisht të rregullt” shprehej ministreja e Drejtësisë, Cancellieri, më 5 qershor. Se ku e shihte “rregullin” ministreja është për t’u habitur : përzihet një grua e një fëmijë për tri ditë, ndërsa kriminelët që kërcënojnë çdo ditë jetën e qytetarëve italianë livadhisin, me fletët e përzënies në xhep, për vite të tëra. Përzihet një grua me pashaportë të rregullt, me strehim politik të rregullt në një Vend të BE, me leje qëndrimi të rregullt të një tjetër Vendi të BE. E parregullta qëndron në faktin se funksionarët e nderuar të shtetit italian nuk janë në gjendje t’i “zbulojnë” këta fakte e të respektojnë të drejtën e një gruaje, mbi të cilën nuk rëndon asnjë lloj krimi. E dhunojnë atë të drejtë me një sulm prej 50 policësh në një shtëpi në mes të natës, me harbutërinë e sjelljes së tyre karshi banorëve të shtëpisë, me paligjshmërinë e arrestimeve, me poshtërsinë e vendimit për të kënaqur kërkesat e një diktature, që përdor gjithë mjetet e saj kundër kundërshtarëve politikë.
Deri tani politika italiane nuk ka marrë asnjë farë përgjegjësie për këtë çështje, duke shkarkuar mbi strukturat e ndërmjetme të shtetit të gjitha veprimet. Tani është në vazhdim një proçes hetimi i ngjarjeve nga ana e gjykatës së Romës me kërkesën e ministres së Drejtësisë. Duke besuar në rigorozitetin e këtij proçesi, tani për tani gjithshka është pezulluar por nuk është mbyllur, edhe sepse avokatët e Shalabajevës do të hapin një tjetër proçes kundrejt shtetit italian për dëmet e pësuara nga klientja e tyre.
Cilido qoftë përfundimi i hetimeve imazhi i Qeverisë italiane mbetet i cënuar. Në rastin e një vendimi të ndërgjegjshëm që dëshmon ortakësinë me diktaturën kazake, mbi lëkurën e një gruaje e të një fëmije, jemi të pranishëm në një shkelje të rëndë të parimeve të demokracisë e të të drejtave të njeriut e si e tillë, nuk mund të jetë veçse një faqe turpi, e dënueshme dhe e papranueshme për opinionin publik evropian. Në rastin e veprimit të pavarur të burokracisë, pak të besueshëm, roli i qeverisë vihet në diskutim për mungesë efektshmërie dhe ndërlidhje mes hallkave të saj, gjë që tregon një mungesë të theksuar aftësie drejtuese e qeverisëse.
Para këtij fati të dhimshëm, na vijnë ndërmënd përvojat e shkuara tonat kur diktaturat shqiptare e jugosllave kishin bërë një marrëveshje për të dorëzuar t’ikurit e secilit Vënd, me qindra pasoja burgimesh e internimesh të qytetarëve shqiptarë e kosovarë. Kujtuam se i arkivuam, me rrëzimin e komunizmit, ato dukuri të shëmtuara, por nuk qenka e vërtetë. Sot Evropa po na paraqet një tjetër pamje. Real-politika italiane, në drejtim të Kazakistanit, duket se po gjen përkrahës edhe në Vendet e tjera si Spanja, Polonia, Republika Çeke, që po marrin në shqyrtim e po zbatojnë “dorëzimet” e kundërshtarëve të regjimit kazak, bashkëpuntorëve të Albiazovit.
“Është metoda Nazarbajev – padit Ana Koj, e fondacionit polak Open Dialog, që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Vendet e ish BRSS – shfrytëzojnë mandatet e arrestimit të Interpoliti, për të përndjekur kundërshtarët e regjimit, duke i akuzuar për mashtrim apo terrorizëm. Kështu shpesh arrijnë dorëzimin e tyre.”
Është me të vërtetë një tabllo trishtuese, është dhe kjo një pjesë e Evropës, të cilën nuk do të kishim dashur kurrë t’a shihnim të tillë, cinike, të ftohtë, llogaritëse, për të cilën një grua e një fëmijë mund të flijohen në altarin e real-politikës.
Korrik 2013