NE FOTO: KUVENDI I GREQISE 1856.NE KEMBE DEPUTETE SHQIPTARE-CELO PICARI ME FUSTANELLE/
– THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË /
-Nuk mund të ndryshohen rrjedhat e historisë, nuk mund gjakun ta bëjë ujë! Ata, erdhën arbër, jetuan suliot, vdiqën si grek/
NgaArben Llalla/
Pas intervistës së deputetit Kristo Papa dhënë gazetarit Artur Zhejit , i dërgova një letër private z.Papa, ku i tregoja se nuk mund të ngrinte dorë kundër vetvetes, kundër gjakut të arbërit, kundër familjarëve të suliotve, por deputeti i Agimit të Artë paska probleme me vetveten, me njohjen e historisë greko-shqiptare. Atëhere po i ribotoj letrën e shqiptarëve të Greqisë dërguar shqiptarëve të Shqipërisë më 1899, pasi Kristo Papa deklaroj se do na hante të gjallë si komb pas shpalljes së tij Non Grada në Shqipëri. Kristo Papa i jep kurajo minoritarëve grek që jetojnë në Shqipëri të bëjnë durim, por unë i them se minoritarët grek i dënojnë deklaratat e këtij nazisti që janë nxitëse drejti një lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pse grekët i kanë bërë shumë të këqija kombit shqiptar, përsëri ne shqiptarët i kemi falur, jemi treguar tolerantë dhe këtë e kemi bërë për paqen e dy popujve dhe jo për frik, sepse Kombin shqiptar nuk e tremb një Greqi e shpartalluar ekonomikisht dhe psikologjikisht. Nga pikëpamja numerike grekët janë një komb i vogël i krahasueshmëm me shqiptarët në Ballkan, ndërsa progresionet demografike të çojnë në përfundimin se në mesin e shekullit 21 do të ketë më shumë shqiptar se grekë në Ballkan. Dokumenti i mëposhtëm mban titullin “THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË” është marrë nga libri me titull “Η ΠΡΟΚΗΡΥΞΗ ΤΟΥ ΑΡΒΑΝΙΤΙΚΟΥ ΣΥΝΔΕΣΜΟΥ”. Ky libër është botuar në vitin 1996 nënkujdesin e studiuesit arvanitas Aristidh Kola i cili ka bërë dhe komentet e tij. Në fund të dokumentit na paraqiten tre nënshkrimet me mbiemrat Shehu, Boçari, dhe Xhavella. Këta mbiemra i përkasin familjeve të shquara arvanitase që i kanë dhënë lavdisë Greqisë.
THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË
VËLLEZËR! Ju themi dhe ju quajmë vëllezër, pasi edhe na ndajnë vendi dhe feja, nuk pushojmë së qeni vëllezër, sepse të gjithë arbërit kudo që gjendemi sot, jemi pasardhës të pellazgjëve, të cilët ata të parët erdhën nga Azia në Europë dhe u vendosën në Arbëri. Sepse jemi bij të Aleksandri i Madh, të parit burrë me emër në botë që fitoi ndaj gjithë Azisë. Sepse jemi bij të Pirros, atij mbreti e gjenerali të madh të Arbërisë, i cili fitoi mbi romakët dhe do të bëhej edhe ai si Aleksandri i Madh, po të kishte rrethanat e tij, domethënë të kishte përballë armiq të çrregullt e barbarë si persët, midët dhe indianët dhe jo si romakët që ishin të rregullt e të shkolluar. Sepse jemi bij të Skënderbeut të madh, që fitoi mbi tre Sulltanë dhe ruajti lirinë e Arbërisë deri në çastin që mbylli sytë, prej plagëve të rënda që kishte marrë në betejën e fundit kundër armiqve të atdheut të vet, Arbërisë. Sepse, fundja më në fund, kemi të njëjtin atdhe, të njëjtin gjak, të njëjtat veshje dhe të njëjtën gjuhë. VËLLEZËR! Lloj-lloj armiqsh hynë ndërmjet nesh dhe na ndanë, dhe na bënë të huaj, dhe na shkapërdanë, e na bënë armiq me njëri-tjetrin, dhe kështu arbër gjenden në Austri, arbëreshë në Itali, arvanitë në Greqi, por lavdia më e madhe dhe nderi më i madh është tek ju, që duruat gjithë të këqijat e skllavërisë dhe qëndruat në Arbëri, në atdheun tonë të dashur e të madh. Mirëpo, sado që të gjendemi larg atdheut tonë të madh, Arbërisë ne të tjerët, sado që të bëhemi të mëdhenj në vend të huaj si njerës; pashallarë, gjeneralë dhe ministra, nuk e harrojmë kurrë brezin tonë dhe atdheun tonë të vërtetë. Në Austri na thonë austriakë, në Itali italianë dhe në Greqi grekë; por ne jemi mirënjohës ndaj këtyre kombeve që na përbujtin dhe na nderojnë si vëllezër të tyre dhe na besojnë poste drejtuese nëpër shtete dhe ushtri, ndërsa u shërbejmë me besnikëri siç u ka hije njerëzve të ndershëm, gjithë herë ëndërrojmë atë ditë të lavdishme e të ndritur që do të ngrihet kombi arbër i lirë me flamurin e vet, me mbretin e vet, me administratë të vetën dhe me ushtrinë e vet. Sot ndodhemi në një kohë që kombet po rilindin. Shikoni grekët! Ishin skllevër dhe vuanin nën zgjedhën turke. U zgjuan një ditë nga zëri i Rigas Fereos dhe u ngritën, thyen zinxhirët e skllavërisë, e përzunë tiranin nga dheu i tyre e u bënë mbretëri. Shikoni serbët! Ngritën krye dhe u çliruan! Shikoni malazezët! Nuk i ndanë kurrë armët nga duart e tyre dhe u çliruan! Shikoni vllehët! Luftuan dhe u çliruan. Shikoni bullgarët! Luftoi për ta Rusia dhe u çliruan. Ata janë të vetmit që u çliruan me gjak të huaj. Gjithë këto kombe, grekët, serbët, malazezët, vllehët e bullgarët, ishin raja të Sulltanit dhe tani u bënë mbretëri të lira, secili me flamurin e vet, buxhetin e vet, gjykatat e veta e ushtrinë e vet. U bënë të lira e të vetëpushtetëshme dhe nga gjithë këto kombe, vetëm ne, arbërit, jemi ende në gjumë dhe armiqtë tanë na rrethojnë, na shtrëngojnë nga të gjitha anët e duan të na shqyejnë e të na copëtojnë. Austria i ka sytë të mbërthyera mbi Arbërinë tonë. Don ta gllabërojë të gjithën e të zbresë në Selanik. Italia don Vlorën tonë. Mali i Zi don Shkodrën tonë, Serbia, Bullgaria dhe Vllahia hahen për Manastirin tonë, për Durrësin tonë, Prizrenin e Krujën tonë, që ishte kryeqytet i Skënderbeut tonë! Nuk kemi asnjë mik. Të gjithë janë armiqtë tanë, sepse të gjithë duan të keqen dhe shkatërrimin tonë. Gjithë kombet që i kishte shkelur Turqia pak a shumë u çliruan. Vetëm armenët, çifutët dhe ne arbërit gjendemi ende pa lirinë tonë, dhe më e keqja, humbëm qenien tonë kombëtare dhe të gjithë na quajnë turq, ndërsa nuk jemi aspak turq, por arbër të pastër. Pasardhës të pellazgjëve dhe jemi të parët njerëz që shkelën dhe u vendosën në Europë. Ne arbërit ishim gjithmonë shtylla e Turqisë. Eshtrat tona gjenden të mbjella në Hungari, në Serbi, në Mal të Zi, në Krime, në Bullgari, në Greqi, në Persi, në Arabi, e gjer në kufijtë e Indisë. Gjaku i arbërit për katërqind e ca vjet rrodhi e rrjedh për jetën e Turqisë. Po të mos ishim ne, Turqia do të kishte ikur prej vitesh nga Europa. E megjithatë Turqia as që ka ndërmend të na japë lirinë, por don të na këtë roje të saj, që t’i ruajmë trojet derisa të shkatërrohet ajo dhe ne bashkë me të. Mirëpo nëse Turqia është e natyrshme ashtu siç po e shohim si dritën e diellit, që të shkojë andej nga ka ardhur, pse është popull i huaj i ardhur nga thellësitë e Azisë, dhe u vendos në troje të huaja, pasi shkatërroi lirinë dhe mbretëritë e këtyre vendeve, po përse të shkatërrohemi dhe ne bashkë me të? Përse dheu ynë të bëhet austriak, apo të ndahet mes austriakëve, italianëve, serbëve, bullgarëve dhe grekëve? Nëse Turqia na jepte lirinë, do të bëheshim barrikadë ndaj rrebeshit austriak dhe italianë nuk do mundte të shkelte trojet tona. Sa për malazezët, serbët, bullgarët dhe grekët, do të gjenim mënyrën që të mbroheshim. Por Turqia nuk e do të mirën tonë, ajo do vetëm gjakun dhe eshtrat tona. Mirëpo koha ecën dhe armiqtë tanë që na rrethojnë, mprehin shpatat e duan të na shkelin e të gllabërojnë dheun tonë e të na bëjnë skllevër. Erdhi, vëllezër, koha që të gjithë arbërit të kemi një mendim. Duhet të lëmë armiqësinë që na lindën Turqia dhe besimet fetare. Turqinë dhe fenë duhet ta lëmë mënjanë. Turqia është turp i huaj dhe duhet ta flakim, feja është për secilin më vete dhe secili duhet ta mbajë siç e gjeti. Do të ishte mirë të qemë arbërit të gjithë muhamedanë apo të gjithë të krishterë, mirëpo, gjersa kemi besime të ndryshme: muhamedanë dhe të krishterë dhe të ndarë në herezi të ndryshme: ortodoksë, papistë, myslimanë, bektashinj, rufainj, do të ishte mirë t’i linim fetë mënjanë ashtu siç janë, pse njeriu duhet të ketë një fe dhe parajsa u bë nga Zoti për të mirët dhe Ferri për të këqinjtë. Asnjë i krishterë i keq nuk do të shkojë në parajsë dhe asnjë muhamedan i mirë në Ferr. Prandaj të shohim fisin tonë dhe gjendjen tonë. Për sa kohë që gjendemi nën Turqinë është si të jemi mbyllur në një shtëpi që po digjet. Po të mbesim aty do të digjemi dhe ne. Turqia është e dënuar nga rrethanat që të largohet prej Europës. Atë nuk mund ta shpëtojë asgjë. Duhet të largohemi nga zjarri, duhet të ndahemi sa më shpejt nga Turqia, që të mos zhdukemi dhe ne bashkë me të. Thamë se jemi të rrethuar prej armiqve: austriak, malazezë, serbë, bullgarë dhe grekë, por nga armiqtë, disa janë të rrezikshëm e disa jo. Italia dhe Austria mund të na hanë e të na gllabërojnë e të na zhdukin nga faqja e dheut. Po të biem në thonjtë e Italisë apo të Austrisë, pas pak vjetësh nuk do të ketë Arbëri. Që të shpëtojmë, duhet të bëjmë marrëveshje me një prej armiqve tanë të parrezikshëm; malazezët, serbët, bullgarët apo grekët. Le t’i shqyrtojmë: malazezët, serbët dhe bullgarët janë copëza të Rusisë. Ata punojnë për Rusinë dhe kush bashkohet me ta bie në gojën e Rusisë. Ata të tre, duan apo s’duan, një ditë do të bëhen vasalë të Rusisë. I vetmi shtet nga të gjithë këto që dolën prej hirit e prej gërmadhave të Turqisë, që e ka të garantuar jetesën e vet nga e gjithë Europa, është Greqia. Tokën e Greqisë nuk mund ta shkelë askush. Kastile përfshimë edhe Greqinë ndër armiqtë tanë, pse aparanca e gjërave kështu tregon. Mirëpo, po të thellohemi pak në esencë, po të këshillohemi paksa me historinë, po t’i shqyrtojmë mirë gjërat, do të shohim se Greqia nuk ka asnjë armiqësi me ne dhe as mund të ketë. Historia na thotë se grekët janë pasardhës të pellazgjëve, gjyshërve tanë, se grekët dhe arbërit në vitet e Bizantit kishin një fe, një mbretëri dhe një shtet, se Skënderbeu fliste dhe arbërisht dhe greqisht dhe se shkruante greqisht dhe se Greqia e sotme është vepër arbërore dhe greke. Në luftën e 1821-shit që bëri Greqia kundër Turqisë, luftoi edhe fara jonë, arbëreshët dhe Greqia u çliruan edhe me ndihmën tonë. Në mes të kaq heronjve që nxori Kryengritja greke, të gjithë heronjtë detarë, përveçse vetëm Psarionëve, ishin arbër të Hidrës, të Specës, të Poros dhe të Kranidhit. Heronjtë më të shumtë të steresë ishin arvanitas të Sulit, të Himarëss, të Athinës, të Tebës, të Livadhjasë, të Atlandës, të Korinthit dhe shumë zonave të Moresë, që deri më sot flasin arbërisht. Përveç arvanitasve të krishterë qenë edhe 3500 arvanitas muhamedanë që luftuan bashkë me grekët kundër turkut dhe prijësa të tyre qenë Tafil Buzi, Gjoleka, Hodoja e të tjerë kapedanë të shquar arvanitas. Nuk do të themi asnjë gënjeshtër, vëllezër, po të themi se Arvanitët çliruan Greqinë! Është e vërtetë se gjatë revolucionit grek të 1821-shit, grekët dhe arvanitët u goditën ndërmjet tyre dhe arvanitasit mysliman vranë Marko Boçarin, ndërsa Karaiskaqi vrau Musa Qafëzezin, mirëpo nuk luftonin grekët kundra arvanitasve, por luftonin grekët me turqit dhe turqit me grekët. Suliotët, himariotët dhe kaq arvanitas të tjerë, i luftonin arvanitasit sikur të ishin turq e jo arvanitas, Shkodran pasha, Musa beu, Çelo Picari, Omer Vrioni, Ago Vasjari, Ahmet Dimo e kaq të tjerë luftuan kundër grekëve si turq e jo arbër. Dy ngjarje të mëdha të asaj kohet na bindën se arvanitët dhe grekët mendonin si të ishin vëllezër e jo si të qënit të huaj ndërmjet tyre. Njëra ngjarje është kjo: Kur Ali Pasha i vuri Kardhiqoitët të çarmatosur në një vathë dhe u tha kapedanëve grek të zbraznin armët mbi ta, kapedanët i thanë Ali Pashës: “Jepu më parë armë e pastaj fillojmë luftën. Sa janë të çarmatosur, ne nuk i vrasim!” Dhe kështu kapedanët grekë nuk i ngjyen duart në gjakun e vëllezërve kardhiqiotë dhe e lanë këtë lavdi të pandershme tek qenia më e ndyrë që ka lindur Arbëria, tek Thanas Vaja me lekliotët e tij! Ngjarja e dytë ndodhi në urën e Alamanës kur Athanas Dhiako ra i gjallë në duart e turqëve. Omer pashë Vrioni komandant arvanitas, u përpoq me çdo mënyrë ta shpëtonte, por nuk mundi, sepse Qose Mehmet pasha kur mësoi se Omer Vrioni donte ta shpëtonte gjithsesi Dhiakon nga duart e turqëve, dha urdhër që sa më shpejt ta shkonin në hell si derr. Kur e mori vesh këtë Omer Vrioni qau si fëmijë për vdekjen e Dhiakos. Këto dy ngjarje dëshmojnë se në zemrën e popullit grek e arvanitas është rrënjosur ndjenja e farefisnisë që kanë grekët me arvanitët. Greku, para se të bëhej grek ishte arvanitas, domethënë pellazg. Grek do të thotë: Arvanitas i qytetëruar. Gjuha jonë, arbërishtja është më e vjetër se greqishtja e lashtë, që sot e quajnë gjuha homerike. Gjuhëtarët e mençur të Europës e konsiderojnë greqishten si një përkryerje të arbërishtes. dhe Greqia pa Arbëri dhe Arbëria pa Greqinë janë gjëra gjysmake. Kur Greqia dhe Arbëria të bashkohen, atëherë do të bëhet Greqia e Madhe dhe Arbëria e Madhe. Kështu siç jemi, kemi nevojë të mbështetemi në shpatullat e një fqinji. Po të mbetemi me Turqinë, rrezikojmë të humbasim bashkë me të. Po të shkojmë me Italinë, do të na gëlltisë, dhe pas disa vitesh do të kemi humbur etnitetin tonë e do të bëhemi italianë, pasi interesi i saj është që të mos mbetemi arbër e të ngremë krye ndonjë ditë. Po të shkojmë me Austrinë do ta pësojmë më keq se me Italinë. Po të shkojmë me malazezët apo serbët, apo bullgarët, do të bëhemi një ditë vasalë të Rusisë. Veç kësaj, malazezët, serbët dhe bullgarët janë popuj të huaj dhe është turp për ne që jemi vendas të kërkojmë mëshirë nga malazezët, serbët dhe bullgarët. Po të duam të veprojmë vetëm, e para do të na godasë Turqia e s’do të na ndihmojë askush dhe e dyta, edhe po të çlirihemi nga Turqia, nuk do mundim të jetojmë vetëm, pse vendi ynë është i varfër, nuk kemi shkollë dhe më e keqja, nuk kemi një besim: ca jemi muhamedanë, ca të krishterë dhe mbretëritë e krishtera që ndodhen rreth nesh do të gjejnë çdo mënyrë që të na bëjnë të grindemi mes nesh e të gjejmë shkak të huajt të ndërhyjnë në punët tona të brendshme e të na coptojnë. Jetesa e një shteti te tillë arbëror në mes gjashtë shteteve të krishterë, Italisë, Austrisë, Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, është jetë shkurtër dhe shkatarrimtare e madhe për kombin tonë. Nuk na mbetet mënyrë tjetër, vëllezër, veç t’i thërrasim mendjes sa më shpejt, të harrojmë kush është muhamedan e kush i krishterë dhe të mbështetemi mbi Greqinë e të krijojmë Mbretërinë Greko-Arbërore, si Hungarezët me Austriakët, dhe Suedezët me Norvegjezët. Janë të shumta arsyet që na detyrojnë të bëjmë këtë dhe vetëm këtë: 1- Dheu i Greqisë është i garantuar dhe askush nuk mund ta shkelë, edhe po shkeli do ikë shpejt. 2- Grekët janë fara jonë dhe ne jemi vëllezër të larguar, pasi janë edhe ata bij të gjyshërve tanë, pellazgjikëve. 3- Kemi të bëjmë me Greqinë, pse kemi mijëra arvanitas këtu dhe gjuha arvanitase flitet gjer brenda në Athinë. 4- Sepse liria e Greqisë është gatuar edhe me gjakun arvanitase dhe po të mos qenë arvanitasit, Hidrasit, Speciotët, Poriotët, Suliotët, Himariotët, etj. Nuk do të mundte të çlirohej Greqia. 5- Grekët dhe arvanitët kanë të njëjtat zakone dhe të njëjta sjellje, veshin të njëjtat veshje-fustanellat, flasin gjuhën tonë dhe ne të tyren dhe nderin e familjes e kemi dhe ata dhe ne, mbi kryet tona e jo nën këmbët siç e kanë të tjerët, që nuk dinë ç’do të thotë nderi i gruas dhe i kanë gratë e tyre hoteleve e birrarive të hargalisen me botën e huaj para syve të tyre! Zoti e ruajt arbërin nga një gjendje e tillë. 6- Grekët janë pak, siç jemi dhe ne, nuk do të mundin kurrë të na bëjnë si të duan e të na helenizojnë, por do të jemi në jetë të jetëve arbër përkrah tyre. 7- Se në te vërtetë shkronjat arvanitase janë ato të greqishtes dhe ne me grekët të bashkuar të kemi shkronjat tona të natyrshme, të shkruajmë me germat tona dhe jo vllaçe, italiane si ato që sajojnë në Bukuresht e gjetkë. 8- Grekët i njohim e na njohin. Jetuam mijëra vjet me grekët e jetojmë ende si vëllezër, sepse farat tona, Grekja dhe Arbërorja, gjenden në një vend që u përket të dyve. Mijëra grekë jetojnë brenda në Arbëri dhe mijëra arbër jetojnë brenda në Greqi dhe kurrë deri më sot nuk luftuan njeri-tjetrit. Dhe në Arbëri grekët dhe arvanitasit jetojnë si vëllezër, dhe në Greqi arvanitasit me grekët jetojnë si vëllezër, sepse të dy popujt grek dhe arbër jetojnë në vende që u përkasin që të dyve, dhe nuk është njëri popull në tokën e tjetrit si në tokën e huaj. Ajo çka është greke është dhe arvanitase dhe ajo çka është arvanitase është dhe greke. Gjaku nuk bëhet ujë! Shikoni vëllezër, sa arsye të mëdha kemi që të bëhemi një me grekët, ndërsa nuk kemi asnjë arsye që të qasim italianët, austriakët, vllehët, malazezët, serbët dhe bullgarët!!! Kur të themi të bëhemi një me grekët, nuk themi të bashkojmë fetë tona, apo qeverisjen tonë. Një bashkim të tillë as e mendojmë, as e duam! Ne duam nga Greqia që të sigurojmë vendin tonë, të zhvillojmë tregtinë tonë, të ndriçohemi nga dija e saj….. Ne mendojmë që Greqia të ketë fuqi si shtet në Greqi dhe Arbëria në Arbëri, dhe jo Arbëria të jetë e nënshtruar ndaj Greqisë. Nënkuptojmë bashkimin vetëm në një bashkimi të dukshme të mirëkuptuar, duke pasur të njëjtin mbret, të njëjtin ministër të jashtëm dhe të njëjtin ministër të luftës dhe të luftojë Greqia për Arbërinë dhe Arbëria për Greqinë, me një fjalë të kemi të njëjtët miq e të njëjtët armiq. Nënkuptojmë që Arbëria të ketë ushtri të sajën, xhandarmëri të sajën, polici e administratë të sajën, financa të vetat, gjykata e sistem arsimor të vetin. Një shembull të tillë e kemi tek Austria e Hungaria, ku nuk është afria që është ndërmjet arvanitëve e grekëve. Austriakët janë gjermanë dhe hungarezët një popull lindor, krejtësisht i huaj. Përpara vëllezër! Ejani të bëhemi një Mbretëri Greko-Arbërore dhe duhet të bëhemi, sepse kemi një gjak, një atdhe, dhe një zot!
Nënshkruesit
SHEHU
BOÇARI
XHAVELLA