Filmi i shkurtër kosovar “Kali,” prodhuar nga “Koperativa”, me skenar të Alban Ukajt, regji të Alban Ukajt dhe Yll Çitakut, me producent Arian Rexhepin dhe subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me përkrahje nga Fondi Hartefakt, fitoi çmimin e parë në festivalin 20minmax në Ingolstadt të Gjermanisë.
20minmax është festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe çdo vit sjell krijime filmike të metrazhit deri 20-minutësh nga e tërë bota. Çmimin e parë e ndan Audi, meqë Ingolstadt është qyteti i markës së njohur të veturave.
“Kali” trajton ngjarjen e vitit 1997, kur mijëra studentë protestuan kundër regjimit shtypës të kohës, nëpër rrugët e Prishtinës. Në mesin e protestuesve janë edhe tre shokë adoleshentë, të cilët pas protestës e gjejnë veten në një situatë të paimagjinueshme.
Filmi u shfaq premierë në Kosovë me 18 maj në Kino ABC në Prishtinë, ndërsa deri tani është shfaqur edhe në Ozu Film Festival në Modena (Itali).
Shfaqjen e filmit për vitin 2015 e kanë konfirmuar edhe Dokufest, si dhe Festivali i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec./KosovaPress/k