• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Daja, “Qytetar nderi” në Gostivar

August 5, 2015 by dgreca

Miku ynë Sadulla Zendeli – Daja, pak kohë më parë, në qershor të këtij viti 2015, festoi 80-vjetorin e tij. Edhe unë jam një ndër ata qindra miq, shokë e të njohur, që e urova në këtë ditë të shënuar, me fjalë zemre e fjalë miku: “Së bashku edhe në 100-vjetorin tënd!”. Ndërsa të tejërt kishin menduar diçka ndryshe, më të bukur e më simbolike, me përmasa më të mëdha:
Shkrimtari Viron Kona, pas një pune disa mujore, pikërisht në këto dit të qershorit të ngrohtë e plot diell, publikon librin monografik: “JU DUA MË SHUMË SE VETEN”, kushtuar mëmëdhetarit, leksikografit dhe poetit Sadulla Zendeli-Daja”. Një libër i denjë për një njeri të rrallë, studjues e shkencëtar, mendimtar e kuvendar, dijetar e filozof, shkrimtar e poet, shqiptar me zemër të madhe.
Ndërsa drejtuesit e Komunës së Gostivarit, së bashku me qytetarët e vendit, organizuan festën e dhënies së titullit “Qytetar nderi”, Dajës, i cili në 50 vjet jetë në Suedi, s`e harroi kurrë vendlindjen, Sërmnovën e Gostivarin. Ky është një nderim i shumëfishtë për mikun tonë, sepse autoritetet e vendit e vendosën birin e tyre në radhën e njerëzve të shquar, të ditur e të ndritur. Të botosh libra e të hartosh katër fjalorë suedisht – shqip, e shqip – suedisht, më i madhi ndër ta është me 35.000 fjalë, nuk është shaka, por një punë shkencore disa vjeçare. Ndaj ky titull është një medalion i artë në kujtesën qytetare e mbarëshqiptare, sepse njëherazi ai u vlerësua si mësues e veprimtar për shqiptari, si mëmëdhetar e qëndrestar për kombin, si personalitet në fushën e letrave dhe studimeve. Cili nuk do ta lakmonte një nder e vlerësim të tillë!? Vështirë e pati Daja të qendrojë e përballojë, pa i`u dridhur qerpiku e përlotur syri, të tilla ndjesi krenarie e mirënjohje, i ndodhur para familjarëve e të afërmve, para miqëve e shokëve, disa të zbardhur nga vitet e shumë të tjerë në lulen e rinisë. Ne mund të shprehim ndjesitë tona, por nuk i afrohemi dot asaj çka provon e ndjen vetë Daja në një ngjarje kaq të madhe në jetën e tij.
Kam kënaqësinë, që për këtë urim të zgjedh fjalët që na vijnë që nga lashtësia, kur Virgjili thotë: “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme. Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritje e virtytit”.
Vitet do të rrjedhin sepse koha shkon. Vepra dhe emir i tij i përjetsuar u mbetet brezave. “Titulli i nderit” është një stoli e vyer në kurorën e dafinës.
Miku ynë Sadulla Zendeli-Daja meriton më shumë!
Urime!

Kadri Tarelli
Durrës

Filed Under: ESSE Tagged With: Daja, Gostivar, qytetar Nderi, Sadulla Zendeli

FJALORI ME I RI SUEDISHT-SHQIP

February 21, 2014 by dgreca

ME FJALORIN ME TË RI SHIQP-SUEDISHT TË AUTORIT SADULLA ZENDELI-DAJA GJUHA SHQIPE ËSHTË MË E PASUR/

Shkruan: Sokol Demaku/

 Çdo punë e bërë për komb, për atdhe, është me vlerë, është gurë që zë vend dhe peshon në sirtarët e historisë kombëtare. Êshtë një fidane e mbeltuar në aspektin e  ruajtjes dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës sonë. Këto ditë, në sajë të bashkëveprimit dhe punës së palodhshme të autoritt të fjalorti të parë Shqip-Suedisht Sadulla Zendeli-Daja dhe Shtëpisë botuese Toena nga Tirana pa dritën edhe ky thesar i kombit dhe se tani do jetë një ndihmes në punën e  shumë bashkëkombasve, studiusve, gjuhëtarëve por edhe njerëzve të thjeshtë në përditshmërinë e tyre.

***

Autori i këtij fjalori, krahas disa penave tjera të mërgatës shqiptare, mund të konsiderohet si leksikograf i dejne shqiptar në mërgatë. Duke deshifruar sensin e frymëzimit të tij, konstatojm se brengat e mërgimtarit që i ndjen çdo ditë mbi supe, janë brenga që krahërorin ta shtërngojnë dhe rrudhat në ballë t’i shtojnë, dhe fuqinë e trupit çdo ditë ngadalë ta shkallmojnë. Brenga e mërgimtarit të kaplon hajnishëm dhe trazon shpirtin e tij me vite të tëra në mërgim, duke menduar në ate se si tu lehtësoj jetën bashkëkombasve te tij atje, cila do jetë ajo vepër që do ndihmoj ata në këte drejtim dhe Daja ka gjetë ate, e kjo vepër është fjalori Shqip-Suedisht që keto ditë doli nga shtypi dhe shpejtë do gjendet në duartë e cod njerit, atij që ka nevojë për te. Janë hartuar fjalorë, jo vetëm nga filologë shqiptarë, por edhe nga albanologë të huaj, të cilët kanë pasur dhe kanë luajtur një rol mjaft me rëndësi. Këta fjalorë kanë ndikuar që shqipja të përballet me shumë gjuhë, ku si rrjedhojë e kësaj pune të palodhur të filologëve dhe leksikografëve tanë, shqipja është vënë në krah të të gjitha gjuhëve të Ballkanit, në kushtet e bashkësisë së territorit, të nevojave të komunikimit ndërgjuhësor e të shkëmbimeve ndërkulturore. Pjesë e kësaj pasurie janë padyshim edhe Fjalorët suedisht-shqip, të autorit Sadulla Zendeli Daja, që po paraqesim këtu sot. Këta glosarë janë të parët në llojin e vet, botuar në Suedi, dhe është fryt i një pune të kujdesshme, mbledhëse, përzgjedhëse e sistematizuese të poetit, përkthyesit, mësuesit, atdhetarit dhe leksikografit tonë të njohur, Sadulla Zendeli-Daja.

  Një anë shumë e vlefshme e Fjalorit të dajës, që duhet venë re në veçanti, është karakteri i tij normativ, që përfshinë të gjitha rrafshet e gjuhës, që nga fonetika, morfologjia, sintaksa, leksiku, fjalëformimi, deri edhe rrafshin e stilistikës. Me këtë rast, mund të themi lirisht se ky Fjalor, padyshim, është me një rëndësi të lartë, sepse pasuronë leksikografinë e dy gjuhëve, përmbushë të gjitha kriteret, mbi të cilat ndërtohen fjalorët dygjuhësorë bashkëkohorë, përmbanë kuptime-shtesë për kulturën e psikologjinë e popullit shqiptar edhe pse ka anën e tij praktike të përdorimit. Prandaj, ky botime është mirëprit me interes të madh nga lexuesit e përdoruesit shqiptarë, por edhe nga ata suedezë.

Ana normative e fjalorit përfshin të gjitha rrafshet e gjuhës: fonetikë, morfologji, sintaksë, leksik, fjalëformim dhe në rrafshin e stilistikës, për çka, mendojmë se do të ketë një rol të madh edhe në përvetësimin e normës së gjuhës letrare. Shfrytëzimi i përvojave të të dy leksikografive, shqiptare dhe suedeze, i kanë ndihmuar autorit të zgjidhë me sukses një numër problemesh që dalin në hartimin e fjalorëve të këtij tipi. Mund të thuhet, se Fjalori pasuron leksikografitë e të dy gjuhëve, shqiptare suedeze , plotëson zbrazëti të ndjeshme për fjalorë të këtij lloji, përmbush të gjitha kriteret mbi të cilat ndërtohen fjalorët dygjuhësorë bashkëkohorë, përmban informacione shtesë për jetën, kulturën e psikologjinë e popullit shqiptar dhe sepse ka anën e tij praktike të përdorimit dhe këtë anë e siguron përzgjedhja e duhur teknike e trajtimit të lëndës gjuhësore.

Fjalori përmbanë fjalë dhe shprehje të përdorimit të përditshëm dhe të vencantë të gjuhës shqipe dhe në gjuhën suedeze. Kur kemi të bëjmë me pjesën e shqipes këtu është përfshirë leksiku aktiv, por jo rrallë edhe leksiku pasiv dhe ai potencial i shqipes për t`i dalë ballë fjalësit të suedishtes. Në fjalorë janë përfshirë edhe një numër fjalësh të reja, fjalësh pak të njohura, fjalësh të huaja që kanë karakter ndëkombëtar, dialektizma që janbë marrë nga të dy krahët, pra nga dy dialektet e shqipes nga gegërishtja e toskërishtja, në mbështetja të vlerës së tyre objektive brendapërbrenda strukturës leksikore të tyre për të ndihmuar shpjegime saktësore dhe përkufizimeve të termave profesionale. Hasim në diku mbi 1000 emërtime nga sfera shoqërore, të cilat janë të shoqëruara me shpjegime dhe sqarime të nevojshme për përdoruesit e tyre.

Pra trajtimi i njësive leksiko-semantike, të çdo zëri leksikografik përkufizon shpjegimet e sinonimeve dhe autonimeve me shembuj ilustrues dhe frazeologji si dhe me karakteristika gramatikore të shkurtesave me kujdes dhe në mënyrë profesionale nga ana e autorit. Sinonimet janë shfrytëzuar duke pasur për mbështetje përdallimin dhe marrëdhënjet sematike midis tyre. Këtu hetohet përpjekja e autorit që në çdo rast të jepet kuptimi i përgjithshëm e më i saktë i ngjyrimeve kuptimore, te kuptimi figurativ dhe përdorimet e tjera funksionale të fjalës. Autori në shumicën e njësive leksikore jep shembuj të shumtë ilustrues kur kemi të bëjmë me përdorimine frazelogjisë. Por është shumë me vlerë se këta fjalorë ndjekin rrugë të fjalorëve dy gjuhësor. Mbetet që gjuhëtarët tanë, por edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, si i vetmi institucion shkencor, të kërkojë mundësinë për të vepruar brenda sistemit arsimor të Republikës së maqedonisë dhe të marrë masa e të gjejë mënyrë për ndërmarrjen e hapave për kërkime të dokumenteve të reja, në mënyrë që kështu të shpëtohen nga dhëmbi i kohës, por edhe nga situata reale në të cilën procesi i asimilimit të popullsisë ortodokse është në përfundim e sipër. Por edhe insititucionet e kulturës dhe arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës duhet angazhuar në këtë drejtim. Me një qasje shkencore e pa ngarkesa politike mendoj se do të kryhej me sukses ky mision i rëndësishëm, i cili i pret gjuhëtarët dhe dijetarët shqiptarë.

  E me rastine daljes nga shtypi të fjalorit të parë shqip-suedisht në hisotinë e gjuhes shqipe botuesi nga Tirana i shtëpisë botuese Toena , autoritt ë fjalorit i shkruan sa vijon:

I dashur Daje, pershendetje, 

Uroj te jeni mire me shendet e me punet tuaja te perditeshme.
Kam ne dore fjalorin shqip – suedisht, punen tuaj me te fundit, botim i Toena-s, dhe dua t’ju them qe ne fillim se jam shume i impresionuar nga puna juaj prej murgu, durimi i jashtezakonshem dhe ngulmimi per ta cuar deri ne fund nje pune te nisur vite me pare.
Ju jeni, padyshim, njeriu me i njohur nder shqiptaret dhe suedezet qe ka vene prej kohesh urat e komunikimit midis dy gjuheve, dy kulturave dhe dy kombeve, Suedise dhe Shqiperise. Dhe perpos edhe kontributit tuaj per clirimin e Kosoves dhe ceshtjen kombetare shqiptare ne teresi, kontributit per arsimimin e femijeve shqiptare ne emogracion ne Suedi e gjetke, ky fjalor 1600 faqesh eshte, dua te besoj, nder gjerat me te cmuara e me me vlere qe keni bere gjate gjithe jetes tuaj.
Ndaj duhet te ndiheni krenar per kete pune madhore qe keni kryer.

Krenar dhe te gezuar ndihemi edhe ne miqte e bashkepunetoret e tu dhe me urimet me te sinqerta e miqesore te urojme nga zemra per kete arritje shkencore, kulturore e didaktike ne ndihme te te gjithe atyre qe kane nevoje te mesojne dhe te thellohen ne mesimin dhe perfeksioimin e gjuhes suedeze dhe shqipe.
Me urimet me e mira, ju pershendes dhe perqafoj nga Tiana.
Fatmir
Toci

Ndersa më këtër rast autori i këtij fjalori Sadulla Zendeli Daja me shkruan sa vijon: I nderuar zoti Demaku, Ju dërgoj urimin e Fatmir Toçit nga Shtëpia Botuese Toena Tiranë. Fjalorin shqip-suedisht që doli në dritë këto ditë në Tiranën tonë të Dashur. Sigurisht do të gëzohi për këtë shkrim të qëlluar. Angazhimi juaj me Universitetin  Shteteror të Tetovës e vërteton dhe e forcon Kumtesën tuaj për krijimtarinë e Dajës 50 vjeçare. Ju faleminderit duke ju dëshiruar sukses në punën t´uaj të shkëlqyer që bëni për bashkatdhetarët tanë në Suedi. Përkthimi i librit t´uaj për fëmijë „Djali dhe Tigri“ është një ndihmesë e veçantë për shkollat shqipe dhe fëmijët e mërgimtarëve tanë në Suedi.

Nderimet e mia duke Ju përshëndetur me fjalët e Nuses Aurelia të Familjes Voka nga Shipkovica e Tetovës. ”Rroftë Shqipëria dhe na ndihmoftë Perëndia“.

Sadulla Zendeli-Daja

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Daja, fjalori, Sokol Demaku, suedisht shqip

SADULLA ZENDELI DAJA NË AVENTYRËN ME DROJËN E NJË EMIGRANTI TË ”PA ATDHE”

February 13, 2013 by dgreca

Nga Sokol Demaku/Si rrallë kush në histori, si rrallë kush në këtë ruzullë tokësor, kombi ynë është shquar për një harmoni dhe për respekt mes njerëzve, por edhe për respekt kulture e tradite të tjetrit, për vlera humane.  Ngase shekujt përplasen mbi të rrebeshe luftërash të gjata, zullumqar dhe grykës për rreth, ngase fqinjët dhe pushtuesit tanë ndër mote na u vërsulën për të na zhdukur si komb, ndaj në vetëdijen tonë nacionale u ngjiz ideja e madhe për komb dhe atdhe. Patriot dhe atdhetar në trevat shqiptare, të udhëhequr nja kjo ndjenjë magjike, udhëhoqën gjenerata të tëra drejt lirisë së atdheut. E kujtojmë kohën e sundimeve të ndryshme mbi truallin tonë, e kujtojmë luftën e paepur të patriotëve, rilindasve dhe  padyshim, në ditët e sotme bashkëkohore, në vargun e madh të këtyre burrave, bën dritë edhe emri, jeta dhe vepra e poetit, pedagogut, mësuesit, poetit, shkrimtarit, leksikogtrafit dhe patriotit të madh Sadulla Zendeli -Daja. I lindur në fshatin Sërmnovë Gostivar më 3 qershor 1935. Shkollën fillore e ka krye në vendlindje dhe në Vrapcisht dhe gjimnazin, dega e ekonomisë, e filluar në Gostivar dhe e kreu në Strumicë. Pas kryerjes së shkollës u punësua drejtor i kooperativës ”Bukovik” në fshatin Sërmnovë. Pastaj punoi në Sipërmarrjen e Hekurudhave Shkup- dega në Gostivar. Si njeri inetlektual me ide përparimtare Daja që heret nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvenë në menyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm i cili me cdo kusht donte t`i cbënte shqiptarët.

Vendlindja ishte e okupuar nga nacionalistët sllav, të cilët emigruan nga Kaukazi saktësishtë nga Mali dhe lumi Dnjestër dhe Dnjepëri për tu instaluar në tokat Arbërore.  Në dilemën e bashkpunimit me ‘pushtuesit sllavë’ dhe largimit, kjo e fundit do të ishte zgjidhja. Zgjodha më të mirën e së keqes. Emigrova…! Përse…? Sepse ndryshe duhej të bëhesha spiun i vëllezërve të mijë atyre që mbanin kësulë të bardhë, atyre që donin flamurin shqiptarë, atyre që këndonin dhe kërcenin valle shqiptare, të burgosurve që për faji kishin dashurinë për Shqipërinë dhe trojet tona të shkëputura nga shteti amë, mësuesëve, mjekëve etj. E këtë nuk mundesha me e bërë, prandaj zgjodha edhe të keqen më të vogël duke emigruar nga vendi im i dashur nga ai vënd që çuditërisht gurët që mi vrisnin këmbët e zbathura më dukeshin të butë ”bash” sikur ecja mbi barin e njomë të vendlindjes sime të dashur! Vendosa të largohem kudoqoftë, në hënë, në ferr, veç në shtete sllave jo!

Pikërisht aktiviteti i tij prej atdhetari u bë halë në sytë e regjimit të atëhereshëm,e mu për këtë në vjeshtë te vitit 1966, Daja u shtërngua të lë vendlindjen dhe të kërkoj strehim në Suedi.

Fati më ndihmoi që të ma zbuste këtë dhimbje duke më çuar në Suedin nordike. Kam prekur tokën e ftohtë me besimin se ëndërra ime për arsim dhe liria e popullit tim do të realizohet.

Me drojen e një emigranti të ”paatdhe”do të nisja aventurën emigruese por me fatin e madh se do të isha një qytetarë i një shteti që mbasë njëmijë jetëve në vëndin tim, Suedia do të ishte e para në radhë.

Ditën e parë në qytetin Universitar Uppsala shkova në një stacion të autobusave urban, shoferi ish një djalosh i ri, më dukej i huaj, flokë zi dhe i pamshëm, me mikrofon lajmëronë udhëtarët për stacionin që vjen.” Lajmëroi sista station Gamla Uppsala: në suedisht, anglisht dhe….”Stacioni i fundit Uppsala e vjetër”, tha djaloshi. O zot,-thashë. Flokët e kokës mu ngritën përpjetë, emocionet nuk po i kontrolloja dot. Sa nuk fillova të qajë mes pasagjerve suedez, sigurisht do të më dërgonin në spitalin e të çmendurve Ulleråkessjukhus….! Nuk zbrita në asnjë stacion dhe shkova deri në stacion të fundit Askush nuk mund ta kuptojë këtë situatë duke e shpjeguar me të shkruajtur veç ……unë …. Nuk ka shkencë, që mund ta hedh në letër këtë emocionë. Ndoshta ka qënë një moment që ka ndikuar që unë ti besoj fatiti tim. Kur u ndal autobuzi djaloshi më tha në suedisht -Ku shkoni zotëri? Ky është stacioni i fundit.- E shikova… Mos je shqiptar o vëlla….? -i thashë ” O…. po unë jam shqiptar si jeni, ku shkoni a duani ndihmë…” – më tha. Sytë mu mbushën me lot…! Shkuam në qendër të qytetit Uppsala. E pyeta djaloshin pse informon pasagjerët edhe shqip?. Kemi të drejtë nga sipërmarrja të lamërojmë në suedisht, anglisht dhe një gjuhë që ne dimi ose gjuhë amtare, gjuhën shqipe e kam sjellë nga vendlidja ime, jam krenar për gjuhën time dhe hapi gjoksin kjo është gjuha e trashëguar nga të parët tanë me flamurin shqiptare me shqiponjën dykrenare me emblemën e Skënderbeut. -Djaloshi kish emigruar nga një fshat i malësisë së Gostivarit -tani i ndjer…përse ??!.

Takimi i parë me Suedinë ishte edhe takimi e sinjali se ëndërra ime për arsim dhe liria e popullit tim do të realizohet. Kjo ishte një vrull atdhedashurie nga dita e parë në Suedinë nordike. Që ditën që kam dalë nga Universiteti i Uppsalës dhe kam shijuar lirinë, rendin, urtësinë në këtë shtet skandinav i thash vetes: – Kjo ishte drita ime në mjegull, ti ndihmoj popullit dhe ky vend më frymëzoi…! Kur hyn në shpirtin suedez thellë, të japin forcë, fuqi, ide. Nëse hyn në shpirtin suedez gjen gjëra shumë të mira, kemi edhe ne shqiptarët gjëra shumë të mira dhe këtu bëhet pikëtakimi. Mos të ishte Suedia unë s´do të arrija këto rezultate. Dëbimi i shqiptarëve nga atdheu është i dhimbshëm, por kjo është një pasqyrë e jetës sonë, e punës sonë dhe e fatit tonë historik. Mërgimi në Suedi më bëri që të shkëputem nga mentaliteti ballkanik, të integrohem në shoqëri me një demokarci të lartë me një eksperincë të provuar, po kështu më dha munndësi të shmangem nga dioptria shkurtëpamëse.

Sadullah Zendeli – Daja, do të ishte ndër të parët mësues të Gjuhës amtare në Skandiavi, që nisi të përcjellë ndër bashkëkomasit, të rinjët, fëmijët mesazhet e ruajtjes dhe kultivimit të Gjuhës amtare, cultures dhe traditës shqiptare në mërgatë, veçanërisht në Skandinavi, aty ku kultura qytetare, respekti dhe zhvillimi i demokracisë kishin arriturë kulmin e zhvillim, e ndihej e domosdoshme që idetë demokratike, kultura e vendasëve, te respektoheshin me tolerancë e sidomos me kulturë të pasur shqiptare.

Daja thotë – erdha në mërgim, po si të flija i qetë! Çfar të bëja për kombin tim? Përveç profesionit bibliotekar u bëra edhe mësues dhe… mësuesi ka detyrë fisnike. Prandaj pa u vonuar bëra çmos që të hap tunele drite dhe të bëja edhe të pamundshmen që fëmijët tanë të mos e harrojnë gjuhën dhe atdheun. Si mësues nga 2 orë në javë i shtova në katër orë në javë. Paga mujore si shef i bibliotekave ish më lartë se paga e arsimtarëve në një diferencë goxha të madhe. Unë zgjodha të ndihmojë nxënësit, të ndihmojë bashkëkombësit e mi hallexhi e jo të pasurohem…! Nga këta nxënës sot kanë dalë 55 intelektual vetëm në Nybro, 30 të punësuar në lami të ndryshme, disa vazhdojnë vitin e pestë, katërt, tretë e me radhë po kështu edhe 30 nxënësit e qytetit Kalmar kanë dalë akademik të shquar disa punojnë në lami të ndryshme dhe disa vazhdojnë…. Universiteti në Uppsala në Sofje dhe në Borås, si dhe tre fjalorët themelorë më morrën një kohë prej 12 vjet Janë redaktuar nga dijetarë të leksikografisë suedeze dhe asaj shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, të botuar me financat e shtetit suedez. Kam patur një bashkëpunim të mirë me Shtëpinë Botuese Toena Tiranë, në disa krijime të disa librave për fëmijë në gjuhën shqipe. Që në hapin e parë në tokën suedeze mora inspirim dhe frymëzim dije nga qyteti i njohur universitar Uppsala, nga Universiteti i Sofjes dhe nga qyteti Borås dhe Getebotg i Suedisë. Dhe tashti kisha bagazhin atdhetar, përvojën arsimore suedeze, dashurinë këto më dhanë guximin për të hapur shkollën shqipe, të punojë pa u lodhur duke hartuar fjalor gjuhe apo studime gramatikore, se këto u duheshin bashkëkombasve… etj. Kontakti dhe respekti i bashkëatdhetarëve më bëri shumë të fortë, ata janë shtytja më e madhe që unë punojë dhe veprojë dhe këto më bëjnë më të fortë, por me mall … për vendlindjen…!

Pas diplomimit të shkollës së lartë të bibliotekarisë duhej të punësohesha. Zgjodha ishullin Öland. Më tepër e kam zgjedh si një ishull shqiptarë se kështu e paramendoja. Edhe shenjtorja Birgita (Härliga Birgita) e ka kështjellën këtu. Ajo kur ka shkua në Itali e gjeti një ishull si Ölandin. Ajo vdiq atje dhe mbeti atje. Përmendorja i është ndërtuar në këtë ishull aty afër shtëpisë verore, mbretrore. Motivi ka qënë se duke qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesëshëm ose ai i plotë, ajo që brengos çdo njeri në rrethanat e jetës jashtë atdheut eshtë ruajtja e gjuhës. Mendoja se detyra e seicilit intelektual ishte t´iu ndihmojë shqiptarëve në mërgim.  Si vend për të jetuar zgjodha ishullin Öland.

Këtu është një nga urat më të gjata në Europë Këtë vend e zgjodha dhe e paramendoja si ishull shqiptar. Ky ishull më solli frymëzime…

-Ölandin më tepër e kam zgjedhur si një ishull shqiptare. I pata thënë vetës. Unë do të shkojë në një ishull. Deti Balltik i madh, sigurisht edhe një pikë e këtij deti të piqet me detin Adriatik. Kjo ishte ujëdhesa ime e Shqipërisë time, e formova kështu. Dhe këtu më lindën shumë frymëzime…Këtu është jeta ime është edhe shtëpia ime në Fërjestaden Nuk është vetëm shtëpi e flamurit dhe shqiponjës. Ajo është një bibliotekë e pasur që u shkruajtën mijëra fjalë shqip. Një shtëpi botuese dhe një shtëpi drite në ujdhesë. Më shumë kam botuar në suedisht, por edhe në shqip.

-Katalogu i librave në gjuhën shqipe dhe gjuhëve të tjera ballkanike në bibliotekat suedeze nga viti 1948 -1973, publikim i brendshëm. 142 Borås 1974.

-Punimi me titull Historia e shqiptarëve nga viti 600 p.e. -1973, publikim i brendshëm në bibliotekën e gjimnazit “Åkrahäll” Nybro 1975.

-Një seri tregimesh autentike të botuara në revistën “Besa” 1975.

-Autor i fjalorit të parë në Suedisht-Shqip me 17.000 fjalë të përdorimit të zakonshëm të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 23.000 fjlaësh, dhe 33 faqe me fotografi tematike i botuar nga Enti për shkollim i Suedisë, Stokholm 1994.

-Fjalori i dytë Suedisht-Shqip me 28.500 fjalë të përdorimit të zakonshëm të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 54.000 fjalësh dhe 33 faqe me fotografi tematike të botuar nga Enti për shkollim, -Stokholm 2004. Ky fjalor përdoret edhe si mjet pedagogjik-mësimor në shkollat shqipe në Suedi dhe në internet.

-Kam përpiluar një Gramatikë për klasën e parë deri në klasën e nëntë Botimet Toena, Tiranë 1998.

-Kam pëkthyer në suedisht librin për fëmijë të autorit Fatmir Toçi “Skënderbeu” Botimet Toena, Tiranë 1998.

-Një fletore pune “Gjuha jonë” nga parashkollorja për klasën e tretë Botimet Toena, Tiranë 1999.

-Fjalorë “Shqip-Suedisht” me rreth 30.000 fjalë, me të cilin kompletohet leksikografia e të dy gjuhëve asaj shqipe dhe suedeze, Botimet Lenanders Grafiska AB Kalmar, Suedi dhjetor 2011.

-Nga Shqipja në Suedisht Fjalor për fëmijë me rreth 1000 ilustrime, të autores Meri Toçi Botimet Toena, Tiranë 2011.

-Librin “Bota në pëllëmbë të dorës”, tregues i shteteve në formë të një atlasi gjeografik ku prezantohen 195 shtete ku hynë edhe Kosova me harta fakte, flamuj dhe ngjyra të këndëshme, Botimet Toena, Tiranë 2011.

-Një fletore pune “Gjuha jonë” nr 2 për klasat nga 1 – 6 Botimet Toena, Tiranë 2011.

-Po ashtu kam edhe librin “Ditari i dhimbjeve” një përmbledhje poezish Botimet Toena, Tiranë 2011.

-Kur kemi te bëjmë me përkthimin e autoreve suedez, ideja e një përkthimi vjen nga emri i autorit apo ajo qe le gjurme tek ju dhe qe ju shtynë te merreni me te?

Kam dëshirë të përkthej një libër për fëmijë nga një autor suedez i njohur si dhe një libër për fëmijë nga një autorë shqiptarë po ashtu i dëgjuar. gjithcka e kam planifikuar edhe autorët i kam zgjedhur por në një kohë të mëvonëshme ose kur ti do botojë do t’ja u tregojë.

Daja është i sinqertë dhe real. Thotë edhe këtë: -Koha më mungon. Atë kohë të lirë që kam nuk mjafton. Dëshirën që kam, më duket se as koha as mosha nuk do të më kursej të bëjë aq shumë sa unë kam planifikuar, por kjo është jeta e një emigranti shqiptarë 45 vite e 11 muaj më parë.

Daja edhe pse kishte probleme me shendetin, tani është i shendetshëm dhe duket shumë entuziast në punën e  tij dhe thotë edhe këto fjalë nga koha kur lëngonte nga semundja:- ”Unë linda përsëdyti…”. Shpresojë se do të realizohen fjalët… fjalë të cilat i flisja si në ëndërr në kohën e semundjes në prani të mjekëve dhe miqeve të mi. Ajo ishte dëshira ime. Dhe përgjigjen që merrja nga mjekët: ”Zoti Zendeli do të shkruash edhe 10 fjalorë”- katër libra i bëra, më kanë mbetur edhe gjashtë!

Në janar të vitit 2013 iu dërgua për botim Shtëpisë Botuese Toena në Tiranë, Fjalori i parë Shqip-Suedisht me rreth 35.000 fjalë.

       Fjalori i parë Suedisht-Shqip me 17.000 fjalë të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 27.000 fjalësh, u botua për herë të parë më 1994, nga Agjencia Kombëtare Suedeze për Arsim (Enti për zhvillim i Suedisë). Autor i përkthimit dhe inkodimit është Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja, Suedi, me redaktor Ullmar Qvick, Suedi, dhe Svijetllana Mihali, Shqipëri. Fjalori ka ndihmuar shqiptarët ta ruajnë me dashuri gjuhën amtare shqipe dhe të pengojë tjetërsimin e tyre gjuhësor.

        Fjalori i dytë Suedisht-Shqip me 28.500 fjalë të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 54.000 fjalësh, u botua më 2004 nga Agjencia Kombëtare Suedeze për Arsim (Enti për Zhvillim i Suedisë). Autor i përkthimit dhe inkodimit është Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja, me redaktor Svijetllana Mihali, Shqipëri, dhe Dr.prof. Shefkije Islamaj, Këshilltare Shkencore dhe përgjegjëse e sektorit të Leksikografisë në Institutin Albanolgjik të Prishtinës.

        Fjalori i tretë për fëmijë me titull Fjalori im i parë 4 gjuhësh: Shqip-Anglisht-Italisht, nga autorja Meri Toçi. Versionin Shqip-Suedisht e ka përkthyer Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja. Botoi Toena, Tiranë, 2011.

        Fjalorin e katërt Shqip-Suedisht, me rreth 35.000 fjalë, e boton Shtëpia Botuese Toena në Tiranë më 2013. Fjalori pasuron dhe barazon leksikografitë e të dy gjuhësve, suedeze dhe shqiptare, dhe plotëson zbrazti të ndjeshme për fjalorë të këtij lloji, në të dy leksikografitë. Ka karakter shkencor e normativ, dy kritere me vlerë për leksikografinë e mirëfilltë bashkohore, teorike e praktike. Ky projekt përmbush të gjitha kriteret mbi të cilat ndërtohen fjalorët dygjuhësorë bashkohorë.

Autori i kësaj vepre leksikologjike shumë të kërkuar është Mr. fil Sadulla Zendeli Daja, Suedi. Redaktorët e këtij fjalori janë: Dr.prof. Xhevat Lloshi, Tiranë, Dr, prof. Shefkije Islamaj, këshilltare shkencore dhe përgjegjëse e sektorit të leksikografisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Mr. Dalina Gurra, Suedi, dhe Mr. Suzanna Holm, Suedi. Për konsultime profesionale një ndihmë të pakursyer kanë dhënë: Albanologu Ullmar Qvick, Norrköping, Drejtoresha e Përgjithshme e Shtëpisë Botuese Toena, Znj. Irena Toçi, Fatmir Toçi dhe Lavdie Cenmurati. Dua të falëndeeroj Zt. Tomas Eriksson dhe Kenny Lindberg për ndihmën teknike në punën time me kompiuter. Botues i Fjalorit Shqip-Suedisht është Shtëpia Botuese Toena në Tiranë. Me këtë rast, mirënjohjet tona më të përzemërta shkojnë edhe në adresë të Ambasadës së Suedisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, si dhe Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Suedi. Botues i Fjalorit Shqip-Suedisht është Shtëpia Botuese Toena në Tiranë.

Filed Under: Histori Tagged With: Daja, emigranti pa Atdhe, Sokol Demaku

NJË VETERAN I SHQUAR I DIASPORËS SHQIPTARE

January 24, 2013 by dgreca

Nga Baki Ymeri/

Sadulla Zendeli Daja inkorporohet në kategorinë e shqiptarëve më të vlefshëm të diasporës sonë. Patriotizmi shqiptar nuk është një dobësi sentimentale, por një detyrë burrërore. Burrat e kombit shkruajnë, botojnë dhe afirmojnë. Njëri nga ata është edhe gostivarliu ynë i trojeve skandinave, i cili shprehet: “Unë jam njëri ndër mërgimtarët e panumërt të Suedisë, i dëbuar me dhunë para 46 vitesh. Rrethanat e jetës në mërgim, siç mund ta dini, janë mjaft të ndërlikuara e të vështira. Duke qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesshëm, apo ai i plotë. Ajo që brengos çdo njeri në rrethanat e jetës jashtë atdheut, është ruajta e gjuhës”. Sadulla Zendeli Daja banon në qytetin Färjestaden që do të thotë “Qyteti i Vaporave.” Po të kalosh urëlidhësen Öland, që lidh qytetin Kalmar me ishullin Öland, afrohesh shtëpisë së shqiponjave që u bëri ballë edhe valëve të tërbuara të kohës, presioneve politike dhe kërcnimeve. Pra, shtëpia e Dajës në Färjestaden, nuk është vetëm shtëpi e Flamurit dhe Shqiponjës. Ajo është një bibliotekë e pasur, një shtëpi botuese dhe një shtëpi drite në ujdhesë, ku u shkruajtën mijëra fjalë shqip për bashkatdhetarët e tij që Daja shumë i respekton dhe i do kudo që janë. Për figurën e tij, znj. Zyrafete Kryeziu Manaj, shkruan:

“Daja është njeriu që nuk u nda kurrë nga arsimi, veprimtaria dhe çështja kombëtare shqiptare e këtij veprimtari të shkëlqyer.” Poetesha Manaj, në librin e saj “Mbi uraganin e dhimbjeve”, ia ka kushtuar një poezi që mban titullin “Fjalëndrituri”: “Paqa fle në fjalët tuaja,/ Zemra e një copë tokë atdhe,/ Djep´ i Iliridës së lashtë,/ Që për besë fjalën e ke.// Një urtësi, që ndal dhe erën,/ Breshëritë djellin ia tregon;/ Fjalë që gurit ia zbut forcën,/ Paqën lidh në kurorë.// Dhe një mall që djeg si prush,/ Zemrën tënde e zhurit,/ Në atë tokë, ku koka t´peshoi,/ Don që t´prehet trupi yt.// Flamurin shok do ta kesh,/ Shqipja gjoksin të ta puthitë/ Në këtë shtet t´veriut n´glob,/ Na e solle pak Shqipëri.”.

Këto ditë të janarit 2013, Daja dërgoi në shtyp fjalorin e katërt (Shqip-Suedisht), me rreth 35 mijjë fjalë. Ky është një fjalor shumë i kërkuar nga bashkatdhetarët tanë në Skandinavi dhe shkollat shqipe për mësimin plotësues në shkollat shqipe në Suedi. Fjalori do të botohet nga Shtëpia Botuese Toena në Tiranë. Autor i këtij Fjalori është pra Mr. fil. Sadulla Zendeli Daja, me redaktorë nga Shqipëria, Prof. dr. Xhevat Lloshi, dhe nga Kosova Prof. dr. Shefkije Islamaj nga Instituti Albanologjik në Prishtinë. Autori i kësaj vepre voluminoze shkruan: “Fjalori që e kemi në dorë përmban standarte leksikologjike të zakonshme (sinonime, thënie dhe idioma). Sistemi i mbarështrimit të lëndës leksikore bëjnë që ky tekst t´i përmbushë në mënyrë të konsiderueshme kërkesat e një fjalori të madh. Fjalori Shqp-Suedisht u përpiluar sipas nevojës së mërgimtarëve tanë në Suedi e gjetiu. 35 mijë fjalë mundësojnë që lexuesi tëdi fjalë: medicine, teknike, filozofi, psikologji,biologji, kimi, fizikë, mikrobiologji, sport etj. Ky tekst leksikologjik do të jetë i mirëpritur si në atdhe ashtu edhe në Suedi nga ata që do të kenë interesim për ta mësuar gjuhën shqipe dhe gjuhën suedeze. Fjalori është i përshtatshëm për të kuptuar natyrën e të dy gjuhëve dhe mundësitë e tyre shprehëse.

Vlen ta ripërkujtojmë atë që e kemi thënë në kuadrin e një parathënieje: Sadulla Zendeli Daja nga Sërmnova e Gostivarit bën lobi për afirmimin e gjuhës së bijve të shqipes në veri të Europës, duke na i përkujtuar rilindësit tanë që luftuan me vetëmohim të rrallë për përhapjen e shqipes së shkruar e të kulturës në gjuhën amtare, për zgjimin dhe përforcimin e ndërgjegjes patriotike të masave dhe sidomos të rinisë, për organizimin e lëvizjes së çlirimit. Ai inkorporohet në spektrin e poetëve, publicistëve dhe shkrimtarëve që u përpoqën të çelin udhën e letërsisë së re, përkrah shkrimtarëve dhe poetëve më të njohur që ka bota shqiptare në trojet e Skandinavisë. Ate që e bënin bijtë e shqipes dikurë, duke kërkuar krijimin e teksteve të mësimit, abetare, gramatika, libra të këndimit dhe të shkencave, e bën viteve të fundit Sadulla Zendeli Daja në diasporë. “Rrezet e shkronjave ty herët të bënë dritë/…/ udhën e shkronjave vazhdove…/ që nga shpirti yt të rridhnin si ujëvarë.” Kështu thekson njl poet shqiptar nga Kumanova, duke shkruar për mallin e me mallin e dashurisë në shpirt e në sy, duke e përkujtuar Suedinë si “shtet me vlerë” që i tha poetit “eja te ne e futu brenda në bibliotekë!”. Sadulla Zendeli Daja është Pandel Sotiri i ditëve tona. Tërë jetën ia përkushtoi kultivimit të gjuhës dhe traditave kombëtare. Për këtë rast të rrallë të atdhedashurisë shqiptare flasin veprat e tij me akte e fakte. Sipas burimeve elektronike, ai hapi shkollën e parë shqipe për fëmijët shqiptarë, që ishin në Suedi me prindërit si mërgimtarë. Dhe jo vetëm, kaq, ai hapi edhe një shkollë tjetër “me burbuqe”, në Emmboda, dhe një në Kalmar, e në qendra tjera, dhe kështu, shkallë-shkallë, mori hov mësimi në gjuhën shqipe për herë të parë, me fëmijët shqiptarë që ishin në Suedi si mërgimtarë.

Sipas Sokol Demakut, “Daja ishte kujdesur që ky manifestim të jetë sa më madhështor. Daja di dhe ka ambicie. Pra fëmijët nga qyteti Borås kishin një rast të veçantë, për gëzime, për dallim nga moshatarët e tyre shqiptarë në qytetet tjera të Suedisë ku ata jetojnë. ”Babadimri nga Kosova” i cili një kohë të gjatë kishte bërë përgatitje serioze për udhetimin e tij në veri në qytetin Borås të Suedisë, në të cilin jetojnë dhe mësojnë shumë voglushë shqiptar, në këtë qytet në veri të Europës ku Babadimri u ndau dhurata në një vperimtari të organizuar me këtë rast. Këtu, në Borås, fëmijëve shqiptarë Babadimri u solli edhe shumë të fala nga moshatarët e tyre nga fëmijët e Kosovës dhe nga voglushët e vendlindjes. ”Babadimri kosovar” në thesin e tij të mbushur enkas për boråsarët e vegjël, kosovari i Suedisë kishte sjellë për ta libra që nën përkujdesjen e Sadula Zendeli Daja ishin përkthyet në gjuhën suedeze,  dhe tema e librit ishte  „Kryetrimi legjendar shqiptar Skenderbeu”, në botim të shtëpisë botuese Toena në Tiranë, por Babdimri kishte sjellë më vete edhe përshendetje të përzemërta e të ngrohta nga kosovarët për fëmijët këtu. Kjo ishte një kënaqësi për fëmijët tanë. Kjo ishte një respekt për ta, Pra, në të ardhmen jam i mendimit, thotë Sadulla Zendeli Daja, se ne duhet të angazhohemi edhe më, dhe të jemi së bashku që këto manifestime të jenë sa më mirë të organizuara dhe të përfshihen të gjithë fëmijët që jetojnë në këto anë. Është punë e madhe që të organizojmë manifestime të tilla, ku fëmijët tanë do takohen dhe njihen me njëri tjetrin.

Sadulla Zendeli Daja njihet edhe si një poet vargjesh mërgimtare me subjekte patriotike dhe të përmallimit ndaj vendlindjes dhe shpirtit shqiptar. Sipas zt. Skënder Hasko, “në këto poezi gjejmë zemrën dhe shpirtin e trazuar të autorit. Ato janë pak, por thonë shumë. Aty takojmë dashurinë e autorit për vendlindjen dhe për bashkëkombësit e tij, por gjejmë edhe urrejtjen për dhunuesit e të drejtave të tyre; na del parasysh trimëria dhe vetëmohimi i shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre shekullore, por edhe sjelljet antinjerëzore të atyre që autori, me shumë të drejtë, i quan “kanibalë”. Janë vërtet kanibalë, sepse torturojnë dhe hanë jetë njerëzish të pafajshëm dhe, për këto veprime të ndyra festojnë, duke kënduar e duke kërcyer, me qëllim që të fyejnë e të poshtërojnë luftëtarët e paepur të lirisë, që e japin jetën si me le. Mendimi dhe idetë në këto poezi jepen në mënyrë koncize, por që transmetojnë ndjenja të larta atdhedashurie e dhembshurie. Nëpërmjet këtyre vargjeve përcillet te lexuesi edhe përçmimi për tradhtinë e tradhtarët, të cilët vihen në shërbim të keqbërësve të bashkëkombësve, si një nga bëmat më të shëmtuara të njerëzimit; por përcillen edhe trimëritë e luftëtarëve të lirisë, që nuk mposhten, as përpara mbylljes nëpër burgjet e errëta të pushtuesve, as përpara plumbit të armikut, duke shfaqur një nga virtytet më të çmuara të popullit shqiptar.”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Baki Ymeri, Daja, Sadulla Zendeli

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT