• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME MIQTE E MI NE ROME, SHPEND SALLAKU DHE GEZIM HAJDARI

September 10, 2013 by dgreca

Janë disa fotografi me miqtë e mi të mirë, Shpend Sallaku dhe Gëzim Hajdari, që më sjellin ndërmend një vizitë plot mbresa në nëntor 1992 në Itali. Që të dy dhanë kontribut të vecantë në proceset e para demokratike , duke u vënë në ballë të Levizjes demokratike…./

Nga Dalip GRECA/

Ne Foto: Nga e majta, Shpend Sallaku, Dalip Greca dhe Gezim Hajdari ne kembe…/

I sjell shpesh në mendje miqtë e mi, Shpend Sallaku dhe Gëzim Hajdari, dy nga figurat më aktive në lëvizjen demokratike në Lushnjë dhe në Shqipëri, sot intelektualë e shkrimtarë me emër. Ishin ata të parët(së bashku me Pirro Kicen) që erdhën në shtëpinë time për t‘më ftuar në radhët e republikanëve më 1991. Ishin po ata që më propozuan për të përfaqësuar republikanët në Këshillin e parë pluralist të Lushnjës, duke më nderuar me postin e sekretarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, dhe më 31 mars 1991, 22 Mars 1992-kandidat për Deputet i PR. Fotografia e më sipërme pasqyron një vizitë timen në Itali nga 10 nëntori 1992 e deri 30 Nëntor 1992, sa herë e shoh i hedh sytë kronikës që qëndron pas kësaj dhe të tjera fotografive të asaj kohe.

Ishte një vizitë në Itali, kur në përbërje të një delegacioni republikan, të kryesuar nga i ndjeri Sabri Godo, në përbërje isha unë dhe Skënder Cala,- të ftuar në Kongresin e Republikanëve italianë që në atë kohë ishin pjesë e qeverisjes me katër ministra, përfshi dhe Suzana Anjelin, që ato ditë dha dorëheqje përmosrakordim me kryetarin e Republikanëve Giorgio La Malfa. Unë dhe Skënder Cala, ishim përfshirë në delegacion, si kandidatët më të suksesshëm republikanë, që në zgjedhjet e 22 marsit kishim marrë mbi 20 për qind të votave. Casti më intersant gjatë Kongresit të 38-të të Republikanëve që u mbajt në Massa di Carrara(Toscana) ishte pjesmarrja e politikanit më popullor, figura më e ndritur e republikanizmit italianë, Spadolini. E kujtoj si tani preokupimin e gazetarit Gëzim Hajdari, që bënte cmos të afrohej në turmën e madhe ku po fliste Spadolini, për të patur si kujtim zërin dhe mesazhin e tij.Ia arriti që t’i afrohet fare afër dhe e incizoi direkt.

Në fund të punimeve të Kongresit, Gëzim Hajdari, i kërkoi leje z. Godo që unë të rrija disa ditë në Romë, të bëja takime me emigrantët e Lushnjës, të takohesha me politikanë lokalë dhe biznesmenë dhe të kthehesha më vonë në Tiranë. Mbaj mend shakanë e Godos: – Do t’ma mbani dhe këtë lushnjarin këtu?

Gëzimi qeshi dhe ia ktheu:- Jo, jo,  Dalipi duhet në Lushnjë edhe për Gazetën “Ora e Fjalës” që kemi lënë atje.

-Të jesh i sigurtë,- i thashë unë, se nuk është në projektet e mia qëndrimi këtu. Do të kthehem shumë shpejt.

Tërë ato ditë qëndrova në shtëpinë e Gëzimit dhe në shoqërin e Shpendit dhe familjes së tij, ku isha shpesh i ftuar. Përditë i ftuar nga miqtë italianë që të dy intelektualët lushnjarë kishin në Frosione e deri në Romë.

E gjithë axhenda e atyre ditëve ishte e ngjeshur: Takime me emigrantë lushnjarë në rajonin e Lazios, takime me politikanë italianë si; Giussepe Casini , që atë kohë ishte Sekretar i Përgjithshëm Organizativ i Partisë Republikane për Lazion, kryetarin e Forumit Republikan te rajonit, e të tjerë. Me 17 dhe 18 nëntor bëmë takime në komunën e Ciocarisë, me qendër  në Frosinone, u takuam me nëpunës të sektorit të Jashëtm, si Fernando Turriziani,Ruggero  Marazi, si dhe me kryetarin e Bashkis, të cilit, si anëtar i Këshillit të Rrethit të Lushnjës, i paraqita kërkesën për binajkëzim të Lushnjës me Frosinone. Në fakt delegacioni i Bashkisë së Frosinones erdhi në  Lushnjë gjatë vitit 1993 dhe një shkollë e Frosinones u binjakëzua me Shkollën”4 Dëshmorët” në qytetit të Lushnjës. Pasditen e 18 nëntorit vizituam redaksinë e Gazetës”Ciociario Oggi”, ku u pritëm nga gazetari Igor Traboni.

Data e 20 nëntorit e pati kulmin në një darkë që shtroi enkas ish kryetari i  Bashkisë të qytetit Alatri, demokristiani Italo Cianfroka dhe afaristi Italo Buzi me një grup bashkëpunëtorësh. Në këtë darkë isha me të dy miqtë e mi, Shpend Sallaku dhe Gëzim Hajdari. Darka u shtrua në një restorant luksoz të qytetit me emrin”Vila  Verde”. Aty folëm , krahas të tjerave edhe për mundësinë e lidhjeve tregtare mes Lushnjës e Alatrit, duke pasë parasyshë prodheusit e verërave dhe pijeve të tjera alkoholike.

Me 21 nëntor ishim të ftuar në shtëpinë e Juristit , përgjegjës për  Zyrën e lidhjeve me jashtë në Bashkinë e Frosinones, dott Fernando Turrziani, dashamirës i Shqipërisë. Në takim ishte edhe dott Ruggero Marazzi, i zyrës së Finacave. Biseduam edhe për mundësinë e ngritjes së një shoqërie miqësie Shqiptaro-Italiane me qendër në dy qytetet, Frosinone dhe Lushnjë, shoqatë që do të kishte për mission shkëmbimin e vlerave të ndërsjellta kulturore dhe artistike.

Një takim interesant ishte edhe ai që bëmë në Stabilimentin Italian”FLEXBED”, i njohur në të gjithë Evropën për prodhimin e sustave dhe prodhimeve të tjera metalike. Pronari i stabilimentit ishte i interesuar që të kapte tregun duke ngritur një filal në Lushnjë, projekt që nuk e mudnësoi legjislacioni i deriathershëm shqiptar.

Vecoj nga vizitat, atë që u bë me 22 nëntor në Romën e lashtë. Kam mbetur i befasuar nga mbresat e asaj dite, vizita në Colosse’, si  tani kujtoj castin, kur Gëzim Hajdari, u përkul, mori një dorë dhe’ në mjediset e Colosseut, dhe më tha: Këtë coja poetit tonë, Faslli Haliti, që deri tani nuk e ka shkelur Romën, gjuhën italiane dhe Letërsinë e saj i ka në zemër- Colosseun-ëndërr. Për herë të parë shihja gjithcka; Vaticanin, Sheshin e famshëm të  San Petros, ambientet e brendshme të Kishës me punimet e Michelangelos e piktorëve të tjerë të famshëm. Ndoqëm nga afër Meshën e shenjtë mbajtur nga Papa Vojtila. Atë ditë gjithcka ishte mbreslënëse nga vizitat nëpër Romë;  Vizita në Campidoglio, La Piazza Di Spagna, ku zhvillohet Parada e Modës; një bukuri më vete Fontana di Trevi, vendi ku janë vendosur mbretërit e Savojës dhe piktori e skulptori Rafaello ; Palazzo di Venezia, ku ka folur Musolini, Pallati Parlamentar, – Montecitorio, pallati presidencial, -Qurinale, rruga e famshme Via del Corsso, rezidencat e gazetave qendrore të Italisë, si Il Tempo,  Il Messaggero,  Secolo d’ Italia, La Vocce Repubblicana etj.

Po atë ditë takova një nga misionarët e Grevës së urisë të studentëve, nismëtarë i Lëvizjes Demokratike, Arben Sulo, që më befasoi, post të tjerave dhe me disa dhurata simbolike për fëmijët e mi.

Me 19 nëntor të tre, së bashku me dy miqtë e mi, Shpend Sallaku dhe Gëzim Hajdari, ishim të ftuar në studion e televizonit  lokal “ERNIKA TV” në emision të drejtëpërdrejtë, ku gazetari drejtonte pyetjen për gjendjen në Shqipëri pas përmbysjes së sistemit komunist. Emisioni zgjati 45 minuta.

Me 21 nëntor, miqtë e mi më ofruan një surprizë tjetër; takim me poetin napolitan, derjtues në atë kohë i gazetës “Il Tempo Libero”, Waldimiro Traboni, i cili më dhuroi për gazetën “”Ora e fjalës” një cikël poetik të tijin. Ato ditë u organizua edhe një ceremoni e bukur poetike, ku atij iu akordua një cmim letrar. Ishte i treti që merrte brenda pak kohëve.

Gjatë të gjithë ditëve që isha në Frosinone isha i mirëpritur në shtëpinë e zonjës fisnike Aida Calcabrina(Falce), e cila na priste me bujari. E paharrueshme ishte darka e 23 nëntorit, ku përvec  Gëzim Hajdarit e Shpendi Sallakut dhe familjes së tij, ishin të pranishëm;  Rosalba Calcabrina,  Clelia Calcabrina, Olga Papaioannou, nga Australia, e bija e saj Nina Papaioannou, Aldo Calcabrina e Rafaele Calcabrina. Familja Calcabrina ishte shumë e njohur për bujari, shprehur kjo edhe ndaj emigrantëve shqiptarë. Si sot i kam në kujtesë tingujt që lëshonte piano, nën duart e zonjës fisnike, e cila në respektin tonë luajti në piano plot 40 minuta. Interesante ishte edhe vizita që bëmë në Abacinë e Urdhërit  Cirtercense në Casamari, ku na shoqëruan edhe nga Aldo dhe Clelia Calcabrina. Don Ildebrando  priore, e ftoi grupin shqiptar që të ndiqte një concert me këngë gregoriane të interpretuara nga kori i murgjëve.

Me datë 26 patëm një ftesë interesante, një komunist Italian, ish pjestar i Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipëri, pasi na kishte ndjekur në intervistën dhënë në televizonin lokal na ftoi për darkë, e cila u shtrua në restorantin “La Mbriacella”, me emër në të gjithë Ciocarinë.Biseda me të qe intersante, ai ishte njëri prej të mashtruarëve prej propagandës komunsite. Pas ngjarjeve të ’90-tës, ai “mallkonte” veten që e kishin mashtruar aq lehtësisht.

Me 27 nëntor së bashku me Gëzim Hajdarinishim të ftuar në shtëpinë-studio të bashkëshortëve piktorë, Mario Celletti dhe Fiametta De Feo, që na pritën me ngrohtësi dhe pranuan të intervistohen prej meje. Intervista u botua në “Ora e Fjalës” dhe “Republika”.

Po me 27 nëntor isha i ftuar në redaksinë e Gazetës “Il Secolo d’Italia”. Aty dhashë një intervistë që u botua edhe në Gazetën”Republika” në Tiranë.

Një ditë para largimit u takuam sërish në zyrën e Bashkisë , ku m’u dorëzua një notë me shkrim për lidhjet e binjakëzimit të Frosinones me Lushnjën nga vetë Sindaco i Frosinones.

Në ditën e kthimit humba një takim të rëndësishëm që ishte lënë për atë mbrëmje me Gianfranco Finon, ku natyrisht dy miqtë e mi, nuk e humbën rastin dhe kronika u botua ne Ora e Fjales dhe Republika. Mua më duhej të merrja trenin, përt ë arritur në mëngjesin tjetër në Brindizi për të marrë tragetin  drejt Durresit.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Gezim Hajdari, sabri Godi, shpend sallaku, vizita ne Itali

GAZETARI SHQIPTAR QË INTERVISTOI ALEKSANDËR MOISIUN GJATË TURNEUT NE AMERIKE

September 7, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Nelo Drizari pati fatin që të takonte dhe të intervistonte aktorin e madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu gjatëturnout, që trupa e teatrit të tij bëri në ShBA.Po ndalemi gjatë tek përshkrimet e Drizarit, pasi pas shkrimit zbulohet adhurimi që ai kishte për aktorin e madh.Pritjen e ngrohtë që i bënë amerikanët aktorit me origjinë shqiptare, Nelo e përcjell me një ndjenjë ngazëllimi: Kur erdhi për të parën herë Aleksandër Moisiu në Amerikë, nëntor 1927, bota tha se erdhi vetëm për katër javë. Por lojërat e tij aktoriale muarën bujë të madhe.Populli kërkonte kohë dhe rast që të shihte këtë aktor të famshëm.Programi i Reinhardit ishte që tëloste një dramë në javë, që ashtu të mbeste vent për të tjera.Kërkimi i popullit e shtërnguan që ta zgjaste kohën dhe ta mbajë protagonistin deri më 8 të këtij muaji(shkurt  1928).

Duke e përcjellë atmosferën që e rrethonte aktorin e famshëm gjatë shfaqjeve, Nelo shkruan për lexuesit e Diellit:Moisiu është me të vërtetë njeri i dashur. Tri herë që e kam bashkuar  back stage pas lodrave, jam habitur me sjelljet e  admironjësve të tij.Shumë njerëz, shumica përbëhej prej grashë, suleshin si turma të tërbuara për t’i shtërnguar dorën Moisiut.Të tjerë lotin rolin e gjujtsave për dhurata(Souvenr hunters). Të fundit kërkonin nënshkrimin e tij mbi programe, fytyra ose libra që kishin lidhje me Moisinë.Aktori i madh i priste me buzëqeshje,dhe kalorësi të shquar dhe u mbushte dëshirën, kur nuk nxitohej për të shkuar gjëkundi.Këto sjellje të këndshme,kjo kalorësi e shquar, së bashku me talentine  tij, kanë fituar  miq të ngushtë dhe admironjës të shumtë.Megjithë që thonë disa se Moisiu është i sertë, natyra e tij m’u duk si e butë.Moisiu ngjanë sikur është nga raca nordike: nga raca anglo-saksone ose Teutonike.Ata që nuk e dinë se edhe në Shqipëri ka plot njerëz të këtij tipi, s’e besojnë se të atin e kishte shqiptar dhe të ëmën italiane.

Kjo është e vërtetë. Moisiu u lind në Trieste më 1890. I ati ishte Kostandin Moisiu nga Durrësi,i  cili kishte tregëti në  Vienën dhe më vonë  në Fiume në Hungari.

Foshnjërinë e tij Aleksandër Moisiu e shkoi në Shqipëri.Në Durrës ky vajti në shkollë  dhe më parë se të nisej për në Vjenë, dinte shqip mirë.Që kur e dërgoi i ati në Vjenë, në shkollë, s’pati rast të përdorte gjuhën e Atdheut, gjuhën shqipe.Ashtu që sot mban mend vetëm disa fjalë të rralla.

Autori i shkrimit e merr në mbrojtje aktorin me origjinë shqiptare nga ata shqiptarë, që e përflisnin se ai e kishte humbur identitetin shqiptar dhe nuk ndjente asgjë për racën e vet. Nelo kundërshtonte:”Por s’munt të themi që Moisiu ka humbur dhe ndjenjat ose dhembshurinë  për Shqipërinë. Jo. Sa kohë që ish në Vjenë ky shoqërohej me shqiptarët.Veç kësaj Moisiu vajti në Shqipëri për disa muaj pas Luftës Ballkanike.S’ka dyshim që Moisiu ndjen gëzim të nxehtë kur bashkohet me ndonjë shqiptar.Gjithashtu ay mbahet madhështor kur kujton që i ati ishte shqiptar.

Nga ana tjetër janë dhe disa sende  të tjera që duhen marrë ndër sy.Moisiu është një artist i mësuar në vendekulturale të Evropës. Ky përballi shpenzime dhe  zor të madh duke tretur mësimet në gjuhë të huaj.Moisiu i është vënë artit të dramës  me gjithë mish dhe shpirt.Me fjalë të tjera bëri ca sakrifica, pra e hodhi lumin.Si një shkencëtar, ose muzikant, ose çpikës, që la mënjëanë çdo gjë tjetër për të realizuar idealin, ashtu edhe Moisiu, mori ndër sy të arrijë  në kulmin e fushës që zgjodhi;domethënë të  bëhet një aktor i shquar.

Si aktor i shquar, artist i mbaruar, pranohet me brohoritje në qarqet e huaja.Domosdo gjermanët e quajnë të tyrin.Por bota e dramës interesohet në interpretimin dhe talentin e personalitetin e Moisiut, dhe jo aq për kombësinë e tij.Kudo që vete trimfon.Kudo bën përshtypje të shkëlqyera. Sepse ka zotësi dhe talenti i tij s’kufizohet vetëm si tragjedian.Moisiu është dhe komedian i mbaruar. Nga këto shkake, Moisiu s’mund të dalë sheshit dhe të thotë:”Unë jam shqiptar”! Kur e ka sjellë rasti ay e ka thënë pa ndrojtur se si qëndron fisi i tij.

Drizari tregon se si e takoi aktorin e madh dhe si e priti ai: Desha ta ndjek, desha të fjalosem me të  dhe një herë më parë se të nisej për në Evropë me vaporin “New York” shkova ta takoja. Për fat të mirë erdhi me mua  edhe zoti Paul Linke, shkrimtar i ri gjerman dhe mik i ngushtë i Moisiut.Back-stage një varg njerëzish po priste. Moisiu posa na pa na qasi në Odën e tij, odë e vogël që ka çdo Theatër për krye-aktorin dhe na priti me nje ngrohtësi gjeniale. Megjithë që ishte i lodhur , u gëzua pa masë kur mori vesh se shqiptarët i dëshirojnë përparim të madh  dhe interesohen për triumfin e tij.Në këtë çast fytyra e tij u çel, kur dëgjoi prapë se shqiptarët e  nderojnë , jo vetëm si artist, por e njohin edhe si shqiptar nga ana e të atit.Atij i ndriti fytyra.

Keni parë fytyrën e ndonjë të riu që lëvdohet  prej prindëve për ndonjë gjë të mirë që ka bërë? Keni vënë re se sa bukur tingëllojnë fjalët ”Bravo!..të lumtë…! Dhe na nderove? Ashtu dhe Moisiu.Veçanërisht Moisiu u gëzua kur pa që gazeta “Dielli” ka bërë fjalë kaq herë për të.

Në përshëndoshjen e fundit, Moisiu më siguroi,që dëshiron t’u falet nderit shqiptarëve për interesin dhe dashurinë që rrëfejnë ; dhe mbahet kryelartë kur kujton që ati i tij ish shqiptar dhe vjetët e foshnjërisë i shkoi në Shqipëri.Kur hapi derën dhe doli jashtë populli gjerman e priti me “Hoch Moissi!..”Hoch Moissi”!(rroftë Moisiu!)

Brenda qenies së tij, Nelo Drizari ndjen një sëmbim në zemër, që Moisiun shqiptar e gëzonin kombe të tjerë, shtete të tjerë. Ai shkruan:” Kur Moisiu shkoi përmes turmës gjer te automobili, m’u kujtuan ca shqiptarë të historisë:”Pemët e punërave të tyre janë shijuar prej Botës, ajo botë që i rriti dhe i nderoi.Kur do t’i vijë koha që Shqipëria t’i mbajë për vete djemtë e saj?”  Për ironi të fatit dhe vetë Nelo, do të mbetej larg vendit të vet.(Pjesë e studimit për editorët e Diellit ndër vite)

 

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, gazetari shqiptar, intervistoi Aleksander Moisiun, nelo drizari

Ilir Qirici, Shqipëria i dha tri ditë jetë

August 24, 2013 by dgreca

Amerika i ktheu jetën dhe e integroi ne jeten e perditshem…/

nga Dalip Greca/

E merrni do me mend se si një njeri,i paralizuar, që ka humbur aftësitë lëvizëse, i ulur në karrocën e tij të sofistikuar, të kryej detyra të vështira në televizion, të jetë organizator i një programi televiziv, të jetë përgjegjës për ndriçimin,të drejtoi të ftuarit në sallë, dhe të kryej veprime të tjera gjatë trasmetimit të shfaqjes? E merrni me mend që ky invalid të jetë shpallur dhe regjisori më i mirë për Amerikën Verilindore? Pra ai ka fituar çmimin  e parë në kategorinë e programeve të bisedave në Aleancën për Median e Komunitetit, në festivalin rajonal të videos në Verilindje të Amerikës. Gjithçka është e mundshme, madje si ç’shprehet Liri,gjithçka kryehet shumë lehtë.Po çfarë magjie zotëron ky Ilir Qirici,(shokët e thërrasin Liri) që veprimet i kryen në mënyrë të sinkronizuar.

Ja si e shpjegon ai mrekullinë e kryrjes së veprimeve gati në mënyrë automatike: Unë kam një karrocë të sofistikuar që më lejon të lëvizë, kam një program kompjuteri të veçantë që më lejon të përdorë dhe kontrolloj kompjuterin, kam teknologji ndihmuese në shtëpi që më lejon të kontrolloj krevatin, dritat, televizorët dhe pajisjet e tjera vetëm nëpërmjet zërit dhe teknologji të ngjashme në punë ku kam një pajisje kufje me valë e kombinuar me programe të tjera që më lejon të kontrolloj kompjuterin, të bëj dhe marr telefonata vetë dhe kjo nëpërmjet përdorimit të vetëm të zërit. Interneti është bërë pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe falë teknologjisë ndihmuese jam më i pavarur. Siç thonë, vetëm në Amerikë ndodhin këto mrekullira.

Shtypi ka shkruar shumë për Lirin, madje gazeta e njohur”The Boston Globe” e ka pasur radhazi personazhin e vet, siç e kanë pasur dhe shume revista rajonale. Gazetarja e ”The Boston Globe” Diana E. Lewis, në shkrimin e saj botuar me 11 nëntor 2001,  ka arritur që të përcjellë si në vidio veprimtarinë e Lirit.

Liri punoi në MATV dhe në Cyber Cafe’ në Malden, ku ai mësoi frekuentuesit e saj sesi të përdorin internetin në kompjuter. Në një mbasdite të zakonshme, ai ”shkruan” informacionin në ekranin e kompjuterit duke i dhënë komandat me zë, pastaj më një pikë të argjendtë në ballin e tij, çvendos shigjetën kompjuterike duke lëvizur kokën. Pra një dritë infra të kuqe në një kanal pranë kompjuterit të tij bie mbi pikën e argjendit, e cila kthehet në sinjal, duke i lejuar atij që të manipulojë shigjetën të shkruaj. Një telefon i lidhur me një pajisje kontrolluese aty pranë dhe me një kufje dëgjimi në kokë, i mundësohet që të presë thirrje të ndryshme telefonike. Kufjet dhe telefoni janë të lidhur me një kuti telefonike pranë tij,vetë telefoni është i lidhur me kompjuterin, i cili gjithashtu ka të programuar në software një qendër zëri.Komandat janë të tilla: si”përgjigju në telefon” dhe kalon sinjalin menjëherë te kufjet.

“Aktivizuesi i zërit më lejon mua të shkruaj, të kontrolloj shigjetën dhe të përdor telefonin, thotë Liri. Pastaj shton:Gjithçka që të tjerët e realizojnë me duar, unë e realizoj nëpërmjet zërit”.

Po çfarë bën tjetër Liri? Përgjigjet ai vetë: Në MATV, unë bëj produserin, drejtoj, montoj, jap leksione, punoj me grafiks, kordinoj të ftuarit në studio, marr pjesë në projekte të ndryshme. Kam bërë shumë programe dhe projekte të cilat kanë pasur sukses, kam realizuar programe dhe projekte për”public service Announcements”,”PSA”, bëj kërkime dhe takoj organizata të ndryshme shoqërore etj. Më pas ai tregon për progarmin”VISTA”, ku pranoi të merrte pjesë. Pse e bëre këtë? E para unë mundesha të punoja në Stacionin televiziv, i cili në bazë ka një lloj pune të cilën mua më pëlqen ta bëj, të shkruaj, të organizoj, drejtoj, dhe të përgatis grupe pune.

Jeta e Lirit është plot me të papritura. Për t’i sjellë ato sa më të plota për lexuesit, i morëm atij intervistën e mëposhtme:

– Liri dhe Shqipëria, ëndërrat e vrara dhe vdekja që desh ju mori jetën, ç’përgjigje do të jepnit tani pas kaq vitesh, ku shumë gjra kanë marrë kahje tjetër?

– Çdo njeri ka dëshira dhe ëndrra për të ardhmen. Ëndrra ime ishte të bëhesha regjizor filmi. Megjithatë, duke jetuar në Shqipëri, Tiranë gjatë regjimit komunist mundësitë ishin të pakta. Ne kishim një industri shumë të vogël filmi dhe nuk kishte ndonjë shkollë filmi. Instituti i lartë i arteve në Tiranë ishte i vetmi vend për studime të avancuara arti dhe ata kishin vetëm një program për regjizurë teatri ku vetëm dhjetë vetë pranoheshin çdo vit në një konkurs ku merrnin pjesë pothuajse 100 kandidatë.

Unë u përgatita dhe studiova për pothuaj dy vjet dhe besoja se kisha talentin e mjaftueshëm, pasion dhe këmbëngulje që të isha një nga të zgjedhurit. Por, qartazi talenti nuk kishte të bënte asgjë me seleksionimin. Vetëm ata që kishin lidhje të mira u pranuan në atë program. (për shembull, në atë vit kur unë konkurova, 1988, në program u pranuan Dritan Agolli, djali i Dritëro Agollit, Diana Ndrenika, e bija e Robert Ndrenikës, Albert Budina, vëllai i Edmond Budinës  dhe Eno Milkani, i biri i Pirro Milkanit. Sa për informim, asnjë nga këta të zgjedhur nuk është marrë me regjizurë ose art që nga ajo kohë).

Mospranimi në atë program ishte dëshpërues dhe shumë i vështirë për t’u pranuar, sidmos kur e dija se çfarë isha në gjendje të bëja. Shkrimi i poezive, kalimi i kohës në plazhin e Durrësit ku kaloja kohë duke shikuar qetësinë e detit dhe shpresa për një të ardhme më të mirë ishin disa nga gjërat që risollën paqen në zemrën time. Gëzohesha kur shkoja në atë plazh dhe shkoja gjatë gjithë muajve të verës. Por, fati i keq më ndoqi edhe atje. Më 6 gusht 1989, pësova një aksident që më la të paralizuar nga gjoksi poshtë, duke më ndërruar kështu përgjithmonë jetën time. Siç mund ta keni lexuar në artikullin e revistës që keni, unë vrapova drejt detit dhe kërceva duke u përpjekur të bëja një sallto 360 gradëshe. Me qëllim që të bija në këmbë në fundin e detit. Megjithatë, unë pata një kërcim të keq që rezultoi fatal për mua. Unë isha nën ujë duke mbajtur frymën, i ndërgjegjshëm dhe me qafë të thyer…

 Mjekët ju dhanë vetëm 3 ditë jetë,si e kapërcyet ju dhe familja juaj fatkeqësinë?

– Për pothuajse 2 vjet luftova për jetën time duke kaluar dhimbje të rënda presioni dhe komplikacionesh të shumta, pa ndihmë nga mjekët të cilët kishin garantuar vdekjen time brenda tri ditëve pas aksidentit dhe të autoriteteve që nuk treguan kujdes as për mua dhe as për dhimbjen e madhe të familjes sime. Shkurt, ajo çfarë bënë doktorët ishte një radiografi e qafës, më dhanë një injeksion dhe pritën që të vdisja. Ata më nxorën nga spitali dhe më dërguan në shtëpi duke thënë: “Le të vdesë në shtëpi”. Por, unë nuk vdiqa. Unë mbijetova. Ishte besimi në Zot dhe mbështetja e jashtëzakonshme e familjes sime, përkujdesi dhe përpjekjet e mrekullueshme të prindërve të mi, Simonit dhe Angjelinës dhe si gjithmonë, shpresa se një ditë do të bëhesha më mirë dhe do të mund të eci përsëri. Është me të vërtetë një mrekulli që sot jam gjallë dhe mirë. Në të vërtetë, një numër mrekullishë ndodhën.

-Liri dhe Amerika, si u takuat me njeri-tjetrin?

-Familja ime së bashku me mua, përfituam nga gjendja trazuar që u krijua pas tronditjes së madhe që regjimi komunist pësoi më 1990 dhe eventualisht ikën nga ai sistem. I pari ishte vëllai im i madh Vasili që shkoi në Itali ku menjëherë kërkoi azil politik. Pak më vonë në mars 1991 pjesa tjetër e familjes arriti të shkojë në Greqi ku u operova dy vjet pas aksidentit të paktën për të stabilizuar qafën e thyer.

Megjithatë, ëndrra e familjes sonë ishte të vinim në SHBA, i vetmi vend në botë që ofronte kujdes të shkëlqyeshëm mjekësor për mua dhe eventualisht jetë më të mirë për gjithë ne. Im vëlla, Vasili, kishte bërë kërkesë në Ambasadën Amerikane për të ardhur në Amrikë si refugjat politik. Me ndihmën e organizatës mirëbërëse katolike, ai na dërgoi garancitë dhe më 11 mars 1992 ne erdhëm në Amerikë si refugjatë politikë. Sapo mbërritëm fillova të kuptoj pse Amerika ishte vendi më i madh në botë dhe sa fatlumë ishim ne që të jetojmë këtu. Amerika më kë dhënë çdo gjë që kam nevojë ku dëshiroj të shkoj dhe çdo mundësi të bëj çfarë dëshiroj të bëj në jetë. Nga shërbimi i mrekullueshëm dhe falas, shërbime teknologjike, shoqërore dhe të ndihmës,pa asnjë lloj diskriminimi të çfarëdollojshëm.

 – Çfarë ju dha Amerika?

– Vetëm në Amerikë një njeri me aftësi të kufizuara fizike, si unë, mund të marrë këso lloj shërbimesh të jashtëzakonshme dhe të ketë mundësi për të punuar ndërmjet njerëzve në gjendje normale dhe të jetë produktiv. Unë kam një karrocë të sofistikuar që më lejon të lëvizë, kam një program kompjuteri të veçantë që më lejon të përdorë dhe kontrolloj kompjuterin, kam teknologji ndihmuese në shtëpi që më lejon të kontrolloj krevatin, dritat, televizorët dhe pajisjet e tjera vetëm nëpërmjet zërit dhe teknologji të ngjashme në punë ku kam një pajisje kufje me valë e kombinuar me programe të tjera që më lejon të kontrolloj kompjuterin, të bëj dhe marr telefonata vetë dhe kjo nëpërmjet përdorimit të vetëm të zërit. Interneti është bërë pjesë e rëndësishnme e jetës sime dhe falë teknologjisë ndihmuese jam më i pavarur. Siç thonë, vetëm në Amerikë ndodhin këto mrekullira.

Amerika më ka trajtuar si birin e saj dhe së bashku me familjen time dhe unë, që kemi lulëzuar këtu, ne e duam Amerikën dhe nuk do ta ndërronim atë për çfardo vendi në faqen e dheut.

– Si arriti Liri, që të përballonte programin e vështirë dhe të diplomohej në Universitetin e Boston-it?

– Duke qenë në SHBA në vendin e lirisë dhe mundësive të mëdha, edhe një herë ëndrrat e thyera m’u ringjallën. Unë e mësova anglishten vetë nga televizori dhe leximet dhe në vitin 1995 frekunetova Universitetin e Massachusetts në Boston. Mësova bazat e realizimit të filmit dhe punova kryesisht si regjizor në një grup dhe shumë projekte filmike dhe videoje individuale. Frekuentimi i kolegjit ishte shumë i vështirë për mua në shumë drejtime; që nga ruajtja e shëndetit të mirë tek transportimi, të shkruarit e detyrave në anglisht. Në fillim shtypja germë pas germe me një makinë shkrimi të vjetër elektrike. Më duheshin disa ditë që të shypja një detyrë. Në vitin e dytë të kolegjit punët m’u lehtësuan pasi fillova të përdor “Dragon dictate” një program kompjuteri që punon me teknologjinë e zërit.

Në vitin 1997 vazhova arsimimin tim dhe hyra në programin më të mirë të filmit në Masachusetts, në Universitetin e Boston-it, ku forcova dhe çova më tej dijet e mia në regjizurë, në skenarë dhe në gjithë procesin e krijimit të filmit. Në Universitetin e Boston-it unë kisha rastin të punoja me kamera 16 mm dhe pajisje më të mira, i zgjerova dijet e mia duke studiuar filma dhe regjizorë të ndryshëm dhe përfitova përvojë të vlefshme, duke marrë pjesë në projekte grupi dhe duke drejtuar filmat e mi të shkurtër, përfshirë një projekt grupi të quajtur “Slices”.

Unë hyra në kolegj shumë i vendosur për çfarë doja dhe duke e ditur se çfarë duhej të bëja për t’iu afruar një hap tjetër më pranë ëndrrës sime. Besoja se do të mund të bëja sa kisha mundësi pavarësisht nga pengesat dhe rrethanat. Ishte shumë e vështirë por jo e pamundur. Dhe, unë e dija këtë, pasi e kisha mësuar nëpërmjet rrugës së vështirë.

-Ju jeni një njeri me emër tani në fushën televizive dhe për aftësitë tuaja kanë shkruar gazeta e revista të shumta, si shkuat tek suksesi?

– Pasi mbarova shkollën, punova si vullnetar pa pagesë në Televizionin Publik të Malden-it, eventualisht fillova për të punuar atje si koordinator i prodhimit të programeve të komunitetit. Krahas dhënies së mësimit dhe përgatitjes së anëtarëve, unë prodhoj videopromovimi, gjithashtu prodhoj dhe drejtoj shfaqje të Televizonit të Komunitetit.

“Çfarë është kjo…?”

Është një seri për Televizionin e Komunitetit rreth çështjeve shëndetësore, paaftësisë fizike dhe parandalimit të sëmundjeve, të cilën e krijova një vit më parë dhe e prodhova dhe e drejtova vetë, fitoi çmimin  e parë në kategorinë e programeve të bisedave në Aleancën për Median e Komunitetit, në festivalin rajonal të videos në Verilindje të Amerikës. Kështu që krahas prodhimit të videove dhe filmave, unë kam edhe përvojë prodhimi televiziv. Gjithmonë përpiqem të bëj ç’është më e mira e të jemë ndërmjet më të mirëve. Tani po punoj për të prodhuar një seri tjetër për televizionin e Komunitetit, e cila mendoj se  do të jetë e suksesshme.

-Ç’farë keni tani në mendje për teleshikuesit tuaj?

– Nga fundi i pranverës planifikoj të filloj filmimin e një filmi të shkurtër, të cilin e kam shkruar dhe dërguar tek disa festivale prestigjioze filmi. Përgjithësisht e kaloj ditën duke shkuar në punë, duke kaluar kohën në familje dhe me shokë, duke lexuar, shkruar dhe shikuar filma.

Gjithashtu organizoj pritje duke bashkuar miq e të afërm në përpjekje për të qëndruar pranë njëri tjetrit dhe për t’u adaptuar në një kulturë të re, ndërkohë që të ruajmë traditat e mrekullueshme shqiptare.

-Liri dhe Shqipëria,cilat janë lidhjet e paslargimit?

-Nuk kam qenë në Shqipëri asnjëherë që kur jam larguar në mars 1991. Por, kam mbajtur kontakte me të afërmit dhe miqtë atje dhe në botë. Pavarësisht se jam larguar nga Shqipëria në rrethana të vështira, unë nuk ruaj asnjë ndjenjë lëndimi. E fajësoj atë sistem. Kam nja dy histori shumë të mira të cilat m’i pëlqen t’i kthej në skenarë, eventualisht në filma. Që të dyja janë histori shqiptare, të cilat mendoj t’i shkruaj së shpejti dhe është e kuptueshme t’i filmoj në Shqipëri një ditë në të ardhmen e afërt. E kjo në një farë mënyre do të jetë kontakti im direkt me Shqipërinë nga që do të më duhet të shkoj atje për të filmuar dhe nga ana tjetër do të kërkoj mbështetje financiare në formën e investimit vecanërisht nga komuniteti shqiptaro – amerikan, në atë frymë që të bëjmë Shqipërinë dhe shqiptarët të njohur kudo në botë.

Më së fundi, dëshiroja të thoja se gjatë gjithë jetës sime, pengesat kurrë nuk më kanë ndaluar. përkundrazi ato më bënë më të fortë. Gjithmonë them se pengesat mund të të ngadalësojnë por nuk mund të ndalin kurrë nëse ti ke shpresë, këmbëngulje, dëshirë të zjarrtë për të eur përpara në rrugë të drejtë dhe arritur qëllimet dhe ëndrrat. Për mua, ecja përpara në drejtimin e duhur do të thotë të shikosh edhe prapa. Të kuptosh se kush je, se si mbërrite këtu dhe s e ku dëshiron të shkosh. Gjithë jetën time, veçanërisht pas aksidentit, kam kuptuar se ka shumë gjëra të cilat nuk mund t’i ndryshoj. Por, kam bërë çështë e mundur të punoj fort që të ndryshoj gjërat të cilat mundem…

Liri ka mbaruar Universitetin e Bostonit per Film dhe Televizion. Ilir Qirici u lind në vitin 1962. Ilir aktualisht jeton në Eureka, Missouri. Para kësaj, ai ka jetuar në Eureka, MO në vitin 2011. Para kësaj, ai ka jetuar në Saint Louis, MO 1998-2006.

(Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Ilir Qirici, shqiperia i dha 3 dite jete

MESAZH I EDITORIT

August 23, 2013 by dgreca

BASHKËPUNONI ME GAZETEN DIELLIN!

Bashkëpunoni me Gazetën Dielli, më e vjetra në botim e botës Shqiptare. Le ta shkruajmë së bashku në Faqet e Diellit kronikën jetësore të shqiptarëve të Amerikës. Keni një gëzim familjar, një fejesë, një dasëm, graduim, nje njoftim mortor?- përcillni informacionin dhe fotografitë në emailin e Diellit dhe ne i përcjellim në botën shqiptare. Emaili i Diellit: gazetadielli@gmail.com

Do të bëhesh bashkëpunëtor i Diellit na shkruaj në emailin e mësipërm.

Degët e Vatrës nëpër shtete të ndryshme mund të caktojnë një korrespondent për Diellin dhe ai të përcjellë jo vetëm aktivitetet e degës, por edhe jetën e shqiptarëve në qytetin apo shtetin ku e zhvillon veprimtarinë dega. Keni pranë dikë që ka histori interesante, që ka arritur sukses në Amerikë, një student i shkëlqyer apo një sportist, na shkruani në DIELLI, Gazeta qe ka shkruar për 104 vjetë historinë e shqiptarëve të Amerikës.K

Ne mund të na ndiqni në internet duke marrë lajme të përditshme, histori apo analiza e komente për jetën në SHBA apo në trojet amtare. Websiti i Diellit www.gazetadielli.com

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, mesdazh i editorit

KOMENTI I DIELLIT PËR PËRPLASJEN E KISHËS ME SHTETIN LIGJOR

August 21, 2013 by dgreca

FITOI APO HUMBI KISHA ORTODOKSE NGA PËRPLASJA KONFLIKTUALE ME SHTETIN LIGJOR NË PËRMET?/

*Shteti Shqiptar nuk duhet të tolerojë maskaradën që organizuan priftërinjët me besimtarë të marrë borxh nga qarqet Gjirokastër dhe Berat, e të sjellë me autobuzë në Përmet për të ”pushtuar” Pallatin e Kulturës ose Kishën e paligjshme.

*Po Shteti Grek ç’pati me ortodoksët shqiptarë të Përmetit? Ende vazhdon përralla e vjetër se çdo ortodoks është grek?!

*Qeveria Shqiptare duhet t’i hetojë veprimet e priftërinjëve antishqiptarë, përfshi edhe ish kafsharin e mushkave të fshatit, Agronin të kthyer në Vasil dhe  të konvertuar prift në Greqi, varrmihësin e Kosinës,  apo ish policin-prift,  që kërcënon me listat e adresuara drejt Athinës, si kërcënim për familjarët e emigrantëve përmetarë, të afërmit e të cilëve guxojnë të dalin kundër Kishës së Paligjshme.

*Ndërsa meshat që po udhëheq Thomollari në natyrë të hapur ngjajnë si mitingje të paligjshme dhe u ka ikur koha.

Fitoi apo humbi Kisha Ortodokse Shqiptare nga përplasja me shtetin në Përmet? Opinionet publike, përfshi dhe shumicën ortodokse, pohojnë se më shumë humbi se fitoi. Ç’ne, kisha duhet të përplaset me shtetin ligjor forcërisht, edhe nëse mendon se e drejta është me të? Përse Kisha nuk e vërtetoi pronësinë nëpër shkallët e gjykimit, por tani del para kamerave dhe pretendon se gjyqi është manipuluar? Përse nuk ndoqi rrugët ligjore por rrëmbeu hurin kundër shtetit? Çfarë predikimesh apo edukim fetar mund t’u bësh besimtarëve kur i ndërsen kundër shtetit të vet?

Ç’ne, kisha duhet të përplaset me shtetin ligjor forcërisht, edhe nëse mendon se e drejta është me të? Përse Kisha nuk e vërtetoi pronësinë nëpër shkallët e gjykimit, por tani del para kamerave dhe pretendon se gjyqi është manipuluar? Përse nuk ndoqi rrugët ligjore por rrëmbeu hurin kundër shtetit? Çfarë predikimesh apo edukim fetar mund t’u bësh besimtarëve kur i ndërsen kundër shtetit të vet?

Duket se shteti dhe Kisha Greke, përfshirë dhe priftërinjët shpirtshitur shqiptarë, e vuajtën më shumë se kushdo vapën e  nxehtë të gushtit. Konflikti Kishë-Bashki i kthyer në një përplasje fizike atë ditë të nxehtë gushti, ku më së fundi shteti ligjor shqiptar po tregonte se mund të funksiononte ligji, priftërinjët, duke i dhënë vetes të drejtë për ta kundërshtuar forcërisht shtetin ligjor, dolën jashtë misionit të Kishës, jashtë veshjes priftërore, jashtë misionit të shenjtë.

Natyrisht që është shumë vështirë që të bësh rolin e arbitrit gjakftohtë në distancë në atë ndeshje, ku secili i jep të drejtë vetes, por duke e ndjekur ngjarjen në kulmin e saj të shpërthimit, duke parë pamjet vizive,duke dëgjuar deklaratat e palëve,  kushdo shkon tek mendimi se priftërinjët e shkelën ligjin. Ata i dhanë të drejtë vetes që të kundërshtonin forcërisht shtetin ligjëror, të përfaqësuar në këtë rast nga Përmbarimi dhe Policia Private. Ndërsa ripushtimi i objektit duhet konsideruar kokëshkrepje skandaloze, veprim anarkik që mbjell trubullira dhe çon në ndeshje civile, si në vitin e mbrapshtë  ’97, kur Kisha zaptoi pallatin e Kulturës.    Ndoshta veprimi antiligjor duhet analizuar që në ndërtimin e paligjshëm të Kishës nën Pallatin Kulturës, edhe pse priftërinjët  shqiptarë që i marrin urdhërat nga Athina, e cilësojnë të ligjshëm ndërtimin e paligjshëm, nisur nga fakti se rreth 25 për qind të atij trualli mbi të cilin është ngritur Pallati i Kulturës ”Naim Frashëri”, i ndërtuar  që më 1962, para fushatës antifetare të shtetit Komunist,që i rrafshoi objektet e kultit, kishat, xhamitë dhe teqetë,-  i takoka Kishës! Edhe nëse ishte kështu, si mund të kërkosh një qind përqind të truallit, kur vërteton vetëm 25 përqind, ku e gjete të drejëtn që të rrëmbesh 75 përqindshin tjetër? Sido që të jetë e vërteta, prandaj janë Gjykatat, që të ndajnë të drejtën nga e padrejta, pretendimin nga fakti, të vërtetën nga e pavërteta, të ligjshmen nga e paligjshmja. Si mund të bëjë prifti i Përmetit rolin e Gjykatësit edhe pse e ka humbur çështjen në të gjitha shkallët e gjykimit?

Në të gjithë këtë histori tingëllon absurde qëndrimi i shtetit grek. Ndërhyrja e Ministrisë së Jashtme Greke në këtë konflikt përbën një shkelje flagrante të të gjithë Kartve Ndërkombëtare, që cënon marrdhëniet mes dy shteteve, qofshin këto edhe fqinjë. Si mund të bëhet shteti grek arbitër në një çështje shqiptarësh, qoftë edhe pse njëra palë është Kisha ortodokse, që në këtë rast fatmirsisht është shqiptare dhe jo greke?

Duket se Greqia në kohë krizash i kthehet avazit të vjetër se pas çdo ortodoksi, qoftë ky dhe shqiptar, qëndron një grek dhe shteti Helen tenton të bëjë rolin e tutorit, pa ia ngarkuar kush. Reagimi me vonesë i Ministrisë së Jashtme Shqiptare i la grekët në avantazh duke na hedhur dorashkën  e shantazhit, me kërcënimin deklarativ se ne jemi duke e vëzhguar nga afër  situatën? Kush je ti, që kërkon të vëzhgosh pa të caktuar kush vëzhgues në një shtet tjetër anëtar i NATO-S?

Insinuata kastën e Ministrisë së Jashtme greke në notën e protestës për “mbylljen e ambienteve dhe heqjen me dhunë të simboleve fetare, ikonave dhe sendeve të shenjta nga ky ambient…Ato nuk kanë asnjë bazë ligjore. Respektimi i të drejtës së besimit, liria e besimit, ndërtimi i vendeve të faljes, janë në themel të një shteti dhe qëndrojnë si bazë e integrimit të tij europian… Ne shpresojnë se këto veprime janë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare”. Një deklartë kjo që është larg formulave të diplomacisë ndërkombëtare dhe kryekëput ndërhyrje në punët e  brendshme të një shteti tjetër.

Sikur të mos mjaftonte ky akt, të mërkurën e 21 gushtit, u krijua edhe një situatë e papërgjegjshme e palës Greke në pikën kufitare,(Kakavi) ku u ndal për orë të tëra kalimi i shqiptarëve me pasaporta biometrike drejt Greqisë. Hakmarrje primitive e një shteti në krizë. Të drejtën për të qarkulluar shqiptarët në vendet e rajonit dhe në mbarë Evropën e kanë fituar jo nga dashamirësia e Greqisë,por nga kontributet e veta dhe plotësimi i kushteve të Evropës, realizimi i reformave.

Tërheqja brenda ditës e diplomacisë greke, ndërhyrja e ambasadorit grek në Tiranë, hapja e trarit të doganës, e ka një domethënie: Edhe grekët tërhiqen kur u përplas këmbët. Qëndrimi i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, thirrja në raport e ambasadorit grek në Tiranë, kthimi i kusurit me të  njëjtën monedhë nag autoritetet kufitare shqiptare-nëse ju nuk i lejoni shqiptarët të shkojnë në Greqi, edhe grekët nuk do të hyjnë në Shqipëri! Bukur, ky rast e dha një zgjidhje.

Nga ana e tij shteti shqiptar është koha që t’i tregojë vendin shtetit grek në marrdhëniet me Kishën Ortodokse Shqiptare, e cila është Autoqefale, edhe pse ka në krye një kryepeshkop  Grek, i ngecur në Shqipëri nga fajet ose mosdija e  shqiptarëve.

Po ashtu shteti shqiptar është e mira që t’i ketë në kontroll shtetasit e vet, qofshin këta dhe priftërinj. Vasil Thomollari, ish Agron Thomollari, dikur kafshari i mushkave të furrit të bukës të fshatit, i dorëzuar prift në rrethana misterioze, duhet hetuar. Ishte po ky njeri i veshur prift, që e vërdallosi Shqipërinë, me rivarrimet në Kosinë, duke i zhvarrosur shqiptarët për ushatrë grekë! Është po ky prift, i graduar për “merita” zhvarrimesh dhe kontribute të mistershme, që u ngjit në shkallët e hirarkisë priftërore. Natyrisht që kjo është punë e Kishës, por përleshja e tij me ligjin është e paligjishme dhe qoftë edhe vetëm për këtë fakt, ai duhet që të hetohet nga shteti.

Ato veprime të paligjshme që Thomollari po nxit në Përmet, bien ndesh me ligjin, prandaj shteti ligjor është e mira t’i tregojë vendin, paçka se një telefonatë e tij në Athinë mund t’i trembë shtetarët apo politikanët shqiptarë. Shteti shqiptar është e mira që të tregojë me vepra se Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare është ende  në fuqi! Ndërsa meshat që po udhëheq Thomollari në natyrë të hapur ngjajnë si mitingje të paligjshme dhe u ka ikur koha.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, me shtetin ligjor, perplasja e Kishes se Permetit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT