• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E FAMILJES ÇOKU- DASHURI NE VEND TE URREJTJES!

July 9, 2013 by dgreca

Ne Foto: Deputetë të Partisë Demokratike; nga e djathta Azem Hajdari, Esat Çoku dhe Mirash Ibro/

Historia e familjes Çoku që edhe pse i “dhuroi” socializmit një shekull burg dhe internime, nuk kërkoi hakmarrje, nuk ushqeu urrejtje, por i fali dhe u pajtua edhe me dëshmitarët fatkeq të proceseve të montuara.Dashuri në vend të urrejtjes është mesazhi i familjes Çoku, që në tranzicionin e zgjatur është shpërndarë nga Shqipëria në Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!/

 NGA DALIP GRECA/

 Esat Çoku bashkë me të shoqen Zyhranë dhe të birin Francin, jetojnë në Pelham Park Whay, në Bronx, NY, por muajet e veres, Esati i kalon ne shtepine e tij te bukur, qe ka ndertuar ne fshatin Mucias, prane Kenetes se Karavastase, ne Komunen e Remasit, ne Lushnje. Në historinë e jetës së  përditshme të Esatit dhe Zyhrasë ketu ne New York nuk ka ndonjë gjë  të veçantë për të shënuar:Janë emigrantë, si gjithë të tjerët, punojnë në punë të zakonta, lodhen  e rropaten,dhe jo rrallë mund të ndodh që të shprehin dhe ndonjë llojë “pendese” për mërgimin në moshën e pensionit. Por kur kthejnë kryet nga i biri dhe shohin përkushtimin e tij në mësime, rezultatete shumë të mira integruese në jetën amerikane, ia bëjnë”hallall” vuajtjet e mërgimit. Ky çift që ju prezantova, gjithë ditët e javës lodhen në punët e mundimshme,siç janë të gjitha punët e pakualifikuara, ndërsa në fund javë do t’i gjeshë të gëzuar në shoqërinë që kanë zgjedhur këtu në emigracion, me të cilën shkojnë kohën e lirë fundjavëve, herë duke dalë një shëtitje, herë një bisedë në klubet e shqiptarëve, herë në aktivitetet e shumta që zhvillohen në Nju Jork, dhe jo rrallë duke bërë vizita tek njeri-tjetri.Në shoqërinë e  tyre ka njerëz të zakontë, ka ish diplomatë, ish oficerë, inxhinierë, gazetarë, doemos që ka edhe ish të përndjekur të sistemit komunist, me të cilët i bashkon vuajtja dhe rezistenca antikomuniste. Të përndjekurit janë bashkëvuajtsit e Esatit, por ai nuk i paragjykon njerëzit, është krejtësisht  tolerant, i paparagjykueshëm në ato ç’ka ka hequr ai dhe familja e tij. Vuajtjet e veta dhe të familjes nuk ia faturon çdo llojë njeriu, ato qenë pjellë e sistemit komunist.Ish deputeti i Partisë Demokratike ka marrë rrugën e mërgimit këtu e pesë vjet të shkuara, ndërkohë që vëllai tjetër i tij, Caush Çoku, rrugëve të mërgimit nisi t’i shkelë menjëherë pas burgut, që në vitin 1991. Edhe pse qe shpallë armik dhe qe arrestuar në emër të popullit si armik i popullit,(Kush e pyeti popullin?!) Esati orë e çast mendon me mall për Shqipërinë dhe thotë se vështirë do ta ketë nëse nuk kthehet një ditë atje, ku ka lënë gjithçka; edhe gëzimet, edhe vuajtjet, edhe  prangat, edhe varret e të dashurve; edhe tokën; edhe vreshtin, edhe shtëpinë në Muçias, edhe apartamentin në kryeqytet.Edhe “armiqtë” e dashkan Atdheun!

Shprehje e tolerancës është edhe akti  i pajtimit të familjes Çoku me 26 dëshmitarët e rremë, që dolën kundër tyre në proceset gjyqsore, kur u dënua Azemi, dhe djemtë, Bedriut, Caushit e Esatit.

Nuk arritëm të  pajtohemi vetëm me gjashtë prej dëshmitarëve, të cilët patën vdekur para se ne të liroheshim prej burgjeve, thotë Esati.Për ne ata ishin fatkeqë të një sistemi antinjerëzor, falja dhe mëshira ishin më e shumta që mund të bënim për ata.

Toleranca dhe dashuria njerëzore e çoi Esat Çokun deputet në  Parlamentin Shqiptar(1992-96).Është rasti më i vecantë në Shqipëri, kur ish i përndjekuri i ishet në nëj sallë me ish hetuesine  vet.Esati dhe hetuesi i tij, Bashkim Caka, ishin njëkohësisht deputetë, njëri për PD dhe tjetri për PS! Kur ishte në krye të Shoqatës të Ish Përndjekurve Politikë të Lushnjës(1991-95) apo pjestarë i kryesisë të Shoqatës Kombëtare të Ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë (1991-95) Esati nuk kultivoi as urrejtje as hakmarrje, vetëm kërkoi integrimin e bashkëvuajtësve. Kështu edhe vëllezërit, Bedriu dhe Caushi, të cilët edhe pse nuk u morën me politike, u treguan qytetarë të denjë. Trazicioni 15 vjeçar i Shqipërisë e ka shpërndarë familjen Çoku,njëri vëlla, Bedriu ka mbetur në Shqipëri, pas 15 vjetësh ka vendosur të trokasë në politikë duke pranuar që të jetë kandidat për deputet i Lëvizjes Për Zhvillim Kombëtar, ndërsa Caushi vazhdon të jetë në Romë, si gazetar i Komunitetit Europian. Esati jeton në Nju Jork.edhe nëj fakt tjetër për tolerancën:Në kohën e krizës të pushtetit demokratik, Bedriu ishte nëndrejtor i përgjithshëm u burgjeve të Shqipërisë.Fatos Nano atëherë ishte në burg. Bedriu merr urdhër që të mos ndodhte asnjë e keqe me jetën e kryetarit ët opozitës.Shkon vetë me helikopter dhe e shpëton Nanon nag rreziqet që i kanoseshin. Kur socialistët vijnë në pushtet me Nanon kryeministër, vetë i pari kërkon që t’i bëjë një vizitë në shtëpi për ta falenderuar se i kishte shpëtuar jetën. Bedriu ia çeli derën e apartamentit dhe e priti. Një javë më pas ish nëndrejtori i përgjithshëm i burgjeve, jetëshpëtuesi i Nanos, edhe pse kishte përfunduar studimet për jurist, edhe pse zotëronte tri gjuhë të huaja, u gjend i papunë…Shpërblim i bukur!

 ESMAJA, NENA E BURGJEVE

 Në fillimet e emigrimit, Esati  kaloi një provë të vështirë. Nuk e kisha parë asnjëherë në atë gjendje të rënduar psikologjike, tmerrsisht dëshpëruese. Në  shtëpi ishte vetëm me nipin, familja qe ende në Shqipëri. Kishte marrë lajmin e  hidhur të vdekjes të nënë Esmasë.Qenka e thënë që të mos i hedh një dorë dhe’ nënës, ashtu siç nuk i hodha babait, qante dhe psherëtinte ato ditë Esati.

 Kur  u vdiq babai,  me 12 dhjetor 1982, tre vëllezërit qenë në burg dhe nuk mundën të ishin në varrimin e atit të dashur, ndërsa tani që  vdiste nëna, Esati ishte këtu, aq larg, dete e oqean kaptuar. Statusi nuk e lejonte që të udhëtonte….

Nënë Esmaja kishte ikur nga kjo botë, ndërsa ai kishte vënë fotografinë e saj në një kënd dhe vajtonte e priste njerëz që vinin t’i mjekonin plagën e dhimbjes…

Dukej se gjoksi nuk ia mbante dhimbjen. Miqtë dhe të njohurit nuk reshtnin ,por plaga e shpirtit s’mbyllej kollaj….Ai i binte telefonit herëpashere dhe merrte informacion rreth varrimit.Fliste me vëllezërit, por  fjala lagej nga lotët dhe telefoni bëhej memec…E shoqëroi kortezhin së largu deri sa përfundoi varrimi.

– Së paku t’i kisha hedhur një dorë dhe’- përsëriste herë pas here Esati, që kapte tëmthat dhe i shtërngonte fort dhe fshinte sytë që rridhnin lotët e dhimbjes.Ishte fillikat. E mbyti dëshpërimin me lot dhe psherëtima….

….Kishte vdekur Esma Çoku, një nënë e vuajtur, një ndër nënat e rralla që e kishte përballuar të keqen me stoicizmin e saj të rrallë. Shumë fatkeqësi patën rënë mbi të gjatë 50 vjetëve. Fillimisht i kishin prangosur burrin, Azemin, pasi i sekuestruan pasurinë e damkosën”kulak”. Ajo nuk e la të shoqin të vdiste i vetmuar në qeli, së paku nuk e la të uritur, por torbën në shpinë dhe i shpinte ushqime.Fatkeqja, guximshëm përpiqej që të rriste djemtë, që t’i bëheshin të mbarë. Ajo nuk ishte thyer; as atëhëhere kur familjen e deklasuar Çoku e internuan nga qyteti i Fierit në Tokën e Vdekur të Myzeqesë, as kur i arrestuan djalin e vogël, Caushin, as kur i prangosën të dytin, Bedriun,(të dy ushtarë pa pushkë, në xhenjo) as kur e lanë të vetmuar, kur i morën Esatin.Do të mbetej vetëm me Zyhranë, bashkshorten e Esatit, e cila iu kthye si shoqe dhe motër në ditët e vështira. Bashkë e merrnin rrugën për t’u takuar me të tre djemtë që njëkohësisht vuanin burgjeve të Spaçit, Burrelit, Qafë-Barit….Udhëtonin dy-tre ditë për të shkuar tek djemtë-armiq të pushtetit… Rrugë pa rrugë, qëllonte që të flinin edhe jashtë, kur nuk ua hapnin dyert nga frika se ishte nëna e djemëve të dënuar politikë, ndërsa e reja, nusja e armikut. …Ja kështu me atë torbën në krah e mira nënë baritej maleve të Shqipërisë për të mbajtur gjallë shpirtrat e djemëve që vuanin absurdin.Ajo vërtetë nuk ishte e burogosur, por shpirti i saj qe njëqind herë më i prangosur se sa duart e të shoqit dhe bijëve të saj të ënjtura nga prangat.Ata u planifikuan nga ai sistem si kundërshtarë të vijës së parë dhe qenë ndër të fundit që lanë qelitë e ferrit.Bedriu ishte ndër të burgosurit e fundit që la qelitë pas vizitës të Peres De Kuelarit në Shqipërinë Komuniste.

Vëllai i dytë i Esatit,Bedriu, duke e përshkruar nënë e tij në librin që ka në dorëshkrim, shkruan:Kanë kaluar gjithë ato vite pritjeje që i kanë dhuruar asaj shumë ankth, dhimbje dhe tmerre, tani nuk i besohet se është e lirë dhe djemtë i ka të lirë…

…. Është viti 1991. Bedriu, një ndër të dënuarit politik, që u lirua i fundit nga burgjet shqiptare, me ndihmën e shoqërisë së vjetër që kishte në Fier, arrin të marrë një shtëpi në qytetin e tij të fëmijërisë dhe ëndrrave; pikërisht po në atë vend që ata patën barakën e tyre para se t’i internonin në Tokën e Vdekur. Nënë Esmaja që qe mësuar me jetën e fshatit, sikur e kishte të vështirë të rimësohej me jetën e  qytetit nga e kishin shpërngulur natën në terr.Por nga ana tjetër i dukej vetja si në ëndërr kur e shihte veten në atë shtëpi të re së bashku me të birin, i cili shkonte si zotni në shkollë, i veshur për bukuri me kostum e kollare, ku jepte gjuhët e huaja, që i kishet mësuar atje në Universitetin- burg!

– Mos jam në ëndërr,-  pyeste veten e zonja e shtëpisë dhe dëshironte që të jetonte sa më gjatë për ta gëzuar lirinë…!

 “Tre vëllezër në një prangë” , një familje 74 vjet burgim

 Rrallë mund të gjesh familje si kjo që të ketë kaluar tërë jetën në burgjet komuniste.Të marra së bashku vitet e burg-internimeve bëhen shumë dhe rëndojnë në kujtesën e kombit si për mijëra familje të tjera, që iu mohua jeta e lirë, thjesht pse qenë rreshtuar në anën e kundërt të barrikadës komuniste.Le të ndjekim statistikën:

– Azem Çoku-babai- 11 vjet burg

– Caush Çoku-djali i vogël-  22 Vjet burg

– Bedri Çoku – djali i dytë, 23 vjet burg

– Esat Çoku, djali i madh, 8 vjet burg dhe internim…

– Esma Çoku-E internuar me dekada… bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur;  64 vjet dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe bijëve…

Vëllai tjetër, nipër e mbesa-lindur e rritur nëpër baltën e fushave të Myzeqesë së përvuajtur, të internuar…

Po të bashkosh vitet e e burgut dhe ato të internimit për familjen Çoku, të del më shumë se një shekull dënime. Statistikat e mësipërme ndoshta nuk kanë nevojë për koment, por historia duhet kujtuar me qëllimin e mirë që të mos harrohet. Poeti,publicisti dhe shkrimtari Visar Zhiti,për të cilin poezia qe prostituta që e futi në burg dhe njëkohësisht Shën Mëria, që ia ruajti shpirtin në vuajtjet e ferrit komunist;tek ka paraqitur dy vëllezërit Çoku në parathënien e  librit të tyre”Caush Coku& Bedri Çoku; dy vëllezër në një prangë” shkruan kështu në përcjelljen parathënse:”Si personazhet e një drame duken dhe ashtu janë,të një drame tepër të rëndë, të gjallë, që s’u luajt dot në skena, po në jetë; aktet e së cilës u zhvilluan në Purgatorin e mërzitshëm të socializmit dhe brenda në ferrin e diktaturës së tij.

Janë anëtarët e një familje të ndershme, punëtore të shtypur, të dënuar dhe anash emrit vitet e burgut, ku shpesh numri i tyre është më i lartë se gjysma e jetës të secili. Së bashku bënë gati një shekull burg e internim deri në rënien e komunizmit.

Familja Çoku ishte në konflikt me sistemin e  ri komunist.Konflikti vinte që nga vitet e Luftës, kur Azem Çoku,i ati i djemëve që do të gjendej i rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar në luftë për të çliruar Atdheun nga fashizmi dhe nazizmi, do të ndëshkohej pas çlirimit vetëm pse nuk qe i rreshtuar në radhët e partizanëve. Madje një herë do ta shpëtonte nga skuadra e pushkatimit i ati i Ylli i Bufit, që asokohe ishte udhëheqës me partizanët lokalë, ngaqë vetë ai ia kishte borxh jetën Azemit.Pushkatimi i shokëve në sytë e tij e bënë Azem Çokun më të vendosur  në idealin e tij nacionalist, por kjo do t’i kushtonte jo pak por 11 vjet burg dhe një jetë të privuar nga liria; i braktisur nga miqtë; iu sekuestrua  pasuria dhe do të tregohej me gisht”ja kulaku”.Kjo ishte vula që do ta shoqëronte gjatë të gjithë jetës atë dhe familjen. Pas burgimit të tij, familjen e hoqën nga qyteti dhe e internuan në Tokën e Vdekur, sinonim i vetë vdekjes.Internimi i familjes ua vrau ëndrrat djemëve….

 BEDRIU, ISH KAMPIONI I GJIMNASTIKES, QENDRESTAR  I REVOLTES SE SPAÇIT

 Bedri Çoku, vëllai i dytë, nuk e kishte menduar se një ditë jeta e tij do të merrte  atë krisje të pa riparueshme. Ai ishte ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit në Fier. Ishte ndër djemtë “e përkëdhelur” në kuptimin e personalitetit; ishte kampion i gjimnastikës,shquhej për talentin si instrumentist, i vetmi fizarmonicist i gjimnazit, një ndër volejbollistët e spikatur të ekipit të të rinjëve të “Apollonisë”, një letrar me talent. Nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë do t’i hidhte prapa krahëve të gjitha këto dhe do të përfundonte në një fshat të humbur moçalor, ku dhe emri të ngjallte datën…Toka e Vdekur, do të ishte vendi pritës, pas dëbimit.Ku do të jetonin? Sarajet që kishte pasur dikur babai i tyre, ishin sekuestruar për nevoja publike;  ata duhej të ndërtonin vetë një shtëpi me drurë e baltë, drurët e marra në pyll dhe balta aty, e vetmja që nuk mungonte në Myzeqe!. Atje filloi të tërhiqej zvarrë jeta e gjimnazistit, sportistit të talentuar. Kur gati po mësohej me atë jetë vuajtjesh, në fshatin e  tij vjen për një aktivitet gjimnazi kur dikur ai kishte studiuar. Deshën t’i bënin një surpirizë shokët dhe shoqet e gjimnazit. Por shokët e Partisë dhe Rinisë në fshat i kishin marrë masat; ata shpërndanë helmin ideologjik para se të nsite aktiviteti dhe për Bedriun thanë një mijë të zeza. Gjimnazistët iu hodhën në mbrojtje ish shokut të tyre. Por e paguan shtrenjtë,  edhe ata i gjeti gjëma më vonë. Ata që e mbrojtën u përjashtuan nga aksioni dhe nga gjimnazi se kishin mbrojtur armikun! Kjo qe një ngjarje e hidhur që do ta trondiste më shumë shpirtin rebel të Bedriut dhe ishte prologu i asaj që vinte më pas.Ai ishte një i dënuar, që bir kulaku, që pritej vetëm arrestimi. Por dhe ky nuk do të vononte; ashtu si edhe vëllanë e tij të vogël Caushin, i kishin ngritur ushatrë. I kishin çuar në xhenjo, atje ku atdheu mbrohej me pushkë druri, me kazëm e lopatë. Edhe atje ai përpiqej që të mos u jepte shkas për ta rrasur në qeli.Por ata e kishin planifikuar dhe arrestuesit e tij qenë burra që e mbajnë veten për heronjë të kombit; një ndër ta ishte vetë Mark Dodani. Bedriu thotë se arrestimi i tij ishte i denjë për skenar filmi, si në ato të Xhejms Bondit. E trasferuan në  Korpusin e Gërhotit, pasi më parë kishin hapur fjalë se do ta merrnin në qendër të korpusit sepse si fizarmoniscist i talentuar i duhej qendrës dhe se do të aktivizohej me ekipin e gjimnastëve të Gjirokastrës.Mirëpo skenari qe shkruar; vëllai më i vogël qe arrestuar, ishte radhe e Bedriut.  Me 9 dhjetor 1968, Mark Dodani përfaqësuesi i ministrisë së Brendshme dhe Agron Çoba, përfaqësuesi i Sigurimit të Ushtrisë e morën në makinë, gjoja se po trasferohej, siç qenë hapur fjalët e fundit, dhe rrugës, i vunë prangat: Në emër të popullit je i arrestuar!

Procesi i montuar i gjyqit ku u gjykua ai dhe i vëllai, Caushi, përbën një akt sa tragjik në jetën e dy të rinjëve, aq dhe komik për nga besueshmëria.Esati, që u thirr në sallën e gjyqit, u zbrazh para trupit gjykues, duke tëhnë se vëllezërit e tij ishin”viktima” të luftës së klasave. U shpallën armiq dhe tradhëtar, pa kryer asnjë tradhëti ndaj Atdheut dhe popullit. Në librin e tij Bedriu tregon se në ditëgjyqin e tyre ishin edhe sportistët e  Apollonisë, të cilët kishin asistuar në gjyq pas një ndeshje në Gjirokastër. Ata kishin duartrokitur kur vëllezërit kishin mbrojtur veten nga akuzat shpifëse.

 CAUSHI, IKJA MATAN’ DETIT…

 Me Caush Çokun, më të voglin e djemëve të  Azem Çokut, jam njohur në mesin e  viteve ’90 edhe pse me të kisha bashkëpunuar shumë si tek gazeta lokale “Ora e Fjalës” edhe tek “Republika”, ku ai kishte kontribuar jo vetëm me shkrimet e veta, por edhe me poezitë e ndjera të shkruara në rininë e tij, edhe në kohëburgimin e vet absurd.

Caushi, ashtu si dhe vëllai i tij Bedriu,  u burgos pa bër asnjë faj, asnjë krim; u burgos thjesht se ishte planifikuar që të  burgosej. Gjyqi që iu bë ishte një farsë e inskenuar, ku regjisorë ishin operativët, hetuesit, gjykatësit dhe prokurori. Formula funksiononte mekanikisht. Një ditë prej ditësh në vend që të gjendej në repart mes shokëve ushtarë të xhenjos, ai u  ndodh në qelinë e ftohtë të burgut, pa kryer asnjë faj, asnjë krim, nuk pat shkelë asnjë ligj, asnjë rregullore ushtarake.Por ç’rëndësi kishte, ai duhej që të dënohej.Ndërsa në  ditën e gjyqit, asgjë e veçantë për t’u shënuar:Akt-akuza fallso, dëshmitarë vallso, gjyqtari, ndihmës gjyqtarët kënduan në të njëjtin kor me prokurorin…dhe kaq… Pas 6 vjet burg të ashpër, me 21 maj 1973 dy vëllezërit, Bedriu dhe Caushi marrin pjesë në revoltën e Spaçit, madje nuk ishin thjeshtë pjesmarrës, por organizatorë. Bedriu dhe Caushi frymëzues dhe flamurmbajtës.Revolta qe e përmasave tronditëse për shtetin komunist; ishte krejt e veçantë në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes.Një revoltë e shtypur egërsisht nga diktatura do të kishte padyshim edhe viktimat e veta. Ndër viktimat ishin dhe vëllezërit Coku, të cilët u izoluan nëpër qeli dhe u hetuan egërsisht për rolin që patën në aktin kundërshtues ndaj shtetit. Secilit i bënin presion; Bedriut i thoshin se vëllain tjetër, Caushin e kishin egzekutuar, ndërkohë që edhe Caushit i thoshin se do të egzekutojmë njësoj si vëllain tjetër, Bedriun. Por askush prej vëllezërve nuk hyri në lojën kurth. Të dy morën dënime 25 vjet burg. Pas gjyqit special i heqin nga Spaçi dhe i çojnë në burgun-tmerr, atë të Burrelit; ku thuhej hapur:Në Burrel hyn, por s’del!Atje ishin kundërshtarët më të rrezikshëm të qeverisë komuniste. Burgu i Burrelit kishte një kapacitet prej 180 vetash, pra më kundërshtarët e sistemit.Edhe pse ishin në të njëjtin burg, dy vëllezërit ndaloheshin të takoheshin me njëri-tjetrin. Takoheshin një herë në 6 muaj, apo një herë në vit, vetëm me lejen e komandës, dhe nën vëzhgimin e  rreptë të gardianëve.

Pasi doli nga burgu Caushi nuk notoi në ujrat e politikës shqiptare; e përfshiu vala e mërgimit dhe i hipi në anijen “Panamaja” dhe mbërriti në brigjet e përtej detit në ditët e marsit 1991. Ishte fat për emigrantët shqiptarë që qenë të shoqëruar me të  nga që Caushi ishte një përkthyes i mirë për ta.Shpejt u bë i njohur në shtypin italian. Shkrimet e tij filluan që të botohen në gazetata”Corriere Della Sera”,”Il Mattino”. Shpejt fitoi statusin e gazetarit Europian”C.E.A”, ndoshta ndër të paktit shqiptarë që e gëzojnë këtë status.Ka shkruar edhe për gazetata qendrore e lokale shqiptare.Prej vitesh mban lidhje me njerëz të shquar të gazetarisë dhe artit.Caushi ka dhënë një kontribut të veçantë në ndihmën e pakursyer ndaj refugjatëve shqiptarë në Itali.

Dy vëllezërit që shkruanin poezi dhe tregime në burg

 Dy vëllezërit e shfrytëzuan burgun, kryesisht për të mësuar gjuhë të huaja. Duke shfrytëzuar të burgosurit politik që ishin shkolluar nëpër Europë, ata arritën të mësonin anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.Kjo do t’i shërbente Bedriut pas burgut që të hapte kurse private të gjuhëve të huaja, më pas si mësues i anglishtes në shkollën e mesme në Fier; ndërsa Caushi do të bëhej përkthyes i emigrantëve shqiptar në Itali e do të shkruante për Shqipërinë në gazetat më të mëdha të Italisë.

Në kohëburgimin e tyre dy vëllezërit nuk do të ndaheshin nga pasioni i rinisë, krijimtaria letrare, e cila qe bërë pjesë e akt-akuzës kur u kishin rrëmbyer lirinë.Caushi pat shkruar shumë poezi, si:Poemën”Iliriada”, tri cikle- Iliria, Arbëria dhe Shqipëria; ciklin”Motit të Madh””Skënderbeu me 25 këngë, me 495 vargje etj.

Poeti Visar Zhiti, në shënimet e  tij në vend të parathënies, që shoqëron librin”Dy vëllezër në një prangë”, shkruan”Caushi në qelinë e tij sajonte vjersha, mohonte burgun, i këndonte me zë të heshtur nënës, lirisë, dashurisë së humbur, vendlindjes, dinjitetit dhe hynte thellë, thellë(si i burgosuri që zbret nëpër aktet e lagura të minierës) tek rrënjët e kombit, sajonte Iliriadën e tij dhe përsëriste betejën me sllavët e ardhur nga Kaukazi, andej ku u prangua prometeu.

Vargu i Caushit herë është i lidhur si cigaret e e burgut, të dredhura me letër nga veprat e Enver Hoxhës, herë i ashpër si sytë e lidhur para pushkatimit, i ëmbël si hëna që vjen frëngjive, cicëritës si”Dallëndyshja e Burrelit” që të burgosurit e ushqenin me thërrimet e zemrës së tyre, herë i hutuar si muzgjet atje, rebel, ulëritës dhe i përtharë si plagët.

Ndërsa për krijimtarinë e Bediut, Visari do të meditojë: Kurse Bedriu në qelinë e tij do të mbaronte një nga romanet”Njeriu që kapërcen vetveten” e vazhdimisht do të shkruante tregime.Natyrisht që ishte e vështirë dhe një aventurë e tmerrshme të shkruaje hapur kundër diktaturës e diktatorit.Honorari do të ishin brilantet e gjakut tënd, pushkatimi yt.Dhe të burgosurit shkrimtarë i mërgonin ngjarjet në tjetër vend apo në  tjetër epokë. Kështu është dhe tregimi “Sitamarrtaha”, një  alegori ndaj dhunës, ndaj gënjimit dhe zhgënjimit me kumbim rrënqethës aktual.

Bedriun e inetersojnë plagët sociale, prapambetja mentale e shoqërisë socialiste, aktet ordinere(tregimi”Zemërimi” apo”Krimineli”. Personazhet e  tregimeve të tij duan të vdesin, kanë depresione, i trondit mungesa e dashurisë apo humbja e saj dhe dinë të qajnë burrërisht.

Bedri Çoku fluturon me fantazi dhe përtej telave me gjemba të kufirit shtetëror dhe del në Kosovën e tradhëtuar duke shkruar tregimin e habitshëm”Liri”; jep ambjente e pejsazhe e idera fisnike…

Tani Bedriu ka në dorë romanin autobiografik me titull të përkohshëm”Ne dhe ata-Blloku dhe antiblloku”; ku gjithçka shihet qetë, pa urrejtje në jetën e përmbysur të kësaj familje fisnike.Duke qenë vetë personazh, nga të fundit e liruar në vitin 1991 prej burgjeve komuniste; ai hedh sytë pas dhe shfleton jetën e trazuar të vetën, të familjes dhe të gjithë shqiptarëve.

Esati, deputet së bashku me ish hetuesin e tij

 Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar si sekretar të komitetit Ekzekutiv Pluaralist,edhe pse deri atherë nuk isha anëtar i asnjë partie poltike. Partia Demokratike e  Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, ndërkohë, ai qe dhe kryetar i Shoqatës së të përndjekurve Politik të Lushnjës, dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare.

Nuk isha takuar ende me Esatin, kur në zyrat e kryeministrisë në kryeqytet, kisha shkuar me  nënkryetarin demokrat, më bëri përshtypje një burrë i gjatë, zeshkan, i cili kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti:- Paskit Esatin ju të PD-së?

– E njihni?- e pyeti nënkryetari demokrat.

– Kam qenë hetuesi i tij…Por nuk i kam hyrë në hak. Ia thashë se ne për ç’ka e akuzonim i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë, kishim incizime,pastaj(ish hetuesi pushoi pakëz) …ai ishte planifikuar prej kohësh sepse i kishte dy vëllezër në burg, ndërkohë dhe i ati i kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte varrosur si kulak dhe armik….Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit Bashkim Caka,që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e  juristit të kryeministrit Ylli Bufi.

 Më vonë Esati do të  ishte në të njëjtin Parlament me ish hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i PS-së.Një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare!

Kur u kthyem në Lushnjë ia thamë Esatit ndodhinë me ish hetuesin Caka. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vone, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të dhe ish hetuesi i vet, deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por  nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit para se të bëheshin deputetë në një kuvend me viktimat e tyre duhej të kërkonin falje…Më pas do të botonte një shkrim kuarjoz në gazetën lokale “Ora e Fjalës” të cilën unë e drejtoja ato kohe, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë kur  ish hetuesit tanë, pa na kërkuar falje vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje në emër të popullit, natyrisht pa e pyetur popullin.

Ish hetuesi i tij, kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende.

Me Esatin,qeverisëm në një kohë të vështirë, kohën kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në tokë e djegur:U dogjën furrat që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serrat model të  Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegja e ullinjëve, u shkulën vreshta, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave. Në këto kushte Komiteti Pluralist(ku Esati ishte anetar i tij, perfaqesues i PD dhe une sekretar, perfaqesues i PR) përpiqej që të harronte përkatësitë partiake dhe t’i dilte për zot qeverisjes vendore. E ndjenim se policia e vjetër që kishim për të ruajtur rendin në të shumtën e rasteve ishte bashkëpunuese me ata që shktërronin. Në këto kushte morëm rrugën për në Tiranë; fillimisht trokitëm tek kryeminsitri, por ai s’kishte kohë që t’na priste;iu afruam presidncës që ende kishte ën krye Ramiz Alinë, por para nesh atje kishte shkuar kryeprokurori dhe kryegjykatsja socialiste; kështu që nuk kishte vend për ne;përfundimisht na priti i Rendit Vladimir Hysi. Ankesat tona ishin për Rendin, kërkuam ndëshkimin e shefit te policisë.

U la që ballafaqimi të bëhej në Lushnje. Esati qe ndër ata që ia numëroi të gjitha haptazi shefit të rendit, duke kërkuar largimin e  tij. Më bënte përshtypje kurajo e Esatit; ai ia thoshte copë mendimin e tij kujtëdo, pavarësisht se e vërteta ishte e hidhur.

Një ndër bashkëpunimet me Esatin ishte ceremonia madhështore e rivarrimit të 69 viktimave të komunizmit, të pushktuar nga Mehmet Shehu në fshatin Matjan. 69 burra, ndër  ta dhe fëmijë, ishin pushkatuar nga Mehmet Shehu në vitet e luftës;motive i vrasjes ishte pjesmarrja e tyre me Ballin dhe deklarata e njërit prej fshatarëve, Kurt Xhepa prej Cerme, që i kishte deklaruar të tmerrshmit Mehmet Shehu: Unë derr bëhem dhe komunist nuk bëhem!Komandanti i tmerrshëm qe bërë bishë dhe i kishte çuar të gjithë plumb….

Rivarrimi i viktimave të terrorit komunist ishte një ndër prioritete  e pushtetit të ri demokratik që sapo ngrihej në këmbë. Ceremonia që u organizua në qytetin e Lushnjës pati për realizues Esatin; së bashku shkuam në fshatin ku ishin pushkatuar viktimat e pafajshme dhe me ndihmën e fshatarëve siguruam eshtrate  tyre, ndërkohë që Sigurimi i vjetër i shtetit u përpoq që të pengonte me çdo kusht ceremoninë. Veteranët, u përpoqën që të ngrinin kundër opinionin qytetar për faktin se Komiteti ynë Pluralist mori një vendim të guximshëm; arkivolet të varroseshin në Varrezat e dëshmorëve të qytetit, përbri parcelës ku ishin varrosur dëshmorët partizan. Komiteti i veteranëve filloi të lëvizte, ankesa në Tiranë dhe në Komitetin tonë Pluralist. Esati, që kryesonte komisionin e rivarrimit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurëve politikë, mbrojti me logjikë mendimin unanim të Komitetit Pluralist:Ju këkroni pajtim kombëtar, pa na kërkuar falje për viktimat që keni çuar në varre pa gjyq,pa kërkuar falje për 64 vjet burg të familjes time + dhjetëra vjet internime, pa kryer asnjë lloj krimi; dhe tani nuk pranoni që pajtimi të fillojë nga të vdekurit e pfajshëm? Debati u mbyll me fitoren e  Esatit dhe e gjithë Lushnja doli dhe përcolli në varreza dëshmorët nacionalist. Mijëra qytetarë morën pjesë dhe asnjë  nga parashikimet kërcënuese të veteranëve nuk ndodhi.

Më pas Esat Coku kreu detyrën e sekretarit të Komitetit Pluralist,edhe pse nuk kishte asnjë mundësi zgjidhje për hallete  qytetarëve, ai u përpoq që të mirëkuptohej me qytetarët, pavarësisht se të kujt pale ishin ata, të majtë apo të djathtë; ndërsa në takimet e partisë së vet ishte i papajtueshëm për devijimet majtas.

Edhe detyra që kreu në Komisariatin e Policisë ia rriti kredibilitetin ish të përndjekurit politik Esat Coku, ndërkohë që si ish kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve, ai u përpoq që të integrojë të vuajturit në shoqëri, ndërsa fëmijët e tyre t’i nisë drejt Universiteteve. Koha kur përfaqësoi Partinë demokratike në Parlament, 1992-1996, ishte një kohë prove për të, provë që e kaloi sukseshëm, ndërsa në kohë revolucionin përmbysës të pushtetit demokratik ai u përpoq sa mundi që të ndalte hovin e shkatërrimtarëve.( Historia eshte pjese e librit ne proces”Histori Shqiptare ne Amerike, botuar se pari ne gazeten Illyria ne New York, Standard, Gazeta 55)

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, historia e familjes Coku

FEDERATA VATRA DHE DR. SALI BERISHA, PARA DHE PAS DORËHEQJES

July 4, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Pjesa më e madhe e vatranëve e kanë adhurur dhe vazhdojnë ta adhurojnë dr. Sali Berishën, ndërsa Vatra si institucion, i ka dhënë atij dhe Partisë Demokratike përherë përkrahje maksimale, duke besuar fort  se ai ishte udhëheqësi reformator i Shqipërisë Demokratike.     Që në vizitën e parë të tij në SHBA, Vatra i dha besim dr. Berishës dhe e mbështeti atë gjatë të gjithë kohës,ndërsa  dorëheqja e tij i ka shtangur vatranët ashtu si të gjithë ata që e kanë adhuruar liderin demokrat, ndërkohë që akti i dorëheqjes në vetëvete, sërish e ka lartësuar staturën e tij prej demokrati.Vatra  dhe vatranët kanë parë tek dr. Berisha performancën e një udhëheqësi  demokrat reformator, të vendosur, energjik, atdhetar, dhe kanë shpresuar shumë në rolin e tij si inspirues të  zhvillimeve demokratike. Bash për këtë besim dhe përkrahje të pakufishme, Vatra është “mallkuar” nga e majta dhe media e saj, është sulmuar nga gazetarë të opozitës, është sharë dhe fyer, është thashethemuar, por vatranët ishin të ndërgjegjshëm në përkrahjen ndaj Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj dhe nuk ndjeheshin të ofenduar as nga togfjalshi tashmë i konsumuar”pleqtë e Vatrës”! Ky togfjalësh vazhdon të përdoret edhe pse këto tre vitet e fundit në Vatër 80 përqind e të anëtarësuarëve janë mosha të reja dhe mesatare, por kritizerëve nuk u duhet realiteti, ata kanë mendjen dhe fantazinë e tyre dhe vazhdojnë të urrejnë pleqtë. A do të plaken vetë një ditë edhe ata!     Grupi i parë i vatranëve, që patën shkuar në Shqipëri që në zgjedhjet e para pluraliste kudo ku shkuan nëpër Shqipëri potencuan Partinë Demokratike, ashtu siç bëri edhe i pari ambasador amerikan në Shqipëri pas rivendosjes së marrdhënieve diplomatike me Amerikën. Në fakt në atë vizitë të parë, vatranët nuk u identifikuan me federatën, por u paraqitën si shqiptaro-amerikanë. Ata bënë thirrje që të përkraheshin forcat e reja demokratike dhe jo trashëgimtarët direkt të Partisë së Punës, që jo vetëm trashëguan iventarin dhe pasuritë e PPSH-së, por që edhe nuk pranuan të ndryshonin, qoftë edhe numrin e botimit të gazetës së tyre Zëri i Popullit, që ruante në progresion numrin e botimit, që nga 25 gushti i vitit 1942, numër që kishte dalë nën drejtimin e Enver Hoxhës.      Në vizitën e tij të parë në Amerikë si president i Republikës në vitin 1993, dr. Sali Berisha u prit nga vatranët dhe shqiptarët e Amerikës si hero. Pas kësaj, në çdo vizitë të tij, ai nuk harronte që të takonte vatranët. Darkat e punës me Vatrën u kthyen në traditë, aq sa kritizerët filluan ta sulmonin Vatrën për këto dreka, edhe pse kjo ishte në traditën shekullore të Vatrës dhe në bujarinë tradicionale shqiptare. Kështu i kishte pritur Vatra të gjithë personalitetet që vinin nga Atdheu i largët, përjashto udhëheqësit dhe diplomatët komunistë. Kështu kishte pritur  Vatra, At Gjergj Fishtën, kështu kishte pritë Mithat Frashërin, dhe të tjerë burra të nderuar të Kombit.       Përse Vatra nuk u ka ofruar mikpritje komunistëve? Së pari Vatra është antikomuniste. Së dyti, sepse vatranët që dhanë gjithçka për Kombin, u ndëshkuan nga komunistët sikur të ishin armiq. Kështu u pushkatua ish kryetari i Vatrës Kolë Tromara, kështu u pushkatua ish editori i Diellit, Bahri Omari, u çua në plumb ai që stërviti vullnetarët e Vatrës dhe i udhëhoqi në Luftën e Vlorës dhe në mbrojtjen e kufijëve jugorë më Greqinë okupuese, Aqif  Përmeti, kështu u dënua pa varr bashkëthemeluesi i Vatrës, ish kryetari i Besa-Besën, deputeti i Parlamentit Shqiptar, Konsulli, nënprefekti i Himarës dhe Bilishtit, kryetari i bashkisë së Korçës, Kristo Kirka, dora e djathtë e Nolit,u kalbën burgjeve ish kryetari Vatrës dhe editori i Diellit Aqile Tasi, Kolë Rodhja e të tjerë, ndërkohë që Ali Kuçi, kryetari i Pleqësisë së Vatrës në Pensilvania, që i priu fushatës “për shpëtimin e Shqipërisë’, vdiq nën torturat e hetuesëve në Berat. Po kështu u dënuan me moskthim në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës, që do të prisnin për 53 vite që të riktheheshin në Shqipërinë që ai i pat kushtuar jetën, mendjen, penën, oratorinë dhe gjithëçka tjetër. Ky është muri që i ndanë vatranët dhe vatrën e tyre të dashur nga komunistët. Ata që thonë se Vatra nuk është marrë në të shkuarën me politikë, gabojnë, nuk njohin historinë e Vatrës. Federata Panshqiptare  e Amerikës Vatra është marrë me politikë, edhe pse neni i pestë i kanunores ia ndalon formalisht.      Po le të kthehemi tek marrdhëniet e Vatrës me Partinë Demokratike dhe liderin e saj dr. Sali Berisha. Vatra i ka dhënë mbështetje Sali Berishës jo vetëm kur ka qenë në majë të pushtetit, por edhe kur ishte në opozitë. Edhe në vitet e vështira ’97-’98 vatranët ishin pranë Berishës duke i dhënë atij mbështetje nga rrëzimi i dhunshëm, nga grushti i shtetit, prej atij që ata e quajtën “ rebelim, revolucion i komunistëve”. Vatranët nuk e njohën qeverinë e kallashnikovëve, siç e pagëzuan ata qeverinë e dalë pas dhunës. Madje në qershor të vitit 1998 ekipi i Vatrës shkoi në Shqipëri për dy qëllime; që të ndihmonte luftën në Kosovë, udhëtoi deri në Tropojë, vizitoi të plagosurit e luftës, dha kontribute financiare për luftën dhe shfrytëzoi rastin përmes bisedash e intervistash në radio dhe televizone , ku përcollën mesazhe që suportonin ringritjen e dr. Berishës dhe të Partisë Demokratike. Vatranët e shoqëruan lëvizjen e ringritjes së Berishës dhe Partisë Demokratike përmes protestave “Nano ik”. Jo vetëm se ishin organizatorë të protestave në Nju Jork me moton” Nano ik!”, por  me 20 mars 2004, shkuan edhe në Tiranë dhe morën pjesë në një protestë të madhe në Sheshin Skënderbej, ku kryetari i Vatrës, z. Agim Karagjozi u brohorit nga mesazhi që përcolli.    Nga ana e tij dr. Berisha e respektoi Vatrën si institucion historik. Ai në të gjitha vizitat e tij përcolli në komunitetin shqiptar në Amerikë mesazhe vlerësimi të rolit historik të Vatrës. Kulmin e vlerësimit ai e bëri në 100 vjetorin e Vatrës, ku mori pjesë në konferencën shkencorë”Vatra, 100 vjet në shërbim të Kombit”. Në këtë përvjetor gazetat në shërbim të opozitës u morën gjatë me faktin pse qeveria e Berishës planifikoi 33 mijë dollarë, duke e trajtuar 100 vjetorin e Vatrës si prologun e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo shifër është përfolur, është zmadhuar, është thashethemuar, pa u interesuar përfolësve se përse u dhanë dhe përse u përdor ajo shumë. Madje edhe ata që kritikojnë nga Amerika, nuk kanë pasur kohë që të vijnë në Shtëpinë e Vatrës dhe të shohin se si u ringjall historia e Vatrës përmes ekspozitës fotografike”100 vitetet e Vatrës”.     Në të vërtetë Vatra ka përkrahur Berishën dhe Qeverinë Demokratike, por nuk ka nguruar që t’i bëjë asaj oponencë për shqetësime që burojnë nga progarmi Kombëtar i Vatrës dhe Kanunorja e saj. Kështu psh Vatra ka mbajtur qëndrim publik kritik për ngritjen e varrezave greke në territorin shqiptar, ku të vrarët e ushtrisë pushtuse greke trajtohen si heronj dhe përjetësohen në mauzole në trojet shqiptare, ka mbajtur qëndrim kritik për çështjen e kufijëve detarë, ka denoncuar korrupsionin zyrtar, i ka bërë thirrje qeverisë që të respektojë kthimin e pronës tek pronarët e vërtetë,  ka dalë në mbrojtje të shtresës të të përndjekurëve politikë, kur ata janë lënë në harresë, madje kryetari i Vatrës vitin e shkuar i vizitoi grevistët”antiqeveritar”  duke e trajtuar vizitën e tij si humane për shëndetin e njërëzve që kishin vuajtur në diktaturë. Askush nuk mund t’ia mohojë Vatrës këtë oponencë ndaj Qeverisë Berisha.   Tash që rotacioni ndodhi, dhe që Berisha jo vetëm pranoi rezultatin, por uroi dhe kundërshtarin fitues, realiteti në Shqipëri duket se ndryshoi dhe Partia Demokratike duhet të reflektojë mbi shkaqet e humbjes duke kërkuar ringritjën perms reformimit, por tani pa kultin e Berishës. Në këto kushte Vatra duhet të pajtohet me realitetin e ri shqiptar, dhe të njohë atë që vetë Berisha e quajti: “Vendim të Sovranit”, pra të popullit votues, por pa hequr dorë nga oponenca e fortë ndaj qeverisë socialiste, që erdhi në pushtet me premtime të bujshme.     Pas dorëheqjes, Berisha mbetet mik i Vatrës dhe një udhëheqës i përmasave europiane, për të cilin historia do të flasë, duke i dhënë vendin e merituar në historinë e Shqipërisë moderne.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, para dhe pas doreheqjes, Vatra dhe dr. Berisha

EDITORIAL I DIELLIT-VATRA HISTORIKE DHE MISIONI I SAJ PËR SHEKULLIN E DYTË

June 11, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA*/

Fedearata Panshqiptare e Amerikës Vatra ka hyrë në shekullin e dytë të jetës së saj. I pari shekull u mbyll shkëlqyshëm vitin e shkuar me festimet madhështore të 100 vjetorit të themelimit të saj, që përkuan edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Privilegji i Vatrës ishte se ajo i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë, madje ideoi shkëputjen nga Turqia pushtuese dhe orientoi Qevëerinë e Ismail Qemal Beut kah Perëndimi dhe këmbënguli fort për këtë.

Vatra i kreu më së mirë detyrat e saj ndaj Kombit dhe shqiptarizmës në Shekullin e parë të jetës së saj. Farën e shqiptarizmës, që hodhën në tokën amerikane patriotët mendjendritur të Rilindjes Kombëtare, që më 1904 me mësuesin martir Petro Nini Luarasi dhe që e kultivoi Fan Noli me Besa-Besën  dhe Kishën Orthodokse Shqiptare dhe Sotir Peci me Kombin, që e orientoi në shtylla Kombëtare Faik Konica me idetë progresiste , me mendjen e tij të ndritur dhe penën prej ustai, Vatra diti që t’i bëjë bashkë dhe të shtrojë rrugën Kombëtare.

Ashtu siç thotë Hymni i Vatrës, i cili prej dekadash ishte mbuluar nga pluhuri i kohës dhe u ringjall në 100 vjetorin e themelimit:

Vatra, kështjell’ e dashur

E Mëmë Shqipërisë

Me dashuri na mblodhi

Rreth shkabës në mërgim…

Vatra e sotme kurrë nuk duhet t’i harrojë punët e Vatrës së djeshme, as Nolin e Konicën, as dishepujt e tyre; Kristo Kirka, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Elia Tromara, Llambi Çikozi, Kosta Vasil, Kosta Kota e dhjetëra të tjerë. Duke nderuar paraardhësit themelues, Vatra nderon veten dhe kauzën e saj Kombëtare.

Vatra është faqebardhë para historisë dhe Kombit sepse detyrat Kombëtare i ka kryer më së miri si një nxënës shembullor. Kontributet e saj i ka përmbledhur shumë bukur arkitekti i saj, inspiruesi illuminist Fan Noli, në një fjalim me rastin e 50 vjetorit të Vatrës, ku janë përmbledhur bëmat kombëtare të Vatrës:  “Vatra luajti një rol historik në historinë e Shqipërisë. E para e punës themeloi “Diellin” e çila është një gazetë që nisi më 1909-ë dhe po vazhdon akoma…! S’ka asnjë gazetë tjatër shqiptare e cila të ketë një jetë aq të gjatë.“Vatra”, kur u shkel Shqipëria, pas luftës ballkanike dhe në kohën e luftës së parë, lojti rolin e një qeverie në mërgim. Vatra po përmbante delegatë në Evropë për të mbrojtur Shqipërinë se s’kishte njëri tjatër që ta mbronte. Dhe këta delegatë qenë Konica dhe Turtulli edhe “Vatra” më 3 të qershorit mblodhi para që t’i përmbanjë këto dërgata.Dhe jo vetëm përmbanin delegatët tanë, por përmbanim edhe delegatët e kolonive të tjera, si kolloninë shqiptare të Rumanisë. Vatra u përfaqësua me delegatin e saj, më 4 të korrikut 1918, përpara Presidentit Uillson edhe fituam një nga miqtë më të mëdhenj, i cili e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. Në Kongresin e Lushnjës, “Vatra” s’kishte delegatë, po ç’ngjau? Fryma e “Vatrës” ishte atje. Secilët njerëz, ca nga njerëzit që zgjodhi Kongresi i Lushnjës, ishin njerëz të “Vatrës”. Kongresi i Lushnjës siç e dini bëri një Këshill të Regjencës dhe një nga pjestarët e kësaj Këshille ishte doktor Turtulli, delegati i “Vatrës”. Kur formuan kabinetin, Ministri i Punëve të Jashtme ishte Mehmet Konica, përsëri delegat i Vatrës.Pas Kongresit të Lushnjës ngjau lufta heroike për të dëbuar italianët nga Vlora.Fryma e Vatrës qe atje, edhe kënga “Vlora Vlora”, sikundër e dini, është bërë nga një përfaqësonjës i Vatrës, të cilin e kemi këtu në mes tonë.Ia dini emrin, por për ata që s’e dinë do ta thom: profesor Thoma Nasi.Pasi u çlirua Vlora, u nisa edhe unë që të vete në Shqipëri, nuk di ç’të bënja atje dhe me çfarë pasaportë shkova? A ka ndonjë njeri që e mban mënd këtë? Besoj se kanë qenë nja 2 a 3. Me pasaportë të cilën ma ka dhënë Çekrezi, si përfaqësonjës i Vatrës në Uashington. Në Gjenevë, kur u pranua Shqipëria si pjestare e Lidhjes së Kombeve, më 17 të dhjetorit 1921, kryetari i dërgatës përsëri ishte një përfaqësonjës i Vatrës, besonj që e njihni.Pastaj, ç’na ngjau atje në Gjenevë? Pasi mbaroi delegati juaj atë misionin e tij, mbeti atje. Qeveria shqiptare s’kishte para. E vërtetë që s’kishte para ose nuk e deshte atë përfaqësonjësin të kthehej përsëri në Shqipëri, se nuk u durohej më… Përsëri Vatra i pagoi të ardhurat e udhës që të shkoj s’andej. Tashi, dy fjalë për ish-kryeministrin e Shqipërisë që e kini këtu. S’është fjala që të lëvdohem për veten time, po dua t’ju thom këtë gjë: A ka shumë kombe, në të cilat shumica të jenë muhamedanë e të zgjedhin një kryeministër prift të krishterë?…

“Vatra” pastajza, ka bërë një punë të lavdëruar duke botuar libra si “Othellua” i Shekspirit, “Kasollja” e Ibanjesit, “Don Kishoti” i Mançës, “Historia e Skënderbeut” dy herë shqip dhe njëherë inglisht, si “Albania Rock Garden of South Eastern Europe”. Këto janë ca nga shërbimet e “Vatrës” në kohën e shkuar.

Deri para pak kohe, në opinionin e komunitetit, në disa nga mediat e majta në Shqipëri apo website i mëshohet shumë togfjalshit-akuzues: “Vatra merret me politikë” dhe menjëherë pas këtij konstatimi vjen urdhëri :Vatra nuk duhet të merret me politikë! Cila është e vërteta? Vatra me Kanunoren e saj ia ndalon vetes marrjen me politikë se kështu ia diktonin ligjet amerikane atëherë kur u krijua, por në të vërtetë Vatra është marrë gjatë të gjithë jetës me politikë dhe nëse nuk do ta kishte bërë këtë,  ajo nuk do t’i kishte kryer dot punët e mëdha që ka bërë për Komb. Me miqtë amerikanë  dhe europianë Vatra i ka dalë për zot Kombit dhe ka luajtur rolin e avokatas së tij. Ishte Vatra ajo, që krijoi diplomacinë shqiptare në Londër, në Gjenevë , Lozanë e Washington, duke përfaqësuar shtetin e  munguar në rrethet e diplomacisë dhe politikës europiane me njerëz të saj siç ishte Mehmet Konica e dr. Mihal Turtulli, Vatra i orientoi ata, Vatra ua pagoi rrogën, Vatrës i raportonin ata, kur shtet nuk kishim. A ishte kjo marrje me politikë? Ata që i kërkojnë Vatrës mosmarrjen me politikë kanë hallin e  mosbashkëpunimit të Vatrës me komunistët. E vërteteta është e hidhur. Vatrën me komunistët e ndajnë rënkimet që ende ndjehen së largu nga terri i diktaturës, e cila u mori jetën apo i kalbi burgjeve vatranët, që i patën dhënë shpirtin Kombit: Komunistët pushkatuan ish komandanitin e trupave vullnetare të Vatrës, pjesmarërs në luftën e Vlorës dhe në kufijtë jugorë të Shqipërisë në kohëtrazirat me grekërit, Aqif Përmetin, u pushkatua editori i Diellit Bahri Omari, ish kryetari i Vatrës Kolë Tromara; bashkëthemeluesin e Vatrës, ish menaxherin e parë të Diellit, ish kryetar i Besa-Besën, dhe ish kryetari i së parës degë të Vatrës, asaj Nr. 1 në Boston, Kristo Kirka, e ndëshkuan për mosbashkëpunim, dhe ai vdiq burrërisht si vatran, në burgun e Burrelit, dhe sot është varrhumbur, por ende i këndohet kënga e i thuren vargje. Për këtë martir, ish kryetari i Vatrës,  bashkëvuajtësi i tij, Arshi Pipa, do ta “qante” me elegjinë prekse:

Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra, fjala ju pre,
Ndigjuem, qysh lehtë ankoi:
“Për flamur!… Për atdhe!”!

Po ish kryetari i Vatrës dhe editor i Diellit Aqile Tasi, po Kolë Rodhja, po Ali Kuçi, që i priu fushatës së 3 qershorit 1917-1919 të Vatrës, ”Për shpëtimin e Shqipërisë”, që iu pre jeta gjatë torturave në hetuesi? Ja pra çfarë muri lartësohet mes Vatrës dhe diktaturës komunsite.

Vatrën për dekada e ka shqetësuar e sotmja dhe e nesërmja e saj. Edhe në kuvendet e saj, edhe në gazetën e saj Dielli është rrahur ky problem, kolektivisht dhe individualisht. Prof. Arshi Pipa e ka trajtuar në një cikël shkrimesh në Dielli. Para tij e ka trajtuar edhe vatrani Peter Ktona me broshurën “Misoni i Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra  Dje dhe Sot”, ndërsa ish editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës për vitin 1958-59 Peter Prifti, po ashtu na ka lënë një esse brilante për misteret e jetëgjatësisë së Diellit dhe Vatrës.  Natyrisht nuk ka receta të gatshme që të tregojnë se ç’duhet të bëjë Vatra që t’i shpëtoi erozionit gërryrës të kohës, gjithçka është e përjetësuar në Kanunoren dhe historinë e saj.

Fatmirësisht, shekulli i dytë e ka gjetur Vatrën më të organizuar në këto tri dekadat e fundit, e ka gjetur me degë të reja, të tjera mund të ngrihen shumë shpejti ,e ka gjetë me përfaqësues të brezit të ri dhe inteligjencës.

Kryesia dhe Këshilli i ri do të jetë e mira që të ngrënë degë edhe atje ku mungojnë. Mungesa e një dege në Boston apo Uster, ku ka qenë djepi i Vatrës historike, duhet të kapërcehet. Deri në mesin e  viteve ’80, Bostoni cilësohej si Meka dhe Jerusalemi i shqiptarizmit, po sot? Për arsye sentimentale të shqiptarizmit Vatrës i duhet degë në Boston. Aty lindi dhe u bë e famshme Vatra shqiptare. Le të jetë ky një objektiv i afërt i udhëheqjes së  re të Vatrës. Filadelfia ka një komunitet të shumtë, edhe aty Vatra ka qenë e forët dhe plot tradita shqiptarizmi Vatra e Nolit dhe e Konicës. Po sot? Pak më tej, degët e Vatrës në Bridgeport, Waterbury, kanë qenë tepër të fuqishme. Ku janë sot? Ende kemi vatranë të vjetër si Ali Demirali, vëllezërit Bushka, Sami Kulla dhe gjenerata e tyre që vazhdojnë t’i mbajnë lidhjet me Vatrën, po ama degë s’kemi.Në Chikago ka një komunitet të madh, por Vatra s’ka degë. Dikur degët e Vatrës në Toronto dhe Montreal të Kanadasë kanë qenë shumë aktive, por sot nuk kemi qoftë edhe një vatran atyre anëve. A mund të riorganizohen? Natyrisht. Shkuam deri në Kanada dhe harruam Bronxin, ku është qendra e Vatrës, Shtëpia e saj, nuk ka degë edhe pse ka vatranë! Po ashtu s’ka degë as në Brooklyn, Long Island etj.

Problem i pazgjidhur mbetet afrimi i brezit të ri në Vatër. Një sinjal pozitiv u dha në prag të Kuvendit nga dega e re e Westchestër South, ku ka kualiete të rinjësh e të rejash të shkolluar, po ashtu degët në Michigan, Washington, Jacksonville, South Florida, kanë tërhequr një masë të rinjësh, që do t’i përcjellin vrullin dhe energjinë e tyre Vatrës historike, por nuk mjafton me aq.Nuk është vetëm anëtarësia, dera që të çon tek afrimi i të rinjëve në Vatër. Vatra duhet t’i bëjë të interesuar të rinjët për të ardhur deri në Vatër. Aktivitetet e saj do ta afrojnë masën e rinisë tek ajo.U takon dhe vatarnëve si individë që afrojnë familjet e tyre në Vatër, t’i bëjnë të interesuar fëmijët. Fatkeqsisht Vatra ka hequr dorë edhe nga piknikët tradicionalë, me të cilët mburrej në tri dekadat e para!

Misioni i Vatrës për shekullin e dytë të jetës së saj mbetet çështja Kombëtare. Është koha që Federata të hartojë një program konkret për kushtet e reja që i janë krijuar Kombit tonë. Natyrisht që Vatra nuk është për bashkim folklorik të kombit, por strategjia e saj Kombëtare, me maturinë që e karakterizon, duhet të pasqyrohet në program mbarëkombëtar dhe ai të publikohet. Për Vatrën është koha që të bëjë më shumë për shkollën shqipe këtu në SHBA, për ruajtjen e  gjuhës, kulturës dhe traditave Kombëtare. Vatrës i takon që të bëhet promotori i këtij bashkimi gradual, shpirtëror, arsimor, kulturor  e sportive.Vatrës ia jep këtë rol vetë historia e saj.

Kuvendi i Vatrës që u mblodh në 101 vjetorin e themelimit të saj e ka hedhur vështrimin në shekullin e dytë, që kërkon më shumë përkushtim, dhe vizion të qartë, më shumë energji.

Misioni i Vatrës do të vazhdojë përsa kohë të jetë shqiptaria, pra përjetësisht. Për ta realizuar këtë Mision në shekullin e  dytë të jetës së saj,Vatrës i duhet rikthim në kohët e saj të arta; i duhet përfaqësim dhe shtrirje kudo ku ka shqiptarë në Amerikë, duhet t’i dëgjohet zëri në Washington, i duhet që të reagojë në kohë , dhe jo pas kohe, për cdo ngjarje që lidhet me Kombin shqiptar, i duhet dhe një vizion bashkëkohorë.

  • Ky eshte editoriali i Diellit per gazeten e muajit Maj, 2013

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, EDITORIAL I DIELLIT-VATRA HISTORIKE DHE MISIONI I SAJ, PËR SHEKULLIN E DYTË

GAZETA DIELLI, SI ZËDHËNËSE E FUQISHME E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”

June 8, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/*

Është kënaqësi që t’ju raportoj sot në Kuvendin e riëprtëritjes dhe rigjallërimit të Vatrës si editor i Diellit. Është e fundmja e gazetave të Rilindjes Kombëtare, që vazhdon të jetë në botim. Ndërsa Vatra jonë nesër (28 prill)  ka ditëlindjen e 101, me 15 shkurt 2013, zëdhënësi dhe avokati i saj,  Dielli festoi 104 vjetorin e lindjes. Një ditëlindje që ia vlen ta festosh, ta kujtosh dhe të krenohesh, edhe pse ne nuk e festuam, thjeshtë e përkujtuam përmes vetë gazetës, ose thënë shkurt-gazeta uroi vetëveten.

Që t’ju raportoj se çfarë ka bërë Dielli, nuk mund ta nis nga sot,sepse Dielli i sotëm nuk ka kuptim pa atë të djeshmin, aq më shumë që ne kemi një masë të madhe vatranësh të rinj, që pak janë të njohur me historinë e Diellit dhe të vetë Vatrës. Pra më duhet të eci ca kohë pas, jo shumë, 104 vite të shkuara, me 15 shkurt 1909, kur Dielli nisi udhëtimin si organ i shoqërisë “Besa-Besën”, një nga shtyllat mbi të cilën u mbajt Vatra, kur u themelua me 28 prill 1912. Nuk dua t’ju shpenzoj kohë duke bërë histori, por publikimi i programit Kombëtar në numrin e parë të gazetës, dëshmon frymën dhe shpirtin rilindas të Diellit dhe kthjelltësinë e atyre që e drejtuan. Gjatë kohës që Dielli ishte gazetë e Besa-Besën kishte për editor burra fort të mençur të Kombit, si Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi e Kristo Floqi. Imzot Noli editoi 69 numra të Diellit të Besa-Besës, Kristo Floqi, editori I fundit persa kohe ishte I Besa-Besën, editoi 59 numra dhe ustai I letrave shqipe,  Faik Konica 47 numra. Dielli i atyre viteve mbart gjurmët e drejtuesëve të vet dhe mbjelljes së farës kombëtare për bashkimin e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta u bë pronë e Vatrës pasi Besa-Besën u shkri në Federatën Vatra. DIELLI frymëzoi vatranët me frymën Kombëtare, aq sa ishin gati të jepnin edhe rrobat e trupit për çështjen kombëtare. Gazeta u priu fushatave Kombëtare të Vatrës duke kuvenduar  përzemërsisht me shqiptarët e Amerikës.

Ashtu si edhe vetë Vatra, Dielli nuk i shpëtoi mentalitetit dhe psikologjisë shqiptare, polemikave, deri në ekstrem. Kështu psh në kohën e çarjes së parë  të Vatrës, kur u shkëput fraksioni i Kristo Dakos, plasën polemikat e fuqishme mes “Diellit” dhe “Albanisë” të K. Dako, pa kursyer edhe Atin e Pvarësisë Ismail Bej Qemali. Kjo polemikë pati kundër edhe gazeta të tjera siç ishte “Koha” e Mihal Gramenos, I cili edhe ishte sponsorizuar nga Vatar, siç qe sponsorizuar edhe Atë Gjergj Fishta, Midhat Bej Frasheri e te tjerë atdhetarë.

“Dielli” e aso kohe u drejtuanga: Konica, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostandin Çekrezi (i takon atij merita e botimit të përditshëm të Diellit), Noli, Bahri Omari, Loni Kristo. Nëse do t’u drejtoheshim statistikave, kemi këtë tablo ; Bahri Omari , kunati i Enver Hoxhës, i pushkatuar nga ai vetë, editoi më shumë numra nga të gjithë,1074, Kostë  Çekrezi 241 dhe Fan Noli 137.

Dielli i është përmbajtur fryëmës Kombëtare, ç’ka ka karakterizuar vetë Vatrën.Në vitet 1920-24, gazeta mbështeti përpjekjet e Fan Nolit për zhvillimet demokratike, madje edhe Lëvizjen e Qeshorit dhe qeverinë e kryesuar nga Peshkop Noli. Dielli e mbështetur edhe nga  “Shqiptari i Amerikës”, që pat nisë botimin në Korçë më 1922, nën drejtimin e Loni Kristos si editor, ishin opozita e shtypit të kohës kundër qeverisë së Ahmet Zogu. Madje Dielli u ndalua që të hynte në Shqipëri, ndërsa Shqiptari i Amerikës u padit në Gjykatë, derisa u ndalua.

Drejtues të Diellit për atë kohë ishin: Andon Frashëri e Faik Konica, i cili krahas drejtimit të “Vatrës”, u zgjodh kryeeditor në Kuvendin e vitit 1923,duke patur si ndihmës /editor Andon Frashërin dhe Aqile Tasi. Kur  Partia Liberale e Nolit humbi zgjedhjet, lufta politike mori flakë. Megjithëse “Vatra” e përkrahu qeverinë e Nolit, “Dielli” i pat të ashpra kritikat ndaj saj. Me atë rast, Konica shkroi një perlë për kohën :“Komedia e partive, dhe rreziku që qëndron në derë të theatrës”, ku ndër të tjera shkruante: “Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vënt dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vet-qojturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”.

Dielli si zëdhënëse e Vatrës, në vitet 1925-39,ashtu si Vatra vetë, përkrahu  politikën e mbretit Zog, duke lënë mënjanë liberalizmin demokrat të Nolit dhe përqafoi qëndrimin e krahut të djathtë të Konicës. Siç ka analizuar editori para meje, poeti dhe studiuesi Anton Çefa:” Ideologjia dhe politika e gazetës kaloi në anën e qëndrës së djathtë, gjë që u pasqyrua në qëndrimet promonarkiste, profashiste për një kohë të shkurtër, dhe antikomuniste.”

Humbja e Nolit në Shqipëri, ikja  e tij në mërgim, ndërkohë që kundërshtari i tij Ahmet Zogu e dënoi me vdekje në mungesë, krijoi probleme mes vatranëve dhe e ndau federatën në dy kampe. Vatra zyrtare i ktheu kurrizin Nolit dhe çdo gjë u përqëndrua në duart e Konicës nga viti 1926, ku ai u bë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Amerikë, Dielli ashtu si Vatra kishin një komandant, Faikun. Gazeta filloi ta godiste dhe krijuesin e saj Nolin, madje me artileri të rëndë. Fryma polemike u nxeh.Noli i përgjigjej me armë të të njëjtit kalibër përmes në gazetës“Emigranti”, që drejtohej nga editori i ardhshëm i Diellit, Qerim Panariti dhe botohej në Worchester, Mass., si dhe në “Liria Kombëtare” që botohej në Vjenë, e më pas në “Republika”, në Boston. Polemikat zgjatën deri në vitin 1937. Në ato vite Diellin e editonte “nxënësi i bindur” Konicës, Nelo Drizari, që kishte kryer studimet për gazetari dhe kishte botuar Gramatikën dhe Fjalorin shqip-anglisht. Drizari e bëri fakt të kryer pajtimin e Diellit dhe të Vatrës me Kryepeshkopin përmes artikulli “Ungjillori i shqiptarëve”.

Ashtu si Vatra nuk shpëtoi dot nga përçarjet, edhe zëdhënësi dhe avokati i saj , Dielli, nuk pati imunitet nga sherret. Ashtu siç ishte përça në gusht të vitit 1917, kur ish kryetari dhe editori i Diellit Kristo Dako,që i shkëputi Vatrës nja grup vatranësh të degës Westchester, e njëjta gjë ndodhi 19 vjet më pas, më 1936, kur Vatra u ca keqazi. U krijuan dy Vatra, një Boston, një në Detroit. Po ashtu u krijuan edhe dy gazeta Dielli, ajo e vjetra e Bostonit dhe e reja e Detroitit me kryetar Fazlli Panariti. Dielli i Detroitit u editua nga dishepulli i Konicës, Refat Gurrazezi. Dielli i Detroitit kritikonte rëndë Fan Nolin. Ky dualizëm vazhdoi për tre vjet, derisa vatranët gjetën forca dhe u ribashkuan në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë. Po ashtu edhe Dielli i Detroitit  pushoi së botuari.Editorët të kësaj kohe për Diellin shërbyen: Konica, Andrea D. Elia, Refat Gurrazezi dhe Nelo Drizari. Gjatë pushtimit italo-Gjerman, Dielli kritikoi ashpër pushtuesit dhe nuk i kurseu kritikat për Mbretin Zog, por ndërkohë, në Dielli u pasqyruan edhe përpjekjet e Fan S. Nolit e të Faik Konicës për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim në kryesimin e Ahmet Zogu, si një platformë politike e domosdoshme për shpëtimin e atdheut, sigurimin e pavarësisë dhe integritetit tokësor të Shqipërisë.

Në vitin 1941 u shkaktua një çarje tjetër, e treta, ku pasojat ranë kryesisht mbi Vatrën. Kostë Çekrezi formon “Shqipërinë e lirë” dhe nisi botimin e Shemrës së Diellit- gazetën “Liria”. Një pjesë e vatranëve kaluan me Çekrezin, i cili iu kundërvu platformës politike të Nolit e Konicës për krijimin e qeverisë shqiptare në mergim. Ai propozonte një Komitet, përmes të cilit të krijohej një Front i Përbashkët për Shpëtimin e Atdheut.Fryma polemike u ashpërsua shumë.

Editorë të kësaj periudhe kanë qenë Petër Tiko dhe Qerim Panariti për të cilin kishte akuza se anonte nga qeveria e Enver Hoxhës, por në fillim të viteve ’60 Panariti shpërtheu plot inat kur gazeta Bashkimi e etiketoi si imperialist.

Vijmë tani tek periudha 1945-1990. Vatra, e lodhur nga lufta e gjatë politike, shpreson tek demokratizimi i Shqipërisë, nga frika se Greqia vazhdonte të pretendonte Shqipërinë e Jugut,u jep mbështetje udhëheqësve komunist, madje i prêt dhe përcjell emisarët e Enver Hoxhës, duke filluar nga Noli vetë që vjen në Nju Jork dhe takohet me delegacionin e Enver Hoxhës shumë herë. Po ashtu dhe Dielli mbështet Vatrën. Që në faqet e para lexohen me shkronja të mëdha lajme për qeverinë komuniste . Duket se Dielli dhe Liria e Bostonit ishin në garë kush e kush të shkruante më mirë për qeverinë e Enver Hoxhës. Po të marrim hua një shprehje nga Peter Ktona, broshura e tij”Misioni i federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra-dje dhe sot”; ajo periudhë mund të përshkruhet kështu”Pas vendosjes së Qeverisë Komuniste në Tiranë, të dy organizatat, me anë të organeve të tyre, Dielli dhe Liria, duallën hapur duke përkrahur regjimin komunist shqiptar. Editori i gazetës Dielli, Qerim Panariti, tregohesh më i flakët pro Enverit se sa gazeta Liria. Megjithëkëto Tirana nuk kishte besim tek Vatra, siç duket për të kaluarën e saj patriotike dhe e hodhi peshën e përkrahjes ndaj organizatës Shqipëria e Lirë. Një pjesë e vatranëve , shkruan Ktona, dezertuan, shkuan tek Shqipëria e Lirë që kishte përkrahjen e Qeverisë komuniste. Tek VATRA qëndruan nacionalistët dhe atyre iu shtuan në fund të viteve ’50 dhe fillim i viteve ’60 e në vijim antikomunistët nacionalistë. Edhe Dielli i forcoi pozitat nacionaliste. Në Liria botoheshin repotrazhe e intervista që lanin e lyenin Shqipërinë si Kështjellë e Socializmit, që shkruheshin nga  ata që vizitonin shqipërinë sepse kishin bekimin e Qeverisë Komunsite. Në këtë kohë, Dielli nuk i kursente kritikat.

Megjithatë nga mesi i viteve ’50 Panariti, që e drejtoi Diellin për 19 vjet, ndërgjegjësohet dhe nis kritikat.Kritikon qeverinë komuniste për izolimin e vendit nga bota perëndimore dhe për moslejimin e shqiptarëve të Amerikës për të vizituar atdheun,-kritikohet gjendja e rëndë ekonomike, kritikohet refuzimi i ndihmave amerikane dhe falënderohet Presidentin Amerikan Eisenhower për to, etj.Panariti e editoi Diellin nga 1944 – 1963. Ai mbetet editori më jetëgjatë në historinë e gazetës, dhe i vetmi që ka koleksionuar edhe një çmim amerikan të Diellit në një konkurs ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë. Në vitet 58-60, Panariti pati si ndihmës edhe Petër R. Prifti, që kreu edhe detyrën e sekretarit të “Vatrës”. Pas Panaritit, editor i Diellit vjen Athanas Gegaj, i cili risjell frymën e monarkistëve në gazetën e Vatrës, i mëshon nacionalizmit, ashpërson kritikat ndaj sistemit komunist. Edhe Xhevat Kallajxhiu , solli një frymë të re të gazetës, duke rrahur shpesh temën e bashkimit të shqiptarëve të Amerikës. Editorialet e Kallajxhiut përcjellin frymë rilindasish. Pas tij gazetën e editoi Eduard Liço.

Tashmë vimë tek vitet 1990-2006. Nga viti 1990 – 94, gazeta nuk pati stabilitet dhe kaloi dorë në dorë, ajo u botua tepër rrallë dhe kishte më shumë vlera kronikale .Pas largimit të Eduard Liços në vitin ‘90, një numër e botoi Din Derti. Në vitet 1991 dhe 92, Arshi Pipa, njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës” dhe editor, botoi me ndërprerje 8 numra të gazetës, në këtë periudhë , ’91, një numër u editua nga Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj me asistencën e Tahir Deskut e Muhamet Mjekut; në vitin 1992, një numër është edituar nga Agim Karagjozi, kryetar i “Vatrës”, dhe Gj. Buçaj, nënkryetar; në vitin 1993, Agim Karagjozi botoi 3 numra, në vitin ’94, u botua një numër nën editimin e Agim Karagjozit dhe Anton Çefës. Nga tetor-dhjetori i këtij viti deri në vitin 2006 u botuan 45 numra nën editimin e Anton Çefës dhe me Agim Karagjozin si managing editor. Gjatë editimit të Anton Çefës Dielli u ngrit nga ana cilësore dhe kontribuoi në përcjelljen e vlerave studimore, historike dhe letrare.

Tashmë kemi mbërritur tek Dielli i sotëm. Ritheksoj se  është një ditë e shënuar për Vatrën kjo e sotmja sepse me këtë Kuvend ajo kërkon që të hapë një faqe të re në historinë e saj 101 vjeçare. 101 vitet e saj nuk tregojnë shenja pleqërie, përkundrazi, në këtë dekadë të fundit të shekullit të ri, Vatra e ka përmirësuar mjaft profilin e saj kombëtar dhe së fundi po arrin atë që nuk është bërë dot në 20- 30 vitet e fundit.

Ardhja ime në Vatër si editor i Diellit, i takon 100 vjetorit të Gazetës Dielli, ku referova kumtesën: ” Gazeta “Dielli”- shkollë e shtypit të lirë për gazetarinë shqiptare”.  Vatranët më pritën me zemër të ngrohtë. Jam emocionuar nga njoftimi publik që publikoi Vatra me 1 gusht 2009, botuar në numrin e parë të edituar nga unë , shtator  2009, nënshkruar nga kryetari Agim Karagjozi. Në të thuhej:” Në mbledhjen e mbajtur  me  1 gusht 2009, Këshilli i Vatrës miratoi unanimisht dhe me entuziazëm emërimin nga Kryesia të z. Dalip Greca editor i Diellit.” Në njoftim përcillet edhe informacioni për botimin një herë në muaj të Diellit pas një ndërprerje më shumë se dy vjeçare. Për këtë qëllim lajmërohej edhe hapja e fushatës për ndihma financiare që të mos ndërpritej Dielli, fushatë që nuk u kurorëzua plotësisht, për shkak se jo të gjithë i mbajtën premtimet,por  gjithësesi ata që i mbajtën premtimet janë përjetësuar në faqet e Diellit, ku është publikuar çdo dollar që kanë dhënë vatranët.

Jam përpjekur që ta justifikoj besimin që më dha Vatra duke punuar me të gjithë fuqitë e mia. Se sa ia kam arritur vlerësimin duhet ta thonë vatarnët. Mendoj se më e mira ende nuk është bërë. Natyrisht që ka edhe të meta, që duhen korrigjuar. I falenderoj të gjithë ata që  më kanë mbështetur , ndërkohë që  ftoj për bashkëpunim edhe ndonjë që diku i ka mbetur qejfi.

Duke iu drejtuar statistikave, ashtu si paraardhësit e mi, gjatë kohës që e kam edituar Diellin, me numrin e prillit 2013 bëhen 44 numra të edituar nga unë dhe asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim vendimin e Këshillit për ta botuar Diellin një herë në muaj. Madje edhe kur kam pasë problem me shëndetin, Dielli nuk është penguar. Jam përpjekur që Gazeta të ruaj fizionominë e saj, të sjellë në faqet e veta problematikën që ka trajtuar Vatra, frymën e saj Kombëtare, shqetësimin e saj për zhvillimet demokratike në Shqipëri, jo rrallë ka pasë dhe frymë polemike për t’u dhënë përgjigje atyre që hedhin gurë kundër Vatrës, etj. Por duke qenë se gazeta ka qenë edhe para dy ngjarjeve të mëdha, 100 vjetorit të themelimit të Vatrës dhe 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i ka mëshuar fort edhe historisë Kombëtare dhe historisë së Vatrës. Qëllimi ka qenë që të evokojmë tek brezat e sotëm krenarinë e punëve të mëdha që ka bërë Vatra për Kombin. Krahas temave të rrahura edhe më parë nga editorët paraardhës, jam përpjekur që të gjurmoj edhe figura pak të trajtuara të vetë Vatrës, të sjell histori për të parën herë etj. Falenderoj publikisht edhe median tjetër që na ka mbështetur. Veçoj TV Kultura Shqiptare me Adem Belliun, me të cilin për një vit kemi realizuar shumë emisione për historinë dhe rrugën 100 vjeçare të Vatrës. Edhe Zëri i Amerikës e ka ndjekur nga afër ringritjen e  Diellit dhe na ka mbështetur.Po ashtu edhe TV 21, TV Alb, Bota Sot dhe Illyria etj.

Me krijimin e degëve të reja Dielli u ka dhënë hapësirë edhe informacioneve që vijnë nga aktivitetet e tyre, por kjo kërkon përsosje të mëtejshme dhe degët duhet të tregojnë më shumë kujdes, që kur zhvillojnë takimet të caktojnë reporterin e cdo mbledhje dhe ai ta përcjellë informacionin dhe fotogarfitë në gazetë. Kjo ka qenë traditë e Vatrës gjatë 100 viteve. Ju lutem kryetarëve të kthehen tek tradita dhe të ndihmojnën Dillin jo vetëm nga ana financiare, por edhe me informacione dhe me shkrime. Jo vetëm kaq, por degët duhet të sjellin në gazetën e Vatrës çdo njoftim, që ka të bëjë me anëtarët e vet, i gëzuar apo i hidhëruar, edhe një ditëlindje, fejesë a dasëm, edhe një dalje nga spitali i një vatarni, apo një ditëlindje, nje kremtim,  një dasëm, përbëjnë lajm.Vatranët duhet ta konsiderojnë veten si pjesë e një familje të madhe ku lajmet përjetohen bashkë.

Nëse do të rendisja arritjet e Diellit gjatë këtyre tre viteve dhe 9 muaj që editoj do të përmendja edhe rritjen e numrit të faqe . Siç njoftonte editori i mëparshëm, Anton Çefa: Gjatë jetës së tij të gjatë, “Dielli” është botuar në shqip dhe pjesërisht në anglisht, me 2, 4, 6, 8, 10, 12, 14 dhe 16 faqe, me formate të ndryshme. Ne nisëm rritjen e faqeve të gazetës, me 24, 28, 32, 36 dhe 40.

Një risi tjetër ishte edhe ajo që nisi në vitin 2009 me rastin e Ditës së Flamurit ,ku ne nisëm botimin e edicionit special të gazetës me shumë faqe, ç’ka nuk ishte bërë asnjëherë më parë. Fillimisht edicioni i numrit special të Ditës së Flamurit nisi me 60 Faqe,në  vitin  2010 dhe 2011 me 84 Faqe, në vitin 2012 me 108 faqe. Po ashtu u botua një numër special edhe me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës. Në atë numër Dielli u botua me 104 faqe. Editori i Diellit në bashkëpunim me vatranët përgatiti dhe editoi në 100 vjetorin e Vatrës edhe një botim special të ilustruar me 95 faqe, me histori e urime, në traditën e botimeve të mëparshën në përvjetore të atilla. I falenderoj të gjithë kontribuesit, pa lënë mënjanë dhe z. Ismer Mjeku që dha një kontribut të veçantë në 100 vjetorin e Vatrës.

Në ndryshimet e sjella në gazetën Dielli është edhe kthimi i saj me ngjyra që nga numri i qershorit 2010.

Dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar afër. Mendoj që për të ardhmen Dielli ka më shumë nevojë për bashkëpunim dhe natyrisht për një staf të plotësuar, mundësisht edhe një editor për gjuhën angleze.

Kjo i takon udhëheqjes së re që do të dalë nga ky Kuvend. Drejtuesit e rinj duhet që ta mbështesin Diellin edhe me artikuj, ç’ka nuk është bërë mirë nga kryesia e deritanishme, për të mos thënë se ka munguar deri tani.Veç kryetari Buçaj, gazetarit Idriz Lamaj, firmat e tjera nga kryesia apo Këshilli kanë munguar në faqet e Diellit.

Gazeta e Vatrës ka nevojë edhe për ndihmë financiare, ka nevojë për bujarinë e vatranëve, mirëpo shumë pak nga ata që kanë biznese reklamojnë  në gazetën e tyre, Dielli, madje ka nga ata qe kane reklamuar dhe nuk kane paguar. Ndoshta Dielli nuk të shton klientelën, por  ti biznesmen vatran ia shton jetëgjatësinë gazetës dhe me bujarinë tënde nxit të tjerët që të reklamojnë në gazeten e Vatrës. Nuk ua mohojmë ndihmën që i kanë dhënë Diellit shumë nga biznesmenët vatarnë me rastin e Ditës së Flamurit apo me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, por me kaq nuk mjafton.Prandaj i ftoj publikisht biznesmenët vatranë:Reklamoni në DIELLI se ia rrisni nderin vetes.

Falenderoj z.Sejdi Bitiçin që ka kontribuar në mënyrë të veçantë edhe në përmirësimin grafik të gazetës duke sponsorizuar dizajnimin e saj. Po ashtu falenderoj Danny Blloshmin që kohën e lirë, gjithëmon në orët e vona të natës punon vullnetarisht për dizajnimin e Diellit. Po të mos ishte pasioni i tij, vështirë do ta kishim në stabilizimin e Diellit në botimin e përmujshëm. Tash ka ardhur koha që Dielli të hedhë hapin tjetër, të nisë botimin e përdyjavshëm, duke synuar një botim të përjavshëm shumë shpejt. Por kjo nuk mund të bëhet nëse nuk ka mbështetje dhe nëse nuk niset një fushatë me frymën e vatranëve të vjetër për të siguruar të ardhura dhe nëse biznesmenët vatranë nuk reklamojnë në të.

Jasht këtij raporti nuk mund të lë edhe gazetën në on Line. Mendoj se kjo e ka bërë më publike gazetën dhe vete Vatren, ka shtuar bashkëpunëtorët, madje jo vetëm nga Amerika e Kanadaja, por edhe në Evropë, Australi, Zelanda e Re, edhe nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria. Me lajmet e Vatërs që nga viti 2011, po jetojnë shqiptarët kudo ku banojnë. Po ju them vetëm një shifër nga analiza googl-it: Diellin e vizitojnë më shumë se 25 mijë vizitorë. Dielli në on line po na bashkon virtualisht kudo ku ndodhemi.Ju lutem shtojeni bashkëpunimin me qëllim që ta bëjmë më interesant atë.

Përfundimisht: Unë e fus e veten tek optimistët. Përherë kam besuar tek fryma e vatranëve, tek dëshira e tyre për ringjalljen e gazetës dhe i kam dhënë asaj shpirtin tim. Ndoshta kjo nuk u bie në sy atyre që janë mësuar ta shohin nga larg Diellin. Vatrën dhe gazetën e saj Dielli e kanë sulmuar për shumë kohë, madje kjo ka ndodhë edhe pas 100 vjetorit, i cili qe një manifestim  madhështor, për ata që e shihnin me syze të errëta Vatrën dhe Diellin shanin e mallkonin nëpër kafene dhe gazeta se Vatra po mbaron se Dielli po shuhet, Vatra merret me politikë, Vatra është e izoluar etj.Këtë e thonë edhe tani ku Vatra po ngre degë anë e kënd Amerikës. Po kur nuk i hodhën gurë Vatrës dhe Diellit? Dhe që të dy këto instituticione kombëtare i kanë sfiduar shpifësit dhe ndjellakeqët. Jetëgjatësinë e Diellit 104 vjeçar dhe të Vatrës 101 vjeçare nuk mund ta kuptojë një njeri që e sheh Vatrën nga jashtë, dhe mban ndaj saj pozicionin e policit kur shkelen vijat e bardha.

Mendoj se spjegimi i të ndjerit Peter R Prifti, editor i Dielli  tetor 1958-16 shtator 1959,për jetëgjatësinë e Diellit dhe të Vatrës, është më i argumentuari:  “Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm.Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtërore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkuarën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.”.

Po e mbyll këtë raport me besimin e patundur se Vatra dhe Dielli, do të jenë të përjetshëm.

* (Raport i editorit të Diellit, DALIP GRECA, përgatitur për në Kuvendin e Vatrës, 27 prill 2013.Për mungesë kohe, raporti nuk u lexua në Kuvend. Editori përshëndeti për 4 minuta)

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, dielli, e Federates Vatra, zedhensja e fuqishme

VETEM BARAZIM NE “QEMAL STAFA”, POR ENDRRA DREJT BRAZILIT VAZHDON

June 7, 2013 by dgreca

Ndeshja u mbyll, vazhdojne diskutimet ne studiot televizive, ne gazeta dhe rrjetet sociale. Ah, sikur! Cfarë? Sikur  kuqezinjtë të kishin qëndruar edhe 4 minuta! Mirëpo ajo që po e parandjenim të gjithë, … dhe të luteshim të mos ndodhte, na ra si bombë, norvegjezi më shtatshkurtër, gjuan i pambuluar brenda zonës dhe ëndrra për fitore kthehet në zgjëndërr. Ka vetëm barazim, edhe pse luajmë me treqendërmbrojtës pas nxjerrjes së Salihit dhe zëvëndësimin e tij më mbrojtësin Osmani. Pjesa e dytë s’ishte si e para, skuadra e ndjeu lodhjen,madje dukej e sfilitur

***

Valdet Rama ka qenë protagonist i Kombëtares shqiptare, në barazimin 1:1 ndaj Norvegjisë, në ndeshjen e zhvilluar sonte në stadiumin ‘Qemal Stafa’, e vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2014.

Mesfushori kosovar ndihet i lumtur për golin, por e zhgënjen rezultati, pasi që Kuqezinjtë po udhëhiqnin deri në minutat e fundit dhe ishin shumë afër një fitoreje mjaft të merituar.

“Kemi bërë një lojë të mirë, kemi qenë 1:0 deri në fund. Kemi pasur raste të shkonim në 2:0, por fatkeqësisht e morëm golin në fund”, deklaroi Rama pas ndeshjes së dytë të tij me Kombëtaren.

“Normalisht, për mua është një ndjenjë shumë e mirë që shënova gol, kështu që do ndihej çdo lojtar. Por, një fitore eventuale do të më sillte ndjenja shumë më të bukura. Jam shumë i kënaqur që e ndihmova skuadrën me këtë gol”, vazhdoi futbollisti i Real Valladolidit.

Pas gjashtë xhirosh të zhvilluara, Shqipëria gjendet në pozitën e dytë me 10 pikë të grumbulluara, një më pak se kryesuesi Zvicra. Rama beson ende në kualifikim.

“Jemi në vendin e dytë, e cila është një pozitë shumë e mirë për momentin. I kemi edhe ndeshjet tjera, do të luftojmë, duhet ta japim maksimumin dhe duhet të besojmë deri në fund”, përfundoi Rama, i cili ia kushtoi golin djalit të xhaxhait të tij.

De Biasi: Është për të ardhur keq, humbëm dy pikë

 

Gianni De Biasi ndihet keq që Kombëtarja shqiptare e pësoi një gol që mund të evitohej në fund të ndeshjes me Norvegjisë, me të cilën barazoi 1:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.

Kuqezinjtë udhëhoqën deri në fund të takimit, kur e pësuan një gol, i cili ia mohoi dy pikë.

“Është për keqardhje, pasi mund të fitonim me rastet që patëm, një të pastër në pjesën e parë dhe një në të dytën me Salihin. Ju krijuam probleme atyre, ne po rritemi. Mendoj se ne humbëm dy pikë, me atë që e dhamë në fushë”, deklaroi trajneri italian pas ndeshjes.

“Megjithatë, besoj që skuadra bëri ndeshje të mirë, dha gjithçka që kishte. E vetmja e keqe është që luajtëm në qershor, në fund të sezonit, ndërsa ata ishin më të freskët, sepse e kanë nisur sezonin para katër muajsh. Përgjithësisht jam i kënaqur me paraqitjen”, vazhdoi De Biasi, i cili tha se në pjesën e dytë ekipi i tij pati një rënie, me ç’rast e pagoi këtë në fund.

Ai e përmendi faktin se Shqipëria e ka pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet e fundit, fakt të cilin e vlerësoi lartë, ndërsa shpreson që edhe në ndeshjet e ardhshme Kuqezinjtë të pësojnë pak gola.

Ai beson se Shqipëria ka të ardhme të ndritshme, pasi ka grup të lojtarëve të talentuar, të cilët sipas tij mund të rriten dhe mund të japin gëzime edhe më të mëdha në të ardhmen për vendin.

Ai ndihet mjaft i kënaqur me lojtarët që zbritën në fushë, duke i zëvendësuar mungesat, por e shqetëson vetëm forma fizike, e cila ndikoi në këtë rezultat.

 

***

Kuqezinjtë kanë qenë në avantazh deri në minutën 87, por një pakujdesi në mbrojtje lejoi lojtarin më shtatshkurtër të norvegjezëve të shënonte me kokë golin e barazimit 1-1.

Kombëtarja jonë kaloi në avantazh në fund të pjesës së parë (41’) me autor Valdet Ramën, i cili depërtoi nga krahu i majtë dhe goditi me të djathtën brenda zonës, duke mposhtur portierin norvegjez. Në pjesën e dytë, kombëtarja u mbrojt shumë mirë dhe kur dukej se gjithçka do të përfundonte me fitore, Norvegjia arrin të barazojë, duke shfrytëzuar pikën e saj më të fortë: goditjet standarde. Por, nuk ishte asnjëri nga shtatlartët lojtari që na ndëshkoi, por ai më shtatshkurti i ekipit, Tomas Hogli. Krosimi i Henrikssen nga këndi gjeti pikërisht numrin 2 të Norvegjisë, i cili gjendej krejtësisht i vetëm në qendër të zonës dhe me kokë mposhti Ertrit Berishën.

Jemi sërish në vendin e dytë. Shqipëria, ngjitet në kuotën e 10 pikëve në grupin E të eliminatoreve të Botërorit “Brazil 2014”, duke mbajtur vendin e dytë, pasi Islanda u mund brenda në shtëpi nga Sllovenia me rezultatin 2-4. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq për mënyrën se si erdhi ndëshkimi në minutën e 86-të, kur një mbrojtës shtatshkurtër norvegjez, i dalë në ndihmë të skuadrës së vet, shfrytëzon hezitimin e mbrojtjes sonë dhe barazon shifrat. Një ndëshkim që na kujton kohët e vjetra në fakt, kur e pësonim në fund. Megjithatë, barazimi nuk i mbyll rrugët e Shqipërisë për Botërorin 2014, teksa e sheh veten në kuotën e 10 pikëve, një më pak se Zvicra e kreut të grupit tonë. Natyrisht, pjesa e mbetur e garës do të jetë tepër e vështirë për vetë faktin, se do të luajmë tri ndeshje në transfertë dhe një të tillë në shtëpi. Tej asaj që u zhvillua në kuadratin e blertë mes dy skuadrave ndërkombëtare “Qemal Stafa” kishte marrë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë kufijve. Përveç atyre 17 mijë tifozëve që kishin siguruar një biletë dhe patën fatin ta përcillnin këtë kualifikuese “live” nga shkallët e stadiumit, miliona të tjerë mbajtën frymën para ekraneve televizivë. Ishte momenti i së vërtetës, një sfidë kyçe dhe tepër përcaktuese për këtë fushatë kualifikuesesh të kuqezinjve tanë.

Stadiumi “Qemal Stafa”, aty ku u luajt ndeshja Shqipëri-Norvegji, ka marrë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë kufijve. Përveç atyre 19 mijë tifozëve që kanë siguruar një biletë dhe kanë fatin ta përcjellin këtë kualifikuese “live” nga shkallët e stadiumit, miliona të tjerë mbajnë frymën para ekraneve televizivë. Eshtë momenti i së vërtetës, një sfidë kyçe dhe tepër përcaktuese për këtë fushatë kualifikuese të kuqezinjve tanë. Një fitore ndaj Norvegjisë do të thotë një hap tjetër i madh drejt përmbushjes së ëndrrës së madhe, shkuarjes në finalet e Botërorit 2014, ndaj entuziazmi i tifozëve është i madh dhe i justifikueshëm. Të pranishëm në tribunën VIP është edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

 

Filed Under: Sport Tagged With: dalip greca, endrra vazhdon, Shqiperi-Norvegji, vetem barazim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT