• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE TABORRIN E PARE TE SHQIPTARIZMES

December 11, 2012 by dgreca

Me 11 dhjetor 1947, 65 vite të shkuara,  u nda nga jeta Vasil Pani, ish kryetar dhe arkëtar i Vatrës, ish luftëtar i çetës së Themistokli Gërmenjit. Imzot Noli qe shprehur se ” Vasil Pani ishte në Taborrin e parë të shqiptarizmës”/

 NGA DALIP GRECA/

 Vatranëve nuk u besohej se lajmi ishte i vërtetë atë mëngjes dhjetori të vitit 1947. Ishte ditë e enjte, 11 dhjetor. Lajmi u përhap me shpejtësinë e erës së ftohtë që përplaste flokë dëbore aty buzë oqeanit Atlantik. Kush nuk e njihte Vasil Panin, që ishte rritur bashkë me Vatrën e më pas  qe bërë një ndër ata që e mbajtën gjallë Federatën. Fatkeqsisht lajmi ishte i vërtetë. Si çdo ditë tjetër atë ditë dimri të acartë që kishte ardhe me borë e erë  të  fortë , Vasili kishte shkuar në restorantin e tij, por jeta u këput sapo hapi derën…

        Lajmin e mësoi i pari dr. Andrea Elia, një nga miqtë më të ngushtë të Vasilit. Editori i atëhershëm i Diellit, Qerim Panariti, pat rrëfyer se” Sipas Zakonit që kishim pasur pesë vjetët e fundit, çdo mëngjes fjaloseshim me Vasilin në telefon.Të enjten në mëngjes bëmë telefon por s’na u përgjigj zëri i Vasilit të shkretë. Na u përgjigj Dr. Andrea Elia, një nga miqët më të ngushtë të Vasilit, dhe me një zë të ngashëruar, e lot në sy na dha mandatën…”

     Panariti ka shkruar se Vasili, çdo mbrëmje, pasi mbyllte restorantin, e kishte bërë zakon, që të shkonte në zyrën e Vatrës pothuajse çdo të mërkurë që të shihte Diellin, gazetën e Vatrës. Këtë zakon nuk e prishi as një natë para se të ndërronte jetë. Të mërkurën e 10 dhjetorit ai ishte në zyrën e Vatrës dhe kishin biseduar gjatë.

          Po ç’kishte ndodhur mëngjesin e 11 dhjetorit? Vasil Pani si çdo mëngjes atë të enjte kishte shkuar dhe kishte hapur restorantin e tij. Shkoi, hapi derën dhe pa pritur ra dhe zemra i ndaloi. Natyrisht që kishte pësuar një sulm në zemër. Sulmi qe vdekjeprurës.

         Në faqen e parë të Diellit nr 5804, 17 dhjetor 1947, botohej lajmi i vdekjes , ndërsa përbri lajmit, në të majtë, një shkrim përkujtimor për 5 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, mikut më të ngushtë të Vasilit. Në shkrimin përkujtimor  hiqet një paralele mes Faik Konicës dhe mikut të tij, të cilët i kishte bashkuar lufta për Shqipëri.

  AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!

  Në Diellin e 17 dhjetorit 1947 botohej edhe editoriali ”Vajtojmë Vasil Panin”.  Esseja elegjiake është një perlë e vërtetë që pikon dhimbje për njeriun e mirë, për vatranin besnik, që vuri gjithçka në shërbim të Atdheut. Panariti  na krijon një drithërimë në shtat tek shkruan: Ah, ç’na le, o miku ynë/ Preve gojën, mbylle synë! Këto radhë po shkruhen ditën që dha shpirt Vasil Pani, ditën e enjte, 11 dhjetor  1947. Duart s’na punojnë të shkruajmë, zemra jonë ndodhet në trupin e ftohtë të Vasilit. Trupi na dridhet dhe lotët s’na pushojnë, pasi Vasil Pani, shoku ynë besnik, patrioti, luftëtari heroik i Kombit shqiptar, vatrani ynë i paçmuar, s’është më me neve…”(Me shume lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: 65 vjet, dalip greca, e Josif Panit, nga vdekja

KOSOVA, QENDËR E LËVIZJES SONË KOMBËTARE

December 11, 2012 by dgreca

Libri ”KOSOVA”, një vepër e rëndësishme për historinë e Kosovës/

Në organizim të Federatës Panshqiptare “Vatra” në New York, ne fillim te dhjetorit u promovua libri “Kosova” (tri vëllime) i shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi. Këtë vepër e botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” në Hoston të Texas-it.
Pas fjalës përshëndetëse të biznesmenit dhe përfaqësuesit të Shtëpisë Botuese “Jalifat”, Ramiz Tafilajt, i cili e sponsorizoi botimin e këtij libri, autorin Jusuf Buxhovi, e përshëndeti kryetari i Federatës “Vatra”, Dr. Gjon Buçaj.

“Prezantimi i librit “Kosova” në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, paraqet një ngjarje të rëndësishme kulturore”, tha në fillim të fjalës së tij, Dr. Buçaj. Ai e quajti librin një “kullë të historiografisë shqiptare”, që flet për Kosovën që nga Antika e deri në ditët e sotme. “Me këtë vepër, z. Buxhovi ka hapur një rrugë të pandalshme studimi, nëpër të cilën historiografia jonë duhet të vazhdojë më tutje”, tha ndër të tjera Buçaj, duke e përgëzuar autorin për këtë studim të rëndësishëm për historinë e Kosovës.
Konsulli i Republikës së Kosovës në New York, Bekim Sejdiu, paraqitjen e veprës së Buxhovit në New York, si dhe në disa qytete të tjera amerikane, e vlerësoi si një nderim për “komunitetin shqiptaro-amerikan, aq të rëndësishëm për qenien tonë shpirtërore dhe shtetërore”, – siç tha ai, – “një komunitet i denjë për t’u nderuar në këtë mënyrë të kaq të veçantë, si me këtë prezantim të sotëm”.
Në këtë promovim të veprës “Kosova” të autorit Jusuf Buxhovi folën Dalip Greca, editor i Gazetës “Dielli”, Idriz Lamaj, ish gazetar i “Zërit të Amerikës”, Frank Shkreli, ish gazetar dhe ish drejtor i Divizionit Evropian të “Zërit të Amerikës” dhe Sinan Kamberaj, ish redaktor i Gazetës “Illyria” në New York.

Dalip Greca tha se Jusuf Buxhovi, krahas suksesit të madh që ka arritur në fushën e letërsisë, duke botuar një varg veprash letrare, siç janë “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, trilogjia “Prapë vdekja”, “Libri i Bllacës” dhe shumë të tjera, ai po lë gjurmë të pashlyeshme edhe në fushën e studimeve historike, si në këtë rast me librin “Kosova”.
“Nga viti 1972 e deri sot Buxhovi botoi rreth dyzet vepra letrare, publicistike e shkencore”, tha Greca. Ai shtoi se me librin “Kosova”, autori hapi rrugë e shtigje të reja në fushën e historiografisë sonë, drejt rishqyrtimeve të domosdoshme, të cilat çojnë kah lirimi nga kthetrat e historiografisë serbomadhe dhe stereotipet ideologjike të shkrimit të historisë sonë. “Në të tri vëllimet e këtij libri, autori nuk e shkëput Kosovën nga koncepti i Shqipërisë së natyrshme. “Në vëllimin e parë të librit “Kosova”, duke gjurmuar burimet nga historiografia botërore, duke u ndalur tek autorët antikë, Buxhovi na çon tek përfundimi se Dardanët janë themelues të Trojës dhe të qytetërimit antik, i cili deri më tash u faturohet tërësisht grekëve, të cilët, po sipas Buxhovit, argumenteve, fakteve e interpretimeve, erdhën shumë vonë dhe përvetësuan gjithë qytetërimin Pellazg, madje edhe shkrimin e tyre. Nën dritën e interpretimit të autorit, edhe Eposi i madh Botëror, “Iliada”, si dhe filozofia antike paraqesin trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve”, tha Greca.
“Kosova” e Buxhovit hap rrugët për një mendim ndryshe, jashtë steriotipeve shumëvjeçare, jashtë kornizave ideologjike, me të cilat ka qenë e mbërthyer deri sot historiografia jonë kombëtare. Përmes fakteve, Buxhovi vërteton se nuk ka pasur shtet serb në Mesjetë, e as Kishë serbe”, tha ai
Greca tha në vazhdim se libri “Kosova” është pritur mirë, por ka shkaktuar edhe e kundërshti. “Reagime shumë të ashpëra kanë ardhë prej andej nga janë pritur: nga Akademia Serbe, ku një këshilltar shkencor i saj, Sllavenko Terziq, e quajti këto ditë “dhunim të fakteve historike dhe të arsyes së shëndoshë”(!) librin e z. Buxhovi, vetem pse ai përfundimisht rrëzoi tezat e historiografisë serbe për Kosovën”, tha ndër të tjera Greca.

Shqiptarët vendosen në qendër të Antikitetit

Studiuesi Idriz Lamaj, duke u përqendruar te pjesa e parë e librit “Kosova” (Antika dhe Mesjeta), vlerësoi se Buxhovi bëri një punë të madhe, duke iu kthyer tezës pellazge, e cila u shfaq dhe u mbrojt nga studiusit shqiptarë dhe shkrimtarët tanë të Rilindjes Kombëtare. Lamaj tha se qëndrimi i Buxhovit rreth lashtësisë pellazge, shqiptarët i kthen në qendër të antikitetit dhe të qytetërimit botëror, ku në të vërtetë ata edhe kanë qenë, por që pa të drejtë janë injoruar nga të tjerët.
“Ky vëllim që kap mbi 500 faqe, i ndarë në dy pjesë: Antika dhe Mesjeta, sjell një informacion të bollshëm për pellazgët dhe pasardhësit e tyre, pra paraqet lashtësinë pellazge nga pikëpamja historike, mitologjike, arkeologjike e gjuhësore, lashtësi këto që arrijnë te Homeri dhe lashtësia e njëmendët pellazge”, tha Lamaj.
Më pas ai prezantoi kronologjikisht periudhat që trajton ky libër që nga pellazgët dhe pasardhësit e tyre; pellazgët dhe dardanët; raportet etnike dardane-ilire; raportet dardane-ilire me grekët, ilirët, epirotët, maqedonët dhe etruskët.
Lamaj prezantoi lëndën që trajton në vijim ky vëllim: Iliriku dhe shfaqja e Bizantit, Krishtërimi në Ilirik dhe Dardani; Dardania dhe Bizanti; Ilirët dhe Bizanti, dhe Ilirët e Dardanët në kuadër të mendësisë së hershme bizantine. Kapitulli i dytë i Mesjetës, rrok këtë problematikë: Arbërit midis Bizantit dhe Perëndimit, Dyndjet sllave dhe thellimi i ndarjeve midis Lindjes dhe Perëndimit, Iliriku dhe bullgarët, nga Themat e deri tek Principatat e para të Arbnit, Arbnit midis Bizantit dhe Perëndimit, Despotati i Epirit dhe Mbretëria e Arbërisë, Agonia e Bizantit dhe Principatat e Arëbërit, Raportet Etnike mes Arbërorëve dhe pushtuesve sllavë gjatë Mesjetës.
Duke iu referuar asaj që kumton autori i këtij libri në përfundim të pjesës së parë mbi Antikën, Lamaj tha se historianët shqiptarë në Tiranë nuk mund të “fshehen” prapa alibisë së shkrimit të historisë së kësaj periudhe nën dogmën dhe trysninë ideologjike. Autorët e “Historisë së popullit shqiptar”, nuk mund të shfajsohen për shkëputjen joshkencore që i bëjnë historise sonë, duke refuzuar të shkohet më tutje, pra tek pellazgët, sipas tezës se gjoja përkatësia ”Ilire”- është “çështje e sigurt, ndërsa ajo pellazge -“e mjegulluar dhe e paqëndrushme”. Ky qëndrim, tha Lamaj, siç e konfirmon Buxhovi, është një sabotim i pafalshëm që i bëhet historisë shqiptare, duke i penguar shqiptarët “të shkojnë” aty ku e kanë vendin, pra në themel të antikitetit, si një faktor kyç i qytetërimit botëror.
Duke iu referuar trajtimit që i bën Buxhovi Kanunit të Lekë Dukagjinit, Lamaj tha se “nuk besoj se vetëdijen kombëtare mund ta ta pasqyronte kush më mirë se trajtimi që Prof. Buxhovi i bën Kanunit të Lekë Dukagjinit në këtë vepër”.
Ja se çfarë shkruanë Buxhovi: ” Kanuni i Lekë Dukagjinit si institucion ligjor dhe moral, si një kushtetutë e brendshme që do të lidhë për vete pjesën më të madhe të Arbërve, atëherë dhe më vonë, nuk ishte diçka e rastit, e aq më pak se mund të ketë pasur punë me “Zakonikun” e Dushanit, por fjala është për një vazhdimësi të Kodit të njohur të Justinianit nga Shekulli i VI, kur ai do të dalë që të kodifikojë ligjet dhe normat me të cilat ishite qeverisur shoqëria iliro-dardane që nga antika e tutje.”
“Buxhovi përmes librit na sjell në kujtesë faktin se që në shekullin e XVII, por veçanërisht në shekullin e XIX u hodh dhe u trajtua teza e lidhjes së pellazgëve me shqiptarët dhe e gjuhës pellazge me gjuhën shqipe, nga studiues shqiptarë e të huaj. Për të treguar lashtësinë e popullit tonë, tezën e prejaradhjes pellazge të shqiptarëve e trajtuan jeronim De Rada, Sami dhe Naim Frashëri, Vaso Pashë Shkodrani dhe Kostandin Kristoforidhi, si dhe Rilindas të tjerë të shquar, dhe e popullarizoi në Evropë albanologu i njohur gjerman Johan George Von Hahn”, tha ndër të tjera studiuesi Lamaj.

Kosova – qendër e Lëvizjes sonë kombëtare

Studiuesi Frank Shkreli tha në fillim se Z. Buxhovin e njihte që nga koha kur intelektualë shqiptarë nga Kosova, të kryesuar nga Dr. Ibrahim Rugova, vinin në Washington t’u flisnin drejtpërdrejt zyrtarëve amerikanë mbi gjenocidin që po bënte regjimi serb në Kosovë, pra mbi shqiptarët e Dardanisë.
Duke folur për vëllimin e dytë të librit “Kosova”, studiuesi Frank Shkreli, pos tjerash, tha se Buxhovi ia doli të hedhë dritë të re mbi Kosovën në kohën e Perandorisë Osmane. Ai vlerësoi se vepra e Buxhovit nga kjo pikëpamje paraqet një kontribut të veçantë historiografik, ngaqë ky autor thyen konvencat e deritanishme bardh-zi rreth kësaj problematike, me të cilat historiografia jonë është plot e përplot dhe që në njëfarë mënyre paraqesin lajthitje të madhe në trajtimin e historisë së Kosovës.
“Interpretimi i Krizës Lindore dhe i rolit të shqiptarëve në të është pasqyrimi më komplet rreth kësaj periudhe, që është paraqitur deri më tash në historiografinë tonë”, tha Shkreli.
Duke e çmuar botimin e kësaj vepre si një dhuratë në kremtimin e 100 vjetorit të Pavarsësisë, Shkreli tha se “pas përpjekjeve dhe lufërave të shumëta, edhe Kosova u çlirua dhe u bë shtet i pavarur”.
“Shteti i Kosovës kishte nevojë për një histori të shkruar, pasi historia e saj, si pjesë përbërse e historisë së kombit shqiptar, duhet patjetër të rivlerësohet, jo sepse një gjë të tillë e kërkon turku, sllavi ose greku, por për arsye se ajo është deformuar dhe keqtrajtuar, jo vetëm, nga këta armiq të kombit, për qëllimet e tyre ekspansioniste, por edhe nga komunizmi shqiptar në bashkpunim me komunizmin ndërkombëtar, për arsyet e tyre ideologjike”, tha Shkreli.
“Vëllimi i dytë i librit “Kosova” trajton periudhën e Perandorisë Osmane, si një prej perandorive që ka zgjatur më shumë se çdo tjetër, ç’prej kohës së antikitetit. Buxhovi në këtë vëllim nënvizon proceset dhe qasjet historike të Perandorisë Osmane në relacion me shqiptarët, si pjesë e historisë së Evropës dhe të botës. Ai përshkruan jetën dhe lëvizjet politike, ushtarake, diplomatikedhe intelektuale të shoqërisë otomane në relacion me shqiptarët dhe anasjelltas, duke u bazuar në dokumentacion arkivash vendesh të ndryshme, e sidomos siç thotë edhe vetë autori, në arkivat e pasura gjermane”, tha Shkreli.
Ai tha se Buxhovi shkruan për çmimin e lartë që kombi shqiptar e ka paguar nën sundimin otoman, si dhe për luftën e tij të për të dalë nga terri i natës së gjatë të pushtuesve otomanë.
“Poenta kryesore në këtë vëllim është se lufta e Arbërit kundër pushtuesve osmanë pasqyron mbijetesën dhe vazhdueshmërinë e “ndjenjave dhe të vetëdijes perëndimore’’, në rezistencën shekullore të shqiptarëve ndaj barbarëve turq e sllavë. Zoti Buxhovi thekson se qëndresa dhe lufta e shqiptarëve gjatë pesë shekujsh okupimi osman, tregon se shqiptarët ishin të gatëshëm që me çdo kusht e mjet, mbi të gjitha, të ruanin identitetin e tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe mënyrën e tyre të jetesës. Lufta dhe rezistenca epike e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, prej një çerek shekulli kundër otomanëve, siç thotë autori, do të shërbente si një frymëzim për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, breza, të cilët edhe pas vdekjes së heroit kombëtar, rezistuan duke iu kundërvënë okupimit osman me aq sa kishin mundësi e fuqi”, tha ndër të tjera Shkreli.
Ai tha se “nacionalizmi dhe ndjenjat e shqiptarizmit kanë lindur dhe janë formuar, duke përdorur mjetet dhe duke shfrytëzuar rrethanat dhe metodat që shqiptarët kishin në dispozicion. “ Nacionalizmi shqiptar, në të vërtetë, sipas Zotit Buxhovi, ka ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimet brenda Perandorisë Osmane, sidomos pas sundimit të Sulltan Hamitit, duke thënë se nacionalizmi shqiptar nxiti madje edhe forcat e shëndosha nacionaliste turke, të cilat do të kishin më vonë ndikime historike në krijimin e një Turqie evropiane ose përendimore”, tha Shkreli.
“Buxhovi nënvizon edhe faktin se revolucioni xhonturk është krijuar, influencuar dhe organizuar nga shqiptarët me 1908 në Ferizaj. Këto zhvillime dhe influenca e shqiptarëve në këtë revolucion të xhonturqve, sipas prof. Buxhovit, e kishin bërë Kosovën qendër me rëndësi të lëvizjeve kombëtare shqiptare, e të cilat më në fund ndihmuan, që 100-vjet më parë, më 1912, të shpallej Pavarësia së Shqipërisë”, tha ai, duke shtuar se “nacionalizmi shqiptar i asaj kohe, sipas Z. Buxhovi, ishte dhe mbetet një trashëgimi lënë brezave të shqiptarëve të Kosovës dhe të përpjekjeve politike të tyre shekullore për shtet-formim, për të siguruar përfundimisht, të drejtat natyrale të kombit shqiptar. Buxhovi thotë gjithashtu se Kosova ishte qendra, e atij që ai e cilëson si “graviteti kombëtar’’, politik e kulturor i shqiptarëve, dhe përmend, natyrisht, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, revolucionin e xhonturqve, si edhe 14 pikat e Hasan Prishtinës – si ide këto dhe një program që i paraprin shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë.

Kosova – një plagë e hapur gjatë një shekulli

Gazetari Sinan Kamberaj referoi për vëllimin e tretë të librit “Kosova”, duke e vlerësuar atë si një kontribut të rëndësishëm për ndriçimin e historisë së Kosovës.
Ai tha se ky vëllim me rreth njëmijë faqe, i ndarë në tri pjesë, kap dhe trajton një hark kohor gati 90 vjeçar të historisë së Kosovës, që nga Konferenca e Londrës (1912-1913) e deri te Konferenca e Rambujesë (1999).
“Konferenca e Londrës, – objekt i kapitullit të parë të këtij libri, si dhe ajo e Parisit, e cila u mbajt disa vjet më vonë, siç dihet, e lanë jashtë shtetit shqiptar Kosovën dhe pjesë të tjera të trojeve shqiptare përreth. Ky vendim i padrejtë për Shqipërinë, siç konstaton autori i librit “Kosova”, hapi një plagë të rëndë që nuk do të mbyllet dhe nuk arriti të mbyllej plotësisht për gati një shekull”, tha Kamberaj.
Ai tha në vazhdim se autori i librit “Kosova” i ka trajtuar hollësisht, në dritën e dokumenteve arkivore, – disa nga të cilat të gjetura vonë, – të gjitha këto zhvillime me pasoja të rënda për shqiptarët, si dhe rrethanat gjeo-politike e ushtarake në Ballkan dhe Evropë, të cilat për fat të keq, nuk ishin në favor të shqiptarëve. Ai shtoi se autori sjell fakte nga burime arkivore, dëshmi të shtypit britanik, gjerman, turk, austriak, si dhe të dhëna nga raportet që u dërgonin qeverive të tyre diplomatët perëndimorë në Ballkan, mbi terrorin që po përjetonin shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e Malit të Zi dhe të Greqisë, pas Konferencës së Parisit.
“Autori i këtij libri, poashtu pasqyron përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve përreth, për t’i rezistuar kësaj dhune, me shpresë se do të korrigjohej padrejtësia, por këto përpjekje nuk gjetën më mbështetje as tek qeveritë shqiptare, në vazhdimësi. Ato, në fakt, binin njëra pas tjetrës dhe “nuk e patën më në agjendë çështjën e Kosovës”, siç thotë autori, duke bërë që Lëvizja e Rezistencës së Kosovës dhe viseve përreth të shuhej me gjak e të shpartallohej nga Serbia”, tha Kamberaj.
Ai tha se edhe periudhat historike në vazhdim ndriçohen mjaft mirë nga autori i librit “Kosova”. Përmes një vështrimi objektiv, autori ka arritur t’i demantojë përfundimisht falsifikimet e historianëve shovinistë serbë lidhur me Kosovën, por edhe të shumë historianëve shqiptarë, të cilët e shkruan historinë e kësaj periudhe nën diktatin e regjimit komunist.
“Nga një lexim i kujdesshëm i këtij vëllimi, mund të konkludohet se Shqipëria nuk arriti ta merrte vetën asnjëherë, – si pasojë të interferimit të Serbisë e të Greqisë, – që nga shpallja e Pavarësisë e këndej. Në saje të vështrimit objektiv të këtyre zhvillimeve, autori i librit “Kosova” ka arritur të pasqyrojë drejt dhe me guxim edhe fajin e vetë protagonistëve shqiptarë, të cilët, që nga shpallja e Pavarësisë zhvilluan një “luftë” të ashpër kundër njëri-tjetrit, duke e defaktorizuar vetëveten, pra duke bërë që agonia shqiptare në përgjithësi, si dhe e Kosovës në veçanti, – si pasojë e këtij konfliktualiteti brendashqiptar, – të zgjasë për gati një shekull”, tha Kamberaj.
Ai shtoi se në pjesën e tretë të librit “Kosova”, autori ka arritur të trajtojë me sukses kompleksitetin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, duke vënë në pah faktorët përcaktues të rrjedhës së zhvillimeve në Kosovë.
“Autori ka hedhur dritë mbi të gjitha proceset politike, diplomatike e ushtarake të faktorit ndërkombëtar, sidomos mbi rolin vendimtar që pati në këtë proces diplomacia amerikane, si dhe ajo evropiane. Këtyre proceseve, siç thotë edhe autori i librit, u dha vulë Konferenca e Rambujesë më 1999, duke i hapur rrugë Aleancës së NATO-s, në ballë me Amerikën, kampionen botërore të lirisë dhe demokracisë, për ta dëbuar ushtarakisht njëherë e përgjithmonë regjimin e Serbisë nga Kosova”, tha Kamberaj.
Ai shtoi se autori ia ka dalë që këto zhvillime t’i parqesë objektivisht, në saje të një pune të madhe hulumtuese, të mbështetur mbi dokumente arkivore, si dhe larg mënyrës së pasqyrimit tradicional të historisë sonë.
Në fund të takimit autori i librit iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve, duke i falënderuar ata për interesimin që shfaqen në këtë promovim.
Promovimin e drejtoi me profesionizëm studentja shqiptare-amerikane, Blerta Mujaj.
Në fund, sponsorizuesi i librit “Kosova”, Ramiz Tafilaj, i njoftoi të pranishmit se libri “Kosova” është në process të botimit edhe në gjuhën angleze.(DIELLI)

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, Josova, Jusuf Buxhovi, Vatra

TURP-ZOT, MBANA GOJEN MBYLLUR, KUR S’KEMI GJE PER TE THENE…

December 10, 2012 by dgreca

Sqarim per lexuesit dhe miqte e mi pas akuzave te sajuara ne kuzhinat e mbetjeve komuniste?/

NGa Dalip Greca/

Te dielen, me 9 dhjetor, u organizua aktiviteti i Shoqates Cameria para Selise se Kombeve te Bashkuara. Pasi une, ne detyren e editorit te Diellit,  bera kroniken dhe e publikova ne on line,  dhashe mendimet e mia si gazetar se perse qe e paefektshme ajo veprimtari dhe pse duhej organizuar me mire.Dhe numerova disa arsye: Ishte e nxituar, nuk u pergatit opinion qe te kishim me shume pjesmarres, ishte e papershtashme koha, 20 minuta para se te perendonte dielli, dhe dite e papershtashme-te dielen askush nuk punon ne Seline e Kombeve te bashkuara dhe kalimtaret ishin shume te paket. Permenda numrin e pjesmarresve; ku sipas vete organizatoreve, nuk ishin me shume se 50 vete. Kjo i ka merakosur shume organizatoret, te cilet bene cmos qe te shmangnin Vatren nga ky organizim dhe perpiqen te fshehin deshtimin e tyre.

Te ishte nje keqkuptim, nuk do ta beja kete shenim, por duke qene se eshte nje inskenim I pshitire allakomuniste, nga pseudointelektuale, qe ne kerkim teidentitetit te tyre te munguar, kerkojne te me bejne pis pse guxova dhe shkrova kroniken e manifestimit cam me nota realiste, me duhet te respektoj miqte e mi dhe t’u tregoj se komentetet jane emocionale dhe shpifese e dashakeqese, te nxitur nga nje nga ato qe sot rreh gjoksin si par excellence, nje theshethemexheshe klasike, qe ka gjete ca vegla te verbera dhe ne kor sajojne, me idene se dicka do te mbese.Tash po e kuptoj pse na qenka ngrite forumi me emer te madh ku kane gjete vend edhe thashethemexhinje e shpifes ordinere. !

Duke e pare veten te sulmuar pse thashe nje te vertete, une perseri I mbetem besnik profesionit, nuk mund te mashtroj. Une mund te shkruaja edhe ndryshe, te shkruaja edhe per fjalimet folklorike qe nuk I sherbyen askujt,  pervec atyre qe I mbajten, te shkruaja qe sheshi gjemonte nga qindra pjesmarres, te shkruaja se ne I tundem grekerit nga vendi etj etj.,..Por keshtu ndergjegja profesionale do te penalizohej brenda meje. Te thuash se tre organizata nuk sollen dot as 50 veta, une mendoj se kjo eshte detyre e gazetarit, mirepo tani gazetare jane beret e gjithe dhe te gjithe te japin mend si te shkruash. Dhe pse thua kete te vertete, te shpallin”Spiun”! Zoti na ruajte nga Spiunet dhe thashethemexhinjet!

Monstruoziteti eshte akuza se une paskam qene spiun! Pika atyre qe sajojne akuza te till ate prodhura ne kuzhina spiunesh.I autorizoj akuzuesit cmirzinje qe te shkojne dhe te hapin arkivat, kurre ne jete time nuk e kam luajte kete rol te peshtire dhe kam urryer dhe vazhdoj t’I urrej spiunet. E keqja eshet se Shqiperia duke moshapour dosjet I kep mundesi spiunit te therrasi:Kapeni Spiunin! Po ashtu I autorizoj ata qe kane sajuar thashethemen me te fundit per mua se jane te lutur te shkojne ne Arkivin e Partise Republikane dhe te shikojne se dy here eshte marre dokumenti I Pastertise se Figures time nga qe kam konkuruar per Deputete per Opoziten dhe Komisionet antispiune vepronin atehere. O mjerane, nuk  mund t’I hapni vend organizatave tuaja duke luftuar vatren dhe editorin e Diellit. Kushdo e kupton kaq. Une e shkrova dhe ne komentet para se te organizohej mitingu, vatra ka 100 vjet qe lufton per camerine dhe nuk e shmang nga rruge as shoqatat qe lindin sot apo neser, asnndonje inatcor cam, qe nuk do te bashkepunoje me vatren. Dhe une kam bindjen se shoqata te reja do te lindin e do te shuhen, por Vatra eshte lis qe nuk rrezohet. E verteton kete qendresa e saj 100 vjecare. Sa kane luftuar panheleniket e Greqise ketu per ta rrezuar kete lis dhe nuk akne mundur! Sa ka luftuar Sigurimi I shtetit per ta percare kete federate, por nuk akne mundur. Po perse po e luftojne pikerisht tani Vatren? Sepse ajo eshte ne rilindje e siper. Po shtohet perdite, po lindin dege et reja dhe sigurimseve ose bijeve te tyre ose hibrideve inatcore, nuk u intereson kjo. Gazeat e Vatres DIELLI, eshet rikthyer ne kohete e saj me te mira dhe bashkepunetor cilesor ne te gjitha trojet kombetare, me perjashtim te disa kandidateve te supozuar per PHD, te cilet vuajne per identitet.

Me vjen keq per miqte e mi cam, per te cilet kam shkruar aq shume, kam investuar, i kam ndjekur ne te gjitha aktivitetet e tyre, por derisa keta qe po i shmangin sot camet nga Vatra dhe Dielli nuk e duan bashkepunimin, u jap fjalen se lufta per ceshtjen came do te vazhdoje edhe pa lejen e tyre. Turp per ata qe aktivizojne llumin e ketij komuniteti per te hedhur gure mbi te verteten dhe per te sajuar thashetheme per te denigruar ata qe nuk u shkojne pas avazit…Me vjen keq edhe per nje gje tjeter, qe atje kishte dhe vatrane dhe me ndonje perjashtim, nuk shkruan nej fjale per t’i pergenjeshtruar ato akuza qe hodhi llumi dhe te tregonte se e everteta ishet ashtu sic e pershkrova une. Ne mbyllje te ketij sqarimi, une do te kerkoja ndihmen e fjaleve te konices-Lutja e Editorit:Zot mbana gojen mbyllur kur s’kemi gje per te thene…! dhe do te shtoja nga veta:Zot, mbana larg llumit qe kerkon te na baltose! Amin!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Mbana Gojen mbyllur, Zot

SHOQATA CAMERIA PROTESTOI PARA SELISE SE KOMBEVE TE BASHKUARA NE NEW YORK

December 9, 2012 by dgreca

Të dielën e 9 dhjetorit në orën 4 pasdite, para Selisë së Kombeve të Bashkuara në 47 Street, Avenuja e parë, në sheshin e njohur per protesta, Dag Hammarskjold Plaza, Shoqata Camëria, me kryetar Endri Merxhushi, organizoi një miting- protestë  në Ditën Ndërkombëtare kundër  Genocidit. Moderatore e veprimtarisë ishte vatrania Nazo Veliu, me origjinë nga Camëria. Në ndihmë të shoqatës Camëria ishte dhe Shoqata e të rinjëve dhe te rejave ”Rrënjët Shqiptare”-Albanian Roots-  dhe “Forumi për Demokraci”. Në mesin pjesmarrësve kishte dhe vatranë.

Drejtuesja e aktivitetit u kërkoi pjesmarrësve që të mbanin një minut heshtje në kujtim të martirëve camë, mbi të cilët veproi pa mëshirë genocidi i përgjakshëm i Zervës. Folësit kërkuan që edhe Qeveria Greke të ndërgjegjësohet dhe ta njohë cështjen Came. Edhe pse duket se Qeveria Greke nuk ka ndërmend që tash për tash ta njohë genocidin e pashembullt të ushtruar ndaj një popullsie të mbrojtur, kerkesa shqiptare duhet te behet me e forte. Edhe pse shtypi grek këto ditë ka aluduar se do të vihet në axhendë cështja came, qeveria e Athines ka përgënjeshtruar shtypin. Ka qenë zëdhënësi i Ministrisë se Jashtme Greke, i cili në fundjavë tha një “JO” të prerë per njohje te ceshtjes came. Gregori Delavekuras, zëdhënësi i Minsitrisë së Jashtme Greke, eshte shprehur se: “Ministri i Jashtëm, Dimitris Avramopulos e bëri të qartë se në Greqi nuk ka asnjë çështje të tillë dhe kushdo që konsideron se ka një problem, mund të drejtohet në gjykatat greke”. Qeveria shqiptare nuk duhet të kërkojë thjesht kthimin e pronave, por  parasëgjithash, të njihet Genocidi, të tjerat zgjidhen zinxhir më pas.

Më pas folës të ndryshëm kanë kërkuar njohjen e genocidit cam dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë Shqiptare, Parlamentit, politikanëve, që të luftojnë realisht për ta zgjidhur cështjen came. Po ashtu u kërkua që deputetët e Parlamentit Shqiptar të votojnë Rezolutën për Camërinë, e iniciuar nga dy deputetët camë, Shëptim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Folësit në radhë ishin: Endri Merxhushi,Ilir Hysa,  Galip Taho(I ardhur posacërisht nga Shqipëria),  Sali Bollati, Zef Balaj, Marko Kepi, Emin Egriu, Valbona Karanxha, Grid Rroji, Uk Lushi, Esat Rizaj dhe Fatos Daci. Rapsodi Tom Gjergji, i veshur me kostum cam, recitoi vargje per camerine, nderkohe qe nga altoporlanti shperndahej pervajshem kenga came” Vaj e mall per Camerine”.

Ne sens kritik mund te vleresohet pjesmarrja, e cila ishte simbolike për protesta të tilla (vetë, organizatorët përdorën në fjalimet e tyre një shifër pjesmarrjeje 50 deri në 60 vete), në fakt edhe koha ishte e papërshtatshme; ora e lajmeruar 4 pasdite,  fillimi i protestes 4 e 20,(ndërkohë që dielli perëndoi në 4 e 29 minuta), po t’i shtosh kësaj edhe qenien mbyllur të zyrave ne Seline e Kombet e Bashkuara, si ditë pushimi,- përfitimi për senisibilizim mbetet i diskutushëm. Koha parapergatitore e njoftimeve ishte e pamjaftushme. Me shume iu dha rendesi faktit se kush e organizonte aktivitetin se sa te percillej njoftime tek komuniteti. Nuk është hera e parë kur ne shqiptarët flasim vetë dhe dëgjojmë po vetë. Ndoshta protokollimi në Selinë e Kombeve të Bashkuara i një Rezolutë të inicuar nga organizatat e Bashkuara Shqiptare me mbështeteje nga personalitete shqiptaro-amerikane të njohura për publikun dhe politikën amerikane, do të kishte më shumë vlerë se sa një miting proteste pa efekte prapaveprues dhe nga personalitete amerikanë.

Korresp i Diellit. (Më gjërësisht do të lexoni në Diellin e printuar)

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, NY, para OKB, proteste, Shoqata Cameria

KULLA NË DECAN QË PRITI DY QEVERITË SHQIPTARE

December 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Atë të premte me shi  të 12 nëntorit, askush , veç grupeve të shoqërimit, kryeministrt Berisha, Presidentes Jahjaga, Kryeministrit të Kosovës Thaçi, e të ftuarëve të tjerë special, nuk e dinte me saktësi destinacionin e karvanit të pafund të makinave, të cilat ecnin në kolonë drejt Kullës së shekullit të XXI, siç është pagëzuar nga media, Kulla e Rrustem Gecaj.

Shtypi trilloi, abuzoi për ngjarjen, u lodh duke hamendësuar, por nuk mundi të depërtonte brenda mureve 75 cm të trashë të Kullës, dhe në ato rrethana duket se hoqi dorë për të mësuar se çfarë kishte ndodhë atë të premte për më shumë se tre orë në Kullën trekatëshe të Llukës së Poshtme.

Duke e parë të filmuar vizitën në zyrën e Rrustem Gecaj në New York, e vështroj me nge’, jo vetëm pamjen e kullës, por të gjithë atë ç’ka ngjau me 12 tetor jashtë dhe brenda Kullës, ku ishin ftuar mysafirë të rëndësishëm.

Pamjet kalojnë në ekran, ku shfaqet me të gjithë madhështinë e saj kulla tre katëshe, me portale harkore në hyrje, me gurë të latuar, ku mjeshtrit gdhendës mundimshëm i kanë lëmuar dhe u kanë dhënë shkëlqim, aq sa dhe ngjyrat, apo rremat që përshkojnë gurët, janë lehtësisht të dallueshme.

Në mjediset e jashtme shfaqen të zotët e shtëpisë që lëvizin përpara Kullës me vështrim nga rruga me ankthin e pritjes. Vonesa shtojnë hamendjet.Kamera i ndjek nga afër.Lexohet  lehtazi një llojë shqetësimi në fytyrat e pritësve, ku ndjenja e gëzimit përzihet me pandehma që ua trazojnë shpirtrat. Ku i dihet? Pse po vonohen? Edhe ky shi, që nuk  u nda që nga mëngjesi! Rrustemi, i shoqëruar nga Rasim Hasanaj hyn dhe del nag kulla. Duket paksa i shqetësuar në fytyrë. Janë dy qeveri që do të bujtin në  kullë! Dy kryeministra dhe presidentja e Kosovës, zv/ kryeminstri, ambasadorë, këshilltarë e deputetë. Ndjenja e përgjegjësisë e ka ngacmuar gjatë trurin e Rrustemit, që bën ecejake në oborrin para kompleksit muzeal, që i bashkëngjitet kullës; ndërkoh që unë vështroj pamjet që më afron ekrani; rrugët të shtruara nga mjeshtrat, dritat e vendosur me estetikë në dritare dhe mure, ndërsa mjediset që shfaqen përballë dhe rrotull Kullës, plot gjelbërim e lule, i japin gjithçkaje pamje turistike, që mund t’i gjesh veç në qytete me civilizim modern.

Ndërsa Rrustemi i shoqëruar nga bashkëshortja, nga nipi Xhaferr, nga djali Avni, dhe një varg i gjatë kushërinjësh e të afërmish, kanë zënë vend jashtë kompleksit për të pritur mysafirët. Duket se e morën një sinjal paraprak se mysafirët janë duke ardhur. Dhe makinat papraprirëse u bien borieve; mysafirët nisin të mbërrijnë. E para zbret nga makina Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga këshilltari i saj, Ramush Tahiri. Pas pak minutash mbërrijnë makinat që sjellin Kryeministrin Hashim Thaçi, zv’kryeminsitrin Hajredin Kuçi, deputetë dhe të ftuar të tjerë VIP.

I fundit mbërrin mysafiri i nderit, kryeministri Berisha me bashkëshorten, ku vargu i makinave të duket i pafund. Rrustem Gecaj e pret krahapur. Të dy burrat përqafohen. Për një çast Berisha, qëndron dhe duke hedhur sytë mbi kullë, shqipton:Mrekulli! Pamja është e rrallë, fantastike. Një kullë mes traditës dhe modernes. Kthehet nga Rrustemi dhe i thotë:- E sheh, e mbajta fjalën.

Më spejgon Rrustemi, ndërsa ndjekim në ekran pamjet e vizitës: -Planin e ndërtimit të Kullës ia kisha  treguar dr. Berishës që para 10 vitesh, gjatë një vizite të tij në SHBA. Ishim për darkë tek vëllezërit Bitiçi. I tregova atëhere se po i hyja një projekti për ndërtimin e Kullës për shkak se pushtuesi serb në luftën e fundit i pati objekt goditje me artileri kullat e Rrafshit të Dukagjinit,veçanërisht ato të Llukës. Nuk i kurseu as nga djegiet pushtuesi serb ato kulla që mbetën. Më shumë se 12 kulla u rrafshuan . Qëllimi ishte që të zhdukte një nga simbolet identike të shqiptarëve autoktonë në trevat e veta. I kërkova dr. Berishës që kur ta përuroja Kullën ta kisha mysafir. Dhe ai e mbajti fjalën…

Vazhdojmë të ndjekim pamjet në ekran; Kryeministri Berisha ka ndalur i befasuar përballë kullës, ka vendosë dorën strehë pranë syve dhe shikon lart, ku madhështia dhe bukuria janë bashkë; dritaret, seç kanë diçka të veçantë në pamje nga jashtë, mes frëngjisë dhe dritares së sotme, ku shkrihet trashëgimia e traditës me artin modern të ndërtimit, ajo porta harkore,  të lë pa mend, ndriçmi, veshja me dru, gjithçka është magjike. Ndërsa Kryeministri kurreshtar për gjithçka pyet për mënyrën se si janë latuar gurët, çfarë teknike kanë përdorur mjeshtrit, si janë ndërtuar  portalet harkore… Rrustemi( Shihet në ekran) tek thërret arkitektin e kullës,Beqir Berisha, i cili spjegon gjithçka, që nga themelet e deri tek mobilimi.     Kjo kullë më e veçanta e rajonit, është ndërtuar  mbi themelet e Kullës 200 vjeçare. Punimet kanë nisur që në vitin 2001, kur u rrafshuan muret e vjetra dhe nisi të hedhë shtat  dalëngadalë Kulla e re, që është pagëzuar si Kulla e Bardhë e shekullit XXI. Kulla është trekatëshe me përdhese, karakteristike për kullat e Rrafshit të Dukagjinit. Gjithçka, brenda dhe jashtë është punuar nga mjeshtra popullor të njohur.

Kamera ndjek lëvizjen e mysafirit të rrallë, kryeministrit shqiptar, i cili pasi vështron Kullën nga jashtë, hyn në mjediset e brendshme, ku e pret dhe i uron mirëseardhjen, Qeveria e Kosovës, Presidentja, Kryeministri, zv/kryeministri, deputetë, ndër ta edhe deputeti Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinaj, për të cilin shtypi abuzoi me shkrime të pasakta për dolli aleancash me kryeminsitrin Thaçi .

Mjediset e brendshme shkëlqejnë. Gjithçka, muret, shkallët janë të veshura me dru. Lart mbi oxhak qëndron Flamuri Kombëtar, pak më tej një fotografi e të zotit të Kullës, rrustem Gecaj me kryeministrin Berisha, pak më tej Heroi i demokracisë Azem Hajdari, pak më tej një tjetër foto…harta e Shqipërisë Etnike, është shenjë se kjo Kullë-Muze, është përgatitur që të presë mysafirë nga të gjitha trojet etnike dhe ajo do të kthehet në një objekt turistik i vizitueshëm. Flamuj shqiptarë dhe amerikanë, i gjenë jo vetëm jashtë po edhe nëpër bedenat e kullës, madje edhe aty në kënd të Odës së burrave…Në dysheme janë shtruar qilima të  punuar bukur nga artizane kuksiane.Është mishëruar aty arti popullor tradicional i artizaneve shqiptare. Asgjë nuk ka kursyer Rrustem Gecaj për ta mobiluar Kullën, brenda dhe jashtë.

I zoti i shtëpisë i fton mysafirët që të zënë vendet, duke ftuar për në krye të odës, Kryeministrin Berisha, por kryeministri shqiptar tregon xhentilensë tekia lëshon qoshen presidentes Jahjaga, e fton atë që të ulet atje dhe më pas ulet vetë, pas tij Kryeministri Thaçi e të tjerët me radhë. Një qerasje sipas traditës me ëmbëlsira e pije. Oda është mbushur plot. Biseda është e ngrohtë. Kryeministri i Shqipërisë duket në humor dhe të gjithë përpiqen që të jenë në vëmendjen e tij. I zoti i kullës përpiqet të jetë i vëmendshëm dhe i kudondodhur ndaj të gjithëve dhe kërkon që asgjë të mos mungojë.

Më pas sofrat tradicionale shtrohen për drekë, ku serviren ushqime të traditës nga Kuzhina shqiptare. Nuk mungon as Flija karakteristike e Kosovës.

Presidentja Jahjaga, me gotën në dorë, ngrihet në këmbë dhe ngre një shëndet për  Kryeministrin Berisha dhe mysafirët e tjerë që e shoqërojnë.Me këtë rast një fjalim i shkurtër i presidents merr duartrokitje.

Më pas të gjithë ngrihen në këmbë dhe kthejnë gotat:Gëzuar! Biseda shkon tek 100 vjetori i Pavarësisë. Festa do të jetë madhështore. Edhe Kosova do të jetë kuq e zi në Ditën e shënuar. Edhe qeveria do të shkojë në Vlorë e Tiranë.

Pas drekës, u vjen radha dhuratave. Një objekt i ambalazhur bukur ofrohet për kryeministrin Berisha. Nën ambalazh qëndron një maket i kullës i punuar në ar, kornizë argjendi, e cila shkëlqen plot ndriçim. Është një punim i kushtueshëm që vezullon në ekran. Përkushtimi është i thjeshtë ”Dr. Sali berishës”. I shkruar bukur.  Kryeministri falenderon, dhe i kujton Rrustemi se planin e kullës e kishte mbajtur prej kohësh në zyrën etij.Ia pat çuar Rasim Hasanaj.

Dr. Berisha falenderon Rrustemin për dhuratën. Pas kësaj, është radha e kameramanëve që të shkrepin aparatet fotografike. Secili prej pjesmarrësve përpiqet që të ketë një kujtim me kryeministrat dhe Presidenten nga ky takim i paharruar.

Në fund, kryeministri Berisha lë një shënim në librin e Kullës, ku shkroi mbresat e tij për vlerat e Kullës, pa harruar që të përmendte edhe bujarinë e të zotëve të Kullës, mikut të tij Rrustem Gecaj.Po ashtu shkruan mbresat edhe Presidentja Jahjaga e Kryeministri Thaci.

Pasi jepet dhe pamja e fundit e filmuar, ajo e përcjelljes të mysafirëve, Rrustemi, kthehet nga unë dhe thotë se ndjehet i gëzuar që ka pasur mysafirë të nderuar në Kullën e tij atë të premte të 12 tetorit. E dija se fjalën që më pat dhënë këtu në Amerikë dr. Berisha do ta mbante.Një ditë do të ishte mysafir në Kullën time. Këtë e kam besuar gjithmonë. Më vjen mirë që kjo viztë erdhi tamam në prag të 100 vjetorit. Me një fjalë, në një  farë mënyre unë e festova 100 vjetorin e Pavarësisë. Madje me presidenten dhe dy kryeministra, thotë ai me të qeshur.

Duke parë pamjet e plota të filmuara si dhe duke dëgjuara spjegimet e Rrustemit, mendoj se asgjë të mistershme nuk pat atë ditë në Kullën Rrustem  Gecaj në Llukën e Poshtme.Kot u lodh shtypi me hamendsime.  Ishte një mbajtje fjale nga kryeministri Berisha, ku rasti e solli që vizita të bëhej në një ditë plot ngjarje festive. Po atë ditë u bë promovimi i Shtatores të Ali Ibër Nezës në Gjakovë dhe në Isniq, i Shtatores të Gjeneralit të Pavarësisë së Shqipërisë, siç e quajti Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, Isa Boletinin, krahun e djathtë të Ismail Qemalit në Vitet e tronditura të Pavarësisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, Kulla ne Decan, Rrustem Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT