• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NDERON FIGURAT QË KONTRIBUAN PËR PAVARËSINË DHE RUAJTJEN E TËRËSISË SË TROJEVE KOMBËTARE

November 5, 2012 by dgreca

Intervistë e Editorit Dalip Greca me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj, pas udhëtimit në trojet amtare në nderim të heronjëve që kanë luftuar për Komb/

Siç ka njoftuar gazeta Dielli përmes publikimit të përditshëm në on line, kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj vizitoi në javën e parë të tetorit trojet amtare. Kjo vizitë e tij nisi në Mitrovicë, ku ai vizitoi Kullën e kreshnikut të Maleve Isa Boletini, një prej heronjëve më të zëshëm të Kombit Shqiptar, Gjenerali i Pavarësisë, simboli i bashkimit Kombëtar, eshtrat e të cilit ende presin të rivarrosen. Kryetari i Vatrës shkoi në Prishtinë dhe vizitoi varrin e ish presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku vendosi një kurorë me lule. Po ashtu dr. Buçaj vizitoi varrin e heroit të Kosovës, Adem Jashari dhe martirëve të familjes Jashari, që u flijuan për lirinë e Kosovës. Më pas ai vijoi me një vizitë në Tiranë, ku u takua me ambasadorin amerikan, Arvizu dhe më pas vizitoi edhe të përndjekurit politik të ngujuar në grevën e urisë.

Kryetari i Vatrës ishte edhe në trojet shqiptare në Malin e Zi, ku vizitoi shtëpinë muze të Dedë Gjo Lulit, vendngritjen e Flamurit kuq e zi me 6 prill 1911 në Bratile, Shtëpinë e Artit të Gjelosh Gjokaj në Milesh etj.

Të premten, me 12 tetor , kryetari i Vatrës ishte  i ftuar në promovimin e përmendores kushtuar Ali Ibrës, luftëtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit, sponsorizuar nga vatrani Halit Nezaj dhe bashkvendas të tij. Po atë ditë dr. Buçaj mori pjesë edhe në promovimin e shtatores së Isa Boletinit në Isniq të Deçanit, ku jetuan të parët e tij. Me 14 tetor dr. Buçaj u kthye në New York. Për më shumë detaje nga kjo vizitë, kryetarit të Vatrës i morëm intervistën e mëposhtme:

 

Dr. Buçaj, si   lindi ideja për të vizituar trojet amtare, Shqipëri, Kosovë dhe Mali i Zi?- Në takimet e   Këshillit Drejtues të Vatrës, nga fillimi i vitit 2011,   flitej rreth aktiviteteve lidhun me 100 vjetori e themelimit   të Vatrës dhe të shpalljes së Pavarësisë, sidomos për nevojën që të   përkujtohen dhe të nderohen figurat që kontribuen për pavarësinë dhe për   ruejtjen e tanësisë së trojevet tona. U përmend kulla e Isa Boletinit që   gjindet në Veri të Kosovës ku zona e kufinit nuk asht e qetë as e sigurtë,   për shkak të kërcnimeve serbe. Vendi ku asht vra në pabesi, tek Ura e   Ribnicës në Podgoricë, asht i harruem dhe pa kurrfarë sheji, as nji gur për   të kujtue se aty u vra prijsi luftarak i Pavarësisë së Shqipnisë. Nga biseda   të tilla më lindi ideja që të baj nji udhtim gjatë vitit të 100 vjetorit. 

Dr. Buçaj:  Kur shkuat në Tiranë, takimi i parë   ishte me ambasadorin amerikan. Përse vendosët që takimi i parë të ishte me   ambasadorin Arvizu?

 

Së pari shkuem   në Prishtinë, vizituem Kullën e Isa Boletinit, Varrin e ish Presidentit të   Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe memorialin e Jasharajve në Prekaz.  Vendosëm lule në “Nderim e mirënjohje të   përjetshme” nga Vatra.

Mbas tri ditësh   qendrimi në Kosovë, shkuem në Tiranë. Ambasadorit Arvizu i bana nji vizitë   kortezije pët ta përshëndetë dhe për ta falenderue për pjesëmarrjen e tij në   kremtimet e 100 vjetorit të Vatrës në New York në prillin që kaloi. Në   përgjigje pyetjes suej, Ambasadorin Amerikan e takova të parin për respekt,   si përfaqësuesi i atdheut tonë të adaptuem dhe mik i atdheut të origjinës, si   dhe për të përfitue nga njohunia e tij për gjendjen në Shqipni.

 

Vizituat   grevistët e urisë, një vizitë që ka pasë miratime dhe kritika. Në ç’rrethana   e morët vendimin për të vizituar grevistët?

 

Dr. Buçaj:  Vendimi ishte i thjeshtë, tue pasë parasyshë   atë grup ish të përndjekunish që ishin futë në grevë urije, mënyrë kjo   ekstreme për protestë a për kërkesa, çfarëdo qoftë motivi. Për aspektin human   i kishte vizitue edhe Ambasadori Amerikan. Unë u shpreha për vëlerësimin e   jetës së tyne mbi çdo gja tjetër materjale dhe mendimin se ka mënyra tjera   për të kërkue dhe për të protestue. U thashë që të mos e merrnin vizitën time   si mbështetje ose inkurajim të grevës, por si keqardhje për gjendjen në të   cilën gjinden, tue vu jetën në rrezkue. Shpreha solidaritetin tonë për   shtresën e ish të persekutuemëvet për mungesën e integrimit të tyne, për   mungesën e denimit të krimeve dhe të kriminelëve të komunizmit, mungesën e   ligjit të lustraciont, hapjen e dosjeve, etjera. I kuptoj edhe kritikat, që   vijnë nga fakti se janë ba edhe manipulime politike plot hipokrizi.

 

Ishit tek   Kulla e Isa Boletinit. Si erdhi kjo vizitë? Ç’emocione provuat?

 

Dr. Buçaj:  Shkuem nji grup shokësh me dy makina. Kulla   ishte në kufi me nji manastir serb që ishte i rrethuem me mur dhe nxente nji   sipërfaqe toke të gjanë. Asht nji ndër objektet e shumta nepër Kosovë, të   sigurueme si enklava me planin e Ahtisaarit. Kulla ishte rindertue në formën   që ka pasë dhe ishte shëndrrue në muze, me forografina, artefakte dhe objekte   origjinale. Shkolla shqipe ishte pranë oborrit të rrethuem me gurë. Na thanë   se e kishte themelue Isa Boletini. “Po vemë kambët aty ku ka ecë Isa Boletini   para afër nji shekulli”, tha im bir, tue ndije prezencën e atij burri të   madh, trim e humanist. Kosova i kishte ndertue vorrin mermeri atij dhe njerzëve   të vet me të cilët u vra, me mendimin se eshnat e tij do të gjinden dhe nji   ditë do të vorrosen aty me gjamë ilire! Gjatë vitit jubilar të pavarësisë?   Vështirë se mund të reaslizohet, por le të shpresojmë.
Kulla e Gjeneralit të Pavarësisë nuk është vizituar nga udhëheqësit   shqiptarë, mendoni se është normale kjo?

 

Dr. Buçaj:  Nuk jam në dijeni që udhëheqsit shqiptarë ta   kenë vizitue kullën me ceremoni zyrtare ndonji herë, por ajo asht rindërtue   ashtu si ka qenë në origjinal, asht pajisë me objekte e dokumenta dhe asht   nen kujdesin e shtetit. Ka nji orar të përditshëm kur dyert mbahen hapun dhe   dikush pret vizitorët të cilëvet u spjegon mbi kullën, objektet që ruhen aty   dhe mbi Heroin e Rilindjes dhe të Pavarësisë..

 

Mendoni se me   rastin e 100 vjetorit udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet ta thyejnë   akullin e izolimit dhe të shkojnë ta vizitojnë kullën?

 

Dr. Buçaj:  Shpresojmë se me rastin e 100 vjetorit do   t’a vizitojnë dhe do të zhvillojnë ndonji ceremoni të përshtatshme, pa u   tkurrë mos të shqetsohet Serbia.Me 12 tetor u perurue nji monument i tij,   vërtetë i bukur, në Isniq, katund afër Deçanit, ku familja e Isa Boletinit   kanë pasë origjinën, por vizita te Kulla ka nji vlerë dhe nji domethanje të   veçantë. Në Isniq takuem nji mbasardhës të afërt të Gjeneralt të Pavarësisë.

 

Ju ishit edhe në   trojet shqiptare në Mal të Zi. A mund të sillni detaje nga vizita atje?

Dr. Buçaj:  Në Mal të Zi na priti aktivisti intelektual   nga ajo trevë, z. Nikoll Camaj, i cili na shoqnoi në tri vende historike: te   Shpija Muze e Ded Gjo’Lulit në Deçiq, pikërisht aty ku e ka pasë kullën, në   Bratilë, ku me malësorë ngriti flamurin kombëtar me 6 prill 1911, dhe tek Ura   e Ribnicës në Podgoricë, ku asht vra Isa Boletini me bashkudhtarët e vet   luftarë. Te Kulla e Ded Gjo’Lulit takuem nji të ri nga fisi i tij që banonte   aty afër. Ai na ftoi t’i shkonim në shpi, si asht zakoni në malet bujare, por   na kishim takim tjetër. Në rrugë për Podgoricë, u përshëndetëm me piktorin e   njoftun, Gjelosh Gjokaj, n’oborrin e shpisë së tij, ekspozitë/atelie e   përherëshme që ka ndërtue aty për të joshë malësorët të qendrojnë në vend e të   mos i largohen vendlindjes. Kur i treguem se jemi në rrugë për te Ura e   Ribnicës, ku asht vra Isa Boletini, u këthye: “Nikollë, aty nuk ka kurrfarë   shejit, kishte me u dashtë nji pllakë bronxi a ndonji lloj objekti tjetër   perkujtimor….”. “Do të kërkojmë lejen” shtoi Nikolla. M’u duk se  vazhdoi biseda e para nji vjeti e gjysë e   mbledhjes së Vatrës! Ndoshta ky udhtim nuk do të mbetet vetëm si nji shetitje   e thjeshtë turistike.

Vizita juaj u   mbyll me promovimin e Shtatores së Ali Ibër Nezaj në Gjakovë. Diçka më shumë   rreth këtij promovimi?

Dr. Buçaj:  Me 12 tetor 2012 u zbulue monumenti i Ali   Ibër Nezajt në Gjakovë. Promotori kryesor, Halit Nezaj, bashkë me vëllazninë   dhe pasardhësit e këtij luftari historik të Lidhjes së Prizrenit, më kishte   ftue mue dhe vatranë tjerë me marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.   Zbulimi i shtatores u ba nga Kryeministri Sali Berisha, në prezencën e   Presidentes Jahjaga dhe të autoritetevet vendore,  personaliteteve akademikë e shkencore.   Edhepse ditë me shi, pjesëmarrja e publikut ishte e gjanë, gjakovarë e tjerë   të ardhun nga vende të ndryshme të Kosovës, nga Shqipnia dhe nga diaspora.   Mbas perurimit, Nezajt shtruen nji drekë bujare për pjesëmarrësit, të cilët u   argëtuen me muzikë e kangë patriotike, në atmosferë festive dhe në frymë   vëllaznore. Përveç tjerëve ishin prezent edhe skulptori si dhe autori i   monografisë për Ali Ibrën, shkrimtari Hamil Alia.

Kishit shoqërues   në udhëtimin tuaj në trojet amtare?

Dr. Buçaj:  Dr. Buçaj: Po më shoqnuen në udhtim djemtë,   të dy vatranë të degës në Washington, Eduardi dhe Leka. Atje na u bashkuen   Gjon Shiroka,  Blerim Luzha, Sadri   Bajraktari, Jusuf  Telaku, Selim   Krasniqi,  dhe, ne Shqipni, Alban   Mirakaj.

Faleminderit për   intervistën!

Dr. Buçaj:Ishte   kënaqësi që biseduam.

FOTO: Nga takimi me ambasadorin amerikan ne Tirane, Alexander Arvizu

 

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, dr. Gjon Bucaj, e Vatres, Interviste me Kryetarin

RRËFIM PËR NJË VATRAN TE RI DHE FAMILJEN E TIJ

November 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Një vit pasi kisha filluar punën si editor i Diellit, kryetari i Vatrës, njëkohësisht dhe Managing Editor, z. Agim Karagjozi, më sugjeroi:- Duhet të shkruash edhe për vatranët e thjeshtë, ata që nuk u vjen radha të përmenden në kronikat e gazetës, që nuk janë të zgjedhur, por e duan Vatrën. “Përpiqu që të gjesh shembuj në historinë e Vatrës, dje dhe sot”.

Jam duke e bërë këtë kërkim dhe kam gjetur vatranë të thjeshtë që i kanë dhënë shumë Vatrës, edhe pse nuk kishin poste drejtuse, as në qendër e as nëpër degë. Së shpejti me ta do të nis një rubrikë të re në faqet e Diellit.Për ditët e sotme zgjodha një vatran nga Kosova, jo se ka bërë shumë për  Vatrën, madje nuk ka më shumë se dy vjet anëtar, pra është vatran i ri, por jeta dhe aktiviteti i tij më intriguan. Shprehja e Idriz Çelaj se “Hyrjen në Vatër, e kam konsideruar si hyrjen në një vend të shenjtë”, ishte një arsye më shumë për ta bërë objekt të këtij shkrimi.

Idriz Çelaj iu përgjigj thirrjes së Vatrës për t’u bërë pjesë e saj, pa hezitim. Edhe kur vjen në Vatër, nuk ndjehet. Kur i japin ndonjë detyrë bën ç’mund për ta kryer, kur nuk e thërrasin, nuk shfaq shenja”mbetje qejfi”.  Kur i thamë në prag të 100 vjetorit të Vatrës se a mund të gjente dhjetë veta për të plotësuar një tavolinë, ai nuk tregoi entuziazëm, por  të nesërmen, telefonoi dhe solli 2500 dollarë. Po i fus vetë nga xhepi, jo se jam i pasur, po e dua Vatrën. Po nuk gjeta, do ta plotësoj me familjen time!

Kur iu kërkua që të mund të ndihmonte në aktivitetin për promovimin e librave të Prof. Nusret Pllanës nga Vatra, ai vetëm kërkoi se çfarë mund të bënte. Dhe ditën e organizimit erdhi me gjithë makinë tek Vatra dhe ndihmoi pa u kursyer. Kontributi që dha gjatë aktivitetit ishte i dobishëm.

Idriz Çelaj është i dashuruar pas poezisë që në fëmijëri. Ai më tregon se poezinë e parë e shkroi kur ishte në klasën e gjashtë. Ishte një poezi kushtuar mësuesit.Ai kujton takimet me poetin kombëtar Azem Shkreli, i cili duke ia vlerësuar poezitë, i dha kurajo. Kujton Idrizi: Kisha botuar një poezi. Azem Shkreli më tha: Me këtë varg tëndin mund të bëj një poemë të tërë. Vazhdo e shkruaj! Në Kosovë ka qenë anëtar i Kryesisë së Shoqatës së letrarëve të rinj, kryetar për degën e Pejës.Në fund të vitetve ’70 ka botuar në revistën “Pena” në Austri, Illyria, Bota e Re, Zëri i Rinisë, dhe ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i  revistës “Koha” në Mal të Zi.

Kur Idriz Çelaj botoi vëllimin me poezi “Për Ty dhe Arbanën”, Dielli shkroi pak rreshta prezantuse, por Idrizi nuk u zemrua. Megjithatë ai më falenderoi për ato pak rreshta prezantuse. Në fakt  vëllimi poetik i Idrizit (I shoqëruar me grafika të Ramiz Mujës) shquhet për frymën lirike dhe tonet epike të rrëfimit. Në 35 poezitë e librit ai ka derdhur metaforikisht shpirtin poetik.Poezia e tij përcjell ndjesinë e spërkatjes së vargjeve me aromë vendlindjeje, me epizmin e bjeshkëve, me gjakun e trimave që sollën lirinë e Kosovës. Idrizit i pëlqen që të shkruaj edhe për dashurinë, edhe për  historinë, edhe për simbolet kombëtare, si : Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Fan S Noli, Faik Konica etj.

Ende i kam në kujtesë vargjet e poezisë së tij”Nëse vdes”:  Nëse vdes/ Para Festës së Madhe,/ Kokën,/ Ma ktheni kah Shqipëria,/ Zemrën,/ Ia paça falë Kosovës/ Këngën/ Këndojeni për trojet Shqiptare…

 

    KREANARI  PËR TRASHËGIMINË HISTORIKE

 

Idriz Çelaj ndjehet krenar për paraardhësit e tij. Familja e madhe e tij ka lënë gjurmë në historinë për  liri dhe të drejta Kombëtare. Babai i tij, Binaku dhe xhaxhai Qerim, ishin pjesë të çetës së Zhuk Haxhisë, gjyshit të Idrizit. Janë të njohura trimëritë e  Zhuk Haxhisë që në kohën e mbrojtjes të Plavë e Gucisë , nga ushtria serbomalazeze. Në  fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar, popullsisë së kësaj treve i ishte zgjuar shpresa për t’u ribashkuar me trojet amtare. Prijësit e Rugovës dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për vëllezërit e tyre të gjakut dhe gjuhës, të Plavës e Gucisë. Ndër luftëtarët e asaj kohe, kronikat përmendin: Zhuk Haxhia, Sak Faslia, Sylë Mehmeti, Ker Sadria, Sali Rama, Bek Rexhepi, Haxhi Mustafa, Tahir Coli e të tjerë.

Zhuk Haxhia i takonte familjes atdhetare të Çel Shabanit, ish komandant gjatë Lidhjes së Prizrenit ( I dekoruar nga Presidenti Sali Berisha më 1993). Trimëritë e kësaj familje nisnin që në fillim të shekullit të shkuar, ku i biri Çelë Shabanit, Haxhi Çela ishte udhëheqës dhe luftëtar i  njohur Rugovas, që u dallua në betejën e zhvilluar në Majën e Lanit kundër malazezëve. Zhuk Haxhia sa rroku pushkën në dorë nuk e lëshoi deri në vdekje. Ai ishte pjesë e luftës së Beranit më 1911,ndërsa më 1912 është pjesmarrës në Luftën e Moknës. Nga vitet 1918-1924 është njëri ndër luftëtarët  më të spikatur të Rugovës. Më 1941 Zhuk Haxhia  me çetën e vet luftoi për mbrojtjen e kufijëve etnikë dhe u printe vullnetarëve rugovas.   Ai nuk i uli armët gjatë viteve 1941-45. Çeta e tij kishte në përbërje trima të njohur të Kosovës; Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Jashar Haxha, Hys Selimi, Riza Zymeri e të tjerë. Me çetën e tij, Zhuk Haxhia në bashkëpunim me Isuf  Bajraktarin dhe Haxhë Mustafën e mbrojtën  vijën kufitare prej Moknave deri në Qafë të Çakorrit. Luftimet i vazhduan edhe në vitin 1946. Pushteti komunist e dënoi Zhuk Haxhinë me vdekje, dënim që më pas iu kthye 20 vite burgim i rëndë. Në burg përfundoi edhe Babai i Idrizit, Binaku e axha Qerim, të cilët kaluan kufirin dhe shkuan në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje, por regjimi i Enver Hoxhës, i ktheu sërish tek Tito. Përfunduan në burg të Gjilanit.

Një peng e ka Idriz Çelaj; Kullat e Zhuk Haxhisë dhe e Çel Shabanit, dëshmi të hsitorisë, të rrafshuara nga dy luftra, kanë mbetur të rrënuara në themele. Vetë Idrizi nuk ka mundësi financiare, ndoshta shteti i ri Kosovës duhet ta ndjejë për obligim, që ato kulla duhet të ringrihen dhe të dëshmojnë, ndërsa eshtrat e Çelë Shabanit kanë mbetur në Plavë, atje ku dhe u martirizua në emër të lirisë së trojeve. Edhe kjo mbetet detyrë e shtetit, por edhe shqiptarët e asaj treve ia kanë borxh Çelë Shabanit.

 

        KOHË TË VËSHTIRA NË KOSOVËN E OKUPUAR

 

Idrizi e ka prejardhjen nga një familje kelmendase e zbritur nga Mbishkodra në Rugovë. Ai ndjehet krnar për trashëgiminë historike të të parëve të vet. Më i përmenduri i fisit është Çel Shabani, një ndër komandanët e luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i njohur  për  trimëritë e treguara ndër luftimet për liri, ku shquan heroizmi i tij në luftë e Nokshiqit. Çel Shabani dhe i biri, Sokol Çela, janë  personazhe të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta”, ndërkohë që Çel Shabani është personazh edhe në romanin historik të Sulejman Krasniqit.

Vetë Idrizi ndjehet krenar që ka trashëguar nga të parët e vet kontribute atdhetarie. Ai studioi në Universitetin e Prishtinës , fakulteti Filozofik, dega Gjuhë-Letërsi, por kushtet e vështira në Kosovën e okupuar ia vështirësuan ushtrimin e  profesionit. Gjatë kohës së mbylljes së shkollave, hapjes së tyre nëpër shtëpi, për disa kohë ai ishte mësues vullnetar. Demonstratat e ’81-shit e patën gjetë student. Ishte kryetar i konviktit të Letërsisë me 500 studentë dhe u tregua tepër aktiv në demonstrata. “Nëse nuk u burgosa, merita s’ishte e imja, por e ish të burgosurit politik Xun Çeta, i cili nuk dekonspiroi emrat e organizatorëve. Idrizi kujton se me çarçafët e konviktorëve u shkruan parullat për liri e Kosova Republikë.

Aktiviteti politik i tij ra në sy të autoriteve të cilët më shumë se dhjetë herë e thirrën në biseda informative në rajonet e policisë. Në bisedat informative ai pyetej për aktivitetin politik, aktivitetin kulturor,  dhe atë pedagogjik. Merita e përballimit të dhunës psikologjike, ai thotë se i takon Avokat  Bajram Kelmendit, i cili e kishte udhëzuar se si duhej të tregohej i pa përkulur në seancat e bisedave informative.

Aktiviteti politik i Idizit në kohët e vështira të Kosovës së okupuar ishte dinamik. Ai ishte themelues i degës së LDK-së në fshatin Arbanë (ish Lutogllavë). Më pas me ftesën e Mark Krasniqit ndihmoi në zgjerimin e Partisë Shqiptare Demokristiane. Idizi ishte kryetar i degës për zonën me qendër në Tërstënik(Sot Trefish), dega më e madhe në Kosovë. Ishte edhe kandidat për deputet i asaj Partie.

Duke përfituar nga përvoja e të parëve, Idrizi ka qenë pjesë e komisoneve lokale për pajtimin e  gjaqeve. Ai ishte pjesë në pajtimin më të madh të gjaqeve që është bërë Te Verrat e Llukës , ku merrnin pjesë personalitete si: Anton Çeta, Zekria Cana, Mark Krasniqi, Avdi Kelmendi, Bajram Kelmendi, Flamur Gashi, Have Shala, Myrvete Dreshaj, e të tjerë. “

Idrizi shquhet për urtësi. “E kemi amanet nga Çel Shabani, që të mos krijonim konflikte mes shqiptarëve sepse pushka s’na shkon ndër shqiptarë, por vetëm ndaj shkjaut që na kishte zaptue vatrat. Shpesh herë këtë porosi ma ka përcjellë gjyshi, Zhuk Haxhia”,thotë ai.

 

                  DASHURIA PËR ARTIN E SKENËS

 

Idriz Çelaj është i dashuruar pas artit të skenës, veçanërisht pas dramës. Ai ruan në arkivin familjar shumë gazeta dhe revista, ku shkruhet për sukseset që ka arritur me trupat amatore të Pejës. Është i pasionuar pas regjisurës. Me trupën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Pejës, u nderua me çmim në olimpiadën “ Presheva ‘94”. Drama me regji të Idiz Çelaj dhe dy aktorët më të mirë të asaj trupe, Rudina  Xhara e Hysne Zeqaj, fituan çmime. Me ansamblin ’Ndrekë Luca” , regjisori i pasionuar Idriz Çelaj mori vendin e parë  me  komedinë e Kristo Floqit ”Burri-Burrë”. Në atë festival u shpërblyen katër aktorë të kësaj trupe, ku veçon Kushtrim Sheremeti, një aktor aktiv edhe sot. Meritën për zbulimin e tij e ka Idriz Çelaj.Shtypi e veçoi këtë shfaqje për nivelin e lartë të interpretimit.

Sukses tjetër arriti regjisori Çelaj në festivalin e  organizuar për nder të poetit kombëtar “At Gjergj Fishta” me dramën “Takimi i orës 9” të Ernest Koliqit. Aktorët amatorë dhanë një shfaqje të përkryer. Avni Kelmendi luante rolin e Luigj Gurakuqit, Agim Desku; rolin e avokatit arbëresh  Kostandin Stresto,  Mevlude Gjuka  në rolin e Rinës, profesoreshës së matematikës,  Rudinë Xhara  interpretoi rolin e Serafinës, motra e Rinës, Rejhane Muja luajti në rolin e shërbëtores. Regjisor ishte Idriz Çelaj me asistente Rudina Xhara,  me skenografi të  Afrim Gora dhe Aida Gjinkolli.

“Në Jogodë, kujton ai, morën mirënjohje nga organizatori, Lek Përlleshi.”

Edhe kur mbërriti në SHBA, Idriz Çelaj nuk hoqi dorë nga arti. Ai është rithemelues këtu në New York i Ansamblit artistik ”Rugova”.  Në radhët e ansamblit futi së pari vajzat dhe djalin e tij për të dhënë ai shembullin i pari. Ansambli dha shfaqje me nivel dhe u vlerësua edhe në Festivalin Shqiptar që organizon Qendra Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Idrizi nuk ka hequr dorë nga pasioni për dramën. Ai është duke menduar për një projekt të afërm.

 

 

FËMIJËT, STUDENTË TË SHKËLQYER DHE SPORTISTË TË PASIONUAR

Idizi Çelaj u detyrua nga rrethanat e vështira të  luftës që ta zhvendoste familjen nga Kosova në SHBA. Me bashkëshorten Teutë dhe tre fëmijët, që kishte aso kohe, së bashku me një familje tjetër, u zhvendosën nga Kosova në Ulqin, më pas në Hungari, Zvicër, Argjentinë dhe mbërritën në Miami, që andej në Nju Jork.Një aventurë e gjatë e plot shqetësime. Sapo shkeli në Nju Jork, ia nisi punës. Duhej mbajtur familja, duheshin shkolluar fëmijët. Nuk i përbuzi punët e krahut.Bashkëshortja Teutë, pas kualifikimit filloi infermiere në Jacobi Hospital Center dhe u bë një mbështetje e sigurtë për familjen.

Fëmijët janë të mbarë; shkëlqejnë në mësime dhe janë të pasionuar pas sporteve. Kjo është dhurata më e mirë që ata u bëjnë prindërve të tyre. Idrizi thotë për Diellin se ndjehet krenar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Ky është një gëzim i prekshëm në familjen e tij, si në shumë familje shqiptare këtu në SHBA.

Vajza e madhe, Marigona, studion për mjekësi në Westchester College. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Madje katër provime të Kolegjit i pat dhënë që në gjimnaz. Pasion ka volejbollin. Pasion që e trashëgon nga i ati, Idrizi, i cili ka luajtur volejboll me përfaqësuesen e Universitetit, ku ishte shpallë “tekniku më i mirë i vitit”. Marigona ka dhe një pasion tjetër, gazetarinë. Artikulli i saj, “ A miracle  on Crompond Road “, botuar në Gazetën “The Anchor” në rubrikën ”School & Community”, u vlerësua nga lexuesit. Vajza tjetër, Albertina, është në vitin e  fundit të shkollës së mesme. Edhe ajo shkëlqen në mësime. Mjekësia  është objektivi i saj. Albertina është “Senior Editor” në gazetën “The Anchor”. Emri i saj është shënuar në faqen e parë të gazetës, ndërkohë që në çdo numër, janë botuar artikuj të saj. Në numrin e  fundit, në krye të faqes së dytë, botohet artikulli i Albertinës” Baby, it’s  Cold Outside”, ndërsa në botimin e pranverës pati  botuar artikullin” Watch Where You Throw That”. Shumë artikuj të Albertinës janë vlerësuar nga lexuesit dhe stafi i gazetës.

Vajza tjetër, Heroina (Rina, siç e thërrasin në shkollë), është në ballin e shkollës. Rina  është më rezultativja nga motrat për volejbollin. Shquhet për teknikën e lartë. Vitin e kaluar, skuadra e saj u shpall e dyta në kampionatin e shkollave të mesme. Nisur nga pasioni, teknika që zotëron, vullneti në stërvitje dhe shpirti i garës gjatë lojës, ajo është e vetmja që edhe pse nuk e ka moshën, luan me ekipin e të rriturave. Greta, më e vogla e motrave, ka pasion tenisin, ndërsa vëllai i tyre, Ardriti është i pasionuar pas futbollit.

Filed Under: Sociale Tagged With: dalip greca, Idriz Celaj, per nje vatran te ri, rrefim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 132
  • 133
  • 134

Artikujt e fundit

  • PRAPË BIEN KAMBANAT NË KISHËN E CURRJAVE T’ EPËRM
  • Çerçizi…
  • BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
  • Rrugës për sovranitet
  • #SiSot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola
  • Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar
  • Fazli Graiçevci, dëshmori i shkollës shqipe
  • TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE
  • Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë
  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT