• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRKOHË QË NEW YORKU PËRGATITET PËR RIHAPJE, RIKTHEHET SHQETËSIMI PËR FËMIJËT E INFEKTUAR

May 12, 2020 by dgreca

– Zyrtarët shëndetësorë në New York po hetojnë një sindrom të rrallë inflamator që siç dyshohet i ka lidhjet me COVID-19 dhe ka infektuar të paktën 100 fëmijë; u ka marrë jetën tre prej tyre, ndërkohë që po investigohet vdekja edhe e dy fëmijëve të tjerë….

– Guvernatori Cuomo pranoi se ndjehej i shqetësuar nga një valë e dytë e COVID, gjatë rihapjes së shpejtë të ekonomisë, kur virusi mund të ringrejë përsëri kokën. Kujdes, tha ai, mbylleni valvulën në kohë, që të mos rrëshqasim atje ku ishim!

Përgatiti: Dalip Greca

         Ndërkohë që Shteti i New York-ut po përgatitet që të hapë ngadalë valvulën e rifillimit të ekonomisë, duke rritur kujdesin me masa mbrojtëse pasi virusi mund të ringrejë krye, guvernatori Andrew Cuomo, të martën me 12 Maj, ka tërhequr vëmendjen për monitorimin e fëmijëve të infektuar, të cilët dyshohet se mund të kenë lidhje më koronavirusin.

      Zyrtarët shëndetësorë po hetojnë një sindrom të rrallë inflamator që siç dyshohet i ka lidhjet me COVID-19 dhe ka infektuar të paktën 100 fëmijë; u ka marrë jetën tre prej tyre.

Tre fëmijët, një vajzë nga Suffolk County dhe dy djem, të moshës 5 dhe 7 vjeç, nga New York City dhe Westchester County, iu nënshtruan gjendjes inflamatore të ngjashme me sëmundjen Kawasaki dhe sindromën toksike shokuese. Sëmundja sulmon enët e gjakut dhe “mund të ndikojë në zemër”, tha Cuomo, gjatë konferencës së tij të Martën.

Guvernatori informoi se edhe dy vdekje të tjera fëmijësh janë nën hetim nga shteti.

“Kjo është një situatë me të vërtetë shqetësuese,” tha Cuomo në konferencën e tij të përditshme për informimin rreth lajmeve të koronavirusit, mbajtur në Universitetin Shtetëror Binghamton. 

Ai komentoi se prindërit kanë të drejtë të brengosen për fatin e fëmijëve të tyre të infektuar, aq më shumë sepse ekspertët e shëndetit fillimisht besuan se fëmijët nuk prekeshin rëndë nga COVID-19, duke shfaqur pak ose aspak simptoma. Guvernatori shfaqi dyshimin se raste të tilla nuk besonte se ekzistojnë vetëm për New York-un, por edhe për shtetet e tjerë:- Nëse e kemi këtë çështje në New York, ndoshta edhe në shtetet e tjera egziston, ose ka të ngjarë të mos jenë diagnostikuar akoma sepse fëmijët e prekur nuk paraqesin simptomat e zakonshme të COVID.

Cuomo urdhëroi spitalet në të gjithë shtetin që të përcaktojnë me përparësi testimin COVID-19 për fëmijët që shfaqin simptoma që mund të tregojnë se ata janë të infektuar me sindromën.

Gjendja e re, e njohur si sindromi inflamator multi-sistem pediatrik, duket se po prek fëmijët kryesisht midis moshës 5 dhe 14 vjeç, tha ai, duke përbërë 57% të rasteve të deritanishme.18% të tjerë janë midis moshës një dhe katër vjeç. Një shumicë e pacientëve të rinj janë testuar pozitivë për COVID-19 ose antitrupa. Disa nuk ishin të vetëdijshëm se kishin COVID-19. Ekspertët besojnë se sindromi është një reagim i sistemit imunitar të trupit pasi lufton sëmundjen.

Prindërit këshillohen nga specialistët e shëndetit që të kërkojnë asistencë mjeksore të menjëhershëm nëse fëmija i tyre ka ethe për më shumë se pesë ditë, dhimbje të forta barku, probleme me frymëmarrjen, ndryshim në ngjyrën e lëkurës si dhe dhimbje në zemër apo gjoks.

         Vetëm New York City ka përjetuar deri tani 52 raste të sindromës së pediatrisë, me 10 të tjerë në pritje të konfirmimit, tha kryebashkiaku Bill de Blasio, gjatë informimit të përdishëm të Martën. Nga këto raste, 25 kishin testuar pozitivisht për koronavirus dhe 22 kishin antitrupa.

Guvernatori Cuomo tha se efekti i dyshuar i koronavirusit tek të miturit, së bashku me treguesit e përgjithshëm të përmirësuar; siç janë shtrimet në spital të pacientëve të rinj nga koronavirusi dhe vdekjet më të pakta, duhet të jenë shtysë për një kujtesë për njujorkezët që të mos e injorojnë rrezikun. Në përgjithësi, shteti i New Yorkut vazhdon të përjetojë ulje të numrit të shtrimeve në spitale, paksim të pacientëve në intubime dhe paksimin e rasteve të reja me COVD-19. Numri i përditshëm i vdekjeve të koronavirusit u raportua të martën në 176, shifër kjo që është shumë larg me ato të ditëve kulmore me mbi 800 vdekje në ditë në fillim dhe përgjatë muajit prill, komentoi guvernatori Cuomo, ndërkohë që ai foli edhe një herë për rajonet që janë gati për rihapjen dhe rajonet e tjerë, që duhet të përmirësojnë standartet. Ai solli si shembull Long Island, që nuk është gati të rihapet, pasi ka përmbushur vetëm pesë nga shtatë kriteret, përfshirë nivelet e shtrimeve në spital, aftësinë e testimit dhe kapacitetin e shtretërve në spitale.

Ndërkohë, në Uashington të Martën, Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive, paralajmëroi fare hapur për pasojat “me të vërtetë serioze” të rrezikshmërisë së virusit, të shtimit të infeksioneve, të shtimit të vuajtjeve, të shtimit të vdekjeve, nëse zyrtarët shtetërorë dhe lokalë, vazhdojnë të heqin me shpejtësi urdhërat e qëndrimit në shtëpi. Ai përmendi edhe faktin se Presidenti Donald Trump po i shtyn qeveritarët lokalë të veprojnë shpejt drejt hapjes së ekonomisë.

Dëshmia e Dr. Fauci para një komiteti të Senatit erdhi pasi shumë shtete kanë filluar të tërheqin urdhërat e mbajtjes mbyllur të shteteve të tyre dhe të vrapojnë drejt rimëkëmbjes ekonomike.

 New York-u që po përgatitet për rihapje graduale, ka ende punë: grupet rajonalë të caktuar nga shteti për të koordinuar përpjekjet e rihapjes do të duhet të monitorojnë të dhënat mbi testimin diagnostik dhe antitrupa, nivelin e shtrimeve në spital dhe nivelin e transmetimit për të vendosur nëse duhet të çojnë përpara përgatitjet ose të tërhiqen nga rihapja.

Guvernatori Cuomo pranoi se ndjehej i shqetësuar nga  një valë e dytë e COVID, gjatë rihapjes së shpejtë të ekonomisë dhe virusi mund të ringrejë përsëri kokën. Kujdes, tha ai, mbylleni valvulën në kohë, që të mos rrëshqasim atje ku ishim!

Kriza e koronavirusit ka dëmtuar ekonominë e shtetit, duke zvogëluar aftësinë e tij për të mbështetur shkollat, spitalet, qeveritë lokale dhe shërbimet kryesore, tha Cuomo.Ai u kërkoi zyrtarëve të zgjedhur në Uashington të aprovonin një paketë financiare të shpëtimit për shtetet më të prekura nga COVID-19.Cuomo kërkoi 61 miliard dollarë ndihmë federale vetëm për New York-un – ose përndryshe, shteti do të duhet të shkurtojë 20 miliardë dollarë nga shkollat, spitalet etj.

“Kjo nuk ka të bëjë me politikën … nëse doni të jeni një udhëheqës efektiv, harroni ngjyrat, të kuqen dhe blunë, tha ai.Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo propozoi të martën një ligj të ri që synon të parandalojë korporatat të marrin fonde të tepërta si rezultat i COVID-19. 

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, Femijet e infektuar

KUR ËSHTË MIRË NEW YORKU, EDHE AMERIKA NDJEHET MIRË

May 11, 2020 by dgreca

  -Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat e këtyre ditëve si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.

  • Tre rajone të shtetit të New York-ut janë gati për të filluar rihapjen të Premten e 15 Majit. Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza.

     -Kryebashkiaku Bill de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapen para qershorit në NYC.

Përgatiti: Dalip Greca

            Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të ndjejnë uljen e agresivitetit të koronavirusit. 

           Sot u regjistruan rreth 3 mijë të infektuar më pak se një ditë më parë, ndërsa numri i viktimave për dy ditë radhazi është nën shifrën 1 mijë, kur jo më larg se 5 ditë të

shkuara shifra ishte mbi 2 mijë. 

        Në fakt peshën më të madhe të infektimeve dhe të vdekjeve i mbanë New Yorku, i cili ka shënuar 347 mijë e 151 të infektuar dhe ka humbur më shumë se 27 mijë jetë, nga 81 mijë e 759, që kanë vdekur në të gjithë shtetet e tjerë në Amerikë. Nëse New Yorku është mirë, edhe Amerika ndjehet mirë.

        Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo të hënën në mesditë bëri thirrje për parapërgatitje për kalimin në një fazë të re të shtetit që ai qeveris. Jemi në një fazë emocionuese, tha ai, duke përmendur faktin se rastet e infektimeve me Koronavirus vazhdojnë e bien ndjeshëm, dhe spitalet janë në normalitet përsa i përket ngarkesës.

Mjafton të ndjekim grafikun e humbjes së jetëve të pacientëve gjatë javës së fundit për të kuptuar ndryshimin e situatës në New York, qendrën e Pandemisë në SHBA: Me 2 maj New York-u regjistroi 299 viktima, me 3 Maj 280, me 4 maj 296, me 5 maj 260, me 6 maj kurba u ngjit në 752 vdekje, me 7 maj 409, me 8 maj 220, me 9 maj 186, me 10 maj 41, ndërsa ditën e sotme, e hënë 11 maj, shteti regjistroi 191 të vdekur. Po t’i krahasojmë këto shifra me ditët e ngarkuara të fundmarsit dhe përgjatë prillit, me më shumë se 1 mijë viktima 24 orëshe, shifrat e tanishme dëshmojnë për një situatë të stabilizuar, e cila është në kontroll të plotë.

Ishte kjo arsyeja përse guvernatori e përshkroi këtë si emocionuese. Ai raportoi në konferencën para gazetarëve të hënën me 11 Maj se Shteti i New i York-ut kishte vetëm 488 raste të konfirmuara të COVID-19 të raportuara gjatë 24 orëve të shkuara, së bashku me 191 vdekje ,që lidhen me sëmundjen e koronavirusit. Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.

        Guvernatori Cuomo gjatë konferencës ditore të së hënës kushtuar COVID-19, tha se tash jemi në anën tjetër të malit. Kjo është një fazë e re emocionuese, të gjithë jemi të shqetësuar për t’u rikthyer në punë, sa më parë, komentoi ai.

      Cuomo shprehu bindjen se disa rajone të Nju Jorkut (ato të pjesës së sipërme të shtetit) që kanë treguar përparim në zbutjen e shpërthimit të koronavirusit janë gati të fillojnë përsëri gradualisht aktivitetin ekonomik deri në fund të javës. 

Duke bërë bilancin e betejës kundër koronavirusin, që 22 Marsi, kohë kur guvernatori i bëri mbyllje hermetike shtetit, që u bë epiqendra e pandemisë për të gjithë Amerikën, tha se njujorkezët ndjehen të çliruar nga ankthi i virusit të panjohur dhe po bëhen gati të nisin fazën e re, atë të rihapjes.

          Ai komentoi se tre rajone në pjesën e sipërme të shtetit kanë përmbushur të gjitha kriteret për hapjen e disa aktiviteteve të biznesit pas 15 majit.

Gjithësesi ai tërhoqi vëmendjen se rajonet e rihapjes ende duhet të përpunojnë logjistikë, për ta patur nën kontroll situatën në rajonin e tyre.

       Guvernatori Cuomo solli në kujtesë ato ç’ka kishte kërkuar javën e kaluar,kur tha se rajonet e shtetit duhet të përgatiten për rihapjen dhe duhet të plotësojnë 7 kushtet, që tashëm janë të njohura si: Vdekjet dhe shtrimet në spital të lidhura me COVID-19 duhej të bien në minimum dhe të ketë stabilitet; të sigurohen mjaft shtretër spitalor për të përmbushur kërkesat, nëse do të ketë infektime të reja nga rihapja, rajonet duhet të përmirësojnë testimin dhe gjurmimin e kontaktit për personat e infektuar, si dhe  duhet të merren masa të forta nga bizneset për të mbrojtur punonjësit gjatë procesit të punës etj.

           Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza. Bizneset e para që mund të hapen do të përfshijnë ndërtimin, prodhimin, shitjen me pakicë, transportin etj..

Guvernatori u bëri një skanim të detajuar rajoneve dhe tregoi se cili prej tyre i ka plotësuar 7 kushtet dhe cili jo. Ai përjashtoi nga hapja e menjëhershme bashkitë e NYC-. Ai tha se New York City dhe Long Island kanë bërë përparime; së pari specifikuan kriteret e rihapjes rajonale, por asnjëri nuk është gati sepse ende nuk i kanë përmbushur disa nga standartet, që përmbanë urdhëri i tij për parapërgatitje për rihapje.

Natyrisht që New Yorku do të veprojë në bashkrendim me shtetet fqinjë, New Jersey dhe Connecticut, për shkak të komunikimit ndërshtetëror me njeri-tjetrin. Së bashku, zona e tre shtetshit, kanë pësuar 39 mijë e 345 viktima nga COVID-19, ndërkohë që po të tre së bashku, kanë deri tani 521 mijë e 986 të infektuar. Natyrisht se këto shifra të larta e kanë burimin edhe në komunikimin mes tyre. Rreziku i ripërhapjes së infeksionit është me rrisk të madh. 

       Për shtetin e New Yorkut urdhëri i guvernatorit për mbyllje skadon të Premten. Dhe sipas tij, tre rajonet që i plotësojnë kriteret e rihapjes, do të veprojnë drejt rihapjes.             Ndërkohë që Kryebashkiaku de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapet në NYC, para qershorit. Ai e tha këtë qartazi të hënën. 

       Po New Jersey? Shteti që ka deri tani 141 mijë e 70 të infektuar dhe 9 mijë e 332 të vdekur, duket se akoma nuk është plotësisht gati. Edhe Urdhri i mbylljes për New Jersey-n është paravendosur gjithashtu të skadojë në 15 maj; por Guvernatori Phil Murphy thotë se ndoshta do ta shtyjë edhe për pak kohë. Sot, 11 maj 2020, shteti që ai qeveris, kishte  më shumë se 1 mijë të infektuar të rinj, ndërsa numri i viktimave pësoi ulje të ndjeshme, vetëm 70, nga 146 që ishte shifra më 10 maj, 132 me 9 maj, 130 me 8 maj, 269 me 7 maj, 280 me 6 maj, 341 me 5 maj etj.

       Connecticut duket se do ta respektojë rihapjen për zona të caktuara. Tregusit janë më të stabilizuar dhe humbjet e jetëve njerëzore më të pakta: Shteti ka humbur deri tani 3 mijë e 8 jetë njerëzore, ndërsa sot kishte vetëm 41 të vdekur, me 10 maj 35, me 9 maj 35, me 8 maj 77, me 7 maj 79, me 6 maj 85, me 5 maj 77, me 4 maj 61…

      Në fund të kësaj analize: A po  ikën kriza e Pandemisë? Duket se endë është shpejt. Natyrisht nuk mund të ushqehemi me iluzione, ndërkohë që ekspertët thonë se kriza nuk do të mbarojë pa një vaksinë ose trajtim efektiv të virusit. Institucionet kërkimore shkencore, Kompanitë farmaceutike dhe qeveria federale janë duke punuar për të gjetur një vaksinë të shpejtë….Le të shpresojmë se e keqja ka mbetur pas!

Filed Under: Politike Tagged With: analiza, dalip greca, dati per rihapje, Tre raion te NY

FËMIJA 5 VJEÇAR, QË NDËRROI JETË TË ENJTEN NË NY, HAP NJË KAPITULL TË RI NË BETEJËN ME KORONAVIRUSIN

May 8, 2020 by dgreca

-Shqetësim pasi një djal 5-vjeçar nga NYC dhe një 4 vjecar nga New Jersey vdiqën prej komplikimeve që lidhen me COVID-19.

-Deri tani janë 73 pacientë pediatrikë në të gjithë shtetin e NY, të cilët shfaqin simptoma të ngjashme me sëmundjen…

  • Bota kaloi shifrën e 4 milion të infektuar nga COVID-19

Nga Dalip Greca 

Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo paralajmëron me shqetësim hapjen e një kapitulli të ri, krejtësisht të ndryshëm, nga çfarë kemi parë nga beteja e deritanishme në përballjen me Koronavirusin, pasi një djalë 5-vjeçar nga NYC vdiq prej komplikimeve që lidhen me COVID-19.

         Për muaj të tërë, prindërit ishin të qetë dhe po bekonin faktin që Coronavirusi nuk i prekte fëmijët. Por siç duket e vërteta nuk qenka tamam ashtu. Ndoshta ndryshimi i formave të virusit nuk po i kursen fëmijët.Edhe të dhënat zyrtare që u servirën (me vonesë) nga kinezët tregonin se fëmijët nuk prekeshin njësoj si të rriturit ose kur prekeshin nuk shfaqnin simptoma të rënda.

Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo ka paralajmëruar për shenja shqetësuese, të cilat deri tani janë dyshuese, ndoshta jo të vërtetuara plotësisht. 

– Një djalë 5-vjeçar në New York City vdiq të enjten nga komplikimet që lidhen me koronavirusin, tha Cuomo në një konferencë për shtyp të Premten pasdite, me 8 maj 2020. Ai komentoi se departamenti i shëndetit të shtetit po heton “disa raste të tjera që paraqesin rrethana të ngjashme”.

-Ky do të ishte vërtet një lajm i dhimbshëm dhe do të hapte një kapitull tjetër. Ne menduam se fëmijët mund të ishin thjeshtë ndërmejtës trasmetimi  tek të moshuarit, por nuk menduam se fëmijët do të vuanin prej koronavirusit, ka komentuar guvernatori të Premten.

  Besohet se djalit 5-vjeçar, që ndërroi jetë të enjten, vdekja mund t’i ketë ardhë nga komplikime të shkaktuar nga COVID-19. Guvernatori nuk e përmendi emrin fëmijës. Ndërkohë, Departamenti i Shëndetit po studion provat për të arritur në konkluzione nëse koronavirusi mund të shkaktojë sëmundje të rëndë te fëmijët?

Deri tani janë 73 pacientë pediatrikë në të gjithë shtetin, të cilët shfaqin simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki dhe sindromën toksike të shokut, tha Cuomo. 

New York City kishte paralajmëruar të hënën se 15 pacientë midis 2 dhe 15 vjeç ishin shtruar në spitale gjatë tre javëve të fundit me sindromën që lidhej me Covid. Shumica e tyre testuan pozitive për koronavirusin ose kishin teste pozitive antitrupash.

Disa nga fëmijët kishin ethe të vazhdueshme, sindromën e shokut toksik dhe karakteristika të ngjashme me sëmundjen Kawasaki, tha njëri prej këshilltarëve shtetëror për shëndetin.

Sëmundja Kawasaki shkakton inflamacion në muret e arterieve dhe mund të kufizojë rrjedhën e gjakut në zemër. Zakonisht kjo sëmundje është e shërueshme dhe shumica e fëmijëve arrijnë ta kalojnë pa probleme serioze, por mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Kryesisht prek fëmijët nën 5 vjeç.

Specialistët e shëndetit thanë se: Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë ,që zgjat mbi pesë ditë, shoqërohet me skuqje, gjëndra të fryra në qafë, buzë të thata të plasaritura, ënjtje të duarve dhe këmbëve dhe skuqje në të dy sytë. Simptomat të ngjashme me Kawasaki janë shfaqur tek fëmijët edhe në shtete të tjerë. Kështu guvernatori i New Jersey-t, Phil Murphy njoftoi se një fëmijë 4 vjeç humbi jetën nga komlikacione të tilla. Në Seattle janë konstatuar raste të tilla, siç janë raportuar edhe nga Spitali i fëmijëve në Stanford në Kaliforni.

Po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, specialistët e pediatrisë paralajmëruan kohët e fundit se disa fëmijë po sëmureshin nga sindroma e rrallë që mund të lidhej me koronavirusin. Ekspertët e atjeshëm thanë se dhimbja e barkut, simptomat gastrointestinale dhe inflamacioni kardiak, janë të zakonshme në raste të tilla. 

Raste të ngjashme janë raportuar në Itali dhe Spanjë.Duket se një kapitull i ri, po hapet në betejën kundër virusit të mistershëm.

                    *** 

       BOTA, KALON 4 MILION TË INFEKTUAR

Bota vazhdon të jetë e pafuqishme përballë virusit të mistershëm, në pritje të vaksinës, duke shënuar shifrën rekord të të infektuarëve me 4 milion, 9 mijë e 999(gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 95 mijë e 999 të infektuar të rinj), ndërsa numri i viktimave arriti 275 mijë e 934(gjatë së premtes u raportuan 5 mijë e 508 viktima). Shifrat më të larta ditore vazhdon t’i kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Spanja, Italia, Franca, duket se po mbajnë nën kontroll situatën pas kalimit të kulmit të kurbës së Pandemisë. Të tre këto shtete europiane regjsitruan më pak se 250 viktima ditore, ndërsa Gjermania është menaxhusja më e mirë e shteteve europiane me vetëm 7 mijë e 510 viktima nga 170 mijë e 588 të infektuar nga COVID-19.

Britania e Madhe raportoi të premten 626 viktima(duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurëve në 31 mijë e 241 të vdekur), shifër kjo që e lë pas Italinë me 30 mijë e 201 viktima. Kohët e fundit edhe Rusia po e rrit numrin e të infektuarëve me më shumë se 10 mijë të infektuar në ditë, ndërsa ka në kontroll jetët njerëzore- nga 187 mijë e 859 të infektuar, ka vetëm 1 mijë e 723 viktima.

SHBA, 1 MIJË E 649 TË VDEKUR NË 24 ORË

Gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 1 mijë e 649 të vdekur, duke regjistruar në total 78 mijë e 577 të vdekur, ndërkohë që me 28 mijë e 231 të infektuarit e rinjë të raportuar të Premten, numri i përgjithshëm i të infektuarëve shkoi në 1 milionë 320 mijë e 854.

Përveç uljes së numrit të të shtruarëve nëpër spitale, ka dhe dy sinajle pozitive: Është rritur numri i shëruarëve me rreth 222 mijë, ndërsa vijojnë testimet, që deri tash kapin shifrën e 8 milion 573 mijë e 610.

New Yorku me përjashtim të ditës së mërkurë, kur u shënuan 752 viktima, ditët e tjera kanë qenë më optimiste; të enjten 409 të vdekur, ndërsa të premten 220. Shifër që guvernatori Cuomo e komentoi gjatë konferencës për shtyp të Premten pasdite në Poughkeepsie, si dhimbje për jetët e humbura.

Numri i shtrimeve të reja në spitale prej COVID-19 ka qenë i sheshtë gjatë ditëve të kaluara. Ai tha se shpresojmë që të shohim një rënie në ditët e ardhshme.

Ndërsa kurba e shtrimeve në spital dhe të pacienëtve të intubuar, është në rënie, komentoi Cuomo.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Bill de Blasio prezantoi të Premten rregullat e reja të hyrjes në disa parqe të New York City, me qëllim shmangien e turmave.

Udhëzimet e reja u referohen përkatësisht Hudson River Park në Manhattan dhe Domino Park, Williamsburg-Brooklyn, ku ka pasur mbigrumbullime në ditë të ngrohta.

Qyteti do të kufizojë kapacitetet në Piers 45, 46,

 do të rrisë praninë e policisë dhe do të monitorojë nga afër Parkun Domino, sipas kryetarit të bashkisë. Ai tha se do të kufizohet numri i e njerzëve që hyjnë dhe do të kërkohet distancim dhe mbajtja e detyruar e maskave.

Nëdrkohv ka pasë kundërshtime e protesta nga ndërhyrjet e policies,e cila ka arrestuar kundravajtësit. NYPD ka publikuar statistika që tregojnë se 68 përqind të arrestimeve dhe thirrjeve për distancim social kanë përfshirë qytetarët me ngjyrë, 24 përqind hispanikët dhe 7 përqind të bardhët.

                                                ***

…. New Jersey ka shënuar një ulje të ndjeshme kohët e fundit, si për numrin e të infektaurëve ashtu edhe për numrin e viktimave. Guvernatori Phil Murphy njoftoi të premten 1,985 të infektuar të rinj prej COVID-19, duke e çuar numrin në të gjithë shtetin në 136,976. New Jersey kishte gjithashtu 130 vdekje të reja, duke rritur numrin e vdekjeve të shtetit në 8,964. Guvernatori tha që niveli i përhapjes së koronavirusit po ngadalësohet në të gjithë shtetin, dhe që nga e enjtja në mbrëmje, në spitalet e New Jersey ishin 4,605 ​​pacientë COVID-19, ç’ka shënon një ulje prej 1.000 pacientësh nga e Premtja e kaluar.

Për më tepër, numri i pacientëve të raportuar në kujdes kritik ose intensiv dhe përdorimi i ventilatorëve, vazhdojnë të ulen ndjeshëm.

Statistikat e viktimave për shtetet e tjera, që u raportuan gjatë së Premtes: Massachusetts 150 të vdekur(numri i përgjithshëm 4 mijë e 702), Illinois 130 të vdekur( numri i përgjithshëm 3 mijë e 241),California 87 viktima ditore, Pannsylvania 125, Michigani 57, (Shifra e përgjithshme e viktimave 4 mijë e 393), Florida 69, Texasi 39, Connecticut 77, Georgia 51, Louisiana 19, Maryland 57, Indiana 33, Ohio 32, Virginia 43, Arizona 67, Minnesota 26,Missouri 31 etj. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Femija 5 vjeçari, vdiq ne NY

KUJTESA- 30 VJET, NDERIM PËR NIK MRNAÇAJN, NË DITËN E LIRISË SHQIPTARE

May 6, 2020 by dgreca

Karantina e diktuar nga Koronavirusi ka shtyrë shumë veprimtari të Komunitetit shqiptar në SHBA të planifikuara për t’u organizuar në muajin Maj. Një ndër këto veprimtari të përvitshme, ëshët dhe Dita e lIrisë Shqiptare, që organizohej në fillim të majit në përkujtim të Dëshmorit të Demokracisë Nik Mrnaçaj. Dita e Lirisë që organizohet në Kensico Dam Plaza- në Westchester, përfshinë jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal, klerikë, si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.

Joe DioGuardi duke fole per Nik Mrnacaj- 5 Maj 2019.

Sivjet është 30 vjetori i rënies së Nik Mrnaçaj, në pamundësi për ta organizuar si çdo vit në fillim të Majit nga familja e nderuar MRNAÇAJ, Dielli po risjell përkujtimin e organizuar vitin e kaluar me 5 Maj 2019 dhe me këtë rast risjell Kujtesën: I përjetshëm Kujtimi i Nik MRNAÇAJ!

6 Maj 2018- Dom Pjeter Popaj, Marash Mrnaçaj dhe ish kryetari i Vatres Dritan Mishto

Nga Dalip Greca/Dielli

5 Maj 2019….

….Edhe pse e Diela e 5 Majit 2019 ishte një ditë me shi dhe erë të fortë, shqiptarët e Amerikës shkuan masivisht në veprimtarinë e organizuar në Ditën e Lirisë Shqiptare, ditë që i kushtohet, simbolit të demonstrateve antikomuniste në SHBA, Nik Mrnaçaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë, Demokracinë dhe Flamurin shqiptar, mbledh çdo fillim maji, në një ndër parqet më të bukur të New York-ut, në Kensico Dam Plaza- në Westchester, jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.

 Kjo ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e  nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, demonstratat antikomuniste, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për mungesën e lirive dhe të drejtave, për dhunën e përgjakshme që ushtronte shteti komunist shqiptar kundër familjeve nacionaliste,bijtë e bijat e të cilave i burgoste burgjeve të diktaturës komuniste , ndërsa vetë familjet i internonte masivisht në kampet e internimit. Edhe pse familja Mrnaçaj ishte e arratisur nga Shqipëria, pjesa e mbetur në atdhe, u burgos e u internua. Tipik ishte rastii Nikollë Mrnaçaj, i cili u burgos dy herë për dy dekada, ndërsa familja u internua dhe vuajti për vite të tëra kampeve të internimit. I riu nacionalist, antikomunisti Nik Mrnaçaj, i biri i Marash dhe Mri Mrnaçaj,ishte në krye të demonstratave të shqiptarëve të Amerikës, që kërkonin të sensibilizonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mungesën e të drejtave dhe të lirive njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe rrisnin përpjekjet për t’i hequr maskën udhëheqësve komuniste që tentonin të mashtronin perendimin, me anë të Misionit diplomatik në New York. Nik Mrnaçaj humbi jetën pasi kthehej nga demonstrata antikomuniste e organizuar në Detroit me 22 Janar 1990. 

                      ***

 Gazeta DIELLI e ka përcjellë kështu situatën e nxehtë të asaj kohe: Vitin 1990 kishte nisë me demonstrata të shumta në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Dredhat e Ramiz Alisë në Shqipëri dhe urdhërat që përcilleshin në Misionin Shqiptar të Nju Jork-ut i kishin hedhur më shumë benzinë zjarrit.Me 20 Janar ishte zhvilluar një demonstratë e madhe për lirinë dhe demokracinë në Nju Jork. Demonstrata u zhvillua para Misionit të asaj që quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Mijëra njerëz, burra, gra dhe të rinj, shkruante Dielli në faqen e parë, morën pjesë në protestë. Turma e madhe u mblodh rreth orës 11 paradite dhe manifestoi me thirrje të fuqishme:” Lironi Shqipërinë”! Poshtë diktatura! Reforma për Popullin Shqiptar”!…”Demokraci dhe Liri!” …

Demonstrata e antikomunistëve demokratë shqiptarë para Kombeve të Bashkuara kishte tronditë edhe Tiranën zyrtare, e cila ende bënte qëndresë dhe i lëshonte me pikatore te drejtat e mohuara njerzore. Një demonstratë e tillë antikomuniste do të organizohej edhe në Detroit, por duket se Misioni Shqiptar në Nju Jork kishte urdhër për një antiprotestë,antimiting atje. Vetë shefi i Misionit kishte udhëtuar të nesërmen e demonstrartës së Nju Jork-ut, drejt Detroitit. Grupimi i të rinjve antikomunistë me Nik Mrnaçaj e kishin mësuar lajmin dhe u nisen për në Detroit, që t’u vinin në ndihmë bashkatdhetarëve antikomunistë, demokratë atje. Edhe pse qe një ngjarje që provokoi tension, të rinjët nuk ranë në kurthin e përplasjes vëllavrasjes, duke shmangur gjakderdhjen. Gjithësesi Misioni shqiptar dështoi në orvajtjen e vet.Por në kthim ndodhi tragjedia,për të cilën dyshohet se aksidenti ka qenë i qëllimshëm.

        Gazeta e Dielli e ka regjistruar ngjarjen në numrin e saj 15 Shkurtit 1990. Ishte një kronikë e thjeshtë që përcillte dhimbje. Nën titullin”Një humbje tragjike” Dielli shkruante: Me datën 22 Janar 1990, në një aksident automobilistik, humbi jetën Nikoll Mrnaçaj, në moshën 31 vjeçare.

   Komuniteti shqiptar e përcolli me dhimbje të riun nacionalist. Me 27 Janar 1990, u përcoll trupi i të ndjerit…. Shërbimet funerale u kryen në Bronx, New York, ku të riut Mrnaçaj, i dhanë lamtumirën e fundit mijëra bashkatdhetarë të komunitetit shqiptar të Amerikës. Mesha e Dritës u celebrua me datën 27 Janar 1990, në Kishën Katolike Shqiptare, nga të Pëndershmit Don Rrok Mirdita dhe Don Pjetër Popaj….

             ***

Veprimtaria e 5 majit 2019 u organizuar nga Familja Mrnaçaj, Shoqëria Kulturore-Artistike Kelemendi dhe Counti Ekzecutive Westchester, ndërsa moderatorë ishin Sokol Smalaj dhe Valbona Preldakaj. Fjalimet dhe përshëndetjet u gërshetuan me një program të pasur artistik, ku spikatën këngët dhe vallet e Kelmendit.U duartrokitën interpretimet e këngës”Këndojnë bylbylat këngët e veta”të kënduar nga Denis Vukaj dhe Aleksandra Hysaj, “Ç’ka ka zogu që po qanë” të kënduar nga Mikela Nonaj, kangë e vjetër popullore si dhe vallet e kërcyera bukur nga fëmijët e SH.K.A.K.

Shkurt Kronika: Hymnet Kombëtare i ka kënduar Mikela Nonaj. Lutjen fetare e ka përcjellë famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj. Ka përshëndetur dhe Djakon Marash Shkreli. Folësi kryesor në këtë ditë përkujtimore ishte  presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi. Ai ka kujtuar veprimtaritë që ka udhëhequr në krye të komunitetit shqiptar, lobimin për çështjen shqiptare, veçanërisht për  Kosovën e okupuar nga regjimi diktatorial i Millosheviçit. Shqiptarët i janë mirënjohës ish kongresistit republikan Joseph DioGuardi, i cili e bëri aq të njohur çështjen shqiptare në Washington. Ai së bashku me Shirli Clojes DioGuardi në krye të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane shtuan miqtë e çështjes shqiptare në Kongres dhe Senatin Amerikan, duke rreshtuar në rrethin e miqëve zëra të fuqishëm të politikës amerikane si:Bob Dole, Henri Hide, Tom Lantosh, Ben Gilman, John McCain, Joseph Biden e shumë miq të tjerë.

DioGuardi vlerësoi dhe përpjekejet e komunitetit shqiptar, duke u ndalur posaçërisht edhe në demonstartat antikomuniste të shqiptarëve të Amerikës. Ai veçoi kontributin e të riut Nik Mrnaçaj, aktin e të cilit e përkujton komuniteti shqiptar çdo fillim maji.

Kanë përshëndetur edhe County Ekzekutive z. George Latimer si dhe kandidati për major në Mt. Vernon, z. Ernest Davis.

Kryetari i Fedeartës Pan-Shqiptare të Amerikës Dritan Mishto, në fjalën e tij përshëndetse ka vlerësuar aktin e Nik Mrnaçaj, i cili është bërë tashmë një simbol i demokracisë shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe për çdo vit ne vijmë këtu dhe përulemi në shenjë nderimi dhe kranarie, tha ai. Kryetari Mishto i shprehu mirënjohjen familjes Mrnaçaj për kontributi e dhënë në luftën kundër sistemit komunist . Më pas ai ka prezantuar deputetin e Parlamentit të Shqipërisë, i votuar në siglën e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, z. Endri Hasa (i cili së bashku me deputetët e tjeë të opozitës e ka dorëzuar mandatin).

Deputeti demokrat shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë veprimtari nderuse në Ditën e Lirisë Shqiptare. Z. Hasa vlerësoi kontributin e familjes Mrnaçaj dhe aktin e birit të tyre që me aktin e tij frymëzoi rininë shqiptare. Ai mbetet sot simbol i demokracisë, dhe përveçse mbanë titullin “Pishtar i demokracisë” emrin e tij e mbajnë në vendlindje, Shkolla dhe rrugë. I përjetshëm kujtimi i dëshmorit të demokracisë!

Deputeti nuk e politizoi fjalën e tij përshëndetse, por me pak fjalë tregoi se demokarcia shqiptare është në udhkryq, vendi përjeton krizë të thellë, drejtësia nuk funksionon, institucionet janë të kapura nga kreu i ekzekutivit,  dhe deputetët e opozitës janë në rrugë me qytetarët për të rikthyer vlerat e demokracisë së nëpërkëmbur.

Në emër të familjes Mrnaçaj ka falenderuar folësit, pjesmarrësit, avokati Mikel Mrnaçaj, i biri i Nik Mrnaçaj… 

Këtë veprimtari përkujtimore dhe nderuse e mbështeti edhe Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, ku përveç kryetarit të saj z. Dritan Mishto, morën pjesë nënkryetari Agim Rexhaj, anëtarët e kryesisë Zef Balaj, Marjan Cubi me zonjën, editori me zonjën, Pashk Maksuti, Mihill Velaj(njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë), Gjergj Ivanaj e të tjerë. Vatra, pas takimit që pati në selinë e saj me deputetin Endri Hasa, e ftoi atë, që të bëhej pjesë e veprimtarisë përkujtimore kushtuar Nik Mrnaçaj, ku ai u prit me duartrokitje.

Në fund të veprimtarisë, familja Mrnaçaj ftoi pjesmarrësit që të ngrinin Flamurin kuq e zi në shtizën e parkut, përkrah flamurit amerikan, ku qëndroi për një javë. Familaj Mrnaçaj kishte sjellë për pjesmarrësit, ushqime dhe pije.


Westchester Caunty, Maj 5, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, NIK MRNACAJ

CA SHËNIME TË SHKURTËRA DUKE U NISUR NGA HUMANIZMI I ILIA & AGATHIA LUKA NË NEW YORK DHE…

May 1, 2020 by dgreca

  • Shumë familje shqiptare kanë ndjerë humanizmin e bashkatdhetarit Tony Musaj, që ka furnizuar me ushqime me shpenzimet e tij dhjetra familje. Aleksander Nilaj me fondacionin e tij është bërë një shembull për njerzit në nevojë….
  • SHËN TEREZA:Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe!

NGA DALIP GRECA/

Shën Tereza, ndër mijëra këshilla e fjalë të urat që na ka lënë pas, thoshte: Çdo kush ndihmon me aq sa mundet. Unë vlerësoj njësoj si atë fëmijën që digjet në zheg në radhë për t’më dhuruar një lule, ashtu edhe atë që dhuron miliona. Të dy japin aq sa kanë. E rëndësishme është që i dhurojnë me zemër.

          Në këtë kohë të pandemisë, kam dëgjuar, parë, lexuar, me dhjetëra raste kur shqiptaro-amerikanët dhurojnë bujarisht: Dikush vë në dispozicion jetën e tij duke shërbyer në vijën e parë, dikush restorantin, Pizzerinë, dërgojnë ushqime tek spitalet, tek policia, tek njerëzit në nevojë, dikush dhuron maska për mbrojtje. Secili bën sa mundet. Një pjesë propagandohen nga media; për ta përcillen kronika nëpër TV,kronika radiofonike, disa të tjerë nuk ndjehen, nuk bëjnë asnjë shënim në facebook, ku nuk ka nevojë të porosisin gazetarë,apo të ftohen në studio televizive, as t’u telefonojnë mediave, të zëshme, sepse dhurimin e bëjnë me zemër dhe nuk duan që të duken në publik. 

      Humanistët udhëhiqen nga urtësia e Nënë Terezës: Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe!

Kam parë me sytë e mi, dhe kam marrë telefonata nga miqtë e mi që më tregojnë se si Tony Musaj në New York, dërgon ushqime dhe nuk u merr para familjeve shqiptare në nevojë këtu në New York. Por kur i thashë: Tony, a mund të bëjmë një shkrim për ju dhe familjen, që në këto ditë, jo vetëm po ju shërbeni familjeve shqiptare duke ju dërguar ushqime nëpër shtëpi, por ju keni ndihmuar shumë familje në nevojë, duke mos u marrë para. Tony ma ka ndaluar në mënyrë të prerë: nuk po i bëj këto për të dalë në gazetë. Ma thotë zemra, mua dhe Tinës e fëmijëve. E kam mundësinë, dhe ndihmoj. Ja tash sapo u ktheva nga Lydig Ave në Bronx, ku ndihmova sa munda Aleksander Nilaj, që po shpërndan ushqime për njerëzit në nevojë. Për Aleksandrin dhe fonadcionin e tij humanitar Albanian American Open Hand Association, shkruaj, ai po bën punë të mrekullushme humanitare, – më tha Tony.

        Gjatë një telefonate ditën e sotme mësova se çifti  shqiptaro – amerikan që jetojnë prej më shumë se dy dekadash në New York, Ilia dhe Agathia Luka,- këto ditë kanë ndihmuar familje në nevojë, të cilat janë të prekura nga Koronavirusi. Kanë ndihmuar me ushqime dhe ndihma financiare, por nuk janë ndjerë. Nuk kam leje prej tyre që të publikoj rastin në fjalë. Komuniteti shqiptar i New York-ut i njeh ata si aktivistë të tij, shumë aktiv në Shoqatën “Motrat Qiriazi” por shumë të pranishëm në organizatat e tjera në komunitet. Bujaria nuk ka çmim dhe nuk ka nevojë për publicitet, por unë thjesht po e bëj këtë shënim pa dijeninë e tyre, se e ndjej se duhet bërë. Personi që më telefonoi dhe më tregoi për aktin e tyre human, nuk më autorizojë që të përmend emra, por unë e bëj këtë sepse e ndjej si detyrë që buron nga misioni i gazetarit. Qofshit të bekuar dhe Zoti Ju ruajtë Ilia dhe Agathia Luka!  Mirësia dhe humanizmi juaj marrin vlerë në kohën që jetojmë.

        Kjo epidemi që po përjetojmë u ka dhënë shanse njerzëve që së paku të bëhen më të mirë në shpirt, të heqin dorë nga veset, nga shpifjet, prej kurtheve që u ngrenë të tjerëve, thashethemeve që endin përmes telefonatave, emaileve; është koha që të përsosin karakterin, të vetpastrohen, të heqin prej vetes virusin e keq, të vjellin vrerin që kanë akumuluar dhe t’u kërkojnë ndjesë atyre që u kanë rënë në qafë padrejtësisht. Thjesht kanë shansin të bëhen më të mirë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT