• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

54 VJET NGA SHUARJA E KRYEZOTIT TE SHQIPTAREVE TE AMERIKES, FAN S. NOLIT

March 13, 2019 by dgreca

*Vatra, Dielli dhe përcjellja e Imzot Nolit 54 vite të shkuara: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar./
*Vatranët mbajtën 40 ditë zi për humbjen e atit shpirtëror, At Fan S. Noli/
* Misioni shqiptar në New York u ndalua që të merrte pjesë në varrimin e Nolit. Telegrami i Mehmet Shehut dhe i Halim Budos, tendenca për përçarjen e shqiptarëve të Amerikës./
* Shteti komunist i kërkoi Amerikës trupin e Nolit/
NGA DALIP GRECA/
Jeta e Imzot Nolit kishte marrë goditje në vjeshtën e vitit 1964. Më 2 Nëntor u operua. Mjekët kur e hapën
panë se brenda ishte shfaqur e keqja, sëmundja kanceroze që do t’i merrte jetën. E mbyllën sakaq. Pas 2 javësh doli nga spitali. Më 20 Dhjetor u nis drejt shtëpisë dimrore që ia kishte blerë Vatra në Florida. Atje, nën diellin e Floridës do t’i shtynte çastet e fundit të jetës. U shua më 13 mars, në orën 11 të ditës, kur Meri Xhons e kishte nxjerrë të përshëndetej me diellin e ngrohtë. Por gjithçka mbaroi aty. Ai u shua. Lajmi tronditës është përcjellë në Gazetën Dielli të 17 Marsit 1965, e mërkurë me titullin: Shqiptarë a e dëgjuat? IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!
Në komentin hyrës shkruhej me shkronja të zeza: Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare si kryetar Fetar, si shkrimtar, si studiues, si poet, si udhëheqës, nuk është më.Ati i shqiptarëve, që kishte personifikuar të gjithë gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq me 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në tërë Botën e Lirë si dhe për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastër përulet përpara trupit të kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puth ato duar të bekuara, që lartësuan Kombin shqiptar dhe Vatrën tonë.
Komisioni i Vatrës urdhëroi 40 ditë zije për të gjithë vatranët për humbjen e prijësit shpirtëror. Përmes lotëve ata ngushëlluan njëri-tjetrin dhe pranë arkivolit të Atit të Kombit vajtuan: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si Atë, si themelonjës, si prijës, TY- Atin Shqiptarëve!
Në kohëndarjen nga jeta të atij që editoi i pari Diellin, Gazeta e Vatrës kishte për editor Athanas Gegën, një diejtar i kohës, një nacionalist antikomunist ndër më të betuarit, ndërsa kryetar i Vatrës ishte James Thanas.
Në faqen e parë të Gazetës DIELLI publikohej shkrimi i Editorit Gegaj:VATRANË: VDIQ ATI YNË!, ndërsa kryetari i Vatrës në të njëjtën faqe botonte përcjelljen zyrtare të lajmit tronditës:VDIQ ATI I TË GJITHË SHQIPTARËVE. Po në faqen e parë të Diellit, botohej edhe shkrimi”VATRA NË ZI”, një shënim shpirtëror i Antoni Athanans në gjuhën angleze, një esse nga Peter D. Peterson, si dhe mesazhe nga personalitete të botës shqiptare dhe të huaj.

VATRA E MORI LAJMIN TË NESËRMEN

Drejtuesit e Vatrës e kishin marrë lajmin e hidhur, të nesërmen e vdekjes, me 14 mars, ndërkohë që ishin në mbledhjen e bordit. Nga rekordet e Vatrës sjellim reagimin: I hidhëruar thellsisht nga kjo humbje e madhe, Komisioni ndërpreu rendin e ditës, mbajti një minut heshtje dhe më pas filloi nga përgatitjet për përcjelljen e Atit shpirtëror. Vendimi: I gjithë numri i Diellit do t’i kushtohej Nolit!Numri u përgatit në një kohë rekord: U punua të dielën, të hënën, të martën u dërgua në shtypshkronjë dhe u shpërnda të mërkurën. Të gjitha degëve iu përcoll me telefon e telegrame lajmi i vdekjes dhe botimi i Diellit. Ky edicion, që pati dhe një ribotim, u dërgua në të gjitha kolonitë shqiptare edhe në Europë e Australi.

LAMTUMIRË KRYEZOT!

Vdekja e imzot Nolit i pikëlloi thellë shqiptarët e Amerikës. Kryetari i Vatrës shkruante:”Ati i të gjithë shqiptarëve, kryetari ynë shpirtëror, u nda nga ne e na la të shkretë dhe të varfër. Me vdekjen e Tij mbyllet një kapitull i historisë shqiptare, sepse ne humbëm udhëheqësin tonë dhe themelonjësin e Kishës Kombëtare, Federatës Vatra, si dhe të parin prift shqiptar e të parin editor të Diellit. Kryezot dhe metropolit i Kishës sonë, burrë shteti, diplomat,shkrimtar i mbaruar, theolog, muzikant, orator i shquar, poet, studiues i çështjeve shqiptare.
Lamtumirë o Kryezot!
Lamtumirë Ati Ynë, vendin që leni bosh është e vështirë dhe e pamundur ta zërë ndonjë tjetër. Lamtumirë At, se po vete të shlodhesh nga puna e gjatë dhe nga zhurma e kësaj Bote duke u çliruar nga vargonjtë e kësaj jete dhe nga pamarrveshjet që ngjajnë në çdo shoqëri njerëzore. Po ndarja jote, na shqetësoi shumë e na la të shkretë. E të kërkojmë ndjesë se si bijtë e tu nuk e kemi bërë përherë detyrën tonë.
Veprat tuaja, At i dashur, do të çmohen më tepër paskëtaj. Është shumë zor që ta gëlltitim këtë hidhërim, se jemi në mes të valëve dhe s’ka kush të na dërgojë më, të na japë Këshilla për problemet e vështira, që kemi përpara. Ju keni qenë shtylla e fortë ku mbështetej i tërë komuniteti ynë, ju keni qenë shtylla jonë, dhe e popullit shqiptar.
Lamtumirë, o Ati ynë, se ti e kreve punën si një nga njerëzit më të përsosur të racës dhe gjakut shqiptar: Well done! We Will miss You very much!
Çlodhu në qetësi!
“Fortesa e Shqiptarizmës u përmbys”-Kështu e qau ikjen e Noli, dishepulli i tij, editor për 18 vjet i gazetës Dielli,sekretari i Vatrës Qerim Panariti. 

UDHËTIMI I FUNDIT NGA FLORIDA NË BOSTON

Noli u shua me 13 Mars. Trupi i Hirësisë së Tij udhëtoi nga Miami i Floridës drejt Bostonit më 15 Mars.Shoqëruesi i tij në udhëtimin mortor drejt Bostonit ishte Geri Riska.Po atë ditë, pra të Hënën e 15 Marsit, në orën 3 e 30 minuta arriti në aeroportine Bostonit. Vatra dërgoi në aeroport që ta prisnin arkivolin: anëtarin e Bordit të saj z. Anthony Athanas, Barny Kirka-arkëtar i Vatrës, dhe Peter Chikos, Mangar i Diellit. Arkivoli me trupin e Imzot Noli nga aeroporti u dërgua në Funeral Home, ku e veshën me rrobat peshkopale. Me 16 Mars arkivoli u dërgua në Kryekishën e Shën Gjergjit. Trupi u ekspozua për vizitorët në mjedisët e KryeKishës së Shëngjergjit me 17, 18, 19 Mars 1965. Shqiptarët e shumtë që kishin ardhë edhe nga kontinete të largët, përuleshin me nderim para arkivolit dhe qanin me lot të nxehtë ikjen e prijësit. Drejtuesit e Vatrës i shprehën ngushëllimet para arkivolit të kryetarit të tyre, të mërkurën e 17 Marsit.
Editori Athanas Gegaj shkruante:”I veshur me rrobat e praruara episkopale, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, …Ai dukej se po flinte gjumin e përjetshëm.Fytyra si në bronx, e zbehtë, pa shumë rudha.” Mbi arkivolin e Nolit u përulën mbi 5 mijë shqiptarë. 

PËRCJELLJA NGA KRERËT FETARË
Lamtumirën ia dhanë me lutje e fjalime të zjarrta Ikonom Sokrat Sotiri, i cili foli në gjuhën shqipe dhe Atë Sotir Dilogjika në gjuhën angleze.
Në Kishën e Shëngjergjit u organizuan ceremonitë e rastit. Krerët fetarë nuk i kursyen vlerësimet dhe lutjet. Imam Vehbi Ismaili, e cilësoi ikjen e Nolit si një fatekqësi, që goditi gjithë koloninë shqiptaro-amerikane, e mbarë popullin shqiptar, pse me këtë fatkeqësi shqiptarët humbën frymëzuesin e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin dhe Kryemësuesin e të gjitha Lëvizjeve Patriotike, fetare e kulturore në këtë vend të bekuar. Me këtë humbje, tha ai, shuhet një kandil që ndriçoi dhe udhëhoqi me sukses Lëvizjen e madhe kombëtare në SHBA.
Dijetari tjetër fetar, Baba Rexhepi, e konsideroi Nolin si një pishtar që ndriçoi botën shqiptare për gjysëm shekulli, njeriu që krijoi Atdhe, aty ku s’pat, këtu në Amerikë. Me ikjen e Nolit,tha ai, fiket një pishtar i ndritun që për më se një gjysmë shekulli i dha dritë botërisht Atdheut të largët me pendën e tij fatlume në lami të ndryshme të diturisë. Emigracioni shqiptar, i hershëm dhe i ri, humbi pionierin që u mundua dhe ia doli më së miri për të krijuar Atdhe aty ku s’pat. Në Amerikë Imzoti, mbas përpjekjeve të tij politike, me suskes e pa sukses- të kohës së rinisë,e zhvilloi veprimtarinë e vet të shumanshme në lëmin e diturisë, që spikati në tre drejtime kryesore: Histori, Liturgji dhe Muzikë. Por ajo që do ta bëjë të pavdekshëm Imzot Nolin në Historinë e hershme dhe të vonë të Diasporës shqiptare, është krijimi mes vështirësive i Kishës Orthodokse Metropolitane Shqiptare në Amerikë: Luftë nga të Huajtë dhe moskuptim nga të vetët!
Monsinjor Zef Oroshi, shkruante në ngushëllimin përcjellës:” Me rastin e humbjes së pazëvendësueshme të Metropolitit të Madh, dëshiroj t’u parqes bashkëvllaznve Orthodoks të Amerikës, në emën të Grupit Katolik Shqiptar- teksa të formuem, dhe timin personal, përdhimtuninat ma të thellat e ma të ndieshmet, njëheri tue i lutë Zotit të gjithëpushtetshëm, që t’i ndrisi Për zgjedhjen e Pas-Ardhsit dhe vijimin e veprës së pavdekshme të Metropolitit Fan Stylian Nolit: Për Fe e Atdhe!-R.I.P
At. Dr. Zef Oroshi.

NDARJA E FUNDIT- 20 MARS 1965 NË FOREST HILLS

Varrimi u krye të premten me 20 Mars 1965. Lulet dhe lotët e shqiptarëve të Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit në një ditë të ftohtë, ditë me borë. Vatra kishte porositur të gjitha degët të përfaqësoheshin në përcjelljen e Atit, ata që s’kishin mundësi të porositnin kurora me lule. Në krye të kortezhit mortor printe Governori i Shteti z.John Volpe me krerët fetarë. Bota shqiptare përfaqësohej jo vetëm nga të gjitha orgnanizata në SHBA, por edhe nga Kanadaja, Evropa e Australia. Ishin mijëra qytetarë shqiptarë dhe amerikanë që e përcollën kryeprijësin e shqiptarëve të Amerikës.
Në varrezat e Forest Hills, të mbuluar nga dëbora, arkivoli u ndal. Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi do të mbanin fjalime lamtumire.
Bashkë me Nolin po mbyllej aty në Forest Hills epoka mëse 50 vjeçare Noliane.Sami Repishti në përcjelljen e imzot Nolit shkruante në Dielli: Tetëdhjet e sa vjetë ma parë, kur Shqipnia s’ishte zojë dhe shqiptarët s’ishin zotë, lindi Noli. Në gji të ngrohtë familjesh arbnore Ai mësoi Shqipen, kur shqipja s’shkruhej, desht Shqipninë kur ajo fyhej, desht shqiptarin, kur ai përbuzej, desh të vorfnin për ç’ka s’kishte, desh vëllaun pse s’pati vlla, desh njeriun si krijesë të Zotit….E kishte thanë Zoti që Noli të flasë gjuhën e shqiptarëve…Vdekja e mori Nolin, por Noli vetë, na la Nolin përjetë mes nesh!
Degët e Vatrës dhe vatranët nga të gjitha anët ngushëllonin për ikjen e kryetarit të tyre. Arkëtari i i asaj kohe i Vatrës, Barney Kirka vajtonte:” Imzot, shtjerrë sytë nga qielli e vështro dhe vizito këtë vreshtë që e ka mbjellë dora jote, dhe na ndriço që të plotësojmë porosinë tënde të çkëlqyer. Nga Ohio përcillej vaji i kryetarit të degës 54, ndërsa Ingj. Mahmut Cungu, e cilësonte imzot Nolin si “Ylli i fundit dhe më i shkëlqyshmi i Rilindjes Kombëtare….
Nga Nju Jorku në emër të degës 29 ngushëllonin Kryetari Shazuvan Pashun dhe Sekretari Agim Karagjozi.
Degët e Vatrës nga Chikago, Detroit, Meriland, Pitsburgh, PA, Ontario-Canada, e shumë të tjrea ngushëllonin me telegrame.

NOLI DHE TESTAMENTI SHPIRTEROR

Edhe organizatat e tjera u bënë pjesë e dhimbjes së kolonisë shqiptare për Ikjen e Imzot Nolit. Familja Mbretërore ngushëllonte me 17 Mars, që nga Madridi:” Lajmi i idhët i humbjes të patriotit të madh Imzot Nolit na shqetësoi së tepërmi. Shërbimet e mëdhaja që i ka sjellë Atdheut kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të çmushme. Si unë dhe Mbertnesha bashkohemi me Vatrën në këtë zi të madhe. Shpirti i Tij u qetësoftë në Paqe e qetësi!
Leka I
Në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ngushëllonte Prof. Rexhep Krasniqi: “Thellësisht të prekur për humbjen e madhe që ka pësuar Kombësia e Shqiptarëve me vdekjen e Imzot Fan S. Nolit, udhëheqësit të ndritshëm shpirtëror, letrarit gjenial, mbrojtësit të shquar të shqiptarizmit në Botë,bashkëthemeluesit dhe Kryetar Nderi i Vatrës famëmadhe, në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ju shpreh ngushëllimet më të ndjeshme.”- Rexhep Krasniqi, Kryetar.
Në emër të Asmblesë së Kombeve të Robëruara ngushëllonte kryetarin e Vatrës James Thanas, Z.Vasil Gërmenji-Kryetar dhe Brutus Coste, sekretar i përgjithshëm. Për Hasan Dostin, vdekja e Peshkop Nolit, patriot i madh, themelonjës i Kishës Autoqefale, Kryetar Nderi i Federatës Vatra, ishte një humbje e rëndë për të gjithë Kombin Shqiptar. “Shoqërohem në zinë që goditi Vatrën dhe shfaq ndjenja të simpatisë së sinqertë. Populli Shqiptar është i sigurtë se Vatra do të vijojë mbushjen e Misionit të mbrojtjes së Lirisë, indipendencës së tërësisë toksore të Shqipërisë dhe mbajtjes së presitigjit të Kishës Autoqefale Orthodokse që përfaqësojnë Testamentin shpirtëror të Përjetshëm të Kryeprijësit të Madh që varroset sot jashtë Atdheut në tokën e Georgë Washngtonit.”- Hasan Dosti Los Angeles.
Në emër të Ballit Kombëtar të Bashkuar ngushëlonin Theodor Papalilo dhe Halim Begeja, nga Blloku Independent Kol Çuni, në emër të Partiasë Katundare Organizata e Bashkimit Shqiptar dhe Heroizma Shqiptare, ngushëllonte Isa Elez Ndreu, në emër të Lidhjes së tretë të Prizrenit ngushëllonte Ismet Ukë Sadiku, nga Australia ngushëllimet e shqiptarve i përcillte Safet Aliaj, nga shqiptarët e Turqisë ngushëllonte kryetari i Kolonisë Shqiptare të Stambollit dr. Tare Libohova.
Për vdekjen e Nolit shkroi edhe shtypi amerikan: The New York Times, Boston Globe, The Evening Gaztte- Worcester, Boston Herald,The Boston Sunday Globg, Post Journal-Jamestown, Worcester Daily Telegraph, Miami Herlad etj.

MISIONI SHQIPTAR ANKOHET NË OKB 

Misioni Shqiptar kërkoi leje tek Qeveria Amerikane që të shkonte në ceremoninë e varrimit të Nolit në Kryekishën e Shën Gjergjit, që t’i bënte nderet në emër të Shtetit Shqiptar, por nuk u lejua. Shefi i Misionit Shqiptar u ankua me anë të një proteste drejtuar sekretarit të përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara. Përgjigjen e dha publikisht në media në emër të autoriteteve amerikane Mr. Stefenson, kryetar i misionit Amerikan në OKB. Ai shprehu nderim për Peshkop Nolin në emër të qeverisë amerikane, por tha se nuk mund ta kuptonte se si mund të nderohej një fetar si Noli nga Kryetari i Misionit Shqiptar, që përfaqësonte një qeveri ateiste”! Ja si e komentoi DIELLI refuzimin e amerikanëve: “Përfaqësuesit e Misionit Permanent të Qeverisë Komuniste të Tiranës, për arsye diplomatike, nuk u lejuan të vinë në Boston. Kurora lulesh të dërguara nga autoritetet komuniste të Tiranë figuronin në Shën Gjergj. Gjesti i Qeverisë amerikane, nuk ka të bëjë me popullin shqiptar; ky është vetëm një akt diplomatik mes Tiranes e Washingtonin, janë masa reciproke e asgjë tjetër.”
Gjithësesi qeveria e Tiranës nuk e gëlltiti lehtazi masën ndaluese të amerikanëve, por shkoi më tej: Kërkoi trasportimin e trupit të Kryepeshkop Nolit në Shqipëri. Këtë kërkesë të Qeverisë së Tiranës e konfirmon Dielli në kronikën e shkurtër me titull”Trupi i At Nolit Pushon në Amerikë”, publikuar me 24 Mars. Dielli shkruan: Sipas informatave që kemi, Qeveria Komunsite e Tiranës kërkoi transportimin e trupit të Kryepeshkopit tonë në Shqipëri. At Noli që nga viti 1932, kur mori pasaportën amerikane, jetoi vazhdimisht në Amerikë dhe qe një nështetas amerikan. Gazeta jonë nuk bën asnjë koment më shumë për këtë çështje.
Megjithatë, duket se editori dhe Vatra ndërrojnë mendje për të mos e komentuar faktin, aq më shumë kur Shefi i Misionit Permanent Shqiptar dhe Kryeministri Mehmet Shehu, dërgojnë telegrame ngushëllimi (Ia dërguan Kishës), që tentojnë të përçajnë shqiptarët e Amerikës. Thënë më shqip, Qeveria e Tiranës bënë prova nëse mund ta shkëpusë Nolin nga Vatra pasvdekjes. Në numrin e Diellit të 7 prillit 1965, Vatra i rikthehet problemit të Mehmet Shehut dhe Halim Budos. Dielli merr shkas nga një telegram që kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë Mehmet Shehu, i dërgonte Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë. Dielli korrekton Mehmet Shehun dhe Halim Budon, përfaqsuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, për formulimin gabim të emërtesës së Kishës shqiptare në Amerikë dhe për togfjalshin që përdor Mehmet Shehu, vëllezërve patriotë. Dielli shkruan” Gabon rëndë Mehmet Shehu kur na drejtohet me fjalët”Vëllezër patriotë”, ne nuk jemi vëllezër të atyre që shtypin popullin. Gabon rëndë edhe kur e kërkon trupin e Hirësisë Noli drejtëpërdrejtë nga Kisha kombëtare -amerikane. Ai harron se -Kisha, duke qenë një institucion amerikan nuk ka të drejtë të vendos në një çështje kaq delikate e që është kompetencë e autoriteteve amerikane, dhe vetëm i atyre, sepse At Noli është nënshtetas amerikan. Këto gjëra Mehmet Shehu i din, por nuk i dijnë”patriotët vëllezër”(këtu është fjala për anëtarët e Organizatës Shqipëria e Lirë, që bashkëpunonin ngushtësisht me regjimin e Tiranës), që duke qenë amerikanë, lipset që të mos çajnë fare kokën për shokun Mehmet Shehu, qesëndis Dielli. Shqiptaro-amerikanët kanë për Kryetar presidentin L. B.Johnson. Pra Mehmet Shehu na fyen rëndë duke kërkuar të na ndajë dhe të themelojë këtu në Amerikë një kollonë të pestë me’vëllezërit patriotë”.
Dielli merret gjatë me telegramin e Halim Budos, me tituj kilometrikë.
“Amerika bëri mirë, që e ndaloi diplomatin sepse Halim Budo mbron Kinën, Vietnamin e Veriut, Kubën dhe atakon Amerikën. Kësaj i thonë përfaqësi e popullit shqiptar? “. Budo-, shkruan Dielli, që është njeri me kulturë, por janë kanë larë trurin me doktrinën e Marksit, Englesit, Leninit, Stalinit e Maos, – citon Nolin më së pari në”Kryetrimat që çliruan Shqipërinë” e harron se kjo shprehje ishte e mirë në atë kohë, por pastaj nuk pinë më ujë , sepse Amerika i konsideronte si aleatë ata që u fshihnin nën maskën e Frontit Nacionalçlirimtar, çpikje si ato të gjitha vendeve komuniste, që përmbysin një regjim e ngrinin një tjetër dhe më të zi.
Dielli komenton një shprehje të Budos në telegramin ngushëllues, ku shkruante:” Fronti Demokratik i Shqipërisë e Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë parë gjithëmonë te personi i Nolit patriotin e madh e të palodhur.”
“Akoma nuk janë mërzitur me këto shprehje?” shkruan Gazeta e Vatrës: Sa për At Nolin, po ta kishte pasur në dorë Qeveria e kuqe, Ati Ynë sigurisht do të kishte mbaruar në burg ose edhe në litar, ku kishin shkuar shokët e tij. Një njeri, siç ishte Peshkop Noli, do të kishte protestuar me tërë afshin e zemrës së tij kundër gjaksirave që ngjanë nën regjimin komunist gjer në ditët e sotme. Tani kërkojnë të na e grabisin për së vdekuri, e të lavdërohen me emrin e tij.
Dielli replikon gjatë me telegramin propagandistik të kryediploamtit komunist në New York, që përpiqej t’i hidhe benzinë zjarrit të përçarjes, duke i ndarë shqiptarët e Amerikës në armiq dhe vëllezër patriotë.
Sigurisht qëllimi i Qeverisë komuniste nuk u relaizua, Kryetari i Vatrës mbeti përjetë me Vatrën.(Dieli-Arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca

REAGIM-KRYEKAZANI ETIKETON”KAZAN” MEDIAT E DIASPORËS

March 2, 2019 by dgreca

Ç’mund t’i themi tjetër Kryeministrit, që ashtu si “Mbreti lakuriq”, nuk e sheh dështimin e Samitit, siç nuk sheh lakuriqsinë e vetes dhe të Qeverisë që udhëheq, përveçse: Kryekazani je vetë!/

dalip Greca

Të shajë Kryeministri, aq shumë i sharë nga shqiptarët, në këtë situatë të bën nder. Kryekazani së fundmi zgjodhi Samitin e dështuar të Diasporës për të etiketuar Kazan mediat e Diasporës. Pasi etiketoi”kazan” të gjitha mediat e Shqipërisë(me përjashtim të atyre që i mbajnë anën dhe paguhen prej tij), pasi nisi dyluftimin e humbur në distancë me “Zërin e Amerikës”, së fundmi ai hapi frontin e ri antimedia me Mediat e Diasporës, që i dolën kundër në Samit. Natyrisht Mediat në Diasporë ndjehen mirë që i sulmon Kryekazani i mediave të paguara, që i bëjnë fresk atij.

Çfarë të pavërtete shkroi Media e Diasporës përveçse paralajmëroi dështimin e Samitit të Dytë të Ramës, siç patën parashikuar dështimin e Samitit të Parë?

Përveç atij, që e quan sukses Samitin e dytë, ashtu si të parin, gjithë të tjerët e panë se ai ishte veçse një një fasadë për qeverinë e tij dhe shënoi dështimin e radhës.

Shqiptarë;  A e dëgjuat kryeministrin tuaj tek duartokitej gjatë fjalimit të  tij butaforik në Samit,kur deklaronte se: Nga Samiti i parë në të Dytin është shënuar një sukses i madh sepse në Parlamentin e Maqedonisë flitet Shqip?

Se në Komunën e Tuzit, shqiptarët janë bashkë etj etj…!

Së pari, Shqiptarët në Maqedoni dhe ata në Mal të Zi, ashtu si dhe ata në Luginën e Preshevës, nuk janë pjesë e Diasporës, por shqiptarë etnik në trojet e veta.

Së dyti, asnjë nga sukseset që përmendi ai, nuk burojnë as nga Samitet e Ramës, as nga qevria e tij.

Së treti, Diaspora, veçanërisht ajo e Amerikës, e bojkotoi Samitin e Ramës, që ai e quan Sukses. Jo vetëm Vatra me 13 degët e saj nëpër shtetet e Amerikës së Veriut dhe në Kanada, por edhe shoqatat me peshë si: Albanian Roots-Rrënjët Shqiptare, më i madhi bashkim i të rinjëve shqiptarë në Diasporë-Organizatorë të Paradës së Madhe Kuq e Zi në SHBA, Bijtë e Shqipes në Filadelfia,organizata serioze në SHBA,  institucionet fetare në të gjithë Amerikën, nuk e morën rrugën për t’i mbajtë Isoooo, Ramës. Ky është një tregues i mjaftueshëm, për të vlerësuar Samitin Rama & Majko.

Gazeta DIELLI, që shënon 110 vjetorin e botimit të numrit të parë, Dekane e shtypi shqiptar, që vjen prej Kohës së Rilindjes(Jo Rilindjes së Ramë), ndjehet mirë që e udhëhoqi median e Diasporës në paralajmërimin e dështimeve të Samiteve Fasadë 1+ 2, dhe shkrimet e Diellit, u botua në Tiranë.

Ç’mund t’i themi tjetër Kryeministrit, që ashtu si “Mbreti lakuriq” nuk e sheh lakuriqsinë e vetes dhe të Qeverisë që udhëheq, përveçse: Kryekazani je vetë!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Kryekazan, Kryeministrit Rama, reagim

VATRA NË KRYE TË DIASPORËS QË REFUZON SAMITIN FARSË TË QEVERISË

February 28, 2019 by dgreca

 

dalip-ok

Të shkosh në një Samit aq të fryrë nga propaganda qeveritare, aq pompoz, ku janë parashikuar 3 ditë aktivitete dhe mijëra Euro shpenzime, në një kohë kur vendi është në kaos, në krizë totale dhe i trazuar nga protestat që kërkojnë largimin e “kryeparit” të akuzuar për korrupsion, nuk ka asnjë kuptim tjetër, veçse të tentosh t’i vendosësh një patericë mbajtëse Qeverisë në kohë të vështira dhe t’u bësh karshillëk atyre që protestojnë dhe kërkojnë ikjen e tij./

– Të shkosh dhe të shpenzosh për 3 ditë paratë e shqiptarëve që vuajnë për bukën e gojës, është një tjetër karshillëk që u bëhet qytetarëve të varfër të atij vendi…./

– Është më shumë se sa një Farsë e gjithë kjo komedi. Një qeveri që ka nda e përça shqiptarët në Atdhe si mund të bashkojë mërgimtarët nëpër Botë, një pjesë të të cilëve i ka përzënë ajo vetë duke ua bërë të pamundur jetesën në Vendlindje!?/

NGA DALIP GRECA/

Të Enjten, 28 Shkurt 2019, ora 7.00 P.M. fillon Samiti fasadë i Diasporës, organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko nën kujdestarinë e organizatorit real, Kryeministrit aq të përfolur e aq të kontenstuar prej shqiptarëve.

Ministri i Diasporës, për gati dy vjet,u përpoq shumë që të bënte “babaxhanin” për t’ia mbushë mendjen Diasporës se ky Samit nuk do t’i ngjajë atij të parit, të Ramës, kur përveç fotografisë me Naltmadhninë e Tij-Kryeministrin, nuk ka mbetë asnjë gjurmë pas.

Majko bëri të pamundurën për t’u mbushë mendjen emigrantëve që të bëheshin pjesë e Samitit sepse “kohët paskan ndryshuar” dhe se në krye është ai vetë! Vetëm naivët mund t’i besojë premtimeve të një qeverie që i ka detyruar shqiptarët të marrin rrugët e Botës dhe çdo ditë zbrazin vendin. Të shkosh në një Samit aq të fryrë nga propaganda qeveritare, aq pompoz, ku janë parashikuar 3 ditë aktivitete dhe mijëra Euro shpenzime, në një kohë kur vendi është në kaos, në krizë totale dhe i trazuar nga protestat që kërkojnë largimin e “kryeparit” të akuzuar për korrupsion, nuk ka asnjë kuptim tjetër përveçse të tentosh t’i vendosësh një patericë mbajtëse Qeverisë në kohë të vështira dhe t’u bësh karshillëk atyre që protestojnë dhe kërkojnë ikjen e tij.

Vetë Ministria që mbanë emrin e Diasporës s’është gjë tjetër veçse një Ministri Fantazmë, që përveç shëtitjeve të Ministrit në SHBA , Kanada e Evropë me paratë e shqiptarëve,në përpjekjet e dëshpëruar për ta çuar në Samit, asgjë tjetër nuk i ka ofruar mërgimtarëve.

Të shkosh dhe të shpenzosh paratë e shqiptarëve, që vuajnë për bukën e gojës, është një tjetër karshillëk që u bëhet qytetarëve shqiptarë.

Është ironike kapja pas Bashkimit folklorik Kombëtar, emërtimit patriotik, që ka zgjedhë qeveria për ta shitur Samitin në Ditën historike të Kuvendit të Beslidhjes së Lezhës si akt Kombëtar në kohët e reja!!!! Është më shumë se sa një Farsë e gjithë kjo komedi. Një qeveri që ka nda e përça shqiptarët në Atdhe si mund të bashkojë mërgimtarët nëpër Botë, një pjesë të të cilëve i ka përzënë ajo vetë duke ua bërë të pamundur jetesën në Vendlindje!?

VATRA ndjehet mirë që i doli parashikimi për Samitin e shkuar të Ramës. Ajo e denocojë atë si fasadë të Kryeministrit sic kishte bërë para atij Samiti edhe me mjekët shqiptarë nëpër Botë; që i mblodhi, u fotografua me ata dhe bëri të kundërtën e këshillave të tyre. Propozimet e  mjekëve i mori era, ndërsa shërbimi mjeksor ka shënuar nivelet më të ulta.

Pavarësisht peshës që përpiqen t’i japin vetes ata që shkuan në SAMIT, Diaspora në SHBA, është në krye të refuzimit të atij Samiti. Katër degët e Vatrës në Florida, dhe jo vetëm degët e Vatrës por asnjë shoqatë tjetër me peshë në komunitet nuk shkoi në Samit, ashtu si edhe në Nju Jork, ku me përjashtim të ndonjë përfaqësuesi-shoqërues të ndonjë shoqate lokale, Organizatat serioze nuk e morën mundimin të shkojnë pas qeverisë. E njëjta gjë ndodhi në Michigan kur Vatra  e refuzoi prerazi, dhe haptazi Ministrin Majko që në ballafaqim me komunitetin, siç refuzoi VATRA edhe në Toronto, por jo vetëm Vatra, edhe organizatat e tjera të Kandasë me përjashtim të pjesmarrësve të Samitit të parë, të tjerët nuk u bënë pjesë e farsës.

Po të nisemi nga ajo ç’ka kanë bërë publike organizatorët, në panele do të diskutohet :Të Drejtën e Votës për emigrantët, Zhvillimi ekonomik dhe I qëndrushëm si dhe Identiteti Shqiptar. E drejta e votës është e drejtë Kushtetuse që nuk ka nevojë ta tjerrësh në Samite, ndërsa për Identitetin, Shqiptarët në Diasporë i kanë dhënë leksion shtetit shqiptar për më shumë se 100 Vjet, pastaj një Kryeministër që shpërfytëron Simbolet Kombëtare nuk mund të japë leksione për identitetin Kombëtar.

Ka një mijë arsye pse Vatra i tha Jo Samitit të Dytë të Diasporës, por në thelb, arsyet janë po ato të refuzimit të Samitit të parë, janë arsye logjike, parimore. Po sjellim të plotë tekstin e refuzimit që i bëri VATRA Samitit të Parë, pa bërë asnjë ndryshim. Shiheni vetë nëse i qëndroi kohës parashikimi i Vatrës.

****

PËRSE VATRA I THA JO SAMITIT TË EDI RAMËS?

Nga Dalip GRECA

Edhe pak ditë na ndajnë nga i ashtuquajturi ”Samit i Diasporës” i kryeministrit të Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, në respekt të qytetarëve shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelktorale të kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë,( tash e ka bashkuar ne nje zgiq, gjoja zyre, por vetem zyra nuk mund te jene, nje hapsire ku te zihet fryma nga ngushtesia)… Dhe kjo ndodh ne SHBA, ku jetojnë së paku gjysëm milion shqiptarë.

Vendimi i Federatës “Vatra” për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi pjesmarrjen ose jo në këtë Samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan kryeministri. Me vota të hapura u vendos që Vatra të mos bëhej pjesë e një farse paraelktorale të Kryeministrit me argumentin se pjesmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm partisë së Kryeministrit.

Edhe Këshilli Drejtues i Vatrës, i mbledhur me 1 Tetor 2016, e la në fuqi vendimin e  Kryesisë për mospjesmarrje në Samitin e nëntorit, që po propagandon me aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në diasporë.Natyrisht që ka dhe vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që mendojnë se Vatra duhet të marrë  pjesë në Samitin e Ramës ,me qëllim që ajo të mos ”vetëizolohej” apo “vetëpërjashtohej” nga samiti.  Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes ishte që Vatra të ishte pjesmarrëse dhe t’ia thoshte në sy kryeministrit se ky Samit është thjeshtë një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq por, ia hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jork-ut, kur kjo zyrë ka qenë e pranishme që në vitet ’20 të shekullit të shkuar( Edi Rama e mbylli ashtu siç kishte bërë diktatori Enver Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë, t’i thoshte se ne emigrantët nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri të mbuluar nga droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj… etj. Por ku dhe si t’ia thoje Ramës të gjitha këto në një 5 minutëshin, që ai ka vënë në dispozicion si për një individ, që plotëson formularin e tij, apo për një organizatë krahine apo fshati, po aq edhe për  organizatat historike, siç është Vatra me 104 vite jetë në SHBA? Çfarë t’i thuash më parë Edi Ramës për 5 minuta në një Samit, që nuk është për Diasporën, por reklamë për atë vetë? A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në vitin 2013? Përveç fotogarfisë me kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është sot shëndetësia shqiptare? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora? Nga ky samit kanë për të mbetur pas: Fotografite e Ramë(edhe në Fb), shëtitjet e planifikuara në qytetet turistike, dhe fjalimet e Ramës dhe të ministrave të tij.

Serioziteti i këtij Samiti duket që në formularin e propoganduar me aq zë nga ambasada në Ëashington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA. Sipas formularit në Samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ, ndërsa Vatrës i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: mund të vini edhe me dy përfaqësues! Çfarë ndreqi shtimi i një perfaqësuesi, kur secili person mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?

Mënyra se si po e organizon kryeministri Samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë Samit, pa e pyetur Diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në raport me diasporën, çfarë mendon ajo për keqeverisjen që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh. Kryeminstri vetë vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i qeverisjes.

Ka zëra që thonë se Vatra nuk shkon në Samitin e Ramës sepse mbështet opozitën, të cilën Kryeministri e ka përjashtuar nga Samiti, ashtu siç ka përjashtuar edhe institucionin e presidencës së Republikës së Shqipërisë. Secili ka mendjen e vet dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por Vatra i ka dalë për borxh kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e Partisë së Shpëtim Idrizit(Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “ Vatra më sheh si një njeri të dyshimtë”….Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh Vatrën me dyshim. Vatra e takoi Kryeminstrin Edi Rama më 26 shtator 2013  në hotelin”Four Sizen” në Manhattan, dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptar.

Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka: “Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e vatranëvet patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish të persekutuarëve, kanë shprehur shqetësimin nga disa shënja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të vrejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist. Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjevet dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të më parshme, arritje të suksesshme në dobinë e vëndit e të kombit. “Vatra” do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe, gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme.”

Vatra i është përmbajtur fjalës së dhënë, ndërsa Kryeministri që premtoi bashkëpunim, Jo. Vatra ka vazhduar ta bëjë oponencën konstruktive, me deklarata e ka këshilluar Kryeministrin në pragvizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i ka kërkuar kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta ketë plotësuar formualrin për Samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të pastrojë Parlamentin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka kujtuar ato çfarë i kërkoi Vatra në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama hesht. Ai ka ardhë shpesh në SHBA, pas atij takimi me Vatrën, por ndërkohë që ka pasë kohë edhe të shkojë në Las Vegas, apo të festojë ditëlindje konsujsh nderi të pa miratuar , por nuk ka pasë kohë që të vijë t’i hedhë një sy Vatrës, nga e cila kanë dalë Kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të shquar,…qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm…Nuk është Vatra që e sheh me dyshim Kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë Vatrës.

Në mbyllje të këtij editoriali dhe një pyetje për Kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë biçim samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për diasporën në këta pak muaj që i kanë mbetë të qeverisë? Asgjë, veç do ta kthejë këtë Samit në një paradë paraelktorale, ku ai dhe ministrat e tij do të bëjnë paradën e mos-sukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojën radhët e diasporës dhe paksojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…etj). Ia pafsh hajrin këtij Samiti farsë i nderuar Kryeministër!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, refuzon, Samitin e nyte te diaspores, Vatra

DIELLI I VATRËS NË SHBA MBUSHI 110 VJEÇ

February 15, 2019 by dgreca

15 SHKURT 1909-2019- DIELLI I VATRËS NË SHBA MBUSHI 110 VJEÇ/

2 editoret

 Të shtunën me 16 Shkurt, Vatra do të organizojë në Kryekishën e Shën Gjergjit në Boston një veprimtari të përbashkët me Bibliotekën Noliane për 110 Vjetorin e Gazetës”DIELLI”-/

1 Dielli nr 1

Numri i pare i Gazetes “DIELLI”, 15 Shkurt 1909/

dalip Greca

NGA DALIP GRECA-Editor I DIELLIT/

Sot është Ditëlindja e 110-të e Gazetës “Dielli”, e të vetmes Gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në SHBA. Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndriçoi Dielli i  shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare  Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka,  Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, përbënin Komisionin e pleqësisë. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi.

Edhe pse ishte gazetë e një shoqate krahinore, programi i Diellit i kalonte kufijët e një shoqate dhe merrte përmasa kombëtare. Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program publicistik të një përjavshmje mërgimtare, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. Studiuesit që janë marrë me studimin e atij programi janë në ndarë në pikpamjen se kush ishte autori që e kishte shkruar atë program; një pjesë këmbëngulin se autori ishte Fan S. Noli, dhje kjo s’ka pse vihet në diskutim-një pjesë tjetër kanë shprehë mendimin se atë program e ka shkruar Faik Konica, por studiuesit bashkohen në pikë të përbashkët, në vlerësimin dhe rëndësinë, duke e cilësuar si dokument historik që i parapriu Lëvizjes Kombëtare në SHBA. Vetë gazeta Dielli tek e komentonte programin e vet në numrin e 50 vjetorit, e cilësonte programin si program që I priu Pavarësisë së Shqipërisë, pavarësisht se në faqen e parë Dielli kërkonte Autonomi. Tek festonte 50 vjetorin gazeta e quante veten: “Dielli, ShkëmbiI patundur i Rilindjes Kombëtare”. Ndërsa editori më jetëgjatë i Diellit, për më shumë se dy dekada, Qerim Panariti, tek e komentonte në buletinin e 50 vjetorit të gazetës historinë e Diellit, shkruante: ”Programi i Diellit është një dokument hostorik; një trumbetë që ftonte emigrantët shqiptarë analfabetë të armatoseshinn dhe të shpëtonin vendin nga robëri e huaj…Autori i programit nuk i përtyp fjalët, ..S’është njeri memec. S’ka frikë. Nuk iu drodh dora kur e shkroi. Nuk iu tremb syri. Vuri në kartë ato që i ndjente zemra dhe shpirti i tij.”. Sipas Panaritit autor i këtij programi ishte “Fan S. Noli, njeri i lindur jashtë Shqipërisë, por që guxojë të kërkojë një Shqipëri për Shqiptarët”.

Një arsye tjetër se përse autor i programit dhe editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli(edhe pse emri i tij si editor nuk u shkrua derisa gazeta u bë prone e Federatës VATRA)- është se Faik Konica, u lakua për tu emëruar drejtor i Diellit shumë kohë më pas se sa Dielli nisi botimin. Kjo ndodhi në mbledhjen e Shoqatës Besa-Besë të datës 14 Mars 1909, pra një muaj pasi kishte nisë botimi i Diellit dhe numri i parë prej tij do të dilte me 22 tetor 1909, pra 8 muaj gazeta doli me Fan S Nolin. Emri i Faik Konicës u publikua në Diellin me numër rendor 30, dhe i takon 22 tetorit 1909. Numerikisht 29 numrat e parë i drejtoi Fan S. Noli.

Në numrin e vet të parë me 15 shkurt 1909, Dielli e shpallte publikisht:Kryefjala jonë është “SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT”. Në programin e vet Dielli kërkonte:Njohjen e kombësisë shqiptare prej qeverisë Turke. Në kombësinë Shqiptare hyjnë të gjithë ata që flasin shqip, pa vënë re çfare besimi, shkruante gazeta. Dielli kërkonte njohjen e  gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Shqipëri, në të gjithë hapsirën ku flitej gjuha shqipe Në gjykatoret dhe sundimoret e vendit të përdorej vetëm gjuha shqipe. As një gjykatës apo sundimtar që nuk e njeh gjuhën shqipe, nuk mund të punonte në këto institucione. E njëjta gjë vlente edhe për drjetuesit e feve.

Dielli kërkonte Arsim Kombëtar Shqiptar, shkolla për djem e për vajza vetëm në gjuhën shqipe. Mësuesit të mos ishin fetar, por të shkolluar në shkolla profesionale. Të merrej si model shkolla amerikane, ku nuk bëhen mësime fetare në shkollat fillore. Po ashtu kërkohej zhvillimi i arsimit profesional , shkolla bujqësore, mjeshtrijeetj. Programi i Diellit kërkonte zhvillim ekonomik Kombëtar,po ashtu kërkohej që të shkoqiteshin kufijtë e Shqipërisë. Në programin e vet me 15 Shkurt 1909, e shihet Shqipërinë autonome, që kishet të përbashkët me Turqinë vetëm ushtrinë, punët e luftës dhe punët e Jashtme. Gjithçka tjetër ishte në dorën e shqiptarëve.

Kur festohej 50 vjetori i gazetës Dielli, me 24 gusht 1959, editori i parë , Fan S Noli, u deklaroi vatranëve: “Kur themeluam Diellin me 15 të shkurtit 1909, nuk besonim që Turqia do shkonte nga Ballkani aq shpejt, ndonëse e dinim që ditët i kishte të shkurtëra, pranadaj për atë shkak, në programin e Diellit, kërkonim nga Turqia, pikat maksimume, por jo çkëputje prej saj. Kërkonim shkolla në gjuhën tonë, kërkonim kufi të caktuara me katër vilajetet: Kosovën, Shkodrën, Janinën dhe Manastirin brenda, dhe më në fund shtonim në program-Shqipëria të mos ketë gjë të përbashkët me Turqinë, veç ushtrinë, punët e jashtme dhe punët e luftës…Sot 50 vjet më vonë, gëzojmë një Shqipëri indipendente, por jo një shtet me katër vilajetet sikundër e dëshironim neve asi kohe.Për shpëtimin e kësaj copë Shqipërie të vogël, neve shqiptarët e Amerikës, me anë të Vatrës dhe Diellit, duhet të jemi kryelartë, se me sakrificat tona, shpëtuam Shqipërinë nga copëtimi, krijuam Kishën Kombëtare, botuam libra me rëndësi letrare, kombëtare dhe kishtare, dhe me anë të Diellit muntëm të mbajmë gjuhën dhe zakonet tona të gjalla për një gjysëm shekulli.

Në mbyllje të fjalës së tij Imzot Noli uronte ”Urojmë me gjithë zemër që Dielli, gazetë e parë në gjuhën shqipe , që u botua e përditme, të arrinjë të festonjë dhe njëqind vjeçarin.100 vjeçarin e uruar nga Noli, Dielli u ringjall, pas dy vite e gjysëm mosbotim, dhe organizoi një festim madhështor në një nga Universitetet e Neë York-ut, në Monroe College. Sot DIELLIT I festojmë Ditëlindjen e 110-të.

Dielli është cilësuar si një “Kandil kombëtar” që u ndez me 15 Shkurt 1909 dhe është mbajtë ndezë deri më sot. 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.

Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e  kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Bahri Omari(1916-1919), Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Bilal Xhaferri, Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.

Prej 10 vitesh Dielli drejtohet nga Editori I sotshëm, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print dhe në Online, ndërkohë që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.

Gazeta Dielli u themelua prej Shoqerise Besa-Besen me 15 Shkurt, 1909, si fletore e perjavshme. Me 11 Mars, 1913, pasi Shoqeria Besa-Besen u-tret( lexo: bashkua) ne Vatren dhe Dielli u-be proprietet i Federates, nisi te dale dy here ne jave. Me 18 Nentor,1914 nisi te dale tri here ne jave. Me 9 Nentor, 1915, nisi te dale e perditshme.

Koleksioni I gazetës prej 15 Shkurtit 1909 e deri më sot dëshmon se ai u drejtua nga këta redaktorë : I Per. At Fan Noli qe me 15 Shkurt, 1909, gjer me Tetor 15, 1909. Z. Faik Be Konitza qe me Tetor 22, 1909, gjer me 18 Mars, 1910. Komisioni i Shoqerise Vatra e drejtoj Diellin pa redaktor qe me 25 Mars gjer me 29 Prill, 1910. Faik Be Konitza qe me 6 Maj, gjer me 1 Korrik, 1910. Dielli pushoj se botuari qe me 1 Korrik gjer me Tetor 1910. I Per. At Fan Noli qe me 7 Tetor, 1910 gjer me 7 Korrik, 1911. Z. Efthim Natsi qe me Korrik 13 gjer me Shtator 14, 1911. Z. Kristo Floqi qe me 21 Shtator, 1911, gjer 18 Korrik, 1912. Z. Faik Be Konitza qe me 1 Gusht, 1912 gjer me 8 Korrik, 1913, po ne Janar te ketij moti Faik Beu shkoj ne Evrope dhe barra e redaksise qe ahere I mbeti me teper Z.-it Efthim Natsi. Z. Kristo Dako qe me 11 Korrik gjer me 26 Gusht, 1913. Z. Paskal Aleksi qe me Gusht 29, 1913 gjer me 13 Shkurt, 1914. Z. Denis Kamburi qe me 17 Shkurt gjer me 14 Kristo Kirika, 1914. Z. Efthim Natsi qe me 10 Korrik, gjer me 6 Nentor, 1914. Z.Koste Çekrezi qe 10 Nentor 1914 gjer me 20 Dhjtor 1915. I Per. At Fan Noli qe me 21 Dhjetor gjer 6 Korrik 1916. Z. Bahri Omari qe me 7 Korrik e gjer me 1919, më pas do të rikthehej sërish Kostë Çekrezi, për t’ia lënë vendin me radhë: Andon Frashërit, Aqile Tasit, Refat R. Gurrazezit, Nelo Drizarit,(parallel tek Dielli I Detroitit Refat Gurrazezi), Peter Tyko, Qerim Panariti,Peter R. Prifti(Co Editor) Bilal Xhaferri(Co Editor), Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhiu, Arshi Pipa, Anton Çefa(1994—2009), Dalip Greca( nga 2009). Dielli prej një viti ka edhe editor për Gjuhën angleze, gazetaren Rafaela Prifti.

Në jetëgjatësinë e Diellit kanë meritën e tyre edhe menaxherët e gazetës.

I pari manager i Diellit ishte Z. George Konda Gjoleka qe kur u-themelua gazeta gjer me 5 MAj, 1911. Z. Lambi Çikozi qe me 12 Maj, 1911 gjer me 25 Prill, 1912. Z.Kristo Kirka qe me 9 Maj 1912, gjer me 20 Maj, 1913. Z.Lambi Çikozi qe me 23 Maj gjer me 8 Korrik 1913. Z.Kristo Dako qe me 11 gjer me 22 Korrik, 1913. Z.Hamid Lumi qe me 25 Korrik, gjer me 26 Gusht, 1913. Z.Vangjel Gjika qe me 29 Gusht, 1913, gjer me 8 Maj, 1914. Z. Dennis Kamburi qe me 12 MAj, gjer me 3 Korrik, 1914. Z.Loni Kristo qe me 7 Korrik, 1914, gjer me 7 Korrik, 1915. Z.Muke Permeti qe me 9 Korrik, 1915, gjer me 21 Prill, 1917. Z.Akif  Permeti qe me 16 Korrik 1917 deri me 1920. Më pas rolin e menaxherëve e kanë luajtur kryetarët e Vatrës.

Gazeta ”Dielli” mbetet regjistri më i vjetër i Shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e pashkolluar të Amerikës dhe mbajti ndezur idealet Kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe Kulturën Kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombit Shqiptar. Dielli është vlerësuar si gazetë serioze e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin “Common Council For American Unite”, ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50.Editor ishte Qerim Panariti.

Dielli ka merita të mëdha edhe në fushën e Letërsisë dhe Kritikës Letrare; në faqet e tij u botuan përkthimet e para nga klasikët e huaj, dhe u stimulua krijimtaria letrare. Gazeta”Dielli” mbetet zëdhënsja dhe misionarja më e respektuar dhe më e çmuar e shqiptarizmit në SHBA.

Dielli u predikoi mërgimtarëve detyrën kundrejt Atdheut. Gazeta u kthye në ushqim mendor dhe shpirtëror i domosdoshëm për shqiptarët e Amerikës, të cilët i mëkoi me dashurinë ndaj Atdheut.Diktatura komuniste u përpoq ta shuante Diellin, por nuk ia arriti, edhe pse i pushkatori apo i burgosi disa nga editoret dhe menaxheret e saj si: Bahri Omari, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Aqif Përmeti, Aqile Tasi e të tjerë.

Vatra dhe Gazeat e saj “Dielli” përbëjnë një binom të pandashëm, që i lidh e i mbanë bashkë çështja Kombëtare. Kanë thënë shpesh se Dielli dhe Vatra do të shuheshin, por jo, ato e kaluan shekullin dhe përjetojnë shekulline  dytë.Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm.Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë me shqiptarinë.

Nesër, e Shtunë 16 Shkurt 2019, Vatra do të udhëtojë drejt Bostonit për të organizuar një veprimtari të përbashkët me Kryekishën e Shëngjergjit dhe bibliotekën Noliane kushtuar 110 vjetorit të Gazetës Dielli. Mikpritësit janë i përndershmi Kryekancelar At Arthur Liolin dhe drejtoresha e Bibliotekës Noliane Neka Doko.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, DIELLI I VATRËS NË SHBA, MBUSHI 110 VJEÇ

GEORGE KONDA(GJOLEKA), MENAXHERI I PARË I GAZETËS “DIELLI”

February 13, 2019 by dgreca

Me rastin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”/

1 Georhge KondaGeorge Konda1Faiku1

 – Faik Konica: Drejtori i DIELLIT mbushi një detyrë të veçantë, duke rrëfyer se sa i çmon mundimet e të dashurit atdhetar, Z. George Konda (Gjoleka), i cili ka marrë përsipër sundimin e gazetës.

 NGA DALIP GRECA*/

Me rastin e 110 vjetorit të gazetës “Dielli”, kujtojmë me respekt dhe çmojmë kontributin e veçantë të zotit  George Konda(i njohur me pseudonimin Gjoleka), menaxherit të parë të gazetës nga 15 Shkurti 1909 e deri më 28 Prill 1912, kur ajo ishte pronë e shoqërisë”Besa-Besën”.Në pozicionin e menaxherit, zoti Konda administronte gazetën: shtypjen e saj në shtypshkronjë, shpërndarjen tek lexuesi, abonimet, shitjen dhe të ardhurat.

Gjoleka e kreu më së miri detyrën, përderisa Faik Konica dhe Fan Noli, editorët e gazetës në kohë të ndryshme, me të cilët ai bashkëpunoi nga afër, kanë lënë vlerësimet më të larta për të.

George Konda(Gjoleka) ishte menaxheri i gazetës “Dielli” që në numrin e saj të parë, me editor Fan Nolin, vazhdoi me Fan S. Nolin, Efthim Natsi, duke e mbyllur me Kristo Floqin, i cili ishte editori i fundit për sa kohë gazeta ishte pronë e shoqërisë Besa-Besën.

Noli nuk kishte ku të gjente një menaxher më të mirë se George Konda, i cili pat dhënë kontribut edhe në gazetën ”KOMBI” të drejtuar nga Sotir Peci; Konda, kishte qenë tashmë ndër atdhetarët më të dalluar të Shoqërisë”Besa-Besën”.

Në një letër(e cila ndodhet në arkivin e Vatrës, dosja e Agim Karagjozit), që Vangjo Konda, i biri i George Kondës, i dërgonte më 12 Prill 2002 ish kryetarit të ndjerë të Vatrës, ing. Agim Karagjozit, me rastin e 90 vjetorit të organizatës, krahas urimit për festën, i jep informacione lidhur me kontributin dhe aktivitetin patriotik që kishte dhënë i ati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në letër gjejmë edhe të dhëna biografike për George Kondën(Gjoleka).

George Konda (Gjoleka) lindi në Dardhë të Korçës në vitin 1880. Ai ishte djali i madh i një familjeje me pesë fëmijë. Mësimet e para i pati marrë në shkollën e Dardhës e më pas vazhdoi shkollën në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Në moshë ende të re emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mori edhe kontaktin e parë me lëvizjen patriotike për pavarësinë e Shqipërisë. Në vitin 1900 erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u vendos në Boston, Massachusetts. Ai ishte një nga pionerët e lëvizjes shqiptare për pavarësi në Shtetet e Bashkuara.

George Konda(Gjoleka) ishte ndër aktivistët e njohur të shoqërisë Besa-Besën, e cila u bë shtylla kryesore në themelimin e Federatës “Vatra”. Gjurmët e veprimtarisë së tij i gjejmë edhe në gazetën “Kombi”. Në numrin 69 të gazetës “Kombi”, që mban datën 10 Janar 1908, gjejmë informacion që tregon se George Konda ishte zgjedhur për atë vit numri 2 i Shoqërisë Besa-Besën. Kombi shkruan: “Me 3 Janar 1908 shoqëria Besa-Besën bëri zgjedhje të reja. U zgjodhën:

Kryetar-Sotir Nickel

N/Kryetar- George Konda(Gjoleka)

Arkëtar- Nikolla Kristofor

Shkronjës-Nini Fani

Pleqësi: Mihal Panajoti, Mihal Berati, Goni Adams, Petro Tashko, Nasi Aristidhi, Mihal Kristo, Pando Opingari.

“Kombi” shfaq opinionin e vet për  ekipin drejtues të atij viti: “S’ka dyshim se nën këtë pleqësi dhe kryesi, shoqëria do të shkojë përpara.”

Në Boston George Konda (Gjoleka) u njoh dhe bashkëpunoi me atdhetarë të shquar, ndërmjet tyre Fan S. Noli, Sotir Peci, Faik Konica e të tjerë, që dhanë një kontribut të madh për pavarësinë e Shqipërisë. George Konda bashkëpunoi me Sotir Pecin për të botuar në vitin 1906 numrin e parë të gazetes “Kombi”. Së bashku me Nolin dhe Konicën, ai punoi për organizimin e shoqërisë ”Besa Besën” dhe Federatën “Vatra” e më vonë, për botimin e gazetës “Dielli” në 1909.

Në vitin 1925 ai shkoi në atdhe për t’u martuar me Vasilo Glozhenin e më pas u kthyen së bashku në SHBA, ku u lindi një djalë (Vangjo Konda). Për kohën që qëndroi në SHBA, George Konda ishte një figurë e njohur dhe me autoritet mes shqiptarëve të Amerikës. Ai kishte biznesin e tij (restorant) dhe kontribuoi vazhdimisht me mjete financiare për çështjen shqiptare.

Gjurmët e George Kondës gjenden në koleksionin e gazetës “Dielli”, tek “Kombi”, si dhe në rekordet e Shoqërisë “Besa-Besen”. Në numrin të gazetës  “Dielli” , botuar më 23 Mars të vitit 1909, në një kronikë ku pasqyrohej mbledhja e Shoqërisë “Besa-Besën”, përcillej informacioni i më poshtëm…(Te plote e lexoni ne Diellin ne print)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, George Konda(Gjoleka), i Diellit, Menaxheri i pare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT