• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dashuri me pantallona të shkurtra

December 5, 2015 by dgreca

Tregim nga Ilir Levonja/

Po përgatitemi për manifestimet e majit. Shirat kanë mbaruar. Zakonisht në këtë stinë më duket sikur jeta hapet. Të qeshurat janë të kumbueshme. Aq më tepër që vishemi edhe me ndërresa të reja dhe të lehta. Kur shkojë në shkollë kalojë mes katër kopshtijeve. I bie për shkurt. Tek kopshti i Vasos marrë bistakë bajamesh. Janë si thile, të gjelbra. Ta mbushin gojën plot ujë të freskët. Tek kopshti i Lekos marr  kumbulla të kuqe. Tek ai i Bariut, trendafilë. Ka nga të gjitha llojet. Kuqalash kërmes. Të verdhë, rozë vocërrakë. Nga ata që lëshojnë papushim petale. Veç nga një marr, nuk bëj buqeta se pastaj më tallin shokët. Kurse tek Mali, zymbylë të blunjtë. Nga ato si me veshë lepuri.

Fqinjët i kam të mirë dhe nuk më thonë gjë.

Ndonjëherë qëllon që të zgjatem pa gajle se po më shikon apo jo ndonjë nga të shtëpisë së fqinjit. Një ditë Vaso po pinte kafenë më këmbë. Aty tek shkallët e verandës. Unë që erdha nga mbrapa, u zgjata të kap nja dy bistake. Ai u kollit. I zënë në faj mbeta me dorën në ajër dhe sytë nga ai.

-Këputi, këputi po ta dish se nuk ka bajame për tët’ëm  në dhjetor. E de kur të bëjë bakllavanë e vitit të ri. Hajde ik tani se vonohesh edhe për në shkollë.

Unë nuk bëra përpara. Më erdhi ca turp.

-Burrë me pantallona të shkurtra, – vazhdoi ai duke qeshur.

I dolën në pah dhëmbët e rregullt por që ia kishte bërë si me vraga të nxirash tymi i duhanit. Ai nuk e hiqte cigaren nga goja.

Qesha dhe dhe unë. Megjithstë e mora atë dyshen që ma bënte me sy dhe ika me nxitim. Ushtrimet fillonin për dhjetë minuta. Më ra për pjesë të isha në vendin e parë për shkak të gjatësisë. Në fillim hezitova. Por kur pashë Sonilën në krye të rreshtit të vajzave, përbri meje. U mjaftova vetëm me një heshtje të thellë. Nga ato ku njeriut i pëlqen të dëgjojë se si i kumbon zemra brenda kraharorit.

Jam pesëmbëdhjetë vjeç. Nuk dua ta them. Më vjen turp. Por nuk e përmbaj dot dëshirën për të patur një të dashur. Nuk e di. Nuk e di me gjithë mend. A është mosha? A jam në kohë? Ndofta shumë herët për të menduar për njeriun e së ardhmes tënde. Pasi përpara janë vite e vite dhe kushedi se çfarë përvoje tjetër të ofron jeta. Megjithatë më pëlqen kaq shumë të fle herët, si e si në atë gjysmë terr, sidomos kur pullazet gjerbojnë me ujra të lëbyrta, për një botë tjetër, e cila duket se i ngjan vetëm atyre të librave, ose filmave ku ka një subjekt për t’u mbajtur mend. Por mua pikërisht librat nuk më pëlqejnë. Dhe për më keq akoma, nuk kam një shok me kë ta ndajë të fshehtën time. Si më quajti Vaso, burrë me pantallona të shkurtra. Po çfarë të keqe ka? Pastaj sikur nuk e di ai, që po përgatitemi për ushtrimet e manifestimit. Jo vetëm ne në shkolla. Kudo, i gjithë qyteti. Maji po afron. Edhe sheshet e ndërrmarjeve vlojnë.

Kur u futa në oborr, shkolla ishte rreshtuar. U vendosa në vendin tim. Sonila më buzëqeshi. I ofrova bajamen dyshe, si thile.

-E majta lart, e majta, dëgjon e majta, – bërtiti ai që drejtonte ushtrimin.

-Faleminderit, – më tha Sonila.

Unë vetëm sa i qesha. Më pas erdhi ora e mërzitshme e trigonometrisë. Sonila nuk më hodhi asnjë vështrim. Biles aq shumë po punonte me librin të thuash sikur kishte gjetur aty dashurinë e vërtetë. Në ato konvencione trekondorësh, këndi, katetet dhe hipotenuzën. Po me që ra edhe fjala. Që unë dua ta them. Në fund të fundit, me vete po flas. Por të paktën më duket sikur ia them dikujt tjetër. Dhe ke parë ti, që këto gjëra të shpëtojnë nga ndonjë akuzë e paparashikuar prej çunave të klasës. Po të më eci, do u them çunave pse bëni sikur nuk e dinit ju? Po nuk më eci, do u them, hë mo se shoqëri kishim me njëri-tjetrin. Por ju kot na i hapët namin. Por e vërteta është e vërtetë. Sonila nuk di asgjë që unë e dua. Të paktën derisa nuk i kam thënë asgjë. Veçse nuk e kam të vështirë të ndjejë atë që në raport me djemtë e tjerë të klasës. Asaj i pëlqen të rrijë më shumë me mua. Ndofta edhe ajo torturon veten si unë. Ndofta edhe jo. Por çfarë rëndësie ka?

Një ditë, Jurgeni më tha:

-Asaj ia ka qejfi me ty nga që i sjell lule baçja. Kështu është ajo, gënjëhet me vocërrima bebesh.

Kaq dhe asgjë më shumë. Kaq që atëhere. Mirëpo këtë vit, ai e ka marrë disi me seriozisht. Më ndjek me sy. Më ndjek kudo. Përjashta në oborrin e shkollës sidomos. Megjithëse Sonila pak vjen vërdallë. Do i dali ndonjë punë kabineti. A kushedi se çfarë. Gjithë kohën është e zënë. Tani ushtrimet e manifestimit, Jurgeni është i treti. Në krah ka Aidën. Edhe ajo e bukur është. Po ai mban sytë nga ne. Dhe çuditërisht, edhe pse shokë klase bashkë për vite e vite me radhë. Nuk u miqësuam prej vërteti. Edhe pse nuk e ngacmojë kurrë. Ai do gjej diçka tek mua. Mënyrën se si kam krehur kokën. Si jam qethur. Si jam veshur. Apo do më përqeshi kur them diçka. Kur diskutojmë në klasë. Si e si të uli, që të tjerët të qeshin. Por unë nga që e kam kuptuar me kohë se, të gjitha i bën nga inati që Sonila nuk ia var. Ose nuk afrohet me atë si me mua. Ndofta është zgjedhja e saj që e ka bërë atë si të thuash armikun tim.

Pasi mbaruam ushtrimet drejtori na tha përmes mikrofonit se nga e nesërmja do i vazhdonim përgatitjet në stadiumin e qytetit.

-Do visheni me uniformë, që ju kemi thënë të përgatisni, blu me të bardhë. Dhe shallin e kuq rreth qafës. Kurse në këmbë këpucët më të mira që keni, – tha ai.

U futëm brenda për të filluar mësimin. Tek shkallët kryesore, ai më vuri pengesë nga mbrapa. Dhe unë gati sa nuk theva dhëmbët. Mu errën sytë dhe në të e sipër vura re se më doli gjak nga hundët. Shkova gati me vrap në banjo. Aty u pastrova, por gjaku nuk pushoi. U detyrova të mbaja kokën lart për dhjetë a pesëmbëdhjetë minuta.

Nga darka nxorra uniformën. Vendosa me kujdes bluzën e bardhë sipër krevatit, pantallonat shkurtra. Dhe këpucët e llustrafinit nga poshtë. I mbaja me një valixhe kartoni, për raste. Këto këpucë i bleva para një jave. Me lekët e mia. Deri kavanoza qelqi shita.

Vonë pas mesnate ra një shi i dendur. Me gjëmimeme dhe shkrepëtima. U ngrita i trembur. Dhoma zbërdhylej herë më herë. Dridheshin xhamat. Sqota rrihte dritaren. Përballë kisha dollapin e madh. Dhe aty në pasqyrë shfaqesha gjysmë gafil dhe i habitur.

-Çfarë është ky kismet, -thashë me vete.

Ai në pasqyrë, humbi në errësirë. Pastaj kur shkrepëtiu vura re se nuk ishte aty. Preka trupin tim. E ndjeva veten, por u kujtova që isha futur në shtresa. Ndaj në pasqyrë reflektoi vetëm shtrati me kurrizin prej batanije ushtari.

Errësira është një libër që nuk lexohet, por shikohet. Shikohet faqe më faqe si në një film. Veçse me ndryshimin që ngjarjen, rrjedhën, fundin e saj njeriu e stis si ia ka qejfi. Natyrisht me një fund të lumtur.

Të nesërmen u zgjova me një diell brilant. Por duke e ditur se për shkurt, nga kopshtet e fqinjëve nuk kaloja dot. Dhe se rruga duhej të ishte akoma e lagur, i vendosa këpucët në një çantë qese. Nga ato me pejzazhe që kishin filluar të ishin në modë. Vesha këpucët e vjetra. Dhe nxitova.

Kur po afrohesha tek stadiumi, më zuri rrugën Jurgeni. Gjysmë me të tallur, gjysmë me të shtyrë. Më hodhi keq në një pusetë. U tmerrova nga dhimbjet dhe nuk e di se ku më fluturuan këpucët. U përmenda në spital dhe aty mësova se kisha thyer këmbën e majtë, afër kaviljes.

Qe viti më i zi për mua. Humba ushtrimet, shkollën dhe e kalova verën me paterica. Në shtator dhashë për vjeshtë, më shumë formalitet pasi mësuesit e kishin ndarë mëndjen për notën, provimet e pjekurisë. Gjimnazin e fillova me vonesë. Por e dija. Sonila nuk ishte me ne. Nuk ishte aty. Familja e saj qe transferuar në veri, në një qytet të ri. Që e kishin ndërtuar krejt nga e para, pasi ai vjetri po fundosej në ujrat e një liqeni të madh. Kurse Jurgeni më në fund ndërroi mëndje. Dhe u bëm shokë të mirë.

Nga ajo kohë ka kaluar tanimë mbi tridhjetë e kusur vite. Jetoj në Athinë, si emigrant. Jetoj vetëm fare. Pasi Zoti nuk më dha shancin të gjeja edhe unë gruan e duhur. Eshtë budallallëk ta thuash, sepse as vet nuk e di se çfarë lloj gruaje dua. Dhe nganjëherë dërrmohen duke ftilluar një pyetje, gruaja është ajo që do dhe si e do ti? Apo është thjesht grua si gjithë të tjerat. Që ha, shkon në banjo, lahet, etj. Me një fjalë siç do të jetë ajo. Ashtu siç do të jesh edhe ti. Dhe ndofta fakti që kësaj mëdyshje nuk i ka ardhur fundi. Unë do vazhdoj përjetësisht, më shumë të mendojë, se sa të kërkojë të jetojë me një grua.

Dola përjashta me xhepat mbushur.Kam vite që kursej. Sot të vëje ku të vej. Kam edhe ditëlindjen. Se sa vjeç jam. Nuk po ua them. Por mjafton të t’ju kujtojë se pi ilaçe tensioni. Megjithatë u kënaqa. U futa në një tavernë. Dhe piva uzo, hëngra gjiro me pite e xaxiqe sa u shëmba. Piva dhe qerasa. Nja dy djem rusë me që një shoqja e tyre më ngjasoi me Sonilën e dikurshme. Nuk e dini se, burri është gjëja më e shpifur kur qeras me interes kësisoj, por më fisniku  pasi e bën në emër të zemrës së mirë. Kështu edhe unë. Dhe me që nuk banoja larg nga aty. I mora rrugicat e mëhallës që i thonë Plakat, më këmbë. E dua Athinën. Nuk ngopem ta jetojë. Ndaj ndala edhe diku tjetër. Ktheva një uzo me gotë të gjatë.

Në mëngjes u çova me përtesë. Ndjeva se dikush fëshfëritej tek dera. U afrova dhe e hapa. Çfarë të shikoja, një alamet kutie e mbështjellë për bukuri rrinte sus. Përsipër flinte macja e fiqnjës. E mora dhe e hapa me kujdes. U drodha sikur të më kishte zënë korenti. Gjeta një palë këpucë llustrafini dhe një kartolinë ku më uronin, u bëfsh edhe 100.

Besoj se e merrni me mend kush m’i solli. Dhe që t’ua shuaj kuriozitetin, unë e gjeta Sonilën. Ne u gjetëm. Tani ajo është gruaja ime, ndofta edhe për faktin se unë ndalova së arsyetuari se si, e qysh, duhet të jetë një grua. Tani unë mendoj se gruaja duhet jetuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dashuri me, Ilir Levonja, pantallona, të shkurtra, Tregim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT