• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dedë Gajtani – Njeriu fisnik, poeti i talentuar, përkthyesi i rrallë

January 15, 2017 by dgreca

1-Anton-Cefa-2-250x299Nga Anton Çefa/1 gajtani

Ne Foto:Dedë Gajtani/

Më së tepërmi, emri i tij lidhet me Shkodrën, ku mori mësimet e fëmijërisë dhe të rinisë në Kolegjin Saverian të jezuitëve, një Institut i njohur  brezni mbas breznish, që sendërtuan vlera të larta në fushën e atdhetarisë, të kulturës, të shkencës, të arteve, etj. Shkollimin e lartë në kolegjin “Propaganda fide”, Romë.

1 perkthimeShkodra ka qenë dhe është qyteti që e ka lidhur dhe e lidhë atdheun me Europën Perëndimore, duke i ushqyer  breznitë e reja me kulturën e saj, arritjet e saj në zagnat e dijes, artit, shkencës. Një rol të veçantë në këtë hulli ka luajtur letërsia artistike dhe në këtë mjedis letrësia e përkthyer nga letrësia botërore, ku emri i Dedës zë një vend të çmueshëm. Ai renditet në radhën e përkthyesve shkodranë më të njohur e më të mirë si Ernest Koliqi, Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj, Nikollë Dakaj, etj.

Nata e errët, e ftohtë dhe e gjatë e periudhës së diktaturës ka errësuar dhe, më përtej, ka mohuar realizimet e niveleve të larta të krijimtarisë letrare të talenteve shkodrane; megjithëkëtë nuk ka mundur t’i zhbëjë. Një disidencë e heshtur ka dhënë frytet e saj. Letërsia e shkruar në heshtje ka vlerat e saj si shfaqje e shpirtit krijues, si përmbajtje e veprës letrare dhe si formë e saj. Ajo gjalloi në Shkodër, e cila, si qendër e lashtë dhe e rëndësishme tradite e kulture, nuk mund të binte lehtë viktimë e verbër e propagandës komuniste, e gënjeshtrës dhe e mashtrimit.

Disidentët shkodranë e kuptuan mirë, e gjykuan drejt, dhe e ndoqën hap pas hapi kohën që jetuam, kështu që vepra e tyre është pasqyrë shpirtërore e intelektualit të ndershëm, e hije-dritave ku luhatej ndjenja dhe mendimi, ideali dhe brenga e kohës, një pasqyrë ku vezullon ideali human, dhimbja e thellë për popullin që po vuante të zezën e ullirit, pasqyra ku flakëron dinjiteti i njeriut dhe i krijuesit. Do të mbeten në historinë e letërsisë emrat e lavdishëm të disidentëve shkodranë: Zef Zorba, Tefë Krroqi, Ernest Perdoda, Primo Shllaku, Sander Gera (pjesërisht). Këtij grupi i takon  edhe Deda dhe autori i këtij shkrimi.

Shkodra është qyteti që e bëri poet Gajtanin që në vitet e rinisë. Motivet, prozodia, veçoritë e stilit poetik, terësia e mjeteve artistike, liçencat poetike, fjalori tejet i pasur i takojnë asaj. Për t’u shënuar është që Deda eci në gjurmët e Mjedës, si vazhdues i denjë i rrugës që pati hapur ai.

Ndjenja e dashurisë për Atdheun haset në shumë poezi dhe i takon kohëve të ndryshme. Në një poemë që i është kushtuar “Kalasë së Rozafatit”, Rozafa i flet të birit, piçirukut të vogël, që kërkon t’ia bien me e pa për herë të fundit:

“ . . .  – Mos harro, o bir -!

 Se nana jote njiktu asht ba fli,

 Që ti të rritesh, i fortë dhe i lirë

Për Shqipëri.”

Si poet tejet i ndieshëm, kur është larg, poetizon për mallin, që përbën një nga lejtmotivet e tij kryesore. Një mall i konkretizuar nga një dhimbje e thellë shpirtërore dhe një dëshirë e pamposhtur: mall për atdheun, mall për Shkodrën, mall për familjen, mall për shoqërinë, etj.

“Në qytet të amshueshëm përmbi shtatë kodra,

ndojherë  kur lodhun m’bien sytë prej ballit

rri tuj menduemun,  sa e bukur asht Shkodra!

E kjaj prej mallit.”

Te Deda hasim të gjitha llojet e lirikës: lirikat politike, filozofike, erotike, lirikat e peisazhit, etj. Të tërheqin vërejtjen përshtatjet nga letërsia e huaj: “Atdheu”, simbas L. Orsinit, “Kushtrimi i Kosovës” dhe “Lidhja e Prizrenit, simbas G. Berchet. Në poezinë e parë ushton kushtrimi i luftës për çlirim nga pushtuesi serb:

“Sot, ju burra, pra Atmes kreshnike,

zbardhnia faqen si në luftë a zakoni!

Sot për atme a ndezë lufta, Fitoni!

Përmbi shpata fitimi ju rrin.”

Në poezinë “Lidhja e Prizrenit”, është po ajo situatë, tashmë e konkretizueme në një organizatë politike mbarëshqiptare, e cila krijon ushtrinë e vet, dhe hidhet në luftë për çlirimin e atdheut nga sundimi shekullor turk dhe për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.  Poeti si gjithnjë hedh kushtrimin:

“Në kambë, bre burra! Si burrat e motit,

Mos t’korisim n’ ditë t’ sodit Malcinë!

T’ lshojm kushtrimin m’e  pshtuemun Shqypninë!

Pse Shqypnija, sot t’ gjithve na ftoi.”

Shumë motive poeti i ka kushtuar punëtorit, sidomos bujkut, duke përshkruar jetën e vështirë të tyre, punën e mundshme që të sigurojnë bukën e gojës, duke e përballuar atë me urti e me nder. “Rrin tuj mihë atje/ sa ka çilë drita, nji djalë”. I gëzohen punës “lehtë nji kangë tue këndue nën za”, dhe falënderojnë Zotin.Një mori motivesh realizohen nën dritë-hijet e kujtimeve të shumta e nga më të ndryshmet, gjithnjë të përshkuara nga një ndjenjë e fuqishme dhe një ideal i fisëm. Kujtime familjare, kujtime shkollore, kujtime të kohëve të ndryshme, kujtime të stinëve; të gjitha shoqëruar nga një përmallim i  thellë.

Gajtani është i njohur si një ndër përkthyesit më të mëdhenj të poetëve të huaj. Ka qenë poliglot, ka zotëruar latinishten, greqishten e vjetër, italishten, spanjishten, gjermanishten, anglishten. Deda e ka pasuruar letërsinë tonë me poezitë e poetëve të shquar: A. Rossini, A. Manzoni, A. Aleadri, G. D’Annunzio, H. Heine, V. Hygo, L. Ariosto, G. Barsottini, Brunamonti, Carrer, G. Gapparozzo, D. Guerrazzi, G. Chiarini, A. G. Cesareo, T. Colonna, Chateubriand, L. Pignoti, G. Mazzoni, G. Carducci, Delille, V. Da Filicaia, G. Debato, Paul Deroulede, U. Foscolo, A. Fusinatto, Longffellow, A. Fogazzara, T. Grossi, J.W. Goethe, A. Graf, G. Giusti, I. Kasandrie, Ada Negri, G. Prati, G. Leopardi, R. Fucini, V. Maro, G. Marradi, A De Musset, B. Menzini, Mayo, A. Novaro, E. Nencioni, G. Pascoli, P. Parzaneze, B. Prina, E. Praga, E. Panzacchi, G. Pastocchi, A. Poliziano, Ruskin, Rinaldi, G. Catullus, Friedrich Schiller, Shelley, B. Sestini, T. Tasso, J. Da Todi, E. Von Bauerfeld, N. Tommaseo, Felic Uda, G. Zanella, A. Zadro, Hebel, C. Bertola,

Duhet vënë në dukje se nga këto poetë, në përgjithësi, ka përkthyer disa poezi, p. sh., nga Manzoni: tetë poezi, nga Leopardi : shtatë poezi, etj. Gjithsejt ka përkthyer 130 poezi.

Deda ka botuar në revista dhe gazeta të ndryshme si “Kumbona e së Dieles” (Shkodër), “Rrezja Jonë” (Shkodër), “Shkëndia” (Tiranë), “Mbas Teje” (Shkodër), “Jehona e së Dielës” (Shkodër), “Balli i Rinisë” (Tiranë), “Zani i Shna Ndout” (Shkodër), “Aurora Consurgens” (Shkodër), “Bashkimi i Kombit” (Tiranë), “Cirka” (Tiranë), “ Familja e Krishterë” (Tiranë ). Gjatë periudhës së diktaturës nuk ka botuar.

Ai ka nënshkruar me emrin e plotë, por dendur ka përdorë edhe pseudonimin “Firsi”. Nëse i vemë një emërues  të përbashkët veprimtarisë së tij letrare si poet dhe përkëthyes do të themi: të gjitha poezitë dhe poemat i përshkon një moral i lartë kristian, një atdhetarizëm i flaktë dhe një dashuri e spikatur për Shkodrën.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: – Njeriu fisnik, Anton Cefa, Dede Gajtani, përkthyesi i rrallë, poeti i talentuar

100 vjetori I DEDË GAJTANIT

June 8, 2015 by dgreca

Perkujtimore nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto:DEDË GAJTANI-(1915 – 1993)/
KALASË ROZAFATIT/
O mure të vranta të Rozafatit,/
Që tash sa shekuj ju besnikë mbrojës,/
I patë sa orla të zezë msyen këtij shpatit/
Çerdhen shqiponjës!/

Sa ushtri turku këtu e barbarë erdhen,/
Sa herë o shqipe me luftë të kanë mësy,/
Por s’muejt asnjeni ta prishi çerdhen/
As t’pushtojë ty!/

Po njikëtu motit shqipet rromake
Fishklluen rreth teje me te shkye me skjepa,
Por ti,o shqipja shqiptare,i flake
Copë copë në këto shkrepa.

Sa herë t’u sulen ndër kohna të vjetra,
Sa herë t’u sulen ndër kohna të reja,
Ti, O shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,
Mu, te foleja.

Të tana këto troje kreshnike, të lashta,
Që grabitqarët ndër shekuj msyne,
Të tana, të coptueme me kocka e rrashta
Të zeza të tyne.

Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,
E ke asht afrumun e ka djegë mbrendë,
Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit
E ka për të kenë!

U lëshuen të grabisin, sa herë vandalët
Rromakë e turq e serb, venedikë,
Por te i to ledhe, u thyene valët,
Porsi te i digë.

Ledhet hijeranda të kalasë madhshtore
Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare,
Porsi ma e bukua, sot permendore
E tokës shqiptare.

O njato mure e njato rrenime!
Mbulue prej myshqesh e shermashekut,
Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,
Të kohës së Skanderbegut,

Kur fërshllen era n’ato bedena,
Ndalun pranë ledhesh bariu me dele
Kujton Rozafen, që denesë mbrenda
N’ato themele.

Kujton Rozafen, nusen e re,
Që kur të tre vllazent filluen kalanë
Aty për së gjallit e futen në dhe
Të mjerën nanë.

S’i a vune veshin, o lotëve të saja,
Kur vunë themelin përmbi at koder,
Veç keshtu të qendronte, e fortë kalaja
E jote, o Shkoder!

Dhe e fortë kalaja qendroi ndër mote,
Se të fortë e bane këte njata lotë,
Sa s’ka qindruemun si kështjella e jote
Kala jo, në ketë botë!

E se kjajnë duket deri zogjë e malit
Prej mallit të nanës, mbas gojëdhanës së lashtë,
Që u lut e mjera, për hatër të djalit
Me i lane, gjinë jashtë.

Kur s’mund ta rrejshin me xhingla o ‘i gogel,
Kur ta marrë malli, u tha fëminë për mue,
Të i a çojshin nanës, djalin e vogel
Për me e pajtue!

Nën gurë të themelit të kësaj kala,
U lut Rozafa, tu i shkue lotët rrkajë,
Jashtë me i lanë synin e djathtë m’e pa
Djalin e sajë

Se pa te nana, kishte m’u merzitë,
Kishte m’e kputë malli, nanën e mjerë,
Loçken e zemrës, o ditë për ditë
Pa e pa nji herë!

Luti kunetet, luti kunorën,
Burrin e besës, që gojë s’pat çelë,
Jashtë me i lane, nanë zezës dorën
Që fëminë të përkdhelë.

Kadalë, tha unë djepin kam me i përkundë,
Ka me i këndue nana, me i za të letë,
E njomja e nanës, tash bjen në gjumë
E ka me fjetë.

Ka me i këndue nana: “Mos harro, o bir,
Se nana e jote, njiktu asht ba fli,
Që ti të rritesh i fortë dhe i lirë
Për Shqipëri!

Të ka rritun nana me gjak të zemrës,
Gjinë ta ka dhanun, me lot përzi,
Që kurrë, mos të shkelet ky truell prej themres
T’armikut të zi.

Prej vrimes murit, andej nga lindja
Dhe sot do pika binë në tokë ditë natë,
Janë pikat e gjinit, si kallxojnë gjindja,
Të Rozafes së ngratë.

S’a e drejtë me kjamun, Rozafë shkodrane,
Tash lene vajin, për hatër tonë,
Për hatër tandin, sa mija djelm nane
Luftuen gjithmonë!

Në shekuj sa trima me pushkë në dorë,
Për dashtni tande, janë hedhun në flakë,
E kanë dhanë jeten, sa mija deshmorë
Në luftë përgjakë!

O male, o gryga, o termopila,
Kur agon drita, ju u puthë në ballë,
E vjollca e lila e trandofila
Ju hedhë me mallë.

O male të larta, male titane,
Mësuemun me vallet e bumbullimës,
Sa të rrebta dukni ju ndër tufane
E në dritë të vetimës!

Frigen, rrufenat ju s’mund të ju kallin,
Se vaditë jeni, ju me këto luftra,
Krenare e ngrehni në qiellë të kaltër ballin
Edhe ma të bukra!

O male tona, përherë të reja,
Kur shkrepë në qiellë reja, në ju vret ma të nalten,
Të jeni krenare, se kur rrufeja
S’e ka gjujtë balten!

Ju vezulloni sikur diamante
Në qiellin e bukur të Shqiperisë,
Shenat e kjarta e gurra t’argjanta
Këndojnë kangë të lavdisë!

Si tepër të bukur edhe Rozafen
Armiqtë u lëshuen shpesh me e grabitë,
Por të koritun, e thyene qafen
Me faqe të ngritë.
Pushon e heshtun, e vrantë kalaja
E Rozafatit në ditën e sotit.
Tue mejtue ndoshta, luftat e mëdhaja
Që u bane, këtu motit.

Ndoshta këto ledhe, në maje t’ ksaj kodrës,
Ndoshta edhe shqipja, ndalë maje shkrepi,
Mejtojnë rrethimin e gjatë të Shkodrës,
At kohë gazepi!

Rozafë, në dorë turkut kur pate ra,
Vunë nanat tona futen e zezë,
Të shkretat të kqyrshin sa herë tue kja
Edhe tue dnesë!

Thojshin me vehte: O kalaja e jonë!
Ne rrezikzezat sot ç’na ka gjetë!
A thua , mos asht shkruemun me ty gjithmonë,
Në robni me mbetë?

Nuk i këndon zemra as vajzës as djalit,
S’kem darsma as festa ma asnji herë,
Se kjajnë na duket dhe zogjtë e malit
Kur këndojnë në pranverë.

As ma nuk ndihet kanga e malsorit
Mbi male të larta tona kreshnike,
Tue dridhë si para, thellë prej krahnorit,
Kangë ilirike.

Rozafë, kur të shofim robneshë merzitë,
Ma fort merzitna tue të pa kështu ty,
S’na ban si para në qiellë dielli dritë
Ma përmbi kry!

Ndryshe na duken deri gurët e prronit
Ma teper më bahet na e therin kamben,
I kuq na duket, currili i kronit
Kur mbushim shtamben.

I kuq na duket dhe ujët e lumit
Kur shkojmë me shoqe, teshat me i la,
Na duket qielli si ‘i kapak plumbit
Thue asht tue na ra!

Kur fëmijve para, u vumë buken në tryezë,
Që e kem gatue na s‘ka ma mire,
S’di pse edhe buka, na danë ma e zezë,
Dhe e kalojmë vështirë.

S’dijmë çka asht kështu, o e mjera kalaja e Shkodrës,
Që at ditë që turqit pushtuen Shqipërinë,
Gjarpijë na duken vargojt e votrës,
Kur vemë kusinë.

Tue përkundë djepin, tue i këndue letë fëmisë,
Mundohna të shkretat m’e vue në gjumë djalin,
Por se kjajnë të bahet dhe trenët e shtëpisë,
Dhe kangën ndalin.

Që atë ditë që rame, na nën kambë të turkut
Na kalon dita si ‘i mort i zi.
Na duket dera e shpisë, si derë e burgut,
S’të bahet me hi!

Kur dalim në bahçe, kur mbyllim shtegun,
Ose kur ulemi e pushojmë n’oborr,
Na duket para se kem nji të dekun
Që do të çojmë në vorr!

Pyetshin Rozafen me lotë nanat tona
Deri kur do të shofim na atë të zi flamurë?
Edhe u përgjegjte tue kja jehona,
E deri kurë?

Me dijtë te zezën tonë, ti o Rozafë,
Ti do tu ndezshe, vullkan shkëndije,
Nuk do të duroshe, të na rrije mbi qafë
Ma gjatë Turkia.

Rozafa u thotë: Qindroni motra,
E dij sa e idhtë, o asht vetë robnia,
Shpejt do të vijë dita që e lirë të jetë Shkodra
Dhe mbarë Shqipëria.

Motit dhe Roma, e pat pushtue boten
Me ato legjone, me shqipe e krizme,
Por historia tue vertitë rroten,
I mbet një çizme!

Sot dhe turkia shplaka e njerzisë,
Me lufta boten, don m’e përpi,
Por s’ka me i mbetun, veç bishti i Azisë
Rreth Detit të Zi

Rozafë, këto mure janë dishmitare
Të trathtisë për shekuj dhe të Venedikut,
Shpinës kur i binte ushtrisë shqiptare
Në mes flakësh t’armikut.

Përballë armikut, që u dridhte Europa,
Në vend të na ndihmonte, si aleat.
Armikut, turkut, bukë edhe topa
Ai dhanë i pat.

Shqipërinë e vogel, pre e anadollakut,
Sa herë trathtuet, o aleatë të pa besë!
Do të shkruejmë në histore me shkronja gjakut,
Ketë faqe të zezë!

Na pllambë për pllambë o tuj luejtun gishtat,
Ketë truall kuqë kemi, me gjak t’armikut,
Këtu vend nuk kemi, na me ruejtë bishtat
E Venedikut.

Na mbi këto troje të tokës sonë ilire,
Ku shqiptarët flasin shqip, bisht as kambë,
Që mbeten të cungueme të ndoj egërsirë,
Shej s’do të u lamë!

Vlerë historike, në paçin këto gjana,
Që hajnisht hyne, dikur në ketë dhe.
I zoti i tyne t’i mbledhin të tana,
T’i ruejë në muze!

Kur na luftojshim kundra otomanit,
Në luftë Venediku u bashkue me turk,
Prandaj i a hoqen bishtin luanit
Pse u mblue me turp!

E kur u dynde, ti o Cernagore,
E u rrethuen kodrat për rreth me tela,
Sa topa të rrahen, Shkoder mizore,
Sa sharapnela.

Sa gjyle të mëdhaja, plumba peticet,
Fishkëlluen, vetuene, mbi ty, o kala,
Prej Shllimit, Bardhajsh e prej Bërdicet
Shtatë muej pa da.

U bane lendinat tanë gropa, gropa,
Natë ditë tuj të gjuajtun prej Lodertune,
Me mitraloza të randë e me topa,
Por ti s’u tunde!

Natë ditë tue krisun topi në llogore,
Oh sa shpi të Shkodres u bane gërmadhe,
Kujtim janë të mëdhajat gjyle mizore
Mbetë ndër livadhe.

Po njato gjyle që ranë këtu motit,
Do u thonë breznive, që kanë për t’ardhë,
Se gjithmonë Shkodra kje flakë barotit,
Duel faqebardhë!

Për qindresë tande, u habit Ballkani,
Kot në dorë me të shtimun, armiku u mburr,
Ty, mos të trathtonte Esat Pashë Toptani,
S’dorëzoheshe kurrë!

Si në kohna të lashta, si në kohna të vona,
Rozafë, me armikun sa je përleshë,
Deshten të grabisin, por mbete e jona
Edhe do të jeshë!

Se pa dalë fare, me të madh e të vogel,
Në kullat tuaja në barot pa u kallë,
Ty në dorë t’armikut nuk të lëshojmë,moj Shkoder,
Sa të jem na gjallë!

Ende në ditë sotit andej nga maja,
Përmbi ato mure,gjatë atij shpatit,
Se veton të duket natën kalaja
E Rozafatit.

Tue u endë si hije përmbi bedena,
Si me i pa, të bahet prap ato trima,
Kah përmbi armikun shkrepshin si rrfena
Zgjetat vetima.

Danë ajo maje krater vullkanit,
Që shumë ka flakun prej zemre zjarrin,
Lavë e pervlueme, që ushtrisë së sulltanit
Këtu i ka ba varrin.

Kur erdhi turku me ‘i qind toborre,
Shkodren, Rozafen tonë për m’e marrë,
I mbuloi kodrat me’i qind shatorre,
Flamuj gjithfarë.

Sa gurë të mëdhaj lëshuene, gurë të rrumbullakë,
Që zgjeta drejt, shkojshin lart deri n’re,
E në tokë kur bishin, u ndezshin flakë,
Si të shkrepte ‘i rrfe.

O moj kalaja e Rozafatit,
Ti ke me kenë motit nji punë e madhe,
Por na në ditë të sotit në ty shofim të ngratit,
Veçse gërmadhe.

Por këto gërmadha e këto rrefime,
Ku kjajnë bylbylat në dritën e hanës,
Na brez mbas brezi i ruejmë si kujtime
Të dashtuna të nanës.

Sa të bukra krisen, moj Rozafë kangët
Ndër njato kodra për bukuri,
Prej duerve të veta kur flaku prangët
Nana Shqipëri!

Ma i bukur dielli lindi mbas malit,
Në mes reshë së prarueme, shprishun prej veri,
Prej Taraboshit deri në qafë të Cukalit
Shkelqej ylberi.

Si hark triumfit me të bukrat ngjyra,
Mbi ballë të Rozafes kunorë e re,
E Shkodres së bukur, i qeshi fëtyra
E tanë hare!

Po qeshi Shkodra e bukur fare,
Rrethue prej malesh,zbardhue prej bores,
Kur kënduene të lira vashat shqiptare
Kangët e fitores.

Kënduen fushat, malet dhe valët e Drinit,
Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen,
E ushtritë e hueja përtej kufinit
E thyene qafen!

Te ti, me njome të veta për dore,
Vinë sot të mejtueme nanat shkodrane,
E u tregojnë fëmijve njimijë histore
Mbi kalanë tande.
Shenim nga Fritz Radovani:
■Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë, shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë… Prandej edhe nuk perkujtohet në këte 100 vjetor…
Melbourne, Qershor 2015.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 100 vjetori, Dede Gajtani, Fritz radovani

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT