Nga Nikollë Gjomarku, New York/
Këto ditë mbushet 1 vit, kur mbylli sytë pranë familjes, miqve dhe shokëve të ngushtë të idealeve antikomuniste vëllai im Deda, në Kullën historike të Familjes Gjomarku, në qytetin e lashtë të Shkodrës.
Ende sot, më kujtohen vuajtjet e gjata dhe të mundimshme, që ai kaloi në sketerren e tmerrshme të diktaturës komuniste në Shqipëri, gjatë viteve 1944-1990.
Për 44 vite me radhë, kalove rininë dhe burrërinë dhe u thinje në qelitë e ftohta të burgjeve komuniste të diktatorit Enver Hoxha.
Jeta juaj ishte një qendresë stoike dhe shembull i pamposhtur përballë makinës shfarosëse antinjerëzore komuniste. Ato burgje e kampe perqendrimi, i kalove edhe unë për aq kohë sa isha në Shqipëri (mbasi u arratisa), por jo më shumë vite dhe me keq se sa ju vëllai im i dashur.
E ruaj të freskët në kujtimet e mia, momentin e ndarjes fizikisht, nga ju vëllai im i shtrenjtë Dedë. Në mendje dhe zemrën e familjes Gjomarku dhe të gjithë miqëve dhe shokëve bashkëvuajtës ish të burgosurve politik të Shqipërisë, emri dhe shembulli juaj do të mbetet i skalitur me germa të arta.
Familja e jonë sot falënderon nga zemra të gjithë ata miq e shokë, që na u gjenden pranë, në ato ditë zie, personalitetet e larta të pushtetit lokal dhe qendror, veteranët e pamposhtur antikomunistë, që sot janë në moshë, intelektualë, gazetarë, studiues, banorët e shumtë mirditorë, që me zemer na u gjenden pranë në ato ditë pikëllimi, profesorë të universiteteve të Shkodrës dhe Tiranës, etj.
Fjalë zemre dalin nga ne pjesëtarët e familjes Gjonmarku për dajën e familjes sonë bashkëvuajtës në sketerrën komuniste për një kohë të gjatë Lek Pervizi; Prof. Dr. Romeo Gurakuqin, nipi i mikut të shtëpisë sonë Akademik Prof. Karl Gurakuqi; Ish i perndjekuri politik Eugjen Merlika, studiues, nipi i personalitetit të shquar të botës shqiptare Mustafa Kruja, me të cilin na lidh një miqësi e hershme familjare; gazetarin e mirënjohur shqiptaro-amerikanë ish bashkëvuajtës në kampet e perqendrimit me familjen Gjomarku, zotin Beqir Sina, bijen e pervuajtur të trojeve shqiptare studiuesen e ditëve tona zonjen Fatbardha (Mulleti) Saraçi, e cila me botimet e saj të shumta antikomuniste, po zbardh mbijetesën e bashkëvujtësve në kohën e regjimit të zi komunist, studiuesen e re Leonora Laçi që e quajti Princi i bardhë i Mirditës, shkodranin Zef Luka, një parashutist dhe trim i pamposhtur, i cili, disa herë hyri dhe doli nga Shqipëria, duke luftuar heroikisht me armë në dorë, për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri.
Në librin e tij me kujtime, Zefi, miku jonë i dashtur i ka lënë si epitaf fjalët vlerësuese tuajat, gjatë takimit të pare, mbas rënies së komunizmit në vitin 1990. Ai nder të tjera, gjatë takimit me ju vëlla, thotë këto fjalë: “A je burr i fort Kapidan Deda? – E ju u pergjigjet: “O Zef Luka: – Burrat e fortë janë pushkatue në Zall të Kirit!!!”
Edhe Z.Nue Oroshi, i cili, ju vizitoi disa herë dhe bëri intervista me ju në Kullën tone, ka shkruar dhe referuar kumtesa historike, në simpoziumet e shumta të organizuara nga E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike (Trojet e Arbërit).
Një falënderim të veçantë dua të përcjell sot, për mikun e hershëm të familjes tonë Tomë Mrijaj, i cili, gjithnjë punoj pa u lodhur për shumë vite me radhë me penden e tij hulumtuese, duke qendruar pranë nesh, ai arriti me durim të zbardh me fakte dhe argumente të vertetat historike të familjes tonë nder shekuj. Me Familjen Mrijaj, qysh në Kosovë nder shekuj në kemi pasur dhe ruajmë ende sot në New York, një miqësi tradicionale të panderprerë.
Trupi juaj sot pushon krenar në vorrezat historike të Rrmajit në qytetin e Shkodrës, i rrethuar nga kapidanët e tjerë, që gjatë jetës së tyre bënë histori të lavdishme për Mirditën dhe trojet shqiptare.
Ju kujton me shumë mall perherë vëllai juaj Nikollë Gjomarku me familje. Gjithashtu ju kujton edhe familja e vëllait Ndue Gjomarku, i cili, pushon në Nju Jorkun e largët, që gjithë jetën e tij (për 96 vite) e vuri në shërbim të Atdheut dhe Mirditës, duke i ruajtur nderin dhe lavdinë e përheshme familjes Gjomarku.