• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DEKLARATË PAVARËSIE PARA 31 VITEVE NË 2 KORRIK 1990

July 1, 2021 by dgreca

-Deklarata Kushtetuese e miratuar dhe nënshkruar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik 1990, “Fillim i së nesërmes” së Kosovës shtet/

-Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve atëherë redaktori i Rilindjes – tash korrespondenti në Kosovë  i Gazetës DIELLI/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i LDK paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Korrik 2021/ “Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës…” Kështu fillonte para 30 viteve  Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, e cila shpallte pavarësinë e Kosovës, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”, theksonte në fund në pikën e pestë Deklarata Kushtetuese.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

 “Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 31 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre…

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:
“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

 Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

Në koment mes tjerash shkruaja:

“Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.”

 Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Në gazetën historike Rilindja raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 22 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  13 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën ku e votuan e nënshkruan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, si dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 31-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para dy vitesh e dërgova  me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019  Behlul Jashari”.

 Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

 Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar  në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, në të cilat President i  parë i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

15 PRILL 1990:  DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë të botuar në 15 Prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

KUVENDI MBLIDHET NË SEANCË SOLEMNE PËR SHËNIMIN E 31-VJETORIT TË MIRATIMIT TË DEKLARATËS KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë solemne të premten, më 2 Korrik 2021, në ora 10:00, për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. 

Kjo seancë ka për qëllim shënimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.

Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të shfaqet edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.Nëpërmjet këtij dokumentari dëshmohet kontributi shkencor i akademik Gazmend Zajmit në hartimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, paraqitjet e tij në konferenca, simpoziume dhe tubime tjera shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare lidhur me argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shkëputjen nga Serbia pushtuese, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe vizionin e tij për bashkim kombëtar.  

Filed Under: Featured Tagged With: 31 vite, Behlul Jashari-Dielli, Deklarata e 2 korrikut

30 VJET NGA DEKLARATA E 2 KORRIKUT 1990 DHE KOSOVA SOT

July 2, 2020 by dgreca

NGA ELMI BERISHA/ Kryetar i Vatrës/

2 Korrik 2020- Sot përkujtojmë një ngjarje madhore, që nuk mund të shlyhet nga Kujtesa historike. U mbushën 30 vjet nga akti historik i shprehjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës- shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Ky akt pati rëndësi të veçantë sepse paralajmëroi Pavarësinë reale që do të realizohej 18 vite më vonë, natyrisht në mes është Lufta për Liri, kontributi madhor i aleatit tonë SHBA & NATO, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe gjaku i dëshmorëve, akti sublim i Adem Jasharit dhe sakrifikimit dhe martirizimit te familjes së tij të madhe. 
Edhe pse në atë kohë Deklarata e Pavarësisë ishte pa fuqi ligjore, pa njohje ndërkombëtare, ajo shërbeu si sinjal për Perëndimin dhe shprehu fuqishëm vullnetin e popullit të Kosovës, i cili nuk u tremb as nga rrethimi ushtarak, as marshimi e kërcënimi i tankeve, as nga snajperat mbi çatitë e ndërtesave, as nga burgosjet masive. Përmes Deklaratës së 2 Korrikut, qytetarët e Kosovës deklaruan fuqishëm aspiratat për Liri, Pavarësi e Demokraci. Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1990 do të kujtohet gjithmonë si akt largpamës, që i priu luftës të popullit të Kosovës për liri. 
Për Federatën Vatra, ky akt mbetet gur themeli në rrugëtimin e gjatë drejt Pavarësisë, ku në finalizim kanë kontribut të pazëvendësueshëm aleatët tanë amerikanë.
Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte arkitekt i këtij rrugëtimi drejt pavarësisë. Që në 15 prill 1990 ai e kishte paralajmëruar Deklaratën e Pavarësisë.
Presidenti Rugova deklaroi publikisht atë kohë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” – Një parashikim I saktë, që e vërtetoi koha.
Dr.Rugova si kryetar i LDK-së, ku ishin bashkuar rreth 700 mijë anëtarë, përshëndeti dhe mbështet i pari Deklaratën e 2 Korrikut, duke e quajtur Deklaratën- një dokument historik për Pavarësinë e Kosovës.
E kujtojmë sot këtë Deklaratë si moment të rëndësishëm historik që bashkoi Kosoëvn drejt rrugëtimit për Liri e Pavarësi.
Liderët e sotshëm të Kosovës e pranojnë se Deklarata e 2 Korrikut ishte parathënsja e Pavarësisë.Presidenti Hashim Thaçi e konsideron një akt politiko-juridik,që ishte shprehje e vullnetit dhe aspiratave të popullit për liri, demokraci dhe pavarësi, të cilat i institucionalizuam pas një procesi të gjatë me shumë sakrifica.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, është shprehur në këtë 30 vjetor se: “Deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe ishte akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 Shtatorit të po atij viti(1990).”
Për Kryeministrin Avdulla Hoti, Deklarata e Pavarësisë ishte akt politiko-juridik, që shprehu vullnetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi, të cilat u institucionalizuan pas një procesi të gjatë me shumë sakrifica.
Vatra u është mirënjohës 114 delegatëve , që nuk iu friksuan dhunës ushatarake, kundërshtuan me kurajo hegjemonizmin sllav dhe i hapën rrugën pavarësisë, që u formëzua juridikisht me Kushtetutën e Kacanikut të 7 shtatorit 1990.
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”, po e ndjek me vëmendje situatën e pafavorshme të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku Serbia po bën të gjitha përpjekjet që të pastrojë krimin nga vetja dhe të barazojë viktimën me agresorin. Kjo nuk do të ndodhë. Vatra do të luftojë fort me miqtë amerikanë. Dialogu me Serbinë është i pashmangshëm dhe ne rekomandojmë dëgjimin e Këshillave që vijnë nga Shtëpia e Bardhë, nga Uashingtoni. Ne këshillojmë liderët politikë se situate e vështirë, që po përjeton sot Kosova, kapërcehet me unitet kombëtar,urtësi, bashkëpunim politik, maturi dhe dashuri Kombëtare për Shtetin tonë.

Filed Under: Histori Tagged With: Deklarata e 2 korrikut, Elmi Berisha

SPECIALE E GAZETES”DIELLI” -KOSOVA PARA 28 VITEVE DEKLARATË PËR PAVARËSI

July 2, 2018 by dgreca

Kosova para 28 viteve shpallte Pavarësinë me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990/

1 2 korriku2 korrik 90Haradinaj Delegatet1 Veseli pret2 korrik '90

Ishte “Fillim i së nesërmes”, e cila tani është e sotmja. Redaksionali që kam shkruar për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, botuar në faqen e parë në 3 Korrik 1990/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 korrikut 1990/

Haradinaj-RamajliVeseli delegatet1 Qeveria Deleg1 ramushi Ramajli

  -Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta, Ilaz Ramajli, dhe tash Kryeministri Ramush Haradinaj, u janë përgjigjur sot pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI/

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

1 Behluli tregonRILINDJADeklarata arkiv1 nenshkrimi

 PRISHTINË, 2 Korrik 2018/ Kosova para 28 viteve me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990 janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit të shtatorit 1991. Jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, është shprehur Ramajli në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar vite më parë.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut,  të cilën e përcollën në mënyrë të natyrshme nxjerrja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  në 7 Shtator 1990,  amendamentet e saj dhe më vonë referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për kohën kur u nxorën,  besoj se shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit sovran, të mishëruara në përpjekjet e pareshtura që të jemi zot të vetvetes, të jetojmë të lirë, të pavarur, e të respektuar”, ka theksuar Ramajli.

Ai kujton se, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, u miratuan dhe u shpallën nga Kuvendi pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se ish-Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes.

“Deklarata Kushtetuese ishte dhënie e formës kushtetuese juridike vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë dhe ishte një vlerësim dhe akt i drejtë, që në kushtet e krijuara të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosova si njësi e pavarur, vet e në mënyrë të pavarur duhet të vendosë për fatin e sajë”, ka theksuar Ilaz Ramajli.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 28 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, po ashtu në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar kujtonte:
“Mëngjesi i 2 Korrikut më çeli në një shtëpi, e cila nuk ishte e imja në Vushtrri, as e të afërmëve të mi në Prishtinë, ku një ditë më herët erdha pasi u përshëndeta me familjen…Fjeta tjetërkund, që t’i shmangem arrestimit, meqë kishin filluar ndjekjet penale kundër meje e delegatëve të tjerë…Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Një nga protagonistet, delegatet e Kuvendit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, Feride Hyseni, në një deklaratë gjatë një bisede që kam zhvilluar ka vlerësuar se, “është një datë e rëndësishme historike për Kosovën, për tërë kombin”.

 “Unë jam shumë krenare që jam aktore e asaj ngjarje”, ka theksuar ajo duke shprehur edhe gjithë gëzimin se Kosova arriti të jetë ajo e ëndërrave dhe idealeve të  shumë brezeve, edhe të 2 Korrikut 1990, shtet i lirë dhe i pavarur.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 19 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet  10 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë edhe mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën për pavarësi, dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

 Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, kopjen e të cilës para shumë vitesh e kam dërguar në ATSH, ku është botuar, e këtë vit, në 30 prill 2018, në Arkivin e Kosovës, bashkangjitur me këtë shënim:

“Kjo është kopja e Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, e ekzemplarit që sapo u lexua e mora dhe e ruaj prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull “Fillim i së nesërmes” botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990”.

Ku të dërgohet ekzemplari i Deklaratës Kushtetuese që ishte në duart e delegatit Mahrrem Shabani që e lexoi në Kuvendin e Kosovës në 2 Korrik 1990 kemi biseduar edhe sot me të dhe me udhëhëheqësin e Kuvendit në atë kohë, Ilaz Ramajlin, dhe do jetë në Arkivin Shtetëror…

 TEKSTI I PLOTË I DEKLARATËS KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990 ISHTE:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)

  1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
  2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
  3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
  4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
  5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,

duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990.               

Delegatët nënshkrues të  Deklaratës:

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 199

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë të botuar në 15 prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

 KRYEMINISTRI HARADINAJ: DELEGATËT E 2 KORRIKUT 1990, HISTORIA E GJALLË E KOSOVËS

 “Është nder i madh bashkimi ynë sot, për të tashmen tonë si Kosovë, për rrugën tonë deri këtu dhe për atë që vjen. Ju jeni historia e gjallë, e vërteta e rrugëtimit tonë. Deklarata e 2 Korrikut, shpallja e vizionit tonë për mëvetësi të asaj kohe ka qenë akt i çmuar, akt themel, nga i cili ka pasuar konfirmimi me Kushtetutën e Kaçanikut dhe përpjekjet e vazhdueshme të rezistencës të mëtejme politike e paqësore, deri te ajo luftarake për të ardhur te 17 shkurti 2008”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit që zhvilloi me një grup të delegatëve që miratuan Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se në kohë mjaft të vështira, delegatët e atëhershëm të Kuvendit treguan guximin dhe vendosmërinë e tyre për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese, duke theksuar se delegatët e asaj kohe janë nderi i Kosovës, janë historia e gjallë.

“Në nder të 2 Korrikut, Deklaratës që i vuri bazë veprimeve të mëtejshme, Kushtetutës së Kaçanikut dhe vendimeve për të qenë Kosova e pavarur, pata nderin të pres delegatët e gjallë, historinë e gjallë të Kosovës dhe të bashkëbisedojë me ta për temat që na preokupojnë sot në vend”, tha kryeministri Haradinaj, në prononcimin para medieve.

 Nga ana e tyre, delegatët e 2 Korrikut vlerësuan përkrahjen e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Haradinaj për të qenë gjithmonë afër delegatëve të asaj kohe. 

 Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Ilaz Ramajli, falënderoi kryeministrin Haradinaj për kujdesin e treguar dhe ftesën për të shënuar 28 vjetorin e 2 Korrikut, datës kur është nxjerrë Deklarata Kushtetuese.“Ju keni treguar kujdes të veçantë edhe në kohën kur nuk keni qenë kryeministër për këtë përbërje dhe kjo që ju sot na ftuat është një nder i veçantë për ne”, tha ish kryetari Ramajli.

Ai tha se në këtë takim kanë parashtruar disa çështje që janë me interes për delegatët, e që ka të bëjë me mbështetjen materiale të tyre.

“Kryeministri pati mirësinë që të na njoftoi për disa çështje kyçe të cilat janë në zhvillim e sipër në Republikën e Kosovës, çështje politike, por edhe ato që janë me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Ramajli, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për statusin e delegatëve, duke thënë se ka një iniciativë ligjore në Kuvend dhe mund të procedohet në seancë si Ligj, i cili do të rregullonte statusin e deputetëve të vitit 1990, e që do ta ketë përkrahjen edhe të Qeverisë.

 RAMAJLI E HARADINAJ PËRGJIGJEN NË PYETJET E KORRESPONDENTIT TË GAZETËS DIELLI

Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta të zhvillimeve historike, Ilaz Ramajli, dhe tash Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit, në konferencën për shtyp u janë përgjigjur pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI.

PYETJA: Po prezantohem pak më ndryshe se tjera here, si gazetari që kam qenë bashkë me delegatët në atë kohë para Kuvendit.

Prandaj, një pyetje kam për zotin Ramajli: Nuk ishte vetëm 2 Korriku, ishte edhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit po në 1990, pastaj Referendumi ku thuaja qind për qind e atyre që morën pjesë në votim votuan për Shtet Sovran e të Pavarur të Kosovës në atë kohë. Si i vlerësoni nga kjo distancë 28 vitesh ato tre ngjarje të mëdha historike?

Ndërsa për Kryeministrin e kam pyetjen: Cili është statusi i delegatëve të 2 Korrikut e 7 Shtatorit 1990 sot në shtetin e Kosovës?

PËRGJIGJIET:

 Kryeministri Haradinaj: Faleminderit. Së pari Kryetari Ramajli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramajli: Behluli ëahtë gjithmonë i interesuar për 2 Korrikun e 7 Shtatorin, duke pasur parasysh që ka marrë pjesë në  Mbledhjen e 2 Korrikut dhe është gazetari që e ka ruajtur tekstin origjinal të Deklaratës Kushtetuese.

Dhe, t’iu them, këto tre akte, sot ashtu i përmendëm, përbëjnë bazën kushtetuese-juridike të rregullimit të shtetit të ri -Republikës së Kosovës.

 Unë po shfrytëzoj rastin të përmendi që kemi mund t’i kryejme këto tre akte duke iu falënderuar një uniteti apsolut të faktorëve shqiptarë në Kosovë, 

të cilët pa asnjë hezitim dhe pa asnjë ekuivok e kanë përkrah punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe me përkrahjen unanime të popullit ne i kemi kryer krejt këto punë.

Unë këte e potencova për shkak se besoj që Kosova në këtë kohë është në një situatë shumë delikate, siç na njoftoi Kryeministri janë në përgatitje edhe zhvillimi i diskutimitmeve për përmbylljen e raporteve, kontratës përfundimtare me Serbinë dhe disa çështje tjera.

Unë besoj duke u mbështetë në përvojën e viteve 90-ta edhe sot është i nevojshëm një unifikim apsolut i faktorit politik në Kosovë, edhe faktorit të institucioneve, ta quaj ashtu, për ta arritë qëllimin përfundimtar.

 Kryeministri Ramush Haradinaj: Faleminderit Kryetar.

 Sa i përket Statusit ka një iniciativë ligjore, ajo ndodhet tani në Parlament, është në fazën e një propozimi, pra koncept-dokumenti.

Mund të ndodhë që do të procedohet më tutje në seancë plenare si Ligj për statusin e delegatëve-deputetëve të vitit 1990.

Nëse kalon nga Parlamenti ne do ta përkrahim si Qeveri, ka një kosto që është modeste, kosto modeste vjetore.

Nëse jo, atëherë mund ta hartojmë ne një ligj, koncept-dokument për Statusin e delegatëve të atëhershëm edhe t’ia kalojmë Parlamentit.

Por, mendoj që është me rëndësi që kjo të ndodhë.

Qeveria e Kosovës, në këtë rast Qeveria që udhëheqi, në vitin që shkoi ka ndërmarrë një veprim të njëherëshëm, po ato nuk janë zgjidhje – këto të njëhershmet, ka qenë një urgjencë ashtu që me e mbulu, ta quajë ashtu, një vakuum të madh kohor pa përkujdesje.

Po shpresoj që do të kalojmë në ligj dhe nuk është ndonjë ngarkesë, po e përsëris është një ngakesë krejt modeste financiare për Kosovën, është më shumë një nderë që ju bëhet kësaj kategorie, që është shumë me rëndësi nderimi i atyre që në momentet kyçe kanë kryer detyrat e tyre në shërbim të vendit. Ju faleminderit! 

VESELI TAKOI DELEGATËT E 2 KORRIKUT

Sot, me rastin e 28-vjetorit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim delegatët e Kuvendit të Kosovës, nëshkrues të kësaj deklarate.Kryeparlamentari Veseli uroi delegatët për këtë ditë të rëndësishme, ndërsa çmoi lart kontributin e tyre në kohë dhe rrethana të vështira.

“Akti juaj madhor i parapriu proceseve të tjera të rëndësishme në vitet në vijim: rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Udhëheqësi i delegacionit të delegatëve, Iljaz Ramajli, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për pritjen tashmë tradicionale për ish-ligjvënësit e Kosovës, duke dhënë kështu mesazhin e përkujdesjes dhe vlerësimit të kontributit të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: 28 Vjet, Behlul Jashari, Deklarata e 2 korrikut

Kosovë – Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 po fiton peshën historike që i takon

July 2, 2015 by dgreca

Nga Prishtina: Behlul Jashari/
Ne Foto:Gazetari Zenun Celaj/
– Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Gazetari Zenun Çelaj tregon: Unë e daktilografova Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, dorëshkrimin e Gazmend Zajmiit e dogjëm.
Zenun Çelaj:/
Tani çdo gjë duket si një tregim nga ndonjë autor me imagjinatë të pasur, ndërsa një çerek shekulli nga koha kur ndodhi Deklarata Kushtetuese, për gjeneratat e reja jo aq të informuara, ose jo aq të interesuara për ngjarjet historike, tani është vetëm një datë.
Megjithëkëtë Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990 po fiton peshën historike që i takon realisht.
Asaj i paraprinë shumë zhvillime në radhët e Alternativës Shqiptare, siç nisën ta quanin atëherë lëvizjen e rezistencës së shqiptarëve. Kështu e quanin jo vetëm ithtarët e rezistencës paqësore ndaj synimeve serbe për t’i kthyer shqiptarët në qytetarë të rendit të dytë, por edhe vetë shqiptarët. Ishin protestat gjithëpopullore të vitit 1988 e 1989, Greva e Urisë e minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt ’89), “Apeli 215” i intelektualëve, që u quajt kështu sipas numrit të nënshkruesve (mars 1989), dorëzimi i librezave partiake të gazetarëve të “Rilindjes” (më 30 janar 1990), që i priu zhbërjes së Organizatës së lidhjes Komuniste në Kosovë, helmimet masive të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, Deklarata mbi Çështjet Kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (14 qershor 1990), pastaj Deklarata e Forumit Demokratik (përbëhej nga përfaqësuesit e të gjitha partive dhe shoqatave të shqiptarëve) me të cilën u kërkohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbronin pozitën kushtetuese, autonominë e Kosovës sipas Kushtetutës së RSFJ nga viti 1974, vrasjet e shqiptarëve, arrestimet e dënimet.
Por Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 ka një parahistori para se ajo të arrinte në duart e delegatëve të Kuvendit të Kosovës (delegatë quheshin deputetët). Rastësisht jam protagonist i kësaj historie, kjo falë miqësisë që kisha me akademikun Gazmend Zajmi, një personalitet jo vetëm me njohuri të thella juridike dhe të të drejtës kushtetuese, por edhe me sensin për të vlerësuar momentin. Ishte koha kur në fakt ishte suprimuar autonomia e Kosovës dhe rrezikohej e gjithë ekzistenca kombëtare. Derisa po shëtisnim në korzonë e Prishtinës më thotë se do të ishte mirë që delegatët të miratonin një deklaratë kushtetuese, me të cilën do të anulonin ndryshimet e bëra arbitrarisht nga Serbia. “Si gazetar që je, mund të kesh ndonjë delegat që mund t’i besosh”, më tha, “i cili do të mund ta fuste në procedurë kuvendare (pra parlamentare) një deklaratë kushtetuese”. Kur ia pohova mundësinë, e lamë që të nesërmen të ma dorëzonte tekstin e saj dhe u takuam në shtëpinë time. Ai e kishte hartuar me dorë tekstin, ndërsa unë e daktilografova. Kishte përfshirë gjashtë pikë. Pas diktimit dorëshkrimin e tij e dogjëm. Nuk deshëm të lëmë gjurmë që do ta penalizonin Gazmendin, i cili më herët kishte pasur disa probleme shëndetësore. Ndërkohë Deklaratën ia dhashë delegates Leonora Binishit – Zajmi, që ishte bija e kunatës sime. Ajo e kishte kryer punën si është mirë. Delegatët, që tashmë vepronin në baza nacionale, e kishin trajtuar tekstin e Deklaratës, por jo në ambientet e Kuvendit, që tashmë thuaja mbahej e kontrolluar nga milicia (policia) serbe. Pas disa ditësh më konsultuan nëse autori, pra Gazmendi, do të pajtohej të hiqej pika e fundit. Gazmendi u pajtua plotësisht me kërkesën, madje tha se ajo pikë ishte krejtësisht e panevojshme.
Ndërkohë, pasi u caktua data kur do të miratohej teksti i Deklaratës, brenda ose jashtë objektit të Kuvendit, në cilësinë e veprimtarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë sigurova praninë e një delegacioni vëzhguesish nga Federata e të Drejtave të Njeriut në Francë, pastaj të një veprimtareje të shquar të të drejtave të njeriut nga SHBA (Eva Brendli) që kështu shpallja e Deklaratës të kishte edhe njëfarë legjitimiteti ndërkombëtar.
Më 2 Korrik 1990 delegatët shqiptarë, të cilëve u ishin mbyllur dyert e objektit të Kuvendit, pas disa seancave dramatike, u mblodhën para dyerve të tempullit të demokracisë, ku u lexua teksti i Deklaratës. Atë paraprakisht e kishin nënshkruar 114 delegatë. Ndërsa delegatët ishin mbledhur për të miratuar këtë dokument, që ndërkohë do të trajtohet si një prej gurëve themeltarë të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, Kuvendi ishte i rrethuara nga tanke e forca të mëdha të milicisë. Leximi dhe shpalla e Deklaratës u shoqërua nga duartrokitje të gjata të delegatëve, por edhe të qytetarëve që po e ndiqnin në mënyrën më të pazakonshme punën e një parlamenti në rrugë.
Kamerat televizive do të përjetësojnë skenën kur Milicia do ta shoqërojë veprimtaren nga SHBA, Eva Brendli me gjithë qenin e saj, dhe Luljeta Pulen.
Ata që e ndoqën shpalljen e Deklaratës u shpërndanë të lumtur dhe me shpresën se po niste koha e zgjidhjes së nyjës së Kosovës. Ajo do t’i printe shpalljes së Kushtetutës në Kaçanik dy muaj më pas, më 7 shtator, që Kosovën e deklaronte Republikë. Pas shpalljes së deklaratës kushtetuese do të mbylleshin mediet në gjuhën shqipe – “Rilindja” e RTP, do të suprimohen thuaja të gjitha institucionet autonome të Kosovës dhe do të fillonte një dekadë e rëndë e mbylljes së shkollave e fakulteteve, e largimeve nga puna, e persekutimeve, arrestimeve e dënimeve, që do të kulmonin me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, për të përfunduar me çlirimin e Kosovës.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke. Teksti i plotë i Deklaratës ishte ky:
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990/
” Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)/
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, myslimanë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).
Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim qe pajtuar edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.
Do ditur teksti i Deklaratës ka qenë në duar të delegatëve dy javë para se të miratohej para dyerve të mbyllura të Parlamentit të Kosovës, por nuk arriti të hynte në rend të ditës për shkak të obstruksioneve të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit dhe të delegatëve serbë e malazez.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Deklarata e 2 korrikut, kosova, Zenun Celaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT