-Kosovë-Kuvendi ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi/

PRISHTINË, 21 Mars 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës me 80 vota pro miratoi në orën 18:52 Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror me Malin e Zi.
Votimi në Kuvendin kosovar i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi u bë këtë të mërkurë të 21 marsit, në vazhdimin e seancës pas debateve që kanë përfunduar rreth një orë pas mesnatës në seancën e jashtëzakonshme të nisur dje pasdite, pas katër shtyrjeve në pritje të sigurimit të numrit të nevojshëm të votave.Për kalimin e Projektligjit duheshin dy të tretat e votave, së paku 80 të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.
***
Me heret- U larguan nga seanca e sotme edhe shtatë deputetë të tjerë
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është mbledhur sot në orët e pasdites, pas hedhjes së serishme të gazit lotsjellës në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit.
Kryesia vendosi që deputetëve: Ali Lajçi, Sami Kurteshi, Ismajl Kurteshi, Arbërie Nagavci, Valon Ramadani, Arbër Rexhaj dhe Shemsi Syla, për hedhjen e gazit lotsjellës, t’u shqiptohet masa disiplinore, ndalimi i pjesëmarrjes në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 21 mars 2018.