Nga Rafael Floqi-Michigan/
Udhëheqësit republikanë janë duke u akuzuar kohët e fundit për mbajtjen e disa takimeve sekrete, lëshimin e një memoje konfidenciale dhe bërjen e denoncimeve publike – për një qasje dhe shprehje të një gjendje paniku, mbi atë çka Donald Trump-i është duke bërë në partinë e tyre. Dhe është e mjaftueshme kjo, për të bërë, që disa të besojnë se zotit Trump, nuk i intereson në thelb fitorja e Partisë Republikane, pasi ai nuk është një republikan me zemër. Ndaj mundet, që Donald Trumpi, të jetë një agjent sekret i dyfishtë, i dërguar nga demokratët për të shkatërruar partinë Republikane nga brenda?
Ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush, i cili e ka bartur barrën më të madhe të akuzave ndaj tij, më shumë se disa nga kandidatet e tjerë presidencialë republikanë, mendon se ka edhe një mundësi të tillë.
“Ndoshta Donaldi pat negociuar një marrëveshje me miken e tij Hillary Clinton,”, tweet-i zoti Bush, gjatë kësaj jave, pasi zoti Trump citoi një sondazh, që tregonte se mbështetësit e tij do të rrinin me të, edhe nëse ai do të largohej nga Partia Republikane, dhe se vazhdimi i tij këtë rrugë do ta çonte atë, sidoqoftë, në Shtëpinë e Bardhë.”
Miliarderi nga New York-u ka një histori luhatjesh politike. Të paktën, ai ishte fillimisht republikan, pastaj u kthye në një demokrat pro-abortit, dhe tani, është një deklarues i zjarrtë i frymës, konservatore populiste, kundër-emigracionit.
A mund të jetë kjo situatë përsëritja e fundit “brand-it” politik të zotit Trump? A mund të jetë kjo vetëm një dinakëri e mbuluar dhe përpunuar nga një sabotator liberal, i cili do t’ia lerë bombën në dorë partisë, duke kërcënuar unitetin e asaj partie, që ai u zotua se do ta mbështeste?
Ai i nënçmon kolegët e tij republikanë. Ai e ka tërhequr partinë drejt të djathtës nativiste, në konflikt të drejtpërdrejtë me qëllimin e përcaktuar nga strategët e GOP në vitin 2013, për të apeluar për një komb më të larmishëm etnikisht. Ai është duke ua marrë oksigjenin politik kandidatëve të tjerë, duke e bërë shumë të vështirë për ta, që të përcjellin mesazhet e tyre. Në fund të fundit, shumë ekspertë thonë se ai është duke e bërë shumë më të vështirë që një republikan t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme vjeshtën që vjen. Dhe, se ndoshta ai e bën atë me qëllim.
Kjo teori që po vlonte shumë kohë para akuzës së fundit të zotit Bush në Twitter.
“Nëse Donald Trump, është një urith demokrat i vendosur në Partinë Republikane, gjërat do të ndërpriteshin e ngatërroheshin disi dhe sjellja e tij do të ishte më ndryshe?” argumentonte komentuesi politik konservator, George Voluntair, në korrik. “Unë nuk mendoj se ai është i tillë.”
Por pak më shumë se një javë më vonë, kongresisti republikan, Carlos Curbelo nga Florida e quajti z. Trump “një kandidat fantazmë, i rekrutuar nga e majta për të krijuar vetëm një cirk politik.” Duke vënë në dukje atë çfarë ç’ka përbën themelin e teorive konspirative të Trump-it.
“Z. Trump ka një miqësi të ngushtë me Bill dhe Hillary Clinton,” tha ai. “Ata ishin të pranishëm në dasmën e tij të fundit. Ai ka kontribuar për mbështetjen e Klintonëve. Ai ka kontribuar në fushatat e Senatit për Klintonët. E gjitha kjo, është shumë e dyshimtë.”
Sigurisht Z. Trump ka kontribuar, gjithashtu, edhe për shumë republikanë. Atij i pëlqen të mburret duke thënë, madje, se ai ka “blerë” politikanët e të gjitha ngjyrave”. Dhe ftesa e dasmës e zotit Trump ishte një ftesë për të gjithë elitën e Nju Jorkut, pjesë e së cilës janë padyshim, Klintonët.
Por ka edhe shumë gjëra të tjera.
Është, e dyshimtë gjithashtu – për ata që janë të gatshëm të dyshojnë, të paktën – është “mister” një telefonatë e bërë në mes të z. Trump dhe Bill Klintonit, në maj, një muaj para se manjati i pronave të patundshme, të deklaronte pjesëmarrjen e tij në ringun presidencial.
Detajet e asaj telefonate janë mbajtur të fshehta, por kjo nuk i ka ndaluar konservatorët të spekulojnë se fara e një plani makiavelian mund të jetë hedhur qysh aso kohe.
Disa mendojnë se Hillary Clinton përfiton sa herë që Donald Trumpi thotë diçka të diskutueshme.
“Klinton inkurajoi përpjekjet Trump për të luajtur një rol më të madh në Partinë Republikane dhe i ofroi atij pikëpamjet e veta mbi peizazhit politik aty,” raportoi në atë kohë gazeta, Washington Post.
Komentatori konservator Brian Cates është më pak i kujdesshëm, kur thotë se:
“Trump nuk është hedhur në këtë garë për shkak të dashurisë së tij të thellë të qëndrueshme për Amerikën, apo prej së qenit një republikan i mirëfilltë, apo për shkak të kujdesit ndaj konservatorizmit, Trump u fut në këtë garë, sepse Bill Klintoni ia kërkoi atij këtë gjë.”
Dhe qysh atë ditë fatale, në mes të qershorit, kur ai zbriti nga një shkallë e artë lëvizëse e ndërtesës së zyrës së tij, për të njoftuar kandidaturën, zoti Trump ka dominuar skenën politike, si me deklaratat ndaj emigrantëve meksikanë, myslimanëve, e kandidatëve të tjerë, të medias dhe çdo gjëje tjetër, që ia kap syri”.
Në fakt, Noah Rothman-i analisti i revistës Commentary, të cilit i dedikohet modeli i spiunit për z. Trump, argumentonte se ai lëshon deklaratat e veta, pikërisht në kohën “kur ka një tendencë të shtypit për të pasqyruar në media veprimet skandaloze të politikanëve demokratë”.
Z. Trump, për shembull, i bëri komentet e tij në lidhje me mbylljen e kufijve amerikanë për të gjithë myslimanët, vetëm një ditë, pasi pa reagimin e dobët ndaj fjalimit të presidentit Barak Obama mbi të ashtuquajturin shtet islamik.
Skandalet për serverin e email-eve të favorites Demokratike, Hillary Clinton, dhe veprimet e mëvonshme të saj, gjatë sulmit ndaj konsullatës në Bengazi në vitin 2012 kanë qenë gjithashtu mbytura nga Trumpomania mediatike.
“Një fakt, asnjë nga këto ngjarje, nuk krijon një lidhje shkak-pasojë, por koincidenca është aq shpesh e pranishme, sa shpesh herë, Donald Trump, i ka shpëtuar demokratët, nga nofullat e një cikli të tmerrshëm lajmesh dhe hetimesh përcëlluese të shtypit,” përfundon ai.
Pastaj përsëri, duke pasur parasysh numrin dhe kohën sa herë Z. Trump i ka bërë këto akuza flakë ndezëse, qe zënë menjëherë gjithë titujt e gazetave, i ka bërë konservatorët t’i perceptojnë ato si tepër të dëmshme dhe bash në momentin kur akuzat ndaj demokratëve do të duhej të kishin zënë vendin kryesor në titujt e gazetave. Ndaj nuk është për t’u habitur, se lista e shembujve të Rothmanit është aq gjatë.
Por, siç duket, madje dhe paranoiakët duket se paskan armiq realë. Edhe në mos qoftë ashtu siç shkruante poeti amerikan, Ralph Waldo Emerson “Mos më lini mua të bëj gabimin e zakonshëm të ëndërroj se po përndiqem, sa herë që dikush më kundërshton”, të paktën, për momentin, ka disa republikanë që po e shohin Donald Trumpin, shumë më tepër si një armik sesa një kundërshtar.
BOHEMA E “SENATORIT” DEMOKRAT BAHRI HOXHA
Nga Ramiz LUSHAJ/Bahri Haki Hoxha është një nga senatorët e PD në Durrës e në Shqipëri. Nr. 3 e mban libreza e antarësisë së tij në PD-në e Durrësit. Ndër të parët: prej 24 dhjetorit 1990. Kësokohe ke antarësue dhe nipi i tij, Flamur Lufti Hoxha, me të cilin më 25 dhjetor, ende pa u krijue dega e PD në Durrës, e themeluan seksionin e PD në Bisht-Pallë (Porto-Romano), pasi në këtë vendbanim e kishin qëndrimin e fundit në internimin 14-vjeçar. I kishin sjellë aty nga Kukësi i Dy Drinave, pasi rregjimi i enveriadës e shënjestroi këtë derë të fisme nga Bicajt e Lumës, nga e cila kanë dalë burra të përmendun ndër kohëna si mulla Idriz Tahiri, Haki Hoxha, Lufti Hoxha, Fadil Hoxha, Bahri Hoxha,…e deri tek i sotmi, Flamur Lufti Hoxha. Ishte 5 janari i vitit 1991. Bahri Hoxha me të vetët, demokratë të vjetër e të rinj, ndër ta dhe Arben Çejku (tevona, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë e në Maqedoni) organizuan në Katundin e Ri në Durrës të parin miting antikomunist në zonat rurale në Shqipëri.
LLAZAR FUNDO ISHTE DEMOKRAT I MARTIRIZUAR
Nga Agim Xh. Dëshnica/Boston-ShBA/*
Shkurt nga jeta e Llazar Fundos. Lindi më 20 mars 1899 në Korçë. Mësimet e para i mori në vendlindje. Kreu Liceun francez të Selanikut. U diplomua për drejtësi në Paris. Më 1923 u kthye në atdhe me profesionin jurist. Ndërkohë mori pjesë në Shoqërinë Bashkimi (1922-1925) Pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i saj. Drejtoi edhe gazetën “Bashkimi”. Në mbarim të dhjetorit, kur Qeveria demokratike e Nolit ra, u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi. Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën e nacionalistëve shqiptarë “Liria Kombëtare”. U diplomua për filozofi në Moskë. Mandej dha leksione të kësaj lënde në Leningrad (sot Peterburg). Më 1934 i dënuar me vdekje nga Kominterni, u arratis nga Rusia. Jetoi i fshehur në Francë, Belgjikë, Zvicër e Gjermani. Më 1939 u kthye sërish në atdhe për të marrë pjesë në rezistencën kundër pushtuesve italianë, por në vitin 1941, u arrestua dhe me shumë të tjerë u internua në Ventotene të Italisë. Më 23 shtator 1944, mbylli sytë i pushkatuar nga partizanët shqiptarë në Kolesjan të Kukësit. Në vitin 1995 u shpall “Martir i Demokracisë”.
Shumëkush befasohet teksa lexon një shkrim përkujtimor në gazetën Shekulli. Ato rreshta të drejta të autorit të trondisin teksa shtrembërojnë aq rreptas jetën e një njeriu të shquar, e një martiri të paharruar të demokracisë, si Llazar Fundo, ndaj lindin natyrshëm disa pyetje. Si është e mundur të tjetërsohet mizorisht jeta e një juristi si Llazar Fundo, i njohur edhe me emrin Zai Fundo? Si është e mundur të tregohet krejt ndryshe veprimtaria e një publicisti demokrat? Si është e mundur të transformohet jeta e një luftëtari të lirisë, kundërshtar deri në vdekje i komunizmit, i vrarë nga komunistët shqiptarë sipas vendimit nga Moska apo Beogradi, ndërsa luftonte për shpëtimin e atdheut, krahas nacionalistëve shqiptarë të Kosovës? Se kush qe Llazar Fundo i vërtetë, mund ta përfytyroni në një farë mënyre edhe me urrejtjen pa kufi të diktatorit Hoxha, i cili urdhëroi partizanët besnikë, ta kapnin dhe pas torturash mizore ta pushkatonin. Në librin “Panteoni i nëndheshëm”, poeti i vuajtjeve në ferrin komunist, Visar Zhiti e vlerëson si poet me kulturë të gjerë, përfytyrimi i të cilit ishte “Ballkani bashkë dhe Europa e Bashkuar, ndryshe nga një perandori komuniste”.
Në shkrimin e mbushur me të pavërteta, Shoqëria Bashkimi e themeluar nga demokrati Avni Rustemi, ndryshe nga historia e vërtetë, ndryshe nga “Fjalorët Enciklopedikë Shqiptar” 1982 dhe 2008, pagëzohet me një emër të padëgjuar deri më sot “Shoqëria komuniste Bashkimi e Avni Rustemit!”. A mund të ishte Bashkimi “shoqëri komuniste” kur statuti i saj kishte nene si këto: “Rrënjosja e ndjenjës së njësisë kombëtare. Përkrahja e bujqësisë, e punëtorisë, e industrisë së vendit, e iniciativës private në fushën e ekonomisë kombëtare, e ngrehjes së kasave të kursimit për të përmirësue gjendjen ekonomike të popullit. Mosnjohja e klasave shoqërore. Bashkimi nuk asht një shoqni politike, por patriotike dhe anëtarët e saj janë të lirë në veprimtaritë e tyne individuale, por gjithmonë në konformitet me qëllimet e statutit”. Një dokument arkivor i vitit 1924, dëshmon se në mitingjet festive, korrik e gusht në Berat, Zai Fundo e Xhevdet Dëshnica ndërsa mbronin programin demokratik të qeverisë flisnin edhe kundër shpifjeve “bolshevizëm” e “bolshevik” që përhapeshin me një qëllim të caktuar në një kohë, kur bolshevizmi urrehej nga disa shtete të Europës. Bashkimi i përbërë kryesisht me të rinj intelektualë të diplomuar në perëndim, organizonte herë pas here aktivitete kulturore e sportive, piknike e vizita në qytete të ndryshme. Autori na befason edhe me njoftimin, se Llazar Fundo paska qenë “një nga themeluesit e Partisë komuniste shqiptare”, në kohën kur bashkëpunonte me Fan Nolin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën, Mustafa Merlika Krujën, pse jo edhe me Anton Harapin e Lazer Shantojën. Se Zai Fundo na qenka arratisur tok me një vajzë drejt Parisit “me ndihmën e Dimitrovit” asokohe i arrestuar nga nazistët në Gjermani, pastaj drejt Moskës “me sugjerimin e Nolit” të mërguar, s’dihej se ku. Zai Fundo student, na del pa pritur edhe anëtar i “grupit komunist” në Moskë me një emër të çuditshëm, Konare!” (Ah! kjo e kudondodhura KONARE intelektualësh borgjezë, bejlerësh liberalë e fetarësh!).
Qarkullon një kujtim i vjetër se studentët e huaj në B. Sovjetik i anëtarësonin në parti pa kërkesën e tyre. Në mbarim të studimeve shumë prej tyre largoheshin të zhgënjyer dhe pa bindje komuniste, siç del nga libri dokumentar “Safet Butka” botim i vitit 2003, ku Zai Fundo ndërmjet të tjerash i shkruante Fan Nolit: “Pandeha se komunizmi ishte si Krishti,, por ai qenka më i keq se djalli”. Kështu do të shihej arratisja e tij, ikja e Tajar Zavalanit antikomunist në Radio Londra, zhgënjimi i poetit rebel Sejfulla Maleshova, mbrojtësit të Fishtës, i internuar me urdhër të diktatorit Hoxha. Rifat Këlliçi një nga anëtarët e Qendrës së Shoqërisë Bashkimi, i njohur me librin “Me djemtë e Bashkimit”, u la në muzgun e harresës. Vetëm Selim Shpuza shpëtoi paq dhe shërbeu me shkrime historie sipas kërkesave të kohës. Një fund tragjik siç dihet, pati edhe Omer Nishani, i përdorur si maskë demokracie, i “vetëvrarë” me dy plumba misteriozë në shtrat. Ndryshe nga Fjalorët Enciklopedik Shqiptarë dhe Fjalori Enciklopedik “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë”-2005, gazetën e nacionalistëve shqiptarë “Liria Kombëtare” (1925-1935) me botues Omer Nishanin në Gjenevë të Zvicrës, autori na e pagëzon me emrin e panjohur deri më sot “Çlirimi Nacional”, që sipas tij drejtohej nga Fan Noli e Zai Fundo. Mos vallë në ndonjë ishull misterioz? Me cilën gazetë bashkëpunonte pra, Zai Fundo, me të parën apo të dytën? Sipas shkrimit, Zai Fundo i zhgënyer nga Stalini u arratis nga Rusia edhe pse i fshehur në Paris, qenka marrë me organizata e gazeta “komuniste, madje dërgonte vullnetarë për Luftën e Spanjës. Por autori harron se asokohe ai ndiqej këmba këmbës nga atentatorët e tmerrshëm të Kominternit, ndaj ndërronte shpesh vendqendrimin nga një qytet në tjetrin. Edhe gazetari demokrat Halim Xhelo na del “komunist”, kur në Shqipëri nuk ishte themeluar asnjë parti komuniste.
Shkrimi i autorit pastaj çan Adriatikun e hidhet në gadishullin Italik, në Ventotene, ku sipas tij internoheshin “komunistët shqiptarë”, ndoshta ata që flinin në hije fiqsh e larg luftës në pajtim me Paktin e Mossulmimit Molotov-Ribentrop. Edhe fëmijët ndër shkolla tashmë e dinë, se atje u ngujuan vetëm nacionalistët antifashistë, si Safet Butka, Stavro Skendi, Zai Fundo, Isuf Luzaj, Selman Riza e shumë të tjerë. I pari, i diplomuar në Grac të Austrisë për filozofi. I dyti, i njohur si profesor albanalog në SHBA. I treti, ekselent për drejtësi në Paris, shkëlqyeshëm për filozofi në B.S. I katërti, nacionalist i luftës për liri, profesor i shquar në Argjentinë e SHBA. I pesti, dijetar i gjuhës shqipe i internuar nga italianët, burgosur nga komunistet serbë e shqiptarë. Meqenëse internimi i Zai Fundos dhe Stavro Skëndit në Ventotene përkonte me kohën. Kur dy federalistët europianë, Altiero Spineli dhe Ernesto Rosi patën përfundurar atje hartimin e Manifestit të Ventotenes, autori na thotë se “komunisti” proanglez Llazar Fundo dhe miku i vet nacionalisti proamerikan Stavro Skendi paskan kontribuar për hartimin e atij manifesti. Mos vallë komunist? Por historia serioze dëshmon se miqtë e tyre Spineli dhe Rosi ishin të vetmit ideator e hartues të Manifestit për bashkimin e ardhshëm europian. Miq me ta ishin edhe Safet Butka, Selman Riza, Isuf Luzaj, por autori nuk shkruan asnjë fjalë. Mos vallë libraritë, bibliotekat e arkivat s’kanë libra apo dokumente që të ndriçojnë jetën e veprën e tyre? Meraku më i madh në ato vite internimi i patriotëve Llazar Fundo, Stavro Skendi e Safet Butka me shokë nuk ishte Europa, por fati i ardhshëm i Shqipërisë së rrezikuar nga nazizmi dhe komunizmi. Ndaj pas kapitullimit të Italisë u kthyen në atdhe për të marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve të huaj. Safet Butka e Stavro Skendi u bashkuan me çetat nacionaliste në Shqipëri, ndërsa Zai Fundo me luftëtarët nacionalistë shqiptarë të Kosovës. Pa pritur sipas vendimit nga Moska apo Beogradi, u kap nga partizanët në Bytyç (Malësia e Gjakovës) dhe pas torturash mizore në moshë 45 vjeçare u pushkatua në Kolesjan të Kuksit me urdhër të komandantit Hoxha me këto fjalë: “Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje, dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva. Cilat janë qëllimet e Ganiut e të englezëve. Të japë shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurt. Zain e vrisni andej”. Para pushkatimit, Zai Fundo la këtë mesazh dhe amanetin e fundit: “Unë s’jam komunist. E vërteta është se s’kam qenë kurrë komunist tamam. Jam temperament individualist, marksizmën kurrë s’e kam pranuar tamam…S’jam komunist. Afati kaloi. S’di më ç’të them. Po të kisha pasur gjëra për të thënë, do t’i kisha thënë. Po s’mund të shpif për të shpëtuar kryet. Nuk mund ta shkel ndërgjegjen time. Prandaj po e vulos vdekjen time. Lutem, në është e mundur, fotografitë që kam në çantë, t’i çohen nënës sime, në qoftë se rron. .(Llazar Fundo, firma. A.Q.SH. PPSH. F. 14/Apv.1944). Ky akt barbar u dënua ashpër nga Fan Noli.
Më tej autori në shkrimin e vet federalistin Altiero Spirelli të internuar në Ventotene e ngarkon me një titull krejt të huaj për të, “antifashist komunist” dhe “redaktor” të Manifestit (!?) Në fakt sipas historisë ai njihet si teoricien e politikan italian, federalist europian, autor i Manifestit të Ventotenes dhe anëtar i Parlamentit Europian. Ndërtesa kryesore e Parlamentit Europian në Bruksel mban emrin e tij. Viti akademik 1986-1987 në Kolegjin Europian në shenjë nderimi u quajt me emrin e tij. Autori nga kujtimet e këtij federalisti për Zai Fundon na jep citate si ky: “Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish- komunistët dhe socialistët me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Përndryshe shëtiste i qetë, i drejtë, i bukur me flokë bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi”. Sesi shprehej E. Hoxha për Zai Fundon nuk shkruhet askund, kur dihet se në fjalime dhe në kujtimet e veta e quante “armiku më i keq i komunizmit, agjent i anglezëve dhe i imperializmit”. Në përfundim në shkrim kalohet në heshtje edhe nderimi i Zai Fundos me titullin “Martir i Demokracisë” në vitin 1995 nga Presidenti i Republikës Shqiptare Dr.Sali Berisha.
* **
Autori na kujton profesorët e leksionet e tyre të kohës së diktaturës. Ata të cilët vite me radhë hutuan studentët e brishtë me histori shoqatash fantazmë, grupesh e organizatash me gjasa komuniste në mërgim. Madje edhe kongreset e ligjshme ndërkombëtare në Paris, Berlin, Bruksel e gjetkë për të drejtat e pakicave kombëtare, apo kundër rrezikut të luftës botërore në vitet 30, me pjesëmarrjen e personaliteteve zyrtare e fetare, shkrimtarëve e dijetarëve, i veshën me ngjyra të kuqe revolucionare. Këta soj profesorësh ngazëlleheshin me zbulime dokumentesh pa vlerë, ku fyhej paturpësisht poeti kombëtar At Gjergj Fishta dhe ngrinin lart një farë Nikolle sepse na paska takuar rastësisht, në një redaksi pariziene emigrantin e arratisur Vladimir Uljanov. Ishin po këta profesorë të cilët në shkrimet e tyre shkencore krahas termave “demokracia e diktaturës së proletariatit”, përdornin me kuptim përkeqësues turqizma nga gazetat politike të viteve 20, si p.sh, bejlerë, pashallarë, çifligarë, agallarë, bajraktarë, efendi, kadi, tuxhar, etj, kur dihej se këta tituj nderi e kishin zanafillën nga koha e Imperatorisë Osmane. Tituj të tillë mbanin Gjergj Kastrioti, vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Ismail Qemali, Sulejman Delvina, Hasan Prishtina, Iljaz Vrioni, Avni Rustemi, Aqif Elbasani e shumë të tjerë. Me këta tituj edhe qytetarët apo fshatarët tanë i drejtoheshin me nderim njeri tjetrit. Nga këto krijime gazetarësh apo shkrimtarësh dhe nga “shoku Enver”, shkencëtarët tanë kopjonin parullat e panjohura nga populli ynë, si “Poshtë Pashallarët! Poshtë Bejlerët! Poshtë çifligarët! Poshtë tuxharët! Poshtë kadilerët! Këto parulla do të lexoheshin sot kështu: ”Poshtë gjeneralët! Poshtë zotërinjtë! Poshtë fermerët e pasur! Poshtë biznesmenët! Poshtë juristët! Por shkenca socialiste thellohej më tej dhe këta tituj i ndante në klasa, ndryshe nga statuti i Shoqërisë Bashkimi që nuk pranonte ndarjen e shoqërisë në klasa.
Ndërkaq shkrimin “historik” me prirje të qarta bindjesh komuniste të gazetarit, për martirin Zai Fundo, drejtori i Shekullit e miraton, shet gazetën dhe arkëton paratë e pensionistëve.
*Agim Dishnica eshte anetar i Vatres dhe bashkepunetor i DIELLIT