• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEMOKRACIA DHE DEMOKRATURA

September 10, 2021 by s p

Nail  Draga

Demokratura, do të thotë diktatura në demokraci, që manifestohet në pluralizëm, duke dëshmuar mungesën e demokracisë së brendshme, me pasoja për subjektët politike, ku përjashtim nuk bën as hapësira etnogjeografike shqiptare. Madje përvoja e deritashme dëshmon se  në skenën politike pluraliste është i pranishëm egozmi, autokracia e atavizmi duke i trajtuar subjektët politike si pronë private apo e një grupi të caktuar individësh,  veprim që krion paknaqësi sepse janë menanjuar individët me vlera profesionale, meritokraci e autoritet shoqëror, që ka ndikuar në dekompozimin e skenës politike  dhe te kohezionit të elektorati votues shqiptar  që nuk është në favor të realizimit të drejtave  qytetare e kombëtare sipas standardëve ndërkombëtare

Për  demokracinë vazhdimisht është shkruar duke e vlerësuar ate si nivelin më të lartë të drejtave qytetare e lirive të njeriut, që ka të bëjë me  shtetet demokratike, ndërsa e kundërta ka të bëjë me shtetet në ish kampin socialist, që për qytetarët ishte koncept i imagjinuar, sepse aty në vepër ishte diktatura e proletariatit e cila pati pasoja të mëdha për qytetarët e vendeve përkatëse. Por, më falimentimin e socializmit si rënd shoqëror dhe komunizmit si idelogji, edhe në këto vende me aplikimin e pluralizmit politik, demokracia e munguar u bë realitet, me formimin e subjektëve të ndryshme politike, duke demontuar dhe demaskuar sistemin monist. 

Demokracia e pakonsoliduar

Por, në sajë të mungesës së përvojës politike, si dhe të ambicieve lideriste, egoizmit dhe interesave personale e klanëve të ndryshme, demokracia filloi të humbi vlerat e saja,duke qenë një farsë demagogjike, sepse në praktikë filloi të jetë e pranishme demokratura që nënkupton diktaturën në demokraci. Ky koncept dhe kjo qasje në rrethana të reja shoqërore, paraqet pengesën kryesore për demokracinë funksionale, sepse vazhdojmë të jetojmë në periudhën e tranzicionit, përkatësisht të demokracisë së pakonsoliduar, e cila është e pranishme jo vetëm në hapësirën etnogjeografike shqiptare, por në tërë vendet e ish kampit socialist në Evropën Juglindore, me pasoja për qytetarët e vendëve përkatëse.

Nga monizmi në pluralizëm

Për rreth pesë dekada në monizëm cekëj me të madhe se pushteti buron nga populli dhe i takon atij të qeverisë. Madje kanë ekzituar edhe parulla të ndryshme që më ndryshime të vogla ishin identike në të gjitha vendet e ish kampit socialist. Por, të gjithë jemi dëshmitarë, për mungesën e të drejtave dhe lirive të njëriut, për të shprehur mendimin e lirë, sepse pasojat ishin skandaloze, nga dënimi e deri të internimi si armik i popullit. Dhe një epitet i tillë ka pasur pasoja për familjarët dhe të afërmit e tyre dekada me radhë, sepse ideologjia komuniste si bazament kishte diktaturën e proletariatit. Ndërsa me rastin e dështimit të komunizmit -monizmit si teori dhe ideologji praktike me shëmbjen e Murit të Berlinit me 8 nëntor 1989, për qytetarët e vendeve të ish kampit socialist filloj një frymarrje e re e cila kishte munguar rreth pesë dekada. Informacionet për vujatjet e qytetarëve në ato vende në emër të ideologjisë komuniste, janë tragjike dhe të paimagjinueshme për botën normale. Fakti se vetëm gjatë periudhës së diktaturave komuniste janë eliminuar rreth  100  milion qytetarë të popujve e shtresave të ndryshme sociale, është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar falsitetin e sistemit të tillë. Praktikën e shëmtuar të “gulagëve” në ish Bashkimin sovjetik, u trashëgua përmes kampeve të internimit në Shqipëri, duke qenë modeli me monstrum i diskriminimit të qytetarëve në emër të ideologjisë së kohës, dhe luftërave të klasës, pasojat e të cilës janë edhe në ditët tona.

Për ne shqiptarët që kemi jetuar jashtë shtetit amë-Shqipërisë, në mungesë të informacionit nuk kemi pasur  të dhëna të drejtpërdrejta, andaj nuk e kemi kuptuar realitetin e kohës së diktaturës në Shqipëri(1944-1991). Ishte kjo koha e ndryshimit të sistemit shoqëror, me bazamentin ideologjik që në praktikë   ishte  ndër me të egrat në kampin socialist në Evropën Juglindore. Dhe nuk ka pasur si të ishte ndryshe, kur në emër të konceptit ideologjik u eliminuar vlerat intelektuale, shoqërore  dhe ato kombëtare, në emër të luftës klasore që ishte në kundërshtim me interesin kombëtar të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore.

Demokratura dhe shqiptarët

Demokratura, do të thotë diktatura në demokraci, që manifestohet në pluralizëm, duke dëshmuar mungesën e demokracisë së brendshme, me pasoja për skenën politike. Në këtë aspekt përjashtim nuk bën as hapësira etnogjeografike shqiptare sepse në sajë të mungesës së përvojës politike pluralizmi u keqkuptua, duke menduar se do të eliminoheshin mënjëher defektet e monizmit. Ishte ky një iluzion, sepse në kuadër të partive të reja në skenën politike pluraliste u zgjodhën individë të cilët keqpërdorën pozitat e tyre udhëheqëse, duke shpalosur vlerat autokratike, me favore personale dhe klanëve të ndryshme. Një qendrim i tillë, me kalimin e kohës ndikoi në formimin e fraksioneve brenda partive, që më pas ndikoj në ndarje definitive duke formuar subjektin tjetër politik. 

Egoizmi, virus i demokracisë 

Një dukuri e tillë  legjitimoj formimin e subjekteve të veçanta politike, duke dëshmuar dekompozimin e skenës politike, dukuri që është e pranishme kudo në vendet e ish kampit socialist ku përjashtim nuk bën as Mali i Zi.

Në vend që dallimet e ndryshme brenda partive të eliminoheshin duke debatuar dhe gjetur konsenzus, lideret partiak nuk ishin të shqetësuar për përçarjet e brendshme partiake, përkundrazi ishin të gëzuar se po iu largoheshin të padegjueshmit, përkatësisht konkurentët brenda partisë. Madje, ka pasur raste kur konkurentët i “këshillonin” se nëse nuk iu pelqen formoni partinë tuaj, sepse pluralizmi ofron një mundësi të tillë. Kemi të bëjmë pikërisht me individët të cilët vuajnë nga virusi i  egoizmit, që me sjelljet e tyre autokratike, janë bërë të dëmshëm për subjektin politik dhe elektoratin votues  të cilin e përfaqësojnë.

Pluralizmi brenda shqiptarëve 

Nëse analizojmë këtë dukuri të shqiptarët në Mal të Zi, paraqet çështje për hulumtim të veçantë, sepse kemi të bëjmë me një popullatë numërikisht të paktë dhe në hapësirë të vogël, por numër relativisht të lartë të partive politike. Nga themelimi i partisë së parë politike LDMZ(1990), me pas janë themeluar parti tjera: UDSH(1993), PPD(2001), FORCA(2005), BDSH(2006), ASH(2006), PD(2011), LDSH(2016) etj., që janë shumë për një popullsi e elektorat të vogël.  

Shkaku kryesor  i paraqitjës së  ndarjeve apo frakcioneve brenda partiake, ka qenë në mungesë të  funksionimit  të demokracisë së brendshme partiake, sepse udhëheqësit e tyre kanë pasur qendrime egoiste, autokratike dhe ambicie  të sëmura lideriste. Veprimi i tillë ishte nihilist sepse nuk janë  vlerësuar kuadrat e brendshme, ndërsa nga ana tjetër nuk janë përpjekur për të  ofruar kuadra më integritet personal e profesional, e sidomos intelektual,  por ishte e kundërta duke i injoruar e larguar ata të cilët i kanë vlerësuar si konkurent të tyre në të ardhmën. 

LDMZ- model i veprimit autokratik

Rasti i LDMZ, paraqet rast për hulumtim sepse nga Lëvizje Kombëtare që cilësohej në vitin 1990, u degradu aq shumë duke u tkurrur vazhdimisht, duke mbetur pas tridhjetë viteve në nivelin e një OJQ-eje. E dhëna se kryetari i saj ishte në krye të kësaj partie për 29 vjet, mbetet rast i veçantë në pluralizëm, sepse kudo janë mbajtur zgjedhje dhe ndryshuar udhëheqësit, që janë në favor të subjektëve por edhe të pluralizmit politik, por këtu një dukuri e tillë ishte e panjohur, që ishte shkak i zhgënjimit të elektoratit votues shqiptar. Kemi të bëjmë me rastin tipik të demokraturës e cila është e dëmshme dhe me pasoja për çdo subjekt politik dhe qytetarët në mjedisin përkatës, që nuk është në favor të parimeve demokratike.

Vlerësimi në prezantim e përfaqësim

Hapja e subjektit politik nuk duhet të trajtohet si çështje formale por obligim ndaj antarësisë dhe elektoratit votues. Nëse në fillim të pluralizmit janë bërë gabime në sajë të pa përvojës politike, me pas përgjegjësia bie mbi forumet partiake, duke respektuar profesionalizmin e dëshmuar, meritokracinë dhe autoritetin shoqëror.

Në këtë aspekt çështja e kandidimit të individëve  në listat zgjedhore për këshilltar apo deputet duhet të jetë e hapur duke iu mundësuar të kandidojnë edhe individë të tjerë, e jo të jenë të rezervuara vetëm për disa persona, sipas shijes së kryetarit të partisë. Në këtë aspekt duhet të respektohet rotacioni duke iu dhënë rast  edhe të tjerëve. Vetëm në ketë formë do të respektohej parimi i vlerësimit partiak edhe për të tjerët në procesin e përfaqësimit dhe të prezantimit, sipas parimeve  të demokracisë pluraliste.

Autokracia si demokratura

Përfundimidht, për të gjithë duhet të jetë e qartë se për jetëgjatësinë e  subjektëve politike duhet të ekzistojë demokracia e brendshme, si rezultat i shprehjes së vullnetit në zgjedhjen e organëve partiake përmes procesit të votimit, në mes disa kandidatëve, e jo përmes aklimacionit, që paraqet demokraturën, përkatësisht autokracinë. Po ashtu duhet të percaktohet mandati i limituar(një plus një mandat), duke qenë  parim demokratik.

Duhet të eliminohet koncepti autokratik, një herë kryetar gjithmonë kryetar, duke kriuar kultin e personalitetit, si personin e vetëm dhe të pazëvendësueshëm. Përvoja e deri tashme dëshmon se një logjikë e tillë është  disfatiste me pasoja në kohezionin e eletoratit votues të subjektit politik që  është dëshmuar në zgjedhjet lokale apo qendrore.

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Demokratura, Nail Draga

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË

September 12, 2020 by dgreca

-(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY-

NGA EUGJEN MERLIKA-

            Para disa ditësh ribotova një shkrim timin të vitit 2004, pra plot gjashtëmbëdhjetë vite më parë. Shkrimi përimtonte një fjalë të Ramiz Alisë, të mbajtur në byronë politike të komitetit qëndror të P.P.Sh., në tetor 1989.

            Dua të saktësoj se, në lidhje me atë fjalë, pavarësisht përhapjes së gjërë në rrjetet sociale, ka patur mendime të ndryshme nga politika shqiptare mbas komuniste, se ajo nuk ishte e vërtetë, ishte e paqënë, se ajo nuk ishte mbajtur kurrë, por ishte një trillim i dikujt në portalet e internetit. Nuk di se sa i saktë është ky argument, por vetë fakti që atëherë nuk pati një qëndrim të përcaktuar zyrtarisht nga PS, pasardhësja e partisë së cilës i përkiste ai dokument, të shtyn të besohet se tema në vetvete parapëlqehet të lihet në heshtje, mbasi rrjedhojat e sendërtimit të saj hamendësojnë një sërë përgjegjësish, të shumta e të ndryshme, të cilat askush nuk është i gatshëm t’i marrë përsipër haptas e pa rezerva.

            Pavarësisht qëndrimit pilatesk të politikës në përgjithësi, mbasi periudha e marrë në shqyrtim nuk e shmang asnjërin nga krahët politikë prej përgjegjësisë, duke i marrë për të mirëqëna zërat mohuese të dukurisë, vazhdoj të mendoj se ajo temë meriton vëmëndjen e duhur, mbasi ka të bëjë jo vetëm me vitin 2004, por edhe me vitet pasardhëse e, ca më shumë, me vitet që kemi përpara.  

            “Nëse nuk është e vërtetë është e shpikur mirë” thotë një fjalë e urtë italiane. Besoj se zbatim më të saktë se në këtë rast, kjo fjalë e urtë nuk ka gjetur asnjëherë. Kjo për faktin se ngjajshmëria ndërmjet pohimeve të fjalimit dhe zhvillimit të ngjarjeve në pesëmbëdhjetë vitet e para të kalesës, i shëmbëllen një filmimi besnik të  së vërtetës. Arsyetimi i mëtejshëm mbi shtjellimin e bisedës duhet të niset pikërisht nga ky fakt.

            Si paraqitet Shqipëria mbas gjashtëmbëdhejë vitesh të kalimit të kohës? Mashtrimi i madh është fuqizuar, është kthyer në edukatë, ka krijuar një trajtë të qëndrueshme në padrejtësinë e tij, duke u kthyer në një sistem që dikush, vite më parë, e pagëzoi me emrin “demokraturë”. Ndoshta, në grumullsinë e saj, i ka tejkaluar edhe parashikimet më ndjellamira të frymëzuesit e konceptuesit të saj që, me gjithë sigurinë e shtjelluar në fjalim, besoj se ka patur dhe ai ndonjë dyshim në vetevete mbi mundësinë e sendërtimit të paradigmës së re në gjirin e NATO-s e të BE.

            Cili ishte tipari i saj kryesor, në vazhdimësi me të shkuarën i projektuar më 1989, në një çast historik kur u kuptua se enverizmi pa Enverin nuk mund të zgjatej në përjetësi? Përpjekja për të rifituar pushtetin politik, të braktisur më 1992, si pasojë e nevojës për të lënë të “qetësoheshin gjakrat” e pakënaqësisë së përgjithëshme të shkaktuar nga mjerimi shëmbullor në të cilin e kishte çuar Vendin e popullsinë enverizmi e vazhduesi i tij, ramizizmi. Ngitja në skenën e pushtetit të PD ishte “gjethja e fikut”, për të mbuluar travajën e pashmangëshme të ripërtëritjes së komunistëve, që ndërruan emrin për t’u futur në rradhët e Ndërkombëtares socialiste, duke fituar një farë ligjësimi në Evropën pas komuniste, në të cilën ishin tashmë tepër të vonuar.

            Duke i lënë në dorë partisë demokratike, në gjirin e së cilës kishin hyrë mjaft elementë të rinj e jo të gjithë me prejardhje nga regjimi, një Vend në pikën më t’ulët të rrënimit të tij e të shoqërisë, komunistët mendonin të kalonin purgatorin e tyre, pa njohur ata vetë mundimet e ferrit, të cilin e kishin krijuar e mbajtur më këmbë për gati gjysmë qindvjeti. Kështu ata pranuan “ndëshkimet e vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”, të cilat i shumfishuan në propagandën e tyre, sidomos për të huajtë, nëpërmjet intervistave ku dilnin si flamurtarë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e të parimeve të demokracisë perëndimore edhe se për gjysëm shekulli e kishin quajtur atë, “imperialiste”, “fashiste”, “shtypëse të të drejtave të puntorëve” etj, etj.

            Më kujtohet një e tillë e zonjës së parë të regjimit, Nexhmije Xhuglini – Hoxha, me një gazetar italian, Riccardo Orizio, të së përjavëshmes  “Panorama”, në të cilën ajo shprehej: “Oh, po, bash një demokraci e bukur është Shqipëria e sotme. E ndyrë, e papunë, e dhunshme, e etur për dollarë. Së paku Shqipëria socialiste kishte dinjitet”. Edhe sot ka mjaft shqiptarë, që shkruajnë në internet, në këtë fushë prrallore të zhvillimit shkencor, në të cilën, si asnjëherë në historinë e njerëzimit, marrëzia njerëzore, në të gjitha format e saj, ka gjetur të drejtë qytetarie, se ata janë të një mendimi me opinionin e gruas së Enver Hoxhës. Çuditërisht, kjo lloj propagande gjente idhtarë në organet e të majtave prokomuniste t’Evropës, që përpiqeshin të ushtronin ndikim në “zbutjen”e masave kundër komuniste të Qeverisë Meksi, sado të vogla ishin ato. 

            Megjithë vullnetin e mirë të të parit kryeministër të shtetit demokratik, Shqipëria, me një mijë probleme, nuk i lejonte asaj qeverie mundësi bindëse për rimëkëmbjen e shpejtë të Vendit. Mungesa e përvojës qeverisëse, në ballafaqimin me vështirësitë tejet të mëdha, sillte edhe gabime në rrugën e saj. Një nga këta gabime, ndoshta më dëmprurësi për fatet e Vendit e të vetë qeverisë, qe lejimi  i piramidave financiare, që e vunë Shqipërinë në qëndër të vëmëndjes së FMN e çoroditën plotësisht popullin që u përkund për disa vite, në mashtrime tepër të rrezikëshme, si ai i parave që trefishoheshin brënda tre muajve, mjaft që t’i dorëzoheshin Sudes apo ndonjë kolegu të saj, duke siguruar kështu një jetë të qetë e pa asnjë farë mundimi. Ai gabim doli  kobzi edhe për qeverisjen demokratike. Socialistët, që kishin fuqizuar bazën e tyre, nëpërmjet pasurimit të saj, duke u nisur nga shtënia në dorë e pothuaj gjithë pasurisë shtetërore nëpërmjet privatizimeve krejtësisht të favorshme për ta, shfrytëzuan me shumë mjeshtëri pakënaqësinë popullore për humbjet e parave në firmat rentiere, mbas dështimit e mbylljes së tyre. Ata sabotuan planin e kryeministrit për t’u kthyer qytetarëve një pjesë të mirë të kapitalit që kishin humbur, por organizuan kryengritjen e kallashnikovëve, duke e kthyer Vendin vite mbrapa e duke vënë në lojë vetë besueshmërinë në aftësinë shtetformuese të vetë shqiptarëve.

            Më parë ata kishin goditur fort institucionin e zgjedhjeve kuvendore, duke u tërhequr nga pjesëmarrja pikërisht në ditën e caktuar e duke hapur shtegun ogurzi të shpërdorimeve të proçeseve zgjedhore, dukuri e shfaqur mjaftueshëm në të gjithë votimet e mëvonëshme. Strategjia rrënuese e socialistëve dha frutet e saj në hapjet e depove t’armëve, në ndarjen e Vendit në dy pjesë, në shkatërrimin e shtetit dhe institucioneve të tij. Kjo gjëndje shkatërruese çoi në një shqeverim të plotë, të pasuar nga rreth 20 mijë të vrarë e qindra mijë të shpërngulurish nga Shqipëria. Mbas “qetësimit” disi t’atmosferës, si pasojë e ndërhyrjes së Evropës e misionit të saj të kryesuar nga kryeministrat e Italisë dhe Austrisë, jo rastësisht qeveritarët e Vendeve që mbështetën më 1912 pavarësinë shqiptare, socialistët e kryesuar nga Fatos Nano, kanakari i Nexhmije Hoxhës në institutin e studimeve marksiste – leniniste, dolën para shqiptarëve me premtimin e bujshëm të kthimit të gjithë parave të investuara tek Vefa, firma m’e madhe e më e organizuar rentiere në Shqipëri. Shqiptarët, të dëshpëruar nga humbjet e pësuara, jo rrallë të gjithë pasurisë që zotëronin, mbasi kryetari i shtetit të tyre i siguronte se “paratë e tyre ishin më të sigurtat në botë”, ndërsa po dilnin më të pasigurtat në dorë të gjithfarë batakçinjsh që livadhisnin pa asnjë farë freri, i besuan premtimit dhe i sollën premtuesit në pushtet në verën e vitit 1997.

            Qe fitorja më amorale e të gjithë kalesës shqiptare mbas komuniste, mbasi u bazua mbi një premtim të pambajtur, aq shumë të trumbetuar gjatë fushatës zgjedhore. Jo vetëm paratë nuk u kthyen, por askush nuk e mori vesh se ku përfunduan megjithëse ishin të bllokuara, e nuk ishin pak, por më shumë se një miliard dollarë. Me gjasë ato përfunduan në xhepat e fituesve të zgjedhjeve e bashkëpuntorëve të tyre, u grabitën paturpësisht në dritë të diellit, siç ishin përvehtësuar paratë e të tjerë shqiptarëve, gjysëm shekulli më parë, nga dhuna e parardhësve të tyre, të tjerëve fitues të luftës së dytë botërore. Qarkullonin atëherë zëra se kryeministri Nano  harxhonte edhe 200 mijë dollarë në një seancë bixhozi në kazinotë e Evropës… nuk dij sa është e vërtetë.

            Që këtu filloi revani drejt “demokraturës”, që erdhi gjithënjë e më shumë duke u përsosur në formë dhe përmbajtje. U ballafaqua në vitet e para me ndasitë e kundërshtitë brënda species, mbasi kundërshtari kishte pësuar një gotije të fortë e ishte ende i trumhasur. Doli në skenë një brez i ri politikanësh socialistë, që u përpoqën të nxjerrin në pension etërit e tyre, n’emër rë “ripërtëritjes” së partisë e “vlerave demokratike”. Ishin thjesht karieristë që mendonin se kishte ardhur koha të fitonin skenën duke nxjerrë anash Nanon e bashkëpuntorët e tij. Meta, Rama, Majko ishin emrat më në dukje të kësaj vale të re ndryshime emrash në kupolën e re të PS. Barazpeshat e reja brënda klanit i vunë në provë në pozita të ndryshme duke filluar nga ministri të rëndësishme e duke përfunduar si kryetarë qeverie, pa treguar asnjë farë merite të veçantë veç aftësisë për të luajtur rreptë në fushën e lojës nëpërmjet intrigash e mjetesh të tjera të ngjitjes politike. 

            Socialistët, mbas tre ndërrimesh kryeministrash, në vitet 2001 – 2005, si pasojë e prirjes së Ilir Metës për të patur një rol vendimtar në barazpeshat e politikës shqiptare, humbën zgjedhjet e vitit 2005, duke u vënë përsëri në udhën e “kapërcimit të shkretëtirës”. Ajo qe një odise e gjatë që u përshkua nga partia për të ardhur përsëri në pushtet, por që u desh të bëjë llogaritë gjithënjë me Ilir Metën që mbeti për më shumë se njëzet vite njëri ndër personazhet më të përfolur, por edhe më të fuqishmit e demokraturës.

                Shtator 2020 -VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Demokratura, diktatura, Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT