• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dënimi me vdekje jepet edhe nga gjykata edhe nga shteti

September 19, 2015 by dgreca

Nga Saimir LOLJA/

Shteti dhe regjimi politik janë dy gjëra të ndryshme, dy gjysma që përbëjnë një vend me një emër të caktuar, dy gjysma që plotësojnë njëra tjetrën dhe që i kanë të ndara veprimet. Regjimi politik në një vend mund të jetë parlamentar, presidencial, mbretëri, popull-mbret (“republikë”), “demokraci”, “diktaturë”, fetar ose jo fetar, etj. Regjimi politik përfaqson “sovranin” i cili ripohon duke i ligjëruar detyrat natyrale të një shteti dhe më pas nuk i ndërhyn shtetit (qeverisë) në zbatimin e tyre; dhe anasjelltas, shteti nuk ndërhyn në formën apo punën e regjimit politik. Kushtetuta është dokumenti themeltar i “një ndërtese të ngritur mbi një tokë”, ku në themel është shteti dhe në çati është regjimi politik.

            Regjimi politik është dhunues (“diktaturë”) kur me autoritetin e tij dhe nëpërmjet shtetit kur kërkon bindje absolute ndaj regjimit politik të vendit, kur nuk lejon lëvizjen e lirë të qytetarëve përtej kufinjve të shtetit, kur nuk pranon [dhe dënon] lirinë e fjalës së lirë, kur nuk lejon të ndiqen rrugët e shpirtërimit drejt zotit, si dhe kur një rrugë të besuar drejt zotit e kthen në mjet sundimi dhe kufizimi absolut duke përjashtuar çdo mendim tjetër. Rregjimi politik është i hapur dhe jo dhunues kur pranon lirinë e shprehjes së mendimit të lirë, lirinë për të zgjedhur shpirtërisht rrugën e lumturimit drejt zotit, si dhe lirinë e lëvizjes se njerëzve.

            Detyrat natyrale të një shteti janë sigurimi i shtetit, i jetës, i dokumentacionit, i pasurisë, i pronës, i pasurive natyrore, i prodhimeve dhe ndërtimeve, i grupeve shoqërore, i individit dhe edukimit të tij, i marrëdhënieve midis qytetarëve, i lëvizjes, i ndarjes së punës dhe i trashëgimisë kombtare. Së bashku këto formojnë një platformë e pa diskutueshme shtetërore e cila qëndron mbi çdo interes, dëshirë, emocion, pëlqyeshmëri, ndjenjë apo kuptim vetjak të kujtdoqoftë. Forma dhe përfaqësuesit e regjimit politik shkojnë dhe vijne kurse shteti nuk ndryshon. Nga ana e tij, institucioni i qeverisë nuk mund të shplajë nga duart përgjegjësitë e mësipërme duke i ngatërruar ato me fjalë të tilla si gjykatat, drejtësia, “demokracia”, të cilat i përkasin regjimit politik. Sepse liria e besimit dhe e fjalës së lirë as nuk është e barabartë dhe as nuk nënkupton liri veprimi për kriminelët, terroristët, spiunët, sabotatorët dhe grabitësit. 

            Qeveria është organi më i lartë i shtetit kurse gjykatat dhe prokuroria janë organe të regjimit politik, p.sh. të Kuvendit dhe Presidentit. Në kohë paqeje dhe lufte, për arësye shtetërore, për raste të parashikuara saktë dhe vulosur ligjërisht, shteti mund të zbatojë dënimin me vdekje ose jo pavarësisht nëse atë e japin ose jo gjykatat qytetare dhe ushtarake të regjimit përkatës politik. Kur krahasohen se ç’bëhet në dy vende, kuptim ka kur krahasohet shtet me shtet ose regjim politik me regjim politik, polici me polici, gjykatë me gjykatë; dhe është e pakuptimtë të krahasohet policia ose qeveria ose shteti me formën regjimin politik në atë vend. Nuk ka lidhje “përparimi demokratik” (Përkthimi në Shqip?) me mosruajtjen e shtetit dhe mosdhënien e dënimeve për kriminelët, terroristët, spiunët. Nuk ka patur ndonjëherë ndokund e as nuk do të ketë, as edhe në të folur, “polici demokratike” apo “ushtri demokratike”. 

            Në disa shtete të ShBA, Bashkimit Europian, Kanadasë, etj. nuk është e nevojshme për gjykatën të ketë të drejtën ligjore të dhënies së dënimit me vdekje. Sepse në këto vende e ka të drejtën për të vrarë drejtpërsëdrejti në rrugë edhe polici i shtetit, mjafton që një përson të paraqitet kërcënueshëm me armë ose thikë dhe nuk i bindet urdhërit të policit. Në rastet e kriminelëve dhe terroristëve të përndjekur të cilët nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të keqen e tyre, shteti dërgon skuadrat e asgjesimit të cilat kryejnë detyrën e gardhimit të rrezikshmërisë së pakontrollueshme dhe asnjanësimit të saj. Për shkak të ngarkesës së madhe që kanë policët e shtetit në rrugët e SHBA, Kanada, etj. dhe lirive për të marrë vendime të shpejta sa herë që përballohen me një situatë kërcënuese dhe jo bindëse, ndodhin edhe raste kur policët shkelin kufinjtë e lejuar apo kushtet e hyrjes në veprim. Për shëmbull: vrasja e një të riu me thikë në një tramvaj të Torontos në Kanada më 27 Shkurt 2013, vrasja e nje personi me duart lart nga policia në Teksas të ShBA më 1 Shtator 2015, etj. Në raste të tilla, gjykata mbledh hetimet dhe merr vendim mbi veprimet e policëve.

            Policia “demokratike” amerikane ka vrarë drejtpërsëdrejti në rrugë mbi 680 persona vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2015. Për të mënjanuar sa më shumë keqpërdorimet e detyrës nga ana e policëve në SHBA dhe Kanada , atje ka filluar programi i vendosjes mbi trupin e policëve të aparateve që regjistrojnë pamjen dhe zërat. Si do që të vërvitet çeshtja, një pyetje mbetet: A mund të mbahen në këmbë vende të mëdha dhe me popullata të ndryshme, si për shembull SHBA dhe Rusia, pa një polici shteti dhe gjykata të forta? Të dy këta vende “demokratike” kanë 1% të popullsisë në burg.

            Kodin Penal e zbatojnë gjykatat. Në Kodin Penal që hyri në fuqi në vitin 1952 dënimi me vdekje përkufizohen në 31 Nene të tij ku peshë të madhe kishin ato që quheshin si krime kundër shtetit [politik]. Kodi Penal i vitit 1977 pati 33 Nene që përmbanin dënimin me vdekje ku rëndoheshin më shumë dënimet për arësye politike dhe ideologjike (mendim ndryshe); për shembull, pati njërëz që u dënuan me vdekje pse shkrojtën vjersha. Në anën tjetër, ashpërsia e dënimeve kundër vrasësve, së pari të atyre të gjakmarrjes, ndikoi pozitivisht sepse nga 17% që ato zinin në vitet 1945-1950, 13.5% në vitet 1951-1955, në vitet 1965-1989 nuk pati më krime të atilla.  

            Kodi Penal i vitit 1988 i tkurri në 22 Nenet që përmbanin dënimin me vdekje. Pas vitit 1991, ndërsa krimet politike dhe ideologjike u shfuqizuan me ligj, krimet kundra shtetit dhe njerëzve morën të përpjetën. Megjithatë, regjimi i ri politik vazhdoi tkurrjen e dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat dhe me ligjin Nr. 7769 më 16 Nëndor 1993 Kodi Penal ngeli me 16 Nene të tilla. Deri në Qershor 1995, shpërndarja sipas viteve të dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat dhe të kryera ishte: 5 (1990), 6 (1991), 14 (1992), 7 (1993), 6 (1994), 1 (1995). 
            Kodi Penal i Qershorit 1995 mbeti me 13 Nene që përkufizonin dënimin me vdekje dhënë nga gjykatat në kohë paqeje. Po në Qershor 1995, Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Europës së Bashkuar. Pasi nënshkroi Protokollin Nr. 6 me të dhe e pranoi ligjërisht (“ratifikoi”) në Kuvend, dhe në pajtim me Nenet 116 e 122 të Kushtetutës së Shqipërisë, regjimit politik të Bashkimit Europian iu njoh sovranitet i sipërm [me autoritet korrigjues] mbi atë të Republikës së Shqipërisë në rastet e marrëveshjeve politikë midis tyre. Një kusht për anëtarësim në Këshillin e Europës së Bashkuar ishte pranimi edhe i Marrëveshjes Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila nuk lejonte të jepej dënim me vdekje nga gjykatat edhe i këshillës ngrirëse për të pezulluar për tre vjet zbatimin e dënimeve me vdekje të dhëna nag gjykatat. Prandaj, ndonëse gjykatat dhanë dënime të merituara me vdekje për 17 persona në vitet 1996-1995, ato nuk u zbatuan për shkak të atij kushti ngrirës që pat rënë nga Këshilli i Europës.

            Dhe më 10 Dhjetor 1999, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shfuqizoi si të papajtueshëm me Marrëveshjen Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë të drejtën e dhënies së dënimit me vdekje në kohë paqeje vetëm (vetëm!) nga gjykatat qytetare dhe ushtarake, por jo nga shteti. Me atë rast, u çligjëruan Nenet 29/1, 31, 73, 74, 75, 77, 78, 79, 109, 141, 208, 209, 219, 221, 230 dhe 334 të Kodit Penal Qytetar dhe Nenet 59/2 dhe 77 të Kodit Penal Ushtarak. Në rast lufte Kodi Penal ushtarak përmbante edhe gjashtë raste të tjera për të cilat gjykakat ushtarake jepnin dënimin me vdekje, veçse ato Kuvendi i shfuqizoi me ligin Nr. 9722 më 30 Prill 2007. (Eh sa mirë, nuk ka patur, nuk ka, nuk do të ketë armiq, kriminelë, terroristë, spiunë, dezertorë, tradhëtarë, grabitës!).

            Njëkohësisht në atë vendim, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e mirënjihte Nenin 2.2 të Marrëveshjes Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila sqaronte se shteti e jep dënimin me vdekje kur një gjë e tillë është absolutisht e domosdoshme, kur shkaktohet për shkak të përdorimit të forcës, kur nevojitet vetmbrojtje ndaj dhunës së paligjshme, kur kryhet një arrestim i ligjshëm ose pengohet arratisja, kur shtypet një kryengritje e paligjshme. Dhe në përputhje me Nenin 17.1 dhe 21 të Kushtetutës së Shqipërisë domethënë se për arësye shtetërore, për arësye të sigurisë së përbashkët të popullatës, për arësye të mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve, për arësye të sigurisë së tërësisë territoriale dhe qenies politike si shtet i pavarur, policia, ushtria dhe shërbimet e fshehta në varësi të qeverisë [edhe prokuroria dhe gjykatat, kur lejohet] e kanë lirinë me zbatuar dënimin me vdekje në rastet absolutisht të domosdoshme. 

            Konditat dhe rradhitja e veprimeve për të kryer një vrasje të lejuar nga një polic ose skuadër policie dhe për të marrë një vendim më vdekje nga një gjykatë sqarohen me imtësi dhe ligjërohen në Kuvend që më parë. Sepse, saç është i domosdoshëm sigurimi i shtetit po aq është i domosdoshëm edhe mbarëvajtja e sigurimit të shtetit. Siç nuk mund të lihet policia e shtetit të livadhisë pa kontroll, po ashtu nuk mund të lihet të livadhisë pa kontroll edhe gjykata. Një gjykatës i ndotur (i “korruptuar”) është drejtpërsëdrejti edhe bashkëpunëtor me kriminelët, terroristët dhe shkelësit e ligjeve edhe nxitës i kriminalitetit. A nuk janë të tillë tre gjykatësit në Shkodër që liruan një vrasës i cili më pas kreu vrasjen e dy turistëve çekë në Qershor 2015?

            Shfuqëzimi më 10 Dhjetor 1999 prej Gjykatës Kushtetuese vetëm të dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat qytetare dhe ushtarake në kohë paqeje shkaktoi krisje në vendosjen e sigurisë së përbashkët dhe nxiti kriminalitetin e veçuar dhe atë të organizuar. Policia e shtetit dhe qëllimi i shërbimit të saj nuk ka pse të nëpërkëmben nga një vendim politik i detyruar i atillë i pranuar prej regjimit politik; themelet janë themele, çatia është çati. 

Neni 21 i Kushtetutës së Shqipërisë është vetëm një fjali: “Jeta e personit mbrohet me ligj”. Kjo fjali domethënë mbrojtje të jetës ndaj shkakut dhe veprimit të qëllimshëm që e cënon jetën. Në rastet e vdekjeve për shkak të gjëmave natyrore, veprimeve të paqëllimshme dhe vetvrasjeve, edhe Neni 21 urdhëron që të kryhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar vdekjet ose për të shpëtuar jetën pas ngjarjeve. Në rastin kur si shkak është veprimi i qëllimshëm i një krimineli ose terroristi, në qoftë se Neni 21 nuk do urdhëronte asgjësimin e atij shkaku, atëhere ky përdorim ligjor i Nenit 21 mohon vetë Nenin 21. A mund ta mbrojë jetën Neni 21 duke mbrojtur shkakun që e kërcënon jetën, duke mos e asnjanësuar përfundimisht me dënim me vdekje kriminelin apo terroristin të cilët me qëllim mbesin gjithmonë kërcënues dhe sulmues kundrejt jetës? 

Dënimi me vdekje i kriminelëve dhe terroristëve është sa i domosdoshëm aq dhe ligjërisht i detyrueshëm të kryhet me të paktën një nga dy mënyrat: nga shteti dhe nga gjykata. A është i vështirë dallimi i tyre? Ç’humbje ka shoqëria nga vrasja dhe dënimi me vdekje i një krimineli apo terroristi? Kaq pa vlerë është jeta e një polici, ushtaraku, qytetari të thjeshtë që të helmohet apo vritet nga kriminelët dhe terroristët? A ishte normale që në Qershor 2015 policia e shtetit të shkonte në fshatin Lazarat të Gjinokastrës më pushkë druri dhe kriminelët të vritnin dhe plagosnin policë, kurse ato vetë të mos pësonin gjë?

            Mafia ose [e thënë butë] krimi i organizuar është trekëndëshi politikë-biznez-krim. A egziston ky trekëndësh në Shqipëri? A ka mafie në Shqipëri? A nuk e dëshiron vetëm mafia lirimin e kriminelëve dhe heqjen e dënimit me vdekje ngase vetëm ajo përfiton? A bëhet mbulesë krimi i veçuar për krimin e organizuar? Sepse me kërcënimin e kriminelëve, veçanërisht kur ato lirohen dhe nuk dënohen, mafia sundon popullin. Mafia ka nevojë për skllevër dhe xhungël ku sundohet duke përdorur kërcënimin nga egërsirat. Mafia bie shpejt pre e spiunazheve të vendeve armike apo rrjeteve terroriste botërore dhe e keqja e saj shumëfishohet. Mafia nuk ka për qëllim mirëqenien e përbashkët të popullatës, edukimin dhe përparimin e kombit. Mafia është errësia, egërsia, dhuna, prapambetja kurse qytetaria është drita, butësia, mirësjellja, përparimi. Në një vend të përparuar, shteti dhe regjimi politik janë mekanizmat që mirëmbajnë rregullin, organizimin dhe mbrojtjen e popullatës. Qytetaria ka nevojë për qytetarë të lirë që respektojnë njëri-tjetrin, vendin dhe meritën e njëri-tjetrit, mendimin e lirë dhe punojnë për të mirën e përbashkët. 

            Një shtet dhe regjim politik rrumpallë shërohet me një shtet të fortë dhe regjim politik me bosht kombtar dhe qytetarie për të mirën e përbashkët. Një shtet i i mirëorganizuar domethënë se çdo njeri ka vendin e vet të merituar me punë dhe çdo vend ka një njeri. Një shtet i mirëorganizuar domethënë se qytetarët, shteti dhe regjimi politik ndihmojnë për sigurinë, dokumentimin, mirëqenien, punën, prodhimin, edukimin, përparimin dhe mbrojtjen e përbashkët. 

            Nga një tokë nën kujdes do lindin lule dhe prodhime të mbara. Një tokë e lënë djerr do mbushet me ferra, do bëhet ferr, ku dallohen vetëm egërsirat dhe ulërimat e tyre. Një periudhë rrumpallë ka një anë të mirë se u krijon kushte edhe njerëzve edhe egërsirave të shprehin sinqeritetin e tyre. Një vend rrumpallë ka një çorganizim të organizuar mirë nga njërëz të këqinj, të papërshtatshëm, me qëllime të mbrapshta dhe ka nevojë për rregullim, vendosje të njerëzve dhe gjërave në vendin e duhur. Ay rregullim lind si nevojë për të qenë në harmoni me natyrën, për të krasitur të keqen, për të rivendosur baraspeshën e lirive, për t’u shkëputur nga parregullsia, nga egërsia, nga errësira, nga kaosi. Ordo ab Chao.

Filed Under: Analiza Tagged With: denimi me vdekje, edhe nga shteti, jepet edhe nga gjykata

TE KTHEHET DENIMI ME VDEKJE

July 4, 2015 by dgreca

Ftesë për një referendum mbarë popullor për rivendosjen e DËNIMIT ME VDEKJE/
Opinion nga Abdurahim Ashiku, gazetar ne Athine/
Ne Foto:Michal Svatos dhe Anna Kosinova/

Na fton ta bëjmë këtë gjaku i çiftit çek Michal Svatos dhe Anna Kosinova që me miqësinë e dhuruar, me përcjelljen e vlerave të natyrës dhe të popullit tonë do të ishin vlerë e shtuar në fjalët e shkruara të Edith Dyrham, Hahn e shumë njerëzve të mëdhenj që i ngritën lart virtytet e tona…
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)

Krenohemi se jemi shqiptarë, krenohemi me besën shqiptare, krenohemi me mikpritjen dhe tërbohemi kur dikush na e dhunon me poshtërsi besën tonë, mikpritjen tonë, na vret në mes të ditës mikun që vjen paqësisht.
Dy të rinj, një djalë dhe një vajzë si drita e diellit, dy miq nga Çekia, ditën me dritë, dritën me diellin në perëndim, u vranë me plumb prapa…
Michal Svatos dhe Anna Kosinova u prenë në besë…
E lexova, rilexova, pashë disa herë radhazi lajmin dhe fotografitë që ata kishin përcjellë për ti treguan botës mbarë bukuritë e vendit tim, ndjeva në shpirt të qeshurën që u ndriçonte fytyrën mes mrekullive natyrore të një vendi që ata e deshën që në vështrimin e parë.
Policia kishte vënë në dispozicion tridhjetë mijë euro për këdo që do të informonte për këtë vrasje që se mban toka shqiptare, që se mban shpirti i pastër shqiptar, që e dënon i madh e i vogël.
Policia do t’i gjej vrasësit, e uroj këtë. Do t’i çojë në gjyq ku ndonjë avokat do të dalë (për turpin e profesionit të tij) ti mbrojë. Gjykata do ti dënojë me “Burgim të përjetshëm”. Kështu thotë ligji shqiptar. Madje, po qe se ata e pohojnë vrasjen vullnetarisht, do ti dënojë me njëzet e pesë apo tridhjetë vjet burg. Taksapaguesit shqiptarë do të mbledhin qindarkë pas qindarke për të paguar çdo muaj 480 euro për të mbajte në burg “me të gjitha komoditetet dhe me të gjitha të drejtat” të burgosurin e përjetshëm, vrasësin, kriminelin.
Kështu thotë Evropa…
Evropa i thotë “JO” dënimit me vdekje. Nuk na lejon. Nuk na pranon pjesë të saj…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i thonë “PO” dënimit me vdekje. Dikur e ekzekutonte në “karrigen elektrike”, sot e ekzekuton “me shiringë në damar”. Është vendi më demokratik në botë…
Shqiptarët, në historinë e mbijetesës së vet mijëravjeçare (prandaj nuk jemi shuar) e ka pas në kodin e saj kanunor dënimin me vdekje…
Nga libri “E drejta zakonore shqiptare-1” që e mbaj në bibliotekën time në emigracion, botim i Akademisë së shkencave po shkëpus disa fragmente nga kapitulli “MIKU”.
I shkëputa për kulturë por edhe si një thirrje shekullore të shoqërisë shqiptare që vrasësi nuk falet…


***
 

Në botë theksohet se shqiptari mikpritjen e ka fe dhe me këtë ai dallohet më tepër skocezët, nomadët arabë, dhe fshatarët turq e rusë…(J. Bouchard)
Në kreun III MIKU, neni 97 i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën K. Gjeçovi thuhet:
“Shpia e shqyptarit asht e zotit dhe e mikut. 
Për mik kanuja njef çdo njeri qi i thrret në derë të shpisë. Haj i dheas a i fisit, haj mik a anmik, ase i çdo besimi ai kjoftë, kur t’i thërrasë kundrejt ase te dera, asht miku i shpisë.
Miku, sa ma i largët të jetë e sa ma i randë, aq ma të madhe ia nep kanuja nderën e rojës”
Në vijim, neni 98 (pritja e mikut) theksohet:
Shqyptari ka një nderim aq të madh për mik qi bjen në derë, sa shkrihet me gjithshka ka, po guxoi kush me i ba këtij ndoj dhunë, deri sa ta përcjellë atje ku don miku…
Neni 99 (Bukë e kripë e zemër)
Mikut do ti bahet nderë: “Bukë e kripë e zemër”. Buka e kripa e zemra, zjarrmi e trungu e do firi për shtroje do të gjinden gadi për mik në çdo kohë të natës e të ditës. Për çdo mik duhet bukë si han vetë; për mik të mirë duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndonji send ma tepër; për mik zemre duhet duhani, kafja e ambël, rakia e bukë e mish. “Mikut të zemrës i lëshohet shpija. Mikut të lodhun do t’i vihet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambët. Përpushet zjarrmi, lypen edhe dru. “Miku don dru””
Neni 107 (Kur pritet mik)
“Veç nji gacë me ta lypë te dera për me kallë çubukun, ia dhae e e ngau kush, të pritet mik”…
Neni 109 (Detyra me e pague mikun e premë)
Miku kuj s’i preket; po u prek s’falet…
Neni 110 (përbuzja e atij që iu pre miku)
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…“Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)



***
Në Dukagjinin e besës dhe të mikpritjes u vranë me nga një pëlumb mbas koke një djalë dhe një vajzë nga Çekia.
U vranë me të pabesë…
U prenë si miq…
Nuk ka shqiptar që në deje i vlon gjaku i të parëve që të mos e dënojë këtë akt të pashembullt…
Nuk ka kandar drejtësie që e mban këtë peshë gjaku që na ka mbetë në derë…
 
 ***


Shqipëria është e mbushur me armë, me kallashnikovë që nxirren nga hatullat e fshehura dhe me breshëri çdo ditë marrin jetë njerëzish.
Në Lazarat u vra një oficer policie…
Nuk janë gjetur ende autorët e vrasjes. Është gjetur arsenali i armëve, nga të gjitha armët e këmbësorisë…
Mbase do të gjendet vrasësi…
Gjykata, me ndihmën e avokatëve të cilat që tani i kanë përgatitur “pistat e mbrojtjes” do të japë, më e shumta “Dënim me burgim të përjetshëm”…
Nuk është rast i vetëm. Janë me qindra. Janë me mijëra. Kudo kërcet kallashnikovi i gjakmarrjes dhe i hakmarrjes. Fëmijë të vegjël, meshkuj e femra, qëndrojnë të ngujuar pa dritën e dijes mes moshatarëve të tyre në shkollë. ..
Në diktaturën e “diktatorit” ai që vriste – vritej,. Këmbëzën e pushkës e tërhiqte ligji, shteti. Gjakmarrja kishte shkuar në shuarje…
Shqipërisë i duhet ligji me vdekje.
Po nuk e vendosi shteti duhet ta vendosë populli.
Një referendum popullor për t’i thënë “PO” dënimit me vdekje nuk do të na ndajë nga Evropa. Do të na çojë në Evropë me kokën e lart e me dinjitet.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 4 korrik 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Anna KosinovaTe kthehet, denimi me vdekje, Michal Svatos

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT