Ftesë për një referendum mbarë popullor për rivendosjen e DËNIMIT ME VDEKJE/
Opinion nga Abdurahim Ashiku, gazetar ne Athine/
Ne Foto:Michal Svatos dhe Anna Kosinova/
Na fton ta bëjmë këtë gjaku i çiftit çek Michal Svatos dhe Anna Kosinova që me miqësinë e dhuruar, me përcjelljen e vlerave të natyrës dhe të popullit tonë do të ishin vlerë e shtuar në fjalët e shkruara të Edith Dyrham, Hahn e shumë njerëzve të mëdhenj që i ngritën lart virtytet e tona…
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)
Krenohemi se jemi shqiptarë, krenohemi me besën shqiptare, krenohemi me mikpritjen dhe tërbohemi kur dikush na e dhunon me poshtërsi besën tonë, mikpritjen tonë, na vret në mes të ditës mikun që vjen paqësisht.
Dy të rinj, një djalë dhe një vajzë si drita e diellit, dy miq nga Çekia, ditën me dritë, dritën me diellin në perëndim, u vranë me plumb prapa…
Michal Svatos dhe Anna Kosinova u prenë në besë…
E lexova, rilexova, pashë disa herë radhazi lajmin dhe fotografitë që ata kishin përcjellë për ti treguan botës mbarë bukuritë e vendit tim, ndjeva në shpirt të qeshurën që u ndriçonte fytyrën mes mrekullive natyrore të një vendi që ata e deshën që në vështrimin e parë.
Policia kishte vënë në dispozicion tridhjetë mijë euro për këdo që do të informonte për këtë vrasje që se mban toka shqiptare, që se mban shpirti i pastër shqiptar, që e dënon i madh e i vogël.
Policia do t’i gjej vrasësit, e uroj këtë. Do t’i çojë në gjyq ku ndonjë avokat do të dalë (për turpin e profesionit të tij) ti mbrojë. Gjykata do ti dënojë me “Burgim të përjetshëm”. Kështu thotë ligji shqiptar. Madje, po qe se ata e pohojnë vrasjen vullnetarisht, do ti dënojë me njëzet e pesë apo tridhjetë vjet burg. Taksapaguesit shqiptarë do të mbledhin qindarkë pas qindarke për të paguar çdo muaj 480 euro për të mbajte në burg “me të gjitha komoditetet dhe me të gjitha të drejtat” të burgosurin e përjetshëm, vrasësin, kriminelin.
Kështu thotë Evropa…
Evropa i thotë “JO” dënimit me vdekje. Nuk na lejon. Nuk na pranon pjesë të saj…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i thonë “PO” dënimit me vdekje. Dikur e ekzekutonte në “karrigen elektrike”, sot e ekzekuton “me shiringë në damar”. Është vendi më demokratik në botë…
Shqiptarët, në historinë e mbijetesës së vet mijëravjeçare (prandaj nuk jemi shuar) e ka pas në kodin e saj kanunor dënimin me vdekje…
Nga libri “E drejta zakonore shqiptare-1” që e mbaj në bibliotekën time në emigracion, botim i Akademisë së shkencave po shkëpus disa fragmente nga kapitulli “MIKU”.
I shkëputa për kulturë por edhe si një thirrje shekullore të shoqërisë shqiptare që vrasësi nuk falet…
***
Në botë theksohet se shqiptari mikpritjen e ka fe dhe me këtë ai dallohet më tepër skocezët, nomadët arabë, dhe fshatarët turq e rusë…(J. Bouchard)
Në kreun III MIKU, neni 97 i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën K. Gjeçovi thuhet:
“Shpia e shqyptarit asht e zotit dhe e mikut.
Për mik kanuja njef çdo njeri qi i thrret në derë të shpisë. Haj i dheas a i fisit, haj mik a anmik, ase i çdo besimi ai kjoftë, kur t’i thërrasë kundrejt ase te dera, asht miku i shpisë.
Miku, sa ma i largët të jetë e sa ma i randë, aq ma të madhe ia nep kanuja nderën e rojës”
Në vijim, neni 98 (pritja e mikut) theksohet:
Shqyptari ka një nderim aq të madh për mik qi bjen në derë, sa shkrihet me gjithshka ka, po guxoi kush me i ba këtij ndoj dhunë, deri sa ta përcjellë atje ku don miku…
Neni 99 (Bukë e kripë e zemër)
Mikut do ti bahet nderë: “Bukë e kripë e zemër”. Buka e kripa e zemra, zjarrmi e trungu e do firi për shtroje do të gjinden gadi për mik në çdo kohë të natës e të ditës. Për çdo mik duhet bukë si han vetë; për mik të mirë duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndonji send ma tepër; për mik zemre duhet duhani, kafja e ambël, rakia e bukë e mish. “Mikut të zemrës i lëshohet shpija. Mikut të lodhun do t’i vihet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambët. Përpushet zjarrmi, lypen edhe dru. “Miku don dru””
Neni 107 (Kur pritet mik)
“Veç nji gacë me ta lypë te dera për me kallë çubukun, ia dhae e e ngau kush, të pritet mik”…
Neni 109 (Detyra me e pague mikun e premë)
Miku kuj s’i preket; po u prek s’falet…
Neni 110 (përbuzja e atij që iu pre miku)
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…“Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)
***
Në Dukagjinin e besës dhe të mikpritjes u vranë me nga një pëlumb mbas koke një djalë dhe një vajzë nga Çekia.
U vranë me të pabesë…
U prenë si miq…
Nuk ka shqiptar që në deje i vlon gjaku i të parëve që të mos e dënojë këtë akt të pashembullt…
Nuk ka kandar drejtësie që e mban këtë peshë gjaku që na ka mbetë në derë…
***
Shqipëria është e mbushur me armë, me kallashnikovë që nxirren nga hatullat e fshehura dhe me breshëri çdo ditë marrin jetë njerëzish.
Në Lazarat u vra një oficer policie…
Nuk janë gjetur ende autorët e vrasjes. Është gjetur arsenali i armëve, nga të gjitha armët e këmbësorisë…
Mbase do të gjendet vrasësi…
Gjykata, me ndihmën e avokatëve të cilat që tani i kanë përgatitur “pistat e mbrojtjes” do të japë, më e shumta “Dënim me burgim të përjetshëm”…
Nuk është rast i vetëm. Janë me qindra. Janë me mijëra. Kudo kërcet kallashnikovi i gjakmarrjes dhe i hakmarrjes. Fëmijë të vegjël, meshkuj e femra, qëndrojnë të ngujuar pa dritën e dijes mes moshatarëve të tyre në shkollë. ..
Në diktaturën e “diktatorit” ai që vriste – vritej,. Këmbëzën e pushkës e tërhiqte ligji, shteti. Gjakmarrja kishte shkuar në shuarje…
Shqipërisë i duhet ligji me vdekje.
Po nuk e vendosi shteti duhet ta vendosë populli.
Një referendum popullor për t’i thënë “PO” dënimit me vdekje nuk do të na ndajë nga Evropa. Do të na çojë në Evropë me kokën e lart e me dinjitet.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 4 korrik 2015