*Armando Prenga është përfshirë në një përleshje mes dy familjeve. 7 persona kanë mbetur të plagosur. Dyshohet se janë përdorur edhe armë/
*Vendimi i qeverisë futi në hasmëri familjet në Laç/
*Basha: Ky është fundi i shtetit ligjor. Ta heqim nga qafa Ramën/
*Rama: Ndëshkim i plotë ligjor për ngjarjen, koha e të paprekshmëve ka ikur/
Në Shqipëri policia arrestoi në flagrancë deputetin socialist Armando Prenga i cili u përfshi gjatë natës në një përleshje mes dy grupeve, pjestarë të dy familjeve në qytetin e Lacit, Prenga dhe Cali, në konflikt mes tyre për një cështje pronësie. Burime të ndryshme mediatike bëjnë të ditur se në përplasjen e fortë përvec thikave apo mjeteve të tjera të forta janë përdorur dhe armë. Të paktën 7 persona, mes tyre edhe vëllai i deputetit Prenga, kanë marrë plagë të rënda dhe janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranës, i cili po mbahet nën mbikqyrje nga forca të shumta të policisë. Të 7 të plagosurit konsiderohen njëkohësisht dhe si të arrestuar.
Policia nuk ka dhënë deri pak para mesditës, asnjë njoftim zyrtar mbi ngjarjen. Të paktën dy nga të plagosurit dyshohet se janë qëlluar me armë. Kryetari I opozitës Lulzim Basha akuzi autoritet se po përpiqen të fshehin ngjarjen dhe se sipas tij deputeti Prenga ka plagosur me armë katër persona në brendësi të komisariatit të policisë.
Prenga ka qenë i përfshirë në raste të dhunshme edhe në parlament, ku ai është përplasur me deputetët e opozitës Edi Paloka dhe Genti Strazimiri. E djathta madje e ka akuzuar Prengën dhe për një të kaluar të dyshimtë, me probleme me drejtësinë italiane apo dhe në vende të tjera të Europës, por deputeti socialist i ka hedhur poshtë këto akuza.
BASHA:Sovranit i ka ardhur ora ta heqë këtë zgjedhë nga qafa/
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi ashpër sot për ngjarjen në Laç. Në një konferencë nga selia e PD, ai tha se ky është fundi i shtetit ligjor.
Dekarata e plotë e Bashës
“Sot pas mesnate, brenda komisariatit të policisë në Laç, deputeti socialist Armando Prenga ka shkaktuar një gjakderdhje, një kasaphanë me disa të plagosur.
Brenda komisariatit të Policisë, aty ku duhet të ofrohet siguri për qytetarët, në zyrën e shtetit, që e kemi për të na mbrojtur të gjithëve, aty shfaqet deputeti i armatosur me bandën e tij dhe hap zjarr mbi njerëzit.
Për 8 orë me rradhë, me urdhër te Edi Rames dhe Sajmir Tahirit policia vendosi një shtetrrethim te vërtetë në vendngjarje dhe tek spitali për të fshehur ngjarjen, për të mos dhënë informacion, për të manipuluar provat, për të mbrojtur agresorin, të përzgjedhurin e Edi Ramës në Laç.
Terri informativ për këtë ngjarje të rëndë u thye vetëm pas denoncimit tonë. Por përpjekjet e Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit për të mbrojtur deputetin kriminel nuk reshtën, derisa u përballën me presionin e opozitës, partnerëve ndërkombëtarë dhe kurajon e disa mediave për të hedhur ditë mbi të vërtetën.
Jam këtu si kryetar i Partisë Demokratike dhe i opozitës, por po ju drejtohem edhe si qytetar, si një nga ju.
Ky, është fundi i shtetit ligjor në vend, dhe pavarësisht se armët i shkrehu një bandit deputet, autori i kësaj gjendje të rëndë është Edi Rama.
Nuk do të ishim në këtë situatë sot, kur banditi dhunon me armë qytetarët brenda komisariatit, nëse Edi Rama nuk do ta kishte kërkuar e përzgjedhur për ta bërë deputet të Parlamentit të Shqipërisë, Armando Prengën, pikërisht për këto cilësi që ai ka. Që vret e pret, që bën të fortin, që sulmon qytetarët, merr vota me dhunë, godet edhe përfaqësuesit e opozitës brenda Parlamentit.
Nuk do të ishim në këtë situatë, të rënies së shtetit, ku krimineli bën ligjin, nëse Edi Rama nuk do ta kishte shpërblyer deputetin e tij me Lagunën e Patokut, me një tender skandaloz, në shkelje të të gjithë kritereve dhe procedurave, duke ua hequr peshkatareve që mbanin familjen me këtë aktivitet prej dekadash.
Merret gangsteri, bëhet deputet, i jepet edhe më shumë pushtet, i jepet më pas edhe pasuri publike, dhe ligji nuk vepron mbi të. Hyn në komisariat, hap zjarr mbi qytetarët, dhe policia e shteti bëjnë gjithçka për të qenë në anën e tij.
Kjo është prekja e fundit. Ska më shtet, ska më standarde.
Janë orë dramatike për vendin.
Autori është deputet, pjesë e një grupi të inkriminuar, me rekorde për vepra të rënda penale, në një parlament që drejtohet nga Ilir Meta, që pak kohë më parë manipuloi një hetim ku akuzohej për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe tani është nën akuzë për marrje rryshfeti në shuma të mëdha, me prova e fakte të njohura botërisht.
Autori, deputeti i Edi Ramës, e kryen veprën e rëndë penale brenda komisariatit, në zyrat e policisë që drejtohet nga Saimir Tahiri, i cili gjendet nën akuzë nga oficerë të lartë të policisë si kumbar i bandave të drogës në vend, dhe i cili vetëm pak kohë më parë bënte pazare me vrasës me pagesë, sa në Ministri, në plazh, në kafe e në rezidencat qeveritare.
Të gjithë këtë mekanizëm kriminal e mban në këmbë dhe e kontrollon Edi Rama që tërheq fijet sipas interesave të pushtetit të tij.
Ky është inkriminimi, krimi i veshur me pushtet, pushteti i veshur me krim. Nuk mund të presësh tjetër nga inkriminimi, nga vendosja e banditëve në administratë, në poste kyçe, dhe zgjedhja e tyre deputet e kryetarë bashkie. Frytet janë këto, gjakderdhje, trafik droge, censurë medias, vrasje, sulm dhe goditje opozitës.
Ky është sundimi, shtypja e qytetarëve, me anë të krimit dhe kriminelëve.
Edi Rama e themeloi aleancën me krimin, erdhi në pushtet me krimin dhe po qeveris me krimin. Jemi sot nën një tutelë banditësh. Edi Rama nuk na ka lënë zgjidhje tjetër, përvese të ngrihemi në këmbë. I madh e i vogël, prind e qytetar, të rinj e të reja. Do të ngrihemi e do ti japim fund këtë pushteti tërësisht të inkriminuar. Sovranit i ka ardhur ora ta heqë këtë zgjedhë nga qafa”/
Rama: Ndëshkim i plotë ligjor për ngjarjen, koha e të paprekshmëve ka ikur/
Askush s’është mbi ligjin aq më pak deputeti! Ngjarja e Lacit kërkon ndëshkim te plote ligjor. Koha e te paprekshmeve ka ikur bashke me Saliun!”
Ky është reagimi i kryeministrit Edi Rama pak pasi policia njoftoi zyrtarisht arrestimin e deputetit të partisë që ai drejton Armando Prenga.
Armando Prenga akuzohet se është përfshirë në një konflikt të ndodhur mbrëmjen e 4 shtatorit për Luginën e Patokut.
Sipas policisë në rrugën që të çon në Komisariat, një grup shtetasish në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga, palë në konflikt janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri.
Në lidhje me këtë ngjarje është vendosur masa e arrestit në flagrancë për gjashtë shtetas tëpërfshirë në konflikt, midis tyre edhe deputeti Armando Prenga, i cili nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje dhe u arrestua në flagrancë me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.
-Vendimi i qeverisë futi në hasmëri familjet në Laç/
Mëngjesin e së shtunës, opinioni publik është tronditur nga lajmi për arrestimin e një deputeti të PS, i përfolur vazhdimisht si një emër problematik.
Në qendër të sherrit mes dy familjeve, asaj të Armando Prengës dhe familjes Cali është pikërisht licenca për peshkim në zonën e Lagunës së Patokut.
Në mars të këtij viti, Ministria e Bujqësisë mori vendim që licenca të kalonte për një subjekt tjetër, edhe pse vëllezërit Cali e menaxhonin këtë zonë prej dy dekadash.
Gjergj Cali akuzoi se pas kësaj afere fshihet vëllai i një deputeti.
“Ne e kemi të trashëguar këtë prej shumë vitesh. Në dy dekada kemi firmosur licencën e shfrytëzimit. Kontrata ka qenë 10-vjeçare. Pasi mbaroi ky 10 vjeçar na njoftuan se duhet të hynim në tender për të përsëritur licencën tjetër 10- vjeçare. Kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionin si për çudi në zarf dhe jo në mënyrë elektronike siç e ka gjithë bota. Këtu ne na lindën dyshimet se nuk do ketë barazi dhe ashtu ndodhi. Aty morëm vesh se ishim në konkurrim me vëllain e deputetit. Për këtë çështje kemi njoftuar Kryeministrin Rama, por nuk kemi marrë përgjigje. Ne na kanë nxjerrë në rrugë, pasi e vetmja e ardhur për familjet tona është peshkimi në këtë zonë, të cilën e kemi ruajtur shumë dhe kemi investuar që të mos dëmtohet. Ne e kemi të trashëguar prej 100 vitesh dhe po na e marrin punën në mënyrë të padrejtë,” Cali.
Madje ato ditë pati një sherr të dhunshëm, i cili u raportua në media.
Por përgjatë muajve në vazhdim, askush nuk u mor më me këtë histori, ndërkohë që tensioni mes familjeve vazhdoi.
JA SHKAKU I SHERRIT MES DY FAMILJEVE
6 persona kanë ngelur të plagosur ditën e sotme gjatë një përleshje masive me thika, pranë Komisariatit të Policisë Laç. Në këtë sherr janë të përfshira dy familje, Cali dhe Prenga, dhe shkak i konfliktit është e drejta e peshkimit në Lagunën e Patokut.
“Shqiptarja.com”, shkruan se, në prill të vitit 2015, peshkatarët e familjes Cali në Lagunën e Patokut denoncuan padrejtësinë, që sipas tyre u është bërë duke i dhënë licencën për shfrytëzim Eduart Prengës (njohur edhe me emrin Valentin), vëllait të deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga.
Prej dekadash kjo familje ka ushtruar këtë aktivitet, por me një tender të vitit 2015 kjo e drejtë iu dha familjes Prenga, dhe kontrata e tyre nuk u rinovua më nga Ministria e Bujqësisë. Partia Demokratike ka mbështetur peshkatarët, e cila kohë më pas denoncoi se qeveria dha tenderin në mënyrë kilienteliste.
Në prill të këtij viti, përballë këtyre akuzave erdhi reagimi i vetë deputetit Armando Prenga, i cili në atë kohë u shpreh për “A1 Report”: “Nuk merrem me biznes. Merrem me politikë. Vëllezërit e mi janë të ndarë nga mua, kanë punët e tyre. Merrem me politikë. Aktualisht lagunën e kanë marrë në mënyrë klienteliste firma “Cali”. Akuzat e PD-së nuk qëndrojnë, nëse vëllai im ka marrë diçka jashtë ligjit të reagojnë institucionet. Nëse është marrë në rregull, PD t’i japë fund shpifjeve. I përbuz me neveri këto shpifje. Me vjen keq që ende nuk kemi dalë nga një llumhanë e vjetër e PD-së.”
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe ministria e Brendshme e cila i konsideroi akuzat politike ku theksoi në atë kohë se tenderi ka qenë i hapur dhe sipas ligjit. Një qëndrim i mbështetur edhe nga Ministria e Bujqësisë e cila u deklarua e hapur për të vënë në dispozicion edhe dokumentacionin e tenderimit.