Nga Marjana BULKU/
Të dëgjosh protagonizma shqiptarësh nëpër botë tashmë nuk përbën ndonjë sensacion pasi fati i ka shpërndarë shumë prej tyre nga ku mjaft të tillë kanë bërë emër dhe sukses globalisht,por të përjetosh emocionet që shkakton arti shqiptar për disa ditë me radhë m’u në zemër të qytetërimit botëror , në Londër, kjo padyshim përbën një ngjarje që nuk mund të ndodhë rëndom.
Ekzistojnë mjaft evente që bashkojnë shqiptarët , janë festa apo ngjarje , mund të jenë ndeshje apo mbrëmje koncertore,por vetëm disa prej tyre kanë mundësi të memorizohen dhe të amplifikojnë madhështinë ,,,janë disa akte të thjeshta ,tingujsh, ngjyrash ,fjalësh që vitalizojnë historinë tonë sa të lashtë aq edhe të re.Janë akoma edhe më të rralla ato veprimtari ku institucionet perëndimore ,studjues dhe intelektualë britanikë e shohin nga afër artin ,historinë dhe kulturën shqiptare sic ishte edhe kjo javë veprimtarish në Londër e organizuar nga Ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe ,zoti Mal Berisha.
Java e KULTURES SHQIPTARO – BRITANIKE në Londër e konceptuar si një rrjet eventesh ku nderoheshin kontributorët e kulturës dhe diplomacisë perëndimore ndaj cështjes shqiptare (Eduart Lear dhe Herman Bernstein) ,ku promovoheshin botime “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, botuar nga Cambridge Scholars Press në gjuhën angleze me autor Dr. Enver Bytyci dhe ku artistët shqiptarë mbajnë gjallë me artin vizual dhe atë muzikor kulturën shqiptare ( Bashkim Ahmeti Izano , Adelina Hoxha dhe Robert Radoja).
Një javë e kulturës shqiptare në Londër me një dialektikë dhe intesitet informativ që i drejtohet:
1. Syrit …përmes telajove plot ngjyra ku flasin kostumet e traditës dhe apdurdi futurist, e bukura historike që arti e gdhend me përjetësi …ku më shumë sesa impresionet e artistit që flet me ngjyra , fjalën e ka kureshtja e spektatorëve e cila flet duke u ngujuar dhe medituar përballë artit të pa fjalë por me të gjitha gjuhët e botës në zotërim.
2.Veshit…me ”Këngët e Atdheut” një album i punuar mjeshtërisht nga muzikantët Hoxha e Radoja ku tinguj dhe fjalë prezantojnë historinë tonë për vogëlushë që rriten larg atdheut të tyre dhe që Shqipërinë e kanë edhe mall edhe dashuri ndonëse jo përjetim.
3. Mendjes …me Ligjëratën brilante të një ambasadori (zotit Mal Berisha) i cili në axhendën e tij ka kontributetet reale të individëve që krijojnë, progresojnë, dhe kontribuojnë pro Shqipërisë nëpër një dialektike që ka rrënjë të thella në historinë tonë dhe prej andejmi nxit frytet e së ardhmes së kombit shqiptar,,, një e ardhme që kërcënohet nga rryma dhe furtuna që ia kanë zbehur progresin ,por jo dialektikën e zhvillimeve….ku e shkuara dhe e ardhmja takohen në një pikë historike që risjell dhe nxjerr në dritë zoti Berisha gjatë trajtesës shumëplanëshe tek trajtesa ”Jeta e Ambasadorit amerikan në Shqipëri Herman Bernstein”.
Eshtë një javë eventesh që mbart intesitetin e një pune të shumfishtë ku ne si spektatorë shijojmë dhe duartrokasim, emocionohemi apo edhe këndojmë nën zë tinguj me të cilët jemi rritur, kuptojmë se qytetërimi nuk ia ka mbyllur kurrë portat Shqipërisë kur ajo ka trokitur me dije e zgjuarsi në dyert e saj sic është edhe ky event në ”Europe House”, American Embassy …Londër, është një javë që të lind dhjetra pyetje ,,,se si është e mundur që Shqipëria ,ky vend i vogël të nxisë mendje të mëdha sic është rasti i Presidentit të nderit të ”Anglo Albanian association” Sir Noel Malcolm të shkruajë veprën me titull ”Një histori Shqiptare e shekullit të 16” ,se si dritëhijet tona historike janë plot enigma dhe kureshtje të atyre që duan ti zgjidhin ato?
Duket sikur është një ”Javë” veprimtarish që ka kohë që ka nisur, kur sjell në kujtesë emrat, veprat dhe eventet e pafundme që Ambasada Shqiptare në Londër ka organizuar, evente që duket se i kanë bashkuar emigrantët shhqiptarë nëpër botë duke i integruar nëpër mjediset përkatëse ku jetojnë dhe punojnë ,duke ua ndricuar krenarinë ,duke sjellë në kujtesë por edhe në vetëdijen e brezit të dytë lindur dhe rritur në emigracion hijeshinë e artit historiko-kulturor shqiptar që denjësisht shpaloset në kryeqendrën e qytetërimeve perëndimore për t’u përjetësuar.
Kjo Paradë e KULTURES SHQIPTARE në LONDER është dëshmia më e mirë e kontributeve të njerëzve të cilët pa dashur ti idealizoj ,janë veprat e tyre ato që i lartësojnë duke përjetësuar kështu historinë tonë që flet me detaje që nuk i mban dot vetëm pena e shkrimtarit, tingujt e muzikës , ngjyrat e tablove, bukuritë gjeografike të natyrës, aventurat e politikës, duke iu ngjitur kështu majave të një ngjarjeje që i bashkon të gjitha e nga ku ne dukemi më të bukur ,më dinjitozë. Kur Sokrati fliste shqip në Londër përmes MIrush Kabashit të madh,,,ishte bujaria e ambasadorit Mal Berisha baza e madhështisë së shfaqjeve që numërojnë pafundësisht emra edhe të skenës si ;Inva Mula. Ermonela Jaho, Arlinda Morava, Genc Tukici , Sajmir Pirgu…si dhe mjaft intelektualë të tjerë shqiptarë që shqip përjetësojnë atdheun e tyre në zemër të qytetërimeve ku Shqipëria aspiron prej shekujsh të aderojë…Ne ”ishim ”aty , në zemër të qytetërimit , në Londër për një javë rrjesht teksa shijonim pikturat e Izanos , Kengët e Atdheut dhe Ligjëratën e një ambasadori që na bën të ndjehemi krenar për bashkëkombësinë.
Ditët e Memories: në Londër nderohet Besa shqiptare
Në mbrëmjen e 16 janarit 2014 në Pinner Sinagogë, në një nga zonat me numrin më të madh të banorëve hebrej në Londër, u organizua shfaqja e filmit BESA – THE PROMISE – vepër e regjisorit Jason Williams me kontribut të veçantë të fotografit Norman Gershman.Tanimë është bërë një traditë shumë e mirë që Ambasada Shqiptare në Londër në bashkëpunim me bashkësitë hebraike të organizojnë veprimtari të ndryshme në nderim të veprës së shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më shumë se katërqind pjesmarrës, prej të cilëve edhe një numër i mirë shqiptarësh me banim në këtë qytet, ndoqën me vemëndje, respekt dhe emocion këtë veprimtari e cila u hap me fjalën e zonjës Gaby Glassman, Kryetare e Këshillit Organizativ të Sinagogës Pinner. Ajo nëvizoi fisnikërinë dhe virtytet e larta të shqiptarëve të cilat bënë që asnjë hebre në atë vend të mos dorëzohej tek nazistët.Më pas ajo i dha fjalën ambasadorit të RSH në Mbretërinë e Bashkuar z. Mal Berisha.
Në fjalën e tij ambasadori foli me krenari për këtë episod të historisë së lavdishme të shqiptarëve duke u ndalur tek BESA si një fenomen shqiptar që nuk është atribut i feve por një vlerë morale e popullit shqiptar.
Pas shfaqjes së filmit zonja Glassman, në emër të bashkësisë hebraike të Pinner Sinagoge i dorëzoi Ambasadorit shqiptar një çertifikatë në të cilën thuhej:
“Një pemë e mbjellur në Jeruzalem simbolizon mirënjohjen e jashtëzakonshme ndaj veprës trimërore të popullit shqiptar për strehimin dhe shpëtimin e refugjatëve hebrej nga Hollokausti”.
Në lutjet e Sabathit të së djelës, 19 janar 2014, Rabini Bergson i kushtoi tërë psallmet e Sabathit një diskutimi mbi BESËN shqiptare si një mesazh i rëndësishëm për antarët e kongrecacionit të tij në jetën e përditshme.
Veprimtari të tilla do të vazhdojnë të organizohen edhe në të ardhmen. Më poshtë fjala e rastit e ambasadorit shqiptar:
Mirëmbrëma!
Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!
Është një nder dhe privilegj i madh për mua të marr pjesë në këtë ngjarje të shënuar që flet për një histori ende të pathënë plotësisht të marrëdhënieve Shqiptaro – Hebraike gjatë kohës më të vështirë, kohën e Hollokaustit.
Fatkeqësisht historia që do të shohim në këtë film ka qenë e mbyllur në sirtar për thuajse pesëdhjetë vjet të izolimit komunist të Shqipërisë. Kjo histori doli në dritën e diellit kur një hebre i famshëm hungarez, një politikan amerikan, antar i Kongresit, i ndjeri Tom Lantosh dhe miku i tij, Jozef DioGuardi, një tjetër anëtar i Kongresit me rrënjë shqiptare, vizituan Shqipërinë për herë të parë në vitin 1990.
Vetëm pak vite më vonë u botua një libër me titull “Shpëtimi në Shqipëri” i shkruar nga një hebre tjetër i quajtur Harvey Sarner i cili i hoqi perden përpara botës një historie të jashtëzakonshme të mardhënieve të veçanta midis shqiptarëve dhe hebrejve në rrjedhë të historisë dhe veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sot, ne do të shohim filmin BESA – THE PROMISE. Filmi pasqyron një histori të rrallë të solidaritetit të jashtëzakonshëm ndaj hebrejve gjatë Hollokaustit. Ne mund të flasim për këtë histori pa mbarim. Megjithatë, në pikpamjen time, gjëja më e rëndësishme dhe ajo që e bën atë të tillë është:
Qoftë edhe një jetë e vetme hebre nuk ka humbur në Shqipëri përkundër faktit që vendi ishte vetë i pushtuar prej Italisë Fashiste dhe Gjermanisë Naziste. Kjo nuk ka ndodhur as më parë në tërë historinë tonë. Në Shqipëri nuk gjendet qoftë edhe shenja më e vogël e anti – semitizmit dhe asnjëherë shqiptarët nuk kanë kryer pogrome në shekujt e bashkë-ekzistencës së tyre.
Ia vlen të përmendim këtë mbrëmje se gjatë kohës së Hollokaustit, si Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, ashtu edhe autoritetet vendore, misioinet konsullore të Shqipërisë jashtë vendit dhe më pas kur Shqipëria u pushtua prej fashistëve dhe nazistëve njerëzit e zakonshëm, banorë të qyteteve dhe të fshatrave, vetë qeveria kukull shqiptare, të gjithë njësoj, e nderuan Kodin Moral të Shqiptarëve, Besën e tyre.
BESA është fjalëkalimi që na jep çelësin e spjegimit se përse kur hebrejtë po vriteshin anë e mbanë Europës, një komb i vogël u kujdes për ta; pse njerëz të zakonshëm të një vendi të pushtuar morën tërë atë rrezik mbi vete duke strehuar hebrejtë të cilët vinin nga Europa, falë vizave të lëshuara nga misionet konsullore shqiptare, duke e trefishuar praninë e tyre në vend? Përse familjet më të zakonshme anë e mbanë vendit i mbrojtën jo vetëm hebrejtë shqiptarë të cilët ishin me qindra në atë kohë në qytetet shqiptare por edhe mijëra të tjerë të cilët zgjodhën Shqipërinë si një vend shpëtimi, si vend mbrojtjeje?
Ka vetëm një spjegim dhe kjo është BESA SHQIPTARE.
Këtë më mirë se kushdo do ta spjegonte Profesor Scarlett Epstein e përzënë nga Vjena nga nazistët e me pas nga Jugosllavia bashkë me familjen, e paisur me vizë nga misioni shqiptar konsullor në Zagreb e cila u strehua dhe jetoi në Durrës deri sa arriti të udhëtonte e sigurtë në Mbretërinë e Bashkuar.
Me lejoni të spjegoj shkurtimisht se çfarë është ky virtyt i quajtur BESA.
Është e vështirë ta përkthejmë këtë fjalë në mënyrë të drejpërdrejtë. BESA është një vityt i fortë shqiptar me një origjinë të lashtë i cili shkon përtej kohërave të mesjetës kur rregullonte jetën në shoqërinë shqiptare. Këto norma janë transmetuar në mënyrë gojore brez pas brezi deri në shekullin e XV kur ato u kodifikuan prej Lek Dukagjinit në të quajturin Kanuni i Lekës. Është interesante të theksojmë se BESA është gjithashtu e lidhur nga ana semantike me fjalën “Fe” në gjuhën shqipe BESIMI.
Në Shqipëri, bashkëjetojnë tre fe të ndryshme, – Feja Katolike, Ortodokse dhe ajo Muslimane. Ekziston gjithashtu edhe një formë e islamit e quajtur Bektashi. Në historinë tonë të hershme dhe as të vonë nuk kemi përjetuar kurrë ndonjë konflikt fetar. Urrejtja në këtë aspekt nuk ekziston. Dhe kjo është arsyeja se përse hebrejtë nuk përbëjnë ndonjë përjashtim në këtë drejtim.
BESA në fakt tek shqiptarët ekzistonte përpara feve dhe është konceptualisht e ndarë nga ato deri në atë pikë sa të përbëjë bazën morale të tolerancës fetare në shoqërinë tonë. Duke qenë një normë e fortë etike ajo është një “fe” në vetvete që mbizotëron mbi çdo gjë tjetër në kohërat e krizave të rënda morale siç ishte ajo e Hollokaustit.
Si shqiptar jam krenar për atë që kombi im ka bërë për hebrejtë. Në pozitën e ambasadorit jam i nderuar që kam mundësinë të jem bashkë me ju dhe të shohim të skenuar këtë histori të treguar në këtë film.
Ndjehem gjithashtu i lumtur që një histori e tillë e patreguar nuk është më e tillë. Dua të shpreh respektin tim të thellë për fotografin Norman Gershman, të cilin e kam njohur personalisht, për punën e mrekullueshme që ka bërë. Ai i ka frymëzuar artistët dhe personazhet jetësore ta zbulojnë, ta bëjnë publike këtë histori. E kam takuar atë në Long Island, në New York, në familjen kavajase Myrtaj, një ndër 69 shqiptarët fisnikë midis kombeve të gdhendur në pllakën e Yad Vashemit. Po ashtu dua të shpreh respektin tim për Jason Williams, regjisorin e filmit me të cilin ka fituar një numër çmimesh të para në shumë festivale të filmit hebraik në botë. Më së fundi, më lejoni tju falenderoj të gjithëve për vemendjen dhe t’ju uroj një mbrëmje të këndshme, me emocionet e forta që shkakton ky film.