Nga Nikolla Lena /-Rripi i gjërë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë te tjerë. Një rrip i ngushtë rëre me bimësi, ndan ujrat e cekta bregdetare me lagunat.
Në plazhin e Shëngjinit dhe të Kunes, pushuesit gjejnë hotele, restorante e mjedise të tjera, të ngritura në përshtatje me kushtet dhe traditat e zonës, por edhe shtëpi tradicionale, me kopshte dhe lulishte të bukura. Kudo ofrohet kuzhina tradicionale, por edhe ajo e huaj, sipas shijes e kerkeses. Mbizoterojnë prodhimet e detit, shpendët e egër dhe mishi i zgarës. E, mbi te gjitha, shërbimi i standarteve bashkekohore.
Shëngjini si nyje e rëndësishme transporti, që nga kohët e lashta, ka pritur e percjellë shumë udhëtar e vizitorë, vendas dhe të huaj. Ndërsa turizmi masiv u zhvillua vetëm në fillim të viteve ‘60 të shek.XX, kur filluan ndërtimet në plazhin e Shëngjinit, i cili kishte kushte dhe mundësi për të pritur një numër të madh pushuesish.
Shëngjini, për vetë kushtet që ka, ofron si të veçantë edhe gjuetinë në rezerva të posaçme, si dhe peshkimin me natyrë sportive, por edhe për biznes, kryesisht në det, si dhe në ujrat e lagunave të Kënallës, Kunës, Merxhanit e Vain.
Shoqata e Gjuetarëve të Lezhës ka krijuar mardhënie të rregullta me shoqata gjuetarësh të vendeve fqinje, të cilët frekuentojnë gjithnjë e më shpesh Shëngjinin, gjë që tregon se kjo formë e turizmit është një mundësi tjetër për zhvillimin e kësaj zone me tradita në këtë fushë.Në Shëngjin vihet për diellin, për detin e rërën, për bukuritë e rralla, që natyra u ka dhuruar banorëve mikpritës e të shoqërueshëm.
Turizmi: Një qytet afër Lezhes, Shëngjini, 8 km në Veriperëndim, në bregun e Adriatikut. Jul Cezari, në veprën “Lufta Civile” e përmend emrin e këtij limani si Nymfeum në vitin 48 para Krishtit. Këtu erdhi Flota e Mark Antonit në fushatën e Cezarit kundër Pompeut. Emri Nymfeun lidhet me çetën e nymfave apo të zanave. Nymfeuni, është njohur në epokën romake, si një liman shumë i mbrojtur “Tutisimuss portus”. Në mesjetë ky liman njihet me emra të tjerë, quhet limani Meduo. Në një hartë të shek.XIII të Pjetër Viskontit njihet madje edhe me emrin Medea. Gjate mesjetës përmendet ky liman si “Portus”, “Medue”, “Porto di Medea”. Etimologjia e ketij emri ka mbetur ende pa u sqaruar. Sipas A.Majerit termi Medua, lidhet me emrin antik të qytetit Medeon – Meduni i sotem, në bregun dalmat.
Emri i Medeas është lidhur edhe me emrin e fshatit Mjedë. Gjithsesi ky toponim mbart një jehonë mitologjike të stërlashtë. Kurse Shëngjin është një kalk i emrit të shënjtorit Shën Gjin, ose i shënjtorit Shën Gjon Pagëzorit, që shkurtimisht ka dhënë fjalën Shëngjin. Pra, një simbiozë mendësishë mitologjike dhe fetare deri në kohën e sotme.
Limani i Shëngjinit ka qenë në të gjithë kohërat limani detar i Lezhës. Kjo lidhje nuk është zhdukur asnjëherë dhe në ditët tona është përjetuar një rol i ri i Shëngjinit, lidhur edhe me rrugët e lidhjes së Shqipërisë me Kosovën.
Limani i Shëngjinit është më i rëndësishmi liman detar në Veri të Durrësit.Rëndësia e Limanit të Shëngjinit u shtua mjaft vetëm pas vitit 1880, kur Ulqini, ky qytet shqipëtar ju dorëzua padrejtësisht Malit të Zi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Plazhi i Shëngjinit përbën një nga resurset më të veçanta turistike detare, jo vetëm të Lezhës por edhe të Shqipërisë, sidomos duke patur parasysh parkun ekologjik të rrethinës.
Plazhi i Shëngjinit mbetet si plazhi më i përshtatshëm për zonat veriore të vendit duke përfshirë dhe Kosovën. Ndodhet në distance të afërta me qytetet Lezhë, Shkodër, Laç dhe me Tiranën.
Infrastruktura rrugore dhe ajo e shërbimit hotelerik është mjaftë komode dhe bashkëkohore