Shënime të lexuara, jo pa rast, edhe një herë tani vonë/
Nga Xhevair Lleshi/
U hodha edhe njëherë sytë shënimeve që kisha mbajtur në fundvitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, mëngjeseve e mbrëmjeve në hotel ‘Arbëria’. E filloja punën herët në mëngjes para se të hyja në kafe e pastaj në Arkivin Qendror deri nga ora gjashtë pasdite, me urinë e madhe për të gjetur gjithçka të veçantë që kishte të bënte me Beratin. Tryeza mbushej e rimbushej edhe qetë edhe zhurmshëm, tetë deri nëntë orë pa lëvizur dhe shtrëngueshëm me veten, deri në kapitje. Pastaj dreka e vonuar, kafe dhe pak dremitje në hotel. Një ritual i përjavshëm. Edhe tani vonë ashtu më ndodhi, veçse ulem më rehat në shtëpi, në moshën e kthyer përmbys dhe filloj të rishoh shënimet e një kujdestari kishe në Kalanë e Beratit më 1907-1908: EFTIHIM XHIBLATI. Po ai Xheblat i Xheblatëve të tanishëm. Ai nxinte letrat e katedrales me shkrimin e tij të hollë me shënime të çfarëdoshme. Ma tërhoqi vëmendjen takimi i tij me Vili Rudobin dhe Juso Alindarin, dy hebrenj nga Holeku, që në fillim dërdëllisnin fjalë shtëpie duke lehtësuar barrën e jetës, për drurët e punuar dhe gurin e gdhendur, për puplën që mblidhnin nga dëllinjën e zezë që sillnin nga Sulova (edhe për dru edhe për frytet që i donte shpirti i njeriut edhe aso kohe, gati të nisnin fluturimin e rrëmujshëm në të gjitha sferat e punëve në qeveri. Pastaj, në ikje Eftihim Xhiblati i kujton të shkojnë në kishën e Doksanit, aty ku ishte edhe ylli i Davidit. Juso dhe Vili qeshnin. Të dy tregtarë të njohur në qytet, të trembur pak nga shtrenjtësia dhe të ngjeshur nga dëshira.
Ulet edhe Eftihim Xhiblati shtrëngueshëm në një tryezë ku zien mendimet me përvëlim. «Një holekas dhe një atikas në kishën e Katedrales. Të dy të njohur. Holeku dhe Atiku kanë çifutë të vjetër në dy shekuj dhe tani kanë ngritur dy lagje. Por pa kishë. Ndaj vijnë në Kala te kisha e Doksanit. I pari me dy gisht ballë e me flokët pis të zinj, tjetri me flokët përpjetë si iriq. Kaherë s’i kam parë këtej pari, veçse i shoh me përdhunë kur më vijnë e më cërcërisin pranë, se nuk duan të takojnë dhespotin…»
Më ka vënë gjithmonë në mendime Eftihim Xhiblati. Edhe në emrat e banorëve, edhe në ngjarjet që ndodhnin, edhe kur shkruante për Sefe Guraziun apo për Elmas Kreshparin. Ky i fundit kishte dy hebrenj që i mbante në dyqanin dhe tregtizën e tij ku përdorte ar e serm për armët që zbukuronte dhe i shiste. Gjithnjë ia mbante të tregonte të vërtetën që bëhej në punët e përditshme, madje edhe në kuplara. «Trembem se këta të mitë t’i nxjerrin sytë me sqep zogu, kurse hebrenjtë e Atikut të japin dritë në sy me duart e tyre…»
Po ku shkuan hebrenjtë e këtyre dy lagjeve të Beratit që ishin vendosur herët dhe kishin dy lagje në shekullin e shtatëmbëdhjetë? Më duket sikur Eftihim Xhiblati shkruan netëve të vona, nën qirinj, me shkrimin e tij të rrumbullakët, duke kaligrafuar një copë herë me shije të hollë dhe lë pas dëshmi në dukje të parëndësishme. «Më dy të vjeshtës së parë, 1907 sipas kalendarit të ri. Ndërsa unë falënderoja me mend miqtë e paftuar që më hiqnin mendjen duke lëvizur lart e poshtë. Pa ikur birbot, që e them me bindje se fitonin shumë, aq shumë sa u dilnin nga sytë, vinin Jusoja me Vilin dhe mua më rrudhej dora… Ktheheshin nga vendi ku ishin falur në kurrizin e Kalasë afër Akropolit…»
«Nuk vonoi dhe të fundit e hebrenjve, miqve të mi, ikën për fare në Vlorë, atje ku kishin vajtur edhe të parët e tyre. Dhe nuk mbeti asnjë. Por s’kanë si t’i largohen strehës së këtushme në këtë qytetin tonë. Dhe dihet të tjerë do të vijnë, e di…»
Nuk mendoja vetëm për hebrenjtë e larguar dhe ata të ardhur. Kur më tha ati i Enisesë, Mikës, Mitatit dhe Xhikes, Isuf Qojlja, që do të flija në sobën e hebrenjve, asokohe më erdhi habi, por vonë-vonë thosha me vete se edhe në atë shtëpi të bukur e mikpritëse duhet të kenë ndenjur hebrenj që ashtu si dhe unë priteshin me bujë të heshtur, ku kurdoherë buçitnin shenjat dhe shqisat, ku ndiqte kafja kafen, po ajo histori e përditshmërisë në çdo qytet të atij shekulli.
Kështu, pa u kuptuar fare, kushdo mund ta pikaste hutimin dhe me të spërkaste shkrimet për historinë dhe për çifutët edhe në Berat si kudo në Shqipëri.
Ata udhëtojnë se u përket bota, kudo kanë biznese, si Jusoja dhe Vili në vitin 1907 nga Holeku dhe Atiku i Beratit në shënimet e të pavdekshmit Eftihim Xhiblati…
Tiranë, më 27 janar 2018