• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dimri i Madh i Vetmisë së Shkrimtarit

January 23, 2016 by dgreca

Nga Rudolf Marku/
1.Fjala vetmi është njëra ndër fjalët që shfaqet me intensitet të pavullnetshëm në krijimtarinë e Ismail Kadaresë, që në tituj poezish të hershme, në tituj librash dhe në rreshta esesh, poezish dhe në labirinthet e komplikuara të prozës së tij. Siç na e kujton vetë Ismail Kadare herë pas here, shkrimtari është njëri ndër njerëzit më të vetmuar të racës njerëzore. I ndryrë vullnetshëm në muret e burgut të dhomës, i rrethuar nga pirgje librash dhe letrash, shkrimtarit i duhet t’i kalojë orët e ditëve dhe të netëve para fletës së bardhë, a para shkëlqimit të akullt e të pashpirt të ekranit kompjuterik a të laptopit, duke shkruar, korrigjuar, duke ndërtuar botëra dhe fate njerëzore, më të vërteta se bota dhe fatet njerëzore që janë jashtë dritareve të shtëpisë, në rrugë të madhe… Vetmia e Shkrimtarit është njëri ndër subjektet më të rrahur e të diskutuar. Heminguej, në fjalën e mbajtjes me rastin e marrjes së “Nobelit”, i kujtoi Botës se “Writing, at it’s best, is a lonely Life. Një tjetër shkrimtar i njohur amerikan, John Steinbeck, bashkëkohës i Heminguejit, po ashtu i pëlqente të fliste për vetminë e Shkrimtarit, si për një Fatalitet a Nëmje. Për psikologët që janë të gatshëm t’i japin një shpjegim logjik çdo gjëje, ajo që supozohet si vetmi e shkrimtarit është përqendrimi, kontrolli mbi një botë të imagjinuar, kontroll të cilin nuk mund ta kemi kurrë në jetën reale…Vërtet?
Për shumë shkrimtarë të mëdhenj,Vetmia është Liria e tyre e vetme. Franc Kafka është njëri ndër shkrimtarët më të vetmuar të shekullit XX. Lev Tolstoy merrte arratinë në moshën 82-vjeçare, për të ecur i vetmuar rrugëve të fshatrave tërë baltë të Rusisë, për të vdekur në një stacion të braktisur trenash. Po ashtu edhe TS Elioti, dhe sidomos George Orwell dhe J.D.Salinger. Për shkrimtarët që njohën tmerrin e komunizmit, vetmia e krijuesit ishte dhe Atdheu i vetëm i tij. Në një bisedë me filozofin Isaiah Berlin, Pasternaku pat treguar se si në vitin 1935, me këmbënguljen e Andre Malraux, u mbajt në Paris Kongresi Antifashist i Intelektualëve të Majtë. Dhe po me këmbënguljen e Malraux pranë autoriteteve sovjetike, u ftua të merrte pjesë Pasternaku, jo nga pikëpamjet e tij, të cilat ishin tepër të dyshimta për sistemin sovjetik, se sa thjesht nga këmbëngulja e Malraux, i cili i këshillonte udhëheqësit komunistë se pjesëmarrja e Pasternakut do i bënte mirë imazhit të Stalinit…Në kongres merrnin pjesë shkrimtarë të njohur të Perëndimit, Dreiser, Gide, Aragon, Malraux, Auden, Forster, Rosamond Lehman. Mes kureshtjes së pjesëmarrësve e merr fjalën Pasternaku. Të gjithë janë të bindur se shkrimtari që vjen nga Moska do të flasë më me forcë kundër fashizmit. Për çudinë e shkrimtarëve perëndimorë, Pasternaku thotë: “E kuptoj se kjo është një mbledhje e shkrimtarëve për t’u organizuar në rezistencën kundër fashizmit. Sa për veten time, kam vetëm një gjë t’ju them: Mos u organizoni. Organizimi është Vdekja e Artit. Ajo që vlen është vetëm Pavarësia personale. Në vitet 1789, 1848, 1917, shkrimtarët nuk u organizuan as pro diçkaje dhe as kundër diçkaje. Ju lutem, mos u organizoni!”.
Pavarësia personale realizohet përmes Vetmisë. Realiteti shqiptar duket se ka qenë herët, shumë herët, kundër pranisë së Shkrimtarit a Intelektualit. E gjithë jeta e Faik Konicës është një arratisje, një ikje e vazhdueshme, një vetmi ecjesh dhe largimesh. Migjeni është njëri ndër vetmitarët e mëdhenj, po ashtu Fishta dhe Mjeda, dy poetë të mëdhenj që e kaluan jetën e tyre si famullitarë katundesh shqiptare. Një vetmitar i madh është Jeronim de Rada. Lasgushi jetoi gjithë jetën në një arratisje të vetimponuar në Poradec, ashtu si dhe Martin Camaj në Mynih dhe Ernest Koliqi në Itali. Të vetmuar, tmerrësisht të vetmuar kanë qenë gjithë jetën e tyre eruditi dhe përkthyesi i shquar, Petro Zheji, Frederik Reshpja dhe Ndoc Gjetja, skulptori i talentuar, Janosh Paço dhe piktori Abdurrahim Buza, ashtu siç janë të vetmuar sot Fatos Arapi, Zija Çela, Fatos Kongoli, Preç Zogaj,Visar Zhiti, Nasi Lera dhe Bardhyl Londo, po të përmendësh vetëm disa sysh. Duket se vetmia e shkrimtarit shqiptar ka qenë gjithnjë në proporcion të drejtë me talentin e vet dhe me Famën e vet. Sa më i talentuar dhe sa më i njohur, aq edhe më i vetmuar!
 
2.
Krijimtaria e Ismail Kadaresë e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”, dhe kjo nuk përbën më asnjë sekret për njohësitë e mirë të letërsisë. Padyshim, Ismail Kadare është njëri ndër shkrimtarët më autoritarë ndër të gjallët në botë. Vepra e tij i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një zë sa origjinal, aq dhe të fuqishëm njeriut të sotëm modern, i cili shpeshherë ndodhet përballë udhëkryqesh të vështira dhe çoroditëse zgjedhjesh. Dhe i ka folur dhe vazhdon t’i flasë nga një vend dhe nga një gadishull të mbushur me tragjedi njerëzore, që shpeshherë paraqiten jo si vendet më të zhvilluara të Europës, dhe u ka folur sidomos nga një vend që paragjykohet- me dashje dhe padashje- në mediat e botës, duke u bërë pre e ca stereotipeve të mendësisë së klasit të katërt. Dhe në krijimin e këtyre stereotipeve kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë dhe ne me një zell të frikshëm…Ai ka ditur dhe vazhdon të dijë që t’i flasë lexuesit në botë dhe lexuesit të vendit të vet me të njëjtin autoritet.
Por kjo nuk e bën Ismail Kadarenë që të mos jetë shkrimtari më i vetmuar i letrave shqipe. Vetmia duket se është, më tepër se fizike, një gjendje shpirtërore. Sidomos kur vjen fjala për shkrimtarët. Çfarë e bën të vetmuar Ismail Kadarenë? Keqkuptimi me vendin e vet dhe me bashkëkombësit e vet. Ajo që ai do ta quante Mosmarrëveshja. Ligësia agresive me të cilën ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i rrethuar (ne që duam të flasim keq për Nënë Terezën dhe për Skënderbeun, si mund ta kursejmë Kadarenë?); injoranca rrënqethëse e një lexuesi të palexuar, që shtiret sikur ka lexuar; kritiku letrar, pa shije, katundar, gjykatës; kolegët ziliqarë dhe mediokër, të cilët e detyronin Dhimitër Paskon (Kutelin) të thoshte se letërsia shqipe është një Fushë me gjarpërinj, sepse kur shkruan keq, të shajnë si i patalentuar, ndërsa kur shkruan mirë, nuk ta falin se shkruan më mirë; sekretarët e djeshëm të Partisë dhe Sekretarët e sotëm të Partive; shtirja dhe agresivitetit i shpifjeve dhe i gërmimeve arkeologjike të liga në jetën personale të shkrimtarit; gëzimi pervers i dëshirës së liliputëve për të rrëzuar njeriun e madh, dhe mbi të gjitha, ay trishtim i madh i shkrimtarit se kombi të cilit i përket dhe të cilin e artikulon, shkon me hapa pas në kohë, i kaptuar nga skleroza historike dhe nga pamundësia për të njohur vetveten, se ndjenja vetëshkatërruese e kombit sa vjen e bëhet gjithnjë e më e fuqishme, se Testamentet e shkrimtarit duket sikur bien në veshë të shurdhët. Shenjë e keqe kjo, kur Kombi mbyll veshët përpara Profetit të vet!
Kam lexuar ditët e fundit “Vjedhja e ëndrrës mbretërore” dhe “E penguara”. Do të mjaftonin vetëm këta dy libra dhe asnjë nga librat e tjerë të autorit, që emri i Kadaresë të ketë po atë shkëlqim që ka edhe sot. Dhe njerëzit e ligj duan të na mbushin mendjen se Kadare, pas viteve ’90 nuk ka krijuar vepra aq të fuqishme sa ato të parat! Duke harruar se në Letërsi ka poetë që janë Poetë kur shkruajnë poezi; ka prozatorë që janë prozatorë kur shkruajnë prozë. Por ka dhe poetë dhe prozatorë që janë poetë dhe prozatorë të shquar, madje edhe kur nuk shkruajnë.
Në fund të fundit, Vetmia e Kadaresë na kujton gjithnjë atë thënien e Poetit se Talenti i Madh nuk të lë të jetosh. Por nuk të lë as edhe të Vdesësh!

Filed Under: Featured Tagged With: Dimri i Madh i Vetmisë së Shkrimtarit, Ismail Kadare, Rudolf Marku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT