• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DINJITETI” I SHQIPËRISE SOCIALISTE

September 4, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA*-

“Identikiti i zotërinjve të së keqes” titullohet një artikull i shkurtër i së përjavëshmes italiane “Panorama”, të datës 24 korrik 2003. Eshtë një koment shumë i shkurtër i librit “Fjala e djallit” të gazetarit italian Rikardo Oricio, një paraqitje me pakë penelata prej tij e asaj gjëje që është e përbashkët te të gjithë diktatorët, të vjetër e të rij, identikiti i tyre, që në Nurenberg u pagëzua me shprehjen “banaliteti i së keqes”.

Krahas diktatorësh gjakatarë si Idi Amin apo Zhan Bedel Bokasa, si Dyvalje apo Negusi i kuq, Mengistu, gjeneralësh puçistë si Noriega  ose Jaruzhelski, në analizën e shkrimtarit hyjnë dy zonja, përfaqësuese të komunizmit ballkanik si “vejusha e zezë e Shqipërisë, Hoxha” dhe e “pabesa Mira Millosheviç”. Është interesant fakti se autori i trajton me mjaft mirëkuptim “përbindshat” e librit të tij. Ai mundohet të hyjë në thellësi të “arsyeve” të tyre, që kanë mbetur  të gjithë besnikë të së shkuarës së tyre, ideve e bëmave të saj. “Kanë të gjithë një zakon shumë të keq –ankohet gazetari- i përgjigjen pyetjeve duke bërë të tjera pyetje që të venë në vësht irësi.”

“Çfarë t’i thuash stalinistes Hoxha, që ironizon: oh, po, bash një demokraci e bukur është Shqipëria e sotme. E ndyrë, e papunë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë. Së paku Shqipëria socialiste kishte dinjitet.” shprehet autori i librit dhe i artikullit të revistës. Në veshët e gazetarit Oricio, që ka njohur pak  ose aspak Shqipërinë socialiste të zonjës Hoxha e që sheh sot atë të dishepullit të saj, zotit Nano, këto fjalë tingëllojnë deri diku bindëse e jo fyese. Sigurisht nuk mund të kenë të njëjtin tingëllim në veshët e atyre shqiptarëve që kanë jetuar deri diku normalisht në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, madje janë një fyerje e madhe për atë masë njerëzish që nga “armiqtë e klasës”, skllevërit e padeklaruar të socializmit, e deri tek fshatarët e drobitur nga skamja e padija. Shumë nga epitetet, që zonja Hoxha ja vesh Vendit të saj sot, i shkojnë për shtat më së miri Shqipërisë së konceptuar pranë zjarreve partizane nga Miladin Popoviçi dhe bashkëshorti i saj “legjendar”

E ndyrë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë ishte në tërë kuptimin e  fjalës Shqipëria socialiste. Një Vend, në të cilin një apartament strehonte dy familje, ku gatuhej në banjo, ku grumbulloheshin pesëqind veta në një kazermë ushtarake internimi  e pesëdhjetë në një dhomë burgu, ku nuk përdoreshin deri së voni pluhurat larëse, ku sapuni ishte i racionuar, ku kanalizimet e ujrave të zeza diku nuk ekzistonin e diku nuk funksiononin, ku kazanet e plehrave nuk njiheshin fare, ku nuk respektoheshin as normat më parake të higjenës industriale apo të mbrojtjes së ambientit, ku mizat e mishkonjat shëtisnin të patrazuara në pjesën më të madhe të lokaleve publike, ku pluhuri dhe balta ishin shoqëruesit e përditshëm të çdo hapi që hidhte qytetari e më shumë fshatari, nuk mund të quhet një Vend i pastër. Nëse një pjesë e këtyre dukurive është e pranishme dhe sot   askush nuk mund të provojë se ato janë gjëra të reja.

Shqipëria paskomuniste paraqet, në një masë jo të papërfillëshme, dukuri dhune në shumë pamje e nivele të saj. Është e drejtë të pranohet se në kapërcyellin 1990-1991 u shmang një përleshje, në përmasa të mëdha, mes popullit e rinisë studentore e të qyteteve nga një anë, që kërkonin lirinë e ndrrimin e sistemit dhe forcave konservatore të “vullnetarëve të Enverit”, nga ana tjetër, që ishin të vendosura të ruanin me çmimin e gjakut “pushtetin e popullit”. Mendoj se, pavarësisht nga motivet përcaktuese, zonja Hoxha ka meritën e saj në shmangien e një gjakderdhjeje të tipit rumun. Ndofta llogaritë e bëra në ata çaste historike, vendimtare për Vendin, më vonë nuk kanë dalë të sakta, ndofta diçka nuk ka shkuar siç duhej. Prandaj zonja Hoxha ndoshta është penduar për qëndrimin e atëhershëm, deri aty sa të shprehet në një intervistë të kohëve të fundit: “ Po, mua personalisht, si dhe shokëve të mi, na bren shumë ndërgjegja, që s’ditëm të bëjmë atë që duhej bërë për mbrojtjen e fitoreve të pushtetit popullor dhe për këtë mendim pendesë mund të japim llogari para popullit…”

Sa keq që ndofta të vetmen gjë të mirë që mund t’i ketë bërë popullit të saj tani, në muzgun e jetës, ajo don t’a mohojë, t’a hedhë poshtë, t’a quajë një krim, për të cilin duhet të japë llogari. Është diçka e natyrshme për të që mos përdorimin e dhunës t’a quajë tradhëti ndaj “idealeve” , me të cilat u brumos që në të ritë e saj. Dhuna kishte qënë mjeti i vetëm me të cilin ishte ndërtuar sistemi komunist në Shqipëri e gjetkë. Ata që, në forma të ndryshme, kishin dashur t’a pakësojnë apo t’a shmangin, ata që kishin dashur t’i jepnin një “fytyrë njerëzore” përbindëshit komunizëm, zonja Nexhmije i kishte vulosur, gjatë gjithë jetës së saj prej “first lady”, me nofkën e tradhëtarit, të revizionistit, të oportunistit. Dhuna e pushtetit të saj u bë proverbiale për Evropën, duke e kthyer vendin e saj në “tokën e fshikulluar nga persekutimet” siç e ka përkufizuar Papa gjon Pali II.

Nëse bota e lirë do të kishte qënë më shumë koherente ndaj parimeve të drejtësisë historike e më pak dashamirëse ndaj real politikës, do të kishte shpallur Shqipërinë e zotërinjve Hoxha Vendin klasik të martirizimit në Evropë, mbasi shifrat e krimeve të çdo forme, marrë në raport me numurin e popullsisë, nuk kanë të krahasuar as me “epopenë staliniane të gulagëve”. Zonjës Hoxha pamja e Shqipërisë së sotme i fut trishtim, jo për demokracinë e parealizuar mirë, por sepse do të kishte dashur t’a shihte të rrjeshtuar përkrah Kubës së Fidelit apo Koresë së Kim Jong Ilit.

Edhe sot ka dhunë në Shqipëri, dhunë banditësh e dhunë Shteti. Kjo e dyta i ka rrënjët thellë, në mendësinë e trashëguar nga Instituti i saj  i studimeve marksiste leniniste, që e konceptonte shoqërinë njerëzore një arenë lufte të përjetëshme e të papajtueshme mes klasave e në gjirin e tyre. “Qytetërimi i një epoke është plehu  i pasardhëses” shprehet dijetari e kritiku anglez Siril Konoli. Shqipëria e dhunëshme, që denoncon zonja Hoxha, është vazhdimi logjik dhe real i gjysëm shekulli Shteti të dhunës, bijt e të cilit, të konvertuar në demokraci, nuk qenë të aftë t’a ndërtojnë atë larg kontureve të saj. Sikur dikush, në epokën e mbretërimit pa kurorë të zonjës Hoxha, të kishte guxuar t’i thonte një gazetari të huaj fjalët që ajo qëllimisht i ka thënë Oricios, nuk e marr me mënd se ku do të mbaronin pasojat e dënimit të tij. Besoj se i mjafton vetëm ky fakt asaj për të kuptuar ndryshimin ndërmjet “ligjeve të forta” të “diktaturës së proletariatit” të regjimit të saj e tolerancës së një demokracie që, megjithë malet e mangësive, ruan përsëri fytyrën e saj.

Tregon kujtesë të shkurtër zonja kur e quan zhelane Shqipërinë e sotme. Ndofta atë të djeshmen ajo e njëjtësonte me të famshmin “bllok të udhëheqjes”. Ndofta e ndryrë në kullën e saj të fildishtë nuk e dinte se nënështetasit e saj, në pjesën e tyre më të madhe, mburreshin se ishin rritur me bukë misri, se për të blerë një litër qumësht duhet të zinin rradhën në ora një të natës, se një kostum me stofin e kombinatit mund t’ja lejonin vetes vetëm ditën e martesës, për t’a mbajtur deri në ditën e qivurit, se për të patur një televizor nuk mjaftonte paga e një viti pune, se as që mund të ëndërronin për të patur një automobil të tyrin, se ishte një ëndërr të jetonin në Tiranë apo në Durrës. Se sa zhelanë kishin qënë shqiptarët e  kuptuan mirë kur zonja Hoxha dhe regjimi i saj kriminal nuk ishin më në gjëndje të vendosnin për fatin e tyre. Vërshuan me qindra mijëra në botën, deri atëhere të panjohur, e ballafaqimi me të i bëri të kuptojnë më mirë mjerimin, të cilin kishin  lënë mbrapa në  Vendin e tyre.

Ka ende mjerim në Shqipëri, ka edhe pabarazi. Do të kishte patur më pak, sikur “bijtë e Nexhmijes” që morën në dorë drejtimin e Vendit, mbas shëmbjes së komunizmit, të kishin patur ide më të qarta e ideale më të forta. Kanë  ende shumë probleme shqiptarët, disa shumë të mprehta, disa të reja e të panjohura, por në tërësi, kanë më pak se nën “gubernën” e zotit Hoxha dhe të bashkëshortes së tij. Besoj se janë shumë të paktë ata që venë në dyshim vërtetësinë e këtyre fakteve, siç bën “vejusha e zezë e Shqipërisë”.

Qënkërka e etur për dollarë Shqipëria e sotme, një zbulim i padëgjuar! Zonja Hoxha ndoshta kujton ende me mall parullat: “kundër lavdisë personale”, “kundër interesit personal”, “kundër pronës private”, “lufta për bukën është luftë për socializmin” e të tjera pallavra të këtij lloji, me të cilat ishin mbushur fasadat e mureve të godinave. Kujton kohën kur të gjithë shqiptarët ishin të inkuadruar në kooperativat bujqësore apo ndërmarrjet  shtetërore e punonin vetëm për socializmin, mbasi për ta mendonte “pushteti i popullit” që i kishte katandisur në argatë me mëditje, sa për të mbajtur frymën gjallë. Atëhere shqiptarët nuk ishin të etur për dollarë, por Shteti i tyre po, deri në atë pikë sa t’ja u grabiste me forcë qytetarëve të tij këtu brënda e me dredhi emigrantëve që i dërgonin familjeve, duke ja këmbyer me një të gjashtën e vlerës, simbas përkatësisë klasore.

Në vend që të qesëndisë shqiptarët që rendin të fitojnë dollarët me të gjitha mjetet, zonja Hoxha do të bënte mirë të vlerësonte energjitë dhe aftësitë e tyre që, në kushtet e lirisë, megjithë keqdrejtimin e Shtetit, shpërthyen e po japin rezultatet e tyre. Sikur liria e nismës të mos ju kishte munguar për gjysëm qindvjeti, e sikur të kishin patur qeveritarë në lartësinë e detyrës në këto vite, Vendi i tyre sot nuk do t’ja kishte zili askujt. Mjerisht këtë të vërtetë nuk don t’a shohë e t’a njohë zonja. Për të Shqipëria socialiste, ndryshe nga kjo e sotmja, “kishte dinjitet”.

Ajo vazhdon t’i besojë miteve të dinjitetit: “kështjellës së pamposhtur të socializmit në Evropë”, “ qëndresës ndaj rrethimit imperialisto-revizionist”, “ luftës titanike të PPSH-së në mbrojtje të marksizëm-leninizmit”, atij të një populli të lirë, grusht bashkuar rreth partisë e udhëheqësit të saj që gjen lumturinë në punën për ndërtimin e socializmit. Ajo e ka të pamundur të besojë se të gjitha ato parulla, për stërhollimin e të cilave rrogëtoheshin një mori shkrimtarësh, historianësh, artistësh e funksionarësh të të gjitha niveleve, s’ishin tjetër veçse një ortek gënjeshtrash që, i nisur nga maja e piramidës, zbriste me vërtik poshtë, duke trumhasur mëndjet e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Në të gjitha këto gënjeshtra ajo shihte “dinjitetin” e Shqipërisë socialiste, pa çka se ajo ishte e mbushur me njerëz të burgosur për idetë e tyre, të internuar për prejardhjen e tyre, të urët, të skamur, të drobitur, të kthyer në kope të mbyllur në një vathë hermetike…

Ai “dinjitet” mbështetej mbi terrorin, mbi faktin se askush nuk guxonte të thonte hapur të vërtetën se lufta për marksizmin ishte luftë për kolltukun, se qëndresa ndaj rrethimit ishte alibia e të ashtuquajturës udhëheqje, që drejtonte Shtetin, për të mbuluar paaftësinë e saj dhe dështimin e gjithë politikës ekonomike, nëse mund të quhej e tillë. Në këtë mënyrë merrnin një kuptim thirrjet e vazhdueshme për “sakrifica” që shkaktonin simfonitë e pambaruara të zorrëve të shqiptarëve. Ai rrethim që, në të vërtetë, ishte një vetëndarje nga bota, idetë e ndryshimet e saj, kishte vetëm një qëllim të caktuar: të ruante skeptrin e zotërinjve Hoxha. 

Ndryshimet e erës pas staliniste u mirëpritën në fillim nga “oborri” i kuq i Tiranës, u arrit madje të bëhej pajtimi edhe me “kryerevizionistin” Tito, simbas dëshirës së shkopit drejtues të Moskës. Por, kur erdhi kërkesa prej andej për ripërtëritjen e udhëheqjes, për zëvëndësimin e “mbretit” dhe të “kançelarit” të tij, fantazma e Marksit, si në një “ëndërr të një nate vere”, filloi të shëtiste në Bllok duke kërkuar mbrojtjen e parimeve. Atëhere u pi gjak  me një tjetër “mbrojtës parimesh” që mbretëronte në Shtetin më të populluar të botës e Shqipëria “dinjitoze” u bë thjesht “zëdhënësja e Kinës në Evropë”.

Kaluan disa vite në të cilat, me paratë e kinezëve e me punën e papaguar të të burgosurve, që shtoheshin tashmë jo vetëm nga rradhët e “armiqvet”, por dhe nga “lufta  në gjirin e klasës puntore”, u ndërtuan fabrika e kombinate që, për një kohë të gjatë, u trumbetuan si krenaria e Shtetit të industrializuar shqiptar, që “hidhte valle në gojë të ujkut”. Kur Shqipëria, me ndrrimin e sistemit, u ballafaqua me botën e industrializuar dhe kërkesat e saj, u kuptua se ato “vepra” kishin qënë relike të antikuariatit të teknikës, që kishin peshuar si kulari mbi qafën e ekonomisë, duke thithur si shushunja djersën e shqiptarëve. Edhe ky ishte një nga aspektet e dinjtetit, për të cilin, ende sot, ndjehet krenare zonja Hoxha.

Ndërkaq dhe Mao Ce Duni u “matufeps” e tradhëtoi vijën marksiste-leninistee cila, në versionin e saj origjinal të një shekulli më parë, i mbeti në dorë si pishtar zotërinjve Hoxha, të cilët e çuan përpara si marathonomaku. “Feneri ndriçues i socializmit në Evropë” rifilloi ecjen në “dimrin e vetmisë së madhe” me parullën, atëhere lapidare,” Bar do të hamë e nuk gjunjëzohemi!”. Këto vite, në të cilat deliri donkishotesk i udhëheqësvet u gërshetua me satërin mbi kokat e tyre, në kujtesën e zonjës Hoxha ndoshta mbeten si kampionë të “dinjitetit të Shqipërisë socialiste”. Ishin vitet kur lëmoshat e të mëdhenjve të Lindjes nuk vinin më e ato të Perëndimit, të kushtëzuara me reformat e demokratizimin, nuk pranoheshin, vite të gjata të një vdekjeje të ngadaltë të ekonomisë e të varfërimit skajor të banorëve të Shqipërisë, veçanërisht të atyre të fshatrave që ishin dy të tretat e vendit. Parimi “me forcat tona” , i shpalosur fuqishëm në tribunat e kongreseve të Partisë, ishte kthyer në një nxitës për të marrë secili “pjesën e vet” nga pasuria e përbashkët. Një popull i tërë u brumos me idenë se Shteti, sado pak, duhet xhvatur, ide që gjeti pastaj zbatimin e plotë në vitet 1991-92 , apo më 1997, kur bastisja i kaloi të gjithë kufijtë.

Çfarë dinjiteti mund të kishte një Vend i tillë, i ndarë nga pjesa tjetër e njerëzimit, në emër të një kompleksi megallomanie e narçizizmi të drejtuesve të tij, të denja për Neronin? Dinjiteti i një Vendi qëndron në aftësitë e tij për të shkuar përpara, për t’u matur me të tjerët në fushat e ndryshme të zhvillimit njerëzor, në art, shkencë, kulturë, ekonomi, standart jetese, respektim vlerash e parimesh të njohura e të sanksionuara në dokumenta e karta të bashkësisë së popujve. Dinjiteti i një Vendi matet me dinjitetin e qytetarëve të tij e ky i fundit nuk mund të ekzistojë nëse mungon liria e mendimit, e shprehjes dhe e komunikimit të ideve, nëse individi asgjësohet në emër të bashkësisë. Diktaturat, edhe më të ndriturat si e Aleksandrit, Qezarit apo Napoleonit, pavarësisht nga pamja e jashtëme, asnjherë nuk kanë rrezatuar dinjitet. Mendimi i vetëm zotërues, aq më tepër i një mediokri, zhduk që në të parë çdo nismë që del nga rrethi i gjykimit të vet e aty ku nuk ka rrahje idesh, nuk ka zhvillim, nuk  ka ecje përpara, nuk ka as dinjitet.

Një popull nën diktaturë është i prirur të nxjerrë në pah anët më të dobëta të karakterit të tij: puthadorjen, lajkat, bindjen e verbër ndaj autoritetit, të kënaqurit me pak, spiunllëkun, nënështrimin ndaj çdo lloj padrejtësie e arbitrariteti, adhurimin e diktatorit, urrejtjen e verbër e përçmimin për kundërshtarët e regjimit. Të gjitha këto dukuri kanë qënë të pranishme në Shqipërinë e zotërinjve Hoxha, të cilët, me anën e forcës së regjimit, të dhunës e të frikës arritën të thyenin virtutet që shqiptarët i kishin trashëguar me shekuj.

Një Vend që i kthen qytetarët e tij në kavje depersonalizimi, nuk  mund të ketë dinjitet. Një Vend që nuk di të vlerësojë pasurinë njerëzore të tij, që arrin të mohojë dhe një personalitet botëror si Nënë Tereza, që i nxjerr eshtrat nga varri një gjeniu si Fishta, që e privon veten nga një shtresë intelektualësh që do  t’ja kishte zili çdo Vend i Evropës, nuk mund të ketë dinjitet e do të thosha, as të ardhme. Ai dinjitet ekziston vetëm në fantazinë e drejtuesve të tij, që shkëmbejnë shfaqjet e servilizmit me respektin e vërtetë. “Asgjë nuk është më i përçmueshëm se respekti i bazuar mbi frikën.” shprehet shkrimtari i njohur francez Albert Kamy.

Zonja Hoxha do të bënte mirë të thellohej në analizën e së shkuarës e të përgjegjësisë së saj vetiake në ngjarjet e saj, në vend që t’a mbrojë atë me pallë zhveshur. Lufta e saj i përngjet asaj të Don Kishotit me mullinjtë e erës, mbasi duhen kërkuar me qiri ata që ende vazhdojnë t’i besojnë “katekizmit” të saj,

Të qesëndisësh, të kritikosh apo të shash Shqipërinë e sotme nuk është një ndërmarrje e vështirë. Por ajo, që mban mbi ndërgjegje gjysëm qindvjeti të degradimit të saj, më duket se nuk ka të drejtë morale t’a bëjë. Do t’i kujtonja një thënie të Dionizit plak që, në lashtësinë e qytetërimit predikonte:”Bëj në mënyrë që fjala jote të jetë më e mirë se sa heshtja jote ose hesht!”

                                                                                                       Gusht 2003                   *Marrë nga vëllimi “PËRSIATJE….njerëzore, letrare, shoqërore, historike”

Filed Under: Politike Tagged With: Dinjiteti, Eugjen Merlika

PER DINJITETIN E POPULLIT DHE REPUBLIKES SE KOSOVES

March 26, 2020 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, PhD./

Ridgefield, CT.-Nxitja për shkrimin e këtyne shenimeve erdhi nga leximi i nji analize të gjendjes së tanishme të Republikës së Kosovës, botue në “Peacefare.net-Peace Through Understanding”. Titulli i analizës ashtë “A bad deal” (Nji zgjidhje e keqe) dhe u postue në portalin Daniel Serwer. Profesor Serwer ashtë nji shkollar amerikan i njohun mirë në qarqet akademike; ai jep mësim në Universitetin Johns Hopkins të qytetit Baltimore, Md, dhe shumë i njohun për interesimin e tij, dhe kontributin për zgjidhjen e drejtë të “problemit kosovar”. Unë kam pasë fatin e mirë të njihem dhe të shoqënohem në disa konferenca mbi Kosovën, dhe kënaqsinë me ndigjue e lexue opinionet e tia mbi këte subjekt. 

    Shkrimi mban datën 13 mars 2020. Autori i analizës ashtë diplomati amerikan i pensionuem, Z. Shaun Byrnes, i cili ka sherbye si Shef Misioni Diplomatik amerikan në Kosovë gjatë viteve vendimtare 1998 dhe 1999, dy vjet para çlirimit definitiv të vendit nga okupacioni ushtarak serb, dhe rregjimi i terrorit millosheviqian.

    Analiza fillon me sqarimin se Presidenti i Kosovës, Z. Thaçi, nji nga udhëheqsit e lëvizjes ushtarake UÇK, dhe Presidenti i Serbisë, Z. Vuçiq, ish ministër në qeverinë e ish-Presidentit Millosheviq, besohet se kanë përgatitë nji projekt-marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon përfundimin e konfliktit kosovar-serb i cili “zgjatet ma shumë se nji shekull”. Flitet gjithashtu se ky projekt-marrëveshje ashtë i gatshëm për firmim nga të dy palët, por pengohet nga KM i Kosovës, Z. Albin Kurti, për dy arsye:

E para, simbas Kushtetutës së Kosovës, marrëveshje të tilla duhen firmue nga Kryeministri, kryetar i Qeverisë (jo nga Presidenti); dhe,

E dyta, dyshohet se projekt-marrëveshja përmban klauzula ku të dy palët janë dakordue me ba shkembime territoriale. Ashtë fjala për prekjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, nji element thelbësor i pavarësisë së Republikës. Presidenti Thaçi, me diplomaci personale, fillimisht ka pranue “korrigjime kufitare” por para kundërshtimit të fortë të popullsisë, ai ashtë tërheqë .

   Këto “korrigjime”ose “shkembime” territoriale përfshijnë pjesë tokësore në Veri të lumit Iber të Kosovës që i shkojnë Serbisë, dhe disa pjesë të Luginës së Preshevës që i kalojne Kosovës; plus, asociacioni i komunave serbe në Kosovë, sot me autoritet të percaktuem do të zhvillohet simbas modelit “Srpska Republika” e Bosnjes, eventualisht me të drejtën e shkëputjes nga Kosova, ekstra-territorialitet për Monastiret serbe në Kosovë, jo njohje zyrtare de iure të Kosovës nga Serbia, por nji premtim serb se nuk do të pengohet antarësimi i Kosovës në OKB. Se ciii do të jetë qendrimi opozitar rus në Këshiilin e Sigurimit për këte çeshtje mbetet pyetje, megjithëse Presidenti Putin ka deklarue në vitin 2008 se “Rusia përkrahë çdo qendrim të përbashkët që mbajnë Serbia dhe Kosova. Me nji fjalë, nji premtim rus!

    Le të mos harrojmë se çdo ndryshim kufijsh të njohun zyrtarisht sjellë në mënyrë te paevitueshme shkembimin e ndersjellë të popullsive vendëse – nji akt barbar në vete- eksperiencë që shqiptarët njohin shumë mirë gjatë marrëdhanjeve të tyne me shtetet fqinj: Mal i Zi, Serbi dhe Greqi. Le të mos harrojmë gjithashtu se asnji herë shkembimet tokësore kanë favorizue shqiptarët. Ata janë imponue nga “të huejtë” dhe për interesa të “të huejve”, kryesisht nga “okupatori turk”. Rastë i sotëm, ashtë rasti i parë në historinë mijëvjeçare të tokave arbënore ku ndryshimet bahen me vullnetin e lirë të shqiptarëve, dhe nuk duhen pranue. 

    Nji arsye e dytë ka implikime ma të gjana: Ballkani ashtë nji përziemje permanente e pakicave kombëtare me shtetet ku banojnë. Ka ardhë koha që të pranojmë pakicat kombëtare si nji fakt i jetës sonë politike, të trajtojmë ata si pjesë e pandame e dy shtetevet tona shqiptare dhe të insistojmë që pakicat shqiptare në vendet ku jetojnë të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet. Kjo ashtë rruga europiane që na preferojmë me ndjekë, dhe zgjidhja ma demokratike. Mbyllja në suazën e shteteve kombëtare monolite i përket së kaluemes, dhe ka dhanë rezultate shkatërruese; ajo duhet abandonue. Shpresojmë me hy në nji Europë të lirë, të bashkueme, demokratike dhe paqësore, dhe duhet të japim kontributin tonë modest në këte drejtim….ashtu si veprojmë në NATO, KESB, UNESCO etj.

    Kësaj situate të ngarkueme me përgjegjsinë ma të madhe duhet ti shtojmë se takimet, bisedimet, dhe përfundimet e arrijtuna janë ba në mënyrë “sekrete” dhe me udhëheqjen e Zonjës Mogherini, Komisionere për politikën e jashtëme dhe të sigurimit europian, nji zhvillim jo transparent dhe i dyshimtë për interesat tona, ashtu siç ngjet gjithëmonë me “diplomacitë personale”….

    Para së gjithash, duhet të dijmë se historikisht Kosova ka humbë tokë dhe popullsi në çdo ndryshim kufini me fqinjtë. Në lidhje me Serbinë, simbas studjuesve kosovarë:

-në vitin 1833, u shperngulën shqiptarët nga Krusheva, Paraqini, Rozhaj, SokoBanje, Timok e Negotin;

-në vitin 1876-80, u shperngulën rreth 130.000 shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, Toplice, Prokuplje, Kurshumli, Pirot, Leskovac, Vranje; ata u vendosën në Prishtinë dhe rrethe. Edhe sot kemi zonat e tyne që quhen “mehalla e muhaxhirëve” (‘lagjet e refugjatëve”). Pa numërue shqiptarët e Malit të Zi e Çamërisë.

-në vitin 1912-1919 u shperngulën qindëra mijëra shqiptarë nga Presheva Bujanovci, Medvegja, Sanxhaku etj. (pa shqiptarët e Malit të Zi dhe Çamërisë!)

-në vitet 1923-1938, rreth 400.000 shqiptarë merguen në Turqi me marrëveshje jugosllavo-turke. Gjithëherë, vendimet u morën nga okupatori pesëqind vjeçar imperatoria turke, pa aprovimin shqiptar….! 

    Të gjitha tokët e zbrazuna u aneksuen padrejtësisht dhe definitivisht me mjete ushtarake nga Serbia. Shkembimi i territoreve kosovare të njohuna zyrtarisht nga bashkësia ndërkombëtare si tokë shqiptare do të siellte nji pakësim tjetër të territorit kosovar, dhe nji valë të re refugjatësh shqiptarë, si dhe denimin e tyne me jetë në vorfëni. Ngjarjet e viteve 1998-99 janë nji mësim për të gjithë ne. 

     Kjo zgjidhje ashtë logjikisht e pa pranueshme, dhe moralisht e denueshme! Le të presim për ditë ma të mira. Koha punon për ne!

     Fatkeqsisht, Administrata e Presidentit Trump kercënon Kosovën me tërheqjen e trupava amerikane nga Kosova dhe me ndërpremjen e ndihmës financiare për zhvillimin e Kosovës. Washingtoni kercënon Republikën e lirë e të pavarun të Kosovës për mosbindje. Çuditërisht, Presidenti i Kosoves, Z. Thaçi, perdorë këte presion amerikan për luftën e tij kundër KM Albin Kurti që refuzon kërkesen amerikane. Me këte qendrim Presidenti Thaçi, shpreson me dobësue pozitën e qeverisë Kurti dhe marrjen në dorë të fatit të Republikës pa kundërshtarë të aftë me e pengue. Arsytimi i Z. Thaçi ashtë se qendrimi i KM Kurti dobëson lidhjet e ngushta që Kosova ka me SHBA-në…. Infantile! 

    “Udhëheqsit e Kosovës duhet të dijnë se miqësia me SHBA-në ashtë sot, dhe do të mbetet edhe nesër e fortë, pavarësisht nga mosmarrëveshja per “tarifat doganore“, thekson analisti i njohun dhe diplomati Shaun Byrns. Dhe këtu  qendron kyçi  i marrëdhanjeve SHBA-Kosovë. Ashtë naive me mendue se politika amerikane lëkundet simbas erës që frynë. Ajo politikë ashte realiste dhe nuk devijon pa nji arsye të shkallës së parë siç janë interesat e SHBA-së.

   Në këte situatë, KM Kurti ka mbajtë qendrim parimor. Tarifat doganore do të hiqen krahas me veprime reciproke të Serbisë. Me 16 mars 2020 u hoqën tarifat për “landët e para” që përbajnë afërsisht 80 përqind të tarifave të blokueme. Tashti, ai kerkon që dialogu me Serbinë të krysohet nga qeveria e jo nga presidenca, nji kerkesë legjitime simbas Kushtetutës, dhe e përshtatëshme, sepse eliminon faktorin “sekret” të bisedimeve të deritanishme.

   Qendrimi i LDK-së, pjesë e Administratës Kurti ashtë nji enigmë. Vetëm nji muej mbas formimit të Qeverisë së re, kerkesa e tyne me elimnue tarifat doganore pa asnji reciprocitet nga ana serbe tingëllon si nji akt opozitar mbrenda Qeverisë. Nji kompromis u tentue nga Speakeri i Parlamentit, Zonja V.Osmani, n/krytare e LDK-së. Ajo propozoi në sesionin e jashtëzakonshëm të Parlamentit të Kosovës, me 11 mars 2020, heqjen e tarifave dhe marrjen përsipër nga Qeveria drejtimin e dialogut me Serbinë. Përpjekje pa sukses!

   Metoda e bisedimeve hap mbas hapi, e fillueme në vitin 2013 nga Bashkimi Europian për arrtijen e nji marrëveshje gjithëpërfshirëse u abandonue pa arrijtë objektivin e dëshiruem: njohjen e ndërsjellë në mes të dy palëve. Vetëm disa marrëveshje të dorës së dytë u aplikuen. Fryma sekrete “shkëmbimi i territoreve” dhe përcaktimi i pozitës së “asociacionit të komunave serbe” krijuen nji valë shqetësimi në qarqet diplomatike. Ndamja e territorit të Kosovës kercënon dhunën nga ana e popullsive të shkëputuna me forcë dhe rrezikon nji konflikt ma të madh që Kosova sidomos, nuk ashtë në gjendje me përballue. Konflikti ringjallë kerkesat shoviniste, sidomos në Serbi, dhe nga nji incident në nji atmosferë të ketillë shpërthen konflikti i armatosun. Kjo nuk lejohet nga Europa dhe SHBA.

     Ndërsa BE-ja ka pershëndetë qendrimin e KM Kurti si i arsyeshëm  dhe premtues, SHBA-ja e ka refuzue. Ky qendrim ka krijue dyshime edhe në qarqet politike të Kongresit amerikan. Senatori David Purdue (R.Georgia) i përkrahun nga izolacionisti Senator Rand Paul (R.Ky), Ambasadori Grenell , zyrtari i naltë i 

Këshillit Kombëtar të Sigurimit, Amasadori O’Brian, folën haptazi për nji qendrim të këtill. E çuditshëm mbetet përkrahja e këtij qendrimi edhe nga Donald Trump, Jr. djali i Presidentit Trump që përsëriti kercënimet e dy senatorëve. Z. Trump, Jr . ashtë afarist privat i aftë, pa  eksperiencë në diplomaci ose në fushën ushtarake

     Nga këtu lindi dyshimi se ndërhymja e Z. Trump, Jr. motivohet nga përpjekjet e  denduna me pergatitë terrenin për rizgjedhjen, në nandor 2020, të Presidentit Trump, i cili ka nji rekord mossuksesi në politikën e jashtëme. Nji marrëveshje kosovaro-serbe do të ishte nji “fitore” për Presidentin Trump i cili ka premtue se firmimi i marrëveshjes do të bahet në lulishtën e Shtëpisë së Bardhë, nji privilegj i rrallë. Tani per tani, dialogu do të ndërpritet deri mbas zgjedhjeve parlamentare serbe të 26 prillit 2020, por të pasigurta për arsye të epidemisë coronavirus.  Analisti Daniel Serwer, në nji intervistë me gazetën Bota Sot, tha… 

    ”Kjo duket si nji marrëveshje për shkëmbm territoresh që nuk garanton antarësimin (e Kosovës) në OKB dhe  do t’i ofroj asociacionit të komunave serbe” më shumë se ka lejue Gjykata Kushtetuese.  Eshtë shumë e qartë që populli i Kosovës nuk don shkembim territoresh. Pjesa e mesazhit tim per Presidentin (Thaçi) eshtë që (Ambasadori ) Grenell nuk eshtë mik i Kosovës. Eshtë fakt i njohur që ka lobim  proserb shumë aktiv në SHBA”.

 (Shenim: Ish Kogresmeni M. Pence, sot N/President i SHBA-se, ka qenë gjat viteve 1990-ta nji kundërshtar aktiv i pavarësisë së Kosovës, dhe përkrahës i fortë i Kongresistes Helen Deliq-Bentley, me origjinë serbe, përkrahëse e hapun e diktatorit S.Millosheviq, dhe figura kryesore e lobit serb në Washington,D.C. SR) 

                                                      ***

     Sot, ballafaqohemi me dy faktorë kryesor të gjendjes politike në Kosovë:

     I pari, zhvillimet politike të vendit dhe mungesa e akordimit të forcave politike në sherbim të kauzës së përbashkët: interesat e Republikës së Kosovës sidomos mbas ardhjes në pushtet të koaliconit të Z.  Albin Kurti, kryeministër dhe aleanca me Lidhjen Demokratike të Kosoves, grumullim partiak i krijuem nga presidenti historik i Kosovës, i ndjeri Dr. Ibrahim Rugova.

      I dyti, nji mirëkuptim logjik, i drejtë dhe konkret i qendrimit të botës së jashtëme, kryesisht  amerikane dhe të BE-së për Republikën e pavarun të Kosovës. 

    KM Albin Kurti ka ardhë në fuqi mbas shumë përpjekjesh me heshtë ate dhe partinë e tij  politike.Prandej, kundërshtimet që dalin sot nuk janë të paprituna. Por ai gëzon emën të mirë si luftar konsekuent kundër korrupsionit endemik në Kosovë. 

    Refuzimi i Presidentit serb Vuçiq me rifillue dialogun vetëm mbas votimeve të 26  prillit 2020 i jep Z. Kurti kohë të çmueshme me rishikue qendrimin e tij dhe me pergatitë nji platformë politike ma të pranueshme nga popullsia e vendit, nga “sovrani”, Përkrahja e BE-së inisiativës tij fillestare, tregon se ai shikohet me optimizëm nga Europa. Përkrahja e Speaker V.Osmani, nenkrytare e LDK-ës lehtëson barren e tij dhe kundërshtimin e organizuem të të gjithë atyne që kerkojnë përmbysjen e Qeverisë Kurti . Me gjithë përpjekjet e Presidentit Thaçi mos me heqë dorë nga drejtimi i dialogut me Serbinë, ka mundësi që Presidenti të dështojë dhe të pranojë kërkesën kushtetuese për dialog që ashtë prerogativë e Kryeministrit, jo e Presidentit. Sot, konflikti vazhdon me konsekuenca të randa për vendin, sidomos në kredibilitetin e Republikës me u vetë-administrue .

     “Aleati srategjik” i Kosovës, Shtetet e Bashkueme të Amerikës, nenkupton se vlen për të dy palët: strategjia amerikane ashtë afatgjatë dhe përfshinë edhe mbrojtjen e Kosovës, pavarësisht nga ndryshimet qeveritare; ashtu siç ashtë edhe për Kosovën: miqësia e patundun me Shtetet e Bahkueme, pavarësisht nga partitë politike që drejtojnë shtetin amerikan. Presidenti Trump nuk ashtë i përherëshëm; politika e jashtëme amerikane ashtë afatgjatë dhe me synime të mirëcaktueme. 

     Në analizën e diplomatit Shaun Byrnes:

     “Ashtë me randësi për udhëheqsit e Kosovës të mos harrojnë se nji marrëveshje gjithëpërfshirëse ashtë e pamundun perballë  frymës anmiqsore që “serbët” kanë ndaj ish-krahinës së tyne. Për derisa Serbia të mos njohë dhe pranue ate që ajo ka ba në Kosovë nen shtetin e Milosheviqit, marrëdhanjet e tyne me Serbinë nuk mund të jenë normale as miqesore.”

     Orientimet afatgjata të Shteteve të Bashkueme ndaj “problemit kosovar” janë përcaktue qartësisht në fjalimin e ish Kryetarit te Komisionit Senatorial Joseph Biden (D.MD), ish nenpresident i SHBA-së në Administratën Obama (2008-2016) e sot kandidati demokrat për president i SH.B.A-së në votimet e Nandorit 2020.  Gjatë viteve heroike të rezistencës kosovare, ish Senatori Biden ka tregue mirëkuptim për problemin kosovar dhe ka ndihmue përpjekjet e bashkësisë shqiptaro-amerikane me internacionalizue problemin. 

   Mbas nji “seance dëgjimore” “Hearings” të Senatit amerikan që ai kryesonte, të mbajtun në vitin 1998, ku fola edhe unë, ai më ftoi te tryeza e tij. “Doktor, -tha-, më thuej pse kaq probleme në Ballkan? Si mendoni ju?” Unë i pergjigja se “…për sa kohë që militarizmi serb dominon politikën e jashtëme të Serbisë, Ballkani nuk gjen paqë. Asnji shtet kufitar me Serbinë paraqet kercënim për atë vend; por të gjithë shtetet ndiejnë nji pasiguri nga militarizmi agresiv serb” Åi vazhdoi: “Si mendoni ju të zgjidhet ky problem?” Unë përgjigja: “Më vjen keq Senator por nuk jam në gjendje me dhanë nji mendim të edukuem; ajo që mund të ju them me nji shkallë të naltë sigurie ashtë se nuk do të kemi paqë në atë regjon në se Kosova nuk fiton pavarësinë. Për këte jam i bindun!” Ai më shikoi në sy, më falënderoi dhe u largue.   

    Në nji fjalim “keynote” të mbajtun në Hotelin Sheraton, New York City, gjatë nji mbledhje të organizueme nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me 28 prill 2002, Senatori Joseph Biden, në prezencen bi-partizane të kongresmenëve Tom Lantos (D.Ca) dhe Ben Gilman (R. NY) dhe të ftuemve shqiptarë Pjetër Arbnori, Ramush Haradinaj, dhe Arben Xhaferi deklaroi:

     “Interesat e qarta të vetë Shteteve të Bashkueme të Amerikës gjatë shekullit 21 fillojnë me nji Europë të pandame, të plotë dhe të bashkueme, ‘sepse kurdoherë që Europa zbret në kaos’ bijtë e bijat tona vdesin, ekonomia e jonë dobësohet, dhe na paguejmë çmimin që kërkohet. Të paisun me kulturë, histori, dhe prirje natyrale të përbashkët, na  jemi të pa aftë me u largue prej saj, dhe prej asaj që ngjet në Europë. Fati i shtatë miljonë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik. ashtë gjithashtu kritik për interesat e vetë Amerikës. Në se legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njesitë që përbajnë ate regjon do të bijnë, dhe në se nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, na, Amerikanët, do ta paguejmë shtrenjtë!”

      Nji formulim ma i qartë dhe ma instruktiv ashtë vështirë të gjindet!

      Për shekuj me rradhë, historinë tonë e kanë ba “të huejtë” në kurrizin tonë; na e kemi pësue me rezultate tragjike dhe kercënimin e asgjasimit tonë. Ka ardhë dita të mendojmë për ne dhe për breznitë e ardhme: duhet të bajmë historinë tonë simbas interesave tona, me sigurue nji të ardhme në paqë dhe me dinjitet, sidomos me dinjitet, nji të ardhme ku do jemi të lirë nga frika e të lirë nga uria, ku do të ndiehemi krenar për të kaluemen tonë, krenar sot me qenë shqiptar, dhe me plot besim në të ardhmen tonë! 

     Nënshtrimi ndaj të huejit, cilido qoftë ai ose ajo, ashtë nji fenomen i së kaluemes sonë të hidhun, që nuk duhet lejue të përsëritet….. e së kaluemes jo të largët….! 

     “ Mos i harroni foletë, mos i harroni plagët”(Papa Françesku)  

——————————————————————————————————-

Shenim: Për arsye të randësisë që ka deklarata e U.S.Senatorit Joseph Biden, ndoshta presidenti i ardhshëm i Amerikës, po japim origjinalin anglisht të deklaratës:

“….. The naked self-interest of the United States rests on the 21-st century beginning with a whole, undivided, and unified Europe, because ‘every time Europe plunges into chaos’ our sons and daughters die, our economy falters, and we pay the price. By culture, history, and inclination, we are unable to disassociate ourselves from what happens in Europe. The fate of seven million Albanian people in the Balkans is also critical to our naked self-interest. If the ethnic legitimacy of the Albanian people is not recognized and protected, all of the pieces in the region will fall apart, and if we do not stabilize the Balkans, we will pay very dearly”.

======================================================================

Filed Under: Opinion Tagged With: Dinjiteti, Sami repishti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT