Shkruan:Mikel GOJANI*/
Romani “Iluzione në sirtar”,botuar nga shtëpia botuese “Toena”,është njëri ndër romanet më interesant dhe më të lexuar të shkrimtarit, por edhe në letërsinë bashkëkohore shqipe. Vetë tema dhe motivi i romanit ka bërë që lexuesi shqiptar të jetë kureshtar ta lexojë këtë roman.
Një rrëfim në vetën e parë për fatin e artistit dhe të letërsisë në acarin e diktaturës
Libri “Iluzione në sirtar” i Fatos Kongolit është një formë interesante për të shkruar për veten, por njëkohësisht edhe për të tjerët. Në rrëfimin e shkrimtarit ngjarjet zhvendosen në hapësirë dhe në kohë. Shkrimtari ka rrëfyer për ato gjëra ku i dhembte më tepër, aty ku shpirti ka qenë më i trazuar ato ngjarje kanë lënë gjurmët e veta. Prandaj pyetjet janë përqendruar më së shumti në ato tela të dhimbjes së shpirtit të shkrimtarit, aty ku dridhen më tepër dhe mu për këtë, në përgjigjet e vetë shkrimtarit, ngjarjet, personazhet marrin lirshmërinë e paraqitjes. Pra, një lirshmëri para vetvetes dhe të tjerëve. Kjo rrjedh edhe nga korrektësia dhe sinqeriteti që ngërthehen në ndjenjën e çiltër të shkrimtarit. Libri “Iluzione në sirtar”, është një rrëfim për vetveten dhe të tjerët, për turbullirat dhe trazimet e botës shqiptare gjatë fundshekullit 20 dhe fillimit të shekullit 21. Gjatë tërë të të rrëfyerit të ngjarjeve në roman memoria e shkrimtarit në lëvizje duke pasqyruar ngjarje dhe moment tepër interesante nga jeta e shkrimtarit, por edhe të njerëzve të tjerë që kanë bashkëjetuar kohën me shkrimtarin. Në këtë roman portretizohet fati i njeriut, kësisoj njëherësh edhe fati i shkrimtarit, një fat me plot krajate dhe moment të tjera tepër interesante të jetës së tij dhe të njerëzve, duke u fokusuar kryesisht ndaj padrejtësive të botës njerëzore, ndaj një realiteti të egër e të veçantë në jetën shqiptare. Libri është një dëshmi tronditëse për dramën vetjake dhe të Shqipërisë njëkohësisht dhe është nga ato dëshmi që janë shfaqur rrallë në botën e letrave shqipe. Kësisoj, një libër i tillë mund të quhej ndryshe edhe “libri i shumë dëshmive autentike”. Në lajtmotivin që përshkohet në pasthënien e këtij romani, thuhet se romani “Iluzione në sirtar është i ndërtuar mbi ty motive të ndërthurur, jeta e shkrimtarit dhe rruga e tij e vështirë drejt letërsisë, ky “pothuajse roman”, me personazh qendror vetë autorin, na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme. “Dhe një varg protagonistësh të letrave shqipe, të kulturës, arteve, politikës etj., ashtu siç i ka njohur autori,që nga fëmijëria e hershme e më vonë, në kohë të qeta e të trazuara,gjatë periudhës së diktaturës e pas rrëzimit të saj. Është një autoportret origjinal dhe i sinqertë. Për herë të parë Kongoli i kthehet këtu disa episodeve nga më të rëndësishmit dhe më traumatikët në jetën e tij. Një libër i veçantë, i pari në letrat e sotme shqipe,ku autori kërkon të shoh thellë në vetvete, për t’i bërë më të kuptueshëm librat e tij përmes zbërthimit të vetvetes”.
Denduria e madhe e ngjarjeve dhe përjetimeve që kanë marrë jetë në libër
Në romanin “Iluzione nga sirtari”, vetë shkrimtari Kongoli është kryepersonazhi i veprës dhe duke prezantuar vazhdimisht ngjarje reale, ai kthehet në një narrator. Të krijohet përshtypja se është përpjekur të mos i shpëtojë asgjë nga ajo e kaluar e hershme,por edhe e mëvonshme. Kjo gjë krijohet nga denduria e madhe e ngjarjeve dhe përjetimeve që kanë marrë jetë në libër. Por shkrimtari ka ditur që në atë lumë ngjarjesh të përjetuara, të veçojë ato më të rëndësishmet, ato gjëra që e kanë prekur, ngacmuar më tepër dhe kishin zënë vend në kujtesën e tij. Natyrisht që kryepersonazhi është në qendër dhe rreth tij lëvizin ngjarje e personazhe të tjerë, por shkrimtari përveçse ndriçon marrëdhëniet e tij me këto personazhe, ku ka prezantuar në mënyrë mjaft realiste dhe pa nuanca. Pra, siç e potencuam edhe më lart, shkrimtari Kongoli në optikën e tij ka përfshirë sekuencat më ekskluzive që ka rrokur memoria e tij dhe ato ka bërë përpjekje për t’i venë në letër, sepse sikur edhe ai vetë e ka ndier si borxh ndaj vetvetes, njerëzve dhe realitetit që ka rrethuar.
Përjetimet më të hidhura fatet e këqija të shumë kolegëve viktimë e ideologjisë ekstreme
Autori Kongoli në vijim vë në pah edhe shumë ngjarje të tjera interesante. Kongoli shkruan edhe për librin e tij të parë të botuar më 1972 me tregime të titulluar “Shqetësime të ngjashme”, më nxitjen e kritikut Rinush Idrizi, i cili në atë kohë ishte redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, kështu që edhe botues i këtij libri ishte po kjo shtëpi botuese. Libri u prit mirë,po ashtu edhe u vlerësua pozitivisht nga kritika letrare e kohës. Moment tjetër të rëndësishëm autori paraqet edhe vitin 1970 kur vjen si redaktor i të përjavshmes “Drita”, organ i LSHASH, ku gjeti figura të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare, si Nasho Jorgaqin, poetin Viktor Qurkun, Abdurrahim Myftiun, Frida Idrizin, Thoma Frashërin,Vasil Melon, Moikom Zeqon e të tjerë. Goditja e disa krijuesve, si e Fadil Paçramit, e Todi Lubonjës dhe i shumë të tjerëve që ndodhën pas Festivalli të 11 të këngës në Radio – Televizion, ishte një përjetim i hidhur dhe tragjik për shkrimtarin. Arrestimi dhe dënimet e ashpra më burg,përveç këtyre dy të parëve, pasuan edhe me arrestime dhe burgosje të një vargu tjetër të shkrimtarëve dhe artistësh të njohur,ndër të cilët edhe dramaturgun Minush Jero, regjisorin Mihal Luarasin, piktorët Edison Gjergo, Maks Velo, Ali Oseku etj., frikësimi i të tjerëve, krijimi i një klime terrori midis krijuesve dhe artistëve,dëshmuan se kjo organizatë nuk ishte një mbrojtëse e anëtarëve të saj,mirëpo që u vu në shërbim të persekutorëve dhe u bë vetë persekutorë. Shembulli më i fundit në atë “gjueti shtrigash’, ka qenë edhe “linçimi” i një prej figurave më emblematike të letërsisë shqipe, Petro Markos. Shkak për “linçimin” e Markos u bënë dy veprat e tij, romani, “Një emër në katër rrugë” dhe drama “Niku i Martin Gjinit”, botuar në revistën “Nëntori”. Largimi për një kohë nga gazeta “Drita”, shkuarja në kryerjen e stazhit të kandidatit të partisë, kthimin e sërishëm në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”paraqesin moment të rëndësishme në jetën e shkrimtarit. Kthimi në këtë shtëpi mundësoi vazhdimin e angazhimi të tij në krijimtari letrare. Më 1978 botoi librin e dytë me tregime, të titulluar “Tregim”, që u prit jashtëzakonisht mirë dhe vlerësimet për këtë libër ishin shumë pozitive, “një libër i freskët dhe me shumë jetë”. Moment i hidhur në jetën e autorit është edhe shuarja e atit të tij, që i lë zbrazëtirë të pakompensueshme në jetën e tij. Moment prapë tepër i ndjeshëm për shkrimtarin dhe që ka lënë vrragë të pashlyeshme në jetën e tij, doemos është edhe dënimi i një kolegu në vitin 1981, që, sipas tij me rastin e këtij dënimi ai ishte përlyer” dhe, siç shprehet ai s’mund të jem i larë”.
Libri “Iluzione në sirtar”, ka ngjallur reagime pro dhe kundër për rrëfimin e një episodi nga më të vështirët e jetës së tij autorit. Në vitin 1981, ai dëshmon në gjyq ndaj ish kolegut Hysenil Dume në ndërmarrjen letrare “8 Nëntori, i cili u dënua me 8 vjet burg. Është një periudhë e zymtë politike për vendin, po aq edhe për autorin.
Periudha e tranzicionit me plot iluzione dhe zhgënjime…
“Periudha 20-vjeçare e tranzicionit ka qenë padyshim një periudhë plot iluzione dhe zhgënjime, sepse realiteti që pasoi ishte një realitet i egër nga pikëpamja njerëzore. Kështu është rrëfyer kjo epokë nga ana a autorit. Periudhë kjo që ka prodhuar konfliktin e madh i cili është ekspozuar në shumë shtresa të shoqërisë, por më i ashpër ishte ndaj botës së artistëve dhe letrarëve, gjatë regjimit komunist. Pra, kemi identifikimin e sundimit të egër të pushtetit, kur sigurimi operonte në hapje dosjesh, listash etj., ku u vunë në vrojtim gati e gjithë inteligjencia…” Duke e shoqëruar Fatos Kongolin në këtë rrëfim nga fillet e jetës së tij, pastaj rinia studentore, jeta trevjeçare në Kinë, angazhimet si mësues, pastaj në Fabrikën e metalurgjisë, angazhimet në gazetën “Drita”, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, deri tek angazhimet dhe aderimet e tij gjatë fillimeve të demokracisë përkrah Partisë Demokratike, e ndiejmë peshën e kohës dhe mënyra se si ajo rëndon. Ndiejmë vuajtjen e fjalës, në formën e heshtjes, si frikë e skalitur në ndjenjën e cilitdo individ që ka jetuar ato kohë me ato esenca të trishta. Në romanin, “Iluzione në sirtar”, autori ngërthen jetën e një njeriu të dinjitetshëm, kur njeriu u shndërrua një vlerë e pavlerë; ngërthen jetën e një shkrimtari, i cili u përkul para atyre stuhive të kohës për të mos u thyer shpirtërisht as moralisht. Shkrimtari Fatos Kongoli përmes romanit “Iluzione në sirtar” ka bërë që përmes të të rrëfyerit të tij, realiteti dhe e vërteta të marrin status shumë të veçantë dhe tepër meritor. Sepse shkrimtari Kongoli ka zgjedhur vetes këtë rrugë të vështirë: rrëfimin real dhe të vërtetën të cilës nuk i është shmangur as atëherë kur është bërë fjalë për Fatos Kongolin….
Kështu, dhe krejt në fund lirisht mund të konstatojmë se romani “Iluzione në sirtar”, te autorit Fatos Kongoli, si gjithë romanet tjerë, lexohet me kureshtje dhe me një frymë.
*(Disa aspekte rreth romanit “Iluzione në sirtar”, autor Fatos Kongoli, botoi “Toena” Tiranë 2012)