Shkruan: Dr. Niko FERRO/
Çfarë ndodhi në Lushnjë, mëngjesin e 27 Tetorit të vitit 1919 ? Si ishte atmosfera në qytet ? A ka dëshmi të shkruara për këtë ngjarje ? Kronika është e plot e dokumentuar, e ruajtur mirë. Është një kronikë plot nerv në rritje dhe ankth…
Shënimet nisin kështu: “E Hënë, 27 Tetor 1919, në Lushnjë është ditë pazari. Tregtarë të shumtë kanë mbushur rrugët e qytetit. Pikërisht në këtë ditë të zhurmshme, Komanda e Ushtrisë Italiane me qendër në qytet, urdhëroi ngritjen e flamurit italian në sheshin kryesorë. Për kryerjen e ceremonisë u caktua një grup ushtarësh italian. Ky grup me të shkuar në sheshin e pazarit, mori pozicion nderimi dhe nën tingullin e borisë ngritën aty flamurin italian. Pas kësaj ushtarët hipën në automobil dhe u larguan…”
“Sa hap e mbyll sytë, lajmi për flamurin italian u përhap në të gjithë qytetin. Ngritja e tij në sheshin qendror provokoi zemërimin e masës. Ndërkohë situata përshkruhej e tensionuar dhe e ndjerë. Kudo në qytet flitej vetëm për italianë dhe italianët, të cilët “ishin ashtu” e “janë kështu”. Përball kësaj ngjarje patriotët lushnjar u mblodhën në sheshin para xhamisë së vjetër, për të biseduar në lidhje me provokimin e ushtrisë italiane. Pasi rrahën mendime e nisën veprime, vendosën të dërgonin një përfaqësi në Nënprefekturë. Kjo përfaqësi do i komunikonte Nënprefektit këto fjalë: ‘populli lushnjarë është revoltuar së tepërmi për ngritjen e këtij flamuri. Kërkojmë heqjen e menjëhershme të tij’. Përfaqësia përbëhej nga Sheh Ibrahim Karbunara, Llazar Bozo dhe Çel Rushidi. Ata i shprehën Nënprefektit Veli Vasjari tekstualisht porosinë e të mbledhurve: ‘Në qoftë se flamuri italian nuk hiqet urgjentisht prej aty, populli i Lushnjës është i vendosur që gjallë a vdekun ta heq vet’.
Pas komunikatës, Nënprefekti i shoqëruar nga përkthyesi Izet Libohova, takuan përfaqësuesin e Komandës Italiane në qytet. Ata i shprehën fjalë për fjalë kërkesat e Përfaqësisë së zgjedhur nga populli lushnjarë, pra heqjen e menjëhershme të flamurit italian.
Ndërkaq nënprefekti shtoi: ‘Në rast se flamuri italian nuk hiqej, unë si autoriteti më i lart këtu nuk pranoj as një përgjegjësi, nëse populli ngrihet në revolt dhe e heq vetë. Kjo gjë nuk do tingëllonte mirë, si për Ju ashtu dhe për Qeverinë tuaj’. Pak minuta më vonë, Komanda Italiane urdhëroi përsëri heqjen e flamurit italian nga qendra e qytetit. Patriotët lushnjarë kur panë se flamuri u hoq pa ndonjë incident apo kundërshtim nga ushtria italiane, u inkurajuan më shumë për vendosmërinë e tyre pasi diçka tjetër do bënin”.[1]
Një muaj më pas, më 28 Nëntor 1919 në qytetin e Lushnjës u festua bujshëm Shpallja e Mëvetësisë. ‘Ajo që binte në sy [shkruante Inspektori Italian Pietro Criscuola shënim N.F] në qytet nuk ishte varë asnjë edhe një flamur italian si në zyrat e Nënprefekturës ashtu dhe të Katundarisë. Ndoshta kjo harresë nuk ishte rastësi ?’
‘Nënprefekti i Lushnjës, Veli Vasjari’ [shkruante Inspektori Italian Pietro Criscuola shënim N. F] ‘duhet të merrte masa me kohë, dhe duhet të varte atë që i ishte dhënë nga Komanda Italiane’. Ky veprim i tij bëri një “përshtypje” të madhe tek ushtarët italianë të Qendrës së Lushnjës, madje dhe mua [Pietro Criscuola shënim N. F]. Duke e gjykuar nga veprimet dhe sjelljet e atij Nënprefekti, ka një dëshirë armiqësore ndaj ushtrisë italiane. Por ky nuk është rast i vetëm i këtij Nënprefekti të Lushnjës. Ai ka treguar edhe [pak ditë] më parë marrëdhëniet jo miqësore madje mund të themi armiqësore. Ai dhe një grup njerëzish protestuan gjallërishëm ngritjen e flamurit italian në një vend që s’asht i tij dhe duke e mbajtur të gjallë një ndjenjë kundra italiane në qytet, pra në dëm të marrëdhënieve miqësore të kulluara që kemi me shqiptarët dhe ndërmjetësit e tyre. Siç e dëshmojnë edhe ngjarjet të ndodhura pak muaj më parë”. (AQSh. Fnr 252. Dnr 49 Viti 1919 f,6).
Mbështetur në burimet historike italiane, besojmë se ngjarja për të cilët flet Inspektori Italian më lart lidhet me një deklaratë të bërë nga Ministri i Jashtëm, Tittoni në Dhomën e Deputetëve të Italisë më 27 Shtator 1919: ‘Italia kërkon në mënyrë të thjesht dhe të qartë të mbajë mandatin mbi Shqipërinë, aneksimin e Vlorës dhe dhënien e Gjirokastrës, Greqisë’. [2]
A mund të jetë kjo deklaratë e Ministrit Tittoni, “ngjarja” për të cilën flet Inspektori Italian në Lushnjë ? Natyrisht që një deklaratë e tillë kurrsesi mund të kishte mirëkuptimin e popullit shqiptar përkundrazi ajo mund të konsiderohet si pikënisje e konfliktit italo-shqiptar Mendojmë se deklarata e Ministrit të Jashtëm Italian, Tittoni mund të ketë gjetur pasqyrim edhe në qytetin e Lushnjës. Mos vendosja e flamurëve italianë në qytet, ishte një shenjë e qartë për ushtarët italian se ‘populli i Lushnjës është i vendosur që gjallë a vdekun të mos pranonte flamurin e një tjetër pushtuesi,dhe për të mbrojtur lirinë e vet ishte gati të shpërthente në revolta..’
Sakaq Inspektori Pietro Criscuola fajësonte drejtpërdrejt Nënprefektin. ‘Jo vetëm që nuk ndjek rregullat më elementare në interes të politikës italiane, po asht dhe një mejtus i ligë, kundra marrëveshjeve miqësore që ndeshen midis Italisë dhe Shqipërisë. Ai është fajtor kundrejt Italisë, nënë të cilën prehet Shqipëria që është e përlindur dhe një akt provokacioni mbi përfaqësuesen e regjimit të ushtrisë italiane të Lushnjës do prishte marrëdhëniet e mira. Prandaj ju drejtohem Ju, Prefektit të Beratit nga e cila varet Nënprefektura e Lushnjës, të reagoni sa më parë ndaj këtij nëpunësi dhe mbështetësve të tij në qytet.[3]
Në vend të përfundimit po citojmë një pjesë të fjalimit të mbajtur nga patrioti Ikonom Kozma Dhima përpara popullit të Lushnjës më 28 Nëntor 1919. “Vëllezër, italianët duhet të kuptojnë se populli trim i Lushnjës nuk i trembet bajonetave të tyre dhe se Festën e tij Kombëtare di ta festoj me madhështi dhe jo me flamurit e dikujt tjetër. Stërgjyshit tanë edhe më para kundër pushtuesit nuk kanë qëndruar duarkryq, prandaj të njëjtë gjë duhet të bëjmë edhe ne”. [4]
“Lushnja në ditë pazari”. Arkivi i Vjenës 1916
Nënprefektura dhe Xhandarmëria e Lushnjës. Arkivi i Vjenës 1918
[1] Dorëshkrimi Ahmet Shehut f12 shiko dhe Xhoxhi Robo. Historiku I Lanç-it të rrethit të Lushnjës. Tiranë 2005 f. 13
[2] Tommaso Tittoni. Vittorio Scialoja. L’Italia alla Conferenca della Pave. Roma 1921 f. 17
[3] (AQSh.Fnr 252. Dnr 49 Viti 3 Shëndre (Dhjetor) 1919 f,6),
[4] Dorëshkrim I Ahmet Shehut f.11