• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë”…

June 27, 2020 by dgreca

– Imzot Vinçenc Prennushi (1885-1949)-

Nga Don Pal Tunaj*/

“Brenda njeriut të dritës/

ka aq shumë dritë,/

sa më e shndrit edhe botën mbarë.”/

(Shën Simoni, Teologu i Ri)/

Madhështia dhe dinjiteti i një bariu të Kishës, hetohet më së thelli përmes kurorëzimit të dëshmisë së jetës së tij. Martirizimi është kurora e dëshmisë. Besnikëria e pranimit të dhuratës së jetës, shkëlqen dhe shfaqët në plotësinë e dritës së saj në mbarim. Dhurata e jetës përsoset duke e ruajtur me besnikëri deri në fund dhe duke e dorëzuar të pa cenuar në vdekje. Martirizimi shfaqë dritën e dhuratës gjatë aktit të dhurimit. “Nuk është e mundur të jesh bari i mirë, nëse nuk je një gjë e vetme me Krishtin dhe gjymtyrë e tij nëpërmjet dashurisë. Dashuria është detyra e parë e bariut të mirë, prandaj thotë: “Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele” (Gjn 10,11). Në fakt ka ndryshim ndërmjet bariut të mirë dhe të keqit: bariu i mirë ka si qëllim të mirën e grigjës, ndërsa i keqi të mirën e vet. Nga rojet e deleve nuk kërkohet që, për t’u gjykuar si të mirë, të vënë në rrezik jetën e vet për të shpëtuar grigjën. Por, meqë shpëtimi i grigjës shpirtërore ka më shumë peshë se jeta trupore e bariut, kur kërcënon rreziku i grigjës, çdo bari shpirtëror duhet të përballojë flinë e jetës trupore”[1].

Dëshmia dhe martirizimi i Imzot Vinçenc Prennushit, është kurora e lavdishme në Kishën tonë.

Vinçenc Prennushi, lindi në Shkodër, më 4 shtator të vitit 1885, dhe vdiq në Durrës i persekutuar nga regjimi i kohës, më 19 mars të vitit 1949. Dashuria e tij për Jezu Krishtin, filloi që në vatrën e familjes, e cila shquhej për përkushtimin ndaj besimit. Jeta e tij do të përsoset në shërbim të dashurisë, sidomos duke ndjekur mësimet e virtyteve të Serafikut nga Asizi. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit, ku iu kushtua urdhrit françeskan. Studimet për teologji e filozofi i kreu në Tirol të Austrisë. Më 25 mars 1908, u shugurua meshtar i Urdhrit Françeskan, duke marrë emrin Át Vinçenc. Në vitin 1936 zgjidhet Ipeshkëv i Sapës, dhe në vitin 1940 u emërua Ipeshkëv i dioqezës së Durrësit, deri në vdekje të vitit 1949.

Imzot Vinçenc Prennushi, përpos misionit nën zhgunin e fratit e pastaj të ipeshkvit, njihet edhe si poet, përkthyes dhe folklorist. Bashkë me shumë sivëllezërit e tij të tjerë të vrarë nga regjimi komunist, do të shpallet i lumë, më 5 nëntor 2016.

Kur flasim për Imzot Vinçencin, mendja menjëherë shkon tek njeriu që kishte një erudicion të gjerë, dhe krijimtaria e tij e shumanshëm. Ishte i pajisur me dije e kulturë të madhe dhe mbi të gjitha, shquhej për zellin dhe misionin që kishte për Ungjillin e Jezu Krishtit.

Në gjysmën e dytë e shek. XX, në Shqipëri filloi një periudhë e salvimeve. Korifeu i kësaj periudhe gjatë salvimeve, ishte edhe prelati i kishës katolike në Shqipëri, Imzot Vinçenc Prennushi. Martirizimi i tij do bëhet jehonë, jo vetëm për Kishën, por edhe për gjithë botën, siç u shpreh edhe Papa Gjoni Palli II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! I dimë të gjithë ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të përballosh, veçanërisht në 25 vjetët e fundit. Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e secilit, koha me vështirësi do të arrijë t’i fshijë dhe që Evropa dhe gjithë bota nuk duhet t’i harrojnë”[2].

Nga koha kur pushteti komunist, filloi salvimet ndaj Klerit dhe Kishës, në rrugë dhe sheshe, dëgjoheshin rënkimet. Burgimet, vrasjet, torturat dhe zëri i vajtimeve, solli një atmosferë trishtimi. Gjithandej murmurisje. Tragjedia e masakrave filloi. Arrestimet ndaj meshtarëve, vrasjet pa gjyqe dhe frika e nënshtroi mbarë Shqipërinë. Në këtë periudhë, shfaqet figura e prelatit të madh, martiri i cili do të vulosë historinë e Kishës sonë me gjak.

“Do të vdesësh martir i fesë”

Nëse duam të përmbledhim jetën e imzot Vinçenc Prennushit, do të mjaftonte të kujtojmë takimin e tij me mistiken Teresa Neumann, në vitin 1928. Ajo ia zbulon ardhmërinë e jetës dhe apostullatit të tij. Gjatë takimit iu drejtua më këto fjalë V. Prennushit: “Do të jesh ipeshkëv dhe, sapo të mbushësh trembëdhjetë vjet të episkopatit tënd, do të vdesësh martir i fesë”[3].

Nga ky takim, fillon një jetë e re për Imzot Vinçencin. Rreth misionit që e priste, thoshte: “Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë, por nuk arrij ta mendoj se në çfarë situatash”[4]. Shërbimin meshtarak dhe ipeshkëvor i tij ishte i drejtuar kah martirizimi: “Në vendin ku u hodh Adami mëkatar, atje do t’i sjellim trofetë tanë të fitores, pasi ta kemi hedhur për tokë atë që më parë na pati gënjyer. Do t’i dhurojmë Zotit, si dhuratë të madhe, fenë tonë të panjollosur, virtytin e mendjes se pacenuar dhe lavdinë e shkëlqyeshme të devotshmërisë sonë. (…) Do të ulemi pranë tij, ku ai të ulet për të gjykuar. Do të bëhemi bashkë-trashëgimtarë të Krishtit dhe do të jemi të ngjashëm me engjëj. Do ta kemi gëzimin të kemi në pronë mbretërinë qiellore bashkë me patriarkët me apostujt dhe me profetët. (…) Le të bjerë sa të dojë mbi të krishterët stuhia e përndjekjes. Ata nuk frikësohen, sepse e shohin mbi vete qiellin e hapur. Le t’i kërcënojë sa të dojë antikrishti, por Krishti vetë i mbron ata. Sa lumturi, sa gëzim të dalësh nga kjo botë në ngazëllim, të dalësh lavdishëm nëpërmjet hidhërimeve dhe ngushtimeve, t’i mbyllësh sytë që më parë shikonin njerëzit dhe botën dhe t’i hapësh menjëherë për të parë Hyjin, për të parë Krishtin! Sa i shpejtë duket ky kalim në lumturi! Në një çast shkëputesh nga toka për t’u vendosur në mbretërinë e qiellit”[5].

Jeta e tij ishte e shënuar me shumë vuajtje, si ato personale, por edhe të besimtarëve, që Kisha ia kishte besuar t’i printe si Bariu i mirë. I rënduar nga persekutimet dhe pushkatimet e klerikëve dhe laikëve, sheh se si: “Kisha është porsi një anije e madhe që e çan detin e botës. Kur dallgët e vështirësive të ndryshme e përplasin, nuk duhet të braktiset por të udhëhiqet”[6].

Shkrimet të cilat mund t’i hasim rreth biografisë së tij, sikur ato të Imzot Nigrisit, i cili e përshkruan si frikacak, duke u strehuar si i pa zë në vilën e tij, e dëshmojnë të kundërtën. Kur pushteti komunist-ateist, filloi të shtrinte pushtetin e tij në Shqipëri, ai deklaron me shpirtin e trishtuar: “tani po kalojmë nga shiu në breshër”[7]. Zëri i tij si bari i Kishës, nuk ishte frika për vetveten, por për grigjën që i ishte besuar ta ruante, ta udhëhiqte e ta ushqente. “Nuk kemi qenë të pazë, nuk jemi spektatorë të pafjalë, nuk jemi rrogëtarë që ikin para ujkut, por barinj të zellshëm dhe të kujdesshëm për grigjën e Krishtit. Të mëdhenjve dhe të vegjëlve, të pasurve dhe të varfërve, ua shpallim planin e Hyjit. Ua shpallim të gjitha shtresave shoqërore dhe të gjitha moshave, derisa Zoti do të na japë forcë, në kohë të volitshme dhe të pavolitshme”[8].

Nga parashikimi mbi jetën dhe martirizimin e tij, Imzot V. Prennushi do të mundohet të njësohet më sakrificën e Jezu Krishtit, sa herë që kremtonte misterin e Eukaristisë: “Cili është ky kelk? Është kelku i mundimit të hidhët dhe shërues; kelk të cilin i sëmuri nuk do të guxonte as ta prekte me dorë; po të mos e kishte pirë vetë mjeku më parë. Ai vetë është ky kelk, e njohim këtë kelk në fjalët e Krishtit i cili thotë: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh” (Mt 26,39)”[9].

Pas vrasjes së patër Shtjefën Gjeçovit, si Ministër Provincial, tha: “Zoti, pas kësaj flije të re misionare, do ta drejtojë me dashamirësi vështrimin e vet nga kjo tokë, e vështirë për t’u punuar, por edhe premtuese. E pastaj, nëse Zoti do të dojë prej nesh fli të reja, do të përpiqemi, më ndihmën hyjnore, të mos kthehemi prapa, dhe besnik ndaj mandatit, do ta ruajmë edhe në të ardhmen, qoftë edhe çmimin e gjakut e të jetës, traditën e çmueshme dhe të dashur të Fesë së Krishtit”[10]. Pas katër vjetësh, përsëri sa i përket martirizimit, do të shkruante: “Nëse Zoti kërkon fli të reja në këtë Fushën tonë misionare, do të themi gjithmonë: u bëftë Vullnesa e Zotit”[11].

Kjo dëshmi feje shfaqet në aradhen e martirëve e bashkëvëllezërve të tij, që i paraprinë në amshim, sikur patër Luigj Pali, i vrarë në vitin 1913, patër Shtjefën Gjeçovi, më 1929. Pra “martirët e shenjtë e kanë ndjekur atë deri në derdhjen e gjakut, derisa i kanë përngjarë në mundimin e tij. E kanë ndjekur martirët, por jo vetëm ata. Dhe vërtetë, pasi ata kaluan, nuk u ndërpre ura; as nuk u tha burimi, pasi ata pinë. Kopshti i bukur i Zotit, o vëllezër, ka jo vetëm trëndafila martirësh, por edhe zambakë virgjërash, dredhëza të atyre që jetojnë në martesë, lule vjollca të të vejave. Asnjë kategori personash nuk duhet të dyshojë në thirrjen e vet: Krishti ka vuajtur për të gjithë”[12].

“Me të bâ dritë syt mbi dhé”

Kalvari i mundimeve që karakterizon martirizimin e tij është i madh. Ishte i sëmurë dhe pos punëve të renda fizike, rendonin mbi të edhe poshtërimet, peshat e trungjeve që i ngarkonin mbi supe, që i përngjanin Kryqit të Krishtit. Dëshmia e Arshi Pipës, që bashkë vuajti në burg me V. Prennushin, rrëfen mizorinë e tmerrshme të vuajtjeve në burgje.

Përshkrim vjen nga dora e atij që kujdesej dhe merrte pjesë në agoninë e kalimit të Imzot Prennushit në Amshim.“Nji ditë prunë ndër né për pak kohë don Jul Bonati, famullitarin e Vlonës. E bijshin nga Burgu i Vlonës për ta strehuen’azilin e të çmendunve të Durrësit. Don Jul Bonatin e kisha njoftë qysh kur kisha qenë student në Firence; ai përpiqej asokohe me shtypë përkthimin e vet italisht të “Lahutës së Malsís”. Nisëm kuvend. I kallzova se njeriu qi po gulshonte në shtrat ishte Imzot Prendushi. Atëherë Don Bonati, i cili memzi mbahej në kambë nga smundja dhe pleqnija e shtyme, u ngrejt dhe gaditue u zvarnisë ju qas Imzotit; bani me i puthë dorën por Imzoti, sado qin’ankthin e gulshimit, nuk e la dhe tërhoqi dorën. Atëherë Don Bonati i kërkoi bekimin, dhe Imzoti, me nji përpjekje të fundme, i vuni dorën mbi supe. Mandej u plandos mbi shtroje. Nuk vdiq atëherë, por disa ditë mâ vonë. Ndër ato ditë hoqi mâ shumë se kurr. Tmerri ishte nata. Der në mesnatë kishte dritë elektriku, der atëherë vuejtja ishte mâ e durueshme. Por t’u fikmen drita, n’errsinën qi mbytte dhomën, vuejtja e tij rritej, acarohej. Ishte a thue se mungesa e dritës i mungonte frymën. Gulshimi bâhej atëherë i mënershëm, si rënkimi i nji të plagosuni, i cili, në vend qi të shkonte tuerá, vinte tue u shtue, dern’ulurimë. I bâhej, si më rrëfente, a thue se çapoj të hekurt ja mbërthejshinkrahnorin, tue ja shtrydhë zemrën gjithnjimâ keq, tue ja shklye. N’ktë kohë njeriu nuk mund të flentemâ në dhomë. Ngriheshim me radhë dhe i fërkofshim kambët – kështu i dukej se diçka lehtësohej, mbajshim të pafikun zjarmin në votër: kandil nuk kishim dhe drita e flakes ndihmonte shumë me ja fashitë vuejtjen. Prandej qysh në mbramje kujdeseshim me grumbullue në votër mjaft drû. Ishte dimën, dhoma ngrohej me anë të votrës, prandej ishte parashikue nji sasi druni për zjarm. Por, kjo sasi nuk mjaftonte për me mbajtëzjarmin gjithë natën dhe na duhej, me mënyra të ndryshme, me bindë rojet qit’urdhënojshinshërbyest e spitalit për me na prû sa mâ shumë drû.Por ndodhte shpesh qi nuk mund të kishim drû sa duhej. Dhe kur fikeshin xhixhat e fundme dhe errësina peshonte në dhomë, ngriheshim prej shtratit, herë njeni herë tjetri, dhe i rrijshim të smundit te kryet, tue i folë (të folunit ja davaritte disi travajën), tue i dhanë zemër, tue e gënjye se do të bijshindrû të tjera ose se nata ishte në të sosun. Nji natë të tillë më tha copa copa: “Tash po kuptoj fjalët e Goethes: “Mehr Licht!”Ajo dritë, së cilës i kishte thirrë në pikë të mortjes Poeti nuk ishte sigurisht, drita qi shohin syt tanë shqisorë. Dhe ktê Imzoti e dinte mirë. Por, cili njeri nuk pau në dritën e ambël të qiellit symbolin e jetës? “Me të bâ dritë syt mbi dhé” – thotë populli ynë, me nji shprehje epërsisht poetike, për me cilësue jetën. (…) Imzot Prendushi u ndá kso jete nji natë të frorit 1948. Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ja mbylla syt, syt e lodhun, të shterrun, qi aq shumë kishin rektue për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrime, të paqueme mbas aq mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mue më bâjshin syt e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqrimta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti qi në grahmat e dhimbës fyzike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj, kur dhimba të prâjë, si ujt prej lymit qi e pat trazue. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksín e shpirtit. Por âsht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale”[13].

Martiri i qëndron besnik dashurisë së Hyjit përmes vuajtjes dhe vdekjes. “E pra, akuzuesit dhe të akuzuarit, a thua nuk jemi të gjithë nga e njëjta baltë dhe nga i njëjti brum? Athua nuk do të dalim të gjithë para gjyqit të Krishtit? E me çfarë ndërgjegjeje do të paraqitemi para tij? Ndoshta kanë enë frika dhe druajtja që i shtynë ata njerëz të linin pas dore urdhërimet e Hyjit. Por çfarë domethënie ka ajo druajtje? Shpirti i së keqes a thua shkaktari i së cilës së keqe nuk ishte? Dhe kështu më mbajtën si armik të tërë bashkësisë së Kishës dhe kundërshtar të tyre. Por “vullneti i Hyjit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetës” (1Tim 2,4). Atëherë, pra, nëpërmjet ndërmjetësisë së Shën Pjetrit le t’i forcojë zemrat në fenë e drejtë, le t’i bëjë të qëndrueshëm kundër çdo heretiku apo armiku të Kishës sonë. Le t’i japë fuqi së paku bariut i cili tani i qeverisë ata. Në mënyrë që pa lëshuar pe në asnjë pikë as edhe në më të voglën dhe pa u lakuar në asnjë pjesë, qoftë edhe ato dytësoret, ta ruajmë të plotë fenë e pohuar me shkrim para Hyjit dhe engjëjve të shenjtë, dhe që, për këtë arsye, Zotit dhe shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Vetë Zoti më siguri do të ketë kujdes për trupin tim të shkretë si t’i pëlqejë atij të sillet me të, ose duke më lënë mes vuajtjeve të vazhdueshme ose duke më dhuruar edhe ndonjë ngushëllim të vogël”.[14]

E gjithë kjo histori feje e Imzot Vinçencit, mbështetet në fjalët e Shën Çiprianit ipeshkëv dhe martir, i cili rreth martirëve, tha: “Ngjeshini ijët me të vërtetën dhe vishni drejtësinë në vend të pancirës, mbathni këmbët me zellin e kumtimit të Ungjillit të paqes! në çdo gjë mbani në dorë shqytin e fesë: me zellin e kumtimit të Ungjillit të fesë: me të do të mund t’i fikni shigjetat e zjarrta të të Keqit! Merrni përkrenaren e shëlbimit dhe shpatën e Shpirtit Shenjt, domethënë Fjalën e Hyjit” (Ef 6,14-17). T’i marrim këto armë, të pajisemi me këto mburoja shpirtërore dhe qiellore që t’mund t’i bëjmë ballë dhe t’i largojmë sulmet e djallit në ditën e së keqes. Të rivishemi me mburojën e drejtësisë, në mënyrë që gjoksi ynë të jetë i mbrojtur kundër goditjeve të armikut. Këmbët tona le të mbathen dhe le të pajisemi me mësimin ungjillor. Duke filluar kështu të shkelim dhe të shtypim gjarprin, nuk do të kafshohemi dhe nuk do të mposhtemi nga ai. Ta mbajmë me vendosmëri mburojën e fesë, në mënyrë që kundër saj të shuhet çdo rrufe e zjarrtë që armiku e përplas kundër nesh. Le ta marrim si mburojë të kokës edhe helmetën shpirtërore, që t’i ruajmë veshët tanë nga dëgjimi i fjalëve vdekjeprurëse, sytë tanë nga figurat e urryeshme. Le të jetë i mbrojtur balli ynë që të ruajmë shenjën e Hyjit, goja jonë për të dëshmuar në mënyrë të virtytshme Zotin tonë Jezu Krishtin”[15].

Në shpirtin e vet intononte Himnin e Kryqit, të atij Kryqi që e mbante me aq dinjitet në parzmën e trupit të tij, si bari i Kishës e që përshkon mbarë gjithësinë:

“O Kryq, ti pajtimi i kozmosit

Ti kufiri i largësive të botës,

Ti lartësia e Qiellit

Dhe thellësia e tokës.

Ti vargoi lidhës i krijimit,

Ti largësia e krejt së dukshmës

Dhe gjërsia e ekumenës.”[16]

“Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi”

Nuk ishte vetëm puna fizike ajo që e rëndonte në ditët e burgimit, më të tmerrshme ishin dhimbjet që i sprovonte sidomos gjatë natës.

Në librin e parë të Shkrimit të Shenjtë, lexojmë: “Terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujërat. Hyji tha: le të bëhet drita, dhe drita u bë. Hyji pa se drita ishte gjë e mirë dhe e ndau dritën prej territ” (Zan 1,2-4). Imzot Vinçenci e kërkonte Dritën për të zotëruar zemrën e njeriut, dritën në të cilën e drejtoi popullin e Zotit më predikimet dhe mësimet e tij, sepse “kush i sundon njerëzit me drejtësi, kush sundon më frikën e Hyjit, është si drita e agimit” (2 Sam 23,3-4). Në netët plot dhimbje me siguri i shqiptonte edhe fjalët e psalmistit “le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrë sate” (Ps 4,7), dhe “dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: ato le të më prijnë, le të më përcjellin në malin tënd të shenjtë, në Tënden tënde” (Ps 43,3). Kërkonte dritën që është Jezu Krishti. Fjala e tij është “drita për të drejtin” (Ps 97,11). Dëshironte të jetë i përshkuar më Dritën që është vet Hyji, Drita e cila është jetë, sepse “Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi” (Gjn 1, 4-5).

Imzot Vinçenci kërkonte dritën. Dritën që shndriti njerëzimin si lajmi i gëzueshëm i lindjes së Jezu Krishtit i para lajmëruar nga Isaia profet: “populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita” (Is 9,1). Më dritën e fesë dëshironte të shndrit edhe vetë persekutorët. Dritën të cilën ai e ka pranuar si dhuratë të fesë dëshiron po më atë dritë ti shndritë errësirat e të keqes. Dritën depërtuese: “Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell” (Mt 5, 14-16).

I sëmur, i molisur nga punët e rënda, i torturuar, nuk e kishin lodhur aq, sa e mundonte mungesa të jetë mes popullit të vet. Tani, populli dhe Kisha e tij kufizohet në një dhomë prej tridhjetë metra katrorë, përplot më besimtare të rinj që Zoti ia ka dorëzuar dhe në skutat e burgut: “prej errësirës le të shndrisë drita!”(2 Kor 4,6). Duke kërkuar Dritën, të cilën errësira nuk e pushtoj, i mbajtur në tortura si Jezusi të cilit ia flijoi jetën, ai nuk e sheh këtë vend si izolim, por si një mundësi dëshmie: “O burg i lumtur, i nderuar nga prania juaj! O burg i lumtur, që nis drejt qiellit njerëzit e Zotit! O errësira, më të shkëlqyera se dielli e më të shndritshme se drita e kësaj bote, ku tani janë ngritur tempujt e Hyjit dhe gjymtyrët tuaja janë shenjtëruar nga dëshmitë hyjnore”[17].

“Unë jam hardhia ju jeni shermendet”

Imzot Vinçenci ishte i thirrur të punonte në vreshtin e Zotit. Kisha është fryti edhe i hardhisë. Nga kokrra e rrushit nxirret vëra. Martirizimi është “shtrydhësi” prej nga Kisha nxjerr verën e shenjtërisë. Shën Augustini duke kundruar misterin e Kishës, ofron një thellësi teologjike të rrallë të simbolit të verës dhe shtrydhësit. Rreth saj thoshte: “Vila e parë e rrushit e shtrydhur në presë është Krishti. Kur vila shtrydhet rrjedhë vera. Nëse nuk pëson këtë ‘shtrydhje,’ajo qëndron si e shterpë, nuk nxjerr asgjë nga vetvetja. Nëse mendon të mos vuash nga kurrfarë persekutimi, nuk ke filluar ende të jesh i krishterë. E ku qëndron atëherë fjala e apostullit: “Të gjithë ata që duan të jetojnë plotësinë në Jezu Krishtin, do të vuajnë persekutime? Kur fillohet të jetosh në plotësinë e Krishtit, duhet të hysh në shtrydhës. Përgatitu për fermentim që mos të jesh i thatë dhe që nga fermentimi do mos rrjedh asgjë”[18].

Imazhi i vreshtit në traditën Biblike, paraqet jetën e popullit të Hyjit: “Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E thuri, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin” (Is 5, 1-2).

Jezusi dhuron një pamje edhe të thellë, kur thotë: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë fryt. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të jap fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen” (Gjn 15, 1-6).

Vjelja është e dhimbshme. Pa dhembjen e shtrydhjes dhe shkeljes, nuk jepet fryti për të cilin jemi mbjellur.

Imzot Vinçenci, si martir hyri në shtrydhës dhe u fermentua për Krishtin dhe Kishën e tij. Martirizimi është fryt i një procesi të fesë. Lind nga thirrja e Zotit. Martirizimi i Imzot Vinçencit është modeli i shenjtërisë, në shekullin më të errët në të cilin ka jetuar Kisha në Shqipëri dhe në mbarë botën. Figura e martire e Imzot Vinçenc Prennushit, kërkon nderimin dhe dashurinë: “populli i krishterë e kremton përkujtimin e martirëve me një kremtim të devotshëm, qoftë për t’u bashkuar me meritat e tyre dhe për të marrë ndihmë prej lutjeve të tyre. (…) Ne, pra, i nderojmë martirët me atë kult dashurie dhe bashkimi me të cilin edhe në këtë jetë i nderojmë njerëzit e shenjtë të Hyjit, zemra e të cilëve ne e ndiejmë se janë të gatshme për martirizim për shkak të së vërtetës së Ungjillit. Por, martirëve që janë fitimtarë në jetën e lumtur, pasi që i kanë kaluar të gjitha provat, ua ngrisim lavdinë tonë më të përshpirtshëm”[19].

Martirët janë shenjë e pranishmërisë së Hyjit në jetën tonë. Ata janë dëshmitarët më të përkryer të dashurisë së Hyjit dhe kurora e lumturive në botë. Nga gjaku i martirëve do të lulëzojë Kisha jonë: “Historia e Shqipërisë shkëlqen me emrat e martirëve që morën pjesë në një mënyrë të veçantë në kryqëzimin dhe ringjalljen e Krishtit. Është Krishti që ka vuajtur në Martirët e vet, në Ipeshkvijtë dhe në Meshtarët, në Rregulltarët dhe Rregulltarët e në personat e shuguruar, dhe në të gjithë ata që në tokën tuaj, kaluan një përvojë vdekjeje tronditëse, që shkroi me dhimbje historinë e kohëve të fundit”[20].

Gjaku i martirëve dhe vuajtja e çdo besimtari është rimëkëmbja e Kishës sonë: “O e lumtura Kisha jonë, që Hyji vazhdon të ndriçojë dhe të nderojë me aq dinjitet, Kisha jonë që edhe në kohet tona është bërë e shkëlqyer nga gjaku i lavdishëm i martirëve! Më parë ishte e dëlirë në veprat e vëllezërve, tani u bë krejtësisht e bardhë më gjakun e martirëve. Mes luleve të saj nuk mungojnë as zambakët as trëndafilat. Çdonjëri prej nesh le të aspirojë drejt nderit të lartë dhe të dyfishtë, duke u përpjekur të ketë së paku kurorën e veprave, ose atë krejtësisht të pastër të martirizimit”[21].

Imzot Vinçenci e ndriçoi Kishën me dëshminë e tij. Ai i qëndroi besnik mandatit apostolik, pa e fshehur frikën e vdekjes, por që nuk i braktis delet e veta, as vathën që është vetë Kisha.

Dëshmia e vdekjes së tij është e përshkruar me trishtim e dhimbje: “Ipeshkvi Prennushi u arrestua në selinë e Durrësit, u gjykua pasi i’u nënshtrua torturave dhe u dënua me njëzet vjet burg dhe punë të detyruar. Në fund, në burgun e Tiranës, e detyronin të merrte pjesë – i zhveshur – në disa gjimnastika e vrapime. Meqenëse nuk mundi ta bënte këtë prej moshës dhe peshës së tij, e goditën me shuplaka e me shkopinj në çdo pjesë të trupit, derisa e kthyen në kufomë. Për ta marrë kufomën e tij u angazhua don Marku: mezi e mori lejen për këtë gjë. Kur mundi të hynte në burg e gjeti kufomën të hedhur mbi një tryezë të ngushtë, me kokën e gjoksin nga njëra anë dhe këmbët nga ana tjetër, të varura, në gjendje rrëqethëse”[22].

Papa Françesku në vizitën e tij apostolike në Shqipëri më 21 shtator 2014, ndër të tjera kujtoi së si shqiponjat fluturojnë lartë duke mos e harruar folenë. Martirët janë si shqiponja që nuk e harrojnë folenë – Kishën, në të cilën u rilindën për të fluturuar lartë, lartë deri në Mbretërinë e Qiellit.

I lumi imzot Vinçenc Prennushi: lutu për ne!/*drita.info(E dergoi per Gazeten Dielli-autori)

———————————————–

[1] Shën Tomë Akuini, Shtjellime mbi Gjonin, në Liturgjia e Orëve, IV, Tiranë–Shkodër-Prishtinë, 2006, f. 113.

[2] Gjon Pali II, Fjala e Atit të shenjtë në aeroportin e Rinasit, në D. Xhuxha, Papa në Shqipëri, Drita, Prizren, 1995, f.17.

[3] Atë Leonardo Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushim, me shokë martirë, Arqipeshkvia metropolitane Shkodër-Pult, 2016, v. I,  f. 38.

[4] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, f. 38-39.

[5] Shën Cipriani, Drejtuar Fortunatit, në Liturgjia e orëve, IV, f. 1345-46.

[6] Shën Bonifaci, Letrat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1606.

[7] Di Pinto, Imzot VinçencPrennushi, f. 30.

[8] Shën Bonifaci, Letrat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1607.

[9] Shën Augostini, Nga Ligjëratat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1744.

[10] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, f. 38.

[11] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, f. 41.

[12] Shën Augostini, Fjalimet, në Liturgjia e orëve, IV, f. 1143.

[13] Shih. Arshi Pipa, Kujtim mbi Vinçenc Prennushin, Tiranë, Shkurt 1947. ID., “Fali o Zot, nuk dinë çka bajnë. Monsinjor Vinçenc Prennushi in memoriam”, Tiranë, 28 shkurt 1995.

[14] Shën Martini I, Papë, Letrat, në Liturgjia e Orëve, f. 1478:

[15] Shën Çipriani,  Letra, në Liturgjia e Orëve, II, f. 1475.

[16] P. Kola, Kryqi. Shenja e papërmbysur e fitorës së përkryer, Fjala Hyjnore – Misioni Katolik Shqiptar në Austri, Prishtinë – Vjenë, 2011, f. 26.

[17] Shën Çipriani, Nga Letrat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1712.

[18] Shën Augostini, Enarr. In Ps. 55, 3.4, në Opere di Sant’ Agostino, Città Nuova, Roma 1968.

[19] Shën Augostini,  Traktati kundër Faustit, në Litrugjia e Orëve, I, f. 1019.

[20] Gjon Pali II, Pretku i Atit të shenjtë gjatë Meshës në Katedralen e Shkodrës, f. 26-27.

[21] Shën Çipriani, Letrat, në Liturgjia e Orëve, IV, fq.1157.

[22] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, fq. 49-50.

Filed Under: Politike Tagged With: Don Pal Tunaj, Imzot Vincenc Prenushi, martir

Kush është në gjendje t’u përngjajë martirëve?

May 29, 2020 by dgreca

Marije Tuci – “Virgjëra që i skuqi buzët e veta me gjakun e Qengjit”-/

Nga Don Pal Tunaj*/

“Me virtyt të pastër mposhti/

vesin e lig të trupit, /

përçmoi joshjet e botës,/

gjurmët e Krishtit ndoqi.”[1]/

“Kur shlyhet fytyra, shlyhet edhe kujtesa”/

Marie Tucit, rishtarja stigmatine, lindi në Rrëshen-Mirditë, 12. 03.1928. Pra, kjo dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq më 24 tetor të vitit 1950 në Shkodër.

Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjen e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin. Kujtojmë se Marie Tuci, mirditore, është e vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e 38 martirëve shqiptarë të cilët, më 5 nëntor 2016 në Shkodër u shpallën të Lumtur. 

“Të drejtohem ty, që vjen prej popullit, prej njerëzve të thjeshtë, por që i përket radhës së Virgjëreshave. Në ty shkëlqimi i shpirtit ndriçon përmbi bukurinë e jashtme të personit. Për këtë arsye ti je një shëmbëllesë besnike e Kishës”[2].

Kur e lexojmë biografinë e saj, e para që bie në sy është mosha e re dhe besnikëria e saj ndaj Jezu Krishtit; fotografia e një vajze më flokë bishtaleca, e cila i vuajti torturat më çnjerëzore që janë kryer mbi trupin e saj. Qëllimi i persekutorëve ishte që ta shpërfytyrojnë fytyrën që shndriste pamjen e Krishtit. Fytyrë cilën duhet shpërfytyruar; vetë hetuesit që e torturonin, i kishin bërë një premtim: “Do të të shpërfytyroj deri në atë pikë, sa as familja jote nuk do të të njohë”,[3] sepse “fytyra është kujtesa e njeriut, që e gjurmon fytyrën dhe mbahet gjallë përmes saj. Kur shlyhet fytyra, shlyhet edhe kujtesa. Fytyra e mban gjallë kujtesën e njeriut. Kur njeriu kujton fytyrën e tjetrit, bëhet i gjallë. Të kujtosh, domethënë, të jetosh”[4].

Torturuesit në emër të urrejtjes ndaj fesë dëshirojnë të shpërfytyrojnë jo vetëm fytyrën e personit, por edhe fytyrën e fesë, kujtesën, sepse njeriu është shëmbëllesa e Hyjit (Zan 1, 26). Veronika, duke ia fshirë fytyrën Jezusit, ajo dëshiron ta ruajë kujtimin e fytyrës së Jezusit: “Fytyra është mahnitja e parë dhe më e thellë e njeriut (…) vetëm njeriu di t’i mahnitet fytyrës. Fytyra është mahnitje e pambarueshme e njeriut, meqë dhe vetë fytyra e njeriut është e pambarueshme (…) fytyra është vatra e parë e bashkësisë njerëzore. Përmes saj krijohet bashkësia. Bashkësia është tërheqje e njeriut ndaj fytyrës së tjetrit. Kjo tërheqje krijon vatrën e vërtetë të bashkësisë mes njerëzve”[5]. Kjo bashkësi që krijohet nëpërmjet fytyrës është pengesa dhe lufta më e madhe e sistemit komunist-ateist, sepse nuk dëshirojnë që nëpërmjet fytyrës si fytyra e Hyjit të ruhet bashkësia, të njihet njeriu me tjetrin dhe “gjithë ligësia dhe brishtësia e një ideologjie hetohet sidomos përmes shtypjes që bën ndaj një bashkësie tjetër. Sa më i rreptë të jetë nënshtrimi që i bëhet një bashkësie (pse të mos themi edhe vetë personit), aq më tepër shfaqet ligështia e saj. Ideologjitë, së pari ligështohen përmes ushtrimit të nënshtrimit dhe shpenzohen pikërisht nga ky nënshtrim. Ditët e tyre mbarojnë me po atë shpejtësi, që nguten për të nënshtruar bashkësinë ose personin nën kthetrat e ideologjisë së tyre”[6].

Torturat më poshtëruese duke e shpërfytyruar, e nxjerrin më shumë qëndresën, butësinë, durimin, sepse: “Është dita e lindjes së një virgjre për qiellin: ta ndjekim paprekshmërinë e saj. Është dita e lindjes së një martireje: ta ofrojmë porsi ajo flinë tonë. (…) Një lloj i ri i martirizimit! Nuk ishte ende e aftë të pësonte mundime, e pra ishte e pjekur për fitore. Lufta ishte e ashpër, por kurora e lehtë. Mosha e re dha një mësim të përsosur të forcës. Një nuse e re nuk shkon me aq shpejtësi në dasmë si shkoi kjo virgjër në vendin e martirizimit të saj: e hareshme, e shpejtë, me kokë të mbushur jo më kurora, por më Krishtin, jo me lule, por me virtyte. (…) Me çfarë kërcënimesh nuk iu kërcënua magjistrati për ta frikësuar, dhe më çfarë joshjesh nuk iu drejtua për ta bindur, dhe për sa kërkues të dorës së saj nuk i foli ai për ta larguar nga vendimi i saj! Por ajo: “është fyerje për Dhëndrin të presësh një dashnor. Mua do të më ketë ai që më kërkoi i pari. O vrastar, përse ngurron? Le të vdesë ky trup: të cilin mund ta duaj dhe ta lakmojë ai që unë nuk e dua. (…) në të njëjtin person, pra, e keni një martirizim të dyfishtë: të pastërtisë dhe të fesë. Mbeti virgjër dhe e fitoi palmën e martirizimit”[7]. Kjo përgatitje për martirizim buron nga dëshmia e martirëve që ishin vrarë dhe ndaj të cilëve ajo nuk qëndronte pa nxjerr frytin e gjakut të tyre si forcë për të dhënë edhe ajo dëshmi. Edhe pse vajzë e re, Marije Tucin hetuesit e munduan, tentuan ta joshnin në të gjitha mënyrat, mbi të e shkarkonin tërë hidhërimin me tortura, në shpërfytyrimin e saj shkëlqente pastërtia: “Në ty shkëlqimi i shpirtit ndriçon përmbi bukurinë e jashtme të personit. Për këtë arsye ti je shëmbëllesë besnike e Kishës”[8].

Kapitulli më i dhimbshëm që përfshin periudhën e gjysmës se dytë të shek. XX në Shqipëri mbetet tortura mbi gratë dhe vajzat e reja, që është një kapitull i pahapur: “Shumë prej këtyre historive, si skelete qëndrojnë të mbyllura hermetikisht, ende të shpërfillura apo të panjohura, në raftet e Sigurimit”[9], por martirja e re dha shembullin e përcaktimit të saj që i përket Krishtit: “Është virgjëra që i skuqi buzët e veta me gjakun e Qengjit dhe e ushqeu shpirtin e vet me meditimin mbi vdekjen e të dashurit të vet hyjnor”[10].

Dhuna ndaj saj ishte tepër barbare, qëllimi i torturuesve ishte për ta çnjerëzuar, “një grua aq e madhërishme, të cilën shpirti i ndytë e kishte frikë, nuk mund të vdiste ndryshe, në mos ta kishte dashur ajo vetë”[11]. Palëkundshmëria e saj ishte e pamohueshme në shkollën e Jezusit. Ajo për Kishën tonë u bë “lulja që ka çelur në pemën e Kishës, janë xhevahir dhe margaritar hiri, gëzimi i jetës, objekt lavdërimi dhe nderi, dhuratë e plotë dhe e pandërrueshme e Hyjit, shkëlqim i shenjtërisë së Zotit, pjesa e zgjedhur e grigjës së Krishtit. Kisha nënë ndien gëzim të gjallë për (të) dhe në (të) shpreh frytshmërinë e saj shpirtërore”[12].

“Le të mësojë fëmijëria e mendjelehtë, dhe rinia e guximshme”

Porosia e jetës, që martirja Marije Tuci na dhuron si trashëgimi për të rinjtë dhe mbarë të krishterët, është më së miri e përmbledhur në fjalët e Papa Piut XII, në kanonizimin e Maria Gorettit. Papa me dëlirësinë dhe fenë e kësaj martire porosit: “Të mësojnë nënat dhe etërit si duhet edukuar në mënyrë të drejtë, të shenjtë dhe shumë të fortë fëmijët, që Hyji ua ka besuar atyre, dhe si duhet t’ua mësojnë urdhërimet e besimit katolik, në mënyrë që, kur virtyti i tyre të gjendet në vështirësi, të ndihmuar nga hiri i Zotit, të mund të dalin ngadhënjyes, të paprekur dhe të panjollë. Le të mësojë fëmijëria e mendjelehtë, dhe rinia e guximshme të mos shkojnë drejt kënaqësive kalimtare të shqisave të tyre, pas ngashënjimit joshës të veseve, por të mësojnë të prihen, edhe mes vështirësive, drejt asaj përsosmërie të krishterë, të cilën të gjithë ne mund ta arrijmë me një vullnet të vendosur, të mbështetur nga hiri mbinatyror, me përpjekje dhe me lutje.

Me siguri nuk jemi të thirrur të gjithë të vuajmë martirizimin, por të gjithë jemi të thirrur të arrijmë virtytin e krishterë. Virtyti kërkon forcë, që, nëse nuk arrin në shkallën heroike të kësaj vajze, s’do të thotë se kërkon kujdes më të vogël çdo ditë, të zellshëm sa të mos lihet pas dore kurrë deri në fund të jetës. Për këtë arsye mund të quhet gati një martirizim i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm, të cilin fjala hyjnore e Jezu Krishtit na fton ta jetojmë: “Mbretëria e qiellit po depërton më vështirësi, e vetëm të fortët e shtijnë në dorë” (Mt 11,12)”[13].

Feja e Marije Tucit ishte e madhe. Një e mbijetuar dhe bashkëvuajtëse më të, dëshmon se: “Marija ishte inteligjente, guximtare, me një fe të madhe, lutej shumë në burg”[14], dhe “e mbyllur në dhomën tënde mbaje gjithmonë mendjen të ngulur në Krishtin, edhe gjatë natës. Madje çdo çast rri në pritje të ardhjes së tij. Këtë ai e dëshiron prej teje, për këtë të ka zgjedhur”[15], sepse “kështu feja në Kryqin – feja e gjallë, e shoqëruar nga kushtimi i dashur – është për ne dera e hyrjes në jetë dhe fillimi i lavdisë së ardhshme. Kryqi është përparësia jonë e vetme: “Sa për mua, mos e thëntë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën” (Gal 6,14). Ai që është vënë në anën e Krishtit është i vdekur për botën, ashtu siç është e vdekur edhe bota për të. Ai i bart në trupin e tij shenjat e Zotit (khs. Gal 6,17); është i dobët dhe i përçmuar në rrethet e njerëzve, por pikërisht për këtë është i fortë në realitet, sepse në dobësi tregohet plotësisht fuqia e Hyjit (khs. 2 Kor 12,9)”[16].

Ajo i është premtuar Jezu Krishtit

Për Marijen, “Kryqi nuk është qëllim në vetvete. Ai spikat në lartësi dhe është grishje drejt lartësisë. Pra, nuk është vetëm një simbol – por është edhe një armë fitimprurëse e Krishtit, vishkulli i bariut, me të cilin Davidi hyjnor i del përballë Goliatit të ferrit, simboli ngadhënjyes me të cilin ai troket në derën e qiellit dhe e hap atë. Atëherë vërshon ngulfi i dritës hyjnore, duke i përmbytur të gjithë ata që marshojnë në ndjekje të Kryqit”[17].

Dëshmitë mbi jetën e saj janë rrëqethëse, trishtojnë shpirtin edhe për t’i dëgjuar, ne mes torturave është ajo kur e mbyllnin në një thes me një mace të tërbuar, që rrihej më shkop që ta gërvishte e ta kafshonte edhe më shumë dhe si pasojë ta bënin të dilte nga thesi krejt të gjakosur dhe të shpërfytyruar, dhe duke e bërë propozime dhe joshje për ta përvetësuar dhe larguar nga dashuria për Krishtin dhe Kishën. E sfilitur ajo në vetvete meditonte më dhimbje, “cilat, pra janë mjetet për ta mbajtur Krishtin? Jo dhuna e zinxhirëve, jo shtrëngesat e litarit, por lidhjet e dashurisë, marrëdhëniet e shpirtit. E mban dashuria e shpirtit”[18].

Pyetjes: “Po ç’të paskan bërë kështu?” M’u përgjigj: “Më kanë bërë shumë gjilpëra”[19], ajo e cila nuk arriti të mbartë mbi kokën e vet kurorën e kushtimit në jetën e rregulltarisë, iu rezervua një kurorë tjetër e përngjashme më atë të Krishtit, jo një kurorë të bardhë e me lule, por një kurorë si mësuesi dhe dhëndri i saj Jezu Krishti, gjembat e asaj kurore të Krishtit të cilat vazhdojnë t’ia shporojnë edhe trupin e Martires.

Dashuria ndaj Virgjërës Mari ishte e madhe, kjo madhështi e dashurisë për të na vjen nga faktet: “Ndjeu fort afër vetes praninë e Nënës se Krishtit, emrin e të cilës e mbante me nder. Me të, qysh e vogël, qe lidhur fort nga devocioni i thjeshtë dhe i thellë, nëpërmjet Rruzares, që as ajo vetë s’e mbante mend kur kishte mësuar ta thoshte. Për këtë dëshmojnë edhe ato 24 kokrra të verdha, mbetje të Rruzares që i është gjetur mes gishtave kur e nxorën kufomën”[20]. Rruzarja është ungjilli i të krishterit, të cilin ungjill e mbart në vetvete, të cilën mund të recitosh në heshtjen e zemrës, pavarësisht vendndodhjes, punës, ashtu siç na dëshmon edhe Marija që mund ta mbartësh më vete edhe në burgime e salvime. Emri i saj si i Virgjërës Mari e nxit edhe më shumë në përngjasim të fesë, vullnetit të Zotit, dhimbjes së saj. Përngjasimi i saj më Virgjërën Mari dhe gjendja e persekutimit dhe dhunës që ushtrohet në trupin e saj, na dërgon drejt atij konfrontimi zanafillor më figurën e Evës, e cila ishte mashtruar dhe e nënshtruar duke u bërë e padëgjueshme ndaj fjalës hyjnore dhe u largua nga dashuria e Hyjit.

Martirja dëshiron një nënshtrim tjetër, ndaj vullnetit të Zotit, sipas shkollës së Nënës së Hyjit. Ajo i është premtuar Jezu Krishtit, sipas shembullit të Virgjërës, Nënës së Kishës: “Ashtu sikur Kryet dhe gjymtyrët janë së bashku një bir i vetëm dhe shumë bij, ashtu edhe Maria dhe Kisha janë një nënë dhe shumë nëna, një virgjër dhe shumë virgjëra, të dyja mbesin shtatzëna për virtyt të Shpirtit Shenjt pa lakmi dhe epshe, të dyja i japin Atit bij pa mëkat. Maria pa kurrfarë mëkati i lindi trupit Kokën, ndërsa Kisha në faljen e të gjitha mëkateve i ka lindur Kokës trupin. Të dyja janë nëna të Krishtit, porse asnjëra prej tyre nuk lind tërësinë pa tjetrën”.[21] Në këtë lidhje të fortë ka hyrë edhe martirja jonë më përkushtimin e saj, më devotshmërinë ndaj Virgjërës Mari, dhe lutja e Rruzares është shprehja më e lartë e dashurisë dhe devotshmërisë ndaj saj. Në gjitha misteret rrumbullakohet e tërë historia e Shëlbimit, drejtë atij shëlbim që ajo shpejt do të niset, më një fe të cilën nuk e mohoi, por si Shën Shtjefni lutej për keqbërësit: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat” (Vap 7,60) .

Dashuria dhe përkushtimi ndaj Nënës së Hyjit janë të rrënjosur në Kishën tonë, në këto rrënjë qëndron edhe lidhja e saj me të, sepse, “edhe një shpirt besnik mund ta konsiderojë veten si Nuse e Fjalës së Hyjit, nënë, bir dhe motër e Krishtit, virgjër e frytshme”[22]. Dashuria ndaj Virgjërës Mari, është dashuri ndaj asaj dashurie e cila vjen nga Hyji, i cili nuk na la të jemi vetëm bij të Eves. Dashuria jonë ndaj Virgjërës Mari domethënë të lejosh që Hyji të veprojë edhe në ne: “Hyji, pra, është Ati i gjërave të krijuara, ndërsa Maria nëna e gjërave të rikrijuara. Hyji është Ati i themelimit të botës, Maria është nëna e përmirësimit të asaj bote”[23], në këtë lidhje të stabilizuar nëpërmjet Marisë, martirja dëshiron të ripërtërijë përmirësimin e botës, atë përmirësim me dëshmi deri në derdhjen e gjakut të saj. Është një lidhje e fortë, të cilën pa syrin e fesë ajo mund të na zhduket, apo mund ta zhveshim dëshminë e fesë së saj që e vulosi deri në vdekje. Jemi të porositur nga feja e saj të hyjmë në thellësinë e besimit, që as mizoria e dhunës nuk e shkëputi nga ajo dashuri për Krishtin: “Nëse ke dëshirë që edhe ti të kesh Krishtin, kërkoje pa pushim dhe mos iu frikëso vuajtjes. Është shumë më lehtë ndonjëherë ta gjesh mes mundimeve të trupit, në duar e dhunuesve. Vërtet një herë e lirë prej duarve të dhunuesve dhe fitimtare mbi pushtetin e së keqes, menjëherë në atë çast do të vijë në takim Krishti, i cili nuk do të lejojë që provat e tua të zgjasin”[24].

Momentet e fundit të jetës i kalon në liri, në spital dhe çdo herë e mbikëqyrur. Nga kjo liri nga duart e dhunuesve, tha: “Falënderoj Zotin që ditët e fundit të jetës po i kaloj në liri”[25]. Kjo e dërgon në lirinë e Mbretërisë qiellore me dritëzën e ndezur të fesë, e cila niset drejt Dhëndrit të Amshuar, e lumtur se“luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë” (2 Tim 4,7-8).

“Kush është në gjendje t’u përngjajë martirëve?”

Ajo di se si të vdesë, këtë përgatitje e bëri nga martirët që i paraprinë në amshim. Shpërfytyrimin që e përjetoi, amshimi do t’ia ripërtërijë, sepse ajo nuk hoqi dorë nga Amshimi, nuk u nënshtrua, nuk u zmbraps, sepse “kur njeriu heq dorë nga amshimi, fytyra e tjetrit fillon të shpërfytyrohet, fillon mohimi i saj”[26]. Errësira e burgut është vendi ku për së afërmi jemi në takim me vdekjen. Sikurse qelia e burgut është e kufizuar më hapësirën e vet, ashtu fillon duke u ngushtuar ngadalë drejt një qelie tjetër që është varri. Të gjithë martirët e bëjnë këtë sprovë feje, në errësirën e burgut, e herë-herë edhe në trishtimin që e kaplon edhe trupin. “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti! Shpirti, vërtetë, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë” (Mt 26, 39. 41). Marije Tuci na lë një trashëgimi të pasur feje, mësim të madh dëshmie, ajo e sfidon sot jetën e të krishterit: “Cili moment është më i volitshëm se sa momenti në të cilin, për shkak të dashurisë tonë ndaj Hyjit në Krishtin, vihemi në pranga nëpërmjet kotësive dhe madhështisë së botës dhe bëhemi ngadhënjyes e jo të mposhtur?”[27]

Martirizimi si fenomen nuk i përket vetëm një periudhe kohore, por kjo fisnikëri më e lartë njerëzore ka qenë dhe mbetet vlerë e qëndrueshme në kohëra dhe rrethana të ndryshme. Dëshirojmë t’i japim një fytyrë martirizimit në kohën tonë, ne kemi nevojë për ta, sepse na zgjojnë ndërgjegjen e fjetur, për ta zgjuar vetëdijen e të krishterit, për ta rindezur fenë, sepse martirizimi na paraqitet në shumëllojshmëri të jetës. Martirët e shenjtë u munduan të duan edhe armiqtë: si mund të jenë pjesëtarë të tyre ata, që nganjëherë nuk dëshirojnë t’u kthejnë dashurinë as miqve të tyre?!

Pra, mos të jemi përtacë, vëllezër të dashur, për t’i ngjasuar martirëve të shenjtë aq sa mundemi, kështu që në saje të meritave dhe të lutjeve të tyre të meritojmë të lirohemi ngatë gjitha mëkatet.

Ndokush mund edhe të bëjë vërejtje: “Kush është në gjendje t’u përngjajë martirëve?” Edhe pse jo në gjithçka, megjithatë në shumë gjëra, me ndihmën e Zotit, mundemi dhe duhet t’u përngjajmë. (…)

Edhe paqja ka martirët e saj. Vërtet, të mposhtësh inatin, të largosh lakminë si helmin e gjarpërinjve, të kontrollosh krenarinë, të largosh urrejtjen nga zemra jote, të ndalosh orekset e tepërta të fytit, të mos jepesh pas pijes, e gjithë është një pjesë e madhe e martirizimit. (…) E, meqë martir do të thotë “dëshmitar”, ai që do t’i bëjë dëshmi të vërtetës, pa dyshim se do të jetë një martir i Krishtit, i cili është e vërteta”[28]. Kjo mënyrë e të jetuarit si të krishterë, na përfshin me tërë universalitetin e saj ungjillor, e cila duhet të shtrihet në gjitha sferat e saj të dëshmisë, e cila na përfshin në ekzistencën e përditshme. Kjo përfshirje e ungjillit që e jetoi Marije Tuci në gjithë formimin e saj si e krishterë edhe përpara persekutimit, nuk bëri asgjë të veçantë, përveç se i qëndroi besnike Jezu Krishtit, dhe kjo thjeshtësi ungjillore e ngriti në altarin e shenjtërimit: “E dashura bashkësi katolike e Shqipërisë, ki besim dhe shiko me optimizëm të ardhmen tënde! Ashtu si në të kaluarën ke ditur t’i mbetesh besnike të vetmit Zot, Jezu Krishtit, qoftë duke sakrifikuar edhe jetën tënde; ji tani e gatshme të marrësh menjëherë Ungjillin e dashurisë hyjnore dhe të dëshmosh me guxim të gjitha kërkesat e tija. Jep shembullin e një dashurie pa kushte, të një dashurie që është më e madhe se ofendimet që t’u bënë e që duke i harruar, është gati të falë persekutorët e vet”[29]. Testamenti i saj i fesë për ne është mision dhe detyrë ta mbajmë të gjallë dëshminë e saj, duke i përngjarë asaj në imitimin e Krishtit.

E lumtura Marije Tuci, lutu për ne!/drita.info

  • Titulli I redaksise. E dergoi per Gazeten “DIELLI” ne New York,autori.E falenderojme.

—————————————————————

[1]Himni, Për një virgjëreshë, në Liturgjinë e Orëve, I, fq.1233.

[2]Shën Ambrozi, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 1021.

[3]Atë Leonardo Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 418.

[4]Don Robert Kola, Shpalime Teologjike, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 87-88.

[5]Don Robert Kola, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 84.

[6]Don Robert Kola, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 86.

[7]Shën Augustini, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1164.

[8]Shën Augustini, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e orëve, I, fq. 1021.

[9]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 418.

[10]Shën Metodi Sikul, ipeshkëv, Ligjërata mbi shën Agatën, në Liturgjia e orëve, II, fq.1363.

[11]Shën Metodi Sikul, Ligjërata mbi shën Agatën, fq. 1409.

[12]Shën Çipriani, ipeshkëv dhe martir, Mbi sjelljen e virgjërave, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1451-52.

[13]Piu XII, Papë, Fjalimi për kanonizimin e shën Marija Goretit, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1403.

[14]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 417.

[15]Shën Metodi Sikul, ipeshkëv, Ligjërata mbi shën Agatën, në Liturgjia e orëve, I fq.1022.

[16]Shën Tereza Benedikta e Kryqit, virgjër dhe martire, Scientia Crucis, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1139.

[17]Shën Tereza Benedikta e Kryqit, virgjër dhe martire, Scientia Crucis, fq. 1140.

[18]Shën Metodi Sikul, ipeshkëv, Ligjërata mbi shën Agatën, në Liturgjia e orëve, I, fq.1022.

[19]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 417.

[20]Vep. e cit. fq. 421.

[21]Isaku nga Stela, abat, Ligjëratat, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 214.

[22]Vep. e cit. fq. 215.

[23]Shën Anselmi, Fjalimet, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 1010

[24]Shën Ambrozi, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 1022-23.

[25]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 421.

[26]Don Robert Kola, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 89.

[27]Origjeni, Nxitjet për martirizim, në Liturgjia e Orëve, III, fq.1322.

[28]Shën Çezari Arles, ipeshkëv, Fjalimet, në Liturgjia e Orëve, II, fq. 1569-70.

[29]Gjon Pali II, Predikimi gjatë Meshës në Katedralen e Shkodrës, Papa në Shqipëri, Don David Xhuxha, fq, 32.

Filed Under: Histori Tagged With: Don Pal Tunaj, Gjaku I qengjit, Marije Tuci, Virgjeria

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT