• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arkeologu i dijes filozofike – 3 vjet pa Moikom Zeqon

June 15, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Sa jetonin centaurët e pyeta një ditë Prof Moikomin ndërssa flisnim për librin e tij të fundit “Centauri i Dritës”. Buzëqeshi dhe pa u bezdisur që e kisha ndërprerë ( ky ishte gjithmonë stili ynë i i bisedës) më tha se centaurët janë krijesat që mësuan Akilin. Imagjino më tha me stilin e tij lakonik-kur u mësuan sekretin e përjetësisë Akilit,( sepse jam fort i sigurtë se nuk e kishte fituar atë duke u zhytur në lumin Stiks nga e ëma), sa duhet të jetonin vetë? Jam i bindur se sikur te rrëfenja e njohur e Saadi-ut ku mësuesi mëson 99 hile te sporti i mundjes nxënësit të vet dhe një e mban për vete kur ai do ta sfidojë, ashtu dhe centaurët i mësuan Akilit përjetësinë por me një cen të vogël, që ai mund të vritej në thembër. Nuk mund të thosha më asnjë fjalë pas këtij pasazhi që bënte bashkë dijen e lashtë antike me misticizmin e lindjes dhe e konsiderova veten me fat që kisha mundësi të bisedoja me këtë njeri që ishte një Sokrat i kohës sonë. Nuk bëja gabimin që ta quaja Platon, pasi në republikën e së ardhmes , Platoni i kishte përjashtuar poetët dhe Moikom Z , Siç nënshkruante në librat e vet i kishte bezdi njerëzit që nuk respektonin poetët.

Pjesëza e mësipërme është nga momentet e shumta që kaloja në takimet tona ku dashamirësia dhe interesi i tij jo vetëm për Muzeun Historik Kombëtar por për të gjitha fushat e dijes ishte i jashtëzakonshëm. Është vështirë që të gjesh të mishëruar në një njeri disa disiplina të dijes dhe për më tepër të gjitha ato të veshur me dëshirën për të prodhuar një kod të ri leximi, deshifrimi e intepretimi. Moikom Z e njihje që fëmijë me “Kalorësit Dardanë” dhe Heroin e tokës Nanas, për ta ritakuar sërish me poezinë e tij simbolike e jo të zakonshme në adoleshencë, e në moshën e rritur në esetë e tipit borhesian gjithë kabalizëm, teozofi e misticizëm. Portretet monografike të tij kushtuar figurave të mëdha të kombit si Naim Frashërit, Onufrit, Migjenit, De Radës, Lasgush Poradecit e së fundmi Skënderbeut kanë krijuar arketipe idesh sesi mund ti njohësh këto figura e ti ballafaqosh me kulturën mesdhetare e europiane. Moikom Z më pat rrëfyer se në të ri të tij kish dashur të shkruante me një alfabet të përbërë prej numrash ku çdo gërmë do shkruhej me numrin përkatës që zinte në alfabetin prej 36 shkronjash të gjuhës shqipe. Nuk e di nëse ia arriti ndonjëherë apo nëse la ndonjë tekst të tillë por vepra e tij sa do që shpesh duket se ka një kaos të jashtëm në vetvete është e përpiktë si një ekuacion matematikor. Parimi i rrathëve koncektrikë në veprën e tij dekunstroktohet pasi historia e filozofia në mënyrë ciklike duket se përsërisin njëra-tjetrën dhe shpesh lindin dhe njëra-tjetrën.

Në fillim të shekullit XX Fishta do ta përcaktonte Konicën si një enciklopedi ambulante të kulturës shqiptare. Njëqind vjet më vonë ishim me fat që kishim mes nesh një enciklopedi lëvizëse që gjallonte në shqip mes formulave të lashta të kabalës, misticizmit dhe traditës. Moikom Zeqo krijoi një shkollë të vërtetë poetike kur ringjalli antikitetin në një tokë djerrë si askush në letërsinë shqipe e mitologjia u bë pjesë e diskursit të përditshëm.Idolet e tij poetikë si Pindari, De Rada e Witmani i veshën një mantel prej të cilit ai sendërtoi konstelacionin e tij poetik. “Tërë poetika ime rikonstrukton të Shkuarën si një makinë për të Ardhmen” do shkruante vet në parathënien e vëllimit të XII me poezi “Miscellanea” duke na dhënë vet kodin e leximit të poetikës së tij.

Çmund të themi më tepër kur për një njeri që sfidon sëmundjen dhe me një ankth sifizian vazhdon të luftojë për të vëretetat e tij që janë dhe të vërtetat e jetës. Intelektual që në mesin e kohës lukuni kurr rrëzonin buste nga pidestale, ndryshonin data nga historia me një kurajo civile shpërthente mes parlamentit shqiptar se 29 nëntori nuk është një datë apokaliptike, nuk është e shpikur, po realitet i patjetërsueshëm. Mohimi saj të çon te satanizmi i demokracisë. Ajo është një datë e madhe uniteti dhe jo shpërbërjeje, e mirëkuptimit dhe jo e shkombëtarizimit..

Kultura jonë humbi një njeri diturak që nuk bënte pakt për të heshtur. Mes librave, tablove, vizatimeve e melodisë tënde të preferuar do të gjëmojnë sentencat e tua në latinisht ” Plaudite, amici, comedia finita est ” (Duartrokisni miq! Komedia mbaroi!). Komedi e trishtuar humbja jote miky ynë , një komedi që na kujton se duhet ti duam të gjallët pa vdekur ende. Moikom Z iu përvoll së përditshmes dhe u tret në eterin e përjetshëm të kulturës dhe gjuhës shqipe. Prej andej ku i dihet, si mendimi pitagorian që e citoje shpesh do ringjallesh në formën e Makabe Zaharias, personazhit tënd të dashur për të na rikujtuar se qytetërimi botëror është një Ars Combinatoria…Deri atëherë lamtumirë Mjeshtër!

Filed Under: ESSE Tagged With: Dorian Koci

Nacionalizmi i Lidhjes së Prizrenit

June 10, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Pothuajse në të gjithë literaturën ekzistuese rreth lindjes dhe shfaqjes të nacionalizmit mes shqiptarëve nënvizohet fakti se kjo rrymë pati vështirësi për tu përqafuar nga ta dhe se u zhvillua më vonë se në etnitë dhe popullsitë e tjera të Ballkanit. Në këtë përcaktim dhe konkluzion arrihet duke pasur parasysh faktin se shqiptarët formuan të fundit shtetin e tyre kombëtar në Ballkan dhe se procesi i formimit të kombit shqiptar rrjedhimisht ishte më i ngadalshëm. Ky konstatim sigurisht që mbulon një pjesë të madhe të së vërtetës por duhen nënvizuar disa aspekte që meritojnë vëmendje, të cilat përpiqen që nacionalizmin dhe zgjimin kulturor te shqiptarët ta shtyjnë përtej datës së dërgimit të letrës së Naum Veqilharxhit, nipit të vet Jani Cales, datë dhe letër që përgjithësisht nga historiografia zyrtare shqiptare mbahen si datat e fillimeve të zgjimit kulturor të tyre dhe vitit 1878, vitit emblematik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që mbahet si viti i shprehjes së nacionalizmit shqiptar.

Kështu p.sh studiuesi Dritan Egro në artikullin e vet “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” duke u nisur nga një ngjarje e shënuar e afirmimit të kombësisë shqiptare si ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nënvizon faktin se zhvillimet politike ndërkombëtare që çuan në krijimin Lidhjes së Prizrenit nxorën në pah një nivel të avancuar jo të mendimit, por të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar. Kjo na bën të mendojmë se format më të hershme të tij duhet t’i kërkojmë edhe më herët. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shënohet atëherë kur një individ apo një grup individësh shpallin se ai komb ekziston dhe ai/ata individë marrin përsipër ta provojnë një realitet të tillë. Pra, gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli lind kur lind mendimi politik për të jetuar më vete, kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare. Pikërisht kjo ndarje midis mendimit dhe veprimit besoj se është thelbësore për të trajtuar fillesat e nacionalizmit shqiptar, parë kjo dhe në një rrafsh krahasues sidomos me zhvillimet e Revolucionit Grek, si revolucion që tronditi gjithë botën Ballkanike.

Pas këtij zhvillimi të vrullshëm që po kalonin territoret greke që po fitonin pavarësinë prej Perandorisë Otomane, natyrshëm shtrohet pyetja se në se statusquo-ja politike ndryshon si rezultat i një konstelacioni të ri politik, është krejt e natyrshme që elementët e çdo grupi të caktuar etnik brenda një formacioni shtetëror multietnik të tentojnë të vënë në pah ato elementë që ata i bashkojnë, madje të shkojnë edhe më tej, duke insistuar për të ekspozuar veten si një grup me veçori të spikatura, të ndryshme nga të tjerat, për më tepër nga fqinjët, duke e bërë atë të jetë sui generis. Është logjike të mendosh që vetëm kështu çdo grup etnik të luftojë për të siguruar mbijetesën, madje në kushte optimale të aspirojë edhe për sundim mbi fqinjët.Të njësosh mendimin me aksionin politik si bëjnë disa studiues të huaj që kanë studiuar nacional shqiptar si Nathalie Clayer dhe Nura Bozbora përkatësisht në veprat “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” dhe “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane” është njëlloj si të thuash se nacionalizmi në Greqi lindi në vitin 1821 dhe të përjashtosh një periudhë disa vjeçare para kësaj date që e analizuam më lart.

Një mendim interesant ka shprehur dhe studiuesi e publicisti Tajar Zavalani në artikullin e tij “Nacionalizmi shqiptar” (1969). Është interesant fakti që Zavalani është i pari që tregon se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në periudhën e pashallëqeve. Gjithsesi deri më tash nuk ka akoma fakte bindëse për të mbrojtur këtë tezë dhe ndoshta një studim më i thelluar i dokumentacionit edhe në gjuhët osmanishte, greqishte sllavishte do të hidhte më shumë dritë mbi këto çështje të debatuara si p.sh dokumenti që përmend Egro në artikullin e vet të shkruar nga gjyshi i Ismail Qemal Vlorës. Interesant në këtë letër është fakti që përveçse fjalisë të “mblidhemi për të diskutuar rreth avenirit të vendit tonë” fill pas zhvillimeve të konfliktit të zgjatur greko-otoman, është dhe përdorimi i termit vatan nga një term tradicionalisht i përdorur në gjuhën politike të Islamit në kuptimin atdhe i myslimanëve (homeland of muslims), në këtë dokument përdoret me kuptimin atdhe kombëtar (patria). Ndoshta ky dokument është nga të parët në gjuhën politike osmane kur ky term pëson një ndryshim të tillë semantik.Ekzistenca e këtij dokumenti, i shkruar nga një përfaqësues i denjë i elitës shqiptare myslimane të kohës hedh dritë dhe mund të fillojë të dekonstruktojë një klishe që është vërejtur në studimet rreth nacionalizmit të shqiptarëve , ku zakonisht zgjimi kombëtar dhe kulturor është parë më së pari në pjesët e popullsisë shqiptare që i kanë përkitur besimeve kristiane dhe më vonë në ato që i përkisnin besimit islam. Kjo tendencë për ta parë zgjimin kulturor dhe aksionet politike të shqiptarëve në këtë lloj mënyre shpesh herë ka theksuar partikularizmin e ndjenjës nacionale dhe identitetit kombëtar të popullsisë shqiptare sesa unitetin shpirtëror që mesa duket zotëronte kjo popullsi, përderisa në fillimet e shekullit të XX mundi të krijonte shtetin e vet kombëtar të bazuar në modelin e shtetit komb dhe të inspiruar nga nacionalizmi.

Para rendësja e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kuvendi në të cilin nacionalizmi shqiptar u shpreh në një formë të pjekur e të maturuar, me kërkesa të qarta për autonomi dhe zhvillim kombëtar. Në politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e themelimit të saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu, shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e historisë nuk duhej nënvlerësuar.

Burimet:

1-Natalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përpjekja:Tirana, 2009

2-Historia e Popullit Shqiptar.Vëllimi i II. Toena:2002

3-Myslim Islami. Jeta e Naum Veqilharxhit. Shtëpia botuese 8 Nëntori: Tiranë. 1978

4-Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Botim II, Phoenix, Tirane, 1998

5- Nura Bozbora. Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane. Dituria: Tiranë, 2002

6- Dritan Egro “Rrënjët e nacionalizmit shqiptar” Gazeta Panorama, 5.03.2009

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

Bota kulturore arbëreshe në gazetën “Shqiptari i Italisë” (1848)

June 9, 2023 by s p

Nga Dr. Dorian Koçi/

Në shekullin XIX,emërtimin etnik mesjetar për shqiptarët – arbër -kujtesa kolektive e ruante si një kujtim të largët. Më së shumti, ky emërtim përdorej dhe lëvrohej në qarqet e elitës së shkolluar shqiptare, kryesisht në ato që përdornin latinishten dhe kishin njohuri për epopenë arbre të Skënderbeut në shekullin XV, falë leximit të veprave të Barletit apo dhe disa emërtimeve dhe toponimeve që kishin mbetur. Kështu, një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së Mesme – që nga Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës – pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën. Ndërkaq, “mal e arbën” përdoret atje për “male e fusha”. Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh. Ndërkaq, Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjendet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit XVIII prej të shpërngulurve nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është dhe emri i një katundi afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë – midis qyteteve të Vlorës, Gjirokastrës e Delvinës – dhe po ashtu, “arbëreshë” e “arbërorë”quhen banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, por me trajta të ndryshme (arbën, arbër, arbëresh, arbëresh, arbnuer, arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin, në dallim nga arumuni ose nga ndonjë anëtar i ndonjë popullsie tjetër ballkanike.

Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës, erdhi dhe u mbulua nga emri i ri “shqiptar”, “Shqipëri” dhe ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Shkaqet për kujtimin e zbehtë të emërtimit etnik shumë të rëndësishëm në Mesjetë për gjithë Gadishullin Ballkanik nuk janë plotësisht të njohura. Gjithsesi, mund të supozojmë se, pas shkatërrimit të Arbërisë mesjetare dhe pushtimit të saj nga otomanët, gradualisht humbi dhe koncepti i një Arbërie të krishterë, të organizuar me institucione dhe entitet shtetformues që bazohej në qytetërimin europian të kohës dhe, përkundrejt gjithë këtij ndryshimi thelbësor, nisi të merrte jetë një simbiozë tjetër kulturore që përfshinte tashmë edhe elemente të rëndësishme të qytetërimit osman. Por nëse në vetë territoret arbre ky toponim sa vinte dhe zbehej për vetidentifikimin e popullsisë përkundrejt Arbërisë mesjetare, në Italinë e Jugut, por edhe në Greqinë kontinentale dhe ishuj, si pasojë e emigrimit të hershëm të popullsisë arbre, ky emërtim dhe kjo kulturë gjallonte fort, pavarësisht trysnive të forta kulturore të helenizmit dhe kulturës italiane të iluminizmit dhe romantizmit.

blank

Mjeku Tasos Nerucos, njëri nga veprimtarët e hershëm arvanitas shqipfolës që rindërtoi saktësisht në të folurën arbëreshe athiniote dy poezitë popullore të mbledhura nga Bajroni dhe Hobhousi,sipas një kërkese të albanologut Meyer, i shkruante këtij të fundit më 1888 se arbëreshët e Greqisë nuk i njihnin fjalët “shqip”, “shqiptar” e “Shqipëri;veten ata e quajnë “arbër”, dhe “arbërorë”, kurse atdheun e të parëve të tyre “Arbëri” dhe “Arbëni”. E njëjta gjë mund të pohohet dhe për arbëreshët e Italisë, të cilët,po ashtu, kishin emigruar që herët në Italinë e Jugut. Emigrantët arbëreshë që u ngulën në Itali në mesjetë, gjatë dhe pas vdekjes së Skënderbeut, vazhduan dhe vazhdojnë të identifikohen qartas mes njëri-tjetrit me emrin “arbëresh”. Me po këtë emërtim unik, “arbëresh”, u thirrën jo vetëm shqiptarët që emigruan nga territoret e Arbërisë dheu vendosën në brigjet italike, por edhe refugjatët shqiptarë që banonin prej dekadash emigrimi në territoret kontinentale dhe ishullore greke. Midis popullsive arbre që vinin nga Arbëria mesjetare dhe nga Greqia kontinentale apo ishujt nuk ekzistonin dallime të mëdha esenciale, ngaqë të dyja i përkisnin të njëjtit grup etnik. Ajo që binte në sy më së shumti ishte se mes tyre gjendeshin larmishmëri kulturore mbi çka ata përfaqësonin.

Shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX ishin shekujt ku Europa, nën ndikimin e iluminizmit dhe romantizmit, filloi procesin e rivlerësimit të së kaluarës antike dhe mesjetare të kontinentit, si dhe epoka kur do të fillonte të ngjizej ideja për të krijuar shtetet kombëtare. Italia dhe shtetet italiane me kryeqendra të ndryshme,por të ndikuara pothuajse njëlloj nga iluminizmi dhe romantizmi, nuk do të mbeteshin jashtë këtyre proceseve kulturore dhe politike. Kësisoj është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi veprimtaritë revolucionare: së pari, formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë i ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim dhe; së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore. Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë dhe të Europës Lindore të shekullit XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje europiano perëndimore: liberalizmi, që buronte nga idetë e iluminizmit në shekullin XVIII, si dhe nacionalizmi. Këtë kontribut kulturor dhe intelektual për formimin e idesë së shtetit italian dhe vetëdijes kombëtare mes popullsive e përforcuan disa përvoja historike, ku mes tyre shquante përpjekja për të ndalur procesin e asimilimit të popullsisë arbre në Itali, bashkë me pasojat që mund të sillte. Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, këto përpjekje zgjuan tek arbëreshët vetë imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Europë. Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturortë teorisë së nacionalizmit.

Këto nisma ishin të drejtuara kryesisht nga përcaktimi i alfabetit dhe i rregullave gramatikore të gjuhës shqipe, si dhe në mbledhjen e rapsodive, këngëve popullore dhe studimeve mbi folklorin. Por nuk mungonte edhe ideja e pavarësimit të Shqipërisë. Pararendës të lëvizjes që po ndiqnin pavarësinë e Shqipërisë ishin studiuesit e njohur shqiptaro-italianë, si Jeronim de Rada, veprimtar sidomos që prej vitit 1848, me gazetën e tij “Shqiptari i Italisë” e më pas me botimin periodik Flamuri Arbrit, 1848-1887. Krahas tij, kishte edhe një brez të tërë arbëreshësh të angazhuar nëçështjen shqiptare, si Vinçens Dorsa, Dhimitër Kamarda dhe Zef Skiroi. Nacionalizmi politik i shqiptarëve u zgjua pikërisht në këto momente kur elitat kombëtariste jashtë vendit projektuan ringjalljen kulturore e politike të Shqipërisë dhe elita brenda vendit vërejti se Perandorisë Osmane mund t’i shkëputeshin territore dhe se fati i tyre politik shumë shpejt mund të përcaktohej nga kryeqendrat e tjera të pushtetit në Europë.

Rilindja Kombëtare Shqiptare synonte: në fushën politike – të çlironte atdheun nga robëria e huaj shekullore dhe të formonte shtetin kombëtar shqiptar, të shtrirë në mbarë trojet shqiptare; në fushën shoqërore – të çlironte vendin nga marrëdhëniet e vjetruara feudale dhe ta shkëpuste nga prapambetja politike, ekonomike dhe shoqërore, duke vendosur rendin demokratik përparimtar, nën shembullin e vendeve të qytetëruara të kohës; në fushën kulturore – të çlironte masat nga prapambetja mendore dhe të shpejtonte zhvillimin e tyre arsimor, kulturor dhe shkencor me bazë gjuhën shqipe. Si e tillë ajo do të ishte një lëvizje revolucionare kombëtare me karakter çlirimtar, demokratik dhe iluminist. Elita intelektuale kombëtare shqiptare, nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike që gjurmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme, rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kishte zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në Gadishullin Ballkanik. Gjuha dhe figura e Skënderbeut u kthyen në dy pikëtakime të botëve shqiptare në të dyja anët e Adriatikut.

Gazetaria e re shqiptare, që lindi sëbashku me përpjekjet për lëvrimin e gjuhës shqipe, luajti rol tëçmuar duke ndihmuar konkretisht në këto aspekte çështjen kombëtare. Në njëfarë mënyre ajo u bë bartëse e mesazheve përbashkuese duke forcuar idenë sesi krijimi i publikut tëmasave lexuese të një gjuhe, një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetin e krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidaritetet e tjera. Nga ana kronologjike, sipas të dhënave që kemi deri sot, njihet si organ i parë i shtypit shqiptar gazeta L’Albanese d’Italia (Shqiptari i Italisë). Kjo gazetë doli në Napoli, më 22 shkurt 1848.Ajo dilte në një format të vogël, me katër faqe. Kryeredaktori isaj ishte Jeronim De Rada, publicist dhe aktivist kulturor i shquar i kohës. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëripër vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptaree që u vendosën në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut. Gazetaria arbëreshe shfaqet si nismëe dy apo tre personaliteteve, të cilët, për motive atdhetare, kulturore e shoqërore, botonin një gazetë apo reviste (Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Françesko Stesi Petka, Antonio Argondiza etj.).

De Rada nisi të merrej me gazetariqë në moshë të re,që në 2 vitet e para të krijimtarisë së tij letrare. Prirjet e tij u panë kur Instituti Kozentin, duke e vlerësuar nga ana letrare,e emëroi në sesionin 11 prillit të vitit 1839 si anëtar korrespondent. Në rrethet letrare dhe intelektuale të atjeshme De Rada nisi të bënte emër. Pas pak vjetësh, më 1 korrik 1842, ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë Valentini. Jeronim De Rada kishte filluar të bashkëpunonte me organete shtypit në Napolit, siç na tregojnë këto burime, aty nga vitit 1836, por më 1840 ai u mor drejtpërdrejtme përgatitjen e lëndës si redaktor i së përkohshmes Viaggiatore(Udhëtari), që drejtohejnga shoku itij i afërt, DomenikoMauro. “Së bashkume këtë”, shkruan De Radanë librin Autobiologji, “botonte edhe Vincenc Padula nga Akri. Që të tre ishin të rinj dhe jeta jonëi jepte revistësvulën e saj”.“Kjo gjë solli shumë dobi”, thekson më poshtë De Rada në këto kujtime. “Ajo u përhap në tërë krahinën e Kozencës dhe lexohejnë shumë lokal edhe institucione të Napolit.”

Ajo që ia rriti vlerën De Radës, nga pikëpamja e rrugës që ndoqi si publicist,ishte gazeta L’Albanese d’Italia apo Shqiptari i Italisë. Ai nisi ta botonte këtë gazetë në pragun e ngjarjeve të mëdha politike të vitit 1848, që ishte viti i revolucioneve që shpërthyen në shtetet e mëdha të Europës kundër qeverive dhe regjimeve autokratike, si revolucioni në Francë, mëpas në Itali, Austri, Hungari etj. Këto ngjarje dhe shumë të tjera që lidheshin me konceptin e lirisë politike dhe fillesave të shtetit kombëtar do të pasqyroheshin në shtypin e kohës. Në Autobiologjinë e tij De Rada kujton: “…kisha pak të holla, por sidoqoftë atë ditë bëra kontratën me shtypshkronjën “Trani” dhe kështu doli me një letër të varfër e me një karakter të vjetër Shqiptari i Italisë. Në Napoli ajo pati pak lexues, por në krahinën e Kozencës u abonuan 150 veta.” Gazeta botohej dy herë në javë, çdo të mërkurë e të shtunë,me një format të vogële me katër faqe. Numri i parë i saj u shtypme një tirazh të kufizuar,në rreth 500 kopje(afro 300 kopjesh përndaheshin në Napoli dhe 200 kopje dërgoheshin në Kozencë). Por, pas pak koheajo e rriti tirazhin dhe fitoi popullaritet në masën më të gjerë të lexuesve arbëreshë. Shumica e artikujve u nënshkruan nga De Rada, i cili ishte edhe drejtori i saj, por në gazetë dhanë ndihmesën e tyre edhe figura të tjera të njohura intelektuale të kolonisë arbëreshe, si Francesco Antonio Santori, Vinçenzo Gallo-Arcuri, Giuseppe Petrassi, Cesare Marini, Nicola Castagna, si dhe bashkëpunëtorët Vincenzo dhe Achille Dorsa, Françesco Candreva e Tommaso Lopez.

Ndikimi i gazetës Shqiptari i Italisë filloi të ndihej në qarqet intelektuale arbëreshe. Më 7 maj 1848, Anxhelo Ferrialo i shkruante De Radës që “ti dërgonte 1,9,10 dhe 21, të cilat përmbajnë artikuj që më pëlqejnë”. Ndërsa Gaetan Kantivani nga S.Markoi shkruan më 3 mars 1848:“Kam marrë dy numrat e parë të gazetës Shqiptari i Italisë dhe pothuajse shpeshherë i kam lexuar dhe rilexuar duke qarë…Nuk ka shqiptar që të mos ushqejë ndjenja të tilla për një ndërmarrje që nderon gjuhën e Epirit”.Një intelektual tjetër arbëresh, Luigi Valentini, i shkruan De Radës për t’u pajtuar në gazetë për gjithë vitin. Ai njeh në të njëjtën kohë edhe kontributin e paçmuar të gazetës, kur shkruan: “…ju do të mbani në lidhje në këtë rast arbëreshët e Italisë me ata të Shqipërisë”.

Përpara se të fillonte botimin e gazetës Shqiptari i Italisë, De Rada e kishte krijuar ndërkohë fizionominë e poetit të botës arbëreshe. Ai ishte një figurë qendrore e letërsisë dhe kulturës arbëreshe të shekullit XIX që, ndryshe nga paraardhësit e vet, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij Këngët e Milosaos(1836), por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Këtë integrim ai e arriti falë angazhimit të tij të pandërprerë në qarqet kulturore italiane,por edhe falë krijimtarisë së tij të pasur letrare. Një ndër veprat e tij më të rëndësishme është Këngët e Milosaos (1836,1847, 1873).Poema nuk është cilësuar thjesht si një poeme lirike, por përmes saj bëhet thirrje për bashkim e qëndresë, duke na dhënë një pasqyrim poetik të mbështetur në kujtesën kolektive të betejave që ishin zhvilluar nga arbrit kundër osmanëve. Poema ka rëndësi të madhe historike sepse me të fillon letërsia artistike, laike, demokratike dhe kombëtare shqiptare. Ajo çfarë e përshkon veprën është karakteri patriotik. Pak më vonë gjejmë Këngët e Serafina Topisë (1839,1843,1898), një pjesë të së cilës e botoi edhe në gazetën Shqiptarii Italisë. “Kjo vepër u vlerësua për mbajtjen gjallë të traditës arbëreshe në dhé tëhuaj. Deri më sot njihen katër variante të kësaj vepre. Botimin e parë të një pjese të saj e gjejmë më 8 tetor 1836 në të përkohshmen Omnibus”. Në gazetë është botuar Kënga XV në të dyja variantet, italisht dhe arbërisht,çka përbën jo vetëm një dokument të rëndësishëm gjuhësor, por është dhe një dëshmi sesi vetëdija kombëtare ndër arbëreshët gjeti vend në shtypin e shkruar. Heroina kryesore e veprës, Serafina Topia, përkundet mes ndjenjës dhe sakrifikimit për familjen e atdheun, një temë tipike e romantizmit arbëresh, që ndikoi e rrezatoi më vonë dhe në letërsinë shqipe. Po ashtu, Serafina Topia mishëron idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin e njeriut të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme. Edhe pse një personazh i krijuar nga De Rada, ajo është gdhendur sipas tipareve kulturore e fizike të bashkësisë arbëreshe, duke u shndërruar kështu në një simbol të grave të kësaj bashkësie.

Vargu i De Radës mbështetet në poezinë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe atyre më të hershme në Greqi. Mungesa e rimës në to është treguesi kryesor i hershmërisë dhe origjinës së njëmendtë popullore të tyre. “Pa rimë, pa strofa”, thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale italo-shqiptare, “siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë, por përherë me vargje tetërrokësh të lirë, të përzierë me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh;që të gjithë të marrë sëbashku krijojnë një harmoni të këndshme, por monotone”.

Në faqet e gazetës Shqiptari i Italisë janë botuar mjaft shkrime e madje pjesë nga poema të ndryshme, si Vallja e Haresë së madhe e Antonio Santorit.Në këtë poemë trajtohet mënyra e sjelljes në çdo festim publik, ku të gjithë në qytet, tëmbështetur nga të afërmit e gjakut dhe të veshur në mënyrën e tyre tradicionale, zbresin në rrugë duke marrë dorën e njëri-tjetrit dhe interpretojnë një këngë të shoqëruar nën masat e disiplinuara të hapave, duke u sinkronizuar në një mënyrë të unifikuar me njëri-tjetrin. Gazeta ishte një tribunë e arbëreshëve, ku përmes shkrimeve të larmishme publicistike paraqiteshin edhe çështjet kombëtare. Në artikujt e saj gjetën vend disa nga idetë që ushqyen më vonë veprën e De Radës, por edhe mendimin filozofik, estetik dhe letrar shqiptar. Kështu, për shembull, zanafilla e idesë së lidhjes së korit antik të tragjedisë dhe komedisë greke me ritet popullore shqiptare gjendet ne artikullin “La Ridda della grande festa”, fq. 9, shkruar nga Antonio Santori, kur përshkruhet kori, i cili, sipas tij,ishte themeli i tragjedisë së Tespit, por që vjen duke u zgjatur deri te ritet shqiptare.

Pasqyrimi i riteve arbëreshe zuri një vend të rëndësishëm në gazetë, sepse, sipas romantikëve, studimi i folklorit do të bënte të mundur krijimin e modeleve të vektorëve historikë të së shkuarës, por që mund të përsëriteshin në të tanishmen. Intelektuali arbëresh Akile Dorsa përshkruan ritin e festimeve të përvitshme arbëreshe që mbanin gjallë figurën e Skënderbeut dhe Krujën, kryeqytetin e tij. “I dashur mik, këtë vit tri ditët tona të Pashkëve i festuam me një entuziazëm të pazakontë. Ju që jeni shqiptar, nuk keni nevojë të pikturoni entuziazmin dhe jetën e jashtëzakonshme të këtij populli heroik, si një komb që ju e njihni mjaft nga ritet dhe zakonet e lashta që ende lulëzojnë. Shfaqja filloi si zakonisht pas drekës, kur të rinjtë, të lumturuar nga engjëlli i Pashkëve dhe vera, erdhën nga shtëpitë e tyre dhe u mblodhën në shoqëri; ata udhëtuan nëpër vend duke kënduar bëmat e luftëtarit dhe heroit nga Kruja. Veshja e tyre orientale, shpatat pa këllëf, flamujt që valëviteshin, këngët për Skënderbeun që përsëriteshinnë dy kore, i bëri ata të njohin një komunitet të vërtetë, siç janë tashmë, të të parëve tanë, prej të cilëve të tria grupet festuese i mbajnë mend të tjerët me simbolin lart për të hapur rrugën në mes të turmës së spektatorëve, të cilët u mblodhën nga vendet fqinje në turma. Përgjatë rrugëve ju mund të shihni radhë të grave të veshura përfestën, të cilat përshkuan njëra-tjetrën me një harmoni të paefektshme të këngëve kombëtare, që nga pikat e ndryshme të këtij fshati sinkronizoheshin në një thellësi të vetme po aq hyjnore sa ndjenja e lirë që i diktoi ata. Me skena kaq të bukura, të tjerët bien ndesh me shëmtinë dhe format e tyre monstruoze.”

Përpos pasqyrimit të folklorit, letërsisë dhe gjuhës arbëreshe, De Rada do të trajtonte edhe temat e politikës së ditës, të cilat shqetësonin elitën arbëreshe e që kishin të bënin me fatin politik të Italisë. Në numrin 27 të datës 3 korrik 1848, në gazetë zë vend letra e De Radës drejtuar kavalier Saverio Pratit, komandantit të forcave vullnetare në frontin e Venecias kundër forcave pushtuese austriake, në të cilën i jep zemër për qëndresë e guxim në luftë. Në letër, veç të tjerave, shpalosen idetë që do të mbizotëronin më vonë në ligjërimin kulturor e politik të De Radës gjatë angazhimit të tij për çështjen kombëtare shqiptare. “Por çfarë mendimi tjetër mund të zinte vend më tepër në zemrën time”, shkruan De Rada, “sesa ideja që jam shqiptar, se e kam dashur më tepër se çdo gjë mëmëdheun, se e kam për zemër dhe të shenjtë, para së gjithash gjuhën që është shprehje e shpirtit tim dhe pa shikuar madhërinë e pashoqe të saj, edhe para se ta gjeja të ngulitur në shpirtin e saj kuptimin e botës së vjetër fetare.” Në materialet dokumentare të fondit përkatës në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet me kujdes si një ekzemplar i rrallë edhe numri 27 i gazetës Shqiptari të Italisë(datë 3 qershor 1848). Edhe në këtë numër ka shkrime me interes,siç është peticioni drejtuar Dhomës së Deputetëve në Napoli nga studiuesi arbëresh Jeno de Koronej, nënshkruar në emër të arbëreshëve të Kalabrisë, të cilët kërkonin të jetonin të lirëe të pavarur nga kisha e Romës që përpiqej t’i shkrinte në ritin e saj latin për asimilimin kombëtar të tyre. Në këtë dokument ata vënë në dukje karakterin burrëror dhe patriotik. “Kujtonin”, thonë ata, “se arbëreshët e parë erdhën këtu të kalitur në ndeshje të armatosura me forcat osmane. Ata erdhën të mjeruar, portë fortë në betejat kundër osmanëve dhe bënë që zëri tyretë dëgjohej në Italie sidomos në mbretërinë e Napolit, ku është ndier më afër nevoja e kësaj mbretërie për ndihmën e heronjve të vendit tonë.” Në këtë mënyrë gazeta Shqiptari i Italisë ishte kthyer në një tribunë të mendimit të lirë të botës arbërore në Itali, ku spikatnin botimi i folklorit, i krijimtarisë origjinale, si dhe përkujdesja për ruajtjen e ritit bizantin. Gazeta Shqiptari i Italisë duket se fitoi një popullaritet të madh mes bashkësisë arbëreshe dhe qarqeve intelektuale italiane që po përgatitnin Risorgimento-n, sepse në numrat e fundit arriti të botohej deri në 3200 kopje. “Kur morri vesh Francesco Krispi”, shkruan De Rada në veprën e vet Autobiologji, “më dërgoi me këmbim Apostolat-in dhe unë i dërgova të gjithë numrat që kishin dalë në atë kohë.”

Sinergjia kulturore që krijoi gazeta Shqiptari i Italisë u kthye në një humus kulturor që ndikoi në periudhat e mëvonshme të konsolidimit të identitetit kulturor të bashkësisë arbëreshe në Itali dhe në projektimin e idesë së themelimit të shtetit kombëtar shqiptar. Bota kulturore arbëreshe, nën rrjedhat e iluminizmit dhe romantizmit evropian, rindërtoi identitetin e hershëm kulturor të sjellë nga atdheu i mëparshëm për të bërë kapërcimin e madh drejt ideve të nacionalizmit dhe formimit të kombeve, çka përfshiu gjithë kombet dhe bashkësitë e tyre në diasporë të Europës Juglindore. Publicistika, mjeti më efikas i nacionalizmit në mesin e shekullit XIX, mbarti idetë kombëtare duke krijuar shtratin e duhur për triumfin e ideve liberale dhe krijimin e shteteve kombëtare, ku pa dyshim gazeta Shqiptari i Italisë është një nga themelet kryesore të këtij rizgjimi kombëtar dhe kulturor.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

Gjurme shqiptare ne Bukuresht…

May 24, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kisha e Shen Nikolles ne Bukuresht, nje kishe e ndertuar perbri nje kishe te drunjte qe nga shekulli XVII, nga Dinastia Branceavanu dhe restauruar nga Grigore Gjika IV ne 1825. Më 1908 shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço mundën të hapnin një kishë për shqiptarët. Anëtarët e kolonisë mblodhën fonde për ndërtesën e kishës dhe për pagesën e meshtarit. Si kishë u zgjodh Shën Gjergji i Vjetër, ndërsa si meshtar caktuan atë Harallamb Çalamanin. Gjithashtu me fondet e grumbulluara u ble një organo dhe u sigurua pagesa e drejtuesit të korit të kishës, që ishte një nga muzikantët e njohur prof. Kiriak. Ngjarje e shënuar ishte mesha e parë në gjuhën shqipe më 1908, ku pa dyshim kori kishtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte pjesë e saj. Shqiptarët e Bukureshtit kishin korin kishtar dhe kishin marrë me qera një sallë që bënin provat. Përveç këngëve patriotike shqiptare, kori mësoi edhe himnin e Rumanisë, i cili titullohej “Mbi flamurin tonë”. Shqiptarët e Rumanisë të entuziazmuar prej këtij himni iu lutën Asdrenit që t’i përshtaste vargjet në gjuhën shqipe. Asdreni përshtati fjalët shqipe sipas melodisë së himnit rumun dhe tekstin e titulloi “Betimi mbi flamur”. Ky himn u popullarizua shumë tek shqiptarët e Bukureshtit dhe mbërriti në atdhe me anën e Tashko Ilos dhe Hilë Mosit. Këta të fundit sollën partiturat e himnit në Korçë dhe më pas e përhapën në gjithë Shqipërinë. Hilë Mosi, i cili kishte prirje për muzikë bëri përshtatjen e himnit në gjuhën shqipe sipas muzikës rumune. Ky himn ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912.

Kjo kishe ka qene Kisha Ortodokse e komunitetit shqiptar nga 1911-1945. Ketu meshoi per here te pare ne shqip Fan Noli dhe mblidheshin te gjithe personalitet shqiptare te Bukureshtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

Albania, harta e Bünting dhe rikthimi në shtëpinë e përbashkët evropiane

May 10, 2023 by s p

Dr.Dorian Koçi/

Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan, ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon t’i hipë sipër për të rendur me të, duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane, ngazëlleu dijetarë të shumtë, që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, përfshi dhe ata shqiptarë.

“Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, që kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e një plejade të tërë atdhetarësh shqiptarë.

Shqipëria tashmë nis udhëtimin drejt “tokës së premtuar” ashtu si Evropa në mitin e vjetër. Shqiptaret besojne ne idene evropiane, ne po i rikthehemi andej prej nga na kane shkeputur dhunshem…

Ilustrimi më poshtë është hartë e vjetër e Europës e shekullit te XVI, vepër e humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582. Harta mban titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë) dhe simbas traditës klasike është e paraqitur si grua e kurorëzuar mbretereshë.

Harta e Bünting-ut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme te saj nga hartografi Johannes Putsch e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve europiane, edhe Arbërinë (Albania) e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane.

Kjo hartë ndodhet në hollin e Parlamentit Europian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë qysh me fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Europiane). Arbëria në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me përfshirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë.

Një nga vëllezërit e Europës ishte Kadmi, themeluesi i Tebës (Thiva e sotme në Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti, u ndal duke themeluar qytetin e Thivës. Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit.

Sipas Bibliotheca, libër që përmblidhte në tre vëllime gjithë mitet e antikitetit, botim shekullit të II-të pas Krishtit, në moshë të madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe së bashku me Harmoninë, duke u shndrruar në gjarpërinj, u vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës (liqeni i sotëm i Ohrit). Nga martesa e tyre lindi një djalë, Illyrion, që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.

Iliria dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike të qytetërimit europian, ndaj Arbëria, imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të rëndësishëm në hartë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Dorian Koci

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT