*Pak kohë mbasi u bë shteti shqiptar, më 1912, kur po i zihej fryma që në lindje, sidomos nga elementët turkoshakë, qytetarët e saj të zhgënjyer e shpikën formulën -“U bë Shqipëria që të plasin shqiptarët”. /
* Paç fat atdheu ynë!/
Shkruan:Skender Blakaj/
Me formulimin “dosje publike” desha të bëj dallimin me dosjet sekrete. Të parat janë ato që dihen, kujtohen e mund të shihen, kurse të dytat janë të fshehta, prandaj edhe spekulohet aq shumë me to. Dosjet, aq shpesh janë bërë temë diskutimesh të rënda, sidomos në vendet paskomuniste. Ndoshta pse quhen dosje sekrete, ato janë aq intriguese për kategoritë më të ndryshme të qytetarëve.Një pjesë e vendeve në tranzicion, si Çekia dhe Sllovakia, Sllovenia e ndonjë tjetër, janë marrë me to, kryesisht që t’i mbrojnë institucionet shtetërore nga depërtimet e protagonistëve të dosjeve. Më heret, po edhe këto ditë me to po merret intenzivisht edhe Bundestagu gjerman. Në krye të komisionit për dosjet kanë vënë një deputete nga ish-territori gjermano-lindor. Arsyet për këtë janë fort të nënkuptueshme. Në faza të ndryshme, edhe Tirana u mor me këtë çështje. Madje, edhe Bashkimi Evropian, nga frika e ngjalljes së nostalgjisë dhe të simpatisë për komunizmin, miratoi Rezolutë me te cilën dënoi krimet e komunizmit. Nga ajo Rezolutë duhet të nënkuptojmë se ky është një standard i domosdoshëm që, veçmas vendet e dala nga diktatura, ta dënojnë atë sistem të krimit.
Pjesë e këtij dënimi do të ishte edhe hapja e dosjeve sekrete. Tema e dosjeve sekrete nuk është temë e Kosovës, as e këtij shkrimi. Sigurisht edhe kësaj i vjen radha. Në qoftë se në Beograd mund të retushohen dosjet e argatëve të Serbisë dhe ata të patriotizohen shqiptarisht me ndonjë veprim të tejdukshëm, ka argumente se sigurisht që dosjet e njëjta si në Beograd, ruhen edhe në kryeqytetet e ish-republikave jugosllave.
Administrata ndërkombëtare në Kosovë ia pat dalë që në vende të rëndësishme në Kosovë t’i instalojë ish kuadrot shqiptare të Beogradit. Ata dihen, mbi bazën e veprimeve publike, pa fantazuar se çfarë mund të ketë në dosjet sekrete për ta. Krejt kjo me qëllimin që të jenë njëfarë elementi qetësues për serbët, duke qenë njerëz të tyre. Katranosja e akëcilit, duke parashikuar përmbajtje të dosjeve sekrete, nuk është produktive. Por, nuk është keq të jenë në qarkullim gjithë ato që mund të përfshiheshin brenda kapakëve që mund t’u themi “dosje publike”, në situatën kur kjo kategori bëhen pengesë e çlirimit personal e kolektiv të qytetarëve të secilit vend si Kosova. Personave, që janë ekspozuar me angazhim të sforcuar projugosllav, e antishqiptar, që kanë ndjekur, burgosur, dënuar e likuiduar, që kanë vepruar aq fuqishëm për Serbinë Republikë, që tash ia kanë zënë frymën vendit tonë me praninë e tyre në skenën politike e në media, që të mos e ndotin përcaktimin e shenjtë për Kosovën Republikë, duhet t’u shqyhet karrigia e goja.
Me turrin, trimërimin dhe insistimin që të na hipin rishtas në krye, duke hijeshuar biografitë personalisht a përmes argatëve që i kanë në politikë e në media, me të cilët i lidh litari i biografive të ngjashme, në rrethanat pa tutorë e pa sapunët e tillë, do të kundërmojnë dhe fundi e vendi i merituar për ta duhet të ishin kontejnerët politikë. Kjo nuk do të nënkuptonte as prishje, as humbje të qetësisë a të jetës së tyre, por mbrojtje të qetësisë e të jetës për qytetarët e zakonshëm, gjithsesi.
Ky është një prej parakushteve për rehati, të cilin shteti doemos duhet t’ua garantojë qytetarëve të vet. Parakusht që garanton se nuk do të na neveritet liria, pavarësia, atdheu, shteti.
Pak kohë mbasi u bë shteti shqiptar, më 1912, kur po i zihej fryma që në lindje, sidomos nga elementët turkoshakë, qytetarët e saj të zhgënjyer e shpikën formulën -“U bë Shqipëria që të plasin shqiptarët”.
Mbas njëqind vjet vetmie, urojmë që kjo copë e atdheut tonë të shprishur, Kosova jonë, këtë Vit të Ri, dhe gëzimin e mëvetësimit ta rrisë me perspektiva të zhvillimit dhe të integrimeve frytdhënëse në shkallë të kombit e të kontinentit ku jemi.
Paç fat atdheu ynë!