• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Provokacija” si maskë e paternalizmit të Tiranës ndaj Prishtinës

July 10, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Nuk është tashmë surprizë që dy kryeministrat, ai shqiptar, Edi Rama dhe ai serb, Aleksandër Vuçiç, të takohen, të bisedojnë, të shtrëngojnë duart, të qeshin, të përqafohen, të shtrëngohen me njëri-tjetrin, sidomos kur janë nën vëzhgimin e dy liderëve europianë, Merkel e Hollande. Sidomos në kur ata janë në samite të tilla si ai I Berlinit, Vjenës dhe së fundmi I Parisit pritej që të dy të betohen për miqësi, marrëdhënie shumë të mira midis të dy vendeve, të dy shteteve dhe të dy popujve. I njëjti skenar u përsërit për të pestën apo të gjashtën herë në dy vitet e fundit, njëherë në Beograd nën siglën “Provokacja”, pastaj në Tiranë nën shoqërimin e një grupi studentësh. Pa folur për takimet në samite të tjera me kinezë, rusë, rumunë e të tjera veprimtari, në të cilat të dy “liderët botërorë” të Ballkanit kanë marrë pjesë e kanë shtrënguar duart midis tyre. Kym und të konsiderohet edhe një rekord takimesh, pas rekordit të takimeve të së mërkurës që kryeministri i vendit tim bën me kryetarin e parlamentit, po të vendit tim. Që në fillim dua t’u them lexuesve se në parim takimet, bisedimet e dialogu nuk kanë asnjë të keqe. Ato janë e vetmja mënyrë për të garantuar të sotmen dhe të ardhmen e vendeve dhe popujve të rajonit tonë në paqe, stabilitet dhe siguri. E kam thënë dhe e përsëris, se interesi i shqiptarëve në Ballkan është zgjidhja e problemeve në paqe, për shkak të argumentit dhe të drejtës në anën tonë, por edhe të pafuqisë sonë për t’i zgjidhur konfliktet me konflkte e dhunë. Por në përceptimin tim afrimi dhe marrëdhënia kaq e ngushtë midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç është atipike, me dozat e një lloj servilizmi diplomatik të tipit hoxhist në periudhën kur diktatori kalonte muaj mjalti me Beogradin, Moskën apo Pekinin. Si e tillë kjo sjellje diplomatike nuk ruan ekuilibrat afatgjatë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendet respektive dhe në rajonin tonë. Tipari themelor i këtyre lidhjeve shumë të ngushta është mënjanimi nga vendimmarrja të gjysmës së popullsisë shqiptare në Ballkan, përfshirë shtetin e Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Luginës së Preshevës. Një strategji të tillë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb midis Tiranës dhe Beogradit Serbia e ka shpallur shumë kohë më parë. Madje, strategjia e anashkalimit të shqiptarëve në Kosovë e kudo në shtetet ballkanike përtej kufirit shqiptaro-shqiptar ka qenë dhe mbetet një nga strategjitë tipike të interesit, diplomacisë dhe politikës serbe. Në shtator të vitit 2012 në kthim nga Gjermania kalova transit nëpër territorin e Serbisë. Në pikën kufitare të Suboticës pyetja e parë që më bënë policët jashtë sportelit kishte të bënte me atë nëse isha shqiptar i Shqipërisë apo i Kosovës. Kur morën vesh se jam nga Shqipëria, përgjigja ishte e thjeshtë: “Ju shqiptarët e Shqipërisë jeni të mirë”. U thashë se edhe ata të Kosovës njësoj si ne janë, por kundërshtuan dhe nuk donin ta pranonin këtë fakt. Ndarja në “shqiptarë të Shqipërisë” dhe në “shqiptarë të Kosovës” është një lojë serbe e vjetër, aq sa vetë konflikti shqiptaro-serb. Madje dhe brenda Kosovës Beogradi kishte krijuar nocionet antagoniste “të shqiptarit të mirë” dhe “të shiptarit të keq”. Kjo ndarje dhe përcaktimi në të mirë dhe në të këqinj është diskurs njëqindvjeçar në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Politika dhe diplomacia serbe me këtë qasje është shfaqur jo vetëm në marrëdhëniet me Shqipërinë, por edhe me botën e civilizuar të perendimit dhe me botën antishqiptare të lindjes, duke synuar të legjitimojë dhunën e të drejtën serbe mbi Kosovën, ngase “banorët e saj, shqiptarët, janë rracë e keqe”. Përtej kësaj nuk ka munguar të shfaqet gjithashtu logjika serbe, sipas së cilës “shqiptarët e Jugut të Shqipërisë janë shumë të mirë, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë së Veriut janë më pak të mirë”, diskurs ky i elaboruar aq dukshëm në librin e ish-kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviç, “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha”, libër i cili ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në përcëptimin europian për shqiptarët. Nisur nga kjo lloj doktrine antishqiptare Beogradi hartoi strategjinë e bashkëpunimit me Shqipërinë me synimin që “konfliktin shqiptaro-serb ta zgjidhë në bisedime dhe marrëdhënie të ngushtë me Tiranën zyrtare”, shkurt me qeverinë e Shqipërisë. Në mars të vitit 2011 Boris Tadiç deklaroi nga Brukseli se, “ne do të dëshironim të zgjidhnim konfliktet historike që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet mes serbëve dhe shqiptarëve”. Këto negociata për kompromis, Tadiç i kërkoi gjatë punimeve të forumit të organizuar në Bruksel nga ‘German Marshall Fund’, forum i cili zhvillon veprimtarinë e tij në kuadër të Aleancës së Atlantikut. Ndërkohë ai u shpreh që arritjen e këtij kompromisi do të duhej ta realizonte me përfaqësuesit e shtetit shqiptar, pra me Tiranën zyrtare. Sipas tij, “një konflikt 100-vjeçar shqiptaro-serb duhet zgjidhur përmes bisedimeve direkte me Tiranën”, duke anashkaluar Prishtinën. (Cituar nga një koment i imi botuar më 31 mars 2011 në gazetën “Shqip” dhe lexuar në TV Top Channel, me titull “Kujt i shërben propozimi më i ri i Booris Tadiç”? Asokohe reagimi i kryeministrit shqiptar ishte kategorik refuzues, duke mos lënë asnjë mundësi të zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe në dëm dhe në injorim të institucioneve dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët ai i përmendi si të vetmit aktorë, të cilët mund të vendosin për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb. Sipas zotit Berisha, nëse Tirana zyrtare do të merrte përsipër zgjidhjen e këtij konflikti në bashkëpunim me Beogradin, atëherë ajo do të merrte përsipër një detyrë, e cila nuk është e nuk mund të jetë e saj, sepse Shqipëria nuk ka legjitimitet të përfaqësojë viktimat, të cilat i përkasin Kosovës. Ndërkaq zoti Berisha u shpreh se shqiptarët e Kosovës përfaqësohen nga institucionet e këtij vendi dhe vetëm ato institucione kanë legjitimitet për vendimmarrjen në raportet Prishtinë-Beograd. Në këto raporte nuk mund të imponohet Shqipëria. Nga ana tjetër devijimi i bisedimeve shqiptaro-serbe nga boshti Prishtinë – Beograd në boshtin Tiranë – Beograd do të zhvleftësonte lidershipin e Kosovës, do të dobësonte institucionet e saj dhe do të zhbënte investimin kombëtar të shqiptarëve si dhe atë të ndërkombëtarëve për ndërtimin e shtetësisë në Kosovë. Por jo vetëm kaq. Bisedimet Tiranë-Beograd për të ashtuquajturën “zgjidhje të konfliktit shqiptaro – serb”, do të thellonin konfliktin midis lidershipit në Kosovë e në Shqipëri, ndërkohë që gjatë këtyre bisedimeve do të shtrohej në tavolinë ndarja e Kosovës midis të dy vendeve. Ndarja e Kosovës do të thoshte automatikisht humbje e territoreve nga ana e shqiptarëve. Në fund të shtatorit të vitit 2012 u mbajt në Bruksel Kongresi i Partive Socialiste të Europës. Gjatë punimeve të këtij kongresi u takuan nën shoqërinë e Martin Schulz dhe biseduan edhe kryetari i opozitës shqiptare, Edi Rama si dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Kishin kaluar një vit e gjysëm, që kur Tadiç kishte hedhur formulën e të ashtuquajturës zgjidhje e konfliktit shqiptaro-serb. Pas disa muajsh, në pranverën e vitit 2013, Boris Tadiç u bë kumbara i marrëveshjes së bashkeqeverisjes midis Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ndërsa dje u shfaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjirin e Lalëzit, mik në vilën e Ilir Metës në përpjekje për ta ruajtur edhe më tej marrëveshjen e bashkëqeverisjes së Rilindjes me bekimin e Boris Tadiç. Por nuk është ky thelbi i kësaj analize. E vërteta është se propozimet e Boris Tadiç në rolin e Presidentit të Serbisë kanë lënë gjurmë në diplomacinë dhe politikën europiane. Tadiç shihej si një lider moderator dhe propozimet e tij të shfaqura me elokuencë dukeshin të argumentuara. Ndaj dhe zoti Rama nxiton të bëjë përshtypjen e radhës me atë që ai e quan “kthesë historike në marrëdhëniet shqiptaro-serbe”. Në Konferencën e Parisit zoti Rama jo vetëm u takua buzagaz e me përzemërsi me Aleksandër Vuçiç, por diskutoi me të përveç forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe edhe për çeshtje, të cilat i takojnë Kosovës. Beogradi njoftoi se në këtë takim është biseduar psh për inagurimin e fluturimeve ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë. Por nuk e komunikoi këtë bisedë vetë kryeministri shqiptar, duke shtuar dyshimet për një skenar të papranueshëm për institucionet dhe shqiptarët e Kosovës. Kësisoj zoti Rama ka hedhur hapin e parë: – Të bisedojë me Beogradin në emër të Prishtinës për disa çeshtje jo aq sensitive, si fluturimet ajrore dhe infrastruktura. Thjesht duke bërë lojën e testimit në rrugën e asaj që Beogradi e dëshiron, që me Tiranën zyrtare të “zgjidhë” konfliktin shqiptaro-serb. Megjithatë zoti kryeministër duket se bën shumë kujdes në këtë nismë. Ai, për ta kamufluar dhe fshehur të vërtetën, dmth që shqiptarët, sidomos ata në Kosovë, të mos kuptojnë se bëhët fjalë për një angazhim të qeverisë shqiptare në emër të shqiptarëve në Kosovë e pa i pyetur ata, herë pas herë shfaqet me një fytyrë tjetër, atë të nacionalistit. Eshtë e njohur “Provokacija” në rastin e vizitës së tij në Beograd në nëntorin e vitit 2014. Ishte një inskenim perfekt aktorial për të ngacmuar ndjenjat nacionaliste te shqiptarët, për t’i bërë ata që të duartrokasin “heroin” e tyre Edi Rama, që më pas të mos shohin e mos besojnë se ai punon për të reralizuar formulën serbe të promovimit të asaj që në fund të Luftës së Dytë Botërore rezultoi si “Vëllazërimi shqiptaro-serb”. Të kuptohemi, “vëllazërimi shqiptaro-serb” në kuptimin e marrëdhënieve të mira midis shqiptarëve dhe serbëve, është i mirëseardhur. Por jo në kushtet kur Beogradi bën obstruksion e diversion të pandërprerë kundër institucioneve, integritetit territorial dhe interesave të shqiptarëve të Kosovës. Jo pa një ndjesë të thellë, të sinqertë dhe të pakthyeshme të Beogradit për krimet që shteti serb ka bërë kundër shqiptarëve në Kosovë. Jo pa njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e Sovran nga ana e Serbisë. Përmendja e modelit gjermano-francez të zgjidhjes së konflikteve shekullore nga zoti Rama dhe zoti Vuçiç ishte gjithashtu sinjal i lexueshëm qartë se këta të dy kanë marrë përsipër njëri rolin e De Golit dhe tjetri atë të Adenauerit, por pa përcaktuar se cili është në skenë në emër të presidentit francez dhe cili në emër të kancelarit gjerman. Sikur konflikti shqiptaro-serb të mos kishte në mes Kosovën dhe vuajtjet e saj të paimagjinueshme, atëherë mundej që të kishim një ngjashmëri tipike dhe si model zgjidhjen e konfliktit gjermano-francez. Por kjo formulë nuk mund të funksionojë, edhe pse të dy udhëheqësit, që bëjnë garë për primatin ballkanik, e përmendin këtë formulë që t’u bëjnë përshtypje të mirë liderëve gjermanë e francezë. Nuk mund të funksionojë, sepse konflikti shqiptaro-serb nuk ka ekzistuar e nuk ekziston për shkak të ndonjë konflikti midis Shqipërisë dhe Serbisë. I vetmi konflikt midis këtyre dy vendeve ka të bëjë me periudhën e vjeshtës së vitit 1912 e atë të vitit 1913 si dhe me përplasjen ideologjike midis diktatorit shqiptar dhe diktatorit jugosllav. Ndërkohë që komunistët shqiptarë erdhën në pushtet me ndihmën e Beogradit dhe ndërtuan ura miqësie me Beogradin, duke shpërfillur dramën kosovare. A do ta përsërisë të njëjtin qëndrim dhe të njëjtën frymë si atë të përiudhës 1944-1948-ës, kryeministri i sotëm, Edi Rama? Gjasat janë se po punon fort në këtë drejtim. Edhe propaganda e tij e ka shfaqur sindromin e vizitës se diktatorit në Beograd në vitin 1947, duke e krahasuar vizitën e Ramës me atë të Hoxhës. Kush, si dhe kur do të ndalet kjo politikë dhe veprimtari diplomatike e tij, e cila rrezikon territoret shqiptare dhe zhvleftëson investimin fundamental për ndërtimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, kjo duhet parë. Por se zoti Rama është në rrugën e injorimit të Kosovës, qytetarëve të saj dhe institucioneve shtetërore të Prishtinës, duket njëkohësisht në intervenimin e tij për t’u kyçur në aleancë të ngushtë me politikanë dhe segmente politike joinstitucionale në Prishtinë. Miqësia e tij e ngushtë me Albin Kurtin dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, si dhe përpjekjet e tij për të manipuluar Ramush Hajredinajn janë dëshmi e bashkëpunimit të kryeministrit shqiptar me ato segmente kundërinstitucionale të Kosovës, të cilat do të ishin të gatshme që në emër të bashkimit kombëtar ta mbështesnin dialogun e shumëkërkuar nga ana e Beogradit, që me bisedime të drejtpërdrejta me Tiranën zyrtare të funksionalizonin ndarjen e Kosovës dhe zhvleftësimin e institucioneve shtetërore të saj. Zoti Haradinaj u shkëput nga kjo aleancë pikërisht për shkak të dallimit thelbësor me opozitën e Albin Kurtit, të njohjes nga ana e tij të institucioneve shtetërore të vendit të tij. Në Shqipëri i vetmi politikan ishte Edi Rama, i cili nuk i dënoi në asnjë rast veprimet e opozitës destruktive në Kosovë për delegjitimimin e parlamentit të saj, ndërkohë që në Shqipëri ai e cilësonte të tillë çdo lloj bojkoti të përkohshëm të opozitës shqiptare. Kutura politike te shqiptarët nuk është formuar ende dëri në atë shkallë sa të lëxohen jo vetëm deklaratat dhe fjalët, por para së gjithash veprimet e mosveprimet e politikanëve. Nëse i lexojmë deklaratat kontradiktore të zotit Rama, si dhe veprimet e mosveprimet e kryeministrit të Shqipërisë, në këto dy vitet e fundit, atëherë nuk është vështirë të shkojmë në përfundimin se diplomacia shqiptare është në ujdi me diplomacinë serbe jo vetëm për afrimin dhe krijimin e marrëdhënieve të ngushta e miqësore me Serbinë, por edhe për të marrë në dorë fatin e Serbisë në Kosovë, çka do të thotë fatin e vetë Kosovës. Nëse shqiptarët e Kosovës do t’ia lënë në dorë cilësdo qeverie shqiptare fatin e tyre, atëherë ata duhet të jenë të vetëdijshëm se do t’u rikthehej si bumerang politika dhe diplomacia shqiptare e marrëdhënieve vëllazërore të shtetit komunist shqiptar me shtetin komunist jugosllavo-serb të periudhës së vitit 1944-1948. Pasojat e asaj politike tashmë janë të njohura dhe nuk kanë nevojë për ndonjë hulumtim nëntokësor.

Filed Under: Analiza Tagged With: “Provokacija” si maskë e paternalizmit të Tiranës, Dr. Enver Byryci, ndaj Priishtinës

Albanofobia si diskriminim!

May 26, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi Ish kryeministri Sali Berisha tha sot në parlament se patriotizmi matet me kujdesin për shqiptarët jashtë kufijve politikë të Shqipërisë dhe testoi mazhorancën me sfidën e dhënies së shtetësisë të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Një tezë të tillë ai e hodhi para rreth katër viteve, kur në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, pa përmendur Vlorën dhe qytetet e tjera të vendit, bëheshiin manifestime të fuqishme në përkujtim të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Por atëherë ai u qortua nga partnerët ndërkombëtarë si dhe opozita e vendit, tani mazhorancë në vendin tonë. Ai projekt për të cilin Dr. Berisha fliste në vitin 2012 doli në skenë sot për shkak të një provokimi nga ana e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili në replikë me ish-kryeministrin e në mbrojtje të shefit të tij, i bëri atij sfidën e pamatur të patriotizmit, fushë në të cilën Berisha nuk mund të ketë konkurues, pavarësisht ndonjë gabimi të imponuar prej rrethanave politike dhe prej faktorit ndërkombëtar. Edhe para katër vitesh ishte faktori ndërkombëtar, me kërkesën e Edi Ramës, që stopoi iniciativën e kryeministrit të asaj kohe për dhënien e shtetësisë shqiptarëve në rajon. Në fakt ndërkombëtarët ndërhynë asokohe me qëllim që të parandalohej dhënia e shtetësisë shqiptarëve të Kosovës, të cilët do të përfitonin nga kjo lëvizjen e lirë në Europë e kjo do ta dobësonte interesin e tyre për të realizuar kriteret dhe proceset në kërkim të këtij liberalizimi. Por Edi Rama dhe PS nuk e duronte dhënien e shtetësisë për shqiptarët jashtë kufijve të vendit për një arësye tjetër, thjesht politike dhe elektorale. Nuk e donte shtetësinë e shqiptarëve përtej kufijve për atë arësye që përmend Kreshnik Spahiu, pasi që “Partia Socialiste nuk do të vinte kurrë më në pushtet”. Prej këtru buron dhe ajo që Berisha e quajti në parlament albanofobi të socialistëve. Albanofobia është karakteristikë e serbëve, grekëve dhe maqedonasve në përgjithësi, me përjashtime jot ë pakta dhe vjen për shkaqe të pastra etnike, për domomnim në hapësirat ballkanike. Albanofobia e liderëve socialist buron nga motive thjesht politike të luftës për pushtet. Për albanofobinë brendashqiptare u fol sot për herë të parë në parlamentin e Shqipërisë. Gramoz Ruçi u mbrojt me tezën e vjetëruar të kohës së komunizmit të “mospërçarjes dhe unitetit kombëtar”, duke e interpretuar deklaratën e Berishës për qëndrimet antiveriore të Ramës si antikombëtare dhe përçarëse. Madje kërkoi që kjo deklaratë të ndëshkohej në byronë parlamentare sipas nenit 55 të Kodit Penal të diktaturës. Dmth, të ndëshkohet deputeti Sali Berisha jo mbi bazën e kriterit të së vërtetës, por mbi bazën e kriterit ideologjik të përcaktimit se çfarë do të thotë për komunistët nocioni përçarje kombëtare. E vërteta është së albanofobia ekziston kur dikush sillet në mënyrë diskriminuese ndaj një krahinë ose një pjese të popullsisë dhe territorit të shqiptarëve. Ajo çfarë dëshmoi Sali Berisha në Kuvend lidhur me deklarimet e kryeministrit përpara një ambasadori të rëndësishëm të një vendi të huaj në Tiranë, se “Unë zgjodha kriminelët për t’i sjellë në parlament, sepse ato zona kriminale vetëm në këtë formë qeverisën dhe kuptojnë”, ngjan me devizën e diktatorit Hoxha, sipas të cilit “Këtij populli jepi bukë e ndërkohë mbaja koburen te veshi”?! Por së paku diktatori nuk kishte bërë teorikisht ndonjë diferencim, sidoqë devizën e tij e zbatoi në veri të Shqipërisë. Edi Rama mbushi parlamentin me kriminelë i nxitur nga urrjetja dhe frika nga ata që ai i quante malokë dhe i quan tashmë si “alpinë”. Ai ka dëshmuar disa herë edhe në rastet e fushatës elektorale ose të ndarjes së dokumentit të legalizimit të pronave se tallet, ironizon dhe përçudnon veriorët drejtpërdrejt në ekranet televizive. Retorika antiveriore e Edi Ramës është e njohur dhe këtë virus e ka transmetuar te shumë bashkëpunëtorë të tij, veçmas të mjaftisti Erion veliaj. Qëndrimet antiveriore të Partisë Socialiste i ka kritikuar edhe Ndre Legisi, ish-deputet i Partisë Soocialiste dhe më pas i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por Ruçi nuk i tha Legisit se “Ti po përçan shqiptarët”?! Këtë arësyetim të hetuesisë bolshevike e ruajti ta shprehë sot në parlamentin shqiptar kundër Sali Berishës. Pse? Sepse Sali Berisha guxoi të zbulojë një të vërtetë, e cila nuk përbën as një të mijtën e të vërtettave të mëdha që lidhen me diskriminimin e veriut të Shqipërisë nga qeverisja e rilindave. Unë guxoj ta sfidoj zotin Ruçi! Guxoj t’i them atij hajde të bëjmë së bashku një studim për largimet nga administrate shtetërore pas 23 qershorit 2013 me bazë hulumtimin e prejardhjes së atyre që u hoqën nga puna dhe me metodën krahasuese në CV me ata që janë marrë në punë pas tyre. Nëse 70-80 përqind e të larguarve nuk do të dalin të jenë nga Veriu i Shqipërisë, dhe nëse shumica dërmuese prej tyre nuk do të kenë një CV më të pasur se zevendësuesit e tyre, atëherë, zoti Ruçi e ka fituar sfidën. Do t’i jap të drejtën që të më gjykojë publikisht për të ashtuquajturën “Përçarje kombëtare”. Por nëse do të dalë e kundërta, atëherë ai duhet të inicojë gjykimin dhe ndëshkimin publikisht të politikave të partisë që ai drejton. Mora vetëm një aspekt. Por shkojmë më tej. Nëse studiojmë dhe hulumtojnë në mënyrë krahasuese me numrin e popullsisë dhe të sipërfaqes së territorit të bashkive dhe qarqeve të veriut e të jugut në raport me investimet që janë bërë në këto tri vite, atëherë do të dilte se politikat e zhvillimit dhe investimeve në këtë periudhë i ngjajnë politikave të Gruevskit, pra, në funksion të diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni. Në Maqedoni lejohet të thuhet kjo e vërtetë prej shqiptarëve që jetojnë atje. Madje edhe në kohën e Milosheviçi shqiptarët në Kosovë e kritikonin Beogradin për diskriminimin ekonomiko-financiar të Kosovës në periudhën e sundimit të tij në të ashtuquajturën Jugosllavi e Dytë apo Jugosllavi e Tretë. Ndërsa zoti Ruçi nuk dëshiron që ky aspekt i diskkriminimit të diskutohet dhe të denoncohet në Shqipëri. Neni 14 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut të datës 4 nëntor 1950 shprehet qartë se “Konventa njeh të drejtën dhe lirinë e njeriut pa asnjë diskriminim për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, apo për shkak të pikëpamjeve politike, prejardhjes nacionale e sociale, për shkak të përkatësisë së një minoriteti, të pasurisë ose të vendlindjes, si dhe të tjerave dallimeve”. Nuk do të citoj sa e sa protokolle të OKB-së dhe Këshillit të Europës i mbrojnë njerëzit nga diskriminimi politik, etnik, relogjioz, social, ekonomik, kulturor, gjuhësor etj. Por rilindasit tanë fatkeqësisht e kanë thelluar dallimin krahinor, përveçse flasin hapur e me përbuzje kundër shqiptarëve me prejardhje nga veriu i Shqipërisë. Gjithkush e njeh fjalorin e kryeministrit dhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës për “Bathoren e bathoristët”, për “Kamzën e kamzalinjtë”, për “alpinët” e “shpellarët”. Këtë shaqje të dramës albanofobike unë e kam përshëndetur, sepse ka jo pak prej atyre që i përmbahen politikave diskriminuese të zhvillimit dhe trajtimit të qytetarëve të këtij vendi, e ndërkohë kanë aftësinë ta fshehin inatin, hakmarrjen dhe veprimin diskriminues të tyre me fjalime për “unitetin kombëtar”, me ndonjë deklaratë, pa asnjë sens serioziteti “për bashkimin kombëtar ose bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, me ndonjë shou televiziv të emërtuar tashmë me titullin “Provokacja” e kështu me radhë. Fatmirësisht diskriminimi në Shqipëri nuk është i llojit etnik, është pak religjioz dhe është thellësisht I dukshëm për shkak të dallimit krahinor. Kjo ka sjellë pabarzi, padrejtësi dhe mungesë lirie. Ndërkohë thellimi i këtij lloj diskriminimi mund të çojë në konflikte. Për mua, shkaku kryesor i padeklaruar i konfliktit politik në Shqipëri është pikërisht diskriminimi krahinor. Nëse nuk do të ekzistonte ndarja krahinore jam i sigurt se nuk do të kishim këtë lloj konflikti të papajtueshëm midis politikanëve dhe forcave politike. Fryma e përçarjes gjithmonë ka në themel të saj duskriminimin politik, ekonomik, financiar, social, kulturor, gjuhësor, shpirtëror. Prej këtej buron dhe albanofobia te vetë shqiptarët, frika se mos lëkunden pozitat dhe privilegjet e pushtetit e të përdorimit të tij në funksion të pasurimit të paligjshëm. Ndokush që fajëson Sali Berishën për të ashtuquajturën “përçarjen e veriut”, dëshiron që veriu të bëhet pastion politik i së majtës. Por predikatorë të tillë i përgënjeshtron vetë majtisti Ndre Legisi. Albanofobët e sotëm me prijës kryeministrin e vendit, janë të ngjajshëm me albanofogët e diktaturës së viteve 1940-1950, kur në rend të ditës ishte dhuna kundër të ashtuquajturit reaksion antikomunist. Edhe atëherë regjimi kishte bashkëpunuar me kriminelë, të cilët kishin dhënë prova gjatë aksioneve dhe luftës kundër nacionalistëve shqiptarë në jug e në veri të vendit. Më 2013 regjimi që erdhi në pushtet solli me vete kriminelë vrasës të tipit të atëhershëm, por edhe nga ata që janë implikuar në krimet e trafiqeve të ndryshme, në vjedhje e grabitje të ndryshme. Qëllimi i të dy skalioneve, sipas vetë deklarimit të kryeministrit para diplomatit të huaj, është i njëjtë: Të shtrojë në dru qytetarët shqiptarë të veriut, sepse sipas Edi Ramës “Druni ka dalë prej xhenehtit”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albanofobia, Dr. Enver Byryci, si diskriminim!

Nga Shtrausi, te Merkel

July 7, 2015 by dgreca

Mesazh për shqiptarët, jo thjesht për qeverinë!/
Shkruan:Dr.Enver Bytyçi/
Te Merkuren vjen për vizitë në Tiranë kancelarja e hekurt e shtetit gjerman, zonja Angela Merkel. Para Merkel vendin tonë e kanë vizituar personalitete të shumta gjermane. Më e përfolura mbetet vizita e politikanit të shquar të partisë si motër të CDU-së së Merkel, ish kryemnistrit bavarez, Frans Joseph Straus. Por Shqipërinë në këto 25 vite e kanë vizituar edhe kancelari Gerhard Schroeder, zv. kancelarët dhe ministra të Punëve të Jashtme Hans Dietrich Genscher dhe Klaus Kinkel. Ndërsa ndër personalitetet ndërkombëtare mund të veçojmë vizitën historike të presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush, vizitën e Papa Gjon Palit të II si dhe vizitën e vitit të kaluar të Papa Françeskut. Të gjitha këto vizita janë shënuar si ngjarje historike të shënuara, megjithëse të tilla për momentin historik në të cilin më 1990-91 kalonte Shqipëria mund të konsiderohen edhe vizita e Nënë Terezës, ajo e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuolar, si dhe sekretarit Amerikan të Shtetit, James Beker.
Vizita që bën në Tiranë Angjela Merkel është dhe do të mbetet gjithashtu historike, jo thjesht si kortezi e rastit, por në radhë të parë për mesazhin që ajo do të japë për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë e të shqiptarëve në rajonin tonë. Prej kur Otto von Bismarck në qershorin e vitit 1878 i këshilloi delegatët shqiptarë të Kongresit të Berlinit sesi duhej të silleshin me Europën, me qëllim që “Shqipëria të mos mbetej thjesht një nocion gjeografik”, e deri në ditët e sotme Gjermania ka qenë e gjithnjë e pranishme në jetën dhe fatin e shqiptarëve. Madje ajo ishte e pranishme në historinë tonë mijëravjeçare përmes kulturës dhe mesazheve që u ka dhënë shqiptarëve dhe dëshmive që i ka transmetuar botës perendimore për autoktoninë dhe historinë tonë.
Udhëtari gjerman Arnold von Harf shkroi në vitin 1497 fjalorthin e parë të vogël shqip, teksa po vizitonte portet shqiptare të Ulqinit, Durrësit e Sazanit, një fjalorth fjalësh e numrash, i cili i shërbeu atij për të komunikuar me banorët vendas. Më pas Dom Gjon Buzuku shkroi librin e parë në gjuhën shqipe i frymëzuar nga lëvizja progresiste e Martin Luterit në Gjermani, lëvizje e cila filloi me kërkesën që Bibla të përkthehej në gjuhën gjermane, sepse si e tillë ajo do të kuptohej më mirë, e në fund përfundoi me krijimin e protestantizmit, si një besim kristian që afronte popujt e kombet.
Por edhe më vonë, nga shekulli 17-të e 18-të e këtej, ishin studiuesit gjermanë e austriakë, ata të cilët zbuluan rrënjët ilire të shqiptarëve dhe hodhën tezën se origjina e tyre mund të shkojë deri te Pellazgët. Ishin po studiuesit gjermanë, ata të cilët e klasifikuan gjuhën shqipe si gjuhë indoeuropiane dhe i dhanë asaj statusin e një gjuhe të barabartë me gjuhët e tjera të Europës së Vjetër, ndonëse ishte dhe mbeti deri vonë si gjuhë e vetme e pashkruar. Nisur nga këto studime kancelari i parë gjerman, Otto von Bismarck, u tha delegatëve shqiptarë, Abdyl bej Frashëri, Ymer Prizreni e Mehmet Vrioni se “Në Europë as ka as do të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Shqipëria është një shprehje gjeografike po të mos shkruhet gjuha shqipe”, duke i paralajmëruar se kriteri themelor i kombësisë do të ishte gjuha, ndërsa për përfaqësimin në kanvelaritë europiane duhj të ishte kriteri fetar. Në vijmësi, prej fillimit e deri në fund, shkenca historike gjermane dhe austriake ka hulumtuar në favor të së vërtetës shqiptare. Madje dhe në rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës ishin ekspertët dhe shkenctarët gjermanë që i rekomanduan politikës të konfirmonte këtë njohje.
Nga pikëpamja politike Gjermania dhe Austria ishin dy nga Fuqitë e Mëdha europiane, të cilat e mbrojtën Shqipërinë nga synimet dhe ambicjet imperialiste të Rusisë dhe insistuan në krijimin e shtetit shqiptar, duke bërë të mundur që brenda këtij shteti të përfshihen dhe dy qendrat e nacionalizmit shqiptar e të Rilindjes Shqiptare, Shkodrës dhe Korçës, qytete këto të lakmuara prej Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Në Luftën e Parë Botërore Gjermania dhe Austro-Hungaria ishin fuqi humbëse të kësaj lufte, por vizioni i të dy këtyre vendeve për Ballkanin, ku edhe filloi konflikti i përgjakshëm, ishte i drejtë dhe me ndikim për stabilitetin e rajonit të Europës Juglindore. Ky vision u rikthye si zgjidhje e çeshtjeve ballkanike pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit. Vendimi i Bundestagut gjerman që për herë të parë të nxirrte ushtrinë nga kazermat në rastin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë dhe për çlirimin e Kosovës prej saj, përbën një rast unik në historinë e shtetit gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore. Kontributet e Berlinit për shqiptarët dhe sidomos Kosovën janë kontribute të jashtëzakonshme, të cilat duhen shpërblyer kurdoherë me mirënjohje.
Kancelarja Merkel vjen tek ne krenare për shkak të kontributeve të vendit të saj në dobi të shqiptarëve në Ballkan, por edhe për shkak të angazhimit personal për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë e në të gjithë rajonin. Samiti i vitit të kaluar mbajtur në Berlin, hapi për vendet e rajonit tonë një perspektivë të re të integrimit në Bashkimin Europian. Vendi ynë në 15 vitet e para të rrugëtimit në rrugën e demokracisë është parë më shumë si një vend nën kujdestarinë e vendeve fqinjë, Italisë dhe Greqisë, të cilat si gjithnjë në historinë e rajonit, nuk munguan të shfaqin rivalitet midis tyre sa i përket prezencës tek ne. Më pas orientimi i politikës shqiptare u fokusua përtej Atlantikut, duke krijuar një lidhje specifike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me objektivin madhor derisa në prillin e vitit 2009 u bëmë anëtarë të Aleancës më të fuqishme në botë, NATO-s. Kjo aleancë e veçantë u ruajtdhe ruhet me fanatizëm nga shqiptarët.
Por me ndërrimin e qeverisjes, trajektorja e marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë ndryshoi rrjedhën. Gjermania sot shihet si aleati më i afërt i shtetit shqiptar dhe qeverisë së Shqipërisë. Ndryshimi është substancial. Shqipëria për herë të parë në fillimin e viteve 2000 kapërceu statusin e të qenit nën kujdestarinë e fqinjëve të saj. Tani, pas pranimit të saj në NATO, ajo ka një objektiv të qartë e dobiprurës, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Angazhimi i drejtpërdrejtë i Gjermanisë në realizimin e këtij objektivi është një ogur i bardhë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por baraspesha midis aleancës auroatlantike të simbolizuar nga SHBA-të dhe Bashkimit Europian perceptuar me Gjermaninë, është shumë e domozdoshme për ekulibrat e politikës së jashtme të Shqipërisë. Mbështetja në këto dy shtylla, vendin tonë do ta bëjë të sigurojë një të ardhme të sigurt në komunitetin e vllerave perendimore. Vizita e kancelares Merkel, e parë në këtë këndvështrim, është vërtet një ngjarje historike.
Por a jemi ne të gatshëm që ta meritojmë plotësisht mbështetjen gjermane për integrimet europiane dhe zhvillimin progresiv të vendit tonë? Kjo mbetet për t’u parë. Nëse SHBA-të na kanë toleruar në ndonjë aspekt për integrimin në NATO, BE nuk është unike në qëndrimet e saj, aq më pak kur mungon zbatimi i standardeve të integrimit nga ana e Shqipërisë. Dhe zonja Merkel është në dijeni të problematikave dhe sfidave që kalon dhe duhet t’i kapërcejë Shqipëria. Berlini zyrtar e njeh faktin se në vendin tonë demokracia është e brishtë dhe se politika shqiptare e mban qeverisjen në kufijtë hibridë të formës së saj. Berlini zyrtar megjithatë duket se është i përkushtuar që Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit në bllok të bëjnë hapa konkretë në rrugën e demokratizimit dhe integrimit europian.
Në këto kushte Angela Merkel vjen në vendin tonë për të inkurajuar reformat e thella e rrënjësore. Sinjalet e para dëshmojnë se kancelarja gjermane është e pakënaqur me këto reforma. Fakti që ajo nuk do t’i kushtojë as pesë minuta kreut të parlamentit dhe partnerit kryesor të zotit Rama ka një domethënie serioze. Me zotin Rama ajo do të ndajë shumë shqetësime dhe më së pari shqetësimin se zgjedhjet e 21 qershorit ishin shumë problematike. Me kryeministrin e Shqipërisë ajo do të ndajë gjithashtu shqetësimin e reformave, sepse tashmë ajo është informuar se një oligarki mafioze e politikës imponon reformat e deformuara si në sistemin e drejtësisë edhe në fusha të tjera të zhvillimit. Rasti tipik është ndikimi i kësaj oligarkie në reformën arsimore, me të cilën nuk sillet asnjë ndryshim tjetër thelbësor, veç faktit që plotëson interesat financiare të sistemit privat të arsimit të lartë tek ne.
Zonja Merkel ka informacionin e nevojshëm se politika në pushtet tek ne vazhdon në mënyrë të vrazhdë t’i imponohet drejtësisë së vendit dhe të mbrojë kriminelët e llojeve dhe formateve të ndryshëm. Ajo çfarë ka ndodhur me Arben Frrokun ose fakti që së paku 6 kryetarë të bashkive të kandiduar nga mazhoranca janë me precedente kriminale të frikshëm nuk mund të futen në thesin e zit ë plehrave dhe të përfundojnë në landfillin e Sharrës. Këto probleme serioze e të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë dhe ndikimin e krizës greke në Shqipëri janë e do të mbeten shqetësim i kancelares së hekurt, sepsë në përceptimin e saj është absurde që një vend kandidat për në BE të përkeqësojë situatën e zgjedhjeve, të përqëndrojë të gjitha pushtetet në duart e një oligarkie mafioze dhe të imponojë në emër të numrave reformat e njëanshme e të ndikuara nga interesa mafioze në tregun e lirë të vendit.
Vizita e zonjës Merkel në Shqipëri do të pasohet me vizita në vendet e tjera të rajonit, në Beograd, Sarajevë e ndoshta edhe në Prishtinë. Por vizita në Tiranë pak ose aspak mund të lidhet me kryeqytetet e tjera të rajonit, ndonëse ka të njëjtin qëllim: Përgatitjen e këtyre vendeve për të kapërcyer sfidën e integrimit europian. Në Shqipëri kjo vizitë lexohet e duhet të lexohet edhe si nxitje për respektimin e parimeve të demokracisë liberale e të shtetit të së drejtës. Cënimi i këtyre parimeve ka qenë një tipar permanent, ndaj Shqipëria asnjëhere në këto 25 vite nuk doli nga lista e vendeve hibride demokratike. Por në dy vitet e fundit në vend të progresit Merkel e partnerët ndërkombëtarë, opozita dhe qytetarët shqiptarë brenda vendit shohin se treguesit e mirëqeverisjes janë përkeqësuar në drejtimin e paduhur, duke sjellë jo vetëm mungesën e lirisë në tërësi, por edhe frikën nga diskriminimi dhe arroganca e qeverisjes.
Për këto arsye vizita e kancelares gjermane në Tiranë ditën e sotme është më e rëndësishme për shqiptarët, sesa për qeverinë e tyre. Më e rëndësishme për të dobëtit e të vobegtët, sesa për shumë prej tutorëve të tyre në qeverisje, e që janë të lidhur me mafien dhe krimin e organizuar brenda e jashtë vendit. Më i rëndësishëm është për drejtësinë, sesa pë rata që duan të imponojnë reformat e padrejta e regressive në emër të drejtësisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Enver Byryci, Nga Shtrausi, tek Merkel

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT