




Të Premten, 10 Maj 2019, Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, priti kryetarin e Shoqatës së Nikaj-Mërturit, Dr. Mhill Gecaj, i cili shoqërohej nga anëtari i Këshillit të Vatrës z. Astrit Gjonpali, si dhe nga Petrit Sokoli e avokati Mark Gecaj.
Kryetari i Vatrës i uroi mirëseardhjen mikut të tij Gecaj dhe shoqëruesëve të tij dhe i informoi rreth veprimtarive dhe qëndrimeve të Vatrës si dhe i njohu me përpjekjen që po bën ai vetë gjatë mandatit të tij për të afruar rreth Vatrës edhe bashkëatdhetarë që jetojnë jo vetëm në SHBA dhe Kanada, por edhe në Europë, përmes atyre që tashmë njihen si “Miqtë e Vatrës”. Pas hapave të parë në Zvicër, së shpejti edhe pritet të nisë puna edhe në Londër. Më pas u fol edhe për zhvillimet në Shqipëri dhe qëndrimet e Vatrës.
Editori i Diellit u përshkroi mysafirëve rrugëtimin 107 vjeçar të Vatrës, dhe veprimtaritë e organizuara me rastin e 110 vjetorit të gazetës DIELLI.
Mysafiri solli përvojën që ka shoqata e Nikaj-Mërturit për urëlidhjen e Vendlindjes me Diasporën.
Dr. Mhill Gecaj e drejton Shoqatën e Nikaj – Mërturit që nga prilli i vitit 2018, kur e mori mandatin pas avokatit Gjin Niklekaj. Shoqata shquhet për veprimtaritë e saj, por mbi të gjitha, për frymën e bashkëpunimit sic e tregoi edhe rasti i ndërtimit të rrugës nga Lekbibaj deri në Curraj të Epërm, ku financimi ishte nga vetë banorët dhe ish banorët e shpërngulur nga perla e Alepeve.
– Edhe vetë ne nuk e besonim se do të realizonim atë mrekulli. Një zonë magjepse po boshatisej thuajse plotësisht për shkak të izolimit, tregoi dr. Gecaj. Por ia arritëm dhe e gjithë Shqipëria e mësoi se çfarë mund të bëjë bashkëpunimi mes njerëzëve edhe kur nuk e kanë ndihmën e shtetit. Ai veçon kontributin e kryetarit të Bashkisë së Tropojës z. Besnik Dushaj, deputetit Isuf Çelaj, mërgimtarëve, dhe shumë e shumë të tjerëve.
Dr. Gecaj tregoi plot emocione detaje, se si u angazhuan nikajmërtursit për ndërtimin e rrugës e deri tek përurimi dhe bekimi i saj. U realizua një ëndërr, që pakëkush e besonte. Ishte në festën e përurimit edhe presidenti i vendit Ilir Meta si dhe Ipeshkëvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, që e bekoi rrugën përmes Meshës që bëhej për të parën herë pas më shumë se 80 vitesh në Kishën e Shën Sebastianit.
Fshati Curraj Epër shtrihet në veri të Shqipërisë në rrethin e Tropojës, dhe është ndër fshatrat më të bukur të kësaj zone, por mungesa e rrugës e ksihte izolua nga pjesa e tjetër e vendit. Tash është hapur porta e rigjallërimit, të rindërtimit të shtëpive karakteristike, për të sjellë atje turistët.
Kryetari i Vatrës dhe Kryetari i Shoqatës së Nikaj Mërturit diskutuan edhe për mënyrat e bashkëpunimit dhe për afrimin e e Nikaj-Mërturësve që jetojnë në SHBA rreth Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.
Dr. Mhill Gecaj mbresat nga vizita në VATER i shkroi në librin e vizitorëve.