nga Dr. Yllka FILIPI/
Letërsia bashkëkohore shqiptare është një korpus shumë i gjerë veprash dhe shkrimtarësh, nga i cili për lehtësi studimi do të fokusohemi në prurjet e saj pas viteve ’90. Ndryshimet politike në Shqipërinë e këtyre viteve, lanë gjurmë të thella edhe në jetën shpirtërore të kombit. Aty ku gëlonte dhimbja dhe mori krahë fjala e lirë, u hapën shtigje të reja për krijuesit të cilët tashmë e panë veten jashtë kontureve dhe normave të diktuara nga regjimi diktatorial. Pa pretenduar të vemë kufij të prerë midis këtyre ndarjeve, pasi të tillë nuk ka, për të hedhur dritë mbi këtë qasje në një trajtë rehabilitimi artistik me një vështrim të ripërtërirë, le t’i klasifikojmë shkrimtarët në dy grupime të mëdha:
a-Shkrimtarët më dy jetë krijuese: para dhe pas viteve ’90
Në këtë grup do të dallojme I.Kadare, D.Agolli, Dhori Qiriazi, Agim Shehu, Fatos Arapi, Faslli Haliti, Koçi Petriti, Ndoc Gjetja, Xh.Spahiu, Ndoc Papleka, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Rexhep Qosja, Adem Istrefi etj, të cilët janë mjaft aktivë edhe sot shpesh duke i qëndruar besnikë strukturave individuale të mëparshme. Ishte terreni i përshtatshëm për të dalë nga heshtja e gjatë e diktuar nga lart, por nuk mund të mos përmendim edhe dukurinë se pati edhe nga ata shkrimtarë që u shprehën se nuk krijuan dot në diktaturë, por që heshtën artistikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu sikundër pati edhe vepra që u harruan padrejtësisht, duke shpresuar të ridalin në dritë, vetëm pasi të kenë fituar gjyqin e rreptë të kohës. Njeriu- shprehet Erich Fromm- e ndien veten të përfshirë në një konflikt të tmerrshëm – është rob i natyrës, por, megjithatë, është i lirë …, e megjithatë, si të thuash është trill i saj, ai nuk ndodhet as këtu, as atje.1
b-Shkrimtarët e rinj, jo nga mosha, por nga risitë që sollën: Ata shpërthyen vrullshën gjatë këtyre viteve e në vazhdim, dhe ju larguan tabuve tematike dhe strukturore te dikurshme drejt perceptimeve të reja, duke qenë sa më pranë shpirtit poetik, aty ku ndjeshmëria artistike përmbys un-in e diktuar dhe zhvendos imazhet arketipale drejt një rebelimi poetic. Në rrjetin e ngushtë të skemës së komunikimit letrar: dhënës (autor)-mesazh (vepër)-marrës (lexues), shkrin përjetimet e shkallës më të lartë emocionale. Spikatën avangardistët: Frederik Reshpja, Sadik Bejko, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Sadri Ahmeti, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Ylljet Aliçka, Ndue Ukaj, Ali Asllani, Din Mehmeti, Agim Vinca, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Rudian Zekthi, Rudi Erebara, Ramiz Gjini, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Fahredin Shehu, Ervin Hatibi, Gjekë Marinaj etj. Mirëpo një pjesë e këtyre prurjeve të vrullshme, pavarësisht shkëndijave të talentit, nuk u zhvilluan dot dhe mbetën thjesht fragmentare, duke rënë në grackën mëtuese të egocentrizmit.
Nuk janë shkronjat që përcaktojnë letërsinë. A nuk janë dhe shkronjat, një mekanizëm rrotullues, që fshehin në vetvete pafundësinë? Po a dinë shkrimtarë të bëjnë lëvizjet e duhura?2
Këto fenomene të spikatura krijuese, prurjet në gjini të ndryshme letrare, turbulluan ujërat e së shkuarës e ranë në sy si individualitete artistike unikale të cilët ndryshuan pothuajse kahjet e letërsisë shqiptare, duke u bërë kështu pararoja e guximit shpirtëror poetik.
Ç’është individualizmi? Sipas Louis Dumont: Ka një sërë lidhjesh të tilla që na japin të drejtën të quajmë me fjalën “individualizëm” konfiguracionin ideologjik modern.3
Po ti refrohemi këtij autori mbi konceptin universal të indivudualizmit do të vinim në dukje dy kuptime të fjalës individ. E para si subjekt empirik i fjalës, mendimit, vullnetit, mostër e racës njerëzore, brenda botës dhe e dyta si qenie morale, e pavaruar, autonome, jo-shoqërore, pra jashtë botës, i ikur botës, (sipas konfiguracionit modern sui generis) pikë kjo e cila na intereson më tepër, pasi ka lidhje me formimin dhe zhvillimin e individit si krijues, në rastin konkret, arratisjen e tij jashtë drejtimeve të caktuara letrare, si një endacak i lirë dhe i vetmuar.
Të jetë kjo një marrëzi, një lajthitje e pavullnetshme, një lloj destruktiviteti i traditës së drejtimeve të ndryshme letrare, si një traumë post-diktatoriale në kërkim të lirisë krijuese? Erich Fromm e justifikon gjithsesi marrëzinë si “normale”. Në Etika-thotë ai,- Spinoza ka qenë i pari, besoj, që shprehu konceptin e marrëzisë, si: “normale”4
Një lloj dissidence e gjithkohshme, u ndie edhe gjatë kësaj periudhe, si jehonë e risive poetike që sollën poetët me kokë të prerë që guxuan të dilnin kundër normave të letërsisë së soc-realizmit, e cila zgjati jo pak, por plot gjysmë shekulli: (po të kemi parasysh faktin se si kohë fizike ajo fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e shtrihet gjerë deri në vitet’90) Ky shpërthim i dukshëm poetësh dhe shkrimtarësh ishte gati masonic. Ja si shprehet enciklopedisti Moikom Zeqo për shkrimtarët: O sfinks i pagojë, cila është sintaksa jotë?/ Dijeni, muzgjet e currilave janë funerali im…5
Në vitet 2000 e në vazhdim vijojnë shkrimtarë dhe poetë me emra krejt të rinj, me një të ardhme tepër premtuese, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, nënvetëdijes së qenies, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës poetike, ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive të globalizmit.
Që në fillim të shekullit të XX, letërsia shqiptare i përjetoi rrëmujshëm të gjitha drejtimet letrare të cilat në letërsinë botërore patën pasuesit e vet, idhtarët, ndjekësit e verbër të përfaqësuesve më tipikë dhe sigurisht edhe të karakteristikave përkatëse. Realizmi, si rezultat i zhvillimeve politiko-sociale mbeti kaotik duke u përzier me nuanca të neoklasicizmit, ekzistencializmit, simbolizmit, realizmit magjik, modernizmit dhe postmodernizmit. Ky terren nuk krijoi favorizimin e grupeve të caktuara letrare, deri kur dora e hekurt e shtetit vendosi rregullat e ngurta të realizmit socialist dhe sigurisht zhdukjen e “reve të zeza ” rebele të disidencës, duke i përçunduar autorët bashkë me veprat e tyre, shpesh edhe në varre masive, apo në humbella pa emër. Si rrjedhojë, edhe pas viteve’90 ky lloj kaotizmi do të ishte tejet i dukshëm edhe në prurjet e reja. Po t’i analizosh ato, mbi bazën e një parimi transhendental, sipas ndryshimeve në bazë të një shkaku të caktuar, nuk do mundësh dot të gjesh sisteme apo rryma letrare të cilat tentojnë të venë rregull në idetë e veta, por letërsi individësh me karakteristika të veçanta, jo vetëm si dukuri letraro-estetike e cila ishte e domosdoshme si një shtysë e brendshme perceptuale nga kolektiviteti drejt individualitetit, drejt një përmase këmbëngulëse unikale.
Në poezi: U vunë re prurje të reja në teknikat krijuese; përmbysje e rreptësisë së konformizmit të dikurshëm i kthyer tashmë thjesht në kujtesë kombëtare, realiteteve estetike dhe e traktateve teorike; vargje të thyera; ritëm alternativ; imazhe befasuese; simbolikë polidimensionale; shtrirje e absurdit përtej iluzioneve drejt një ndjeshmërie drithëruese; sureale e dalë nga realja përgjatë lojës imagjinative që i bën jehonë deshifrimit të mistikës së ndjenjave dhe gjendjeve më delikate në etapat ekzistenciale të qenies, nëpërmjet alkimisë së fjalës. Universi ligjërimor dhe ideor sintetizohet rreth një boshti poetik të fuqishëm, dimensionet poetike bëhen shpërthyese e konotative.
U eksperimentuan forma nga më të larmishmet në strukturën e vargjeve, larg tematikave të shteruara, dhe sa më pranë luhatjeve shpirtërore duke e vënë gjuhën në shërbim të muzës. Gjuha, thellësisht emocionale, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash. Si e tillë kjo lloj poezie kërkon natyrshëm lexues të kualifikuar, ndryshe nga tradita e vjershërimit shqip. Brenda kësaj arene imazhesh, infinitet e gjuhës komplekse dhe ligjërimit figurativ, derdhen nëpërmjet lirizmit të një diskursi tejet original. Zë vend monologu i subjektit poetik duke zgjuar imazhet metafizike e meditative që transformojnë të zakonshmen në magji dhe përcjellin tek lexuesi aktiv mesazhe universale. Shenjat dhe simbolet, konstruktohen me kode e figura të shumta stilistike, me një retorikë specifike, gjë që jep një dimension të përjetshëm estetiko- semantik.
Poezia shenjëzon, perceptimet e krijuesit për botën dhe metafizikën, ato mistere të përjetshme të qenies së të gjitha kohërave. Paradigma kumbuese e transfigurimit të impulseve jetësore prekin reminishenca sureale, ndjeshmëri, fuqizojnë identitetin poetik duke shpërthyer me një nerv të fuqishëm në emocione dhe perceptime etike, duke sintetizuar dimensionet e dhimbjes dhe lumturisë drejt katharsisit shpirtëror të individit.
Në prozë: Për herë të parë pas viteve’90 në rrugën e prozës moderne të themeluar shumë vite më parë nga Koliqi e më tej Kuteli, romani, novela dhe tregimi shqiptar erdhën në një trajtë ndryshe. U thyen teknikat narrative soc-realiste, u zhvendosën strukturat, personazhet nuk u panë më në këndvështrimin nga jashtë-brenda, por si personazhet koliqiane nga brenda- jashtë, rol të jashtëzakonshëm luajti përdorimi i ironisë deri në sarkazëm therëse, rrëfimi shpesh mori udhën e vetës së parë të përgjithësuar apo të universalizuar, si një un-i global e i gjithëkohshëm brenda të cilit vërtiten lakadredhat e fateve, intrigave, ekzistencës. Në romanin modern pothuajse mungon tërësisht subjekti i mirëfilltë artistik duke e zhvendosur vemëndjen e lexuesit jo më drejt asaj që do të ndodhë, por arsyes përse duhet të ndodhë. Vëmendja u largua nga modelet klishe të personazheve pozitivë apo negativë, dhe u synua thjesht drejt të dukshmes, drejt qenies si koshiencë e subkoshiencë jokolektive, por individuale. Shpesh romanet vërtiten rreth një kryepersonazhi të vetëm, i cili mund të mos ketë as emër konkret, ose mund të ketë disa emra bashkë, ose mund të ketë një emër të çuditshëm, mund të jetë njëherësh edhe personazh dytësor, e që shpesh mund të shndërrohet edhe në personazh hije.
Përsa i përket romanit si gjinia më komplekse, më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë, shpesh kemi një tentativë për të ndërthurur të të gjitha llojet e gjinive letrare: poezi, dramë, ese, tregim, novelë, peizazh, psikologji, filozofi, duke krijuar hapësira të pafundme interpretimi. Janë ngritur struktura të fuqishme me trajta personazhesh të rrëshqitshme: kafshë-drurë-shpendë, zogj tekanjozë, gurë mijëvjeçarë, shkëmbinj, male, lumenj, galaktika e ndoshta universe të tjerë, brenda lëkurës së të cilëve fshihen qeniet me arsye, ashtu sikundër personazhe-njerëz në të cilët merr përmasa groteske primitiviteti i të filozofuarit mbi enigmat jetësore. Regjistrat stilistikë të narracionit kalojnë nëpër sitën e hollë të groteskut në paraqitjen e deformuar të individit si përfaqësues tipik i shoqërisë së rrënuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale, si rrjedhojë e të cilave kemi të bëjmë me personazhe tejet të vetmuar, të mbyllur në guackën e përditshmërisë dhe kotësisë së absurdit jetësor, teksa vërtiten përgjatë shtjellave të monologjeve asociative.
Për dekodifikimin e veprave rol të jashtëzakonshëm luan nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta që server dhënësi me gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore. Kornizat narrative kompozicionale rikuptimësohen dhe luhet me paradokset semiotike të a-kohorësisë. Teknika e flash-back-ut theu kufijtë e kohës lineare drejt një kohe universale pa të shkuar, të tashme apo të ardhme. Realitete të magjishme fantastike shpalosen nëpërmjet një gjuhe të pasur, të gjallë e dinamike. Luhet shpesh me monologun si një alter-ego-e qenies së pakushtëzuar në hapësirë dhe kohë. Tentohet edhe drejt romanit eksperimental alla-xhojsian.
Në kritikë dhe studime letrare: Dija e gjerë e një studiuesi, është potencialisht e vlefshme për publikun, qoftë edhe përkohësisht, pasi përcjell këndvështrime të thelluara. Ndërsa kritiku vështron thellë, vetëm nëse problematika e veprës është me interes për publikun. Risku për të mos rënë dakort me përfundimet e tij nga ana e lexuesit bashkëkohor, është kurdoherë i pranishëm.
Është e qartë se përpunimi i fluksit të prurjeve të reja, por edhe rishikimi i të mëparshmeve, kërkon talent akademik të stërvitur në mënyrë që të përballen edhe me testin e gjykimit. Immanuel Kant shprehet: Parashtrimi i disa pohimeve nga ana e një personi dhe emërimi i tyre si gjeniale, në një fushë ku dështojnë lëvrimin e tyre edhe hulumtimet më të duruara racionale, do të qe diçka tej mase qesharake…Do të qe humbje kohe të kërkonim të dinim nëse duhet të qeshim më shumë me të vetëquajturit gjeni që e pështjellin veten brenda kësaj reje…apo me publikun mendjelehtë…?6
Natyrshëm lind pyetja? A ekziston kritika e mirëfilltë në fushën e letrave në Shqipëri? Është folur rëndom kohët e fundit se në letërsinë shqiptare bashkëkohore nuk ka kritikë të mirëfilltë, por kjo nuk hipotezë nuk është e argumentuar nga asnjë fakt shkencor.
Jo vetëm kritikët dhe studiuesit e rinj, që kanë një të ardhme premtuese, por edhe ata që u mbrujtën me metodat e kritikës së soc-realizmit, pas viteve’90, kanë sjellë dukshëm këndvështrime të reja në rileximin e shumë autorëve, jo vetëm të disidencës, por edhe të veprave të analizuara sipas një këndvështrimi social-historik sipërfaqësor. Nevoja për interpretime të reja ka ardhur organikisht duke u imponuar nga veprat e hapura të shumë autorëve të mëdhenj (për të rritur kuptueshmërinë), si psh. Migjeni, Koliqi, Kuteli, Camaj, Trebeshina, Kongoli etj. Emra të spikatuar si: R. Qosja, A. Pipa, F. Dado, A. Aliu, A.Vinca, S. Hamiti, B. Kuçuku, A.Plasari, Sh. Sinani, A.Kapurani, K. Jorgo, Dh. Shehri, P. Asllani etj, kanë sjellë rilexime veprash me një qasje ndryshe analitike dhe sistematike, me teknikat dhe metodat e fjalës së fundit në letërsinë shqiptare aktuale, duke hedhur dritë në enigmat e pazbuluara të tekstit letrar dhe hapur diskursivitete shkencore në studimin dhe interpretimin original të autorëve shqiptarë si një tërësi individualitetesh artistike, me kodet dhe strategjitë e veçanta të ligjërimit poetik, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne dhe bashkëkohore, si specialistë të mirëfilltë.
Ashtu sikurse asnjë kulturë nuk vdes, por i mbivendoset një tjetre, ashtu sikurse asnjë komb nuk vdes, por le pas breznitë e tij, po ashtu edhe një letërsi nuk vdes dhe as rilindet nga hiç-i. Ajo është mbështetur mbi një bosht të përbashkët me emrin art i cili është i tejjetshëm dhe nuk njeh kufij gjeo-politiko-shpirtëror mes kombeve. Por, pavarësisht ngjashmërisë me simotrat e saj evropiane, letërsia shqiptare si rezultat i lëngatës së gjatë në vorbullën e mbrapshtë të historisë së vendit, nuk ka mundur dot të zhvillohet paralelisht me letërsitë perëndimore të cilat kanë patur fatin e bardhë të lirisë shumë shekuj përpara nesh. Ky fakt hedh dritë mbi larmitë e prurjeve të reja gjatë këtyre viteve dhe deri në ditët tona të dukurisë së atipizimit të rrymave dhe drejtimeve letrare në të dy grupimet e mëdha të shkrimtarëve që janë marrë në shqyrtim.Të krijohet ideja se letërsia shqipe është letërsi individualitetesh artistike dhe jo grupimesh të caktuara moderniste dhe post-moderniste, sikurse ka ndodhur në letërsinë botërore. Në çdo regëtimë artistike, ka një lojë të çuditshme të shkrirjes së imagjinatës krijuese, fiction-it me empirizmin e dijes së shekullit të kibernetikës duke i vënë në sprovë të herëpashershme lexuesit dhe tronditur ndërgjegjen krijuese të kombit.
Letërsia si sistem i epërm vlerash ofron shtresëzime të shumta artistike mbi imazhet mendore, imagjinatën, fantazinë dhe strukturën artistike nëpër të cilën kalon procesi për dekodifikimin e të cilit shpesh na vjen në ndihmë psikoanaliza frojdiane, për të depërtuar deri në skutat më të thella të shpirtit krijues, aty ku shpesh njeriu është i lirë dhe askush nuk ja vret dot lirinë e tij. Këto liri krijuese janë çuditërisht sa të ngjashme, aq edhe të parrokshme dot nga një fill i përbashkët profilizimi artistik, me anën e të cilit shpesh mund të simbolizojmë kohën, vendin, hapësirën, koordinatat, trajtën e shpirtit të një kombi apo të disa kombeve bashkë e më tej drejt universalizimit të një letërsie tejet globale.
Parë në një këndvështrim modern letërsia shqiptare e këtyre viteve estetikisht nuk është as kopje dhe as krijim i parashikimieve të mundshme të atyre që priten të ndodhin në letërsitë e vendeve të tjera, pasi kjo do ta bjerrte strukturën, dhe do ta zbehte fuqinë artistike të substancës letrare, (e cila sigurisht ka si baze të saj ficton-in, por të sjellë në formë dhe trajtë origjinale), duke i krijuar hapësira shkrimtarëve të jenë sa më pranë unikalitetit artisti.
Pra, me individualizëm në letërsinë shqiptare pas viteve’90, do të kuptojmë dukurinë atipike që përfshin tërësinë e disiplinave të personaliteteve krijuese të cilët me origjinalitetin përkatës, risitë, strukturat dhe prurjet artistike, skalitën një profil të ri, tejet specifik dhe tërheqës për horizontin e pritjes. Anasjelltas, duket qartë se sa më i mbyllur të jetë krijuesi, aq më pak është në gjendje për t’u mbrojtur vepra e tij përballë presioneve, apo mësymjeve të klaneve të ndryshme pseudoartistike, tendencë kjo edhe e realiteteve moderne.
Vlen të veçojmë 3- rrafshe:
1-Specialitete letrare ku individi krijues nuk përjashtohet si një koordinatë universale. Secili prej tyre shkel në një truall sa të sigurt, aq edhe të rrezikshëm për artin e vet.
2-Orientime konkuruese të të njëjtës fushë të cilat vijnë vrullshëm, imponueshëm dhe shpesh të papajtueshme midis tyre të cilat lidhen me të njëjtin ideal dhe prezantojne të njëjtat kritere krijuese.
3-Orientime apo përpjekje të shumëfishta për orientim, si presion i ideologjisë së mjedisit, të cilat kërkojnë t’ua nënshtrojnë letërsinë drejtimeve letrare. Bashkësia e shkrimtarëve është të paktën institucionalisht më e dobët sesa gjetkë, në vendet simotra.
Pavarësisht se ka fatin të shkruhet me një gjuhë të vockël, por të përjetshme, letërsia shqiptare bashkëkohore është një dukuri, ku origjinaliteti dhe individualiteti krijues prezantohen me dinjitet në të gjithë botën mbarë.
* (Kumtesë mbajtur në Simpoziumin Shkencor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,
New York, 22 Dhjetor 2013
_________________________________________________________
1Erich From, SHPIRTI I NJERIUT, Fan Noli, Tiranë, 1981,fq.164
2 Moikom Zeqo, LIBRI I SINOPSEVE, Uegen, Tiranë, 2012, fq.298
3 Louis Dumont, ESE MBI INDIVIDUALIZMIN, Korbi,Tiranë 1997, fq.19
4 Erich Fromm, ANATOMIA E DESTRUKTIVITETIT NJERËZOR,Fan Noli, Tiranë, fq.227
5 Moikom Zeqo, REFUZIMI I SHKRIMIT, Dituria, Tiranë 2011, fq.54
6 Immanuel Kant, KRITIKA E GJYKIMIT, Tiranë, Plejad 2002, fq.147
Individualizmi si dukuri atipike në letërsinë bashkëkohore shqiptare
Nga Dr. YLLKA FILIPI*/
Letërsia bashkëkohore shqiptare është një korpus shumë i gjerë veprash dhe shkrimtarësh, nga i cili për lehtësi studimi do të fokusohemi në prurjet e saj pas viteve ’90. Ndryshimet politike në Shqipërinë e këtyre viteve, lanë gjurmë të thella edhe në jetën shpirtërore të kombit. Aty ku gëlonte dhimbja dhe mori krahë fjala e lirë, u hapën shtigje të reja për krijuesit të cilët tashmë e panë veten jashtë kontureve dhe normave të diktuara nga regjimi diktatorial. Pa pretenduar të vemë kufij të prerë midis këtyre ndarjeve, pasi të tillë nuk ka, për të hedhur dritë mbi këtë qasje në një trajtë rehabilitimi artistik me një vështrim të ripërtërirë, le t’i klasifikojmë shkrimtarët në dy grupime të mëdha:
a-Shkrimtarët më dy jetë krijuese: para dhe pas viteve ’90
Në këtë grup do të dallojme I.Kadare, D.Agolli, Dhori Qiriazi, Agim Shehu, Fatos Arapi, Faslli Haliti, Koçi Petriti, Ndoc Gjetja, Xh.Spahiu, Ndoc Papleka, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Rexhep Qosja, Adem Istrefi etj, të cilët janë mjaft aktivë edhe sot shpesh duke i qëndruar besnikë strukturave individuale të mëparshme. Ishte terreni i përshtatshëm për të dalë nga heshtja e gjatë e diktuar nga lart, por nuk mund të mos përmendim edhe dukurinë se pati edhe nga ata shkrimtarë që u shprehën se nuk krijuan dot në diktaturë, por që heshtën artistikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu sikundër pati edhe vepra që u harruan padrejtësisht, duke shpresuar të ridalin në dritë, vetëm pasi të kenë fituar gjyqin e rreptë të kohës. Njeriu- shprehet Erich Fromm- e ndien veten të përfshirë në një konflikt të tmerrshëm – është rob i natyrës, por, megjithatë, është i lirë …, e megjithatë, si të thuash është trill i saj, ai nuk ndodhet as këtu, as atje.1
b-Shkrimtarët e rinj, jo nga mosha, por nga risitë që sollën: Ata shpërthyen vrullshën gjatë këtyre viteve e në vazhdim, dhe ju larguan tabuve tematike dhe strukturore te dikurshme drejt perceptimeve të reja, duke qenë sa më pranë shpirtit poetik, aty ku ndjeshmëria artistike përmbys un-in e diktuar dhe zhvendos imazhet arketipale drejt një rebelimi poetic. Në rrjetin e ngushtë të skemës së komunikimit letrar: dhënës (autor)-mesazh (vepër)-marrës (lexues), shkrin përjetimet e shkallës më të lartë emocionale. Spikatën avangardistët: Frederik Reshpja, Sadik Bejko, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Sadri Ahmeti, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Ylljet Aliçka, Ndue Ukaj, Ali Asllani, Din Mehmeti, Agim Vinca, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Rudian Zekthi, Rudi Erebara, Ramiz Gjini, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Fahredin Shehu, Ervin Hatibi, Gjekë Marinaj etj. Mirëpo një pjesë e këtyre prurjeve të vrullshme, pavarësisht shkëndijave të talentit, nuk u zhvilluan dot dhe mbetën thjesht fragmentare, duke rënë në grackën mëtuese të egocentrizmit.
Nuk janë shkronjat që përcaktojnë letërsinë. A nuk janë dhe shkronjat, një mekanizëm rrotullues, që fshehin në vetvete pafundësinë? Po a dinë shkrimtarë të bëjnë lëvizjet e duhura?2
Këto fenomene të spikatura krijuese, prurjet në gjini të ndryshme letrare, turbulluan ujërat e së shkuarës e ranë në sy si individualitete artistike unikale të cilët ndryshuan pothuajse kahjet e letërsisë shqiptare, duke u bërë kështu pararoja e guximit shpirtëror poetik.
Ç’është individualizmi? Sipas Louis Dumont: Ka një sërë lidhjesh të tilla që na japin të drejtën të quajmë me fjalën “individualizëm” konfiguracionin ideologjik modern.3
Po ti refrohemi këtij autori mbi konceptin universal të indivudualizmit do të vinim në dukje dy kuptime të fjalës individ. E para si subjekt empirik i fjalës, mendimit, vullnetit, mostër e racës njerëzore, brenda botës dhe e dyta si qenie morale, e pavaruar, autonome, jo-shoqërore, pra jashtë botës, i ikur botës, (sipas konfiguracionit modern sui generis) pikë kjo e cila na intereson më tepër, pasi ka lidhje me formimin dhe zhvillimin e individit si krijues, në rastin konkret, arratisjen e tij jashtë drejtimeve të caktuara letrare, si një endacak i lirë dhe i vetmuar.
Të jetë kjo një marrëzi, një lajthitje e pavullnetshme, një lloj destruktiviteti i traditës së drejtimeve të ndryshme letrare, si një traumë post-diktatoriale në kërkim të lirisë krijuese? Erich Fromm e justifikon gjithsesi marrëzinë si “normale”. Në Etika-thotë ai,– Spinoza ka qenë i pari, besoj, që shprehu konceptin e marrëzisë, si: “normale”4
Një lloj dissidence e gjithkohshme, u ndie edhe gjatë kësaj periudhe, si jehonë e risive poetike që sollën poetët me kokë të prerë që guxuan të dilnin kundër normave të letërsisë së soc-realizmit, e cila zgjati jo pak, por plot gjysmë shekulli: (po të kemi parasysh faktin se si kohë fizike ajo fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e shtrihet gjerë deri në vitet’90) Ky shpërthim i dukshëm poetësh dhe shkrimtarësh ishte gati masonic. Ja si shprehet enciklopedisti Moikom Zeqo për shkrimtarët: O sfinks i pagojë, cila është sintaksa jotë?/ Dijeni, muzgjet e currilave janë funerali im…5
Në vitet 2000 e në vazhdim vijojnë shkrimtarë dhe poetë me emra krejt të rinj, me një të ardhme tepër premtuese, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, nënvetëdijes së qenies, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës poetike, ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive të globalizmit.
Që në fillim të shekullit të XX, letërsia shqiptare i përjetoi rrëmujshëm të gjitha drejtimet letrare të cilat në letërsinë botërore patën pasuesit e vet, idhtarët, ndjekësit e verbër të përfaqësuesve më tipikë dhe sigurisht edhe të karakteristikave përkatëse. Realizmi, si rezultat i zhvillimeve politiko-sociale mbeti kaotik duke u përzier me nuanca të neoklasicizmit, ekzistencializmit, simbolizmit, realizmit magjik, modernizmit dhe postmodernizmit. Ky terren nuk krijoi favorizimin e grupeve të caktuara letrare, deri kur dora e hekurt e shtetit vendosi rregullat e ngurta të realizmit socialist dhe sigurisht zhdukjen e “reve të zeza ” rebele të disidencës, duke i përçunduar autorët bashkë me veprat e tyre, shpesh edhe në varre masive, apo në humbella pa emër. Si rrjedhojë, edhe pas viteve’90 ky lloj kaotizmi do të ishte tejet i dukshëm edhe në prurjet e reja. Po t’i analizosh ato, mbi bazën e një parimi transhendental, sipas ndryshimeve në bazë të një shkaku të caktuar, nuk do mundësh dot të gjesh sisteme apo rryma letrare të cilat tentojnë të venë rregull në idetë e veta, por letërsi individësh me karakteristika të veçanta, jo vetëm si dukuri letraro-estetike e cila ishte e domosdoshme si një shtysë e brendshme perceptuale nga kolektiviteti drejt individualitetit, drejt një përmase këmbëngulëse unikale.
Në poezi: U vunë re prurje të reja në teknikat krijuese; përmbysje e rreptësisë së konformizmit të dikurshëm i kthyer tashmë thjesht në kujtesë kombëtare, realiteteve estetike dhe e traktateve teorike; vargje të thyera; ritëm alternativ; imazhe befasuese; simbolikë polidimensionale; shtrirje e absurdit përtej iluzioneve drejt një ndjeshmërie drithëruese; sureale e dalë nga realja përgjatë lojës imagjinative që i bën jehonë deshifrimit të mistikës së ndjenjave dhe gjendjeve më delikate në etapat ekzistenciale të qenies, nëpërmjet alkimisë së fjalës. Universi ligjërimor dhe ideor sintetizohet rreth një boshti poetik të fuqishëm, dimensionet poetike bëhen shpërthyese e konotative.
U eksperimentuan forma nga më të larmishmet në strukturën e vargjeve, larg tematikave të shteruara, dhe sa më pranë luhatjeve shpirtërore duke e vënë gjuhën në shërbim të muzës. Gjuha, thellësisht emocionale, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash. Si e tillë kjo lloj poezie kërkon natyrshëm lexues të kualifikuar, ndryshe nga tradita e vjershërimit shqip. Brenda kësaj arene imazhesh, infinitet e gjuhës komplekse dhe ligjërimit figurativ, derdhen nëpërmjet lirizmit të një diskursi tejet original. Zë vend monologu i subjektit poetik duke zgjuar imazhet metafizike e meditative që transformojnë të zakonshmen në magji dhe përcjellin tek lexuesi aktiv mesazhe universale. Shenjat dhe simbolet, konstruktohen me kode e figura të shumta stilistike, me një retorikë specifike, gjë që jep një dimension të përjetshëm estetiko- semantik.
Poezia shenjëzon, perceptimet e krijuesit për botën dhe metafizikën, ato mistere të përjetshme të qenies së të gjitha kohërave. Paradigma kumbuese e transfigurimit të impulseve jetësore prekin reminishenca sureale, ndjeshmëri, fuqizojnë identitetin poetik duke shpërthyer me një nerv të fuqishëm në emocione dhe perceptime etike, duke sintetizuar dimensionet e dhimbjes dhe lumturisë drejt katharsisit shpirtëror të individit.
Në prozë: Për herë të parë pas viteve’90 në rrugën e prozës moderne të themeluar shumë vite më parë nga Koliqi e më tej Kuteli, romani, novela dhe tregimi shqiptar erdhën në një trajtë ndryshe. U thyen teknikat narrative soc-realiste, u zhvendosën strukturat, personazhet nuk u panë më në këndvështrimin nga jashtë-brenda, por si personazhet koliqiane nga brenda- jashtë, rol të jashtëzakonshëm luajti përdorimi i ironisë deri në sarkazëm therëse, rrëfimi shpesh mori udhën e vetës së parë të përgjithësuar apo të universalizuar, si një un-i global e i gjithëkohshëm brenda të cilit vërtiten lakadredhat e fateve, intrigave, ekzistencës. Në romanin modern pothuajse mungon tërësisht subjekti i mirëfilltë artistik duke e zhvendosur vemëndjen e lexuesit jo më drejt asaj që do të ndodhë, por arsyes përse duhet të ndodhë. Vëmendja u largua nga modelet klishe të personazheve pozitivë apo negativë, dhe u synua thjesht drejt të dukshmes, drejt qenies si koshiencë e subkoshiencë jokolektive, por individuale. Shpesh romanet vërtiten rreth një kryepersonazhi të vetëm, i cili mund të mos ketë as emër konkret, ose mund të ketë disa emra bashkë, ose mund të ketë një emër të çuditshëm, mund të jetë njëherësh edhe personazh dytësor, e që shpesh mund të shndërrohet edhe në personazh hije.
Përsa i përket romanit si gjinia më komplekse, më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë, shpesh kemi një tentativë për të ndërthurur të të gjitha llojet e gjinive letrare: poezi, dramë, ese, tregim, novelë, peizazh, psikologji, filozofi, duke krijuar hapësira të pafundme interpretimi. Janë ngritur struktura të fuqishme me trajta personazhesh të rrëshqitshme: kafshë-drurë-shpendë, zogj tekanjozë, gurë mijëvjeçarë, shkëmbinj, male, lumenj, galaktika e ndoshta universe të tjerë, brenda lëkurës së të cilëve fshihen qeniet me arsye, ashtu sikundër personazhe-njerëz në të cilët merr përmasa groteske primitiviteti i të filozofuarit mbi enigmat jetësore. Regjistrat stilistikë të narracionit kalojnë nëpër sitën e hollë të groteskut në paraqitjen e deformuar të individit si përfaqësues tipik i shoqërisë së rrënuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale, si rrjedhojë e të cilave kemi të bëjmë me personazhe tejet të vetmuar, të mbyllur në guackën e përditshmërisë dhe kotësisë së absurdit jetësor, teksa vërtiten përgjatë shtjellave të monologjeve asociative.
Për dekodifikimin e veprave rol të jashtëzakonshëm luan nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta që server dhënësi me gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore. Kornizat narrative kompozicionale rikuptimësohen dhe luhet me paradokset semiotike të a-kohorësisë. Teknika e flash-back-ut theu kufijtë e kohës lineare drejt një kohe universale pa të shkuar, të tashme apo të ardhme. Realitete të magjishme fantastike shpalosen nëpërmjet një gjuhe të pasur, të gjallë e dinamike. Luhet shpesh me monologun si një alter-ego-e qenies së pakushtëzuar në hapësirë dhe kohë. Tentohet edhe drejt romanit eksperimental alla-xhojsian.
Në kritikë dhe studime letrare: Dija e gjerë e një studiuesi, është potencialisht e vlefshme për publikun, qoftë edhe përkohësisht, pasi përcjell këndvështrime të thelluara. Ndërsa kritiku vështron thellë, vetëm nëse problematika e veprës është me interes për publikun. Risku për të mos rënë dakort me përfundimet e tij nga ana e lexuesit bashkëkohor, është kurdoherë i pranishëm.
Është e qartë se përpunimi i fluksit të prurjeve të reja, por edhe rishikimi i të mëparshmeve, kërkon talent akademik të stërvitur në mënyrë që të përballen edhe me testin e gjykimit. Immanuel Kant shprehet: Parashtrimi i disa pohimeve nga ana e një personi dhe emërimi i tyre si gjeniale, në një fushë ku dështojnë lëvrimin e tyre edhe hulumtimet më të duruara racionale, do të qe diçka tej mase qesharake…Do të qe humbje kohe të kërkonim të dinim nëse duhet të qeshim më shumë me të vetëquajturit gjeni që e pështjellin veten brenda kësaj reje…apo me publikun mendjelehtë…?6
Natyrshëm lind pyetja? A ekziston kritika e mirëfilltë në fushën e letrave në Shqipëri? Është folur rëndom kohët e fundit se në letërsinë shqiptare bashkëkohore nuk ka kritikë të mirëfilltë, por kjo nuk hipotezë nuk është e argumentuar nga asnjë fakt shkencor.
Jo vetëm kritikët dhe studiuesit e rinj, që kanë një të ardhme premtuese, por edhe ata që u mbrujtën me metodat e kritikës së soc-realizmit, pas viteve’90, kanë sjellë dukshëm këndvështrime të reja në rileximin e shumë autorëve, jo vetëm të disidencës, por edhe të veprave të analizuara sipas një këndvështrimi social-historik sipërfaqësor. Nevoja për interpretime të reja ka ardhur organikisht duke u imponuar nga veprat e hapura të shumë autorëve të mëdhenj (për të rritur kuptueshmërinë), si psh. Migjeni, Koliqi, Kuteli, Camaj, Trebeshina, Kongoli etj. Emra të spikatuar si: R. Qosja, A. Pipa, F. Dado, A. Aliu, A.Vinca, S. Hamiti, B. Kuçuku, A.Plasari, Sh. Sinani, A.Kapurani, K. Jorgo, Dh. Shehri, P. Asllani etj, kanë sjellë rilexime veprash me një qasje ndryshe analitike dhe sistematike, me teknikat dhe metodat e fjalës së fundit në letërsinë shqiptare aktuale, duke hedhur dritë në enigmat e pazbuluara të tekstit letrar dhe hapur diskursivitete shkencore në studimin dhe interpretimin original të autorëve shqiptarë si një tërësi individualitetesh artistike, me kodet dhe strategjitë e veçanta të ligjërimit poetik, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne dhe bashkëkohore, si specialistë të mirëfilltë.
Ashtu sikurse asnjë kulturë nuk vdes, por i mbivendoset një tjetre, ashtu sikurse asnjë komb nuk vdes, por le pas breznitë e tij, po ashtu edhe një letërsi nuk vdes dhe as rilindet nga hiç-i. Ajo është mbështetur mbi një bosht të përbashkët me emrin art i cili është i tejjetshëm dhe nuk njeh kufij gjeo-politiko-shpirtëror mes kombeve. Por, pavarësisht ngjashmërisë me simotrat e saj evropiane, letërsia shqiptare si rezultat i lëngatës së gjatë në vorbullën e mbrapshtë të historisë së vendit, nuk ka mundur dot të zhvillohet paralelisht me letërsitë perëndimore të cilat kanë patur fatin e bardhë të lirisë shumë shekuj përpara nesh. Ky fakt hedh dritë mbi larmitë e prurjeve të reja gjatë këtyre viteve dhe deri në ditët tona të dukurisë së atipizimit të rrymave dhe drejtimeve letrare në të dy grupimet e mëdha të shkrimtarëve që janë marrë në shqyrtim.Të krijohet ideja se letërsia shqipe është letërsi individualitetesh artistike dhe jo grupimesh të caktuara moderniste dhe post-moderniste, sikurse ka ndodhur në letërsinë botërore. Në çdo regëtimë artistike, ka një lojë të çuditshme të shkrirjes së imagjinatës krijuese, fiction-it me empirizmin e dijes së shekullit të kibernetikës duke i vënë në sprovë të herëpashershme lexuesit dhe tronditur ndërgjegjen krijuese të kombit.
Letërsia si sistem i epërm vlerash ofron shtresëzime të shumta artistike mbi imazhet mendore, imagjinatën, fantazinë dhe strukturën artistike nëpër të cilën kalon procesi për dekodifikimin e të cilit shpesh na vjen në ndihmë psikoanaliza frojdiane, për të depërtuar deri në skutat më të thella të shpirtit krijues, aty ku shpesh njeriu është i lirë dhe askush nuk ja vret dot lirinë e tij. Këto liri krijuese janë çuditërisht sa të ngjashme, aq edhe të parrokshme dot nga një fill i përbashkët profilizimi artistik, me anën e të cilit shpesh mund të simbolizojmë kohën, vendin, hapësirën, koordinatat, trajtën e shpirtit të një kombi apo të disa kombeve bashkë e më tej drejt universalizimit të një letërsie tejet globale.
Parë në një këndvështrim modern letërsia shqiptare e këtyre viteve estetikisht nuk është as kopje dhe as krijim i parashikimieve të mundshme të atyre që priten të ndodhin në letërsitë e vendeve të tjera, pasi kjo do ta bjerrte strukturën, dhe do ta zbehte fuqinë artistike të substancës letrare, (e cila sigurisht ka si baze të saj ficton-in, por të sjellë në formë dhe trajtë origjinale), duke i krijuar hapësira shkrimtarëve të jenë sa më pranë unikalitetit artisti.
Pra, me individualizëm në letërsinë shqiptare pas viteve’90, do të kuptojmë dukurinë atipike që përfshin tërësinë e disiplinave të personaliteteve krijuese të cilët me origjinalitetin përkatës, risitë, strukturat dhe prurjet artistike, skalitën një profil të ri, tejet specifik dhe tërheqës për horizontin e pritjes. Anasjelltas, duket qartë se sa më i mbyllur të jetë krijuesi, aq më pak është në gjendje për t’u mbrojtur vepra e tij përballë presioneve, apo mësymjeve të klaneve të ndryshme pseudoartistike, tendencë kjo edhe e realiteteve moderne.
Vlen të veçojmë 3- rrafshe:
1-Specialitete letrare ku individi krijues nuk përjashtohet si një koordinatë universale. Secili prej tyre shkel në një truall sa të sigurt, aq edhe të rrezikshëm për artin e vet.
2-Orientime konkuruese të të njëjtës fushë të cilat vijnë vrullshëm, imponueshëm dhe shpesh të papajtueshme midis tyre të cilat lidhen me të njëjtin ideal dhe prezantojne të njëjtat kritere krijuese.
3-Orientime apo përpjekje të shumëfishta për orientim, si presion i ideologjisë së mjedisit, të cilat kërkojnë t’ua nënshtrojnë letërsinë drejtimeve letrare. Bashkësia e shkrimtarëve është të paktën institucionalisht më e dobët sesa gjetkë, në vendet simotra.
Pavarësisht se ka fatin të shkruhet me një gjuhë të vockël, por të përjetshme, letërsia shqiptare bashkëkohore është një dukuri, ku origjinaliteti dhe individualiteti krijues prezantohen me dinjitet në të gjithë botën mbarë.
_________________________________________________________
1Erich From, SHPIRTI I NJERIUT, Fan Noli, Tiranë, 1981,fq.164
2 Moikom Zeqo, LIBRI I SINOPSEVE, Uegen, Tiranë, 2012, fq.298
3 Louis Dumont, ESE MBI INDIVIDUALIZMIN, Korbi,Tiranë 1997, fq.19
4 Erich Fromm, ANATOMIA E DESTRUKTIVITETIT NJERËZOR,Fan Noli, Tiranë, fq.227
5 Moikom Zeqo, REFUZIMI I SHKRIMIT, Dituria, Tiranë 2011, fq.54
6 Immanuel Kant, KRITIKA E GJYKIMIT, Tiranë, Plejad 2002, fq.147
*
*(Kumtesë mbajtur në Simpoziumin Shkencor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,
New York, 22 Dhjetor 2013 nga Dr. Yllka FILIPI)
BIBLIOGRAFI:
Aliu, Ali, KËRKIME, Naim Frashëri, Tiranë, 1990
Barthes, Roland, THE PLEASURE OF THE TEXT, London, 1975
Çapaliku, Stefan, LETËRSIA E INTERPRETUAR, Arbri, Tiranë, 1998
Dumont, Louis ESE MBI INDIVIDUALIZMIN, Korbi, Tiranë 1997
Eco, Umberto, OPERA APERTA, Milano, 1962
From, Erich, SHPIRTI I NJERIUT, Fan Noli, Tiranë, 1981
Fromm, Erich, ANATOMIA E DESTRUKTIVITETIT NJERËZOR, Fan Noli, Tiranë
Frai, Northop, ANATOMIA E KRITIKËS, Shejzat, Prishtinë, 1997
Frojd, Zigmund, MBI LETËRSINË DHE ARTET, G.Karakashi, H.Luli, R.Hida, Fan Noli, Tiranë
HAMITI, Sabri, LETËRSIA MODERNE SHQIPTARE, Albas, Tiranë, 2000
Kant, Immanuel, KRITIKA E GJYKIMIT, Tiranë, Plejad 2002
Kadare Ismail, FTESË NË STUDIO, Naim Frashëri, Tiranë, 1990
Lemon L.T.L &Reis M.J, RUSSIAN FORMALISM CRITICISM, Tom Essays, Lincoln Nebrasha, 1965
Sarter, Zh.,P., Ç’ËSHTË LETËRSIA, Elona Riska, DeaS, Tiranë, 1998
Uoren, Ostin, Uellek Rene, TEORIA E LETËRSISË, Enciklopedike, Tiranë 1993
Zeqo, Moikom, LIBRI I SINOPSEVE, Uegen, Tiranë, 2012
Zeqo, Moikom, REFUZIMI I SHKRIMIT, Dituria, Tiranë, 2011
TRIDIMENSIONALITETI I DHIMBJES NE VARGUN E DISIDENTIT SADRI AHMETI
NGA DR. YLLKA FILIPI/
Korpusi letrar i veprës së krijuar prej poetit Sadri Ahmeti hedh dritë mbi misteret dhe të panjohurat e individit dhe me gjerë kombit, në dekadat e errëta të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve para viteve’90. Në të gjitha ngjyrat dhe trajtat substanciale spikat dhimbja. Gjuha ezopike, zhdërvjelltësia e imazhit dhe monologut poetik, spektakolariteti i bërthamave strukturore të vargjeve, e bëjnë korpusin e veprës së tij tejet ngacmues për horizontin e pritjes.
Lindi në Vuthaj të Plavës, Mal i Zi, më 1939. Shkollën e mesme e kreu në Pejë të Kosovës. Pak kohë pasi kishte emigruar në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1957, arrestohet si student i Institutit të Lartë të Arteve. Dënohet në minierat e Spaçit më 3-vjet heqje lirie dhe dëbohet për 20-vjet me punë të detyruar në kantierert e Elbasanit. Kreu studimet e mbetura në Akademinë e Arteve. Shkrimet poetike i nisi që në bankat e shkollës në moshë të re, por drita e botimit të veprave iu ndez vetëm, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Pas viteve’90 poeti botoi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij poetike të cilën po e shpalosim sipas një vështrimi panoramik: Një e qeshur harbon nëpër errësirë, Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, Masakra e Tivarit, Ajsbergu i preludit të katastrofës, Vallja e katrahurave, Kalëroj rreth botës mbi re, Loz era me gjethet e vjeshtës sime, A do të mund të takohemi nesër?, Rrëfenja në prozë në gjuhën angleze. Ka marrë pjesë gjithashtu në 4-ekspozita pikture kolektive, ka hapur 6-ekspozita vetjake brenda vendit dhe po kaq jashtë vendit.
Çastet e inspirimit poetik autori më së shumti i vjel nga jeta reale, e cila bëhet edhe udhërrëfyesja e brengave të tij. Sipas një këndvështimi të hollësishëm polidimensional do përpiqemi të ndriçojmë rrafshet enigmatike të të gjithë filozofisë së jetës njerëzore, nëpërmjet zbërthimit të simbolikës së dhimbjes e cila ngërthen në vetvete realen dhe virtualen, në imazhet poetike. Nëse arrijmë të depërtojmë në kolonat qëndrore të strukturës së vargjeve do të vemë re se platformat shpirtërore poetike konvergojnë hiperbolikisht me motivet vizuale të realitetit të para viteve’90 në Shqipëri. Persiatjet konvencionale janë pika strategjike të thellësive të shpirtit njerëzor, aty ku zë fill dhimbja e arratiset gjumi. Konotacionet me të cilat autori vesh me tul idetë, japin nuancat e egra të trysnisë së kohës e cila ushtron presion të jashtëm mbi individin duke i turbulluar e rënduar shpirtin. Implementimi i lirisë shpirtërore e ka zanafillën në forcën që i jep poetit observimi filozofik i ideve mbi jetën, të cilat zbardhen vetëm duke arritur të depërtojmë në subkoshiencën artistike gjatë aktit krijues. Për këtë na vjen në ndihmë teksti si pjesë thelbësore e bërthamave poetike nga e cila kanë marrë formë dhe trajtë principet më vitale të jetës .
Poeti krijon rezonancë të fuqishme shpirtërore me dritën dhe i këndon asaj nga dëshira për të harruar dhimbjen dhe terrin i cili ishte bërë tashmë pjesë integrale e njeriut, në realitetin e atyre viteve. Përthyerjet e imazheve polidimensionale, japin dorë të lirë mbi zbërthimin e enigmave substanciale të vuajtjes. Autori gjithnjë ka dalë kundër formave dhe stileve të diktuara nga trysnia shtypëse e realitetit të jashtëm, duke u kacafytur me të e duke mos e lejuar që forca ta shndërrojë apo ta thërrmojë.
Pavarësisht se qenia nuk e ka prekur dot kurrë statusin e imunizimit ndaj metamorfozave të brendshme e të jashtme, ajo rrezikon, në varësi të forcës së trysnisë që ushtrohet mbi të, ose të përshtatet, pra të rimodelohet negativisht si rezultat i energjisë negative që derdhet mbi të, në trup e në shpirt, (duke e humbur përgjithmonë “identitetin e parë” natyral), ose alternativa e dytë dhe e fundit mbetet, zhdukja, si një iluzion që e gëlltit harrimi pakthyeshmërisht, pa mundur dot ta shtrembërojë, as ta krisë, as ta mbulojë me dhe. Ai shumë shumë mund ta vrasë, për ta kthyer nga vdekja edhe më të lavdishëm.
Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë, u bë guri i qoshes. Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet. (Lluka, 20: 17,18)
Brenda këtij kaosi pa trajtë, autori krijon autoportretin e dhimbjes, duke ju kundërvënë territ, në përpjekje për të vënë pak rregull mbi botën objektive. Terri nuk ekziston, atë e kanë krijuar artificialisht dhunuesit e lirisë, (sipas autorit) për të prishur rendin e lëndës jetësore. Poeti i ndien gjer në palcë kafshimet, por kurrë nuk gjen asnjë pikëtakimi me të, ndërkohë që mijëra enigma në të njëjtën kohë i brejnë trurin. Krijohet kështu një realitet i dytë, jashtë atij real, si një kurth ndaj shpërfytyrimit të pashmangshëm. Autori e ruan megjithatë balancën midis ndëshkimit dhe një koke të turbullt që dhemb gjithnjë e që di të arratiset në hemisfera të tjera, përgjatë aktit krijues, duke ruajtur të paprekur, me të gjitha fuqitë, lirinë e brendshme shpirtërore.
Duke bërë një prerje vertikale të kolonave qendrore që veshin me palcë tekstin poetik, parë kjo në rrafsh sintagmatik, dhimbja rezulton triadike, pra e shtrirë komvencionalisht në tri rrafshe: Dhimbja e kripës (limfa), dhimbja e lirisë (gjaku) dhe dhimbja e vetmisë (shpirti). I marrim në shqyrtim me radhë, sipas hapësirave dhe mundësive që ofron teksti:
Dhimbja e Kripës
Sa herë që lexon poemën brenda vëllimit poetik Një e qeshur harbon në errësirë, me të cilën autori është marrë pothuajse 20-vjet (1973-1993), duke e latuar kohë pas kohe për t’i dhënë formën përfundimtare që ka sot, ravijëzohet hipotetikisht një analogji me kripën e Detit të Vdekur apo shkatërrimin dhe zhdukjen e popullit te Lutit (Ajeti 82 në suren, Hud: 82), pranë tij.
Kështu, kur u erdhi urdhri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur. (Ajeti 82 në suren, Hud: 82)
Arkeologu gjerman Werner Keller shkruan: Ndoshta ujërat vërshues të Detit të Vdekur i përfshinë ato pas një tërmeti.1 Cilët janë ato? Sa popuj janë zhdukur nga këto dukuri? Vunë dorë zotat e universit? A kanë lidhje shpirtërore diktatorët me ta? Trungjet dhe rrënjët në ujin e gjelbër janë shumë të të moçme, si dëshmi e vdekjes, shkatërrimit të një kombi. Sasia jashtëzakonisht e madhe e kripës së Detit të Vdekur i ka ruajtur akoma, si dëshmi të katastrofës. Ashtu sikundër ruhen ende dëshmitë e tmerreve të diktaturave, shekuj më pas.
Sa e vjetër është kripa? Kush e zbuloi? A është vërtet kripa më e rëndë se mermeri, siç thotë poeti? Shkëmbimi i mallrave, a ka pasur lidhje me shkëmbimin e përjetimeve shpirtërore mes kombeve në kohët e hershme? A është kripa dhimbje? A është kripa bukë? A ka jetë në kokrrizën e kripës? A është kripa diktaturë? A është kripa përjetësi? A është kripa shkatërrim, fund? Këto pyetje pafund e kanë gërryer kureshtjen poetike të autorit i cili përpiqet të japë shpjegim:
Sa të pacipa ligjet e natyrës!/…Unë i ndërtuar prej kripërash/ dhe i puthur nga dielli i dashurisë/ jam mbytur në gjelbërim…/Ku më shumë e ku më pak/ shtati im i gjymtuar kullon gjak.2 (Pak parashtesë, po aty, fq.1-3)
Poeti ravijëzon kështu konturet e një autoportreti gjithkohor. Baza materiale e mishtë është kripa e cila vjen në formë rrezesh (nur-i). Kripa (shkaku)-deti (pasoja):
Grafist!/ Më hidh dritë mbi gungat e ballit./ Më derdh nur kripe mbi fytyrë./ Hidhmë diell ndër sy… (po aty, fq.5)
Tri dete në një puthje të vetme…/hidhu e kridhu, ndër këto dallgë… (po aty, fq.7)
Një monument kristalor kripe! I naltuar e i gdhendur prej daltës poetike të autorit. Martiri i fjalës:
O martir i një fjale dhe i fjalë së pathënë/…/me ç’lëndë të ta naltoj monumentin?/ Kripa ka peshë më të madhe se mermeri/ bronxi shkëlqen një ditë,/ kripa përjetë shkëlqen./ Sa pak kristale kripe në fjalën tonë,/ edhe më pak në gjak… (po aty, fq.9)
Sy që trazojnë kripën e gjakut: Nga gjymtyrë kështjellash të rrënuara,/ e ndiej që më vështrojnë një palë sy/…/nga bisku i parë i lisit,/ me kripën e gjakut,- gurin e zjarrit/ eshkën e rreshkut ma kallin. (po aty, fq.11)
Konstatim dramatik. Brenda llojit ka një ndarje fatale në dritë edhe errësirë! Kripa merr shijen e dhimbjes:
Njerëz!/ E kam fjalën për ju që dikoni dritë/ që rendni të grisni futat e errësirës/…/po ju pres, me duart e mbushura me kripë./ Mbrojtësve të territ ju kallë krupë/…/ Kripë!/ Qofsh në trajtë të kristaltë,/ e bluar,/
apo, e tretur/ Ti ke shijen e dhimbjes së shuar,/ midis dhembjeve që s’na ndahen. (po aty, fq.13)
Ndiej shijen e kripës, kur me majën/ aq të ndjeshme të fjalës,/ …rrasem në llavën e zemrës… (po aty, fq.14)
A mund të griset drita me thonj, a mund të përgjaket? Thërrmohu,/ shpërbëhu, në bulëza shkumëze, ndër këto dallgë/…/ në mjedisin që dritën me thonj e gris,/ e mësuar me errësirën pis. (po aty, fq.15)
Poeti sjell dritëhijet konotative të këtij embrioni të shëndetshëm poetik në të gjitha përthyerjet e dimensionet: që nga nxjerrja e mundimshme e saj për njeriun, shkëmbimet tregtare e kulturore midis popujve, në Mesjetë, (koha kur, kripa dhe hekuri ishin të barasvlefshme me arin) e deri tek urimet, mallkimet, betimet. Kripa është dëshmi e pakontestueshme e dhimbjes:
Të paepur,/ që përbuzin vdekjen në shtretër, të bukëkripës e, të besës/…/ A e shihni atë sofër të shtruar/…/ me të shenjtin emër: bukë, kripë e zemër? (po aty, fq.17)
Drejt n’oxhak, u hodh një fjalë e për-/ dredhur/ e lidhur dy herë nyje;/ një sofër burra u mpi e u drodh…/…/dhe, kobi vërshoi,/ na shkretoi./…/… se një fjalë e pakripë,/ shtjerr e shtyp! (fq.19-20)
Pse loti është i njelmë?-pyet poeti dhe aludon se mijëra vjet më parë, nga dy sy tejet të kaltër, një në Vuthaj (vendlindja e poetit) dhe tjetri në Valbonë, rrjedhin, pa shterur kurrë, lot tepër të kthjellët. Një djalë i hijshëm vuthjan që zbuste bishat, tek pinte krojet e mëkohej me mjaltë nga një bletë e arratisur, buzë një ujëvare shkumëbardhë, dashurohet me një zanë e cila për të hutuar poetin, shndërrohet menjëherë në dhi të egër mali, më pas në drenushë dhe, pasi djaloshi e arrin, ajo bëhet nimfë…I vendos një kusht të rëndë:
Ra në dashuri, me të vetmin kusht:/ më dhuro ç’ke më të shtrenjtë!/ Ai kish më të shtrenjtë kripën/ ndaj i solli një grusht./ ajo ja hodhi syve;/ ndaj i dogjën si prush…/ …buroi dhimbje në pikat e lotit…/ përjetësisht e njelmë… (fq.22)
O malësor me shtat atleti!/ Ç’e ke atë dhimbje të gdhendur në shtegball?/… ta shoh zemrën: dyersh e dritaresh/ hapur krah më krah,/ duke dikuar dritë… (fq.23)
Fjala pëlcet si kripa: Hidheni fjalën time në zjarr/ dhe po nuk lëshoi rrëshirë e flakë…/dhe po nuk krisi si gur rrufeje…/ po s’pëlciti, si kripa në prush/…/ le të mos i mbetet as hiri! (fq.24)
Poeti e ka kripën të shenjtë, aq sa thur be mbi të: Kripë!/ Aq e shenjtë dhe aq e shtrenjtë, ndër këto male! (fq.29)
Asnjë kokrrizë të mos bjerë përdhe/ aq hyjneshë: sa për të janë thurë gjthë ato be,/ gjithato mallkime…/ më vraftë kripa, nëse ju gënjej! (fq.30)
E hyjnizon duke e vendosur shumë lart, pranë dritës, i jep frymë, e bën të lexueshme, i ndryshon trajtë, thur urime në emër të saj, i kujton djepin, e shndërron në dashuri, zanafillë të jetës, në kujtim, në mallkim, betohet në emër të saj, e rikthen në mysafirin më të shtrenjtë, atë që të hyn në gjak:
Kripë! Eja në fjalën time…/ përjetësisht e lëngët, poshtë qerpikësh… Ti, dritë e lëngëzuar pranë burimit të dritës…/ kur denden e dynden retë… (fq.40-41)
Ti ke zënë vendin tënd / dhe peshon… / në miklimet dhe mallkimet e nënave të dëshpëruara… (fq.43)
Ti lexohesh…/ në të gjitha gjuhët…/ ti m’i vjel dhimbjet,/ mallin dhe pikëllimet…/Ndër poezi, mos më eja në trajtë lotësh…/…/ bëhu breshër mes tronditjesh… (fq.43)
Edhe ti, paç kripë në fjalën tënde të ngrohtë!…/…/ të shoh që dukesh e sakaq tek zhdukesh,/ I rrëmbyer nga dallgë e nëntë. (fq.45)
Ti nuk ke rënë, si kometë nga qielli/ Djepin e ke këtu!/ je bimëz e këtij planeti të sajuar;/ me kockat e yjeve të shuar/ e sajuar enkas për mua…/ …hedhurinë e ligjeve të gjithësisë… (fq.46)
… I la kripën si kujtim, apo si mallkim/…për ndëshkim (fq.46)
Kripë!- Dashuria e kulluar! … Nga ty fillon vetë jeta… (fq.47)
… t’u betova në kripë, se sa të dua/ dhe ti më besove…! (fq.47)
Thërrmijëz e rrallë/ ke rry në gjakun tim/ si më i rralli mysafir… (fq.47)
Edhe vetë Atdheu, sipas poetit është prej kripe; ekziston edhe një njeri kriporeje që vështron ftohtë, e shtrëngon grushtet (vegim alla-migjenian), kockë e lëkurë mbi kripë të grirë, kuluvarur mbi një pikëpyetje. Është një plak atje tej, që e mban atë kokërr kripë si një kokërr shpresë mbi shuplakë të shekullit: A është kripa vallë hiri i perëndisë? E shtrenjta që shitet aq lirë, melhelmi i plagëve?
Rrezëllijnë pirgjet e bardha të kripës/ ndër kriporet, tej Ulqinit/ si mikropiramida faraonësh,/ të ardhur nga verilindja,/ piramida e shpresave prej rëre,/ pranë muzeut të një shkretëtire…/…/ nëpër bashtinat e Aga Ymerit… (fq.49)
Njeriu i kripores picërron sytë e përcëlluar/ e më vështron/ më vështron ftohtë, e më peshon nga larg/ me peshoren e jetës së tij…./ të mjerë…/…/ Dhembja e dyfishtë, nëpër kyçe i bredh,/ dhe deri në palcë i ther./ Rrezja e rremë e zenithit, e vret/… mollëzat eshtake,- dy grushta të shtrënguar,/ kam kërcënue nga vojtja- të kërcyer, / e të fyer! / dy pëllëmbë më tej, çpalosen /harbojnë/ dallgët dhe pulëbardhat./ O ironi irrituese… (fq.50)
I kolovarë mbi një lopatë faqeshpëlarë/ me tehun që shkëlqen, kripë e grirë,/ kockë e lëkurë…/ me lulen e kripës në buzë,/ me lulen e dhimbjes në ballë/ kufomë e gjallë./ Ai ka ngrirë si obelisk prej bronxi,/ nën qiellin e nartë/ duke matë me një vështrim të përhumbur/ hijen e vet…/ si një shigjetë e zezë…/ drejt qytetit, me sy të uritur./…/ Në piskun e diellit, kripa dhe ai./ Ai dhe sholli i këmbëve mbi prushin që përvëlon,/ ai dhe dhembja…/ ai dhe pikëpyetja ku është kuluvarë/ Nën ison e dallgëve nuk e di, nëse këndon/ apo mallkon. (fq.51)
Mbi shuplakën gjithë vija të kryqëzuara/ mbi putrën e atij shekullori/ që dridhet nga presa e tronditjeve/ si sitë elektrike,/ plaku ka vënë një kokërr të madhe kripe…me sy të vagëlluar/ duke dyshuar se mos kripa është hiri i perëndisë. (fq.59)
Kripë! Bukuri e ëmbël!… e renduar kah dritës dhe lirisë… flijesë e pashtershme/ në përbuzjen ndaj vdekjes/ në buzën e çarë të etjes/ dhe në gojën e hapur të urisë./ Mos je më e rralla? Po sikur të jesh me e kërkuara? Duke qenë aq e shtrenjte/ shitesh aq lirë…/melhelm mbi plagën e lënduar… (fq.61)
Poeti pagëzohet në kripë e mallkon të pakripët, me gjuhën e kripur, demaskon dhunën, tmerrin:
Në kripën time jam regjur/ nga të pakripër gjymtuar./ I ndryshkur/gojëlidhur/ kam gëlltitë kafshatën më të hidhur/(po aty, fq.65)
Kam dëgjuar dhe dëgjoj klithma/ që barin thajnë/ dhe ngjajnë/ si dy fije floku/ Makronisi/ dhe Goli Otok-u/ Ndaj duke shungëlluar, zemëruar po i rrah me gjoks këta shkëmbinj dhe po thërras me gjuhën time të kripur/ të krijuar nga limfa dhe lotët e hidhur/ tek veshët e shurdhët të dhunës/ pa asnjë rrugicë shprese/ ditë e natë po thërras, çirrem në vijat erës…Nëpër tmerre të shoh… ( Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, Zëri i baticës, fq.26) Poeti zhgënjehet nga mos-epja e kripës: Mungesa e saj është dramë për poetin:
Edhe dielli…./ në pagjumësi të pëprjetshme/ rend duke të kërkuar./ kur ti, e paepura…/ duke e mashtruar/ vetëm avuj kon/
Kështu dhe me mua/ që të ftoj e s’më vjen në vargun tim/ …pa kripë,/ vargu jetim (po aty, fq.61)
Brenda vargjeve për kripën, autori shpalos gjithë shpirtin e tij të tronditur në sytë e lexuesit. Kripa është për të si një strehë dhimbjeje:
Laurence përshkruan atë ç’bën poezia: njerëzit nuk pushojnë së fabrikuari tendën nën të cilën strehohen (…), por poeti, artisti, kryen një çarje në ombrellë, madje gris të vërtetën hyjnore për të lënë pak rrymë kaosi të lirë, si edhe për të vënë brenda një drite të rrëmbyer vegimin, që shfaqet përmes çarjes.3
Errësira është e pakripë!/ Asaj veç thurësit e ferreve i kanë kënduar… ( Një e qeshur harbon nëpër errësirë, fq.27)
Ai e ndien në shpirt, e ka në trup, është gatuar prej saj, e ka mbijetuar falë shijes dhe forcës që ka marrë prej saj, në ditët e vështira të izolimit:
Në kripën time jam gatuar/ në shëllirën e saj jam kulluar/ duke mbijetuar! (po aty, fq.65)
Tek pij mushtin e një kroi malor/dhe kur lëpij kristalin e ëmbël të kripës/ shuaj nga fushë e kujtesës njëmijë dhimbje.
(Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.35)
Hidhnim aq kripë, për t’u ngjesh pastaj me ujë/ dhe kishte aq shije/ sa ç’kishte në vargjet tona shi dashurie.
(Vallja e katrahurave, fq.46)
Dhimbja e Lirisë
Më lini të bëj me veten time çfarë dua!4 Jehon kjo klithmë proteste e individit të izoluar që kërkon terren dhe hapësirë të shtrijë mendimet, idetë e tij, por që para vetes has barrikada aq të forta dhe mure aq të pakapërcyeshme, saqë e ka të pamundur lirinë. Atë liri për të cilin kanë luftuar ndër shekuj të parët e vet me të cilët krenohet, e që tashmë mungon aq shumë:
Dhjetëmijë pëllëmbë mbi faqen e detit/ çatia e visit tim/ me trarë pishe e tjegulla guri,/ te djepi i kreshnikëve/ në vekun e legjendave/…/ ku vështrojnë nënat…/ I këndohet lirisë në mungesë…/…/ në melodinë që ruajnë grykat që prej Ilirie5 (fq.3) Poeti e kërkon lirinë kudo, por e gjen vetëm në bujarinë e vargjeve që mbijnë nga dashuria e rrjedhin si llavë, me fjalë zjarri:
Ti vrapon nga zemra, në zemër/ si rruazë përvëluese duke vezulluar/ me liri dhe dashuri ngarkuar./ Nënë poezi!/ …/ Midis rrudhave t’u bëfsha varg! (Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, poezia, fq.4)
Mos m’i lidhni gishtat./ Hidhni sytë deri në horizont: E gjithë hapësira/ janë duart e mia të shtrira/ janë duart e mia të lira. (Duart dhe kallëzat, po aty, fq.6)
Kemi një lloj rebelimi migjenian, kur poeti shtrëngon grushtin, brenda të cilit gjendet liria:
Të kam pasë thënë/ se lirinë e ke të fshehur te gishti,/se lirinë e ke përgjumshëm tek grushti./ ndaj të kam thënë/ se një nga gishtat mban zjarr… (A të kujtohet?, po aty, fq.14)
Tmerret e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit të nomenklaturës, përshkruhen hollësisht në poemën alegorike Goli Otok, një lloj kampi përqëndrimi në një ishull guri, në Jugosllavi, por që poeti i jep përmasa universale, duke përfshirë realitetin shqiptar në përiudhën e komunizmit dhe më gjerë:
Ç’baticë e solli ferrin në këta krepa të dhëmbëzuar/ në këta krepa të shurdhët e të vetmuar! Brenda një dite sikur mbinë nga varri këto gurishta/ mijëra gjysmëkufoma fytyrash të trishta. (Poemë për pëllumbat e pabindur, po aty, fq.23)
Plotësohet panorama e zymtë e Goli Otok-ut pa kufij shtetërorë, gjeografikë, politikë e shpirtërorë midis kombeve:
Dhe në fshehtësinë më të paimagjinueshme/ u ngritën mbi këtë rrashtë ngrehina pa dritare/ mure të betonuar plot me krina grerëzash/ me frëngji qepallash hekuri/ ku do të dergjej kurmi i çdo gjysmë të vdekuri… (po aty, fq.23)
Cila këmbë e hequr zvarrë/shkeli këtu për herë të parë?/ Cili qe dasmori i parë që ju ngjeth mishtë/ kur këtu derdhi vështrimin? ( Po aty, fq.23)
Ç’është ky mysafir i venitur si një krisht/ me gjoksin rreshtdalë e kaq të gjerë?/ Ky vigan i rrethuar nga tufa e qenve me turizë/ duke murmuritë me zë të mbytur (klithmë danteske)- Vallë,/ nga kjo skëterrë e humbur a do të dal i gjallë?/ një shkëndijëz i pafullin ndër sy/ dhe një dritë i ndrin në ballë. (po aty, fq.24)
Një dramë e thellë shpirtërore shpaloset në zërin e zbaticës. Poeti herë bëhet baticë e herë zbaticë për të nxjerrë mllefin kundër dhunës ndaj fjalës së lirë. Konstatim tragjik, shpëtim nuk ka!
Në gjirin tim të kaltër tërheq një kufomë që i ka ngrirë/ trishtimi… në sytë aq të lënduar/ është një i burgosur tashmë i liruar/ dhe i tretur, vetëm asht e lëkurë./ Xhaketa e tij është e lerosur me njolla të kafta gjaku… (po aty, fq.28)
E gjetën dhe e degdisën sërish në kthetrat e skëterrës/ duke e ndëshkuar me nenin e arratisë/ për t’u kallë datën bashkëqytetarëve…/këtu as i vdekuri nuk gjen dot shpëtim. (po aty, fq.29)
Zërat e verbër të erës bëhen pro e kundër tmerreve te Goli Otok-ut universal. Prapaskenat, raportimet fals:
Zëri i parë: Ti, qen, ke vjell vrer e mllef kundër frymës sonë,/ na thuaj, me cilët, sa s’është vonë?/ ndryshe brinjët do t’i përsheshim, o i mallkuar/ ndërsa dhëmbët do të t’i japim në duar!
Zëri i dytë (poeti):
S’kam derdh mllef, por gjak/ dhe jo pak./ ja, plagët që dëshmojnë/ kam qarë hallet e luftës me shokët e rënë/ tani ata gjithë ëndrra/ të qetë ndër varre flenë.
Zëri i tretë:
Vdiq i poshtri, na shpëtoi/ sa shpejt i ku shpirti!
Zëri i katërt:
Ik e laji ato duar të lyrshme/ e raportoje si një vdekje të natyrshme. (po aty fq.30-31)
Të vjen ndër mend kur dëgjon këta zëra terri, skena e duarve të përgjakura makbethiane. Një paralelizëm i përbotshëm për makbethët e kohërave moderne. Zërat i përngjajnë njëkohësisht polifonisë së një kori makabër që rrjedh që nga thellësitë e antikitetit.
Poeti kërkon të arratiset, me zërin e pulëbardhave. I jep kurajo shokëve: Eja të ikim nga këto vise të mallkuara!…/ka kohë që bregdetasit këndojnë vetëm këmgë të trishtuara (po aty, fq.36)
… në këtë ishull eshtëror…/ …/ u hap një varrezë…/ dhe u mboll aty, e para ëndërr e shuar/ hallka e parë e një vargani të gjallë/… që s’do të ketë të sosur (Varreza, po aty, fq. 37)
Mbahu shok!/… në Goli Otok/ nuk kanë të mbaruar këto varre ferri/…/ shi arteriesh, gjak… ( Mall, po aty, fq.39)
Autori bëhet zëdhënës i tmerreve që pa me sy, i 40-mijë skeleteve të stërmunduara sizifiane, i vëllezërve të panumërt bashkëvuajtës, si edhe “qytetarëve të lirë”:
Jam Sizifi më i ri i neneve të pashkruara/ në olimpet trekatëshe me shkallë prej mermeri/ jemi skelete që bartim gurë të rëndë/…/përmes kamxhikut, drurit dhe gurit/ dyzet mijë skelete duhet të zhvishen nga fosfori (po aty, fq.,40)
Zgjerohet panorama e dhimbjes jo vetëm prapa mureve të ftohta të qelive, por edhe jashtë tyre. Ashtu si tek personazhi kafkian, Jozef K., kur më datë 31 dhjetor (fundviti-fundjete), i shfaqen papritur dy “tenorë me pardesy” tek dera dhe më pas, shumë natyrshëm, ia rrasin kokën mbi një gur duke ju drejtuar njeri-tjetrit gjithë mirësjellje se kush duhet ta ngrinte sëpatën i pari në qafën e të dënuart me vdekje.:
Edhe në qoftë se ndodhesh jashtë kësaj torturishteje/ njeri i rëndomtë/ i mbështjellë kutullaç…/ nuk mund të bësh kurrsesi dy net radhazi gjumë të qetë!/…/ Vdekjen mbështjellë rreth qafës e mban/ kokën dhe fytin të futur në savan/…/ duke jetuar ankthin kur po troket dera/… e të shfaqen dy hije me pardesy gri… (Kudo që të ndodhesh,po aty, fq.41)
Realiteti behet aq i prekshëm a thua se është qenie e gjallë që avitet: Zvarriten kolonat si balle të plagosura/…/ Në çdo fytyrë, tek cilido shoh një kafkë të mertisur (Kolonat dhe shushunjat, po aty, fq.46)
Poeti sërish shpreson:
…në trojet tona/ përjetësisht të ndëshkuara/…/ patëm thënë dikur: Nuk do të ketë më natë. (Patëm thënë dikur, po aty, fq.47)
Poeti, si Mesia i këndon ringjalljes: Ç’lojë therëse, më poshtë:
Njëmijë herë kam vdekur nëpër thonj/ nëpër kthetra nenesh të pashkruara/…/njëmijë herë… në zgrip të varrit pastaj duke më ridënuar/ me nenin më të pamëshirë/ të më kthejnë në jetë/ nga frika se vdekja do të ishte nje fund i qetë./ Njëmijë herë kam dëshiruar të vdes…/ dikush i ka dhënë nënës besën/ dhe ai s’ka për të vdekur/ dhe po vdiq i varrosur në gropë kolektive/ do të ringjallet… (Kënga e ringjalljes, po aty, fq.51)
Po t’i referohemi Sokratit: – Pra, vdekja është ose një gjumë i amshuar pa ëndrra, ose një udhëtim në vise të lashta, mes shpirtrash të ndryshëm, të mbushur me drejtësi6, – ekzekutuesit paskan patur të drejtë! Ç’ironi makabre!
Më tej: në të vërtetë mund të thuhet se çdo shpirt ronit shumë trupa, (nëse supozojmë se gjatë kohës që njeriu jeton, trupi është një lloj fluksi që rrjedh, mbaron, përkundrazi shpirti e përtërin vazhdimisht atë që konsumohet.(…) Pasi vdes shpirti, atëherë trupi shfaq gjithë brishtësinë e vet, dhe shpërbëhet i gjithi. 7 Sa e sa flukse rrjedhash trupore u ndërprenënë ato vite të zymta:
Ishim tetë dhe kthehemi shtatë/ duke e lënë të tetin në gjumin e gjatë/ me kokën e mbështetur mbi një gur…/ shoh qiellin e murrmë tek mbushet me mllef/…/ duke u rrekë: gjakun e gurores ta shpëlajë/ U lava në atë shi, vallëzova në drithma…(Kënga e fundit e Radës, po aty, fq.56)
Dhe shtrydhu shtrungë e diellit/…/dhe shkrumbo ndër koritat e drunjta të Rugovës/…/ndër buzët e plasaritura të Kosovës/ harbo qetave… /ndër Bjeshkët e Nemuna./…/shtrydhmuni ndër duar/ ju gjinj të dhamë të lirisë. (Kënga e Aliut, po aty, fq.66)
Dhimbja e lirisë merr përmasa ndërkombëtare dhe poeti, rebelohet për ndarjen e dikurshme të trojeve:
Mizeritë e bërësve të botës/ u bënë zotër në krye të sofrës/ duke endë pëlhurën e historisë së hidhur/…/ në emër të lirisë… / Breshër bie mbi trëndafila. (Në emër të lirisë, po aty, fq.69-70)
Vëllimi Masakra e Tivarit, merr përmasa tejet globale, poeti aludon për dhimbjen në polidimensionalitetin e saj. Ironia bëhet therëse:
Kam përtypë dhe ripërtypë dhimbjet 8 (fq.7)
Hallakatem i harlisur në vallen e hienave të hirta/…/ në pusin e terrinës/…/ dhe betohem sipër vorrave të braktisura/ skeletesh me duar të lidhura/prangash… (Masakra e Tivarit, fq.9)
Në pritje të diellit/ I hedh vështrimin qiellit të mesnatës/ që s’di të të mbarojë së sterri. (po aty, fq.10)
Luaj vallen e një orrli/ tek vizaton rrathë në një pëllëmbë qiell (po aty, fq.13)
Dy breshërinj trandën luginën/ rrapllima i dha grykës kumtin e një gjëme…Kujt ja qëndisën sonte rrasën e kraharorit?/…n’emën të lirisë?… (po aty, fq.14)
Imazhet e mëposhtme nuk janë iluzionare, ato kanë brenda vërtetësinë e tmerreve të të gjitha tiranive, në çdo epokë, për çdo komb. Ku është drejtësia? Ç’rol luan shteti?
Po t’i referohemi Platonit: drejtësia bën që shpirti substancor të ketë realitet, prandaj ai shpreh natyrën e këtij realiteti. Drejtësia në intimitetin e saj, ndërkall konceptin se njeriu i drejtë ekziston vetëm si pjesëtar i shtetit.9 Kështu duhej të ishte, dhe jo si vijon:
Fytyra të qëndisura me bluna dhune/ eshtën të shtypur morsetash, të krisur apo të thyer/ thonj të shqitur me pinca/ apo të shpuar me biza/ kortar gjymtuar cakorresh/ kafka të çara dysh/ apo sy të nxjerrë nga foletë… (po aty,fq.19)
Vijojmë:
Puse me të mbytur/ dikush atje poshtë ndjehet ende gjallë/ me thonj të mbërthyer në gur… (po aty, fq.20)
Liria jote kopërcatet e dhunuar/ në shtretër të huaj/dhe thahesh etje ndër duna shkretëtirash shpirt përvëluar (po aty, fq.21)
Tmerri i skëterrës vazhdon: Shteti përskuq kraharorët e shtetasve të vet:
I ndiej si galenë valëthithëse/ shakullimat e ortiqeve/ dhe tytave që farkëtohen larg/ tek kanibalët e kuq/ për t’u shkreh këtu, mbi rrasën e gjoksit tim… (po aty, fq.29)
Shteti ynë do të jetë i mençur dhe i këshilluar mirë, (…) për dijen e prijësve dhe të qeveritarëve, e cila ka si pikësynim gjithçkanë, njeh universalin, kujdeset në mënyrë më të mirë për shtetin, qoftë për brenda, qoftë në marrëdhënie me shtete të tjera. Kjo urti, ka realitetin e saj në klasën e këshilltarëve, (qeveritarëve.) (Republika, IV, 428B-429A)10
Poeti, sfinksi që i bën ballë egërsisë, si bjeshkë e gdhendur, i falet përjetësisë:
Dhe bie! Shembem mbi hijen e tij/ për t’i thënë me gjuhën e rrapëllimës/ përkohësinë e tij/ dhe përjetësinë time. (po aty, fq.41)
Dhimbja nga individuale bëhet universale nëpërmjet këtij aliteracioni befasues: Terr e trysni iu turrën trollit tragjik të trimave… (po aty, fq.42)
Liria për poetin është edhe më e shenjtë se librat e shenjtë:
Dy fjalë për ungjillin, tri për kuranin/ Dhe katër për lirinë… (po aty, fq.46)
Ulje-ngritjet e amplitudave të dhimbjes bëhen më të forta:
Tani të janë tretë buzët, dhe me ata dhëmbë/ të fildishtë i fal nëntokës/ së “mallkuar”/ të qeshurën e përjetësisë. (po aty, fq.50)
Liri, ti shkëlqim i shenjtë/ I flijimit aq të shtrenjtë/ ti fjala pa kursim, mundësitë e mia… (po aty, fq.70)
Dëshpërimi poetik ngërthen në vetvete tragjizmin e reales tokësore, atij realiteti makabër që shkurtoi e la përgjysmë mijëra ëndrra: poeti konstaton, por nuk bie pre e pesimizmit, pavarësisht përmasave bardhë e zi të dhimbjes:
Plagët tona përsëriten/ pa gjetë kurrë shërim,/ sepse dhimbja është shkaku/ pinin dhe pinë ujë në të njëjtin burim. (po aty, fq.71)
I njoh nga afër ata që kafshuan/ frutet e lirisë sime 11 (fq.10)
Nëpërmjet lirisë shpirtërore poeti e shndërron errësirën në qumësht drite:
Jam vetë liria e vehtes, dimensionesh pambarim (Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.14)
Liria ime e brendshme është përjetësisht e paprekshme/ asnjë drapër i huaj s’mund të korrë… (po aty, fq.15)
Mbi lirinë e tjetrit mos u shtrini! (po aty, fq.15)
Hegeli tek Leksione mbi Platonin, shprehet:
E drejta është ekzistenca e lirisë… E drejta është Qenia-brenda-vetes-dhe –pranë-vetes shpirtërore, e cila dëshiron të ketë ekzistencë aktive. E drejta është liria që i jep vetes ekzistencën. (…) Shpirti nga është nga njëra anë njohës, nga ana tjetër i vullnetshëm, domethënë do t’i japë realitet vetes. Dhe realiteti… është shteti. Në fakt mënyra, në të cilën vullneti i lirë racional përcaktohet përbën ligjet e lirisë… Ligjet nuk janë thjesht etho-s, por duhet të jenë edhe pushteti kundër arbitraritetit…12
Ku janë individët kozmohistorikë? Ku është shpirti universal superior? Ç farë thelbi ka epoka në të cilën jetojnë? Kush lejon që të torturohen e vriten poetët? Po, a mund të vritet fjala?
Nëse trupi është i mishtë, e vdes, fjala është e fildishtë dhe mbijeton. Ja, detajet nga piramida e dhimbjeve:
Në kacafytje me terrinën rend/ për plazmën e lëngëzuar të lirisë/ si frut i pavjelë, në ikje, ( po aty, fq.38)
Ti atje tej, që çirresh/ duke trembë vetveten/ me gishtin tregues drejt shtëpisë sime…/ po më uron varrin,/ ndërsa shtëpisë zjarrin/…/ dhe turmave të verbra u thërret… (Një e qeshur harbon nëpër errësirë, fq.24)
Askush s’i njeh mirë bjeshkët e mia,/ as ai që i yshti ndër gjakra,/ as ai që na rralloi me masakra/ as dëbimi/ as pushkatimi/ as varfëria; / ato mund t’i njohë vetëm liria. (fq.25)
Në një sqetull shkëmbi/ në fytin e një shpelle/ në një mesnatë dimri/ me një brez dëborë,/ pa bukë dhe pa zjarr:/ kishin ngri/…/ një dorë kripë/…/ unori, eshka/ dhe guri i strallit,/ e një ëndërr e shuar/ në lule të ballit… ( fq.31)
Një herë në dy ditë,/ një ditë terr, të dytën ferr/ Oh, sa e gëzuar ishte ajo ditën e dytë… ( po aty, Vizitorja e torturishtes, fq.34)
Përplasej nën rrymë/ nga muri në mur,/ nga tortura në torturë,/ na kthehej e murrme/ e plot njolla me gjak,/ se nuk rrëfente: ku i strehohej/ bashkëshorti kaçak…/ nën këngët e hidhura e të njelme të djepit… (po aty, fq.34)
Në udhëkryqet e erërave të dhunës,/ …/ hedh vallen e hidhur,/ buzë e duar lidhur,/ liria ime! ( fq.42)
Eja, m’u bëj gjumë/ në netët e gjata të qelisë,/ (kësaj nate kaq të gjatë)…/…/ eja më thith lagështirën e mykut të gjelbër, të dritares me hekur…/njelmore e bardhë/ me këmishë të kaltër/ ndë më gjen të lodhur, eja m’u bëj gjumë!/ Eja m’u thur thellë qerpikëve në një ëndërr…/…/ kullo e mbledhur në bulëza mbi ballë… ( po aty, fq.44)
Shumë rendin, dhe kanë rendë kurdoherë/ të ma mbyllin derën e fjalës/ me lecka shpifjesh…/para meje heshtin mijëra të pagojë e të pashpresë…/ dhe shoh prapa mijëra të tjerë,/ gojëkyçur/ që zvarriten … ( fq.45-46)
Kokrrizë e dashur!/ Mos je hiri i dritës së djegur?/ Mos je e qeshur e Hënës së nemitur,/ që më sheh, si një e ve, e burrit të pushkatuar/ pa gjyq/ dhe pa varr? (fq.46)
Si askush/ nën breshër e mbi prush./…/ ndër efaga merimangash,/…/në rrfana prangash,/ …dhe mbijetoj! (fq.48)
Mos lakmoni të dëgjoni këngët e vrerit/ dhe mllefit./ Ai u këndon duarve/ dhe prangave të tejpashme… (fq.51)
…por tanku i llahtarisur i dhunës,/ la rrugën dhe u rras në kopshtin tonë/ të trandafijve./ Na i thërrmoi gishtat e thurur:/ bisqet e bilurtë të dritës./ Rrotat e dhunës ekzekutuan treqind mijë dashuri,/ duke bluar gjithë vegjetacionin/ e shumë pranverave,/ për të sajuar…/ një shkretëtirë njerëzore,/ duke sajuar hordhi duartrokitësish,/ dhe gjakpirësish/ dhe kokallash për skeletin e madh të piramidës./
O! Ç’është ky tumor…/ mbi një treve të hijshme si shtatorja e Afërditës?/ Një lëngatë kobndjellëse, mbi një djep kaq të lashtë…Gjunjëzon e tjetërson fisin e lisave që mundi katër erërat/ duke u vetskllavëruar/ vetkafshuar/ e shformuar.( po aty, fq.54)
Të vijnë ndër mend zullutë e Konicës në vargun më poshtë, porse në invers:
Turmat: qarje kanë këngën dhe iso rënkimin (Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.43)
Vijon tmerri: Nga larg dallohet nata tragjike e lirisë/ së shpërdoruar/ jashtë shtigjeve dhe ligjeve (po aty, fq.48)
300 netë i gjallë në një varrezë betoni/ pa gjuhë në gojë/ nga sy i saj me qerpik të ndryshkur/ një krunde drite më vinte/ më vinte në lojë… (Kalëroj rreth botës mbi re, fq. 17)
Mos më fyeni me mirëmëngjesin,/ kur s’ka asnjë shenjë se do agojë. (po aty, fq.18)
Sërish poeti gjen forcë e shpëtim tek liria:
Në fytyrën që shoh ballas pikëllimi ka ngulë ganxhat/… e dhe mua m’u qep dikur…./ Liria ime e brendshme e përzuri (po aty, fq.46)
Mjaftojnë vetëm këto dy vargje për të kuptuar realitetin funebër të atyre dekadave:
Ne të dy-ishim protesta të gjalla, gojëshqyera/ si dy shpella që rrëfenim lemerinë/ që mbështolli si me magji një turmë të tërë. (A do mund të takohemi nesër?, fq.16)
Atmosfera që përcjellin vargjet në vijim sa vjen e bëhet edhe më e llahtarshme:
Jemi shkrumbuar etje, kur fjala e parë hynte në qeli/ e dyta shkonte në plumb,/ dhe e treta në litar. (po aty, fq.20)
Poeti përgjithëson: Brezi im u mbyt/ me fjalën e zënë në fyt/ ndaj, priteshin trazira (po aty, fq.20)
Dhimbja arrin kulmin, por poeti sheh larg në ardhmërinë e shpresave të bëra realitet: po përpëlitet fëmija kërthi/ prej farkëtuesve të ferrit/ thonë se do t’i gjendet një shteg shpëtimi në raportet e dritës me errësirën (po aty, fq.45)
…/dhe asaj nate s’pati as hënë, as shihej, nëpër errësirëvranësire lëviznin hije të kërkuara nga prokuroria./ Stinë prangash po vinin. Krimet merrnin jetët./ndaj ofshajnë poetët! (po aty, fq.56)
Njerëz! T’hollojeni errësirën tuaj/tjetri për ty nuk është kaq i huaj (po aty, fq.58)
Poeti, survejimin e fjalës së lirë, e sheh si dramë kolektive dhe jo thjesht si individuale: Ai kërkon drejtësi.Të ekzistojë i lirë, të zotërojë dhe shijojë përditshmërinë. Hegel shprehet:
Veçantia e një individi duhet të kultivohet dhe të mprehet, duhet të arrijë në të drejtën e vet, në ekzistencë; Drejtësia, sipas konceptit të saj të vërtëtë, do të thotë për ne liri, në kuptimin subjektiv (…) E drejta e lirisë për të ekzistuar është universale. Prandaj Platoni e ve drejtësinë në majë, si përcaktim të së Tërës dhe e kupton lirinë në sensin e lirisë racionale ekzistuese nëpërmjet organizmit shtetëror, një ekzistencë e nevojshme, një modalitet natyror13
Si është e mundur, pra, që instikti këmbëngulës i racionalitetit i ka tërhequr të lashtët drejt së vërtetës dhe të sotmit drejt tiranisë dhe arbitraritetit?
I gjithë ajri është i mbarsur me yusht kthetrash/ era e ngarkuar me lajme të lemeritshme/…/ bien këmbanat e dramës kolektive (po aty, fq.59)
I ujis shkretëtirat e kafkës me verë/ duke e ditur,/ se papritur/ një ditë do të mbushet me dhe/ Në prani të diellit gjalloj zvarrë nëpër terr e hije/ pema ime me dyzet rrathë skllavërie14 (fq.12)
Kush guzoi të luftojë të drejtën e mohuar të fjalës së lirë dhe ia doli pa u lagur?
Kufomat e mëdha të librave u shndërruan në kufoma të mëdha shkrimtarësh plot plagë që rridhnin ende gjak.15
Netëve të thëllimta të dimrave/ kur shteti ju sul fjalës së thjeshtë ai ngjitej… aty ku detrat putheshin/ dhe ua zbrazte dallgëve të krisura dufin./…/Dosja qe ntrash me gjith’ ato të dhëna/ do kenë denoncuar edhe retë, deri edhe hëna (po aty, fq.24)
Eja të rrëkëllejmë nga një gotë brenge/ mbi këtë tryezë me mbulesë të grisur (po aty, fq.47)
Dhimbja e Vetmisë
Vetmia në vargun e Sadri Ahmetit nuk është thjesht melankoli e romantikëve, për mungesën e dikujt aq të dashur për të, as vetëizolim i kohërave moderne. Ajo është vetmi e dhimbjes e shkaktuar nga trysnia shtypëse e regjimit e cila e tkurrte individin duke e nxjerë jashtë hemisferave reale të ekzistencës.
Goli Otok! Goli Otok!/…/ vampirët të morën me të mirë/…/ të thanë se kurrë më s’do të përkundësh vetminë/…/për pëllumbat e egër e të pabindur…/ ku do të vuajnë ndëshkimin/…/… të përkëdheli xhelati gjithë djallëzi/ dhe zunë të sillnin pandalë bujtës të rinj… ( Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, fq.24-25)
Zëri i zbaticës ofron strehë për vetminë dhe dëshpërimin e poetit:
Do ta kthej me fytyrë nga hëna e plotë/ duke e ngushëlluar,/ mbasi ajo i ngjan aq shumë nënës së tij të trishtuar/…/gruas së mjerë që po qëndis me arna larushe/ fundin e saj… (po aty, fq.28-29)
Në gjirim tim lëkundej i burgosuri/ kthyer me fytyrë nga hëna/… në netët me klithje kukuvajke… (po aty, fq.29)
Zëri i zbaticës ofron ngushëllim për vetminë dhe dhimbjen e poetit: Kudo që të jesh…/ mbështetu tek unë! (po aty, fq.29)
Përjetësisht në eklips/ unë dhe ti/, duke na brejtë vetmia/ e… duke përtypë vetminë…/O! Kur do të shpëtojmë! (po aty, fq.34-35)
… në pritje të një pranvere/ që s’u duk asnjëherë/…/ nëpër brinjët e tua si përmes një gardhi të thatë, të rralluar/ përshkojnë rryma ethendjellëse/ ti mërdhin dhe tkurresh në ngushtësinë tënde të vajtueshme (Ngado që të kthehesh, po aty,fq.43)
Vetmia e poetit bëhet më e thekshme, kur e kanë braktisur (nga frika e survejimeve), edhe njerëzit më të shtrenjtë. Ai ndjehet dyfish më i vetmuar:
Lemza na zë rrallë:/ nga të shtrenjtët, a na kujton, a na përmend kush vallë? A ju shkon ndër mend, se jemi diku gjallë/ apo kemi vdekur?…/… (Patëm thënë dikur, po aty, fq.47)
Më thellë më theri dhimbja jote/ sesa dhimbja ime…/më thellë në palcë më theri klithma jote/ se sa dhembja ime./ Kërcitën çelësat, shuli dhe ty të morën…/ kërcitën çelësat. Ty të morën./ Më fale një vetmi që kurrë s’e kisha jetuar (Kënga e qelisë, po aty, fq.54)
Por shpesh, autori gjen forcë dhe e mposht vetminë, qoftë edhe virtualisht:
Këputini zinxhirët duke u bashkuar në një zinxhir,/ mos u mbytni në turbullirën tuajtë vetmisë,/ veneroni duke mbijetuar në një livadh të krijuar… (Ekstazë, po aty, fq.55)
Dhimbja bëhet therëse dhe poeti fajëson ekzistencën. A thua do ishte më mirë të mos kishte lindur? Kush i ka fajet? Hëna apo nëna?
U kam thënë xhelatëve: Fajet i ka hëna,/ fajet i ka hëna me katërmbëdhjetë fytyra/ Jo! Thonë zhelatët,-fajet i ka nëna./ Kam lindë në një natë me hënë… (Kënga e Peros, po aty, fq.59)
Dhimbja arrin kulmin. Poeti, si një ishull i vetmuar, i shkretë, lut vdekjen që ta marrë, por vdekja nuk duket askund. Kush e paska vjedhur?
Jam ishull i gjallë në një ishull të shurdhë/ po rreshkem buzës për një pikëz ujë (antitezë e fuqishme alla-noliane!) Kush ma ka vjedhë vdekjen/ le të marrë mundimin të ma kthejë sërish/ Vdekje e ëmbël! Oh!, sa të kam kërkuar me qiri dhe me pishë. (të vjen ndërmend poezia: Një natë pa gjumë e Migjenit, poetit të dëshpërimit, me simbolikën e fuqishme të qiririt dhe të pishës:) Vdekje, që kush do të përbuzë/ me buzët shpuzë/ pse s’po më përfill? (Kënga e Bozhidarit, po aty, fq.60)
Nuk vonojnë pasojat, jo vetëm shpirtërore, por edhe fizike, skajshmërisht, në netët pa gjumë, në netët e mbushura me vetmi, ku i dënuari numëron brinjet, e shtyn orët e jetës së vet të trishtë:
Numëroj në pagjumësi brinjët e mia/ si thuprat e një gardhi të thatë:/ herë më dalin tetë, herë më dalin shtatë (Kënga e pagjumësisë, po aty, fq.64)
Harboi i lirë ndër këto buqetëza krizantemash,/…/të kripës së kristaltë, përthurur në varg/…/Merre këtë buqetë thinjash deti të trazuar/…/janë eshtrat e gjymtyrëve të detit,/ të hallkave të halleve./ Prushi i dhimbjeve…(Një e qeshur harbon nëpër errësirë, fq.8)
Edhe ju që e doni detin, kudo që ndodheni/ shiheni këtë det kristalesh /që fle mbi vijat e fatit tim./…./ në mos paça vdekur qëkur dhe gjendem si hije mes turmave hije… (po aty, fq.10)
Ka kripë kushdo që përbuz vetminë…. (fq.13)
Askush si unë…/ kur braktisa djepin…/e, dridhesha si gjethe/ në të pambarimtat ethe… (fq.33)
Kur shtati im dergjej/ thirra, duke u shpurdhë/ po, askush s’më gjegjej/ veç shkëmbit… (fq.39)
Ulqinak!/ Kur të kthehesh para muzgut, nga oxhaqet e kripores,/ jam ulë e po të pres ndanë rrugës/ ta dredhim./ Me letra gazetash që vjellin gënjeshtra/ eja këtu pranë meje,/ çlodhu pak/…/mos i hiq këmbët zhak! (po aty, fq.51)
Poeti e gjen ngushëllimin nga vetmia edhe tek thërrmijëzat kristalore të kripës:
Ti m’i vure ato bisqe të brishtë/ mbi gishta të lënduar/ duke m’i shëruar./ Më mbërtheve me duart e dashurisë,/ si me dy pjergulla dhembshurie,/ më fale nga jeta, kur ajo ishte duke m’u shuar… ( po aty, fq.54)
Më shfaqesh e thërrmuar/ ndër thyerje dritash/…/ në çdo kometë,/ që shqitet nga degëzat e bie/ krifëzjarrtë. (po aty, fq.55)
Të putha nëpër ëndrra/ në mëngjes më gjumtuan./ Dhe ndërkaq/ e shtrenjta përpirje/ ndër ëndrra/ mos m’u shfaq!/ mos u fshih nën ombrellë,/…/kacavirru… ( po aty, fq.55)
Po të pres, kudo e kurdoherë/ me duar të shtrira,/ të ndërthuremi ndër simbroza… ( po aty, fq.55)
Eja më mbush me ty./ dhe mbushu me mua!/ Ti je graviteti im tek me thith më shumë/ se magma e dheut,/ tek ndiej se marr peshë tek të përmend/… ( po aty, fq.56)
Çdo përpjekje buzësh, emrin tënd piptin,/ duke dëbuar atë mug që sjell mungesa jote,/ ndaj ngre batica… ( po aty, fq.57)
Para se të ikësh gjëkund/më gdhend një mozaik/ me një kafshim/ në palën e muskujve, midis qafës dhe krahut! (po aty, fq.57)
Mungesa sjell mallin, malli zgjon dashurinë dhe dashuria ofron perëndeshën e saj për ngushëllim:
Afërditë!/ O vashë e tejbukur, si një gënjeshtër gjahtari/ Ç’më thua me atë gjuhë formash/ tek më sheh nga tejlargësitë? (Masakra e Tivarit, fq.62)
Poeti arratiset nga vetmia, tek hëna:
Edhe ti hënë, frymëzuese e poezisë së trishtimit,/ drejt letrave i ke zgjat gishtat e brishtë,/ me muskuj të fildishtë/ të përmallimit./…/ Ti ke strehë të gjerë/ kur unë nuk gëzoj një pëllëmbe shtëpi/ ke pushtuar një qiell të tërë/… të lëngëzuar/ Ti fle e qetë…/ midis kaosit dhe mistereve/ midis rrymave që s’dihet si lindin dhe si sosin/ ku kanë lënë kockat, ndër kohëra/ mijëra anije:/ të grisura/ të thyera/ apo të kullufitura nga shqota/…/ nëpër harrime/ të zhdukur, tok me dhimbjet,/ klidhjet, / e kujtimet… (po aty, fq.61)
I vrarë është poeti nga vetmia, dhe i vetmi ngushëllim janë shkrimi i poezive të trishta:
As egërsirat nuk i tret uria, sa vetmia!!!
(Ai ja pat falë një pjesë të jetës së vet vetmisë,/kur u gjet I përbuzur) (po aty, fq.25)
Vetmia e shtyn poetin të struket pranë një gëmushe tek sodit kurmin e vashës si kërcyell të brishtë:
Atë natë kishe dhimbje koke dhe ju luta fallxhshës të të kurojë:/ lahu me skopështit në mësnatë nën rrezet e hënës / së plotë!/…/ të tria herët qeshë i fshehur në prani/ dhe je larë edhe në currilat e syve të mi. (po aty, fq.29)
Prapë poeti gjen shpëtim:
Më në fund shpëtova nga një vdekje e ngadalshme/… u rimbështolla me zhelet e fatit tim të ripërtërirë (po aty, fq.30)
Lart shoh diellin që digjet për dikë në një vetmi të përjetshme/ duke i falur hapësirës gjithë mallin 16 (fq.50)
Dyzet mijë fjalët e fjalorit jetojnë vetminë,/…/sepse vetmia është tejet e shurdhër/ pa gjak dhe gjymtyrë…(Kalëroj rreth botës mbi re, fq.58)
Shpirti, sipas poetit është vrunduj trysnish dhe reagimesh, e për rrjedhojë bjerret, sidomos kur është nën efektin e vetmisë. Përfytyroni një qytetërim pa njerëz… Qëkur njeriu u shndërrua në gërmadhë/ shteroi gurrën qytetërimi17 (fq.5)
O kokrrizë dheu!/A mos je mishi, apo shpirti i një dielli të dikurshëm, i një hapësire pa emër/ që vdiq nga vetmia në emigrim? /…/Askush nuk shpoi aq thellë, sa t’i hynte dheut në qendër/ thonë se e ka zemrën kaq të zjarrtë/ kush e di se me kë është akoma i dashuruar? (A do mund të takohemi nesër?, fq.8)
Përse toka u dëbua/ e dënuar të vallëzojë në një vetmi të pambarimtë/ e shtrydhur dhembjesh, u gjet e mbyllur në lotët e veta/ u mpiks në akull? (po aty, fq.21)
O ti, i vetmuar, si ishull mes lumit njerëzor/…/e shoh që je ndalë në harkun e parë të një ure, për diku:/ nuk e di,/ me fytyrë apo me kurriz nga e nesërmja? (po aty, fq.34)
Poeti gjen ngushëllim tek poeti, shokë të fatkeqësisë:
Hanin a s’hanim një pjatë në ditë/ ndaj ishim aq të pasur me uri/…/Bilali sytë mbi Tumenisht, Sadriu mbi Albulenë/…/ndanë Urës së Zezë/ në jetën blozë/ dy miq poetë, në një simbiozë. (po aty, fq.46)
Sërish në vetminë e natës së gjatë, i brengosur, i përlotur:
…/ dhe gjithë natën duke lidhë plagë drurësh/ u ngashëreva në shiun e reve të mia (po aty, fq.48)
Shfaqet Ajo: Ajo më mbyste me shiun e pyetjeve:/ në këto humbella/ a jemi rilindje/ pjella/ apo vjella? (po aty, fq.50)
Poeti aludon mbi të përkohshmen njerëzore: Aq gërryese është vetmia, saqë ai nuk ka frikë nga vdekja, por frigohet vetëm prej saj.
Jemi aq pak të përkohshëm, / si spore myqesh/ në një hapësirë të dyshimtë/ të dalë nga vezë qyqesh (po aty, fq.52)
Po rend të mbrohem nga shpellat e frikshme të vetmisë! (fq.55)
Frojdi konstaton: Fjalia kumbuese: -Çdo frikë në fakt është frikë vdekjeje, thuajse nuk ka kuptim, për çdo rast nuk mund të justifikohet…sepse vdekja është një nocion abstrakt me përmbajtje negative 18
Gjuha
Piktor apo poet? Të qenurit njëherësh, piktor edhe poet i jep dorë të lirë autorit t’i kapërcejë kufijtë e imagjinares me destinacionin drejt një absurdi shpirtëror të paskajshëm. Poet-piktor, apo piktor-poet? Te Sadri Ahmeti piktura gjendet në poezi dhe poezia në pikturë. Imagjinata e shfrenuar poetike shpërthen kapërcyejt e të prekshmes, reales dhe niset kah qiellorja. Krijohen kështu metafora që të lenë pa mend, simbolika bëhet e fuqishme, fantazia shfrenohet. Poeti struket në gjirin e reve, vështrimet e njerëzve i duken yjësi, gjuhët e liga e bluajnë nëpër dhëmbët e tyre…dhe askush nuk ja vjedh dot lirinë shpirtërore, as dhuna, as qelia, as shteti, as njeriu. Siç e pamë edhe nga shembujt e mësipërm, rrallë ndodh në poezinë shqipe të deritanishme, të kemi një figuracion kaq të bollshëm dhe tejet organik, pa sforco. Ai rrjedh natyrshëm, si limfë në dejet e vargjeve të poetit. Gjuha e tij ka jo vetëm sharm, fuqi magjike të veçantë, por edhe nji bukuri, muzikalitet dhe ekspresivitet të rrallë. Varg elastik, me tonus, e simbolikë të fortë, shpesh eliptizmi dhe bërthamat konotative marrin nuancat e universales mbi dukuritë më ekzistenciale të qenies që vërtitet nëpër skutat dhe qoshet e verbra ku angullin errësira si e marrë. Imazhe të gjalla të plazmës embrionale, lëvizin nëpër galeritë e nëndheshme të shpirtit poetik, në fundoqeanet shpirtërore, aty, ku ruhen të fshehtat më të thella, të mbështjella me luspa, aty ku fle misteri dhe bën rojë dhimbja.
Gjuha e tij karakterizohet nga ngjyrime specifike substanciale. Drita ështe për poetin një bërthamë e fortë strukturore poetike, vetëekspozim i shpirtit të munduar në tempullin e përjetësisë. Po të shkëputej nga trungu i veprës së tij kjo dukuri, magjia e vargjeve do të zhbëhej, si një pjatë absurdi me xhama të thyer. Ruhuni nga njeriu- errësirë!- klith poeti, si për t’ju kundërvënë syve të terrinës që gëlltisin yjet e pranvërës së autorit. (Vallja e katrahurave, fq.57)
Poeti luan me tingëllimat, krijon neologjizma në lojën figurative me aliteracionet dhe kjo duket veçanërisht në strukturimin e brendshëm poetik të vëllimit Masakra e Tivarit. Vargu është projeksion i një psikoze sociale ku emocionet, ndjeshmëria e tepërt, variojnë që nga tematika e deri tek imazhi, duke çuar në një unifikim estetik idesh dhe mesazhesh shpirtërore. Ai reflekton së pari, në dramën e individit, jetën apo vdekjen në mungesë të lirisë, duke vizatuar rrathë në qiellin e dritarezës së qelisë, për t’i dhënë më pas trajtën e lumturisë dhe shpresës.
Tejet i guximshëm, rebel në art dhe në jetë, Sadri Ahmeti krijoi vargun e tij, shkretëtirën e vet poetike, strofullën, folezën, brenda së cilës ndjehej i qetë, si brenda një realiteti të dytë, ndryshe.
Të shkruash, si konia që hap koliben e vet, si miu që rrëmon llagëmin e vet… Dhe për t’ia arritur kësaj, duhet të gjesh pikën tënde të moszhvillimit, të folmen tënde të veçantë, botën tënde të tretë, shkretëtirën tënde.19
Vargje të thyera, ritëm i brendshëm i harmonizuar me një muzikalitet original dhe larushëri ngjyrash të cilat ja zgjon edhe fantazia e tij prej mjeshtri të akuarelit në galaktikën e penelit të tij e cila gërshetohet me strukturën moderne të vargut të lirë në ide, mendim dhe formë. Në një botë e cila sa vjen dhe po njëjtësohet, në një letërsi globale, vargu i poetit, pavarësisht dhimbjes së skajshme e cila tjerr terrin me gishtat e mugëtirës, do të mbetet gjithnjë ekzotik dhe befasues për lexuesin e gjerë. Atë natë m’u sulën të më puthin njëherësh tri dhembje: (A do mund të takohemi nesër? fq.39)
Ende nuk ka recensione të mirëfillta shkencore që horizontitit të pritjes t’i ofrojnë tiparet specifike të opusit letrar të Sadri Ahmetit. Vargu polisemantik i tij ofron shumë për studiuesit, qofshin këta me përvojë ose të rinj. Shkrimet e rralla që dalin herë mbas here në periodik nuk e plotësojnë rolin themeltar të kritikës së mirëfilltë letrare mbi veprën e autorit. Në dukje si libërtha xhepi, e gjithë vepra e Sadri Ahmetit, paraqet një lëndë tejet të ngjeshur e fibroze, koncentrat mendimi filozofik mbi ekzistencën e individëve dhe kombeve në universalizimin e dhimbjes, e cila të fton në zbërthimin e pjesës së nëndheshme, sipas një leximi në rrafshe vertikale të mesazheve që përcjell në suspancën e dramës së vet.
Dhimbje kjo, e cila ja shkurtoi jetën, në një moshë që nuk e pranon ashti i gjakut të fisit të tij. Gjithë filozofia e asaj jete të munduar në vargonjtë e diktaturës së egër, zbërthehet në vargun: Unë nuk rend të jetoj gjatë, por të shtrihem gjerë! (Vallja e katrahurave, fq.42)
Në format dhe imazhet meditative, ngërthehen monologje poetike të gjalla si një prurje origjinale me nivel të lartë artistik e estetik në poetikën shqiptare. Shpesh ironia kalon në një sarkazëm therëse dhe i jep forcë poetit për të shpresuar, një të ardhmeje drite lidhur me identitetin, historinë, dashurisë për atdheun, lirinë, paqen dhe humanizmin mbarë.
Miqtë e dritës janë të brishtë/ për të mos rënë në pranga terri./ – Eja të ngremë një gotë me musht drite/ oh! kush na e paska holluar?!…(Loz era me gjethet e vjeshtës sime, fq.60)
Drita është filigrani me të cilin autori qëndis idetë dhe vesh emocionalisht vuajtjet shpirtërore me lëndë mishtore. Dashuria, më jep me pi dritë/…/ dhe soje ndjehem përjetësisht i dehur…(Masakra e Tivarit, fq.53) Njësoj si në parabolën biblike: Gjersa keni dritë, besoni në dritë/ që të bëheni bij të dritës. (Gjoni, 12:36)
Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë. (Gjoni, 12:46)
Tashmë që kanë mbetur pas më se tre vjet nga vdekja e autorit, e ritakojnë për t’u çmallur me shpirtin e tij që baret përmes vargjeve, familjarët, të njohurit, miqtë, poetët, bashkëvuajtësit e dhimbjeve. Në raft të librave kërkomë,- si një lloj ringjalljeje alla-agolliane.
Poezia e Sadri Ahmetit ka tjerrë trupin e atdheut, fytyrën e dritës dhe shpirtin e dhimbjes. Në dukje, i rëndë në dëshpërimin e vet gjithëkohor, por tejet fisnik dhe original, vargu mjeshtëror i Sadri Ahmetit, përbën një kortezh dramash e fatesh, njerëzish e kohësh, një funeral madhështor virtual dhimbjeje, ashtu siç i ka hije vetëm penës së poetëve, që nëpërmjet krijimeve dhe artit të tyre e bëjnë jetën më të bukur. Në rastin konkret e degdisin dhimbjen në harresë. Siç thotë Virgjili:
Inventas vitam juvat excoluisse per artes! (VI, 663 )20 (Krijimet përmirësojnë jetën që është e zbukuruar përmes artit!)
Dr. Yllka FILIPI
Tetor 2013, New York
Referenca shkencore:
________________________________________________________________________________
1 G. Ernest Wright, “Bringing Old Testament Times to Life”, N.G, Vol.112, Dhjetor 1957, fq. 833
2 Sadri Ahmeti, Një e qeshur harbon në errësirë, Gjergj Fishta, Tiranë, 1993 (Gjithë vargjet në vijim janë shkëputur aty.)
3 Gilles Deleuze, Feliks Guattari, Zenit, 2008, fq.256-257
4Andre Bercoff, Manuel d’instruction civique pour temps ingouvernables, Grasset, 1985, fq.86
5 Sadri Ahmeti,Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, Iliria,1991, fq.3 (Gjithë citimet e tjera janë marrë aty.)
6 Platoni, Apologjia e Sokratit, Iliria, Tiranë, 1997, fq.21
7 Platoni, Apologjia e Sokratit, po aty, fq.106-107
8 Sadri Ahmeti, Masakra e Tivarit, Marin Barleti, Tiranë, 1996 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)
9 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Esenca dhe artikulimi i etikës në shtetin platonik, Platoni, Dritan, Tiranë, 2004, fq. 188
10 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Katër virtytet, Leksione mbi Platonin, Dritan, Tiranë, 2004, fq.191
11 Sadri Ahmeti, Vallja e katrahurave, Albin, Tiranë 2000 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)
12 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Filozofia e shpirtit, Platoni, Dritan, Tiranë, 2004, fq.178
13 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Katër virtytet, Leksione mbi Platonin, Dritan, Tiranë, 2004, fq.195
14 Sadri Ahmeti, Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, Koha, Tiranë 2000 Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)
15 Visar Zhiti, Ferri i çarë, Omsca-i, Tiranë, fq.15
16 Sadri Ahmeti, Kalëroj rreth botës mbi re, Koha, Tiranë 2001 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)
17 Sadri Ahmeti, A do mund të takohemi nesër, Koha, Tiranë 2000 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)
18 Zigmund Frojd, Uni dhe esi, Fan Noli, Tiranë, 1991, fq.165
19 Deleuze-Guattori, Kafka, Editions de minuit, 1975, fq.33
20 Virgjili, Eneida, kënga VI, vargu 663
Parajsa fillon me fëmijët dhe mbaron me librat…
Intervistë ekskluzive per DIELLIN me shkrimtaren, poeten, esseisten, kritiken letrare dhe Sekretaren e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, dr.Yllka FILIPI/
Bisedoi Raimonda MOISIU /
Dr. Yllka FILIPI ka mbrojtur Doktoraturën në fushën e Letërsisë së Krahasuar, Universiteti i Tiranës (2009-2012). Është specializuar në degën e Letërsisë duke përfunduar Studimet e Thelluara Pasuniversitare, Master Shkencor (2006-2008), pranë këtij Universiteti. Studimet e larta i ka kryer në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (1995-1999). Shkruan kritikë, poezi, prozë dhe ese. Ka botuar në periodikë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare, si një zë unikal në letërsinë moderne shqiptare. Aktualisht jeton dhe punon në New York, ku bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Illyria dhe revistën Kuvendi në Michigan. 2011 e në vazhdim Zv/Kryetare e Katedrës së Studimeve e Hulumtimeve, të Mendimit Kritik Modern të Presidencës së LNSHP, U.S.A
Është autore e këtyre veprave:
*Trekëndëshi universal i Bermudeve, Dante-Migjeni-Kadare, studim krahasues, 2012
*Post Hekuba vëllim poetik, Ombra GVG, 2011
*Me ipsum ames (roman postmodern), M. Barleti, 2010
*Eternitas (vëllim poetik, ) M. Barleti, 2009
*Eshtra tempujsh, (cikël poezish të zgjedhura,) 2009
*Dante-Kadare, studim kritik, Albas 2008
Ka fituar këto çmime letrare
Qershor 2012 Çmimi poetik Ndërkombëtar “Azem Shkreli II”, Ennepetal, Gjermani
Maj 2011 Çmimi i Parë, në Festivalin Ndërkombëtar të poezisë, TPSH, Vushtrri, Kosovë
Prill.2011 Çmim Special, Fituese në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Poetik, Muza Poetike Pegasi Albania 2011.
Krijimtaria e saj është përfshirë në disa antologji si
* 100 Poetë për dashurinë, (Lirika shqiptare dhe botërore) 2012,
* Korsi e hapur, 2012, në 14-gjuhë të botës, etj.
–Dr.Yllka,- Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në gjininë e prozës, poezisë apo publicistikës? Ç’mund të na thoni mbi fillimet e karrierës suaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Poezia është arti ku shpirti nënvizon epërsinë e tij, që herët në shkrimet e mia. Grimcat e para filluan të gëlonin që në fëmijërinë e hershme, por eksperiencat e vërteta morën formë të përcaktuar qartë, vetëm në vitet e gjimnazit, e më tej. Aftësitë imagjinative më jepnin dorë të lirë në pikturimin e tablove të ndryshme shpirtërore, aty ku rridhnin brengat, dramat, idilet e njerëzimit dhe nuk e lejonin intuitën të mbetej pezull. Udhëtim i bukur? Udhëtim mbreslënës? Unë do ta quaja udhëtim i përjetshëm drejt jetës, drejt dashurisë.
-Isadora Duncan shkruan: Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë, megjithëse arti është “mbikqyrës” i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithcka, ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju ?
Një përfaqësim i tillë i artit i gërshetuar edhe me faktin e të qenurit femër, pavarësisht “mbikqyrjes” së vështirë dhe të rreptë si edhe përkushtimit fizik, nuk e ka lënduar aspak dashurinë time për të. është gjëja më e bukur që buron nga shpirti dhe niset fluturim për në shpirtra të tjerë, si një lloj ngushëllimi hyjnor ndaj dhimbjeve të njërëzimit. Si një shpresë.
-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
E gjithë kjo është një kompleksitet figurash, imazhesh reale dhe fiktive, një galeri e tërë detajesh që kanë ndikuar në frymëzimet e mia, por padiskutim një mbështetje e jashtëzakonshme për të ecur përgjatë kësaj rruge me të papritura, shira e stuhi, kanë qenë prinderit e mi. Simbol i vetësakrifikimit për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Burim i pashtershëm frymëzimi për mua, është Eros-i, im bir 9-muajsh.
-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj Eshtra tempujsh, Eternitas, Post Hekuba) në gjuhë të huaj dhe bashkëautore në antologji kombëtare e ndërkombëtare. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
Kanë rrjedhur natyrshëm, ashtu një e nga një si pikat e shiut mbi xham, e formohen rrëkeza, më vonë ndoshta luginëza…është një kënaqësi e jashtëzakonshme tek i sheh të rriten…
-Kur shkruani, cili është vendi juaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Frymëzimet janë spontane, Muzat nuk trokasin asnjëherë, vijnë ashtu papritur, në studio, në natyrë, në rrugë, në vetmi, mes turmës, në rërë, në kafene, shpesh edhe në gjumë…
-Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj? Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi proteste me ton qytetar e intelektual?
Unë e shoh si një energji që buron nga një tjetër energji supreme e cila trazon shpirtin njerëzor, ngacmon, flijohet. Shpërfillja, nëpërkëmbja, dhunimi i të drejtave të gruas më irriton pa masë. Shën Maria ishte grua…Muzat janë gra tronditëse gjithashtu.
-Shumë lirika dashurie. Çfarë është dashuria për ju? Kur një grua e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?
Dashuria është formë e finalitetit të forcës për të mbijetuar, sa kohë jeton veçan çdo koncepti intrigues, ajo perceptohet larg nga urrejtja, si një formë finale e gjallimit të së mirës së përjetshme, gëzimit dhe madhështisë universale.
-Romane, studime poezi: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë?
Me secilën prej tyre përjetoj një lidhje të veçantë e nuk mund t’i dalloj, por mund të them se kam shumë dobësi për poezinë… Aty ndihem më e sigurtë. Një shtëpizë prej qielli, realitet i dytë trupi e shpirti.
-Ju jeni edhe prozatore, biles keni sjellë një formë të re në prozën bashkëkohore . -kujtojmë këtu romanin Me ipsum ames (Të më duash mua, vetëm), tashmë një shkrimtare e afirmuar, autore e disa librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë?
Ky roman është shkruar në kohën kur isha ende një studente e apasionuar e letërsisë, në vitin e tretë dhe për vite me radhë qëndroi në sirtarët ku ruheshin dorëshkrimet e mia. Nuk guxoja ta hidhja në treg me frikën e asaj risisë që nuk përqafohet kurrë në fillim… Tanimë më kanë mbetur shumë pak kopje nga ky libër.
Për mendimin tim është më i thjeshtë kalimi nga poezia në prozë. Blatohet mrekullisht me nënvetëdijen. Të kundërtën nuk mund ta perceptoj dot. Shtysa vjen natyrshëm nga dëshira për t’u vetëshprehur në mënyra të ndryshme.
–Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një proze, në rastin tuaj, të tregimit apo romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Do të citoja këtu një mbishkrim të zbuluar në tempullin e Isis-it (Nëna natyrë): Unë jam gjithçka ç’ka qe, është e do të jetë gjithmonë. E asnjë mortor s’do të mund të ma ngrejë vellon që më mbulon fytyrën. Shpesh i sjell personazhet nga koha në akohorësi dhe i preh në gjirin e natyrës. I ngjan një sfide nga ku buron pafundësisht , një tjetër lloj sfide e vetvetes për të mos u rrëzuar në grackat e kohës, harrimit.
-Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
Subjekti i këtij romani ka lindur si një shëmbëlltyrë reale dhe virtuale e qenies bashkëkohore me përthyerjet, dritëhijet apo qerthujt simbolikë të jetës, tej destinëve ekzistencialë që vërtiten paralelisht midis dashurisë dhe vdekjes. Ai është drama e asgjësimit fizik dhe shpirtëror të qenies mbi të cilën kumti i dashurisë ngadhnjen mbi gjithçka. Një vepër e hapur në të cilën konotacionet artistike gërshetohen me dramën e njeriut të kohëve moderne. Erdhi ai tek unë! Tepër insistues!
–Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?
Inspirimi është thjesht një energji supreme nga e cila pashpjegueshmërisht buron forcë, tharm, limfë. Ajo bëhet ujë dhe shuan zjarrin e shpirtit tim.Realiteti është ngacmues, misteret gjithashtu. Ushqim shpirtëror, sui generis në llojin e vet. Proporcion i bollshëm dhe alternativ.
Ju shkruat librin “Dante, Migjeni, Kadare”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, për argumentimet tuaja rreth letërsisë bashkëkohore, si reminishencë mesjetare, a mund të dimë diçka më shumë mbi të?
Kjo nismë është një përçapje hulumtuese për të ndriçuar hijet dhe gjysmëhijet e ambjenteve ku lëvizin figurat të cilat japin përmasat fantazmagorike të ferrit deri në kohërat moderne. Pra, jemi në kërkim të një strukture të ferrit gjithkohor. Të parë në këtë këndvështrim (përtej parapëlqimeve personale), janë ngritur paralelizma duke hyrë kështu në tejhorësinë arkitekturore infernale që shpalosin veprat, gjë për të cilën kritika ka folur pak ose aspak. Janë alternuar metoda polidimensionale studimore si ajo strukturaliste, semiotike, komparativiste, simbolike, psikoanalitike etj, të cilat kanë krijuar mundësinë e ndriçimit të mjegullës infernale e cila bashkon këta autore, në dukje, jo fort të ngjashëm. Vizionet reale që sjell Migjeni mbi mjerimin e viteve’30 dhe lëngatën e kombit të tij, përkojnë intuitivisht me imagjinatën danteske në përfytyrimet fantastike të përtejbotës. Ndërsa Kadare, me vetëdije të plotë, është i përgjegjshëm kur huazon prej Dantes tablot vizionare të skëterrës. Ferri migjeno-kadarean ngrihet mbi strukturën e ferrit dantesk, duke harmonizuar arkitektonisht universalizimin e vuajtjes brenda tij.
-A keni menduar ndonjëherë të shkruani skenarë filmi? Nëse provoni ta bëni atë, ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?
E kam menduar disa herë. Skena dhe libri në fakt kanë dallime të dukshme midis tyre. Mendoj se ka goxha tkurrje dhe shpesh copëtim të membranës imagjinative të autorit në momentin kur në skenë hyn regjisori. Bëhet një lloj binomi sintagmatik që nuk ka lidhje varësie mes veti. Regjisori shpesh është bashkëautor e rëndon edhe një autor i mëvetësishëm i cili mund të krijojë (i detyruar nga rrethanat)”një vepër të re”.Veçse trilli dhe dialogu, sigurisht zbehen, dhe vepra humb shumë…A mund të gjendet ky binom brenda një njeriu të vetëm…?
-Teoritë e përkthimit janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme për kohën tonë. A e ka nxitur përkthimi i veprave tuaja, ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të shkruarit?
Patjetër, pasi ti e di tashmë, se diku, pas një dere a një pragu zemre dikush pret me padurim një ngushëllim shpirtëror edhe në një gjuhë ndryshe nga ajo e nënës…është gati si një ëndërr e cila merr kuptim në konfiguracionet globale të subkoshiencës, pa njohur kufij nacionalë, etnikë, gjuhësorë…Zgjohet më shumë dëshira për komunikim virtual me lexuesin tënd, i cili nuk të braktisë kurrë, veç ti duhet gjithnjë, të mos e zhgënjesh asnjëherë.
–Shkrimet e veprat tuaja të përkthyera, kanë një reputacion për një lloj vitaliteti, në të cilin fokusi është i qartë dhe i gjallëruar. Kjo vërehet tek të gjithë librat tuaj. A mendoni se një lloj kurioziteti intelektual është burim edhe për ta shkruar veprën në dy gjuhë?
Sigurisht, kjo është një shtysë e cila krijon natyrshëm një lidhje dyjare harmonike dhe luhatëse drejt të njëjtit shpirt që diktohet në dy gjuhë. Atij shpirti që sipas Kant-it,nga pikëpamja e ndijimit estetik nënkupton një parim gjallues të mendjes…
–Në cdo lloj karriere –nënkuptoj karrierën tuaj në letrat shqipe dhe në botën e artit, a keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qënë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?
Zhgënjimet janë pjesë e pandashme e atij parashtrimi arbitrar që na dikton destini substancial jetësor. Dhe kur është pjesë e jetës, kuptohet ndodh edhe në art. Por fatmirësisht unë e përceptoj atë si jashtë qënies, ndaj shpesh e gjej veten në kërkim të self-reliance…dhe kjo më jep impulse aktive të cilat shndërrohen shpejt në forcë për të vazhduar…
Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?
Volteri thotë: Qielli na ka falur vetëm dy gjëra për të na shpërblyer nga të gjitha mizeriet e jetës, shpresën dhe gjumin. Shpesh ndihem e tkurrur si një amebë në turbullirë, por që çuditërisht e gjen shpejt atë ujin e kthjellët e gjithë romancë të sipërfaqes duke u larguar nga kthetrat e filozofisë së dëshpërimit në këtë botë të thërrmuar copë e çikë. Për ku? Drejt sublimes.
– Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si shkrimtare, studiuese e poete, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe ato ndërkulturore. Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë ashtu edhe si shoqëri njerëzore?
Ka një kompleksitet idesh lidhur me këtë çështje, por në fakt në të gjitha epokat, realitetet janë gjendur të përzier, të ndërthurur, siç shpesh gjendet i ndërthurur vetë njeriu mes qerthujve të rrugëtimit së tij. Konfuzionet janë thjesht hije që zhduken me lindjen e agimeve të reja. Vetëm atëherë kur një komb do tentojë ta mbyllë hendekun mes kulturës dhe primitivizmit brenda vetes, vetëm atëherë do të kemi arritje standartesh, idealesh, besimesh, shpresash. Shën Agustini ka thënë se një popull bëhet nga njerëz të bashkuar në dashurinë për diçka. Ne duhet ta duam më shumë diçka veten, vendin tonë. Nga kjo dashuri do të lindë ardhmëria e kombit.
Pse shkruan dr. Yllka Filipi …?
Katharsis. Sikur ta dinit se sa magjepsëse janë Muzat… lufta bëhet paqe, shpirti bëhet dritë. Si një lloj rilindjeje e brendshme e krijuesit… mbi të zakonshmen dhe vulgaren duke marrë trajtat e së epërmes. Një ngazëllim i subkoshiencës drejt të pazakonshmes.
-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Kjo rrugë është e gjatë dhe pothuaj e pafund. Mbetet shumë e shumë për të bërë. Kam në duar surpriza të këndshme për horizontin e pritjes, atë lexues që shpreson se gjithnjë gjendet diku për ty: ti, i gatshëm për t’ia vjedhur kohën, ai, i gatshëm për të ta dhuruar. Në projektet e mia gjenden disa guacka gjigande ku strehohen rregullisht Muzat. Ato thjesht më magjepsin dhe unë thjesht jam gjithnjë në kërkim të jehonave… si në një gjysmëëndërr. Më zgjon shpesh klithma e kojrilave, ajo klithmë që trondit të gjithë poetët në mërgim…
–Kush është dr.Yllka Filipi,-ku jetoni aktualisht?
Kur isha fëmijë më joshnin po aq sa edhe më tmerronin misteret, (i përfytyroja kurdoherë të zeza në intuitën dhe kërshërinë e vocërrakut), ndërsa sot përpiqem të zbuloj enigma gjithfarëlloj. Ndoshta është kjo një mënyrë arratisjeje e individit ndaj botës së trazuar, apo një përpjekje cisterciane për të zbuluar të panjohurat, a enigmat e shpirtit njerëzor, me një ndjenjë puritanizmi sociocentrik duke gjetur strehë në këto limane të braktisura nga stuhitë e të mbushura me dritë. Një formë e skajshme e ultrabotës, në përtej oqeanin ku jetoj, në NewYork.
–A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot? Sapo jeni zgjedhur Sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, cfarë do të thotë kjo për ju?
Jeta njerëzore është e gjitha një ngjarje madhore gjurmët e së cilës e shoqërojnë individin nga e shkuara drejt ardhmërisë, si pjesë e pashkëputur e nënshtrimit të vetes nga ëndrrat, vetmitë, pasionet, zhgënjimet, racionaliteti i pastër. Janë të gjitha hallka të një zinxhiri të vetëm paradigmatik. Me emrin e guximshëm jetë.
Këtë zgjedhje e shoh si një detyrë e cila kërkon përkushtim, devotshmëri dhe dëshirë për të mbajtur gjallë amanetin mbi një shekullor të udhëheqësve shpirtërorë të intelektuakëve shqiptarë në Amerikë Noli, Konica e më tej, me veprimtarinë e pasur atdhetare, artistike dhe shkencore, në skalitjen e tipareve të diasporës mbarë. Të gjithë mërgimtarët duhet të jenë Ambasadorë të Kulturës së vendit të tyre, gjuhës, historisë, traditave dhe shpirtit të kombit. Një matricë universale vlerash.
–Sa ju mungon Shqipëria në New York?
Atdheu, është një ndjesi e çuditshme manjetike që të thith kah vetja, edhe pse kah brenga. Perceptimet poetike e konvertojnë këtë të fundit intuitivisht me të dy kahet nga lumturia. Dhe ti si i verbër vrapon përjetësisht me shpirt e me zemër drejt tij. Dhe koka Të mbet’ gjithnjë mbrapa…
-Autorët tuaj më të preferuar…
Nga letërsia botërore: Homeri, Dante, Kafka, Kamy, Sartri, Pamuk… Nga letërsia shqiptare: Kadare, Camaj, Podrimja, Shkreli…
-Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Sigurisht që ekziston. Në formate dhe mënyra universale. E shoh me shume optimizëm këtë gjini, pasi pas viteve’90, bumi i shpërthimeve, sipas këndvështrimeve të reja, gëloi edhe aty. Koha do të bëjë seleksionimin e vet të rreptë, kuptohet, pasi koha nuk e njeh komercializmin, ajo rrjedh e rrëmben tentativat e brishta, por argumentimet e cimentuara mirë do të mbeten. Kështu që dalëngadalë ajo integrale e turbullt konfiguracionesh kriticiste do të qartësohet duke u bërë kështu një bazë e shëndoshë për veprat e ardhshme.
-Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe për shkrimtaret femra në përgjithësi…
Të jesh femër, të dhurosh jetë do të thotë të jesh poezi, të jesh univers. Midis kufijve të ngushtë të filozofisë transhendale të jetës, femra është i vetmi privilegj: njësi qiellore e substancës së postuluar. Aty ka shpirt, ujë, tokë, diell dhe energji, ndoshta supreme. Qoftë talentet e reja, qoftë ato të konsoliduarat duhet të memorizojnë se Parajsa fillon me fëmijët dhe mbaron me librat.
Ju Faleminderit!Intervistoi: Raimonda MOISIU