-KONFERENCA PËR MEDIE E LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS/
Prishtinë, 12 dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/
Në përputhje me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Grupi Parlamentar i LDK-së, në seancën e datës 14 dhjetor 2018, do të mbështesë pakon e ligjeve për transformimin e FSK-së.
Republika e Kosovës si vend sovran dhe i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër, e gëzon të drejtën për të pasur forcat e veta të armatosura.
Ne jemi falënderues ndaj SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e këtij transformimi.
Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje maksimale që ky transformim të dakordohet me përfaqësuesit politik të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Forcat e Sigurisë të Kosovës janë në shërbim të të gjitha komuniteteve. Ne falënderojmë komunitetet e tjera jo shumicë në Kosovë për rolin konstruktiv gjatë këtij procesi.
Forcat e Sigurisë së Kosovës do të kontribuojnë në forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe, krahas aleatëve tanë në NATO, do të kontribuojnë për paqen kudo në botë./b.j/
LEXONI DHE KETE:
KOSOVË-KUVENDI VOTON PËR USHTRINË
-Të premtën seancë Kuvendi dhe pritje shtetërore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës/
-Pritje shtetërore në 14 dhjetor 2018 pas kalimit atë ditë në Kuvend të Pakos së tre projektligjeve që ndërlidhen me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë kaluar me votë unanime në lexim të parë në 18 tetor/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 11 Dhjetor 2018/ Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës: për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, do jetë në lexim të dytë në seancë plenare të Kuvendit këtë javë, të premten e 14 dhjetorit, nga ora 10:00, ku pritet votimi unanim i deputetëve të pranishëm si edhe në shqyrtimin e parë në 18 tetor. Pas seancës së Kuvendit të Kosovës të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive.
“Të premten, më 14. 12. 2018, pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, për Projektligjet që ndërlidhen me transformimin e FSK-së, do të organizohet pritje shtetërore nga Institucionet e Republikës së Kosovës”, bëri të ditur sot Qeveria në njoftimin e dërguar, ku kërkohet akreditimi i mediave për ta përcjellë ceremoninë që do zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ora 17:00.
Në shqyrtimin e parë, gjatë debatit, vetëm grupi parlamentar i Listës Serbe u shpreh kundër transformimit të FSK-së në ushtri dhe lëshoi sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.
Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Qeveria ka deklaruar se, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.
Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.
Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.