• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PESHORJA

September 18, 2013 by dgreca

AH SIKUR…!/

 Skicë essé nga DRITA LUSHI/

Qysh kur jemi në bark të nënës, “dëgjojmë” të flitet për peshë dhe peshore!Kur mamatë shkojnë tek mjeku obstetër ai u thotë: “Peshohu, peshohu  njëherë të shohim!”. E ato, nga dëshira për një shtatzani normale dhe rrjedhimisht për fëmijë të shëndetshëm, peshohen jo pa një farë “ankthi” se sa kanë shtuar, a thua se pesha e tyre përcakton dhe shëndetin e fëmijës.

Te tjera, që duan të ruajne linjat, peshohen edhe pa u thënë doktori dhe përsëri kanë “ankth” se sa kanë shtuar, duke menduar se si do ti heqin kilogramët pas lindjes.

Ne të dy ratet “fajin” e ka peshorja për ndjenjën e “ankthit” që i pushton femrat, përballë saj (peshores).

Po po!

Ai send i çuditshem i shpikur nga njeriu, arrin të na krijoje frikëra, iluzione, shtrëngime, dieta, tkurrje, strukje,stepje, tërheqje.

Po s’mbaron këtu.

Ju kujtohet pas lindjes?

Shkojme tek mjekja çdo tri javë ose njëhere në muaj të peshojmë fëmijën, të dimë sa  gramë shton, mundësisht pa peshën e rrobave, e s’pyesim fare në femija qan në atë peshore të vogël si minidjep që e gjejmë në Qendrat Shëndetesore Shqiptare.

Po ti dëgjosh pak me vëmendje duket sikur fëmijët thonë: “ Po unë jam mirë, po rritem, pse më “torturoni” çdo muaj kështu?

A nuk piva mbrëmë gjithë natën qumësht?”

E nëse gramët nuk janë ato që duam ne, fillojmë merakosemi, vëmë në lëvizje gjithë shtëpinë,vjerrat dhe mamatë tona, motra e vëllezër, u shprehim shqetësimin tonë: “Çfarë ka ky fëmijë që nuk shton?” Vrapojmë në farmaci të gjejmë ushqimet më të mira, masim mililitrat që pi fëmija nga biberoni (përsëri ja ku hyn kjo e “shkretë” peshore!),e nuk presim; As pa u bërë java vrapojmë përsëri para zonjëzës peshore.

Raste ekstreme, kur mamatë i japin të hajë  fëmijës, dhe pas dy orësh shkojnë në konsultore për ta peshuar, të bëjne të ndihesh ekstremisht çuditshëm dhe keq.Harrojnë  se kjo mani, mund të ketë pasoja të parikthyeshme.

Kanë qenë dikur dhe kandarët,( janë edhe sot, jo vetëm si relike)por jo mo jo!

Nuk janë kaq të kërkuar sa peshoret moderne.

Por mos kujtoni se peshorja dhe pesha është një problem vetëm për femrat.Meshkujt gjithshtu kanë raporte të mira me peshoren… e ju femra mos u bëni “xheloze”.

Por lidhja me peshoren nuk mbaron deri tek pesha fizike.

Pa mendoni pak përtej së përditshmes sonë…

Jo aq larg, por ja deri aty… kur kemi qenë të vegjël…

Sa herë jemi munduar  të mos gabonim në shkollë, nga frika   se do të na gjykonin prindërit, mësueset e shokët?

Sa here jemi munduar te “mos gabonim”se do ti konsideronin sjelljet tona të pahijshme, do na shihnin shtrembër,e  do të na quanin  “dele” që dilnim nga kopeja?

A ju kujtohet sa herë na kanë thënë prindërit :“Mos këtu!”, “Mos u shoqëro me këtë, apo me atë?”

Pa shihni pak tani të përditëshmen tonë…

Sa herë u jemi drejtuar  fëmijeve tanë, me pjesëzen mohuese:”Mos?!”

A nuk ju duket  vetja përsëri si në atë peshoren ku na vinin prindërit të vegjël, ose ku kemi vënë fëmijët tanë?

Pra, peshohet  sjellja dhe veprimet.

Po po peshohen!

“Si?”- do pyesni ju.

A nuk ekziston përhere një grup njerëzish që ju njeh, që flet për ju, që ju gjykon sjelljet, veshjen, punën, qoftë ndër sy, qoftë pas krahëve?

Eshtë e sigurtë  se edhe ai që eshtë indiferenti  më i madh, nuk mund t’u shpëtojë këtyre opinioneve,ose të kalojë kaq shpërfillës përballë tyre.

Qofsh njeriu më i mirë, më i drejtë, më i mençur , ç’rëndesi ka; Nuk mund të shpëtosh pa u “situr”  në PESHOREN E OPINONIT.

Edhe kjo lloj peshorje, krijon frikërat e veta, ashtu si peshorja e fëmijërisë, shtatzanisë, ashtu si peshoret ku masim eleganecën apo mbipeshën  tonë .

Duke pasur “frikë” si do të dukemi në këtë “peshore”, dhe njëkohësisht për tu dukur sa më mirë, e di ç’bëmë ne njerëzit?

“Shpikëm”  autopeshoren.

Autopeshorja “mat” veprimet, sjelljet, interesat, dashurinë, servilizmin;Mat gjumin, zgjimin, shoqërine, punën.

Uf!

Ç’torturë , pa mendojeni një çikë?!

E di si e mendoj ketë “vetëpeshore”?

Si nje burg Brenda vetes, ku gardianet jemi ne vetë, dhe çelësat e prangave i mbajme po ne.

Liria ka qenë dhe ështe gjëja me e çmuar për ne shqiptarët, dhe për të gjithë popujt e njerëzit.

E nëse do quanim zgjedhë vetëm atë,kur një i huaj na pushton vatanin, do ishim kryekëput gabim dhe jo të drejtë.

Zgjedha më e madhe është ajo që njeriu i bën mendimit dhe sjelljes së tij, kur e cungon, e pret, si jep frymëmarrje, e ndrydh e akoma më shumë, e kyç brenda vetes, duke pasur pikërisht frikën e gjykimit të kësaj “dreq” peshorje!

Personalisht s’më ka pëlqyer që jetën ta shoh si balancë.

Është paradoksale të mendosh që pikërisht ajo shigjetë e vogël peshoreje, të na “kontrollojë”  gjumin, idetë, veshjet,mendimin;

Ajo shigjetë e vogël peshoreje të na “censurojë” te qeshurën, shakanë, mirësinë, dashurinë.

Jo balancës, por jo vulgarizmit dhe ekstremizmit!

Te mos ecësh me balancë, por jo të fluturosh!

Pra të ndihemi të balancuar, brenda mosbalancimit,kjo është ajo që duhet t’i mësojmë vetes dhe të tjerëve përreth.

S’duhet parë e s’duhet vënë jeta në balancë,por të jetë sensi i masës që duhet të shoqëroje të përditëshmen dhe veprimet tona.

Të mos ndihemi në“kurthin” e peshores së jetës tonë.

Te ndihemi, e të ndiejmë të lirë.

Si?

Peshorja?

Vlen, por vetëm  në farmaci dhe politikë.

***

Ah, sikur të mos ishte “shpikur” kurrë peshorja për njerëzit!

Ah, sikur të ishte “shpikur” një peshore politike!

Ah, sikur…!

Drita Lushi/2013

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, esse, peshprja

ISOJA, KJO MBRETERESHE PA KURORE…

September 8, 2013 by dgreca

“SHENJTËRIA E ISOS”-Një libër me vlera kombëtare, i Timo Mërkurit/

Shkruan: DRITA LUSHI  /

E kush s’ka dëgjuar të këndohet “me iso…”- siç i themi ne.

Ndonjëherë madje,edhe është munduar ta mbajë ashtu siç di atë, ndonëse

mund të stonojë, por të shkruash për ison, këtë këngë në dukje aq të thjeshtë s’të mjaftojnë veç fjalët e këngës, por mbi të gjitha, mendimi, pjekuria e studimi,e këtë nuk mund ta bënte më mirë se një bir i Labërisë, Timo Mërkuri.

 “Kënga, gjithmonë ka qenë mbretëresha e shtëpisë dhe e jetës shqiptare”- thotë autori.
“Jo një mbretëreshë që ulej në fron, por ulej në sofrën e varfër të fshatarit, që kurrë s’rrinte pa këngë”- vazhdon ai.

Dhe vërtet, po të kemi parasysh historinë tonë të vërtete, dhe jo atë imagjinare, shqiptari dhe në lufte shkonte me këngë, e këngën se ka ndalur as para litarit.

Përshkrimi shpjegues i autorit, duke bërë paralelizëm mes isos, dhe mbretëreshës, jo vetëm që të bën ta lexosh me interes, por të “mban lidhur”- në lexim, se ç’do të mësojmë më tej.

Ja si e përshkruan autori, momentin kur fillohet kënga:

“Askush, s’guxon të bëzajë.Secili vendoset në vendin e tij, pritësi, kthyesi, mbajtësit e isos, ashtu si vendosen baronët, kontët, viskontët e kalorësit, para mbretit….të gjitha këto në të dhjetën e sekondës.Mjerë kush vonon, apo gabon.Ca të tallura janë më e pakta, në mos përfundoftë në plevicë”

Ai e përshkruan imtësisht,me një gjuhë kaq të thjeshtë, të kuptueshme e popullore, sa të duket se je ukur në kafé e bisedon me të.

Shoqërimi i shpjegimit  edhe me nje tis humori té natyrshëm e bën më të lakmueshëm në sytë dhe vëmendjen tonë, gjithë ç’ka thuhet për iso polifoninë, sa ne, që s’jemi nga bregdeti, gati na vjen “zili” që s’e njohim mirë, e s’dimë ta këndojmë, këtë rit “mbretëror”, e se njohim nga afër këtë “mbretëreshë”.

“Iso”-ja këndohet në grup apo vetëm, por gjithmonë respektohet si një mbretëreshë”- thotë autori.

Ai që këndon, nuk e ndërpret këngën të të kthejë përgjigje edhe nëse e pyet apo flet”

Por  mos mendoni që autori është kaq ”egoist” sa “t’ia marrë mendjen” veç mbretëresha, ai është “zemërgjerë” e përfshin në këtë libër dhe “princëra” me sy blu e shpirt deti: E pikërisht legjendarin e këngës “iso”; Neço Mukon, ose Neço Himarjaotin.

Neço-ja, në Francë, në kurbet, sillej si princ, sepse shkruante si tá,por shkruante këngë, e në vend të luleve të vërteta qe mbillnin princërit, ai mbillte vargje.

“Ai sjell ne Himarë një lloj të re kënge”,-siç thotë autori, “duke i dhënë një “rol” zërit të tretë, hedhësit e duke e bërë më të zhdërvjellët këngën himarjote.Novatorizmi ishte,edhe në shoqërimin e këngës me instrumente siç do ta çonte në ditet e sotme këngën pilurjote Lefter Çipa”

Autori na përshkruan historikun e këngës, lindjen dhe zhvillimin e saj, pjesët përbërës të zërave në “iso”, duke na sjellë shembuj konkretë të këngëve e mënyrën si këndohen.

Është vërtet interesant leximi i librit, e jo vetëm gjuha,por edhe intensiteti i rrëfimit dhe shpjegimit, përfshirë  dhe elementin historik,të bëjnë të kalosh me dëshirë në faqen dhe kapitullin pasardhës.

Origjina e këngës polifonike është ceremoniali i vajtimit, e dokumentin e parë për vajtimin në gjuhen shqipe e sjell Marin Barleti për vajtimet e Lek Dukagjinit mbi vdekjen e Skënderbeut.
Autori futet dhe në detajet e vajtimit , mënyra si bëhet, si respektohet, nga kush bëhet, e normalisht as të shkon mendja, dhe çuditesh nga trajtimi dinjitoz, i kësaj gjendje në dukje kaq e thjeshtë, që na ka ndodhur të gjithë në jetë  ta kalojmë të paktën një herë :

”Vajtimi bëhet me ligje sipas traditës Himarjote dhe në përgjithësi të zonës të Labërisë, duke renditur cilësi të veçanta të të vdekurit”

“Dita e parë, kur atmosfera emocionale është e ndezur, nuk dallohet rregullshmëria, radha dhe zërat e vajtorëve,nga ndërprejet e shpeshta që i bëjnë ligjërueset njëra-tjetrës.. Por në të tretat, në të nëntat e në ditët në vazhdim, rregullshmëria e vajtimit bie menjëherë në sy”

Isoja është në këngë kolektive, vërtet e nis një moment marrësi, edhe pritësi, ndonëse ngrihet nje çast mbi të tjerët, shumë shpejt bashkohet me grupin e tërë, duke humbur anonimitetin, e duke dalë në pah kolektiviteti i këngës.

E pikërisht, ndaj nuk njihen këngëtarë me emër, por kur përmenden, përmenden si grupe:”Grupi i Pilurit” “I Bënces”I Himarës” etj.

Kolektiviteti i isos, shfaqet dhe tek natyra e vetë këngës, në tekstin e saj ku shumica bëjnë fjalë për bashkim e solidarizim.

“Ndodh që të ndodhesh diku vetëm dhe të ndjesh nevojën e këngës, at’herë personi bën vetë rolin e marrësit, të pritësit e deri tek imitimi i mbajtëseve të isos”– thotë autori.

Pra, në njëfarë mënyre, kjo është mënyra më e bukur për të mposhtur vetminë që është armiku më i madh i njeriut.

Ky libër, është një konglomerat dijesh, e të rejash që mund ti zbulosh rresht pas rreshti.Si mund të flasësh e të studjosh “ison”, të futesh ne botën e saj, e të mos flasësh për kërcimin që shoqëron këngën.

Vallja ashtu si dhe kënga,është pjesë e traditës jo vetëm labe, por dhe asaj shiptare në përgjithësi.

“Te heqësh vallen e rënde”-ështe një valle që, hiqet ngadalë pa të hedhura e spërdredhura, e pjesëtarët e grupit e hedhin hapin të avashtë, dy hapa para e një hap prapa, duke kënduar avash e duke mbajtur kokën pak ulur. Kjo valle kërkon një tekst kengë te rëndë epik.E në këto valle, burrat mbahen sup më sup, ndryshe nga gratë që mbahen krah për krahu”

Ja, kështu na e përshkruan Timo, “vallen e rëndë” duke na paraqitur çdo element të saj, që nga kënga që e shoqëron, përplasja e këmbës në tokë fort, thirrja “Houuuuu” uljen në gjunjë dhe duke vazhduar thirrjen, uljen në tokë.

Vallja e rëndë shoqërohet nga këngë të rënda që peshojnë çdo varg e fjalë.

“Unë vallenë nuk e lë”, është një tjetër “histori”e treguar me vërtetësi, humor e realizëm, kur nusja që kërcente së bashku me shoqet, nuk ndal vallen e këngën as kur i shoqi bari, kishte tre muaj që s’e kish parë.

“O burrë të keqenë,

duro pak dhe per “atë”

se une vallene s’e lë”

Kënga,ruhet e paprekur si rit, jo vetëm kur këndohet nga burrat, por dhe në rastin,kur vallja hiqet e këndohet lehtë nga gratë.

Vallja është e shenjtë si një ritual fetar, e askush s’guxon të pipëtije, e kështu dhe ajo, ka rregullat e saj.

“Kercenin vajzat, djemte burrat dhe pleqte.Gratë zakonisht të veshura më të zeza, respektonin zinë të cilën mund ta mbanin gjithë jetën, e s’kish rëndësi se për kë mbahej, në ish i ri apo plak.Vetëm në raste të caktuara, kur martohej djali i madh, i vogli apo i vetmi, ato hiqnin nga koka shaminë e zezë e hidhnin ne kokë një të bardhë,aman rrobat e zeza nuk i hiqnin kurrë”

Evoluimi i isos e këngës labe ndër vite është një ndalesë tjetër e autorit, e cila  të bën të “mbash frymën”, të imagjinosh,e herë- herë të shohësh me sytë  e mëndjes, dhe “të vësh në punë” dhe zërin për të kënduar pak “iso”, sepse në çdo rast bëhet shpjegimi me vargje i këtyre këngëve .

Të zgjohet dëshira befas të dëgjosh nga fillimi në fund një këngë labe me “iso”

Më 25 Nëntor 2005, Iso-Polifonia kaloi nën mbrojtjen e UNESCO-s, si një nga pasuritë e rralla të trashëgimisë kulturore botërore.

Iso-ja  mbetet një kryevepër e kulturës shpirtërore, shqiptarët që e kultivojmë atë e dinë dhe e ndiejnë më së miri,por e rëndësishme është që të tillë, tani e vlerëson edhe bota e qytetëruar nëpërmjet organizmave të saj ndërkombëtare, që e klasifikon ndër kryeveprat e njerëzimit dhe e merr nën mbrojtje nga dëmtimi, që në këtë rast është harresa.

Autori i mëshon dhe faktit, që “iso”-ja po këndohet gjithnjë e më pak nga brezat e rinj, por ajo ështe vërtet një thesar, e thesari ka vlerë në çdo kohë, periudhë  dhe etapë. Ai nuk ndryshket me kalimin jo të viteve, por edhe të shekujve.
Gjithashtu shqetësimi i tij i natyrshëm se mjaft vargje ndryshohen gjatë këndimit të këngëve të ndryshme duke humbur kuptimin e këngës,dhe lidhjen me të kaluarën e tyre, nuk mund të quhen novatorizëm, por shtrembërim të vargjeve, e jo të një poeti  çfarëdo por më të madhit :popullit.

E “meraku” i autorit, nuk shuhet kollaj.

Ai na shpjegon përsëri në shumë faqe ndryshimin mes polifonisë dhe isopolifonisë, e pas shumë arsyetimesh me bazë, na thotë se  kënga labe quhet “iso polifoni”, dhe jo thjesht  polifoni, se mé shumë zëra, mund të këndohen dhe mjaft këngë  të tjera, si marshe, hymne etj etj.

Ne iso, marrin pjesë të gjitha zanoret, që përdoren në gjuhën shqipe, duke i dhënë larmi, bukuri, bashkëngjitur tekstit që gjithmonë mbart  një mesazh te veçantë.

“Te kënduar “labçe”, do të thotë të këndosh me shpirt, më shumë se me zë.Sepse iso-ja del nga shpirti, e jo nga gryka”- shprehet autori duke i dhënë gjithë dashurinë, respektin dhe adhurimin e merituar, kësaj kënge e lloj të kënduari.

Libri i Mërkurit, vjen në vazhdën e mjaft librave të tjerë, qoftë poetikë, apo studimorë dhe është një paraqitje dinjitoze e autorit, dhe njëkohësisht me shumë vlerë , jo vetëm për shqiptarët e bregut, që këndojnë dhe njohin iso-polifoninë, por për çdo shqiptar që është i interesuar te dijë vlerat e kulturës kombëtare,lindjen dhe zhvillimin e saj.

Gjithashtu, duke qenë poet dhe eseist, studimet e tij nuk janë të ftohta e me një gjuhë të thatë e zyrtare,apo fjalë të “fryra” prej akademiku, por ato janë një diapazon i ngrohtë, ku hulumtimi i tij mbi isopolifoninë, të përfshin jo vetëm si shqiptaré, por mbi të  gjitha si lexuese.

“SHENJTËRIA E ISOS”, i sapodalë në qarkullim, është një libër me vlera kombëtare, sepse aty, gjejmë mjaft shkrime,hulumtime, studime e mendime të vlefshme të autorit, të cilat s’janë as më shumë e as më pak,por  jeta dhe kultura jonë në breza, të cilën duhet ta dimë  dhe të krenohemi  në mënyrë  të ligjëshme, të gjithë ne shqiptarët.

Unë jam veç nje zë, që s’mundem ta them, e të flas aq bukur për “ison”-të  cilën, autori ka vite që e e studjon,dashuron e servir vlerat dhe zërat e kësaj kënge që është një pasuri kombëtare endé e pahumbur dhe pa vjedhur.
Bashkë me leximin tuaj të këtij libri mbi historinë dhe lindjen  e isos, ne do të ndihemi krenarë për “madhërinë” e saj,e do dimë që të bashkojmë mendimet dhe zërat që Ajo, të mos humbë kurrë.

Shtator 2013

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Drita Lushi, Isoja, mbreteresha pa kurore, Timo merkuri

NË QERPIKËT E JONIT

September 2, 2013 by dgreca

Copëza  fundgushti, pikturuar në sytë e Verës/

 -Rrugëtim në fund të stinës-/

Shkruan:   DRITA LUSHI/                                           

 Edhe kur datat me “kryeneçësi” na kujtojnë se fundi i stinës së kaltër është duke përfunduar, ditët e ngrohta të ftojnë përsëri buzë detit, për të mbledhur ndjesi të bukura, si start për tu hedhur në vjeshtën e artë. Të shkelësh më këmbë bukurinë e Rivierës e plazhet, është si të marrësh pak bukuri dhe vetë, të ndihesh det, dallgë, të ndihesh e kaltër dhe e ngrohtë.

E më mirë se në fundgusht nuk mund t’i ndiesh këto.Ditet kanë ulur tempin e zhegut, e nata të ofron ëndërra e romantizëm, e nën zhurmën e dallgëve, të duket  se dëgjon fjalët e të dashuruarve, që deti në shekuj ruan thellësive të tij, dashuritë pasionate, puthjet e bukura verore, përqafimet e freskëta,vështrimet e horizonteve, që të mbledhura ndër shekuj, krijojnë sinfoni, arie e opereta Jete,që janë të pa arkivuara, të papromovuara, por aq të lira e të virgjëra në gjithësinë tonë.

Shpesh pushimet i çlodhin, por dhe i lodhin njerëzit.

Që nga mendimi se ku do pushojnë, bagazhet, veshjet dhe sendet e domosdoshme janë një stres parapushimor.

Gjithmonë harroet diçka, sadoqë  përpiqesh ti marrësh të gjitha. Kur arrin  në vendpushim e kupton këtë.”Ngulja” në një vend, në det apo mal, të krijon monotoni, dhe madje aty nga fundi i pushimeve,njerëzit numurojnë ditët se kur do mbarojnë e ti rikthehen shtëpisë.

Andaj, duke kaluar këtë përvojë njerëzore vendosa diçka ndryshe, të nisesha e të mos qëndroja në një vend,por të ecja e të vizitoja sa më shume vende, duke zgjedhur pikërisht Rivierën Shqiptare.

Një kafe në një  bar afër Sheshit të Flamurit në Vlorë,nje vizitë në Shtëpinë ku u ngrit Flamuri,një foto pranë Isa Boletinit ishte fillimi i udhëtimit tonë.

Ndalesa e parë në Plazhin e Rradhimës, ishte si fillim e bisedim me detin, për vazhdimin e rrugëtimit.

Pamje të bukura, ujë i kristaltë,vend i qetë,mëngjese e darka të lehta, perëndime që të nguleshin jo vetëm në mendje,por doje ti merrje dhe në celuloid, “biseda” me  mëngjeset e paqta ,detin e qetë, ose të zemëruar, “pakte” me diellin, përqafimi me  hënën e yjet.

Plazh vërtet  i mrekullueshëm,dhe mjaft i pastër.

I mirëmbajtur dhe i rregullt, me investime serioze nga banorët e zonës, bën  të ndihesh e të pushosh mirë.

Të nesërmen lëmë në krah Orikumin e fillojmë ngjitjen për LLogara,duke përshëndetur Tragjasin e nën vështrimin e Dukatit të heshtur, marrim të përpjetat për të prekur majën më të lartë.

Restorante turistike shtriheshin në të dy anët e rrugës gjarpëruese,por ne ndalojmë pikërisht në parkun e Llogarasë.

Majë asaj qafe, të shtrihet parasysh një bukuri  shumëdimensionale.

Një park ku gjelbërimi, pemët,trungjet e prerë që krijojnë forma artistike të bukura,drerët miqësorë me pulla e brirë të gjatë na lejonin ti përkëdhelnim e tu afroheshim.

Të zgjeroheshin mushkëritë. Nuk ngopeshe me atë vend.

Fëmijët ndihen të lumtur se i gëzohen çdo gjëje.Mjaft të veprojmë dhe ne, lirshëm dhe natyrshëm si të vegjëlit, të shijojmë e ta shohim bukur çdo gjë, dhe natyrisht nuk ka si të mos shkojnë mbarë dhe pushimet.

Vilat e drunjta që shtriheshin në dy anët e parkut, turistët e huaj dhe ata shqiptarë i jepnin gjallëri asaj qafe mali, e të dukej si një oaz i blertë,  zbuluar papritur në atë vend.

Hoteli dhe pishina brenda tij, të ftonin pa mëdyshje të haje mëngjesin e të pije kafenë aty.

Kënde dhe improvizime të ndryshme  brenda parkut e shtonin argëtimim e turistëve ditorë, të kalimtarëve apo të pushuesve që kishin zgjedhur pikërisht këtë vend për të lënë disa ditë vere, e për të marrë imazhe qetësie e butësie në vazhdmësinë e ditëve.

Vazhdojmë ngjitjen.

Afër Qafës së Llogarasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve, dhe erërave që fryjnë në atë qafë.

Një mjegull e papritur e disa pika shiu, një erë e ftohtë që fillon të fryjë na “ndrydh” pak, por gjithsesi s’mund të rrija pa zbritur pa pare nga afër “Pishën Flamur” e pa i bërë disa foto.
E kthyer e gjitha në një anë sipas erërave që fryjnë, ajo të jepte përshtypjen e një flamuri që valevitej, por me gjyrë të blertë.

Te dukej se mjegulla herë të “prekte” mbi supe, herë si pelerinë e hirte u mbulonte maleve kreshpat, e here, herë sikur ua zbukuronte  si vello ato.

Mjegulla vazhdon të na shoqërojë e hirtë e heshtur, e kur ndalojmë në atë që quhet” Ballkon i Llogarasë”  s’mundëm të dallonim detin që binte “thikë” nën shkëmb.

Gjithsesi u mundova ta “imagjinoj”sepse aparati s’mund të fotografonte të padukëshmen.

Megjithatë pikerisht në atë vend, munda të fotografoj një pllakatë  gjys’ të prishur me mbishkrimin 1920, çka tregon se pikërisht aty mund te ishte zhvilluar ndonjë ngjarje historike.

Rruga bie thike, një lartësi që të shkakton një ndjenjë boshllëku.Shumicën e fotove i bëj nga dritarja e makinës, të cilën e drejton bashkëshorti dhe bashkëudhëtari im në këtë rrugëtim të bukur.

 

Mjegulla davaritet dhe mund te duket deti më qartë, bregu, gjiret e pastra e të virgjëra.

Rruga kalon në një terren malor, shkëmbor  dhe gjarpëron në kthesa të forta e të rrezikëshme.Natyrisht me rrip sigurimi mundohem të fotografoj, e më vonë  ndalem në një vend, ku deti duket qartë nga nje lartësi mbi 1000 m, ku blej dy tufa çaj të freskët mali dhe sherebelë nga një fshatar që si epej asaj lartësie. Ndjesi të bukura, teksa prek me vështrim nga  ato lartësi, detin Jon.

Ai terren malor e aq i ashpër e bri tij deti blu,më bën tu jap te drejtë vlonjatëve për natyrën e tyre burrërore mjaft të shprehur.Njerëzit kudo, janë  mjaft të sjellshëm .

Pasi përshendesim Dhërmiun,dua të takoj patjetër Jalën  e bukur, e ndonëse vapë dhe mesditë, zbresim e pijmë një pije freskuese.

Zbarkimin e dytë e bëjme në Himarë.

Një shtëpi e thjeshtë me oborr, ku rritej që nga rrushi e domatja e freskët, do ishte shtrati ynë dy ditor.

E zonja e shtëpise ishte me sy blu.

Mendova përnjëhere:” Epo të lindësh buzë detit…”- e vura buzën në gaz.

Të marrësh çantat e të nisesh pa prenotuar, është një eksperiencë e bukur, pa parashikuar asgjë, e aq më shumë bujtja larg salltanete e hoteleve luksoze  por në shtëpi të thjeshta, ku mund të dalësh në kopsht, të bisedosh lirshëm me të zotin e shtëpisë, të marrësh një kokërr domate në kopsht, janë këto eksperinca që të kalisin, të rrisin kuriozitetin, të mësojnë të reja, dhe të mbajnë larg mërzisë e monotonisë.

Në Himare atë natë këndonin, Endri dhe Stefi, dy vëllezërit korçarë  dhe kalimi i mbrëmjes nën shoqërine  e zërit të tyre ishte kënaqësia tjetër e ditës.

Mëngjesi pak i vrenjtur, bëri që ta marrim shtruar ditën, pas kafesë dhe mëngjesit tradicional shqiptar,një byrek me një gotë dhallë, menduam të marrim  rrugën drejt Borshit për të parë e prekur qerpikun tjetër të Jonit.

Gjire të bukura, aq sa s’mund të rrija pa ndalur makinën e të bëja foto.Formëzoheshin aq bukur, e futeshin si gjymtyrë në det, sa s’më besohej që i shihja.

Aty pashë dhe “të përfolurin” Gjirin e Kakomesë.

Ngjisim rrugën e shohim së pari Qeparoin, e ndalesën e bëjmë në Borsh.

Plazhi me gurë të vegjël të bardhë, ishte karakteristika e tij.

Koha vrenjëtej e vetëtimat na shoqëronin herë pas here, megjithatë ne e prekëm detin, e pa kaluar as nje orë filloi një shi i papërmbajtshëm me erë, që na bëri të nxitonim në makinë.

Shiu binte  edhe në Himarë ku fjetëm dhe natën e dytë.

Dukej sikur moti, lozte me ne,herë shi e herë diell.Por kjo s’na mërziti aspak.

Ndoshta dielli,e pa që s’mund të na merrte qetësinë dhe vendosi të çeli blunë dhe në qiell,pas grisë me shi të papërmbajtshëm.

Pasdite koha u qetësua.Një shëtitje buzë detit në mbrëmjen himarjote do të mbyllte dhe siparin e asaj dite rrugëtim- pushimi.

Të nesëmen destinacioni ishte Saranda.Udha ishte e mrekullueshme, mes kodrinave të mbushura me ullinj, e kthesave gjarpëruese mbusheshe me frymë.Në Lukovë qëndruam për një kafe, dëshira për të parë dhe biseduar me çdokënd që takoja nga ato vende, bënte të ndalonim shpesh.

Në orën 11 mbërrijmë në Sarandë.

Fotot e para i bëra nga pika më e larte brenda qytetit. Pedonalja shtruar butë e hijshëm të ftonte t’i hidhje hapat e sigurtë e me besim,se aty do kaloje bukur.

Nje kafe, një akullore dhe pas hotelit,ende pa “marrë frymë”, tek plazhi “PASQYRAT”.

Pas një rruge (jo shumë e gjatë)të keqe ,që të prishte vertet humorin, ai plazh , ishte mrekullia vetë.Nuk kisha parë atë lojë dallgësh, ngjyrash, zhurme të fortë si oshëtimë, e ato guva të mrekullushme që ishin krijuar nga përplasja e ujit në shkëmbinj.

Çudi si, ai plazh i vogël, ishte plot me turistë.

Ngjyra mes blusë e jeshiles, ndërfuteshin  tek njëra tjetra për të arritur bregun duke shkumëzuare dallgezuar. Ishte një  lojë e bukur, ngjyra të thella e të bukura, breg i shkumëzuar, e njerëz të mrekulluar me aparate fotografike për të fiksuar këtë lojë të çuditëshme, që ndoshta luhej veç aty.

Me fjalë është vështirë të arrihet përshkrimi,e celuloidi gjithashtu s’mund të zbulojë gjer në detaje atë mrekulli natyrore.

Dallgët ngadalë  pushtuan bregun dhe plazhistët nisën te zhvendoseshin më sipër.

Ndërsa ne, u zvendosëm për në Ksamil e andej në Butrint, ku lodhja harrohej para asaj mrekullie që na u shfaq para sysh.

E zbuluar nga gërmimet arkeologjike ajo të mahnit me lashtësinë e saj, por nga mbishkrimet, pikturat e gdhendura me gurë, statujat e çdo gjë tjetër të bën të besosh në një qytetërim të vërtetë.

Muret rrethuese, daljet sekrete, amfiteatri e arena, tregon se banorët kanë qenë mjaft aktivë, dhe ndeshjet apo shfaqjet kanë qenë të pranishme dhe të zhvilluara.

Liqeni blu që e rrethon i japin asaj një pamje hyjnore e misterioze, e papritur duke lexuar pllakatat, futesh në meditime  të largëta, që shkojnë deri në vitet para Krishtit.

Ndjen, që historia të merr në vorbull e harrohesh duke parë çdo imtësi.

Ke dëshirë të jesh spektatore, herë në arenë e herë thjesht ”vëzhguese” imagjinare e atyre paraardhësve të stërlargët ,që  kanë frymuar, jetuar e luftuar , brënda këtyre mureve.

Ngadalë bie mbrëmja dhe ne duam ta shijojmë në bulevardin mbushur plot me njerëz.

Muzika live mbush shëtitoren, paçka se fundsezoni.

Nje valle aty, pse jo.

Përshihemi bashke me të tjerët në kërcim,në barin me muzikë, duke mbyllur një ditë të lodhëshme  por të bukur.

Të nesërmen vendosëm të qetësohemi e të bëjme plazh në qytet.

Pasdite, desinacioni ynë ishte Kalaja e Lëkursit.

Një pamje që s’e arrijnë dot fjalët.

Një e përpjetë  ku shoferi duhet të ishte i kujdesshëm, por ne arritëm në majë.

Ndonjëherë gjërat që i kemi afër, s’i shohim, s’i kuptojmë dhe s’i ndiejmë.

Saranda nga Kalaja e Lëkursit ishte një Perlë.

Perëndimi na zuri për kafenë e mbrëmjes në këtë  lartësi ku të dukej se prekje me gishta Sarandën.

Të dukej vetja si një princeshë e kohëve të lashta.

Turistët e huaj nuk mungonin  as aty.

Se imagjinoj dot, të vish deri në Sarandë dhe të mos futesh në lashtësinë e Butrintit, apo të mos shkelësh Kalanë e Lëkursit.

 

Mrekullitë s’janë ato që njohim, por ato, të cilat s’kemi parë akoma, s’i kemi prekur dhe s’i  kemi shkelur.

 

E mbushur me ndjesi të zjarrta e të arta  të atij perëndimi të datës 30 gusht 2013, marrim rrugën e kthimit për në Sarandë.

Të nesërmen do përshkonim qindra kilometra deri në kthimin në shtëpi.

Duhej të pushonim pak.

Nisemi nga ora 8 e mëngjesit, duke lënë pas dhe Sarandën, por duke marre në memorje imazhe e mbresa të bukura verore.

Gjatë kthimit,qëndrojmë tek “Syri i Kaltër”.

Një kombinim ngjyrash që edhe një piktor do ta kish “zili” natyrën si kish’ arritur të krijonte atë perfeksion. Ngjyra jeshile, pemë të ndërthurura si kurorë mbi kokë,ku,  tek –tuk ndihej vjeshta me një të verdhë të lehtë e mes kësaj,një Sy uji blu, si një bekim për atë vend dhe për ne vizitorët,që kemi nevojë për pamje e pushime të tilla, pranë natyrës, detit e njerëzve, per tu ndierë në frymëmarrjen tonë në sinkron me jetën.Marrim rrugën e kthimit, nga “Qafë Muzina” drejt Gjirokastrës, Tepelenës e duke udhëtuar e njëkohësisht të “humbur” në mendime pozitive e verore, për atë rrugëtim.

@ Drita Lushi

shtator 2013

Filed Under: Reportazh Tagged With: Drita Lushi, ne qerpiket e Jonit, rrugetimi i fundstines

“Ah, sikur!”… të mos ekzistonte kurrё urrejtja!

August 6, 2013 by dgreca

Skicëessé nga Drita LUSHI/

Aq shumë jemi të dhënë pas lodrave në vegjëli, sa, nëse na i marrin ato, vëllai, motra, apo dikush tjetër, egërsohemi, bërtasim dhe qajmë. Përplasim këmbët, lakohemi në dysh, e me fjalët që sapo kemi filluar të mësojmë, të shqiptuara me vështirësi, flasim gjuhën tonë inatçore fëmijërore.

Në koshiencën tonë fillformuar, ne  marrim inat  atë që na merr diçka, por s’dimë si ta shprehim me fjalën e duhur.

Kjo është ndoshta një tis, apo disa kristale  “urrejtjeje” të bardha, të transmetuara  në trurin tonë nga ngacmues  të jashtëm, në formën e sinjaleve të alarmit, të humbjes së diçkaje që duam, duke bërë që  të reagojmë  fort kundër personit që na cënoi “pronën” tonë. Reagimi ndodh më shume me lot sesa me fjalë.

Ndoshta, kjo ështe “urrejtja” e parë e pavetëdijshme.

Fillesat e saj, tashmë fëmija i ka të “stampuara” në memorie dhe vetëdijen e tij, e kjo do të bëjë që ai ta ketë të gatëshme, për t’a rizgjuar sa herë do t’i preket apo merret diçka, qoftё dhe nga njё njeri shumё i dashur.

Kjo ndodh qё në periudhen  kur ne shkojmë në kopёsht.

Moshatarët, që na marrin lodrat, na shtyjnë, na “shkulin flokët”, i shohim jo me  dëshirë, por me një ndjenjë perçmimi apo inati që mund të jetë një formë “urrejtje”, në shkallën fillestare, pa ditur se çfarë është kjo fjalë dhe ndjenjë në të vërtetë.

Gjithashtu në shkollë, jemi të rrethuar nga nxënës apo studentë  të ndryshëm, nga mësuses, diku të butë,e  diku më të rreptë.

Këtu fillon diferencimi  i nxënësve, apo i studentëve, me ose pa meritë.

Ne, reagojmë me anë të pakënaqësisë ndaj këtyre veprimeve, ndonjëherë duke parë shtrembër mësues/en/in,pedagogun  që na hyn në hak, e i jep më shume se sa i takon atij nxënësit  tjetër, vetëm se ai, ështe i biri i filanit, që ka një post, apo i atij biznesmenit që ka shumё para.

Pakënaqesia jonë lind në dy drejtime: ndaj mësuesit të padrejtë, dhe ndaj moshatarit, që vetëm pse fati i ka dhënë ca para, apo një prind me pozitë, ai duhet të marrë një vlerësim më të madh se sa i takon.

Në shkollë, veç edukimit, mësojmë vetvetiu dhe  pakënaqësinë që është hapi i parë për të na çuar drejt një ndjenjë te re: urrejtjes.

A ështe  urrejtja  ndjenjë?
Tek ndjenjat, fusim përgjithësisht  vetëm ato pozitive; si psh. Dashurinë, gëzimin, lumturinë, humanizmin, njerëzoren, etj.

Çdo  ndjenjë, lind në koshiencën tonë, pa na pyetur se kur dhe si.

Janё një sërë faktorësh të jashtëm, të cilët, me apo pa qëllim, ushtrojnë ndikimin e tyre mbi ne, duke bërë të lindë urrejtja,(meqë po flas për këtë ndjenjë, por kjo ndodh, me çfarëdo ndjenjë tjetër) për një person, për një dukuri, apo ngjarje të caktuar.

Nё jetё, ështe “këmbana” e zemrës  që na transmeton “alarmet” pozitive ose negative, në trurin tonë.Pёr njё kohё, duket sikur ata flenё aty.

Pastaj ne, si qenie me logjikë, mund t’i pranojmë këto sinjale e t’i përsosim, ti modifikojmë më tej, për mirë ose për keq, ose ti lëmë  statike, të paprekura, duke i vënë barrierë, dashurisë, urrejtjes, smirës, gëzimit etj.

Pra urrejtja, është ndjenjë, ashtu sikurse dashuria, pavarësisht se ecin në kahe të kundërta dhe shtyjnë njëra-tjetrën në pole të paarritёshme.

Po marr njё shembull.

U rritëm me një televizion, me një orar të reduktuar programesh prej katër orësh.

Uleshim para tij, që kur shfaqej sigla e hapjes,e ndiqnim çdo fjalë deri në përfundim.

E ne, në fillesat ku mezi arrinim të kuptonim, e në  frymën e të vetmit kanal viziv, mundoheshim të përfytyronim se si ishte jeta “mjerane” e vendeve kapitaliste e, na dhimbëseshin ata.

Megjithëse, sa herë më duhej (megjithse fëmijë) të rrija në rradhë të gjatë per një kg. mollë, apo të  prisja  Vitin e Ri për gjërat që mund t’i ëndërroja veç në gjumë, i cili më merrte në krahët e tij, duke më qetësuar shpirtin  e lodhur nga njё dëshirë e ngatërruar me urrejtje te pa kuptimtë.

Kë urrenim vallë?

Vetëm “ata”!

Kishim “halë në sy” vendet kapitaliste-revizioniste  për “degjenerimin” e tyre, sepse kështu mësonim nga ato që shihnim, dëgjonim dhe lexonim. Konturet  e Shqipërisë, “që më mirë pranonte të hante bar” na bënin të shihnim deri tek hapi ynë.

Eshtë e vërtetë që jeta, marrëdhëniet mes njerëzve, kontaktet e punës, përshirja në rrjedhën e përditëshme normale, na krijon shpesh pakënaqësi.

Por a duhet t’i hapim rrugën me vetëdije, drejt urrejtjes?

Tashmë maturë, duke ia njohur vetes, pikat e forta e të dobëta, e kemi më të lehtë, t’i vëmë një mburojё, urrejtjes që lind për gjëra të parëndësishme, e të rëndomta, e shpesh pa shkak.

Tashmë s’jemi më ata fëmijët naivë me koshiencë të fillfomuar, por ndërgjegjia jonë është e mirëformuar.

Pra, jemi të aftë të ndajmë se cilin kah duhet të ndjekim

Kur dikush të pushton vatanin,të merr lirinë, të vret, të plaçkit, jo vetëm urrehet, por edhe luftohet.

Liria shpirtërore, ështe po aq e shenjtë sa ajo fizike.

Vetëm këto  do t’i “justifikoja”, si urrejtje të ligjëshme, mbi tё cilat, gjithnjë duhet tё veprojё drejtёsia.

Por  s’mund kuptohet dhe të justifikohet grindja dhe urrejtja mes çifteve, të cilёt mund të përfundojnë në vrasje makabre, megjithëse jetojmë në shekullin e njëzet e një!!

Kjo ndodh, sepse mungon, fjala, komunikimi pse jo dhe përgatitja, shkollimi apo gjendja ekonomike.

Eshtë edukimi, ai që vlen më shumë se gjithshka.

E ky, fillimisht merret jo vetem në shkollë por edhe në një shoqëri të hapur, me media dhe masmedia, ku shembujt janë para syve tanë.

Populli i zgjuar thotë:“Shih rrushi, rrushin dhe piqet”.

Rrushi si frut, piqet atëherë kur i vjen koha, e jo se sheh vreshtin fqinjë.

Por ne humanëve, një shembull i mirë, do të na bënte më të mire,

e një shembull i keq, do të na bënte edhe më keq, pra, dhe më të këqinj njëkohësisht.

Është e vërtetë që secili ka mendt’ e veta.

Por sado qe te qendrojme brenda sferes se mendimeve tona, perseri ajo (sfera) e humbet lemueshmerine dhe rrumbullaktesine perfekte, nga kontakti me mjedisin qe e rrethon.

Pra, sa të mirë ose të këqinjё jemi, ndikon familja, shkolla dhe shoqëria. Këto, deri në njëfarë mase.

“Peshku qelbet nga koka”- thotë përsëri mençuria popullore.

Në fakt  peshku po u prish e u qelb, prishet e qelbet i gjithi.

Por koka,… ah koka!

Njerëzit e thjeshtë, e çdo person qe jeton i rrethuar nga ky intensitet jete, shtypi, mediash, apo reklamash nuk mund të kalojë indiferent, ndaj atyre, që këto të fundit servirin para nesh.

Sot, numri i televizioneve e radiove, rritet në porpocion me vitet.

Programet që ato transmetojnë nuk janë të reduktuara, as të redaktuara, e shpesh tё pakontrolluara fare.

Detyrohem shpesh, të  ndërroj kanalin e televizionit, sepse s’dua që ime bijë  të shohë si shahen dhe pështyhen parlamentarët, si rrihen me grushte, si flasin e replijkojnë me gjuhë rruge, që sjell veç urrejtje.

Gazetat, e shtypi i shkruar në faqet e para servirin vetëm lajme sensacionale të hiperbolizuara, vetëm e vetëm që shitja t’ju sigurojë rrogën gazetarëve …partiakё.

Ky është shembulli që merr një popull i tërë, nga ata që duhet të ishin virtytet shpresëdhënës, besues e inkurajues  i njerëzve.

Urrejta si ndjenjë, të shkatërron shpirtin, të prish qetësine, gjumin, gëzimin, lumturinë.

Urrejtja të bën të harrosh virtytin mё tё lartё njerёzor: dashurinë.

Pakënaqësitё e jetёs jam munduar t’i kaloj pa lënë gjurmë, e pa mbjellë urrejtje në shpirtin tim, apo të familjarëve dhe shoqërisë sime…

Televizion dhe gazeta, shoh dhe lexoj pak.

Per t’i “shpëtuar”kësaj rrapullnaje dhe çoroditjeje ku njeriu bëhet armik me tjetrin për hiç  gjë, futem në botën e fjalës së bukur, duke anashkaluar çdo hall, pakënaqësi apo problem te jetës.

Aty, harrohem brenda botës që jetoj, e lirë, e kёnaqur, dhe pa urryer.

Do ftoja në kёtë “harresё”, të gjithe ju, që nuk e doni urrejtjen.

Sepse, pa mendoni pak?

A ia vlen të urrejmë?

A do të na ndihmonte ajo, të zgjidhnim problemet, apo pakënaqësinë?

Përkundrazi, do të na çonte në shkatërrim e degradim njerëzor, do të na kthente në njerëz të vegjël.

Personalisht, e kam mbajtur dhe do ta mbaj larg këtë  “zonjë” me të zeza, sepse unë dua njё jetё me ngjyra.

Çfarëdo  të na kenë bërë, t’ju kenё bërë, mos e ujitni urrejtjen, qëndrojini larg, që të merrni frymë lirisht.

Gjuha e urrejtjes, ështe alfabeti që mësohet me lehtë, por që mezi harrohet, madje pasohet dhe nga egoizmi dhe hakmarrja.

Prandaj mos e merrni atë abetare.

Mos i mësoni as shkronjat e para, se truri njerëzor, ështe  i aftë të mësojë shumë  lehtë, aq më shumë kur si predikues e auditorë tё saj, janë politikanët, gazeta, e televizione.

Të rrish larg auditorëve të tillë, ështe gjëja më e mirë, për veten,por dhe per fëmijët  tanë.

E dini?

Se si më duket që po shkruaj për urrejtjen.

Nuk ndihem mirë, as rehat, madje po filloj të kem pak “frikë”!

 “Ah, sikur!”… të mos  ekzistonte kurrё urrejtja!

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, urrejtja

DUKE LEXUAR DHE DËGJUAR “ORË AKULLI” TË DEMIR GJERGJIT

July 30, 2013 by dgreca

SHKRUAN: DRITA LUSHI/

1-Gjatë leximit…

Në Orët e  Akullit, njeriu  ndoshta ngrin, ngrin vërtet,pushon ekzistencën, transformohet, ndalet, humb përgjithmonë,shndërrohet në materie pa frymë, dekompozohet dhe është veç  eter.

Ne Orët e akullit Poeti, s’ngrin, por  lind dhe rilind, me fjalën  e tij,ngroh dhe ngrohet, e orët shkrijnë akullin duke vërshuar me poezi të bukura, që bëjnë ringjalljen e shpirtrave.

“Orët Akullit” për shumëkënd, janë inekzistencë, fund, por jo për Demir Gjergjin.

Brenda këtyre orëve  Ai  gjallon me fjalën e tij, duke na dhënë mrekullisht një libër, ku origjinaliteti dhe e veçanta pikas që në krye të herës.

Poezia e tij nuk është standarde, e rregullt si ato bankat në klasat e dikurshme, as si ato uniformat që veshin nxënësit në shkolla. Ajo është spontane, diku e lirë, diku e rregullt, për të ngritur krye, ose  për tu zbutur më tutje, diku ashpërsohet, diku të bën të mendohesh, diku gjen veten, diku gjen mikun, diku shoqen.

Poezia e tij, diku  është vetëtime, diku shi malli, diku pranverë brenda dimrit, diku një vjeshtë e paqtë, e diku një ngrohtësi në lulëzim.

Gjithçka gjen Brenda “Orë Akulli” të Demirit:

”Fraza të ftohta”

“Zhuljeta viktimë e…

Romeo pasion i…”

Lektori, plak i lashtë

i flashkët krejt,

heq syzet

vë syzet:

“Zhuljeta…!”

në bangën e tretë,

gjaku i Romeos ndizet

buzët e Zhuljetës digjen

Syzet:

“Jaaaaashtë!”

RomeoZhuljeta,

del,

refugjon

një tragjedi të re!

Përsëritja e një zanoreje  tek  e njëjta fjalë si psh : “Jaaaaashtë”,që e ndeshim  edhe në poezi te tjera, të bën jo vetëm ta lexosh, por padashur e  thua me zë, atë fjalë dhe mënyrë të thëni, që aq shpesh e ndeshim në fjalorin tonë  thuajse të përditshëm.

Aty ndesh “Uverturë”,”Arie”, “Metamorfozë”, “Romancë në re”, “Gjysmëputhje”, qe i japin një hapësirë plot ngjyra librit.

Në të tjera poezi, vihet re një ndërtim që në dukje të jep përshtypjen e një loje me fjalët, nëse e sheh me sy të lirë:

“Me vjeshtën qesh

me heshtat hesht

ne troje resh

nis tjetër jetë

me ty që je

këtu ku s’je”

Por nëse vëmendja përqendrohet në vargje, vë re se aty, qoftë dhe në një shpalosje në dukje abstrakte, lind dhe zhvillohet metafora e kuptimtë dhe ekzistenciale e poezisë,logjika e të menduarit të stërvitet, dhe të shtyn të lexosh më tej.Shpesh, në poezi ka antiteza, ose abstraksione të mrekullueshme, ose “ngjitje sup me  sup” të fjalëve  që ndjekin ose shtyjnë njëra- tjetrën për nga kuptimi.

“Ti ishe tashmë

pagëzim i dritës me ajrin

orgazma e ujit me zjarrin”

Kjo i bën më “ndjellëse” këto poezi, te  cilat për hir të  së vërtetës, kanë dhe një filozofi fine brenda tyre.

Skalitjet metaforike,epitetet, krahasimet e mjaft rrjedhshmëri figurative,të bëjnë ti lexosh edhe përsëdyti këto poezi:

“Ndërsa lëkura dhe petkat e mia,

mbusheshin me allçinë e bardhë

të humbjes,

drita e nginjur me jetën time

rrëzë shtatores së shtangur

ngrinte”

Në mjaft poezi, vihet re një marrie-dhënie me tabanin popullor! Diku poeti merr dhe përdor një fjalë, e diku fjala zë vend natyrshëm në qëndisjen poetike.

Duke  udhëtuar  ndër vargjet e Demirit, diku ndalem e pushoj, rilexoj, mendoj  dhe kur arrij në“Qiejt e Mallit”shtangem  të “shoh”:

“Si bluzë e zhvesh peizazhin dheu,

për mua nis e bëhet qiell

nga poshtë më sheh me tmerr Anteu,

mbi re, ylli yt më ndjell!”

Dhe s’ka si të mos “dëgjosh” fluturimin poetik tek “Janari i Mynihut”

D…ing…!

D…ing…!

D…ing…!

Thërrasin kambanat në Platz Marin.

Tani që janari ka shkrirë,

kambana e zemrës regëtin

në Platz Marin:

…Ing…!

…Ing…!

…Ing…!

I konceptuar në mënyrë krejt të veçantë, ky libër unik në llojin e vet,

“qëndron” fitimtar  mbi  “Shtatë mbretëri të humbura”, ku “Ëndrra”, “Udha”, “Nata”, “Vera”,nuk  janë  të “Huaja” në “Mbretërinë e fundit” Pastaj natyrshëm  “hapen” dhe shpalosen “Shtatë portat e qiellit”, e Dritës e Zërit, e Ëndrrës, e Mungesës, e Mallit, e Parajsës  dhe me anë te Portës se Ajrit, “zbresin” në “Shtatë shtatoret e shtatorit”.

Qëndroj në mozaikun poetik për të parë formëzimin  dhe gdhendjen e poezive të poetit  Gjergji:

“Trini e sh(tr)enjtë+ ti”

“Deti, lumi mali +Ti

Vera, vjeshta, dimri+Ti

Atëherë, sot, mot+Ti

Ik, eja rri +Ti”,

E ky mozaik, ngelet i pikturuar jo vetëm në poezitë e Demirit, por mbetet në vetëdije me anë të mendimit  dhe e fotografon si në një blic të shpejtë  dhe  në shpirt, çdo njeri që merr në dorë librin dhe “udhëton” ndër faqet e tij.

Një mënyrë moderne e konceptimit, ndërthurjes, dhe shpalosjes  së pjesëve të librit, i cili mund të lexohet, jo faqe pas faqeje  por në të gjitha mënyrat dhe drejtimet.

Mjaft të hapësh librin tek përmbajtja, dhe kemi një poezi te re, të stilit ala Demir, sa çuditesh me këtë gjetje befasuese.

Shoqërimi me skica e sjell çdo poezi edhe në vështrimin tonë, përpos  leximit .

Teksa i lexon, këto poezi i ndjen mjaft afër vetes, për nga përmbajtja dhe mënyra e të shkruari. Ato janë  larg frazave të pakuptimta dhe  gjetjeve artificiale.

Libri “Orë Akulli” ka poezi  qe do të dëshironim t’i lexonim në një çast pushimi, çlodhjeje, dhe ç’është më e bukura, të bëjnë t’i lexosh me zë!

 2- Gjatë dëgjimit…

CD-ja bashkëngjitur në fund të librit, të bën jo vetëm ta ndjesh dhe ta dëgjosh, por ajo bëhet e prekshme nga ne.

Zërat e vetë autorit  dhe gazetares Kozeta Hoxha, që përcjellin vargjet në timpanin tonë, janë jo vetëm emocionues, por depërtues, ndjenjësorë e të ëmbël dhe u japin  një formë tjetër madhështore atyre ndryshe nga ajo e të lexuarit.

Me CD-në, e “merr” poezinë me vete, nuk e lë asnjë  minutë të “flejë” në faqe libri, por bisedon me të, i qesh dhe të buzëqesh, të jep zë dhe jetë, gjatë rrugëtimit  tënd të përditshëm

3- Gjatë leximit dhe dëgjimit të … “Orë Akulli”:

Ndien diellin poetik, t’i shkrijë ato (orëakujt) e një lumë vargjesh  të lira, pa korniza, pa konture, pa  gardhe dyshimesh e censurimi të shpirtit  të poetit, dhe ndjen të mbushet  deti i dëshires  së lexuesit, i cili do pikërisht këtë liri vargu, ku horizonti  është nga infiniti deri në infinit!

Filed Under: Kulture Tagged With: Drita Lushi, nga Demir Gjergji, ore akulli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT