• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A do i duhej Shqipërisë një president si kolonel Demiraj?

April 16, 2022 by s p

Nga Qendra Marshall – Gjermani/

Një nga kandidaturat e mundshme për President të Republikës së Shqipërisë, i propozuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” është tashmë edhe koloneli (r) Dr. Dritan Demiraj. Karriera e tij është e gjatë dhe e mbushur jo vetëm me aktivitete ushtarake, por edhe me kontribute akademike (autor i një liste të gjatë librash për çështjet e terrorizmit, gjeopolitikës e të sigurisë). Ka një jetë të larmishme me kontribute në SHBA, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Meqenëse është e thjeshtë të gjendet një jetëshkrim i tij kudo në internet, do të doja ta komentoja këtë propozim të “Vatrës” nisur nga një pyetje shumë e thjeshtë: A do i duhej Shqipërisë një president si kol. Demiraj? Nëse ne i referohemi figurës së presidentit në vendin tonë mund të shohim lehtësisht se në karrierën e tyre të gjithë ata burra që e kanë mbajtur këtë post, kanë pasur pak pushtet e shumë presion politik, pak rezultate e shumë ambicie, pak kohë e shumë telashe, etj. Mund të vazhdohet gjatë me këto kundërshti që sjell ai post, pasi e tillë është politika jonë kombëtare: Nuk prodhon dot paqe dhe e detyron një president që të bëhet “o me ne, o kundër nesh”.Kjo është arsyeja e parë se përse kol. Demiraj do të duhej të ishte president. Si një ushtarak karriere ai ka në kodin e tij të rrënjosur profesional devotshmërinë që kanë ushtarakët ndaj detyrës, kështu që lehtësisht mund të jetë mbi palët. Sepse ashtu si çdo ushtarak, edhe ai betimin e ka bërë për vendin e tij, jo për politikën. Jo më kot sillet shpeshherë si shembull emri i ish-presidentit Moisiu, duke e marrë shembull për sjelljen e tij anash palëve. Ai vetë e ka interpretuar këtë gjë si efekt të ish-profesionit të tij të ushtarakut.Por, nëse do të donim të merrnim si argument një emër të pranueshëm nga të gjitha palët atëherë kemi arsyen e dytë që kol. Demiraj mund të jetë emri i duhur për president. Nëse kujtojmë periudhën kur ai mbajti postin e ministrit të Brendshëm, ai ishte pjesë e një kabineti të majtë, i referuar nga të djathtët dhe i pakundërshtuar nga askush. Fakti që e bëri detyrën për aq kohë sa qëndroi me seriozitet e përkushtim, pa i dhënë asnjë notë politike, është një mesazh për t’u pasur parasysh.Një president ish-ushtarak, me funksionin e Komandantit të Përgjithshëm, në një periudhë që po rikthen fuqishëm në Europë kërcënimet ushtarake, investimet në infrastrukturën e Mbrojtjes dhe rreziqet që kanë të bëjnë me luftën konvencionale etj., do të ishte njeriu i duhur në vendin e duhur. Si ushtarak i suksesshëm karriere, kol. Demiraj do të përbënte një rast unik mes presidentëve ballkanikë e më gjerë, për njohuritë që do të kishte për sa i takon kuptimit të veprimeve luftarake të mundshme që mund të ndodhin në një rajon. Natyrisht që kjo vetëdije ndaj rreziqeve të tilla do të përkthehej në veprimtari politike të presidentit.Fakti që koloneli gëzon një respekt të konsiderueshëm në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut përbën një arsye tjetër që ai të ishte emri i duhur për t’u bërë President i Shqipërisë. Ky respekt do të shndërrohej në afrimitet politik dhe do t’i shtonte akoma më tepër besimin reciprok shteteve tona në politikat e përbashkëta; sidomos ato të fushës së mbrojtjes. Mund të shtojmë këtu, që njohuritë e tij për NATO-n, mund të viheshin fare mirë në dispozicion të një politike për antarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO. Edhe sikur të propozonte thjesht iniciativa të ndryshme për sigurinë e mbrojtjen, për Kosovën e Shqipërinë, përsëri do të ishte diçka pozitive dhe që një civil nuk mund ta bëjë më mirë se sa një ish-ushtarak i zoti.Sugjerimi që vjen nga “Vatra” ka në vetvete një mesazh: kol. Demiraj është një emër i pëlqyer, i besuar dhe që sjell shpresë edhe te ata që e shohin politikën shqiptare nga jashtë. Duke u bazuar jo vetëm te vlerat e tij të treguara në karrierën e zhvilluar në Shqipëri, por edhe te ato vlera që ai i ka shfaqur ndaj komunitetit shqiptar të SHBA-së, vatranët e kanë propozuar pa mëdyshje emrin e tij për president. Thjesht e vetëm për këtë arsye, ai mbase nuk duhet të jetë president, por kjo është një tjetër arsye e vlefshme për t’u marrë parasysh. Të punosh e të drejtosh misione luftarake speciale në front, është një aftësi që ai e ka shfaqur me prova. Si komandant misioni në Afganistan ai ka qenë në krye të misionit të parë luftarak të forcave speciale shqiptare (“Eagle 1”) dhe shumë misioneve të tjera që vijuan më tej, në terren, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat speciale amerikane dhe aleantët. Nga Shqipëria, ai ka përcjellë çdo mision të këtij formati që kryen forcat speciale në Afganistan. I vetmi dëmtim që trupat tona speciale pësuan në këto tetë misione luftarake, ishte humbja e jetës së Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Voglit. E tillë është jeta e një ushtaraku. Betimin e bën të jetojë për interesat kombëtare të vendit. Prandaj në shumë vende të botës kur një ish-ushtarak është në krye të një institucioni e shohin me sy më dashamirës dhe i besojnë më shumë. Ky besim e kjo dashamirësi do të ishte arsye më tepër për ta parë si president kol. Demiraj.Mbase është e tepërt që të themi se këto misione i kanë dhënë atij edhe një besueshmëri të lartë në sytë e aleatëve e sidomos të amerikanëve, me të cilët ka operuar në zonat e vështira në Afganistan. Ky besim që në ushtri dhe institucione përkthehet në disa certifikata sigurie dhe medalje të shumta ndërkombëtare e bën figurën e tij të testuar ndërkombëtarisht për pastërtinë dhe devotshmërinë në kryerjen e detyrës. Kjo arsye nuk do të kapërcehet nga asnjë kandidat tjetër i mundshëm për president, pasi nuk do të ketë emra që kanë kaluar aq misione dhe aq shumë përvojë sa ai, dhe që të kenë kryer veprime konkrete në teatrin operacional të luftës.A mund të ketë arsye të tjera që kol. Dritan Demiraj të ishte emri i duhur për President të Republikës së Shqipërisë? Natyrisht që ka. Vetë karriera e tij është një arsye e pandërprerë shumëvjeçare që konfirmon emrin e tij. Por, mbi të gjitha, është integriteti i tij i cili është edhe më lart se sa karriera. Duke e mbyllur këtë arsyetim të shkurtër lidhur me një emër që mund të sillte vertetë një dimension të ri në Presidencë, po përmend një shprehje të ish-presidentit Kenedi, mbajtur në një fjalim para marinsave amerikanë: “Çdo arritje fillon me vendimin për të provuar…” Mund të ishte një president i guximshëm e me integritet në një skenë politike të paparashikueshme. Dhe Kol. Demirajt, guximi për të provuar nuk i mungon. Këtë e ka dëshmuar me prova.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dritan demiraj

FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKËS VATRA PROPOZON KOLONEL DRITAN DEMIRAJ – “NDERI I KOMBIT” DHE “MJESHTËR I MADH”, PËR PRESIDENT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

April 12, 2022 by s p

https://fb.watch/clmgLIq0qV/

New York, më 12 Prill 2022

Propozim pë President të Republikës së Shqipërisë:

Drejtuar:                   

Shkëlqesisë së Saj, Zonjës Lindita NIKOLLA

Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

Zotit Taulant BALLA

Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste 

Zotit Enkelejd ALIBEAJ

Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Zonjës Mesila DODA

Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim

Zotit Agron DUKA

Kryetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim

Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. 

Lënda:                        Përcillet propozim

Të nderuar zonja dhe zotërinj, 

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” organizata më e vjetër e diasporës e ndjek me vëmendje situatën si dhe zhvillimet politike në Shqipëri. 

Stabiliteti politik, partneriteti me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet e forta demokratike janë gjithmonë boshti i orientimit tonë kombëtar për një Shqipëri të zhvilluar.

Duke ndjekur kalendarin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë, kemi nderin e veçantë që në unanimitet të plotë të Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe të 20 degëve në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës t`Ju propozojmë dhe të mbështesim për herë të parë një kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. 

Sa më sipër propozojmë zotin Dritan Demiraj si kandidat për zgjedhjet presidenciale në Shqipëri. 

Zoti Dritan Demiraj ka një biografi dhe aktivitet të pasur si një nga ish ushtarakët e lartë më të vlerësuar dhe të dekoruar në dekadat e fundit. Roli i tij në përfaqësimin me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim të njësive të forcave të armatosura ka bërë krenarë jo vetëm shqiptarët brenda vendit por mbarë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe punojnë në botë.

Kolonel Dritan Demiraj gjatë drejtimit të misioneve luftarake është vlerësuar maksimalisht nga institucionet më të larta të Republikës së Shqipëri, duke u vlerësuar me medaljet “Nderi i Kombit”, “Mjeshtër i Madh”, “Medaljen e Artë të Shqiponjës” si dhe është vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. 

Gjatë viteve të fundit, zoti Dritan Demiraj ka ushtruar një aktivitet intensiv kombëtar duke qënë gjithmonë një zë i fuqishëm për të ndihmuar në fushën e sigurisë dhe të sfidave në reformimin e forcave të armatosura. 

Ai mban gradën Doktor i Shkencave në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka pjekurinë e duhur dhe kualifikimet e nevojshme për të mbajtur detyrën e lartë të kreut të Shtetit Shqiptar dhe për të qenë garant i Kushtetutës dhe ligjeve. 

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “Vatra” shpreh besimin e plotë se zoti Dritan Demiraj do të jetë një President simbol i unitetit të kombit dhe një garanci e harmonizimit të politikave me aleatin tonë strategjik SHBA, dhe jo vetëm. 

Duke pasur vëmendje dhe ndjeshmëri të shtuar ndaj zhvillimeve gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura ai do të jetë një garanci më e madhe në drejtim të politikave të sigurisë.

Të nderuar përfaqësues të popullit Shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë!

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “Vatra” me mirënjohje dhe vlerësim për rolin dhe misionin Tuaj, lutet të mbështesni kandidatin e parë të propozuar nga diaspora zotin Dritan Demiraj. 

Një president i zgjedhur me konsensus, mirëkuptim dhe përfaqësues i të gjithë Shqiptarëve patriotë, do të jetë mesazhi i duhur politik për situatën aktuale të Shqipërisë. 

Me bindjen e thellë që propozimi jonë do të shqyrtohet dhe do të mbështetet nga ana Juaj pa dallime politike, 

Me respekt dhe nderime

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”

Elmi BERISHA      

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan demiraj, Elmi Berisha

NGA KUSH TREMBET SERBIA?

April 11, 2022 by s p

PhD Dritan Demiraj/

Qe nga fillimi i pushtimit te paprovokuar te Ukraines nga Rusia dhe sidomos ne momentin kur dy javet e fundit e gjithe bota po perjeton me optimizem mposhtjen e ushtrise ruse ne tre frontet, kemi patur gjithmone e me pak reagime nga Beogradi zyrtar. Eshte sigurte se kjo humbje qe ne fakt ka befasuar shume eksperte nderkombetare, po perjetohet me shume ankth ne Serbi. Humbja e ‘vellait te madh’ ka bere qe shume lider “pacifiste” te Serbise qe nga presidenti Vuçiç, Ministri i Mbrojtjes Stefanoviç, Ministri i Brendshem Vulin dhe Daçiç te ulin tonet dhe kercenimet sa i perket mbrojtjes se komuniteteve Serbe, qe ne fakt asnjehere nuk jane kercenuar nga askush ne rajon.Por kjo farse, nuk ka ndaluar procesin e armatosjes se Serbise. Kete fundjave gjashte avione kinez te forcave ajrore transportuan mjetet e fundit moderne per mbrojtjen kunderajrore te blera ne Kine nga Serbia. Rritja e kercenimeve rajonale, armatosja e vazhdueshme, mungesa e distancimit dhe vendosjes se sanksioneve kunder Rusise ne nje kohe qe e gjithe bota po i zbaton ato, thirrja e vazhdueshme e SHBA dhe BE qe edhe Serbia ti zbatoje, kane rene ne vesh te shurdher. Prokurimi, dergimi dhe se shpejti instalimi i raketave kunderajrore me rreze te mesme kineze HQ-22, blerja e mjeteve te tjera te sulmit, asistenca ushtarake dhe me inteligjence te vazhdueshme nga Rusia nderkohë qe Serbia pretendon statusin e vendit neutral, perbëjnë një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinen. Sistemi kunderajror HQ-22 eshte nje sistem raketor modern prodhim i fundit, i cili ka nje rreze veprimi 50 m deri ne 27 km lartesi, rreze efektive deri ne 170 km dhe raketa me peshe 180 kg. Ky sistem eshte i njejte me sistemin KA rus S-300. Që nga viti 2020 dhe ne vazhdim, zyrtarët e DASH-it e kane paralajmëruar Beogradin kundër blerjes së sistemeve anti-ajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3, por edhe per blerje te tjera armatimesh ofensive.Tashme eshte e qarte per te gjithe diplomatet perendimore se Serbia nuk dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, por ajo thjesht shfrytezon ndihmat e tyre financiare pasi orientimi i tyre eshte krejtesisht anti euroatlantik. Si perfundim, keto zhvillime duhet te shihen me pergjegjesi nga qeverite tona sidomos ne Shqiperi dhe Kosove, ne menyre qe te vazhdoje me tej investimi ne infrastrukturen e sigurise kombetare dhe ne rritjen e kapaciteteve operacionale te forcave tona te armatosura.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritan demiraj

RREZIKU RUS NË BALLKANIN PERËNDIMOR

December 3, 2021 by s p

PhD DRITAN DEMIRAJ

(STRATEGJIA RUSE E LUFTËS KIBERNETIKE, HIBRIDE, KONFLIKTIT MEINTENSITET TË ULËT DHE DIZINFORMIMIT NËPËRMJET PËRDORIMITAKTIV TË MEDIAVE SOCIALE DHE JO VETËM).

Prej disa muajsh vëmendja e SHBA-ve, BE-së, NATO-s, shërbimeve inteligjente civile dhe ushtarake është përqëndruar në zhvendosjen e mbi 90.000 trupave ruse së bashku me teknikën e avancuar ushtarake në kufirin lindor të Ukrainës me frikën se mund të përsëritet skenari i vitit 2014, kur Rusia në mënyrë të njëanshme vendosi pushtimin dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë. Këtyre provokimeve i është shtuar edhe presioni që po i bën BE-së pas vendosjes nën sanksione edhe presidenti i Bjellorusisë, diktatori Aleksandër Lukashenko, veprimet e të cilit kanë provokuar futjen e shumë refugjatëve nga Lindja e Mesme në kufijtë e Polonisë, Lituanisë dhe Latvias. Por agresiviteti i ditëve të sotme të Rusisë, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, i cili vazhdon të zbatohet dhe “suksesi” i saj në gjykimin tim ka ardhur si pasojë e veprimeve, kundërveprimeve dhe masave të dobëta, joproduktive të SHBA-ve (sipas vetë ish zyrtarëve më të lartë të agjensive të sigurisë në SHBA), NATO-s, BE-së dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm në botë. Në këtë shkrim do të mundohem të analizoj përmes disa ngjarjeve dhe fakteve strategjitë e Rusisë, implementimi i së cilave ka bërë që Rusia të shtojë rreziqet, kërcënimet dhe agresivitetin e saj kundër Ukrainës, madje duke kërcënuar edhe se do ta pushtojë atë nëse kalohen “vijat e kuqe” të Kremlinit. Po kështu kemi parë ndërhyrjen e saj në të kaluarën në Gjeorgji, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, Republikën e Kosovës sidomos në këtë të fundit duke përdorur strategjinë e saj të dizinformimit, propagandën, veprimet destabilizuese në veri të vendit, duke implementuar “fuqinë e butë” në bashkëpunim me aleatin e saj strategjik në Ballkanin Perëndimor, Serbinë dhe ministrin e propagandës së Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç.1. Në vitin 2004, Rusia filloi të përdorë gjerësisht strategjinë e korruptimit të zgjedhjeve si një përpjekje për të dëmtuar sigurinë e proceseve dhe institucioneve demokratike në vendet e interesit të saj kombëtar. Pas disa përpjekjeve për rreth një dekadë në raport me sistemet elektronike që monitoronin dhe vendosnin përfundimin e rezultateve të makinerisë zgjedhore, Kremlini dhe dy drejtoritë e tij kryesore të inteligjencës ai ushtarak (GRU) dhe drejtoria e shërbimit të huaj të inteligjencës (SVR) përmirësuan dhe modifikuan objektivat dhe qasjen e tyre. Në vitin 2004, Rusia mbështeti fuqishëm gjatë fushatës elektorale kandidatin pro rus Viktor Janukoviçin, duke i dhënë fushatës së tij më shumë se 300 milionë dollarë dhe duke helmuar kundërshtarin e tij kryesor Viktor Jushçenko. Në fakt kjo ndërhyrje provokoi atë që në ditët e sotme njihet si “Revolucioni Portokalli” në Ukrainë.2. Strategjia e Putinit fillimisht filloi të testohej dhe u ekzekutua në vitin 2007 në Estoni. Në vitin 2007, qeveria e Estonisë mori vendim për të hequr monumentin e Luftës së II-të Botërore, atë që njihej si “Ushtari i Bronxit” nga kryeqyteti Tallinn, duke e çuar në një varrezë ushtarake në periferi të kryeqytetit. Vendimi për largimin e saj ishte i diskutueshëm, për shkak se ky monument ishte një simbol përçarës. Ai pasqyronte fitoren e Ushtrisë së Kuqe mbi nazistët, ndërsa për Estoninë dominimin e tyre nga Rusia. Përgjigja e Moskës për heqjen e statujës ishte ekzekutimi i një sulmi kibernetik, i cili paralizoi menjëherë të gjithë vendin, duke ç’aktivizuar gjithë shërbimet online të bankave, mediat sociale dhe të gjithë aktivitetin e ministrive të saj. 3. I njëjti sulm kibernetik u ekzekutua edhe kundër qeverisë së Gjeorgjisë pak më parë se të realizohej pushtimi i saj në vitin 2008. Ky pushtim u realizua në momentin kur SHBA-të kishin përfunduar ristrukturimin e gjithë ushtrisë së saj, duke investuar disa qindra milionë dollarë në reformat e mbrojtjes së ushtrisë së Gjergjisë, e cila ishte pranë marrjes së ftesës për tju bashkuar NATO-s. Gjatë fillimit të konfliktit ushtarak në muajin gusht 2008, i cili siguroi pushtimin e Abkazisë dhe të Osetisë së Jugut nga territori i Gjeorgjisë, Putini përdori si justifikim “Precedentin e Kosovës” me qëllim që të ligjitimonte njohjen ndërkombëtare të këtyre dy republikave, të cilat në ditët e sotme njihen vetëm nga Rusia, Venezuela dhe Nikaragua. Rasti i Gjeorgjisë, tregoi përpjekjet e Rusisë që të përdorte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të realizonte strategjinë e përdorimit të politikës së saj të jashtme në vendet e interesit të ish republikave të Bashkimit Sovjetik.4. Në vitin 2009, Kremlini arriti që të sigurojë fitoren e partisë anti Europiane Pyrrik në Modavi. Megjithëse kjo parti nuk arriti të formonte qeverinë, ajo e detyroi Bashkimin Europian që të ishte më i vëmendshëm në zgjedhjen e ardhshme parlamentare që u zhvilluan në fund të vitit 2009, duke mundësuar fitoren e partive pro Europiane në Modavi.5. Në vitin 2010, Rusia përsëri arriti që me përfshirjen efektive të operativëve të GRU-së dhe të shërbimit të huaj të inteligjencës (SVR) të siguronte fitoren në zgjedhjet presidenciale të presidentit pro rus Viktor Janukoviç në Ukrainë, por në vitin 2014 ai nuk arriti të rizgjidhej, pavarësisht ndërhyrjes aktive të këtyre njësive dhe aplikimit të operacioneve kibernetike, duke përdorur sulme kibernetike me qëllim ndërrimin e rezultatit zgjedhur dhe ‘infektimin’ e serverave ku ndodheshin rezultatet e votave. 6. Të gjitha strategjitë sa më lartë por jo vetëm, krijuan kushtet për pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Në vitin 2014 gjatë pushtimit të Gadishullit të Krimesë Rusia përdori aktivisht luftën hibride. Arkitekti i luftës hibride në Rusi është Gjenerali Valeri Gerasimov, një veteran i luftës së II-të Ruso-Çeçene, i cili u emërua nga presidenti Putin si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë në vitin 2012 dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. Një vit pas emërimit të tij, ai publikoi doktrinën e re të luftës së ushtrisë Ruse. Gjenerali Gerasimov e konsideronte luftën konvencionale midis ushtrive të mëdha si diçka që i kishte kaluar koha. Në vend të saj, ai propozonte: “Kryerjen e operacioneve në distanca të largëta, veprime aktive kundër kundërshtarëve, operacione aktive sa i përket fushës së informacionit dhe pajisjeve që i shpërndanin ato. Sipas tij, hapësira e informacionit krijonte mundësi për mundësi asimetrike për të luftuar një kundërshtar të fuqishëm. Është e nevojshme një strategji dhe një model i ri operacionesh ushtarake pasi rregullat e luftës kanë ndryshuar. Aktorët dhe mjetet jo ushtarake janë të rëndësishme për të arritur objektivat politike, strategjike dhe në shumë raste ato kalojnë edhe fuqinë e përdorimit të armëve dhe efektivitetin e tyre”. Kjo në Rusi quhet “Doktrina Ushtarake Gerasimov” ose “Lufta e Gjeneratës së Re”. “Doktrina Ushtarake Gerasimov” u ‘armatos’ në momentin kur Putini urdhëroi pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duke pushtuar në të njëjtën kohë edhe rajonin lindor të Ukrainës, Donbass. “Lufta hibride është një kombinim i shkëlqyer i befasisë, paqartësisë, konfuzionit dhe mohimit të besueshëm, në atë mënyrë që mundëson ndalimin e çdo reagimi efektiv”. Në fillim të sulmit, hakerat rusë sulmuan rrjetin elektrik të Ukrainës, duke nxjerrë jashtë përdorimit tri sistemet shpëndarëse të kompanive të energjisë, duke shkaktuar kaos të madh në vend. Më pas, njerëzit e Gerasimovit ‘njerëzit e vegjël të gjelbër’ pra forcat e operacioneve speciale ruse, të pajisur me pajisjet me moderne të ushtrisë, pa uniforma dhe me maska në kokë, morën kontrollin e të gjitha pikave strategjike të Gadishullit të Krimesë. Në të njëjtën kohë, në terren u dislokuan edhe mercenarët e “Grupit Wagner”, grup i cili u shfaq për herë të parë në vitin 2014 në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Mercenarët rusë dhe serbë u përfshinë në betejën për marrjen e kontrollit të aeroportit në verën e vitit 2014.Si përfundim, sulmet ruse në territorin e Ukrainës dhe në Gadishullin e Krimesë ishin analoge me strategjinë ushtarake të Rusisë, e cila njihet si përdorimi i maskimit dhe mashtrimit taktik ose “maskirovka”. Gjatë kësaj strategjie, kombinohen mirë dizinformimi dhe mohimi i veprimit. Kësaj strategjie në të njëjtën kohë i është shtuar edhe teknologjia përçarëse, hapësira kibernetike, fushatat intensive të dizinformimit, përmbysjet politike, influencimi i zgjedhjeve nëpërmjet manipulimit të serverave, etj me qëllim që t’i mundësojë forcave konvencionale dhe jo konvencionale fitoren kundër kundërshtarit. 7. Në vitin 2015 njësitë e luftës kibernetike të Rusisë sulmuan aktivisht serverat e Parlamentit të Ukrainës, me qëllimin e vetëm që të testonin kapacitetet e tyre operacionale dhe të përgatiteshin për njërin nga operacionet e tyre më të sukseshme në histori, realizimin e sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në vitin 2016. Kjo u konfirmua edhe nga drejtuesi i operacioneve amerikane kundër shërbimeve Ruse deri në vitin 2015 Steven Hall, i cili në atë kohë deklaroi se: “Njësitë ruse të luftës kibernetike sulmuan parlamentin e Ukrainës dhe Parlamentin Gjerman, Holandez, etj duke kontribuar në dëmtimin e demokracisë dhe uljen e besimit të qytetarëve dhe të shoqërisë në atë cilën jetojnë. Nga ana tjetër, kjo i paraprihej edhe testimit se deri ku do të arrinte kundërveprimi i tyre? Ne (amerikanët) dështuam në atë kohë të kuptonim se rusët kishin aftësi të ekzekutonin një luftë hibride, e cila nënkupton realizimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me dizinformimin e publikut nëpërmjet përdorimit aktiv të mediave sociale”.8. Pas sulmit me raketa kundër ambasadës ruse nga militantët e Ushtrisë së Lirë Siriane në Damask në datën 13 tetor 2015, sulmit terrorist të datës 31 tetor 2015 në avionin e linjës ruse nga Egjipti në Saint Petërsburg ku u vranë 224 pasagjerë në bord, pas rrëzimit të avionit rus SU-24 nga një avion F-16 turk në kufi me Turqinë, etj presidenti Putin urdhëroi dislokimin e avionëve luftarakë, sistemeve të mbrojtjes kundërajrore S-400, njësive të forcave speciale dhe grupin mercenar “Wagner” në muajin tetor 2015 që të fillonin operacionet luftarake në luftën kundër ISIS-it. Në të vërtetë qëllimi i Putinit ishte kundështimi dhe ulja e fuqisë së SHBA-ve në rajon dhe më e rëndësishme përdorimi i territorit të Sirisë për dy qëllime kryesore:1. Testimi i të gjithë sistemeve të reja ushtarake të avionëve Su-35, Su-57, testimi i kapaciteteve të përdorimit të raketave detit “Caliber NK” nga nëndetëset bërthamore, testimi i sistemeve të reja kundërajrore S-400, teknika e re e artilerisë 2S19 Msta-S dhe TOS-1 220 mm, tanket e reja T-90, helikopterët Mi-35M dhe KA-52, dislokimi i forcave speciale, etj. 2. Ti tregonte botës perëndimore dhe më gjerë, se bota tashmë nuk ishte më njëpolare dhe se asnjë vendim për çështje të rëndësishme ndërkombëtare nuk mund të zgjidhej pa konsensus, bashkëpunim dhe marëveshje me Rusinë. Për këtë qëllim ata realizuan mbi 30.000 sulme nga ajri duke vrarë mbi 5000 terroristë dhe shkatërruar mbi 200 facilitete terroriste. Në të njëjtën kohë deri në fillim të vitit 2017, numri i personelit të Grupit Wagner në Siri arriti në 5500 efektivë. Pas fitores në Siri, në muajin mars 2019 Gjenerali Gerasimov deklaroi se: “Lufta Civile në Siri ishte një shembull i suksesshëm i avancimit të mbrojtjes së interesave kombëtare Ruse përtej kufijve tanë shtetërorë”. 9. Të gjitha këto sulme i paraprinë përgatitjes për sulmet që Russia do të realizonte kundër fushatës së zgjedhjeve presidenciale Amerikane në vitin 2016. Në muajin gusht të vitit 2016, ndërkohë që fushata elektorale po afrohej presidenti Obama urdhëroi të gjitha (17) agjensitë e inteligjencës amerikane që të investigonin me intensitet ndërhyrjen ruse. Pas këtij hetimi, doli se të gjitha sulmet kibernetike ishin urdhëruar drejtëpërsëdrejti nga Kremlini. Njësitë ruse të luftës kibernetike kishin penetruar makinat elektorale në më shumë se 39 shtete të Amerikës. 10. Në muajin tetor të vitit 2016 njësitë e shërbimeve sekrete ruse GRU dhe (SVR) intervenuan në mënyrë aktive duke realizuar një fushtatë dizinformacioni me qëllim që të manipulonin rezultatet zgjedhore në funksion të një partie serbe, e cila mbështeste influencën ruse dhe që ishte krejtësisht kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Megjithë investimet e mëdha dhe financimet e shumta me para kesh në mbështetje të kandidatit të opozitës e cila mbështeste Rusinë dhe Serbinë, krijimit të shumë websiteve të reja, përhapjes së informacioneve të rreme në mediat sociale, kryerjes së sulmeve kinernetike kundër qeverisë së Malit të Zi, planit për të vrarë presidentin Gjukanoviç, marrjen me forcë të qeverisë së Malit të Zi, etj përsëri zgjedhjet e fituan nga Gjukanoviçi dhe shërbimet inteligjente të Malit të Zi arrestuan 20 shtetas serbë dhe rusë, të cilët në krye të këtyre operacioneve kishin dy kolonelë të GRU-së ruse. 11. Në vitin 2017, SHBA-të e kishin të qartë se Rusia po ndiqte një strategji agresive për të dëmtuar rëndë demokracinë në SHBA dhe në vendet Perëndimore. Që nga ajo kohë, Rusia filloi aktivisht përdorimin e sulmeve kibernetike dhe fushatat e luftës informative dhe dizinformimit kundër zgjedhjeve në vende të ndryshme të BE-së. 12. Në fillim të vitit 2018, njësitë sekrete ruse realizuan një sulm të fuqishëm kibernetik ‘NotPetra’ në Ukrainë, si pasojë e të cilit fillimisht u infektuan serverat e të gjithë ministrive të qeverisë së Ukrainës, kompanitë e energjisë, sistemi i metrove, bankat, etj.13. Në vazhdim të politikës së tyre destructive, gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, ambasada e Rusisë në Shkup u përfshi aktivisht në këto zgjedhje. Diplomatët e kësaj ambasade në bashkëpunim me shumë agjentë të tjerë të shërbimeve sekrete të maskuar nën petkun e diplomatit, ndërhynë në zhvillimet politike të vendit, duke mbështetur vazhdimisht në përhapjen e propagandës anti-perëndimore, kundër NATO-s, me qëllim minimin e demokracisë dhe të proceseve demokratike në vend. Sipas “The Guardian” spiunët dhe diplomatët e shërbimeve ruse janë të përfshirë prej më shumë se një dekade në përhapjen e lajmeve të rreme dhe provokimeve për prishje qetësie në vend. Ata kanë mbështetur haptazi ish kryeministrin Gruevski, drejtues i partisë VMRO-DPMNE, i cili prej një kohë të gjatë ishte orientuar nga Moska për të mbështetur projektet e tyre politike dhe të bisnezit. Sipas raportit të BIRN-it, “Russia insiston se KM Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO DPMNE kishin fituar zgjedhjet në datën 11 dhjetor. 14. Edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ministria e Jashtme e Rusisë dhe shërbimet e saj sekrete janë të përfshira në destabilizimin e situatës, duke mbështetur ndarjen e Republikës Serbska nga Bosnja dhe bashkimin e saj për të forcuar aleatin e tyre të vetëm në Ballkan, Serbinë. Jo më shumë se para dy javëve presidenti i Republikës Serbska Milorad Dodik kërcënoi se asgjë nuk e ndalonte atë që të kërkonte bashkimin me Serbinë, madje ai deklaroi se kishte marrë mbështetje nga Putini të cilin për këtë çështje priste që ta takonte shumë shpejt. Mbështetja e presidentit të Republikës Serbska në vitin 2021, duke marrë në konsideratë investimet e realizuara nga Rusia në këtë republikë, janë shenja të qarta se Rusia e mbështet Serbinë duke krijuar kushtet për rritjen e pavarësisë së tyre në ekonominë e Serbisë, duke e bërë atë një objektiv për investimet strategjike Ruse në Ballkanin Perëndimor. 15. Sa i përket Republikës së Kosovës, Rusia ka qënë shumë aktive për të bllokuar në çdo rast anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Propaganda e mediave ruse në Ballkan ka përjetuar rritjen e publikimeve të rreme për Kosovën vitet e fundit përmes mediave dhe websiteve të ndryshme me Sputnik-un në krye. Në shumë vende përhapja e lajmeve të rreme konsiderohet si kërcënim i sigurisë kombëtare. Në vazhdimësi të objektivave të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Kosova sulmohet nga propaganda e rreme e Sputnikut në të gjitha gjuhët, me qëllim që të pasqyrohet si një shtet i dështuar në komunitetin ndërkombëtar. Një pikë tjetër me anë të së cilës Rusët e sulmojnë Kosovën, është edhe lidhja e disa qytetarëve të Kosovës me krimin e organizuar, numrin e madh të qytetarëve të Kosovës në të kaluarën si luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak. Në vazhdimësi të politikës antishqiptare, diplomacia ruse në datën 4 shtator 2019 nëpërmjet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë znj. Maria Zaharova, deklaroi se diplomacia ruse ka identifikuar si një rrezik të madh që i kërcënohet në të ardhmen e afërt Ballkanit dhe Europës nga terroristët shqiptarë. Konkretisht ajo deklaroi si shqetësim ndërkombëtar se: “Në vëmendjen tonë Kosova vazhdon të jetë një kështjellë e terrorizmit. Shqiptarët kosovarë të rekrutuar dhe të stërvitur tek ISIS-i, po kthehen në rajon nga zonat e luftës. Ata e dinë ku po kthehen. Kjo përbën një gropë të zezë, ata mendojnë se mund të ripërtërihen dhe pastaj të përdorin forcën në një rajon tjetër. Kjo çështje krijon rreziqe të dukshme sigurie në Ballkan dhe në Europë”. Alarmet antishqiptare të diplomacisë ruse për të ashtuquajturin “rrezik terrorist shqiptar” janë hiperbola të dizinformacionit klasik rus. Padyshim që kjo propagandë është e pabesueshme për dy arsye.Së pari: Rusia në datën 24 gusht 2014, pushtoi Ukrainën duke shkaktuar mbi 4500 të vrarë, duke vazhduar edhe sot ta kërcënojë se do ta pushtojë.Së dyti: Rusia është një nga shtetet që renditet në vendet e para sa i përket “kontributit” në furnizimin me mbi 6000 luftëtarë të huaj xhihadistë të cilët kanë luftuar për/me ISIS-in dhe JN-in. Të mos harrojmë që ministrat e mbrojtjes së ISIS-it kanë qënë shtetasit Tarkhan Tayumurazovich Batirashvili, ose ndryshe a.k.a. Omar al-Shishani, “Omar Çeçeni” dhe pas vdekjes së tij Gulmurod Salimovich Khalimov, komandant ushtarak Islamik Taxhik, ish kolonel dhe komandant i Forcave Speciale të policisë në MPB të Taxhikistanit deri në vitin 2015 kur iu bashkua ISIS-it. Së fundi, është evidente se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë zhvilluar politika dhe veprime efiçente, të cilat kanë si qëllim që të parandalojnë influencën e Rusisë dhe veprimet destruktive që ajo paraqet përpara këtyre vendeve dhe Republikës së Kosovës. Vitet e fundit Bosnia Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë përballur me aktivitete të shumta të propagandës ruse dhe të lajmeve të rreme nga autlete dhe media që pronarë dhe financuesit e tyre i kanë nga Rusia, të cilat shpërndajnë emisionet dhe lajmet e tyre në gjuhën serbe si psh Sputnik dhe Russia Today (RT). Mediat ruse të cilat i prodhojnë materialet e tyre në gjuhën serbe si psh: R Magazin, Nova Srpska, Politicka Misao, Radio dhe TV Sputnik, kanë si target komunitetin serb i cili jeton në komunat serbe në veri të Kovovës. Përmes këtyre mediave, ata shpëndajnë lajme të rreme duke kontribuar në rritjen e frikës së këtyre banorëve. Qeveria e Albin Kurtit në të ardhmen duhet që të jetë më e vëmendshme sa i përket kontrollit të lajmeve dhe kundërshtimit të këtyre narativave antiperëndimore.D.D. Michigan. Dhjetor 2021.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

RIVALITETI MIDIS IRANIT, SHBA-VE DHE TALEBANËVE NË AFGANISTAN

October 26, 2021 by s p

* Dritan Demiraj, Ph.D. Ish ministër i brendshëm dhe autor i librave: “Al-Qaeda Tri Dekada Terror” (2020), “10 Komandat Strategjike të Al-Qaedës në Botë”, “Al-Qaeda në Afganistan-Pakistan” (2021), “Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike” (2021), “Afganistani-Një Paqe e Vështirë” (2014), “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik” (2017), “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik” (2015), “Al-Qaeda në Siri” (2019), “Al-Qaeda në Irak” (2019).

Ndërkohë që Kabuli ra krejtësisht nën kontrollin e Talebanëve, presidenti i vendit Ashraf Ghani u largua në Taxhikistan së bashku me zv/presidentin Amrullah Saleh dhe 30 milionë dollarë kesh, kaosi ka mbërthyer gjithë vendit, një krizë e madhe ekonomike, sigurie dhe refugjatësh duket se sapo ka filluar dhe zgjidhja duket e pamundur. Por si erdhëm në këtë situatë, kush është i interesuar për këtë situatë dhe cilat janë interesat dhe konseguencat e vendeve fqinje me Afganistanin? Qeveria afgane e përkrahur nga SHBA-të, ka qenë në pushtet në Afganistan prej pushtimit amerikan në dimrin e vitit 2001. Që nga ajo kohë, Talebanët kanë fituar kontroll të madh në disa pjesë të vendit dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-ve dhe Talebanëve në Doha në muajin shkurt 2020, të gjitha forcat e huaja duhet të largoheshin nga Afganistani deri në fund të muajit maj të vitit 2021, në këmbim të garancisë për siguri nga ana e grupit të Talebanëve. Këto negociata u urdhëruan nga ish Presidenti amerikan Donald J. Trump, i cili që në mesin e vitit 2020 kishte kërkuar që të përshpejtohej procesi i tërheqjes së trupave amerikane, duke deklaruar se dëshironte që ata të ktheheshin në shtëpi për festat e Krishtlindjeve.Ky konflikt në Afganistan gjatë dy dekadave ka krijuar rivalitet në marëdhëniet midis SHBA-ve dhe Iranit, Pakistanit, Indisë dhe Kinës. Armiqësia e Iranit ndaj SHBA-ve ka shërbyer si një katalizator për Iranin për të bërë një lojë të dyfishtë në Afganistan. Irani fillimisht mbështeti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve kundër Talebanëve dhe luaji një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë së parë të Afganistanit, por njëkohësisht më pas në mënyrë të fshehtë vazhdoi mbështetjen e Talebanëve afganë gjatë viteve pasuese kundër misionit të ISAF-it. Irani ndodhet në perëndim të Afganistanit, ndan me të 901 km vijë kufitare dhe ka lidhje të rëndësishme fetare, kulturore me popullin e tij. Pas rënies së regjimit të Talebanëve, qeveria e Afganistanit e ka cilësuar Iranin si: “Vëllezër dhe partnerë që na kanë ndihmuar shumë”. Të dyja vendet kanë njohur rritje të bashkëpunimit ekonomik nga fundi i vitit 2001, duke e bërë Iranin eksportuesin e dytë më të madh në vend pas Pakistanit. Por marëveshjet bilaterale për sigurinë midis Afganistanit dhe SHBA-ve janë kundërshtuar me forcë nga Irani, pasi prania e trupave amerikane dhe të NATO-s në “oborrin” e tyre konsiderohej e papranueshme. Në mënyrë të vazhdueshme Irani ka bërë thirrje për largimin e amerikanëve nga Afganistani.Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, e cila rrëzoi një regjim 26 vjeçar të Pahlavit shënoi përfundimin edhe marëveshja e CENTO-s, duke filluar një konflikt të gjatë midis Iranit dhe SHBA-ve, i cili vazhdon edhe sot në mesin e vitit 2021. Të dyja vendet vazhdimisht akuzojnë njëra tjetrën si eksportues të terrorizmit, ndërkohë që SHBA-të e quajnë Iranin si “Boshti i së keqes”, Irani e quan SHBA-në “Shejtani i Madh”. Revolucioni Islamik qetësoi marëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Sovjetik, megjithëse pushtimi i Afganistanit në vitin 1979 nga ana e Bashkimit Sovjetik shikohej si një kërcënim për Iranin. Gjatë këtij konflikti, Irani nuk ishte shumë aktiv në lidhje me mbështetjen e muxhahedinëve nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe Pakistani. Kjo për shkak edhe të përplasjeve si pasojë e pushtimit të Iranit nga Iraku gjatë konfliktit 1980-1988 dhe mbështetjes së SHBA-ve për Sadam Hysein-in. Pas tërheqjes së Sovjetikëve nga Afganistani në vitin 1989, Irani filloi të angazhohej më shumë në rajon, duke vazhduar të mbështesë me mjete financiare dhe armatime aleatët e saj të Aleancës së Veriut, të cilët kishin lidhje fetare dhe të vjetra me Iranin, duke i mbështetur fuqishëm nga vitet 1992-2001 nëpërmjet njësive të forcave speciale al-Quds nën drejtimin e gjeneralbrigade Qasim Sulejmanit. Irani e zgjeroi përfshirjen dhe mbështetjen e komunitetit Shia Hazara në Afganistan dhe të grupeve muxhahedine që përfaqësonin ata. Kur në vitin 1994 u shpall lëvizja e Talebanëve dhe shumica e vendit ra nën kontrollin e tyre, atëherë Irani filloi mbështetjen e Aleancës së Veriut që drejtohej nga gjenerali i famshën Afgan me origjinë nga Taxhikistani Ahmad Shah Masoud. Kjo do të përbënte, bërthamën më të fortë të rezistencës anti-talebane nga viti 2006-2001. Pakistani me ndihmën e parave të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në krijimin e Talebanëve Afganë, duke bërë që të tre këto vende të sfidonin influencën Shia të Iranit në Azinë juglindore. Në kohën kur Talebanët vranë tetë diplomatë dhe një gazetar iranian në qytetin verior të Mazar-e-Sharif-it në vitin 1998, ushtria e Iranit dislokoi rreth 120.000 trupa në kufirin me Heratin, e gatshme për një pushtim të Afganistanit. Irani e përshëndeti pushtimin e Afganistanit nga SHBA-të, pasi ky pushtim ndryshoi balancën e fuqisë në interes të Iranit. Pas rrëzimit të regjimit të Talebanëve, Irani-India-Rusia filluan të bashkëpunojnë me qëllim krijimin e një qeverie të re në Afganistan. Influenca e Iranit tek Aleanca e Veriut ishte shumë e rëndësishme për krijimin e qeverisë së Hamid Karzait. Presioni diplomatik i Iranit gjatë bisedimeve të paqes për krijimin e qeverisë i zhvilluar në Bonn të Gjermanisë, bëri që të arrihej një marëveshje për ndarjen e pushtetit në Afganistan. Qeveria e re i ofroi shumë pozicione ministrash Aleancës së Veriut dhe me këtë rast duke rritur influencën e Iranit në të ardhmen e Afganistanit. Për të forcuar ndikimin e tij, Irani përdori fuqinë e butë me qëllim ruajtjen e influencës në Afganistan, duke kundërshtuar në mënyrë të fshehtë SHBA-të dhe Talebanët gjatë gjithë kohës. Një nga mjetet e vazhdueshme që Irani ka përdorur në Afganistan, ka qënë fuqia e butë nëpërmjet përdorimit të mediave, duke harxhuar rreth 100 milionë dollarë në projekte civile, media sociale dhe ndërtimin e shkollave Shia. Në vitin 2002, Irani premtoi 570 milionë dollarë dhe rreth 100 milionë dollarë të tjera në vitin 2006 për procesin e rindërtimit të Afganistanit, shumica e të cilave u bënë realitet. Në vitin 2008, ata premtuan edhe 50 milionë dollarë të tjera dhe 300 milionë dollarë kredi për tre vitet e ardhshme (2009-2011). Gjatë viteve 2012-2013, sasia e tregtisë midis dy vendeve i kalonte 2 miliardë dollarët, duke e pozicionuar Iranin në rreth 35-40 për qind të sasisë së përgjithshme të tregtisë që Afganistani realizonte me vendet e tjera. Si Irani dhe SHBA-të ndajnë disa qëndrime të njëjta rreth Afganistanit. Të dy vendet dëshirojnë një qeveri të qëndrueshme me qëllim që të parandalojë kthimin e qeverisë së Talebanëve dhe të al-Qaedës në pushtet. Me marëveshjen e fundit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, me sa duket kjo qasje do të ndryshojë. Marëdhëniet e tyre u përkeqësuan shumë kur presidenti Bush iu referua Iranit në vitin 2002 si “Boshti i së keqes” dhe në vitin 2003 kur u zbulua se Irani po ndërtonte fabrika për energji nukleare dhe përdorim ushtarak. Më pas, rivaliteti midis këtyre dy shteteve e vështirësoi shumë marëdhënien nga njëra anë me një shtet që ishte kundër Talebanëve dhe nga ana tjetër e një fqinji të rëndësishëm. Në kohën kur qeveria e Afganistanit firmosi një marëveshje strategjike me SHBA-të në vitin 2005, Irani kërkoi nga qeveria e Afganistanit që të firmosnin një marëveshje që SHBA-të nuk do të përdornin territorin e tyre për të realizuan operacione ushtarake kundër Iranit. Por SHBA-të i ushtruan presion Afganistanit që të mos e firmosnin një marëveshje të tillë. Në vitin 2012, Departamenti Amerikan i Thesarit i kërkoi me forcë sistemit bankar të Afganistanit dhe organizatave të biznesit që të mos bënin biznes me Iranin, pasi do të bëheshin objekt i sanksioneve të SHBA-ve. Megjithatë, Afganistani refuzoi që të ndalonte biznesin me Iranin. Një nga ngjarjet më të rëndësishme sa i përket marëdhënieve midis Iranit dhe Talebanëve është vizita e delegacionit të Talebanëve, me kërkesë së qeverisë së Iranit në Teheran në muajin qershor 2013. Pas këtij takimi, disa takime të tjera u realizuan përsëri me Iranin. Qëllimi i këtyre takimeve ishte normalizimi i marëdhënieve midis Talebanëve dhe Iranit. Gjatë këtyre takimeve, Teherani kishte shfaqur shqetësimin e tij rreth popullsisë Hazara në Afganistan, ndërkohë që Talebanët i kërkuan Iranit që të mos mbështesnin më kundërshtarët e tyre pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT