Tabloja e botës duhet parë nga pikëpamja e vlerave reale dhe jo nga pikëpamja e objektivitetit. / -Rreth librin “Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën” të Hajdar Muneka/ Nga Violeta MIRAKAJ/
Në fillim të këtij viti, në Janar 2021 m’u dhurua nga autori dhe familja e tij libri “Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën”, një libër me histori, kujtime, analiza dhe refleksione të një ambasadori. Ashtu si bën vlerësimin M.Bello- Ish ministër i Integrimit Europian, ky libër nuk është thjesht një libër që bazohet në kujtimet e diplomatit dhe gazetarit Muneka, as dhe një kronikë e ngjarjeve dramatike që përfshijnë marrëdhëniet midis dy vendeve dikur miq të ngushtë. Është shumë më tepër se kaq, është përpjekja serioze e studiusit dhe sinologut Hajdar Muneka për të zbërthyer dhe shpjeguar shkaqet dhe arësyet përse u zbehën dhe thuajse u shuan lidhjet e forta dhe miqësia e konsoliduar midis dy shteteve dhe udhëheqjeve të tyre, në dëm të interesave të vetë popujve që dikur e konsideronin njeri – tjetrin miq të ngushtë e madje vëllezër. Në të gjithë materialin e servirur nga Muneka gjejmë një analizë – sintezë të marrëdhënieve shqiptaro- kineze që nga lindja e tyre, ndërthurur me eksperiencën 45 vjeçare të autorit, si student e diplomat në atë vend. Autori është njohës i çështjeve të Azisë, në përgjithësi, dhe i atyre të Kinës, në veçanti. Gjatë karierës së tij diplomatike ka qenë edhe anëtar i grupit të ambasadorëve kinezfolës. Aktualisht është pjesë e grupit think- tank të nismës kineze “Brezi dhe Rruga”dhe asaj “17+ 1”. Në kuadrin e këtyre nismave, ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare, të organizuara në Kinë e jashtë saj. Vetë parathënia, është një enciklopedi më vete për historikun e Kinës. Kina e kulturës dhe civilizimit 5-mijë vjeçar, por edhe vendi që falë rritjes së shpejtë ekonomike dhe stabilitetit politik ka ridimensionuar influencën dhe fuqinë ushtarake në planet, përbën një sfidë të vërtet për cilindo. Struktura e librit e konceptuar nga autori në tri pjesë duke gërshetuar histori, kujtime dhe refleksionet për situatat, të bën ta lexosh me ëndje njëkohësisht të bën të ndalesh. Ky libër të mëson në shumë dimensione për popullin kinez, njerëzit që e kanë drejtuar, por më shumë se aq të mëson diçka për qeverinë individuale shqiptare. Ja si shprehet – Në rastin e “marrëdhënieve” të Shqipërisë e Kinës nuk kanë një precedent tjetër në historinë e botës. Për 30 vjet Shqipëria i ka siguruar Kinës një pikë hyrjeje në Europë, një pikë referimi për lidhjet me vendet e tjera në rajon me liderët në kontinent. Nisur nga perspektiva e Pekinit, pasuria kryesore e Shqipërisë ishte vendodhja e saj strategjike në Evropën Juglindore.. Të dy palët i dhanë njeri- tjetrit çfarë kishin më të mirë dhe morën çfarë u duhej më shumë. Frika dhe dyzimi i njeriut në këto dy shtete tregon qartë se kemi të bëjmë me shtete mjeranë. Në këto shtete totalitare ka dhunë dhe ajo shkatarron njeriun e thjeshtë. Si Shqipëria dhe Kina në ato vite dallonin në shumë gjëra, por kishin diçka të përbashkët: Të dyja këmbëngulnin të ruanin me fanatizëm pushtetin e Partisë Komuniste. Pavarësisht kësaj shprehet autori, ashtu siç thotë ambasadori Ye Hao, ndarja ishte e pashmangshme. Ku secili u pozicionua në llogoren e filozofisë së vet, kinezët në atë të heshtjes e shqiptarët në atë të sulmit. Duke pranuar e mos gjykuar apologjinë që të jep heshtja, konkludon Z. Muneka- mendoj se ka qenë pikërisht kokëfortësia ajo që i bën shqiptarët të merrnin mbi supe diçka që nuk meritonin, barrën e mosmirënjohjes. Në pjesën e parë në mënyrë metaforike autori përshkruan ngjarjet dhe personazhet nëpërmjet katër stinëve; Pranvera, Vera, Vjeshta dhe Dimri. Filmi i arkivës së kujtesës, shpaloset jo vetëm thjesht ngjarjet si Shqipëria është ndër vendet e para që e ka njohur formalisht qeverinë e RP të Kinës. Ndihma shqiptare për Kinën qe përqendruar në tri fusha kryesore: bashkimi i forcave në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, përkrahja për Revolucionin Kulturor dhe ndihma për kthimin e Kinës në OKB. Ka bërë shumë përshtypje si- Miqësia e një vendi aq të vogël sa është Shqipëria, me një ndarje oqeanesh dhe kontinentesh, me kultura shumë të ndryshme në momente të veçanta historike, rrjedhshëm vijnë episodet sa në fushën e politikës të bashkëpunimit dhe të vëllazërimit të dy popujve…. “Lejoheshin të shfaqeshin të gjitha filmat shqiptarë, pa asnjë përjashtim, për to nuk kishte asnjë lloj censure, pasi ata që merreshin me atë punë e dinin se i kishin kaluar të gjitha filtrat ideologjike shqiptare me kërkesa shpesh herë edhe më të larta se ato kineze…. ngjarja më e madhe ishte kur, pas mbledhjes së edukimit, shfaqej edhe ndonjë film”. Elementet biografikë si jeta studentore e tij, tablo reale, ku mbartin në vetvete një tis humori dhe qendrim kritik të rrëfyesit, e sjellë me detaje ndihmon në veçanti lexuesin e ri, brezat e rinj të pas ’90-tës. Marrëdhënia me Kinën solli me dhjetëra e qindra objekte të mesme e të mëdha industriale si dhe ndihma të tjera materiale. Por mbi të gjitha, garantoi sigurinë dhe qetësinë e dy brezave shqiptarësh. Pas më shumë se dy dhjetë vjeçarësh, Shqipëria kishte industrinë e saj të lehtë dhe të rëndë, kishte gjithashtu dhe një plejadë të tërë inxhinjierësh e specialistesh si dhe shkolla, institute e laboratorë të nivelit bashkëkohorë. Hajdar Muneka , shpalosi si ambasador, si intelektual, si eseist me ndjesi të forta dhe reagon për fenomenin, ngjarjet dhe procesin e zhvillimit. Ja si shprehet – “Dallimi midis dy bashkudhëtarëve është thelbësor. Vëllai i madh (Kina) vendosi që historinë e marrëdhënieve të ngushta ta fuste në arkivin e kujtesës, si një vegim që duhet të ndodhte dhe aq. Vëllai i vogël (Shqipëria) shtoi dhe një armik të ri në listën e kundërshtarëve të tij politikë, të cilët nuk ishin dosido, por tre më të fuqishmit e botës.” Dihet qe miqësia shqiptaro- kineze, lidhjet e ndërsjellta në të gjitha aspektet, si pa u kuptuar në vitet që pasuan u zbeh duke arritur në harrim, e cila ashtu si shprehet Z. Muneka- “Në sajë të politikës së qeverisë shqiptare, Shqipëria ishte lënë të rrëshqiste në rënie të lirë, në rrugën që ajo vetë kishte zgjedhur” Ky libër nuk është thjesht dëshmi, por dhe refleksion e sqarime me saktësime për kontekste, që kanë lindur një vepër që sjell informacion që mund të kthehet në fakt për studjuesit, u vjen në ndihmë lexuesve të grupmoshave të ndryshme, për të kuptuar më mirë periudhën e marrëdhënieve shqiptaro- kineze, si një histori plot dritëhije. Rruga e zhvillimit ka provuar se marksizmi dhe maocedunideja ishin filozofi që dallonin nga njera tjetra, as marksizmi nuk mund ta drejtonte Kinën në ambiciet e saj për të hyrë në shek XXI si një konkurrente e denjë me fuqitë më të zhvilluara botërore. Njëlloj si Konfuci nuk merr dot shtetësi europiane dhe as filozofia e tij nuk mund të zbatohet në Europë. Ndërsa Shqipëria e E. Hoxhës, në vend që ta pranonte Kinën ashtu siç ishte , ngulte këmbë në unifikim idesh, mendimesh e veprimesh deri në përsosmëri…..konkludon autori. Ndryshe nga qeveria Hoxha, kinezët nuk i vunë kazmën tempujve e veprave të kultit. Ata festonin gjithë festat fetare, frekuentonin objektet e kultit, sepse besimi fetar në atë vend ishte thellë ishte i thellë, i shenjtë……shumica besonin jo vetëm te një zot por tek shumë zotër, siç e predikonte feja e tyre. Autori vazhdon – Këtë shqiptarët e thjeshtë nuk e dinin… Duke lexuar këtë libër mëson se gjatë studimit të historisë, kulturës e traditave kineze – “Kina ashtu siç ka emrin, Perandoria e Mesit, ose mesi i Botës, është një botë krejt ndryshe. Një botë me pluset dhe minuset e saj. Por të gjithë ata që jetojnë jashtë asaj bote, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë fshihen brenda saj, për më tepër të kuptojnë si duhet se çfarë ka ndodhur aty 5 mijë vjetet e fundit si dikur, kur edhe vetë kinezët që jetonin jashtë Qytetit të Ndaluar; nuk e dinin se çfarë ndodhte brenda tij. Kinezët e respektojnë dhe krenohen , madje janë shumë të lidhur me të kaluarën e tyre. Ata besojnë se pavarësisht sistemit ekonomik, politik e shoqëror jeta ndërtohet e zhvillohet me parime filozofike pak a shumë të njejta. Mburren me Konfucin ( filozof i madh kinez i epokës së antikitetit) ku sipas tij “Themeli moral i rendit shoqëror duhet mbi bazën e virtyteve njerëzore” Ashtu si u shpreha dhe më lart vetë përmbajtja e librit , gërshetimi i historisë me kujtimet dhe analizat e në veçanti refleksionet e një ambasadori mbart në vetvete mesazhe, dhe filozofinë e një jete që gjithkujt do të kishte dëshirë ta njihte. Kinezët të presin sipas titullit e të përcjellin sipas vlerës...Autori e mbyll me krenarin e ligjshme- “Nuk harron të na kujtojë në çdo përvjetor, të na ftojë në çdo festë a veprimtari e të na nderojë me të njejtin protokoll, si dikur. Pasi për të ne jemi po ata e po ata do të mbetemi përgjithmonë.”
Violeta Mirakaj
New York , Maj 2021