• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si u bëra mik me dy presidentët amerikanë të familjes Bush

December 4, 2020 by dgreca

Rrëfen shqiptaro-amerikani Rifat Tahir Prençi, ish i dënuar politik/

Si më ndihmuan dhe u bëra mik me dy presidentët amerikanë të familjes Bush, at e bir…/

 Nga Dukagjin HATA /

Shqiptaro-amerikani Rifat Prençi endet mes Shqipërisë dhe SHBA dhe tani në moshën 83 vjeçare, kur kujtesa e të kaluarës tek ai po bëhet më aktive se kurrë, ndjek gjurmët e të ndodhurave të jetës së tij, përgjatë një kalvari të pashembullt në rrugën e Golgotës. Në këtë rrugë vuajtje e privimi unik, me 23 vjet burg politik dhe me gjithë barrën e “mëkatave” të pa kryera mbi shpinë, jeta e tij ka pasur vetëm pak vezullime lumturie e kjo ka ndodhur vetëm pas hapjes së Shqipërisë me botën, kur mund të themi se ndriti dhe ylli i fatit të tij. Njohjen me familjen e shquar të Bushëve, me Bushin e Vjetër dhe të Riun, dy presidentët e shquar të SHBA-ve, Rifati e konsideron si kryefatin e jetës së tij, mbushur me plagë e dhimbje. 

Pas disa dekadave, hapja e Shqipërisë mundësoi që për Rifat Prençin të intersoheshin njerëz me ndikim të fuqishëm politik në Amerikë dhe konkretisht George H. W Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në kohën kur i ati, Tahir Prençi, stërvitej në kompaninë 4000, e kishte njohur nga afër, pasi ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të tij, si ish shef i CIA-s. 

-Kush është Rifat Prençi?

-Jam me origjinë nga Dibra, i biri i Tahir Prençit, radistit të famshëm, stërvitur nga CIA amerikanë në kompaninë 4000, në Mynyh të Gjermanisë, ardhur si desantë në Shqipëri në mesin e viteve ’50 dhe kapur me dredhi nga Sigurimi i shtetit, ekzekutuar në mënyrë barbare nga klika e Diktaturës. Jeta ime ka rrjedhë në hullinj të trazuar, për shkak të tim eti, që konsiderohej “armik” nga Diktatura dhe mbi mua, si i biri i tij, ra me egërësi tehu i përgjakur i shpatës së një regjimi të egër e diabolik, që e kishte ndërtuar jetëgjatësinë e pushtetit të vet mbi vuajtjet dhe privimet e atyre që i quante “klasa të përmbysura”. Im atë nuk kishte bërë asnjë krim, përveçse nuk e donte komunizmin dhe për ta përmbysur këtë klikë gjakatare, që kishte ardhur nga stepat ruse, si pushtuese nga brenda e nga jashtë vendit, bashkëpunoi me aleatët historikë më të mëdhenj të popullit shqiptar, aleatët amerikanë. 

Në kompaninë stërvitore 4000, në Mynyh të Gjermanisë, im atë dhe bashkëqëndrestarët antikomunistë shqiptarë, që përgatiteshin për të rrëzuar qeverinë komuniste të Tiranës, instruktoheshin drejtpërdrejt nga CIA. Babai im kishte lidhje të drejtpërdrejta dhe për më tepër kishte miqësi personale me ish shefin e CIA-s së atyre viteve, George H. W Bush, pra me Xhorxh Bushin e Vjetër.

Por, në kohën që ndodhnin këto, unë isha fëmijë dhe nuk e ndieja ende me gjithë egërsinë dhe brutalitetin e vet, peshën dërrmuese të luftës së klasave, që do të më rëndonte për rreth tre dekada si një makth…  

Arrita të rregjistrohem “inkonjito” në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, kam pasur pasion shkencat matematike dhe inxhinierike, pasi edhe në shkollë të mesme, të cilën gjithashtu arrita ta marrë pa dhënë gjeneralitetet e sakta të përkatësisë nga ana e babait, dola me rezultate të shkëlqyera. Duke u ulur në auditoret e Universitetit, mendova se po më hapej një mundësi për t’i ikur rrethit të fatit të trishtë, që më ndiqte si një mallkim për shkak të qëndresës antikomuniste të babait, por në mes të studimeve, kur e zbuluan se i biri i kujt isha, jo vetëm më përjashtuan në mënyrën më flagrante të mundshme nga Universiteti, por më tej do të nisnin ndaj meje sprovat e kalvarit të burgjeve politike, burgjeve ferr të një regjimi burg. Me prova të sajuara e të montuara keq, pa asnjë hetim rreth fajësisë sime, e cila ishte sureale, më përplasën në dhomat e izlomit, në hetuesitë e një kohe të pa kohë, ku iu nënshtrova torturave nga më të egrat e sadiste, që do t’ua kishin zili dhe inkuiziotorët më fanatikë të Mesjetës.

-Ç’do të thotë të jeshë në moshën më të bukur të jetës dhe befas…të të ndahet koha në mes, falë një fataliteti?…

-Është një makth, që duket sikur të kafshon përbrenda si një përbindësh i fshehtë, cinik dhe agresiv. Gjithçka që kisha thurur në mendje dhe shpirt si një ëndërr për jetën rinore qe zhbërë brenda një çasti dhe pati nisur koha e privimeve të skajshme nga gjithçka. Sot është e lehtë të flasësh, por kur e ke vuajtur në lëkurë, sa herë që i rikthehesh, qoftë dhe shkarazi asaj kohe, atyre gjurmëve prej dhimbjeje, ndihesh keq dhe nuk dëshirë të vazhdosh të tregosh…Rrëfimi nuk të çliron, siç thonë, por duhet rrëfyer, duhen treguar krimet e përbindëshme të Diktaturës, që brezat të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në atë epokë gjakatare, që e keqja të mos përsëritet më kurrë.       

-Çfarë ndodhi me ju pas hapjes së Shqipërisë, si përfunduat në Amerikë?

-Hapja e Shqipërisë erdhi si një ogur shprese për shtresën e përndjekjes politike, por shumë shpejt ish të dënuarit politikë do të ndesheshin me vështirësi e pengesa të shumta për t’u integruar në shoqërinë shqiptare. Vujatja e tejaskajshme dhe privimi i gjatë nga të drejtat dhe liritë themelore njerëzore na kishte lënë prapa dhe do të duhej shumë kohë që fëmijët tanë të shkolloheshin e të kapnin kohën e humbur. Nga ana ekonomike ishim të dërrmuar dhe të pashpresë. Gjithë zhurmënaja e integrimit dhe dëmshpërblimit të vuajtjeve tona në burgjet ferr të komunizmit rezultoi një retorikë boshe dhe propogandë elektorale e partive, që zëvëndësonin njëra tjetrën gjatë rrotacionit politik. 

Por le të kthehemi tek pyetja juaj. Për fat të mirë, për mua si person u interesua një njeri shumë i fuqishëm, një lider me përmasa botërore, falë të cilit shkova në vendin e bekuar të lirisë dhe të drejtave qytetare, në simbolin e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjeta vetveten, atë që s’e kisha gjetur në vendin tim…Ai ishte ish Presidenti amerikan George H. Ë Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 1989 deri më 1993, në një periudhë të rëndësishme të shekullit të 20-të, ku ishte dëshmitar dhe protagonist në rënien e Perdes së Hekurt dhe mitit ideologjik të Bashkimit Sovjetik. Xhorxh Bushi i Vjetër, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, më kërkoi dhe përgatiti gjithçka që unë të shkoja në SHBA, ku do të niste për mua dhe familjen time një jetë tjetër. 

-Më pas u lidhët dhe me presidentin tjetër, Xhorxh Ë. Bush, Bushin e Ri, çfarë të ka bërë përshtypje tek ai dhe tek plaku, tek at e bir dhe familja Bush?

– Vajtja në Amerikë hapi për mua një faqe të re të jetës sime, e cila deri atëhere kishte qenë gri, për të mos thënë e zezë. Bushët u intersuan për mua, sikur të isha pjesë e familjes së tyre. Kam hyrje dalje familjare me familjen e shquar Bush, me te cilën ruaj lidhje dhe kontakte të vazhueshme dhe ju kam qenë për vizitë në raste gëzimesh e hidhërimesh, në ditë festash e ngjarjesh përkujtimore, të cilat ata i ndjekin në mënyrë rigoroze. Kam qenë në shtëpinë e Xhorxh  Bushit të Ri kur i vdiq e ëma dhe tani së fundi kur ndërroi jetë i ati, që ishte një lider karizamtik, me një madhështi rrëzëllitëse të përmasave botërore. Më kanë pritur me ngrohtësi e dashuri dhe gjithmonë më kanë pyetur se çfarë mund të bënin për mua dhe familjen time. Të dy, baba e bir, kanë qenë për mua një derë e hapur, edhe pse unë falë shtetit amerikan, për ndërtimin e së cilit ata kanë një peshë dhe kontribut të konsiderueshëm, m’i ka plotësuar të gjitha nevojat dhe kushtet. 

Xhorxh W Bush (mua më pëlqen ta quaj Bushi i Ri) është njeri me shumë humor, të dëgjon me vëmendje dhe bëhet pjesë e kujtesës dhe emocioneve të tua, pjesë shqetësimeve të tua, në mënyrë krejt të natyrshme. Nuk është fare formal dhe protokollar, është mjaft i ngrohtë në komunikim, i çiltër dhe veprues, me të ndihesh mirë dhe mjaft komod.   

Jam tepër falenderues për çfarë kanë bërë për mua, duke më dhënë një mundësi të madhe që, pas asaj traume të rëndë që kam përjetuar në ferrin komunist, të shijojë Edenin e lirisë dhe vlerave njerëzore në tokën e bekuar amerikane. 

Filed Under: Histori Tagged With: Dukagjin Hata, Dy presidentet Bush, Rifat Tahir Prençi

Brenda çdo gruaje fle një poete…

November 23, 2020 by dgreca

Intervistë me poeten Neviana Shehi/

Brenda çdo gruaje fle një poete, që pret orën e saj për t’u “zgjuar”… 

Takimi me poezinë e Neviana Shehit nuk është një takim i zakonshëm, pasi edhe mjetet dhe tekonolgjia e saj poetike nuk janë të zakonshme. Neviana është poete e imazhit, e figurës së gjallë dhe të freskët, e depërtimit në thellësi të vetvetes dhe në raportet ndërpersonale, ku gjen dhe sendërton trajtat dhe gjendjet, formën dhe përmbajtjen e poezive të saj. 

Poezia e saj dallohet për sinqeritetin, ngrohtësinë, thellësinë e ndjenjës dhe sofistikimin e mendimit poetik. Dallohet për elegnacën e fjalës dhe befjen e imazhit, gjetjet e holla dhe finesën e përcjelljes së mesazheve tek lexuesi. Në këtë poezi ka ritme jete, vrullim ndjenjash, vlim pasioni, por mbi të gjitha ka kërkim harmonie e bukurie, tek të cilat me sa duket beson poetja dhe tenton t’i gjejë dhe t’i artikuloj në çdo varg e strofë, në çdo poezi. 

Poezia e saj thuret e shthuret në alkiminë e një pasioni të qëndrueshëm, që herë herë endet në kurba të epërme dhe ritmet me të cilat na fton poetja të ecim në rrugëtimin jetësor nuk janë ato të së rëndomtës, të së zakonshmes e të së përditshmes, pasi lënda e parë me të cilën ajo gatuan “bukën poetike” janë rezistenca ndaj të keqes, ndaj manipulimit, janë flirti, joshja dhe emocioni, të cilat përcjellin gjendje të dridhshme, të etshme, kërkuese, klithëse e trallisëse të unit. 

Në këtë intervistë, ajo rrëfën me zemër në dorë “sekretet” e poezisë që shkruan, shtysat dhe motivimet e brendshme, rruëgtimin jetësor, pjesë e të cilit është dhe rrugëtimi i saj në fushën e poezisë…  

-Çfarë është poezia për Ju?

-Është aq i gjërë dhe njëherësh specifik një përcaktim i mundshëm rreth termit poezi. Poezia për mua është një akt dashurie e poetit për jetën, për veten dhe ata që e rrethojnë, për vetminë, iluzuionin, ëndrrën, është një depërtim në të panjohurën, që banon në thellësitë e shpirtit dhe të pavetëdijes. Poeti dallohet nga njerëzit e tjerë, njerëzit e zakonshëm që ka pranë, pasi me anë të shkrimit estetik, konkretisht poezive, e kthen në energji pozitive gjithçka, gjendjen, kujtesën, emocionin, dhimbjen, vuajtjen, dështimin dhe duke bërë këtë, ai çlirohet nga pengesat brenda vetes dhe ecën me hap më të sigurtë përpara. Thënë ndryshe, poezia është një lloj kat’harsisi shpirtëror, një lloj “liturgjie”, që pastron shpirtin dhe e bën më të pastër qenien humane. 

-Kush është Neviana Shehi? Diçka rreth jetës suaj dhe fillimeve letrare…

Kam lindur në qytetin e Durrësit, në një familje arsimdashese…

Deti, aroma e jodit, stërkalat e valëve dhe loja e dritëhijeve, që përthyhen në këtë bregdet magjik, do të ishin substrakti i një kujtese që me kohë do të përcillej nga unë si ndjesi malli e pritjeje, me anë të poezive që do të pasonin njëra tjetrën. Edhe sot këto imazhe janë aq të afërta e të prekshme, sa më duket se me anë të vargjeve dhe strofave i rrok dhe i rikthej në  kohë, tashme si metafora dhe simbolika në ikje. 

Shkollimin e mesëm e kreva në vendlindje Durrës, në gjimnazin me shumë tradita “Naim Frashëri”. Ambienti letrar i këtij gjimnazi dhe puna e mirë e mësuesit të letërsisë me nxënësit me prirje, më nxitën pasionin dhe talentin në fushën e poezisë. Të kësaj periudhe janë disa cikle poetike, të cilat për vetë kushtet e kohës, nuk munden te shikonin dritën e botimit. 

Megjithatë, kjo shkollë u bē stacioni i parë dhe i rëndësishëm i kontaktit tim me emrat e mëdhenj te letrave shqipe dhe botërore. Leximet e shumta të romaneve, novelave, tregimeve, si dhe leximet kolektive të veprave letrare në familje, ndikuan në rritjen time kulturore dhe të dashurisë së ndërsjellte midis meje dhe librit, zgjeruan diapazonin tim krijues dhe liritë e fantazisë. 

-Ikja nga Shqipëria, kontaktet me poezinë dhe kulturën perëndimore,  duket i dhanë një implus të ri talentit tuaj poetik…Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë?

-Ikja nga atdheu, si shumë të tjerë, në kërkim të një jete tjetër, më krijoi mundësi të reja në të gjitha drejtimet. Së pari, bëri që të vendosja kontakte me kulturën letrare italiane dhe gjermane, solli rifomatime të ndjeshme brenda meje, duke bërë që ta vështroja gjithçka nën një optikë të re, sociale, etike e, sigurisht, edhe estetike. Pra, m’u zgjerua vizioni i lirisë dhe ana konceptuale e poezisë, të cilën tani e vështroja në një plan tjetër dhe në rrafshin krahasues, me atë çfarë shkruhej e botohej në lëmin e poezisë italiane, gjermane dhe evropiane në përgjithësi. 

Gjatë qëndrimit në Gjeramani, kreva studimet e larta në FU, Berlin, në degën Hospitality Management dual studium, studim-punë. Për disa vite kam punuar në agjensinë e menxhimit të eventeve të ndryshme kultutore, shkencore, politike -Unitech und Reisen- në Berlin. Kjo përvojë, përveçse më shërbeu në krijimin e një shtrati të qëndrushëm profesional, ishte dhe një shkollë e çmuar, një proces njohjeje e thellë e vetvetes dhe psikologjisë së këtyre vendeve perëndimore, pa të cilën udhëtimi im poetik do të ishte, në mos  i mangut dhe i cunguar, të paktën, i pa plotë. 

Këto kontakte do të thosha ma zgjeruan vizionin e lirisë si dhe anën konceptuale të poezisë, e cila u pasurua me elementë të rinj artistik, ku vendin kryesor e zënë figurat e gjetura dhe simbolikat e guximshme.

-Poezia juaj dallohet për një një simbolikë të fortë, figura të gjalla dhe imazhe fluide që të mbeten në mendje. Cilat janë disa “sekrete” të saj?…

-Mendoj se poezia është një gjendje trazimi të gjithëkohshëm, që vjen një çast e del nga thellësitë e shpirtit në sipërfaqe, në formën e vargjeve dhe strofave, si një komunikim i veçantë, përtej diskursit të së folurës dhe të së shkruarës sonë të përditshme. “Sekretet” e saj janë të shumta, por “sekreti” im mendoj se është spontaniteti. Ky spontanitet më ka çuar dhe më çon tek ato gjendje dhe imazhe, të cilat i hedh në letër siç më vijnë, pa artifice dhe shtirje. I hedh të gjitha ngjyrat pa retushim në telajon poetike; mungesën, flirtin, dashurinë, ëndrrën, ngjyrat e trishta, pezmin, dhimbjen, ankthin, gjithçka që gëlon në jetë, por që unë në poezi i rikonfiguroj në diçka tjetër, në energjinë pozitive të shpirtit, që ka një nevojë urgjente për t’u çliruar nga rëndomësirat dhe që vjen tek lexuesi si një mesazh për ndryshim dhe përsosje. 

Në vargjet e mia hedh copëra realiteti dhe imagjinate, endjet e mia kërkimtare, si kohë arkitipale, si lëvizje fizike, si perceptim, si kujtesë, si arkeologji e ëndrrës së kulluar. Nuk ka një definacion rreth gjithë kësaj, është më tepër një gjendje e kulluar përjetimi metafizik, që më shtyn drejt poezisë si drejt një “meshe” të shpirtit, duke më mundësuar të rikrojoj një minibotë, me anë të një strukture të moderuar të sendërtimit të artit tim poetik. E gjithë kjo tingëllon mbase disi e sofistikuar dhe do të doja ta thjeshtoja në maksimum, duke pohuar se fundja poezia më bën të ndihem mirë, e plotësuar dhe në harmoni me veten dhe të tjerët. Kaq më mjafton.

-Në Itali duket se gjetët, si të thuash, “Itakën”poetike dhe shpërhimet e tua qenë befasuese. Nga njëri vëllim me poezi në tjetrin duket një hop cilësor dhe një pasurim mbresëlënës i spektrit meditativo-lirik dhe modernitetit. Diçka më shumë rreth kësaj…

Pas Gjermanisë, më pas veprimtaria ime transferohet ne Arezzo, Itali, ku kontaktet me poezinë moderne italiane dhe evropiane ishin në pikën më të lartë dhe gjatë kësaj periudhe i kam dhuruar lexuesit tre vellime poetike: “VJESHTE FATESH” 2018, Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”, “PËRTEJ VALEVE” 2019, Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”, “BURRI I NETËVE TË MIA” 2020, shtëpia botuese “Armagedoni”, Prishtinë, Kosovë. Gjithashtu krijimet e mia janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme letrare, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut. Në konkursin kombëtar kushtuar pandemisë botërore, Covid 19, poezia ime konkuroi me shumë sukses, krahas qindra konkuruesve të tjerë,duke merituar vendin e dytë.

Nëse tek libri “Vjeshtë fatesh” isha në fillesat e rrugës poetike, me një lloj tërheqje, krejt normale për poetët e pa afirmuar, pritja e ngrohtë nga lexuesi dhe kritika e këtij libri, do të thosha modest, më bëri që në librin tjetër me titull “Përtej valëve” të “sulmoja” më me “vrull”,  duke e pasuruar qoftë fjalorin dhe figurën poetike, qoftë strukturimin formal me elemente të rinj, çfarë me kohë do të më jepte një farë sigurie në këtë rrugëtim sa të bukur, aq dhe të vështirë.

Libri i tretë “Burri i netëve të mia” sapo ka dalë dhe vërej se ka një interes në rritje nga ana e lexuesit për ta pasur në raftin e librave, plus interesimi i kritikës ka qenë në një shkallë të kënaqshme, çfarë më shtyn të mendoj se jam në një kurbë rritjeje estetike dhe do ta vazhdoj pa u ndalur për asnjë çast rrugëtimin poetik. 

-Poezia juaj dallohet për sinqeritetin, ngrohtësinë, thellësinë e ndjenjës dhe sofistikimin e mendimit poetik. Gjithashtu spikat për elegnacën e fjalës dhe befjen e imazhit, gjetjet e holla dhe finesën e përcjelljes së mesazheve tek lexuesi…Ndiqni ndonjë “shkollë” poetike apo gjithçka ju vjen natyrshëm dhe sponatnisht?

-Faleminderit për konsideratën. E thënë nga një kritik profesionist si ju, më pëlqen. Ju thashë, kontaktet me poezinë aktuale moderne që shkruhet në Gjermani dhe Itali, njohjet me poetë të ndryshëm evropianë, kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndikimin e tyre. Por poet nuk të bën asnjë lloj shkolle, poeti lind dhe spontaniteti, ajo që të fal natyra si dhunti dhe talent, janë kryesorja dhe i vënë “vulën” çdo shkrimi letrar, në rastin tim, artit poetik. Pra, e thënë më shkoqur, unë nuk ndjek asnjë “shkollë” poetike, por ritmet e zemrës dhe ndjesitë e shpirtit, që më shtyjnë drejt zbulimit të oazeve estetike, drejt vargjeve dhe strofave, që shprehin unin tim, kujtesën dhe emocionin me të gjitha raportet e ndërlikuara të aktit poetik.  

-Të qenit bashkëshorte dhe nënë, a duket se e tkurr dimensionin poetik, a e kufizon mundësinë e arritjes së maksimimit nga ana juaj?

  – Jo, përkundrazi. Të qenit nënë dhe bashkëshorte, sigurisht që është një ngarkesë dhe përgjegjësi e madhe në familje. Një gruaje dhe një nëne i duhet shumë përkushtim për të bërë më të mirën e mundshme për familjen e saj dhe kjo në një farë mënyre ka “koston” e vet në krijimtari. Por kjo, mua jo vetëm nuk më ka penguar, por më ka nxitur të vazhdojë më me këmbëngulje rrugëtimin poetik, të kemë prurje të kënaqshme, me vlera cilësore në krijimtarinë time, siç është shprehur kritika profesioniste. Motivimet poetike të një nëne, të një bashkëshortje, mendoj se janë shumëfishi i atyre të një femre “të lirë”, pasi brenda çdo gruaje dhe çdo nëne “fle” një poete, që pret vetëm orën e saj për t’u “zgjuar”. 

-Cilat janë projektet e tua në të ardhmen?

-Kam shumë plane dhe “ëndrra”, por të sendërtuara në projekte konkrete, që mendoj t’i realizoj së shpejti, janë dy libra të tjerë, një me haiku dhe tjetri me prozë.

Intervistoi: 

Dukagjin HATA 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dukagjin Hata, Neviana Shehi

Nata e arratisjes së madhe…

November 1, 2020 by dgreca

DUKAGJIN HATA-

Fragment nga libri në proces “Nga Golgota në “Tokën e Premtuar” –    

-Kushtuar aktit të familjes së Sakip Skepit dhe shtatë familjeve dibrane që thyen klonin enverist të Diktaturës më 12 maj 1958-  /

Nga Dukagjin HATA /

Ka disa ngjarje, që jo vetëm në jetën e njeriut, por dhe të banorëve të një komuniteti apo etnie, bëhen njësi matëse të psikologjisë së ndryshimit, qendra graviteti emocional, për sot e për nesër. Dhe kur i risjell ndërmend, me detajet e kohës kur kanë ndodhur, kupton më mirë peshën e të ndodhurës dhe domethënien e gjithçkaje… 

Atë pranverë të largët diktature, fryu një puhi e vakët shprese. Kishte ndodhur diçka e pazakontë, përtej sinoreve të realiteti propogandistik, që tronditi qetësinë e rreme në atë zonë të largët, në gji të maleve. Ngrehinat e një sistemi të ngritur mbi dogma dhe mashtrime qenë lëkundur, por ai ende qëndronte në këmbë dhe qe bërë më i rrezikshëm në tentativën e tij për të mbajtur nën presion dhe eleminuar kundërshtarët politikë dhe të gjithë ata që nuk ishin pjesë e rreshtit të brohoritësve entuziastë të revolucionit socialist.   

Regjimi diktatorial qe ndërtuar mbi dogmën e lumturisë kolektive të një populli, i cili ditën duartrokiste nga halli, nën vëzhgimin e mprehtë të sigurimit që pati depërtuar gjer dhe brenda në familje dhe natën, në vetminë e trishtë të mungesave klithëse, thurte ëndrra për të ikur nga rrethi i parajsës komuniste. Shumica mbetej në suazën e ëndrrës, për shkak të rrethanave mbytëse që iu diktonte ajo kohë e sëmurë, plot ankth dhe frikë, vetëm disa guxonin dhe akoma më pak, fare pak prej tyre, ia dilnin të çanin rrethin e ferrit dhe të iknin drejt botës së lirë.  

Njëra prej tyre është dhe familja Skepi, pjesë e shtatë familjeve dibrane, të cilat ajo i organizoi dhe plot 42 vetë, nën breshëritë e automatikëve, që i shoqëruan gjersa kaluan klonin e përgjakur të një regjimi monstruoz, thyen rrugën e trishtë të Golgotës enevriste dhe, pas një odiseje të pafund të qëndrimit në Shkup të ish Republikës së Jugosllavisë, mbërrtitën në “Tokën e Premtuar”.  

Në këtë libër, odisenë plot befasime të kësaj ikje të madhe do ta shohim me  sytë e një fëmije, aso kohe pesë vjeç, pjesë e këtij “pelegrinazhi” të çuditshëm “feste”, më vonë me sytë e një të riu që kërkon të gjejë vetveten në një realitet të ri, në Belgjikën plot suprizime dhe me sytë e një burri, që kërkon me çdo kusht të mbrojë identitetin e tij krenar, ëndrrat dhe kauazat për të cilat sakrifioi ai, familja e tij dhe të gjitha familjet shqiptare që ikën nga portat e ferrit komunist.    

Dibra është një nga trevat më rezistente ndaj urdive pushtuese nga brenda të njërës nga diktaturat më të përçudnuara që ka njohur njerëzimi në të gjitha kohët. Modeli dibran i mencurisë dhe pjekurisë, me arealin e shëmbëlltyrave, (muhabeteve me rrotulla e nënkuptime), por mbi të gjitha me trashëgiminë historike të qëndresës kundër të huajve, ishte shtrati shkëmbor ku do të thyente kokën ideologjia e agjitpropit dhe dogmës komuniste. 

Arratisjet politike të të pakënaqurve të Dibrës në vitet e regjimit komunist kanë qenë kthyer në një problem serioz për strukturat policore dhe ushtarake të Diktaturës, që shikonin tek populli i zgjuar dibran një arsenal “armiqsh” sa realë aq dhe imagjinarë.  

Fushë Alie, një krahinë buzë brigjeve të Drinit të Zi, ishte aso kohe një nga zonat më të ekspozuara ndaj vëmendjes deri në vigjilencë të sëmurë të sigurimit karshi elementëve të “deklasuar”, që ishin kontigjenti kryesor i të arratisurve. Për shkak të veprimtarisë së Halil Alisë, ish oficer i mbretnisë shqiptare dhe nacionalist me ndikim të jashtëzakonshëm në Fushë Alie, kjo krahinë u shpall një “karantinë” me të “infektuar” nga “bacili” antikomunist dhe ruhej me syçelësi nga rojet e regjimit.  

Blliçja, një fshat në skajin lindor të Fushë Alies, ishte shpallur qendra e “reaksionit” dhe qe kthyer në vendgoditjen e përçadokshme të strukturave të sigurimit.  

Në fund të viteve 50, një ngjarje bëri bujë dhe shkundi fort syprinën e keqkallaisur të agjitropit komunist, për gjoja lumturinë e popullit në epokën socialiste, duke nxjerrë në pah një realitet të dyzuar, mashtrues e denigrues, nga i cili njerëzit kërkonin të iknin me çdo çmim.  

Atë natë, para udhëtimit të ikjes së madhe, vogëlushi pesëvjeçar Sakip Skepi qëndroi zgjuar gjithë natën, duke ëndërruar mrekullitë e asaj që babai ia pati përshkruar si “festë e madhe”, ku ata do të shkonin pas një rruge të gjatë. Një ditë më parë, i ati i pati blerë një top llastiku dhe ai pati luajtur me shokët gjersa qe këputur fare, një argëtim i shumëlakuar për fëmijët e moshës së tij të asaj kohe të pakohë, ku mënyrat për të vrarë kohën, sidomos për një fëmijë ende parashkollor, shkonin më shumë kah rropatja e mundimshme se sa kah argëtimi.  

Vogëlushi rrinte syçelë dhe ëndërronte “festën” e premtuar nga babai dhe teksa përfytyrimi merrte udhë në fantazinë e harlisur të pesëvjeçarit, një si makth, e shtrëngonte në fyt dhe ia priste krahët fantazisë. Pse kjo hije e trishtë në shtëpinë ku gjithçka po lëvizte me shpejtësi, që nga plaçkat e stivosura deri tek mendimet që qarkonin rreth e qark në një gravitet dilemash?!  

Ndoshta vogëlushi, me intuitë e kuptonte se parafesta nuk shoqërohet me ankth, frikë e panik dhe e gjithë kjo, në mos qoftë një lojë e maskuar kukafshehti, me të cilën qe familjarizuar me shokët dhe shoqet e mëhallës, më së paku do të qe ndonjë rreng i të atit, adresuar kushedi se ku dhe kushedi se ndaj ndaj kujt! 

Kur e pati e pyetur të atin: “A është larg ajo festa?”, ai pati vënë buzën në gaz, por me tepër se buzëqeshje, ajo ishte një ngërdheshje dhimbje e trishtimi, të cilën ai rrekej ta fshihte në grimasën e rrudhave të imëta të ballit, që priteshin si me thikën në mjekrën e gjërë dhe të parruar prej ditësh.  

Po gdhihej 11 maj 1958 dhe megjithëse pranverë, një cingërimë ere frynte me duhi atyre anëve duke sjellë aromën e thërmuar të luleve të ftoit dhe shijen e kripës së gurit. 

Shtatë familje dibrane, nga një fshat i izoluar me emrin Blliçe, ku gazi i degës së punëve të brendshme qëndronte ditë e ditë, duke përgjuar jetën e atyre njerëzve të konsideruar armiq të regjimit, thyen klonin Stalinist shqiptar dhe ikën drejt botës së lirë. 

U nisën nëpër natë, në errësirën pus të thellë, që herë herë ndriçohej nga blici I hënëve që dilte nga shtëllungat e reve dhe përgjonte atë ikje të pazakontë, në një kohë të pa kohë. 

Vogëlushi kishte aq dëshirë të flinte, të binte në krahët e gjumit të ëmbël të moshës, por kjo qe e pamundur. Joshja e “festës” e mbante zgjuar, ndërsa ajo heshtje e kobshme, shoqëruar me trazime të befte gjatë rrugës,e bënte të kuptonte se kjo nuk qe një festë e zakontë…           

Ishte një nga arratisjet më të mëdha të kohës së komunizmit, e cila do të mbahej mend gjatë jo vetëm në Blliçe e Dibër, por në gjithë Shqipërinë. Organiztat e masave, sigurimi, gjithë ato leva të grasatuara të Diktaturës do të mblidheshin me ngut për të hetuar të ndodhurën, e cila e tejkalonte cakun e arsyetimit të kohës. Deri në bjeshkë rrugën e bënë gati me një frymë, sikur po i përndiqnin erenitë. Në bjeshkë kishte ende borë e cingërima e erës brisk bënte që tiu hynin të dridhurat gjer nën lëkurë. Për shkak të borës, ushtarët nuk ngjiteshin deri lart, kështuqë kaluan pa iu hyrë ferrë në këmbë.  

Babai, hijen e të cilit ndiqte vogëlushi, e njihte me pëllëmbë terrenin; qenë bjeshkët e tyre, qenë rritur e burrëruar në ato lëndina virgjine, mes të cilave tani po kalonin nën hijen e frikës dhe terrorit.  

Pesëvjeçarin do ta ndjekë për një kohë të gjatë, gjer në moshën e burrit, imazhi i asaj ikjeje nëpër natë, nën lehjen e qenve dhe kuisjen e erës, që dukej sikur ankohej për shpirtërat e humbur në terrin e dhimbjes pa emër. Gjithçka vajti mirë, por kur arritën në qafë, rojet e kufirit  i pikasën. Filloi breshëria e mitralozëve. Plumbat ranë mbi borë e fatmirësisht nuk kapën asnjë. U shtrinë barkas, duke u zvarritur nëpër borën e ngrirë, që ua shtinte drithmat nën lëkurë.  

Nuk mund të përshkruhen ankthi, stresi, frika dhe paniku, që e shoqërojnë një të arratisur nga “parajsa” socialiste, që pret nga çasti në çast t’ia behin ushtarët e kufirit dhe ta mbërthejnë…Fakti që mes të arratisurve kishte grad he fëmijë e bënte më alarmant çastin… 

Vogëlushi ndihej i trazuar dhe nuk e kuptonte se çfarë qe kjo “festë” e çuditshme, drejt të cilës po shkonin, që e detyronte të atin dhe të rriturit e të tjerë, të shkonin rrëshqanthi nëpër tokën e kallkanosur, në ankth e të të frikësuar nga hija e të panjohurës, që endej përqark si një kërcënim…   

Ishte ftohtë dhe errësira, që ende nuk qe shpërndarë nga tisi i agimit, bënte që ata të humbnin shënjestrat e përndjekseve të tyre. Me intuitë e kuptuan se ishin në tokën e huaj dhe u ndien të çliruar. Nuk ka më keq se të ndihesh i çliruar në tokë të huaj, mes njerzve të huaj. Por kështu ishte realiteti shqiptar i asaj epoke delirante, që pati ngritur një muranë të trishtë keqkuptimi dhe moskuptimimi midis shqiptarëve dhe shtetit të tyre.  

Diku humbën rrugën dhe u ndalën. Kishin thyer klonin stalinist shqiptar, nën breshërinë e plumbave dhe zulmën e urdive të ferrit…  

Nga frika se mos hynin sërish në kufirin shqiptar nëpër errësirë, pritën derisa u zbardh e u dorëzuam pastaj tek autoritetet jugosllave, që pasi i mbajtën 8 javë në një kamp, iu njohën statusin e refugjatit dhe më pas jetuan nëntë vjet në ish-Jugosllavi, për të mbërritur më vonë në Belgjikë, në vendin që u bë “Toka e tyre e Premtuar”.  

*

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dukagjin Hata, Nata e arratisjes, se Madhe

BOTA DIBRANE NE FAQET E NJE BOTIMI VOLUMINOZ

September 25, 2020 by dgreca

–Rreth librit voluminoz “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi –

Një shpalim historik, analitik dhe investigues i ngjarjeve dhe figurave më në zë të botës dibrane–

Nga Dukagjin HATA -Me emrin e Hysen Dervishit lidhen studime dhe kërkime përkushtuese e shteruese në fushën e mendimit dibran e shqiptar, ide, qasje dhe refleksione që lidhen me figura emblematike të kujtesës dibrane e shqiptare, shqyrtime historiko-analitike dhe investigime, që në komplesk e krijojnë dhe dimensionojnë të plotë një vepër krijuese, që tenton të konfigurojë një areal të mbetur deri dje në hije të të vërtetave të thëna nën zë, por që tashmë përcillen nën një projeksion dhe optikë të re pasqyrimi. 

Falë një pasioni dhe këmbëngulje unike, shoqëruar me njohje të thellë e të kompletuar të “lëndës së parë” që bën objekt kërkimi, Dervishi përcjell tek lexuesi modele studimore që janë gurë kilometrikë në memoristikën kolektive dibrane e më gjërë, rreth të cilës vërtitet pena e tij e hollë dhe e mprehtë. 

Në arealin e emrave të autorëve dhe librave të tyre memoristikë, që përfshihen në zhanrin e letërisë dokumentare, qëndron denjësisht emri i Hysen Dervishit dhe libri i tij “Dibra zemra e Kombit”. 

Është një libër i shkruar, nëse përdorim një njësi frazeologjike popullore, “me lëkurë”, me  një gravitet emocional të veçantë, që do të thotë se autori e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë dhe frazë dhe pas një site të hollë të ngjarjeve dhe personaliteteve, që duket se parakalojnë në memorien e tij, depërton të palcën e të ndodhurave të botës dibrane dhe figurave më përfaqësuese të Dibrës në të gjitha kohërat.

Pas librit “Krenaria”, pritur ngrohtë nga lexuesi dhe qarqet letrare, autori vjen me këtë libër voluminoz, ku shpaloset madhërishëm historia dibrane, ndodhi të bujshme, kohë dhe epoka qëndrestare e të trazuara, madhështia e shpirtit kolektiv dibran, urtia, bujaria, mendjemprehtësia, modele fundamentale që shpalosen në luftë e në paqë, në të mirë e në të keq, arkitipi genetik i një treve me rrënjë të ngulitura fort në histori dhe në përditshmëri.

Shkrimtari Hysen Dervishi, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë dhe shpirtit dibran, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli me rrënjë të ngulura thellë në histori, i cili e shkroi sagën e fiseve krenare e të panështruara ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare. 

Në këtë libër mjaft interesant, bota dibrane lëviz në tredimensionalitetin e kohës, në ato ura të kujtesës shqiptare, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të njohur për qëndresën dhe mençurinë, për degët dhe rrënjët në gen sojnik e fisnik, për të djeshmen dhe të sotmen. 

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i historianit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Hysen Dervishi na sjell në këtë libër një përcjellje dinjitoze të historisë dibrane, në pikat e saj më kulmore për fatet e veta dhe të shqiptarisë. 

Udhëtimi i Hysen Dervishit në analet e botës dibrane është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika dibrane me atë kombëtare, narracioni zhbirues dhe zbulues përmes detajeve të gjetura me reflektimin shterues rreth të ndodhurave, fakteve historike dhe figurave me të cilat na i sjell të lidhura ata shkrimtari.   

Me një stil, siç thamë të zhdërvjellët dhe kolorit të pasur gjuhësor, ku gërshetohet fakti dhe analiza, induksioni dhe deduksioni, përshkrimi dhe investigimi historik, portreti etj., autori trajton pamje të thyera të historisë dibrane, individë dhe kontribute, që tashmë e kanë kaluar provën e kohës dhe janë kthyer në etalone vlerash për dje, për sot dhe nesër.

Si një njohës virtuoz i psikolgjisë së thellësive dibrane, i historisë dibrane dhe individëve që me bëmat e tyre atdhetare kanë bërë epokë dhe janë identifikuar me pjesën më vezulluese dhe më të ndritshme të vlerave gjithëkohore të shqiptarisë, autori na jep një gamë të gjërë e të larmishme pamjesh dhe reflektimesh, ngjarjesh dhe personazhesh, që janë bërë njësh me kohën e tyre, si interpretë të së drejtës zakonore dhe shpirtit kolektiv të një treve të njohur për besë e mençuri, guxim e trimëri, e cila ka qenë në të gjitha kohët në ballë të aksionit kombëtar për liri dhe dinjitet shoqëror. 

Që nga personazhet emblematikë të luftërave antiturke, antiserbe, gjer tek modelet e rezistencës antifashiste në valët e Luftës së Dytë Botërore, pa përjashtuar hapësirën mjaft të trazuar të gjysëmshekullit të kohës së socializmit, në këtë libër parakalojnë emra të shquar të historisë dibrane, ushtarakë, komandantë legjendarë, politikanë mendjehollë, prijës popullorë, gjeneralë, misionarë pajtimi, shkrimtarë, artistë, ministra, deputetë, mësues, agronomë, kooperativistë, profesionistë të fushave të ndryshme, që janë ngritur mbi sinoret e të zakonshmes, duke u bërë mëshirues të mendësisë më të përparuar dibrane e kombëtare, në një epokë dyzimesh dhe trazimesh të mëdha.

Që nga kryeikona e qëndresës dibrane, shqiptare dhe evropiane Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek Qemal Ataturku, Ahmet Zogu, Iliaz Pashë Dibra, Elez Isufi, Dine Hoxha, Tafë Kaziu, Haki Stërmilli, Haxhi Lleshi, Ahmet Cami, tek akademikët, profesorët, gazetarët, artistët, njerëzit e shquar të shkencës dhe letrave, Prof. Dr. Luan Hajdaraga, Prof. Dr. Bujar Kapexhiu, Prof. Dr. Fehmi Abdiu, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Petrit bara, Prof. Dr. Qemal Disha, Naim Plaku, Arif Vladi, Lirie Rasha, Skënder Cala, Edmond Zhulali, Përparim Tomçini, etj,etj, përmes detajeve të holla dhe të gjetura jepet dimensioni atdhetar, kulturor, shpirtëror dhe artistik i këtyre figurave, që secili më vete dhe të gjithë së bashku përbëjnë majën e lartë të krenarisë dibrane dhe shqiptare.  

Njohja e thellë e traditave dhe zakoneve dibrane, përvetësimi i filozofisë së odave dibrane, ku muhabeti bëhet me rrotulla dhe “prit e kthe”, e ka çuar autorin në kërkimin dhe modelimin e një gjuhe fine dhe të koncentruar bindshëm në stilema të forta përcjellëse dhe mesazhuese, duke bërë që në libër të mos mungojnë parabolat, aludimet, nëntekstet e holla të një gjuhe fine e të përpunuar me kujdes, që na paraqitet në trajtën e ajzbergut.

Duket se aparati metodologjik dhe shqyrtues i fakteve dhe të dhënave, të bazuara në burime gojore e arkivore, në këngët dhe trshëgiminë tjetër të vlerave të etnosit kolektiv, shoqëruar kjo me sharmin publicistik dhe letrar, që e karkterizon autorin në shkrimtarinë e tij, e bëjnë librin të lexueshëm me një frymë dhe me kërshërinë e ndezur për çdo ngjarje e figurë, që gjen pasqyrim në faqet e tij.   

Libri “Dibra zemra e Kombit” i autorit Hysen Dervishi është një libër që mungonte në tavolinat e punës së studiuesve dibranë dhe më gjërë, një enciklopedi e figurave dhe ngjarjeve më në zë të botës dibrane, një shpalim historik, analitik, investigues, në një shtrirje të gjërë të kohë-hapësirës shqyrtuese, analitike, krahasuese e ballafaquese, të një qasjeje të re të mendimit historik, të çliruar nga diktatet politike dhe autoçensura, e cila pas çlirimit të letrave nga çensura e dikurshme, shfaqet tek mjaft shkrimtarë si një autosugjestion i ardhur nga ajo që Karl Gustav Jung e quante “nënëvetëdija e harruar”.          

Ky libër lypset të jetë një libër tavoline për dibranët, sidomos për shkrimtarët, historianët dhe mendimtarët dibranë, të cilët do të gjejnë në faqet e tij të shkruara me vërtetësi, dashuri dhe emocion, të vërteta të njohura, pak të njoura ose të panjohura, që janë shkruar me zemër në dorë nga një shkrimtar me sqimë, një njohës shijehollë i historisë dhe mendësisë kolektive dibrane.  

HyseniÇast gjatë promovimit të librit “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë 

Filed Under: Histori Tagged With: Dukagjin Hata, Hysen Dervishi, Zemra Dibrane

Fantazma që trazon “gjumin” e “shenjtorëve”

November 20, 2017 by dgreca

1 Kasem Trebeshina

Nga Dukagjin Hata/ Sot, njëzet e shtatë vjet pas hapjes së Shqipërisë së izoluar në ferrin komunist, klanet e letrave që përcaktuan fatin e trishtë të letërsisë dhe kulturës proletare janë të mbyllura dhe të pacenuara në “shenjtërinë” e tyre të përdhosur nga damka e krimit. Të njejtët që përcaktuan rregullat e sjelljes së shkrimtarit në hierarkinë e Oborrit të Kuq, po tentojnë të krijojnë mitin e antikomunizimit dhe disidencës. Shkrimtarët që u kalvarizuan në analet e persekutimit të përbidshëm, duke u burgosur, internuar, vrarë e varrosur në gropa anomime, të tjerë që iu ndaluan librat dhe u dërguan “në bazë” për t’u “edukuar”, vazhdojnë të jenë të paragjykuar e të harruar.    

Disidenca po bëhet një fantazëm që vërtitet tutje-tëhu sa në faqet e gazetave, në studio televizive, aq në podumet politike, por nuk po kuptohet kush është shenjti e kush dreqi, kush ka qenë dissident e kush persekutor. Më së shumti ulërijnë në kor ata që kanë qenë censorë, që për shkak të militantizmit të tyre politik të sëmurë, përgjonin deri dhe jetën intime të shkrimtarëve dhe artistëve,  iu bllokonin botimet dhe iu censuronin veprat.

E vërteta është se Shqipërisë nuk i kanë munguar rastet ekstreme të persekutimit për shkak të krijimtarisë artistike, (letërsi, pikturë, muzikë…) aq sa shumë shkrimtarë, artistë, kulturologë ose janë detyruar të heshtin dhe të punojnë jashtë fushës ku ndiheshin në tokën e tyre, në sistemin e dhuntive dhe përgatitjes akademike e estetike, ose kanë guxuar të shkruajnë, pikturojnë, kompozojnë ndryshe dhe kanë paguar një çmim të rëndë në jetën e tyre artistike e njerëzore.

Në saj të aplikimit të metodës së realizmit socialist, arti, kultura dhe letërsia shqipe kishin pësuar një atak të rëndë dhe të pariparueshëm, ku qenë rrafshuar individualitetet, nxituir mediokriteti e skematizmi dhe  kufizuar e ndëshkuar ata që krijonin, shkruanin, kompozonin, pikturonin ndryshe nga parimet bazë të sanksionuara me ligj të manifestit të metodës famëkeqe. Në këtë mënyrë, shkrimtarët e shquar të traditës sonë letrare, që kishin bërë epokë me kualitetet e larta estetike, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, figura të tilla emblematike si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko e të tjerë u lanë në hije, u rrethuan me heshtje e keqkuptime të qëllimshme, për të ngritur në piedestal shkrimtarë të panjohur, pa biografi letrare, mediokër që shquheshin vetëm për zbatimin me rigorozitet të direktivave të PPSH-së.

Ish partizanët dhe komandantët e luftës që kishin bërë epokë me aktet e tyre idealiste dhe që tentonin të shkruanin të vërtetën, si shkrimtari Kasem Trebeshina, poeti Pano Taçi etj u ndaluan, burgosën e persekutuan. Të tjerë patën një fat akoma më të keq, u pushkatuan për një shkrim, për një poezi, për një akt letrar të spërkatur me pluhur mospajtimi me regjimin, siç ishte rasti i Genc Lekës e Vilson Blloshmit etj.

Në Shqipërinë e pasluftës, me plagë e dhimbje, me dyzim e vetmi, një nga fushat më të goditura nga mekanizmat diabolikë të regjimit komunist ishte letërsia dhe shkrimtarët qenë ata që e pësuan më shumë në kurriz kamxhikun ndëshkues të klikës komuniste, për shkak të cilësisë së veprës së tyre, që dilte jashtë rrethit të shtampave deklarative të agjipropit të kuq.

Nisi kështu një kalvar biblik, i pashmebullt në gjithë perandorinë komunsite, “gjuetia e shtrigave”, djegia dhe bërja karton e librave të padëshirueshëm, përgjimi, dëbimi, internimi, burgosja e vrasja e shkrimtarëve dhe poetëve; revolucioni kulturor lejfenist shqiptar goditi në çdo qelizë letërsinë dhe artin e shëndetshëm, shkrimtarët dhe artistët që krijuan vepra dinjitoze, jashtë formulave të thata dhe marrsheve demagogjike të kohës.

Kam rreth dhjetë vjet që njoh njërin prej tyre, Sali Leka quhet, me origjinë nga fshati Selbë i Tiranës, një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave, një autor i ndaluar nga entet botuese të komunizmit, nga shtypi dhe mediat e kohës së Diktaturës. Ai vazhdon të njejtën luftë me ata që dikur ia dolën t’ia ndalonin botimet dhe sot tundin flamujt e zhuburosur nga keqpërdorimi të pseudo“disidencës”. Sali Leka u ndëshkua me burg politik për shkak të veprave të tij, që nuk çonin ujë në mullirin e soc-realizmit, nuk i përgjigjeshin frymës së kohës, që presupozonte t’i bëje jehonë një revolucioni kulturor lejfenist e denigrues deri në absurditet. Pse ishte i pa pranueshëm Sali Leka për censurën e Diktaturës komuniste? Sepse tentonte që me anë të historive të vjetra, të ngritura në rrëfime poetike, të prekte plagët e kohës, të vetëdijësonte bashkëkombasit e tij për përmasat e absurdit të kuq.

Ai paraqiti për botim në entet shtetërore të botimit të kohës 85 vepra letrare, tregime, poezi, romane, asnjërën prej tyre nuk ia botuan, duke ia refuzuar botimin për shkak se ato, sipas redaktorëve dhe çensorëve, kishin frymë erotike dhe moderniste, nuk përçonin frymën e kohës dhe parimet e realizmit socialist.

Sot, nën vellon e antikomunizmit dhe të disidencës, gëlojnë në studio televizive dhe faqet e gazetave ata që vetëm pak dekada më parë ia ndaluan librat shkrimtarit Sali Leka, ndaj ky i fundit refuzon të ulet me ta në të njetën studio televizive e të ndajë me ta të njejtat faqe gazetash.  

Sali Leka vazhdon të bëjë të njejtën luftë të radhës, të demaskoj personazhet e dikurshme të çensurës dhe persekutimit diabolik, pjesë e strukturave të sigurimit të shtetit, që janë mpleksur sot qëndrimin public mediatik, duke i “ngatërruar” fijet e kohëve dhe duke e bërë të pathyeshme “nyjen gordiane” të keqkuptimit të madh.

Këta “analistë”, “studiues” dhe “kritikë” shkruajnë se në regjimet e mbyllura diktatoraile, si ai që përjetuam gjysëm shekulli ne shqiptarët, mund të shkruhen dhe botohen vepra të mëdha letrare dhe artistike. Iluzioni i tyre se në diktaturë, me mungesë totale lirie, janë shkruar e botuar “vepra të mëdha” është një absurditet dhe një reminishencë e ekskatedrës. Kjo psikozë vazhdon të mbajë në kuotën e majës më të lartë vepra dhe autorë të socrealizmit, duke nxitur dhe sponsorizmin e botimit të veprës së tyre të partishme, ndërkohë që vepra e shkrimtarëve të mirëfilltë disidentë, jo vetëm që nuk botohet, por vazhdon të sulmohet e të anatemohet.

Nuk mund të krahasohet asnjë vepër e krijuar në Diktaturë, qofshin dhe ato që kanë bërë emër, falë propogandës më të ethshme komuniste të kohës, me veprat monumentale të krijuara në demokraci të At Zef Pllumit e Fatos Lubonjës, Kasem trebeshinës e Lekë Pervizit, Pjetër Arbnorit e Agim Mustës, Spartak Ngjelës e Sali Lekës, Kurt Kolës e Pano Taçit, Ahmet Kolgjinit e Ylber Merdanit, Frederik Rreshpjes e Eugjen Merlikës etj etj.

Pohimet e personazheve të censurës mizore nga ekrani magjik i kohës së sotme se kanë qenë të sulmuar dhe kanë jetuar si “gjarpëri nën gur” në kohën e regjimit monstër, se në një formë apo një tjetër kanë kërkuar apo edhe kanë ndihmuar në rënien e tij, janë një përbaltje që dishepujt e Diktaurës i bëjnë demokracisë dhe mendimit të lirë. Axhaminj, që nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë, kanë krijuar “modele” persekutimi duke sajuar dosje disidence për ata që kanë pasur në dorë çelsat e censurës dhe i kanë përdorur ata për mbylljen e veprave më të mira që janë shkruar në Diktaturë dhe ndëshkimin e autorëve të tyre.

Fiksimi për të shpallur disidentë figurat e censurës dhe katrahurës së kalvarit të kuq vjen nga kompleksi i fajit, nga pesha e rëndë e mëkatit që ata mbartin nga analet e së kaluarës së trishtë.

E vërteta nuk mund të mbulohet me gjethe fiku: me apo pa dëshirë, shkrimtarët dhe, në përgjithësi inteklektulët e soc-realizmit, i kanë shërbyer regjimit, duke e ndihmuar atë në një prej krimeve më të rënda, atë të përpjekjes për të shkatërruar shpirtin edhe natyrën njerëzore, duke tentuar të imponojnë idetë marksiste-leniniste. Askush tjetër përpos artistëve dhe shkrimtarëve nuk mund ta bënte këtë.  Prandaj duket e çuditshme kur sheh “shkrimtarë të mëdhenj” të periudhës komuniste të shfaqen befas si disidentë, ndërkohë, që kanë qenë pikërisht këta që i kanë thurur himne partisë dhe udhëheqësit e saj.

Sali Leka ka të drejtë që nuk denjon të ulet në studio televizive me këto soj “disidentësh”, pasi janë po ata që vetëm tre dekada më parë kanë qenë në avanguardë të mbylljes së librave të tij dhe sot, ngaqë nuk duan që të prishet shëmbëllimi ikonak i soc-realizmit, sajojnë “disidentë të komanduar”, që të mund të vazhdojnë të tundin banderolat e agjitpropit të vjetër në kohën e re të lirisë dhe demokracisë së premtuar.

Filed Under: Komente Tagged With: “gjumin”, Dukagjin Hata, e “shenjtorëve”, Fantazma që trazon

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT