Presidentja Jahjaga dhe Dukesha e Cornwall-it takuan një grup të grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë/
Prishtine 19 mars 2016- Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga së bashku me Dukeshën e Cornwall-it takuan sot një grup të grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në këtë takim ishin të pranishme edhe disa OJQ të grave që ofrojnë shërbime për këtë kategori.
Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohje për vëmendjen që po i kushton Dukesha e Cornwall-it kësaj plage të rëndë shoqërisë si pasojë e luftës, duke dëgjuar historitë e grave të Kosovës, si një mesazh shumë i fuqishëm i mbështetjes për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Presidentja Jahjaga tha se historitë e grave të Kosovës nuk janë të lehta, pasi ato flasin për krimin makabër të kryer mbi to nga regjimi serb, por ajo shtoi se ato janë edhe histori të forcës së grave për ta mbijetuar krimin, për ta rindërtuar jetën e tyre, për të kërkuar të drejtat e tyre dhe mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi.
Presidentja Jahjaga tha se dhuna seksuale është përdorur si mjet lufte në Kosovë për të cenuar dinjitetin e viktimave, për të ngjallur ndjenjën e frikës dhe të shtypjes, për të nxitur shpërnguljen dhe për të zhveshur një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore.
Ajo shtoi se kjo temë për shumë kohë ka qenë tabu për shoqërinë dhe institucionet e vendit, por tha se me formimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë hedhur hapa të rëndësishëm për të ofruar mbrojtjen ligjore, qasje më të mirë në drejtësi, në shërbime shëndetësore si dhe ato për fuqizimin ekonomik. Ajo shtoi që duhen ende përpjekje veçanërisht në arenën ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Dukeshën e Cornwall-it se sot ka pranuar aplikacionet e para nga gratë për njohjen e statusit ligjor të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke shtuar se kjo shënon edhe zyrtarisht fillimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm.
Dukesha e Cornwall-it tha se ka pasur rastin të dëgjoj histori të ngjashme edhe në vende të tjera të botës, por në asnjë vend nuk ka dëgjuar histori kaq të dhimbshme dhe të tmerrshme të këtij krimi lufte.Ajo shtoi se do bëj përpjekje që historitë e grave të Kosovës të dëgjohen edhe jashtë vendit duke i inkurajuar ato që të ndajnë historitë e tyre për të thyer stigmën shoqërore e cila e mbulon këtë krim lufte.Dukesha e Cornwall-it shprehu interesim të lartë për të mësuar nga gratë rreth përpjekjeve të tyre për të mbijetuar këtë krim lufte, duke i quajtur ato gra të mrekullueshme. Ajo shtoi se ndjehet e bindur që ato do t’ia dalin t’i mbijetojnë këtij krimi veçanërisht tani që kanë edhe mbështetjen institucionale të ofruar nga Presidentja Jahjaga.