Materialet janë gjetur nga eksperti shqiptar i arkivave britanike, Dr. Bejtullah Destani, “Kosova Information Center, London”, nga Repulika e Kosovës /
Çështja shqiptare/
prej Rev. Fan Stilian Noli/
Një paraqitje e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Konferencen e Kombeve të Shtypura dhe të Varura në Washington D.C. 1918 (?)./Sipas Somerset Record Office, DD/DEU/35, 1919/
Të gjitha kombet ndërluftuese të Europës, menduan se ishte e nevojshme të dërgonin në SHBA misionarë për të paraqitur kauzat e tyre përpara opinionit publik amerikan. Ata kanë bërë të njëjtën gjë në të gjitha vendet e tjera asnjanëse, por këtu në Amerikë, për me tepër, ata kanë organizuar edhe sistemet e tyre propagandistike në një shkallë aq të gjërë, saqë ky vend u bë një fushëbetejë aq e rëndësishme për t’u fituar, sa edhe çdo fushëbetejë tjetër reale në Europë. Unë mendoj se arsyeja është e qartë: Ata kanë kuptuar se mbështetja morale dhe materiale e këtij vendi është e një rëndësie aq të madhe sot dhe mund të ketë një karakter përcaktues në të ardhmen, mbasi SH.BA mund të marrin përsipër rolin e arbitrit të Botës. Kjo luftë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të përfundojë me një fitore shkatërrimtare të ndonjërit grup të kombeve ndërluftuese. Bismark-u, duke folur dikur rreth mundësisë dhe rezultatit të një lufte në mes Anglisë dhe Gjermanisë bëri vërejtjen e mëposhtme: “Anglia është një balenë dhe Gjermania një kalë. Si mendoni ju që një balenë do të mundë një kalë? Ose, si mendoni ju, se një kalë do të mundë një balenë”? Ne mund të kemi atëherë dy fuqi fituese: Anglinë dhe Gjermaninë, ose dy fuqi të mundura, por asnjëra prej tyre nuk do të jetë në gjendje të marrë një dëmshpërblim lufte. Madje, edhe duke korrur një fitore vendimtare mbi kundërshtarin, pa dyshim, finaciarisht, fitimtarët, ashtu sikurse edhe të mundurit, do të jenë plotësisht të rraskapitur. Kjo gjë është pranuar nga autoritetet financiare si të Gjermanisë ashtu edhe të Anglisë.
Në çdo rast rezultati i kësaj lufte do të jetë pak a shumë i njejtë për të gjithë ndërluftuesit: Taksa të rënda në planin e brendshëm dhe hua të mëdha të jashtme nga vendet e huaja, për të mbuluar shpenzimet e luftës. Tani, SHBA do të jenë i vetmi vend që mund të marrë cilësinë e një huadhënësi të madh të jashtëm. Ky fakt shpjegon pse të gjithë shtetet ndërluftuese kanë zgjedhur Amerikën si hapësirë të lojës së tyre politike dhe propagandistike. Sipas të gjitha fakteve, zëri i Amerikës do të jetë më i fuqishmi në Konferencën e ardhshme të Paqes. Asnjë fuqi, në fund të kësaj lufte, nuk mund të ketë kurajon të sfidojë thesarmbajtësin e botës, fuqitë më të pacipëta dhe krenare ndërluftuese do të përulen para Uncle Sam aq poshtë për parâ, saqë ju do të keni kënaqësinë të shikoni nga prapa majat e hundëve në mes këmbëve të tyre. Le të aplikojë Amerika këtë moto: “Asnjë parâ për shtypësit e kombeve të dobëta dhe të pambrojtura”! atëherë drejtësia, paqa dhe liria do të mbretërojnë mbi të gjithë Botën. Prandaj unë kam kënaqësinë të apeloj ndaj opinionit publik amerikan dhe qeverisë, në emër të Shqipërisë, si përfaqësues i 60000 shqiptarëve të SHBA, përpara audiencës së shquar të kësaj Konference, të organizuar nga zonjat më të mira të tokës më të mirë, në kryeqytetin më të mirë të botës së qytetëruar.
Shqipëria është një vend i vogël dhe një problem i madh ndërkombëtar. Edhe pse e panjohur për opinionin e përgjithshëm publik amerikan, ajo është një prej vendeve më të lakmuara të luftës në të gjithë Europën. Austria, Italia, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia janë duke luftuar për atë rrip të ngushtë toke që shtrihet përgjatë bregut lindor të Detit Adriatik. Në të vërtetë, krijimi i shtetit të pavarur shqiptar prej Konferencës së Londrës, më 1912, është një nga shkaqet e konfliktit aktual europian. Princi trashëgimtar i fronit austriak ,Franc Ferdinandi, u vra nga një student serb në Sarajevë, pikërisht sepse ai konsiderohej si njeriu që detyroi Europën për të krijuar shtetin e ri shqiptar, duke ndaluar kështu Serbinë nga fitimi i një daljeje të lirë në bregdetin e Adriatikut.
Rëndësia ndërkombëtare e Shqipërisë është e përcaktuar nga pozicioni i saj strategjik. Shqipëria shtrihet përgjatë bregdetit lindor të Detit Adriatik, përballë Italisë, duke pasur në Veri Malin e Zi, Serbinë në Lindje dhe Greqinë në Jug. Ajo zotëron dy porte të mrekullueshme, Durrësin dhe Vlorën, vlerat ushtarake dhe tregtare të të cilëve nuk mund të mos mbivlerësohen. Vlora është konsideruar prej specialistëve ushtarakë si çelësi i Detit Adriatik. Kontrolli i bregdetit shqiptar është i një interesi jetësor për të dy fuqitë e mëdha të Adriatikut, Austrinë dhe Italinë. Të dyja këto janë të etshme për ta mbajtur Shqipërinë me qëllim që të përmirësojnë situatat e tyre ushtarake dhe tregtare, dhe, në pamundësi të kësaj, të pengojnë njëra tjetrën, ose ndonjë shtet tjetër nga marrja në zotërim e saj.
Përveç Austrisë dhe Italisë, shtetet fqinje ballkanike, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, pretendojnë nga një pjesë të Shqipërisë secila. Gjatë luftrave Ballkanike të vitit 1912, këto tre shtete vunë në zotërim Shqipërinë, e cila deri në atë kohë ishte një provincë turke, dhe shpallën solemnisht qëllimet e tyre për të qëndruar atje. Megjithëse ata patën deklaruar në fillimin e kësaj lufte se objektivi i tyre ishte ai i çlirimit të racave ballkanike nga zgjedha turke, ato ende e mendojnë si në përputhje me rolin e tyre prej çlirimtarësh, veprimin shkatërrimtar ndaj shqiptarëve dhe proçesin e ndarjes së tokave të tyre. Por kjo zgjidhje nuk i pëlqeu Austrisë dhe Italisë, të cilat ishin aleate atëherë dhe e dëshironin njëra-tjetrën në mënyrë pasionante. Një gjë e tillë nënkuptonte që Serbia, pararoja e Rusisë, të mund të kishte një pjesë të kontrollit të Detit Adriatik, dhe do të bëhej një kërcënim i vazhdueshëm për të dyja këto. Prandaj, Austria, e mbështetur nga Italia, mobilizoi dhe propozoi krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, si e vetmja zgjidhje e pranueshme e çështjes ballkanike. Rusia u kundërmobilizua, dhe në këtë mënyrë një konflagracion europian ishte i mundshëm. Një gjë e tillë u shmang nga Konferenca e Ambasadorëve e mbajtur në Londër nën kryesinë e Sir Edward Grey-t, e cila zgjidhi çështjen ballkanike dhe vendosi që Shqipëria duhej të bëhej një shtet i pavarur nën një prijës europian dhe nën mbrojtjen e përbashkët të Fuqive të Mëdha të Europës.
Shqipëria doli nga dhomat e errëta të diplomacisë europiane e gjymtuar pas një operacioni të vështirë nëntëmujor. Zona të mëdha të territorit të vlefshëm shqiptar me dy milion banorë shqiptarë iu prenë dhe iu dhuruan Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, si fryti i fitoreve të tyre kundër turqve. Çfarë mbeti, me rreth një milion banorë, të gjithë shqiptarë të pastër etnikisht, u vendosen në atë që quhet shtet i pavarur i Shqipërisë dhe Princi Wilhelm Wied u zgjodh prej Fuqive europiane për të mbretëruar këtë vend. Dhe ky ishte vetëm fillimi i tragjedisë, mbasi shtetet ballkanike refuzuan të evakuojnë territorin e caktuar për shtetin e ri. U deshën dy ultimatume dhe një demonstrim ndërkombëtar detar për të imponuar evakuimin e Shqipërisë Veriore dhe Qendrore prej trupave serbe dhe malazeze. Edhe Greqia i dredhoi problemit. Ajo tërhoqi ushtritë e saj vetëm pas dekretimit të komedisë së përgjakshme të së ashtuquajturës qeveri revolucionare e Epirit, Shqipërisë Jugore, të cilën ajo e mbështeti me armë, municion, topa, parâ, ushtarë dhe oficierë grekë.
Kur Princi Wilhelm Wied arriti në Durrës për t’u vendosur në krye të shtetit të ri, ai u detyrua fillimisht të vinte nën kontroll këto kryengritës të shtirë të Jugut, të cilët vepronin nën urdhërat e drejtëpërdrejta të qeverisë greke. Pothuajse në të njëjtën kohë, një tjetër revolucion, i nxitur dhe i financuar prej fuqive të huaja shpërtheu në Shqipërinë Qendrore. Princi Wilhelm Wied nuk kishte ushtri për të shtypur këto revolucione të importuara, as parâ për të krijuar një ushtri dhe të mbajë në funksion të vazhdueshëm makinen qeveritare. Fuqitë e Mëdha, në kundërshtim me premtimet e tyre solemne, refuzuan t’i jepnin shtetit të ri shqiptar një hua. Për më tepër, Princi Wilhelm u detyrua të merrej me ndërthurjen e intrigave të Austrisë, Italisë e të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ku të gjashtë Fuqitë e Mëdha ishin të përfaqësuara. Ky Komision u mendua të vendosej në Shqipëri me synimin e përpilimit të Kushtetutës së shtetit të ri, për të organizuar financat dhe administratën e tij. Por ky nuk bëri asgjë të tillë: çdo masë e propozuar nga përfaqësuesi i Austrisë hidhej poshtë nga pëfaqësuesi i Italisë dhe anasjelltas; ose çdo masë e propozuar prej përfaqësuesve të Aleancës Trepalëshe hidhej poshtë prej përfaqësuesve të Bllokut të Antantës e anasjelltas. Për më tepër, Austria dhe Italia i vendosën Princit dy këshilltarë privatë, të cilët ishin në të vërtetë rojet e tij, që e tërhoqën ate dhe qeverinë e tij në drejtime të përkundërta. Pas shpërthimit të luftës europiane (Fjala është për Luftën e Parë Botërore shënim i përkthyesit), Princi Wilhelm Wied u largua nga Durrësi, më 3 shtator 1914, pas një mbretërimi të shkurtë prej gjashtë muajsh, duke e lënë Shqipërinë pa qeveri.
Menjëherë pas nisjes së Princ Wilhelm Wied-it, grekët pushtuan përsëri Shqipërinë e Jugut nën pretekstin e rivendosjes së rendit; Italia mbërtheu portin shumë të lakmuar të Vlorës “me qëllim që të sigurojë asnjanësinë dhe pavarësinë e shtetit shqiptar” dhe, me hyrjen e saj në luftën europiane, deklaroi një bllokadë të bregdetit shqiptar; malazezët dhe serbët bënë të njëjtën gjë dhe pushtuan Shqipërinë Qendrore dhe Veriore; gjatë vjeshtës së vitit 1915 austriakët dhe bullgarët pushtuan Shqipërinë Veriore dhe Qendrore, duke përzënë serbët, malazezët dhe italianët; dhe, së fundi, një muaj më vonë, italianët pushtuan Shqipërinë Jugore duke përzënë grekët. Gjatë këtyre serive pushtimesh, mijëra shqiptarë u përzunë prej shtëpive të tyre, fshatrat dhe fermat e tyre u dogjën, vendi u shkatërrua sa nuk njihej dot më dhe qindra mijëra vdiqën ose janë duke vdekur nga uria, nga mbetja në mes katër rrugëve, apo nga sëmundjet e sjella nga pushtuesit. Asnjë anije ndihmash nuk udhëton për në Shqipëri dhe asnjë punonjës i Kryqit Kuq nuk kujdeset për të sëmurët. Të varfërit dhe nevojtarët duhet thjeshtë të vdesin nga uria, dhe të sëmurët duhet thjeshtë të vdesin.
Rasti i Shqipërisë ka disa ngjashmëri me atë të Belgjikës, me ndryshimin se i pari është më tragjik dhe më me pak shpresa. Traktati ndërkombëtar që garantoi pavarësinë dhe asnjanësinë e Shqipërisë ishte po aq solemn sa ai i Belgjikës. Belgjika ka qenë e pushtuar vetëm prej Gjermanisë. Shqipëria ka qenë e pushtuar me radhë prej grekëve, malazezëve, serbëve, austriakëve, bullgarëve dhe italianëve. Shqiptarët nuk i provokuan sulmuesit e tyre as edhe i ftuan ata; ata janë fajtorë vetëm se ndodhen në zotërim të një toke dhe të një bregdeti të lakmuar prej fqinjëve të tyre. Vuajtjet e belgëve zbehën kur krahasohen me martirizimin e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe të errët pushtimesh. Belgët mund të luftojnë kundër pushtuesve teutonë, mbasi ata kanë ende një ushtri dhe janë të mbështetur prej aleatësh të fuqishëm; shqiptarët janë të pashpresë mbasi ata nuk kanë ushtri për të mbrojtur veten e tyre. Belgët mund të protestojnë edhe pse fuqitë jo asnjanëse mund të jenë indiferente ndaj apeleve të tyre, ndërsa shqiptarët duhet të durojnë agoninë e tyre në qetësi, mbasi nuk kanë as miq dhe as mbrojtës, dhe për ta mund të aplikohet vargu i famshëm i Alfred de Vigny-së: “Souffre et meurs sans parler“! Belgët mund të shpresojnë të rifitojnë pavarësinë pas një fitoreje të forcave Aleate dhe racat e tjera të shtypura mund të kenë të njejtën shpresë pas një fitoreje mbi Teutonët. Shqiptarët nuk mund të ushqejnë shpresa të tilla. Në qoftë se Aleatët fitojnë luftën, Shqipëria mund të aneksohet nga Italia; në qoftë se gjermanët fitojnë, Shqipëria mund të aneksohet nga Austria. Prandaj ne shqiptaret jemi rreptësisht dhe absolutisht asnjanës dhe shpresojmë se kjo luftë do të përfundojë me një barazim ose tërheqje, dhe se asnjëra palë ndërluftuese nuk do ta mposhtë tërësisht palën tjetër.
Shqiptarët janë duke vuajtur jo prej gabimeve të tyre. Ata janë viktima të intrigave dhe agresioneve të huaja. Diplomacia europiane krijoi një Shqipëri të pavarur, duke e vendosur këtë shtet nën tutelën e vet; por kjo diplomaci bëri gjithçka që mundej për të shkatërruar veprën e krijuar. Shqiptarët nuk e provuan dot paaftësinë për me qeverisë veten e tyre, mbasi atyre nuk u është dhënë ndonjë rast për të provuar se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata. Të sulmuar nga të gjitha anët ata u detyruan të dorëzoheshin. Ata tani presin nga sensi i drejtësisë e i ndershmërisë europiane dhe nga simpatia morale e mbështetja amerikane, një shans të drejtë dhe të ndershëm. Çështja e tyre është e drejtë dhe ata meritojnë simpatinë e botës së qytetëruar. Ata kërkojnë vetëm të jetojnë në paqë dhe liri, kërkojnë të zotërojnë tokën që u përket, një tokë që atyre u takon qysh nga një periudhë mjaft e hershme, mjaft përpara se grekët dhe sllavët të vinin në Gadishullin Ballkanik.
Shqiptarët janë raca më e vjetër e Europës. Ata janë pasardhës të ilirëve të vjetër dhe maqedonasve që pushtuan Lindjen nën Aleksandrin e Madh dhe mundën Romën nën Pirron, mbretin e Epirit. Kjo racë luftëtarësh ka ngulur këmbë qëndrueshmërisht në Gadishullin Ballkanik, ndërsa të gjithhë popujt e tjerë u helenizuan, latinizuan apo sllavizuan. Me trupin e tyre mbi shkrepa të zhveshur, ata luftuan kundër ushtrive të panumërta të romakëve, të sllavëve, të gotëve, të venecianëve dhe të turqëve, pa u ndier përmes shekujve, të pamposhtur deri në arritjen e ndonjë armëpushimi, pa miq ose me protektorë të painteres, me mbështetje jo dashamirëse nga ndonjë anë, të pathyeshëm dhe të paasimiluar mbi skenën e Europës njëzet shekullore. Ata qenë të fundit që iu dorëzuan turqëve në Gadishullin Ballkanik, dhe ky dorëzim ishte vetëm nominal. Ata kurrë nuk e njohën regjimin turk dhe kurrë nuk iu nënshtruan atij. Lord Byron-i i ka bërë homazh besnikërisë dhe trimërisë së tyre në poemat e tij.
Miku dhe simpatizanti ynë fisnik, zoti George Fred Williams, ish ambasadori amerikan në Athinë, në pamfletin e tij të titulluar ” The Shkypetars”, i përshkruan në këtë mënyrë ata: “Shqiptarët janë një popull krenar, i papëkulur, që e mbajnë kokën përherë lart. Natyrisht nuk është një racë që mund të frigohet apo thyhet. Trimëria e tyre është e pakufishme; ata përballen me vdekjen e torturën pa u tërhequr; fjala që ata të japin është më e shenjtë se betimi i popujve të qytetruar para Zotit; mikpritja e tyre vazhdon deri sa atyre nuk u mbetet asgjë në shtëpi; ndershmëria e grave të tyre është tradicionale”; askund në botë nuk është një grua më e sigurtë nga ofendimet se në Shqipëri; gruaja mund të udhëtojë nga një cep i Shqipërisë në tjetrin me një siguri absolute dhe burri që e shoqëron atë është në këtë mënyrë i mbrojtur”.
Raca shqiptare i dhuroi botës tre burra të mëdhenj, emrat e të cilëve shënuan epoka në historinë njerëzore. Konstantini i Madh, mbreti i parë kristian, i cili pati kurajon ta shpallë Krishtërimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake, ishte shqiptar. Shën Jeronini, që përktheu Biblën në latinisht ishte shqiptar. Përkthimi i tij ndihmoi në një shkallë të gjërë të kristianizojë Europën dhe është ende në shërbim të Kishës Katolike Romane. Heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skanderbeg, mbreti ynë i fundit e njëkohësisht një prej mbrojtësve më të mëdhenj të Krishtërimit, luftoi në mënyrë ngadhënjimtare kundër turqëve për më se një çerek shekulli, nga 1443 deri më 1468, dhe shpëtoi Europën nga tmerret e invazionit turk. Heroit tonë të madh shqiptar i këndoi poeti i madh amerikan Henry Longfellow në veprën e tij “Tales of a Wayside Inn”. Raca shqiptare mund të sfidojë mirë çdo komb të madh ose të vogël, në qoftë se do të krahasojmë ndihmesën e njerëzve të tyre të shquar për Krishtërimin me atë të këtyre tre shqiptarëve.
Shqiptarët e meritojnë pavarësinë. Ata kanë luftuar për vite me radhë për ta shkëputur Shqipërinë nga Turqia. Lufta Ballkanike u parapri prej katër revolucionesh shqiptare, të cilat, në vitin 1912, e detyruan Turqinë t’i jepte autonominë Shqipërisë.
Fuqitë Europiane njohën pretendimet e shqiptarëve pikërisht në traktatin solemn ndërkombëtar të Londrës, më 1913. Dhe, në interes të paqes ata duhet të respektojnë detyrimisht traktatin e tyre dhe të mos ta trajtojnë atë si një copë të thjeshtë letre. Nuk do të ketë paqë në Ballkan dhe në Europë derisa Shqipëria të mos jetë e lirë, ndërsa një Shqipëri e pavarur do të përmbajë Austrinë, Italinë dhe shtetet e tjera ballkanike nga grindjet me njëri-tjetrin. Prandaj shqiptarët i bëjnë thirrje botës së qytetruar për pavarësi në emër të paqes, drejtësisë dhe moralitetit ndërkombëtar; këto fjalë nuk nënkuptojnë shumë tek kjo Europë e marrosur nga lufta sot, por ato mund të peshojnë thellësisht mbi te nesër, kur këto shtete ndërluftuese do të jenë nën peshën e rezultateve shkatërrimtare të kësaj gjakderdhjeje mjaft të kushtueshme, dhe kur këto fjalë do të jenë çmuar para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtet ky asnjanës, paqedashës, drejtësidashës dhe drejtësibërës.
Përktheu nga anglishtja Romeo Gurakuqi.
Shumë të nderuarit D. Lloyd George, M.P., K.C.
I nderuar Zotëri,
Ne të nënshkruarit, anëtarë te Komitetit Kombëtar Shqiptar të Gjenevës, si zëdhënës besnikë të vullnetit të popullit shqiptar, kemi nderin të shprehim mirënjohjen tonë ndaj Qeverisë së Madhërisë së Tij Britanike, dhe veçanërisht ndaj anëtarëve të Dhomës së Lordëve dhe Dhomës së Komuneve, për interesin dashamirës që ata kanë treguar kohët e fundit për sa i përket Shqipërisë.
Ne marrim guximin të deklarojmë që në këtë rrugë, kombi fisnik që ju përfaqësoni gjatë kësaj lufte, nuk ka qenë kurrë i pasinqertë ndaj traditave të tij dhe ndaj përgjegjësisë së tij të edukimit të popujve të Lindjes, pas çlirimit të tyre nga barbarizmi. Dhe kjo përgjegjësi, duke kaluar nga një brezni në tjetrën në Kombin Britanik, u shenjtërua duke u shndërruar në ligj prej fitores e triumfit të drejtësisë dhe të drejtave të kombeve, të cilat ju, i nderuar Zotëri, po shkoni t’i mbroni në Konferencën e Paqes.
Populli shqiptar besnikërisht e bashkon veten me gëzimin e njerëzimit dhe, përmes nesh, dëshiron të shprehë gëzimin e tij të sinqertë mbi këtë triumf, mbi det dhe mbi tokë të ushtrive të Perandorisë Britanike, të cilat ju keni qenë i aftë t’i udhëhiqni drejt fitores, i udhëhequr nga Hyu i gjithëpushtetshëm.
Shqipëria, një prej shumë kombeve të vogla, tek të cilët fitorja juaj frymëzon shpresa të ligjshme, Ju drejtohet si Juve, ashtu edhe Presidentit Wilson, si dy burra shteti që Hyu ju ka emëruar si shpëtimtarë të kombeve; ajo ju kërkon të përkrahni të drejtat e saja, të dhunuara nga fqinjët e vet ballkanikë, ju lutet t’i dëgjoni me simpati ankesat e popullit të vet.
Të drejtat dhe kërkesat e popullit shqiptar janë më legjitime duke pasur parasysh faktin se shqiptarët kurrë nuk kanë shkelur mbi tokën e fqinjve të tyre; ndërsa këto të fundit, për shekuj me radhë, nuk kanë pushuar së invaduari nëpërmjet inkursioneve të tyre të përjetshme, propagandës dhe diplomacisë së tyre intensive, në territorin e pellazgëve të lashtë ose të kombit ilirian, pasardhës të të cilëve janë shqiptarët.
Profesori i ditur i gjeografisë në Universitetin e Beogradit, serbi Jovan Cvijic, në “The Geographical Reviev of New York“, të muajit maj 1918, në artikullin e tij, “Shpërndarja gjeografike e popujve ballkanikë”, shkruan: “Shqiptarët, ashtu sikur është e mirënjohur, janë Ilirët antikë. Përpara invazionit të sllavëve të Jugut, ilirët zotëronin pjesën përendimore të Gadishullit, nga Danubi i Mesëm deri në Epir…. Epirotasit dhe maqedonasit qenë gjithashtu ilirë….. Të gjithë ilirët e tjerë, me përjashtim të Shqiptarëve (Albanëve) të sotëm, u sllavizuan gjatë Mesjetës”.
Pas luftrave të vazhdueshme kundër bullgarëve sllavë, princërit shqiptarë të Epirit dhe të Maqedonisë formuan Republikën Shqiptare ose Republikën Epirote, aq mirë të përshkruar prej dijetarit francez Duplessis, në historinë e tij mbi mbretin shqiptar Gjergj Kastrioti, Skanderbeg, të mbiquajtur “Princ i Epirit dhe i Maqedonisë”.
Në këtë vepër të gjithë dijetarët, poetët dhe fisnikët francezë, pranojnë që “Shqiptarët ose Epirotasit (dy emra sinonimë, flisnin shqipen ose gjuhën epirotase, gjuhë që nuk ishte as greke dhe as sllave), pasardhës të Pirros dhe Aleksandrit, sikurse edhe stërgjyshërit e tyre, kanë luftuar për më se 30 vjet kundër invadorëve turq, ndërsa serbo-bullgarët, nën udhëheqjen e princit të përbuzshëm serb, George Vicovich, tradhëtuan shqiptarët dhe u bashkuan me Sulltan Muratin”.
Në këtë mënyrë, Republika Shqiptare, e vetme në të gjithë Gadishullin Ballkanik, “pati ndalur,- sipas akademikut francez Xavier Monnier- sulmin e vrullshëm të turqve” dhe shpëtoi Europën Përëndimore dhe Krishtërimin nga barbarizmi.
Por kjo republikë konfederative, pas vdekjes së udhëheqësit heroik, ushtarit të madh Skanderbeg, u përfshi me forcë në Perandorinë Otomane, nën emrin turk Arnamtlau (vendi i shqiptarëve), me të njejtët kufij që respektivisht ishin, Adriatiku në Perëndim, rrjedha e Vardarit në Lindje, Dalmacia dhe Bosnja në Veri (Mali i Zi nuk ekzistonte) dhe Gjiri i Artës e kufiri klasik i Greqisë në Jug, duke pasur Janinën kryeqytet të Shqipërisë së Jugut. Kjo shtrirje territoriale përfaqëson katër provincat shqiptare të ditëve tona, që janë: provinca (vilayet-et) e Monastirit, e Kosovës (Shkupi), e Shkodrës dhe Janinës, territore këto ku shqiptarët kanë qenë në gjendje të ruajnë të pacënuar tipin e tyre kombëtar e gjuhën e tyre, dhe disa privilegje të respektuara prej turqëve, falë kryengritjeve të vazhdueshme që bënë grupe të caktuara të këtyre luftëtarëve trima kundër despotizmit të pashallarëve otomanë.
Karakteri i pastër shqiptar i këtyre katër vilajeteve (provincave) është plotësisht i njohur nga të gjithë historianët modernë, nga të gjitha raportet konsullore dhe diplomatike, dhe zyrtarisht prej Kongresit të Berlinit (1878) kur Anglia frenoi oreksin e bullgarëve, e së fundi prej Komisionit Ndërkombëtar (1880) nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Lord Fitz Maurice, i cili është ende gjallë dhe mund të dëshmojë për këtë.
Mes autorëve sllavo-bullgarë ne do të përmendim këtë: Profesori Schircoff përmend faktin historik të mëposhtëm në librin e tij mbi Maqedoninë: “Në vitin 1689 shqiptari Mustafa Pasha Kaprula, nxori përjashta trupat austriake të gjeneralit Piccolomini nga Kosova në drejtim të Veriut. Patriarku Arsen mblodhi të gjithë objektet e tij të vlefshme dhe i ndjekur prej një numri të madh arqipeshkësh, ipeshkvësh e murgjish, e drejtoi eksodin e turmave të serbëve dhe bullgarëve të tij, përtej Moravës dhe kufijve të Maqedonisë, drejt Beogradit dhe Bosnjës. Ky rrëfim i treguar tek Ambasadori rus është krejt i qartë”.
Kleri katolik i Kosovës dhe Ohrit e konfirmon këtë fakt në të përkohshmen “Pro fide” të Romës (1703), ku thuhet se të gjitha këto rajone të Maqedonisë janë shqiptare. Fancezët Ami Boné dhe Caboge de Regouse pohojnë se atje, në provincat e Shkupit dhe të Kosovës , kishte, në vitin 1706, vetëm pak kasolle bullgarësh jashtë qytetit; dhe se shqiptarët luftëtarë të luginës së Toplicës, të Mëzisë (Moesie) së Epërme dhe të Shqipërisë së Epërme, vazhdimisht i ndalonin serbët dhe i shtypnin bullgarët.
Dy shkrimtarët anglezë, Mackenzie dhe Ivy, të cilët vizituan Shqipërinë rreth vitit 1838, shkruajnë: “Sipas raporteve konsullore, në mes Serbisë së Jugut dhe Maqedonisë është Serbia e Vjetër, përfshirë në Shqipërinë e Veriut”.
Serbi Dimitri Daridovitch, gjithashtu pohon se; “Në jug të Serbisë. Prishtina dhe Novi-Bazari janë jashtë tokave të banuara prej serbëve, pra në Shqipëri”.
Murgu Paissis shton: “Prishtina, Gjakova, Elbasani dhe Shkodra i përkasin Shqipërisë etj.etj.”
Pavarësisht nga ekzistenca e këtyre provave të qarta, fqinjët ballkanikë dëshiruan, me ndihmën e sistemeve të tyre të pacipa arsimore dhe propagandistike, të depërtonin përmes këtyre rajoneve shqiptare të katër vilajeteve të lartpërmendura dhe. në këtë veprimtari, ato patën si bashkëpunëtore qeverinë turke e cila e pengoi me të gjitha mënyrat arsimimin e shqiptarëve, dhe duke ia lejuar këtë të drejtë turqve, grekëve, serbëve dhe bullgarëve. Lidhja Liberale Shqiptare e Prizrenit, me qëllim që të rregullojë këtë gjendje shkatërrimtare të problemeve, organizoi revolucionin shqiptar të vitit 1908, kundër Sulltan Hamitit…. Shqiptarët, përmes Kushtetutës, realizuan me shpejtësi, në hapësirën e pak viteve, evolucionin e tyre kombëtar me anën e shkollave dhe klubeve me një shtrirje të gjërë, të cilat shovinistët xhonturqë donin t’i shtypnin. Më pas vijuan revolucioni shqiptar në Kosovë dhe disfata e Turqëve të Rinj në Shkup, falë të cilave liberalët shqiptarë garantuan institucionet liberale të të gjithë kombësive të tjera ballkanike dhe mbështetën politikën anglo-franceze të kabinetit të Qamil Pashës me të gjitha energjitë e tyre.
Fatkeqësisht, kjo ringjallje kombëtare shqiptare, duke shkatërruar planet ziliqare të miqve tanë fqinjë, i nxiti ato, nën pretekstin e luftës kundër Turqisë, të pushtonin katër provincat shqiptare të përmendura paraprakisht, të cilat i plaçkitën dhe i shkatërruan. Komisioni Rockfeller në raportin e tij përmendi metodat e shfarosjes të zbatuara prej pushtuesve të palavdishëm ndaj popullsisë së çarmatosur dhe të varfër shqiptare të kapur në befasi.
Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), serbët dhe malazezët, në sajë të veprimtarisë imperialiste cariste, aneksuan më shumë se gjysmën e territorit shqiptar dhe të gjitha këto vende të pasura dhe luftëtare të cilat, sipas shkrimtarit francez Hanoteaux, “jetojnë vetëm në liri dhe në pavarësi”. Mbreti Constantine, nga ana e tij, aneksoi Janinën, “kryeqytetin e Shqipërisë së Jugut”, për arsyen e thjeshtë se atje kishte banorë që flisnin greqisht, madje mund të thuhet se gjysma e Greqisë së sotme është thjeshtë një koloni shqiptare.
Kjo Shqipëri e vogël e krijuar në Londër, ndërsa e bënte jetën kombëtare shqiptare të pasigurtë, kënaqte oreksin e pangopur të ringjallur të fqinjve ballkanikë, të cilët, nën pretekstin e ndihmës ndaj udhëheqësit shqiptar Essad Pasha, i flakur tej tani prej të gjithë shqiptarëve, pushtuan Shqipërinë përsëri dhe e martirizuan atë. Dhe mania e këtyre shteteve ballkanike për të pushtuar Shqipërinë ishte e tillë saqë gjatë luftës së tanishme, si Constantini, ashtu edhe Nikolla (i Malit të Zi) e Pjetri (i Serbisë) nuk i lëshuan zotërimet e tyre në këtë vend, madje as kur armiqtë e tyre depërtuan brenda vendeve të tyre.
Tërheqja serbe përmes Shqipërisë (që u lejua nga shqiptarët mbasi ishte në pajtim me traditat e tyre mikpritëse), i solli këtij vendi epidemi të tmerrshme nga Serbia. Pushtimet e vazhdueshme armike të territorit shqiptar, epidemitë që e shoqëruan, përfunduan shkatërrimin e Shqipërisë në të njëjtën shkallë, madje mos më shumë se sa Serbia dhe Belgjika.
Shqiptarët, me ndihmën e tyre, i shërbyen edhe çështjes së shenjtë të vendeve aleate, p.sh. duke lehtësuar mjaft detyrën e trupave franceze,…ndihmuan në mënyrë të konsiderueshme proçesin e përzënies së austriakëve, dhe gjithashtu në Kosovë, me anë të revoltës së tyre kundër bullgarëve dhe gjermanëve, ata penguan çdo orvatje për rekrutim. Ne, këtu në Zvicër, kemi dhënë të gjithë mbështetjen tonë morale me të gjithë fuqinë tonë, dukë bërë të njëjtën marrëveshje për të njëjtin objekt, ashtu sikurse bashkatdhetarët tanë të Amerikës dhe të Rumanisë, ku kolonia shqiptare ofroi koefiçentin e vet të nevojshëm në ushtrinë rumune.
Dhe tani që fitorja, më së fundi, ka kurorëzuar punën e ushtrive aleate dhe imperializmi është përmbysur, ne marrim guximin të shpresojmë se kombet ballkanike të nxitura prej realizmit të aspiratave të tyre të verteta nacionale mbi parimin e të drejtave të kombeve, do të njohin të drejtat tona personale, dhe do të jenë të gatshëm të rikthejnë territoret shqiptare të shkëputura aq padrejtësisht nga Shqipëria.
Eshtë kjo arsyeja që ne kemi ardhur, i nderuar shkelqësi, të apelojmë tek ju, si njeri i drejtësisë, dhe tek qeveria britanike, duke Ju lutur të mbështesni të drejtat dhe pretendimet e popullit shqiptar të trajtuara aq padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Vetëm me një zgjidhje të tillë, Konferenca e Paqes do të bëjë një veprim të dobishëm dhe do të shmangë, për vendet ballkanike, trazirat të cilat do të jenë të pashmangshme në qoftë se drejtësia nuk do të bëhet dhe shqiptarëve nuk do t’u njihet autoktonia e tyre në trojet ku jetojnë në Ballkan.
Me këtë shpresë, ne kërkojmë të mbesim, i nderuar Shkelqësi,
Shërbëtorët tuaj të bindur dhe të përvuejtun
Për Komitetin
F. S. Noli, Ipeshkëv.
Përktheu nga anglishtja Mirela Kamsi Gurakuqi
Marrë nga revista “Phoenix”, nr. 1 (9), Shkodër, 1999(Dielli Arkiv)