Shkruan: Sami Repishti, Ph.D./Dielli
Ridgefield, CT: Me datën 6 nandor, u mbajtën zgjedhjet e zakonshme dy-vjetore për anëtarët e Kongresit Amerikan: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Anëtarët e Dhomës zgjidhen çdo dy vjet; ndërsa anëtarët e Senatit zgjidhen çdo 6 vjet.; por zgjedhjet e senatorëve bahen për një të tretën (33 anëtarë të Senatit) çdo dy vjet, për rigjenerim të pjesëtarëve. Ma shumë se 113 miljonë votues shkuen në qendrat e votimit. Në vitin 2014 votuen 83 miljonë. Kjo tregon interesimin e madh të popullsisë për këto votime. Ka të gjitha arsyet me besue se në këto zgjedhje me një diversitet të madh breznia e re ka qenë vendimtare, dhe një fenomen që nuk ashtë vrejtë për shumë vjet, simbas shenimeve të ekspertëve. Ky zhvillim ashtë inkurajues! Zgjedhjet u zhvilluen pa incidente dhe në një atmosferë të qetë.
Populli voton kur ashtë i bindun se vota e tyne llogaritet dhe ngren peshë. Ka edhe një faktor tjetër: kësaj rradhe votuesët kishin në mend një njeri, Presidentin Donald Trump. Votimet e gjysëm-termit (jo presidenciale) janë një referendum për presidentin; ata gjykojnë punën e tij dyvjeçare.
Megjithëse ekonomia amerikane ashtë e shëndoshë, papunësia shumë e vogël, rritja ekonomike mjaft e madhe mbas zbritjes së taksava prej 1.5 triljonë dollarësh që ngriti konsumin, ajo nuk dha rezultatet e duhuna për arsye të entuziasmit demokratik e sidomos për popullaritetin e ulët të Presidentit Trump. Republikanët humben votat në distrikte ku papunësia ashtë e ulët, ku marrëdhanjet industriale kanë rritë punësimin, distriktet ku u ulën taksat, dhe në zonat e pasuna që përfituen nga taksat; menjëfjalë në distriktet ku republikanët kishin shpresat ma të mëdha.
“Me Trumpin në qendër të vemendjes para kutisë së votimeve, unë mendoj se votuesët ishin të nxitun nga të dy anët, pro dhe kunder” deklaroi Prof. Mia Costa (U. Dartmouth). “Demokracia shpëtoi këte demokraci- një demokraci për të cilën shumë nga ne kanë dhanë djersë e gjak, edhe jetën. Na jemi para dy viteve të vështira. Unë lutem për të gjithë ne, në këte vend të bukur, e të thyem, që unë dashunoj kaq shumë, dhe shpresoj,” shkruente një lexues në rubriken e The New York Times (8 nandor)
Dhoma e Përfaqësuesve zgjodhi 435 anëtarë të ri, me shumicë “demokratë” dhe me elementë të ndryshëm që përfaqsojnë ndryshimet e elektoratit amerikan, dhe janë tregues e zhvillimeve politike të mavonëshme, sidomos të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Nga të rinjtë nën moshën 24 vjeçare, rreth 64 përqind votuen për kandidatët “liberalë”, që kërkojnë arsim falas, punë për të gjithë, dhe sherbim mjeksor të siguruem nga shteti….!
E papritun: 26 kandidatë janë nën moshën 40 vjeçare. Janë 28 anëtare gra, 12 afro-amerikane, dhe 6 anëtarë veteranë ma shumë se në Dhomen e kalueme. Dy gra myslimane afro-amerikane janë zgjedhë për herën e parë në historinë e vendit. Dy indiane origjinale, gjithashtu. Nga shuma e përgjithëshme, 222 janë konfirmue demokratë, dhe 196 kandidatë republikane (17 të papërcaktuemë) . Ma shumë se 100 janë gra nga të dy partitë.
Kështu demokratët marrin shumicën e Dhomës, Kryesinë, dhe drejtimin e 11 komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetar i Komisionit për Marrëdhanjet Ndërkombëtare do të zgjidhet kongresisti, mik i shqiptarëve-sidomos i Kosovës,- i nderuemi Elliot Engel, i New York-ut. Kryetari i Komisionit për Çeshtje Judiciare, do të jetë kongresisti Jared Nadler, i New York-ut, mirënjohës i aktit fisnik shqiptar në mbrojtjen e hebrejve gjatë L2B, dhe përkrahës i Kosovës.
Nga zgjedhjet për “Governatorë” të shteteve amerikane, demokratët fituen 7 nga 9 “shtete” ish-republikane. (23 D; 26 R; 1 i papërcaktuem). Governatorët po tregohen ma të aktivizuem politikisht se ma parë!
Republikanët fituen shumicën e Senatit (51 R, 46 D., 3 akoma të papërcaktuemë); ata mbajnë Kryesinë e të gjitha komisioneve senatoriale, si ma parë. Edhe Gjykata Supreme ashtë me shumicë elementë “republikanë”….! Natyrisht edhe Presidenti.
Figura kryesore ka qenë “personaliteti” i Presidentit Trump. Partia Republikane ka humbë “personalitetin” dhe “identitetin” e saj me nënshtrim autoritarianizmit të Presidentit. Republikanët deri tashti kanë kryesue të dy dhomat. Me një kontroll të këtill të plotë, partia republikane nën Presidentin Trump, ka dominue skenën politike dhe ka kalue legjislacion që nuk përkrahet nga shumica e popullit amerikan.
Presidenti akuzohet për paaftësi në udhëheqje dhe për krijimin e atmosferës së frikës (globalizmi, emigracioni, terrorizmi islamik etj) e mashtrimit (racizmi, ksenofobia, misogjinia, racizmi etj.), dy aleatët e “fashizmit”. Akoma ma e randësishme, ai akuzohet se ka pranue mbështetjen ruse me damtue kandidaten demokratike Hillary Clinton me mjete të propagandës ruse “fake news” dhe me ndërhymje në proceset e votimit, një subjekt shumë serioz në arenën politike amerikane, që po shqyrtohet nga i ngarkuemi special, gjykatësi Robert S. Mueller III, një nga figurat ma të njohuna në Amerikë për aftësi dhe ndershmëni.
Mbas një hetimi afër dy vjetor, pritet që Z. Mueller të paraqesë Raportin e tij përfundimtar mbi këte problem, i cili i dorëzohet “Speaker”it të Dhomës së Përfaqsuesve për veprim. Kjo “shpatë e Damokleut” ka qendrue vazhdimisht mbi kokën e Presidentit Trump, dhe ka helmue atmosferën politike të vendit për dy vite të gjata. Ka mundësi që “zbulimet” e Raportit të kërkojnë “impeachment” (dënimin) për Presidentin, i cili ka mohue të gjitha akuzat.
Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e nandorit ka qenë “… një fitore e mirë për demokratët, por jo një fitore të përshëndetet me fishek-zjarre!” komenton eksperti Tim Storey. Megjithate, zgjedhjet e 6 nandorit 2018 mbyllin “…një episod të errët të epokës sonë të errët” komentonte The New York Times në Editorialin e saj te 30 tetorit.. Që nga viti 2016 dhe deri sot, SHBA drejtohej me sistemin njëpartiak: presidenti, dy dhomat dhe shumica e Gjykatës së Naltë ishin të gjithë “republikanë”. Me fitoren e Dhomës së Përfaqsuesve, thyhet sistemi njëpartiak dhe Dhoma fillon kontrollin dhe balancimin e akteve presidenciale dhe kongresiste, simbas Kushtetutës. Ky ashtë edhe aspekti kryesor i fitores së demokratëve në këto zgjedhje. Megjithate, mbetet dyshimi se me dinamiken e re të një qeverisje të ndame do të jetë shumë vështirë me kalue legjislacione mbi problemet kryesore të vendit, dhe të nevojshme për të gjithë.
Atmosfera e helmueme nga grindjet politike krijohet, por nuk sherohet, shpejt.
*****
Cila do të jetë pozita e Partisë Demokratike në qeverisjen e vendit?
Ekspertët, tue pasë parasyshë perspektivat e një Kongresi të ndamë, na kujtojnë se çdo kongresist sherben interesat e zonës së tij elektorale. Dhoma e Përfaqësuesve, ashtu si edhe Senati ka përgjegjsinë e përgatitjes së legjislacionit për aprovim, ligjët dhe amendamentet; çdo anëtar sherben si pjesëtar i një ose ma shumë komisioneve parlamentare. Dhoma ka autoritetin me fillue aktin e “impeachment” kundër qeveritarëve, dhe sidomos përgjegjsinë me paraqitë ligje për shpenzimet (“the power of the purse”) Ajo gëzon pushtet të madh mbi shpenzimet, një autoritet që mund të shkurtojë-ose refuzojë- çdo ligj që kërkon fonde. Dhoma autorizon deklarimin e gjendjes së luftës me një anmik, dhe arritjen e paqës mbas luftës.
Me shumicën demoktratike, Dhoma do të ketë mundësinë me paraqitë projekt-ligje që detyrojnë senatorët ma marrë vendime që nuk janë popullore tek ata. “Ashtë shumë tërheqse për Demokratët tashti me qenë të aftë me vue në tryezë projekt-ligje që kanë përkrahje popullore; dhe, ma vonë me i dergue ata në Senat, i cili i refuzon”, spjegon Prof. Ross Baker, (Rutgers U.). Demokratët kanë autoritetin e taksimit dhe shpenzimit. Gjithashtu, Kryetari (the Speaker) i Dhomës ashtë i dyti në trashëgimin e Presidencës në rast emergjence,…. mbas N/Presidentit.
Fitorja elektorale e Demokratëve pritej nga shumica e votuesve amerikanë. Ashtë një fakt i konfirmuem nga shumë sondazhe se popullariteti i Presidentit Trump ka ra shumë, dhe se një humbje e këtill paralajmëron humbjen në zgjedhjet e ardhme presidenciale, 2020. Fitorja e nandorit ka qenë hapi i parë.
Mosaprovimi popullor i agresivitetit të Administratës Trump ashtë rritë shumë sidomos me qendrimin jo-parimor të Presidentit, ku urrejtja për kundërshtarin dhe atmosfera e frikës së krijueme qellimisht me mashtrime kanë shkue shumë larg. Një atmosferë e këtill ka ngjallë reagim të fortë, dhe sot, votuesët anti-Trump e quejnë veten “mbrojtës të demokracisë”. Për Presidentin, këto kundërshtarë janë “trathëtarë” dhe “armiq të popullit”…. Edhe “republikanët konservatorë”, kritikë të Presidentit kanë vetëm një shpresë: disfaten e tij, me qellim që të çlirohet Partia Republikane (PR) nga dominimi i tij i plotë. Sot flitet për një “Trump Party” e jo për një “Republican Party”. Një situatë e këtillë ashtë ba e mundun nga qendrimi i disa senatorëve “republikanë” që frikësohen nga “inati” i Presidentit. Në shtypin amerikan lexohen komente ku thuhet se “…shumica e kongresistëve nuk meritojnë postin që okupojnë sepse nuk respektojnë betimin e bamë me mbrojtë Kushtetutën e ligjët e vendit”.
Edhe editori i “Conservative Magazine” shkruen:” Që nga fillimi i Republikës (1776) Kongresi ka veprue si një frenim për çdo president. Por historia do të gjykojë Kongresin e tanishëm për mbrojtje agresive të Presidentit Trump…Kjo që kemi sot ashtë sundimi i një partie politike….”. “ Në se kemi mësue diçka, shkruen Prof. Delbano (Columbia U.), në vitet e Trumpit ashtë se të drejtat mund të rindertohen ose të harrohen. ‘E drejta’ e qartë se çdo qenie njerëzore meriton jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumtunisë, do të marrë kohë me zanë vend në mendjet amerikane. Po kthehet me zemrim pyetja e madhe: Kush ashtë një qenie njerëzore? Ne, nuk do të kemi një pergjigje deri ditën kur çdo za ndigjohet para kutisë së votimit!”.
“Demokracia amerikane, simboli shekullor i lirisë dhe zhvillimit të lire, nën Presidentin Trump funksjonon me tone tragjike! Modeli pluralist i këtij vendi ka nevojë për një “ringjallje” dhe për marrjen e masave që tani janë në qendër të vemendjes”, shkruente revista The New Yorker e 30 tetorit. Me mohue se “retorika luftë-nxitëse e Trumpit këto dy vitet e fundit nuk ka nxitë dhunën politike të ditëve të fundit” ashtu si deklaroi N/Presidenti Pence ”ashtë me u bashkue me legjendat agresive të Presidentit Trump, dhe nivelin e tij të mashtrimit”.
Ngjarjet e fundit kanë konfirmue se SHBA që ashtë një komb i madh, ashtë njëkohësisht edhe i zanun rob nga e kaluemja e tij….Vazhdimisht ka dështue me i adaptue institucionet e veta dhe ligjët…veçanërisht “armët” dhe “fjalimet helmuese” në epoken e një egërsie të prueme nga një teknologji e pamend.
Askush në Amerikë nuk e priste një president të këtill si Donald J.Trump….!
“Shkenca dhe historia na mësojnë se njerëzit do të ushqehen dhe do të veprojnë mbi paragjykimet e tyne në formën ma të keqe, kur këto persona janë nen presion të fortë nga shoqënia, ose kur marrin leje nga një autoritet ma i naltë” shkruen Dr. S, Fisko i U. Princeton. (Akoma sot, “kam zbatuar urdhërin pikë për pikë” deklarojnë kriminelët e ish Sigurimit të Shtetit, në Shqipëri, ashtu si nazistët e Hitlerit, një fenomen negativ që na shqiptarët e kemi pësue për 45 vjet me rradhë nën diktaturën e kuqe)
Nga një herë, tragjedia trampiste zbret në nivele komike: afër 5.000 refugjatë, të vorfën që ikin të frikësuem nga zonat e Amerikës latine, shfrytëzohen për propagandë pa princip: ata paraqiten sikur janë të rrezikshëm për Amerikën (336 miljonë), fuqia ushtarake dhe ekonomike ma e fortë në botë. Rreziku ashtë i madh thuhet…dhe 15.000 ushtarakë dergohen në kufi (sic!). Presidenti krenohet, popullsia shijon momentin komik….,megjithëse nuk bahet pjesë e komedisë dhe rrjedhimeve të saja….! E gjithë kjo “histori mjerane” ashtë kurdisë nga Trumpi, e propagandohet, si e përgatitun nga PD-ja…. një shaka që mund të damtojë Amerikën…!
Pyetje si: ”Ç’bahet kështu me vendin tonë? A mund të jetojmë pa frikë në shtëpitë tona, në shkollat tona, në faltoret tona të shenjta?” bahen vazhdimisht mbas masakrës së tetorit në Pittsburg, PA., ku një kriminel “supremacist” i bardhë, simpatizues i Presidentit Trump masakroi 11 hebrej në Sinagogen e qytetit dhe plagosi 6 të tjerë. “Këta hebrej duhet të vdesin” thirri krimineli. Pse? “Sepse ndihmojnë refugjatët në mjerim”. E pabesueshme! “Në se nuk e shuejmë këte flakë në djep, kam frikë se do të pësojmë edhe ma keq” deklaroi rabini Marvin Heir.
Helmimi i atmosferës inkurajon krimet monstruoze. Çdo lajm i pakandshëm ashtë “fake news”, çdo “fake news” prodhohet nga mediat që quhet nga Trump-i “armik i popullit”. Në një intervistë me stacionin CBS, Presidenti deklaroi:” Unë flas kështu me diskreditue ju (mediat) të gjithëve dhe me ju denoncue të gjithëve, kështu kur shkrueni artikuj negativë për mue, asnjeri nuk ju beson!” “Frikë e mashtrim” si strategji elektorale me metoda fashiste! Trumpi ashtë politikë, dhe politika ashtë ai vetë! Prof. Steve Poll (Columbia U.) mendon se “Ai (Trump) ka pasë sukses me krijue një narrativë ditore, ku ai vetë ashtë një figurë ditore”.
Jemi para një faze kritike ku forcat e rigjenerimit demokratik janë të vendosuna me përballue valën e autoritarianizmit anti-iluminist të Presidentit. Jo fashizmit ne këte kështjellë të lirisë dhe demokracisë. Ashtë populli amerikan përballë një kundërshtari narsicist që ka nda Amerikën në dy kampe kundërshtare me rrjedhime të paparashikueshme. Kjo nuk mund të pranohet! Fashizmi nuk do të kalojë! Për këte do të luftoj edhe unë së bashku me qindëra miljonë qytetarë amerikanë! Sepse:
“ Vetë karakteri i këtij vendi ashtë në balancë!” deklaronte pakë ditë ma parë ish-Presidenti Barack Obama.
=================================================================