• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’duhet bërë me dekoratat e komunizmit?

January 7, 2015 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA,New York/
Lexova në gazetën “Minerva” dhe, më pas, edhe te “Dielli”, një shkrim me titull “Pse nuk i tërheq Tirana zyrtare dekoratat e Rankoviçit dhe kriminelëve të tjerë serbë?!”, në të cilin shprehej keqardhje që ende shteti shqiptar nuk u ka tërhequr dekoratat që u ka dhënë Rankoviçit dhe kriminelëve të tjerë jugosllavë. Më parë kam dëgjuar shumë herë që shoqatë të ndryshme të ish-të persekutuarve kanë kërkuar që Enver Hoxhës t’i hiqet titulli a dekorata “Hero i Popullit”. Po ashtu, shumë zhurmë është bërë dhe bëhet, shumë shkrime janë bërë dhe bëhen nga shumë njerëz me bindje të djathta që si ditë e “Çlirimit” të caktohet 28 dhe jo 29 Nëntori, siç duan të majtët.
Ndërsa pajtohem me frymën që i detyron këta njerëz për kërkesat që bëjnë, nuk mund të pajtohem me vetë kërkesat.
Në lidhje me dekoratat, në një shtet normal, në një shtet që ka qindra vjet që ekziston pa ndërruar sistemin, pra me një vazhdimësi politike të pushtetit, ta zëmë, Franca, Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjera si këto, parashtrimi i kërkesave të atilla, të tërheqjes së një nderimi bërë një personi, me ndryshimin e disa kushteve, apo me zbulimin e fakteve të reja, do të ishin diçka normale e me kuptim, por në një shtet që përmbys plotësisht sistemin e tij qeverisës, si, për shembull, Gjermania, pas mundjes së nazizmit, apo Shqipëria pas rënies së komunizmit, vetvetiu vlera e dekoratave të mëparshme bije, prandaj nuk ka kuptim kërkesa për heqjen e dekoratave të këtij apo atij personi. Ai shtet, dhe konkretisht shteti ynë, mund të bëjë diçka tjetër, për arsye se të gjithë ata që janë nderuar në kohën e komunizmit nga komunizmi, mburren edhe sot me ato nderime. Shteti ynë sot duhet të zhbëjë me ligj të gjitha nderimet, dekoratat, medaljet a titujt e dhëna nga sistemi që tashmë është përmbysur së bashku me politikën dhe praktikën e tij. Këtë duhet të kërkojnë të djathtët e vërtetë dhe jo të përqendrohen te heqja e titullit “Hero i Popullit” Enver Hoxhës, sepse, ja, ia hoqe Enver Hoxhës, por atë titull e mbajnë dhjetëra, në mos qindra kriminelë të tjerë dhe, kështu, sistemi i vjetër, në atë mënyrë, duket sikur jeton ende përmes dekoratave të të tjerëve .
Asnjë sot nuk duhet të mburret më, dhe asnjë nuk duhet ta mburrim e ta nderojmë, se i janë dhënë gjatë regjimit komunist tituj të tillë si “Hero i Popullit”, “Mësues i Popullit”, “Artist i Popullit”, “Çmimin e Republikës”, apo dekorata, tituj a çmime të tjera si këto, të gjitha mbi kritere politike. Nuk e besoj se gjermanët në Gjermani mbajnë ende dhe mburren e kapardisen me dekoratat a medaljet e dhëna në kohën e nazizmit. Në qoftë se dikush i mban ato në Gjermani, i mban si relikte të një kohë të shkuar me të cilën nuk mund të mburret më. Ai nuk del e parakalon në ditëlindjen e Hitlerit apo në festat e tij me dekoratat e tij në xhaketë.
Po ashtu, zhurma që vazhdon të bëhet për datën e të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit”, ndonëse bëhet në emër të antikomunizmit, nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka nëse atë datë do të vazhdojmë ta festojmë si një të kremte të gëzueshme të çlirimit real, të ardhjes së popullit në pushtet, të ardhjes së qeverisë demokratike komuniste, apo do ta përkujtojmë si ditën e ardhjes së klikës komuniste kriminale në pushtet, si ditën e fillimit të diktaturës më të ashpër dhe më të gjatë në historinë e popullit shqiptar, pra ta përkujtojmë ashtu siç përkujtohen ngjarje të tilla të trishtueshme.

Nju Jork, janar 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: c'duhet bere, e komunizmit, Ilir Harshova, me dekoratat

KANADAJA NDERON VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

June 3, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ndërsa në Varshavë të Polonisë janë mbledhur udhëheqsit botërorë, përfshirë edhe Presdientin amerikan Barak Obama dhe Presidentin shqiptar Bujar Nishani — për të kujtuar 25-vjetorin e përmbysjes së komunizmit në atë vend dhe eventualisht në të gjithë Europën Lindore, ndërkohë media kandeze njofton se në këtë përvjetor Kanadaja ka vendosur të ndërtojë në kryeqytetin e saj Otava një monument kushtuar viktimave të komunizmit në mbarë botën, një lajm ky që është vendosur edhe në portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë.
Media kanadeze njofton se mbrëmjen e të premtës që kaloi, në Qëndrën Kongres të Otavasë u organizua një darkë me qëllim mbledhje fondesh për përfundimin e ndërtimit të monumentit të viktimave të komunizmit, ku thuhet se ndër të pranishmit që mori pjesë dhe që kontriboi për këtë qëllim, ishte edhe Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper i cili mbajti edhe fjalimin kryesor me këtë rast.
Njoftohet se nisma për ndërtimin në Kanada të monumentit të viktimave të komunizmit kishte filluar në Kanada ç’prej vitit 2008, me mbështetjen e përfaqsuesve të Kongresit Polak të Kanadasë, ndonëse në bordin e drejtorëve për realizimin e këtij projekti thuhet se marrin pjesë edhe përfqsues të komuniteteteve të tjera etnike nga Europa Lindore dhe Qendërore, e që tani jetojnë në Kanada. Në darkën e të premtes që kaloi, me qëllim mbledhje fondesh për monumentin kushtuar viktimave të komunizmit në botë, përveç Kryeminstrit, morën pjesë edhe politikanë të tjerë të njohur të vendit, biznismenë të dalluar kanadezë, si dhe përfaqsues diplomatikë nga vende të ndryshme të Europës Lindore, të akredituar në Kanada.
Në fjalimin e tij mbi të këqiat e komunizmit, Kryeministri konservator i Kanadasë, Stephen Harper u tha të pranishëmve se Monumenti kushtuar viktimave të komunizmit, “Do të nderojë për të gjitha kohërat, qindëra miliona burra, gra e fëmijë, të cilët kanë vuajtur dhe që vazhdojnë të vuajnë nga tirania e komunizmit – do të nderojë ata që kanë mbijetuar nga ato vuajtje, si dhe të ata që fatkeqsisht, nuk i shpëtuan asaj tiranie.”Udhëheqsi kanadez shtoi se, “Kanadaja ka nevojë për këtë monument. Ne i jemi mirënjohës organizatës “Për nderë të Lirisë” (Tribute to Liberty) e cila mori iniciativën për ndërtimin e këtij monumenti, e që na kujton emërat dhe tregimet e atyre të cilët u vranë nga njëra prej murtajave ideologjike më vdekje prurëse që ka njohur bota – murtaja e komunizmit. Ky monument është një shënjë që përcakton rrugën tonë si komb në të ardhmen dhe i cili njëkohësisht do të ndihmojë që ne të sigurohemi se nuk do të devijojmë nga rruga e jonë e përcaktuar”, theksoi Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper. Brezave të ardhëshëm të kanadezëve, tha kryeministri Harper, duhet tu kujtohet se liria dhe demokracia janë fituar me vuajtje e sakrifica.
Fjalimin e tij, Kryeministri kanadez e lidhi edhe me gjëndjen aktuale në Europë, pikërisht me presidentin rus Vladimir Putin dhe adhuruesit e tjerë të komunizmit. Ai shfaqi përkrahjen e vendit të tij pë Ukrainën dhe shtoi se, “ekspansionizmi dhe militarizmi rus”, kërcënojnë sigurinë botërore. Ai tha se, “E keqja paraqitet në shumë forma dhe duket sikurë, herë pas here, e çpikë veten në trajta të ndryshme. Por sidoqë e keqja t’a përcaktojë ideologjinë e vet –qoftë nacizëm, marksizëm-leninizëm, ose sot terrorizëm – të gjitha këto kanë një gjë të përbashkët: shkatërrimin e jetës dhe zhdukjen e lirive të njeriut.”
Ne, tha udhëheqsi kandez, e njohim mirë këtë shkatërrim. Ne si kanadezë shtoi ai, e ndiejmë me dhëmbje të madhe atë histori shkatërruese, sepse jo më pak se “çereku i popullësisë së Kanadasë ishin robër të komunizmit, ose janë djelmë e vajza të atyre që ishin robëruar nga ideologjitë e regjimeve komuniste europiano-lindore. Ata që kanë vuajtur të zezën e komunizmit”, shtoi ai, “kanë gjetur gjithmonë strehim në Kanada”.
Ndërsa kryetari i bordit të entit “Tribute to Liberty”, Ludwik Klimkowski, duke njoftuar se fituesi për ndërtimin e monumentit në Kanada — i cili do kushtojë 4-milionë dollarë për tu ndërtuar, do të njoftohet në gusht, 2014 — tha se, “ishte krenarë për mbështetjen që ka marrë nga donatorët, gjë që tregon se kanadezët nuk do të harrojnë vuajtjet e atyre që kanë jetuar në regjimet diktatoriale komuniste.” Z. Klimkowski tha me këtë rast se, “ne kemi të pakën dy gjenerata njerzish që nuk dinë asgjë mbi komunizmin dhe krimet e atij sistemi.” Andaj, shtoi ai, “Me këtë monument, fëmijtë tuaj, nipat dhe mbesat tuaja nuk do të harrojnë kurrë viktimat e komunizmit.”
Thuhet se Monumenti i Viktimave të Komunizmit në kryeqytetin kanadez, Otava do të vendoset në një vend ideal për t’u parë nga të gjithë, jo larg nga ndërtesat e parlamentit të vendit dhe të Gjykatës së Lartë. Në njoftim thuhet gjithashtu se vendi ku do të vendoset monumenti kushtuar viktimave të komunizmit, është i rëndësishëm pasi do t’u kujtojë kanadezëve vlerën dhe rëndësinë për të nderuar dhe për të kujtuar të gjitha viktimat e komunizmit kudo. Thuhet se ky monument do të jetë një shënjë e gjallë, por edhe një paralajmërim kundër një ideologjie totalitare për të gjithë brezat e ardhëshëm.
Por mbi të gjitha, tha Ministri i Punës i Kanadasë, Jason Kenney, “Ky monument do t’u kujtojë gjithashtu të gjithë kanadezëve se glorifikimi i simboleve komuniste është një fyerje e kujtimit të këtyre viktimave dhe njëkohësisht u kujton qytetarëve të Kanadasë, vlerat themelore të vendit ku jetojnë”, shtoi ministri kanadez Jason Kenney.
Është ky një koment interesant i një ministri kanadez përballë dukurive të fundit të shpalosjes së portretit të Enver Hoxhës në disa ceremoni zyrtare në Shqipëri, të cilat shumë vërejtës i konsideruan si fyese ndaj viktimave të komunizmit në Shqipëri, veçanërisht pasi simbolet dhe portretet e diktatorit u shpalosën me njohurinë dhe miratimin e udhëheqsve më të lartë të vendit. Siç duket për Shqipërinë e sotëme është më e rëndësishme që të shpalosen vlerat e regjimit komunist se sa të kujtohen mijëra viktimat e paafajshme të atij regjimi diktatorial.
Ndërtimi i monumentit kushtuar viktimave të komunizmit në kryeqytetin Otava, ashtu siç theksuan edhe udhëheqsit më të lartë kanadezë, përveç se kujton viktimat, është njëkohësisht edhe një simbol i vlerave themelore njerëzore, në bazë të cilave jetojnë kanadezët, dmth, respekti për jetën njerëzore, për lirinë dhe demokracinë për të gjithë. Fatkeqsisht, dukuritë e fundit në Shqipëri – vendi që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi — të bindin se klasa politike e atij vendi, jo vetëm që nuk është shkëputur nga ajo e kaluar, që Kryeminsitri i Kanadasë e cilësoi si “ideologjia helmuese e komunizmit” të shekullit të kaluar, por po përpiqet me vepra ta ruaj e ta mbrojë atë të kaluar për qëllime të veta të ngushta politike dhe ekonomike, në kurriz të një populli shumë të vuajtur dhe që vazhdon të vuaj pasojat e atij regjimi. Kryeministri kanadez, tha se për Kanadanë Monumenti i viktimave të komunizmit në Otava, “Është një shënjë që përcakton rrugën tonë si komb në të ardhmen dhe i cili njëkohësisht do të ndihmojë që ne të sigurohemi se nuk do të devijojmë nga rruga e jonë e përcaktuar”. Cilën rrugë do të ndjekë kombi shqiptar, rrugën e vlerave bazë njerëzore të jetës së njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e përcaktuar gjysëm shekulli më parë nga një ish-diktator, pasojat e regjimit të të cilit shihen ende anë e mbanë vendit? Nëse kryeministri i Kanadasë u shpreh se vendi i tij, i cili kurrë nuk u qeveris nga një regjim komunist ka nevojë për një monument të tillë, a nuk ka nevojë Shqipëria për një momument kushtuar viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në këtë 15 vjetor të përmbysjes së komunizmit? Sa të ndryshme janë vlerat bazë njerëzore të Kanadasë nga ato të Shqipërisë! Sa larg është Shqipëria nga Kanadaja, dhe jo vetëm gjeografikisht!

Filed Under: Editorial Tagged With: e komunizmit, Frank shkreli, KANADAJA NDERON, viktimat

DREJTËSI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

March 28, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/Më heret këtë muaj në Budapesht të Hungarisë filloi gjyqi i një prej ish-zyrtarëve më të lartë komunist të atij vendi, i akuzuar për krime që kanë lidhje me vrasjet e ndodhura pas revolucionit anti-komunist të dështuar hungarez, në vitin 1956.  Ish-zyrtari i lartë komunist hungarez, i cili gjëndet përball akuzës për krime lufte dhe krime kundër njeërzimit quhet Bela Biszku në moshën 92-vjeçare dhe ish-ministër i punëve të mbrendshme të regjimit komunist pas revolucionit anti-sovjetik.  Sipas burimeve të mediave të ndryshme hungareze dhe  ndërkombëtare,  ai akuzohet se kishte gisht në vrasjen e protestuesve paqësorë anti-komunistë dhe anti-sovjetikë.  Agjencia e lajmeve Reuters njofton se ky është një gjyq me rëndësi për Hungarinë, sepse mund të ndihmojë vendin që të përballet më lehtë me të kaluarën e vet komuniste.

Ndërkohë që Polonia dhe disa vende të tjera ish-komuniste kanë miratuar ligje lustracioni, gjë që e ka bërë më të lehtë periudhën e tranzicionit në atë vend,  Hungaria konsiderohet si ndër ato vende ish komuniste të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë plotësisht drejtësinë për viktimat e barbarizmave të regjimit komunist.  Njoftohet se ky gjyq ka tërhequr vëmendjen e medias mbrenda dhe jashtë Hungarisë dhe se tani zhvillimi i gjyqeve të tilla në atë vend, bëhet i mundur në saje të një ligji të ri hungarez, në bazë të cilit — krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerërzimit nuk u skadon kurrë afati.  Kjo është në përputhje me ligjet e shumë vendeve  në bazë të cilave, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njeërzimit nuk u skadon afati kurrë, ndërkohë që marrëveshjet dhe normat ndërkombëtare  i konsiderojnë krimet komunist, si krimet më të këqia që mund të jenë bërë ndonjëherë.

Bela Biszku, i cili ka shërbyer si ministër i punëve të mbrendshme nga viti 1957 deri më 1961, dhe njëri ndër udhëheqsit më të lartë komunist të Hungarisë, i ka mohuar akuzat kundër tij.  Dihet se pas shtypjes barbare të  revolucionit hungarez nga tanket sovjetike, me qindra anti-komunistë hungarezë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën, gjatë kohës që Biszku shërbente si ministër i mbrendëshëm i regjimit komunist të Hungarisë.  Prokuroria thotë se Biszku si anëtar i lartë i të ashtuquajturit Komiteti i Përkohëshëm Ekzekutiv, ai ka marrë vendime dhe ka dhënë urdhëra për të eliminuar armiqët, dhe për t’i eliminuar ata pa mëshirë.

 

Partia e Kryeministrit të tanishëm të Hungarisë, Z. Viktor Orban, një anti-komunist i vendosur, është shprehur se gjyqe të tilla duhet të ishin mbajtur shumë kohë më parë, duke theksuar se ata që kanë kryer krime serioze gjatë sundimit të regjimit komunist duhet të mbahen përgjegjës njësoj si kriminelët nazistë të luftës.   Media vendore thotë se nga pikëpamja e jurisprudencës, ky gjyq përbën një pikëkëthesë me rëndësi në historinë ligjore të vendit, duke mundësuar kështu që shoqëria hungareze  të mësojë, më në fund,  të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Hungari.  Por përveç kësaj, sipas historianit hungarez Tibor Zinner, i cili citohet të ketë thënë se gjyqi i ish-zyrtarit të lartë komunist hungarez Bela Biszku, sjellë një dobi tjetër me rëndësi, pasi shënon fundin e një standardi të dyfishtë, që ndryshe trajtonte krimet e nacizmit dhe ndryshe krimet e komunizmit.  Historiani hungarez ka thënë gjithashtu se ky gjyq ka rëndësi për faktin se ndonëse në të kaluarën, zyrtarë komunistë të nivelit më të ulët janë gjykuar dhe dënuar për krimet e tyre, asnjë prej ish-udhëheqsve më të lartë politikë të regjimit komunist hungarezë nuk kanë dalur për të dhënë llogari para gjyqit për krimet e tyre.

Edhe Shqipëria, ndonëse kishte regjimin më të egër komunist në Europën Lindore,    është një ndër vendet që ka bërë më pak ose aspak në këtë fushë, në krahasim me vendet e tjera, duke treguar një mungesë vullneti për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste.  Duket sikur shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e disponuar dhe hiç e interesuar, përfshirë edhe median shqiptare, për të zbardhur atë histori.  Ndërkohë që mediat europiane dhe më gjërë ka shkruar dhe komentuar gjërë e gjatë për gjyqin në Hungari, si dhe raste të tjera gjyqesh të tilla në ish vendet komuniste, është interesant fakti se pse media shqiptare, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç është gazeta Telegraf, nuk flet shumë për fatin e keq të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri dhe as nuk përmend kurrë raste të tilla gjyqesh në vendet ish komuniste, duke ndejtë larg përmbajtjes si dhe simbolizmit historik që përcjellin këto gjyqe.

Pas më shumë se 20-viteve ç’prej rënjes së komunizmit në Europë, me përjashtim të Polonisë, Çekisë, Gjermanisë dhe të ndonjë vendi tjetër, vendet e tjera ish komuniste nuk kanë miratuar ligje të nevojshme për tu përballur me të kaluarën, ndërkohë që gjykatat e tyre janë treguar të paafta për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe torturat e diktaturës komuniste.

”Për të ndejë shtrembët dhe për të folur drejtë”, gjatë këtyre 20-viteve, as Përendimi nuk ka treguar ndonjë interesim të madh për të dënuar krimet komuniste, siç kishte bërë me dënimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.  Kjo, sipas ekspertëve ka ndodhur për arsye se nazistët kanë kryer krime kundër popujve të tjerë, e si e tillë nevojitej një përgjigje ndërkombëtare ndaj krimeve të nazismit, ndërsa komunistët kanë torturuar dhe kanë vrarë popullin e vet.   Mos dënimi i krimeve të komunizmit është një çështje aq shqetësuese anë e mbanë Europës, sa që ka shtyrë disa ekspertë ligjorë dhe politikanë europianë, pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare mbajtur kohë më parë në Bruksel –në përpjekje për të kapërcyer këtë mungesë drejtësie – të bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të vendosur drejtësinë në vend për krimet komuniste anë e mbanë Europës — si një ndërmarrje kjo themelore që synon respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Konferenca e Brukselit ka theksuar rëndësinë e nevojës për vendosjen e drejtësisë për krimet komuniste, duke marrë parasyshë krizën e sotëme ekonomike, si dhe kërcënimet e rreziqet që vijnë nga lëvizjet ekstremiste të kohëve të fundit në Europë.  Një numër organizatash europiane kanë përkrahur idenë e krijimit të një gjykate të re ndërkombëtare për tu marrë me krimet e komunizmit. Nëse kjo nismë do të realizohet, kjo është një pyetje tjetër. Por, një gjë është e sigurt, se krimet ndaj viktimave të komunizmit do të mbeten një subjekt i gjallë i cili prekë thellë ndërgjegjen morale të të gjithë europianëve, përfshirë edhe shumë shqiptarëve, dhe do të mbetet i tillë përderisa të mos ketë një ballafaqim serioz me këtë murtajë të shekullit të kaluar.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri hungarez i Drejtësisë, Tibor Navracsics në një ceremoni përkujtimi për viktimat e komunizmit muajin që shkoi në Muzeumin e Shtëpisë së Terrorit në Budapesht,kushtuar viktimave të komunizmit, tha se “personat që ne i quajmë viktima të komunizmit, nuk janë tulla të shtypjes, por janë blloqe themeli të lirisë tonë”.   Ai theksoi se fatet e secilit prej viktimave të komunizmit bashkohen në historinë e kombit, pasi ka aq shumë tregime e plagë, sa ka edhe njerëz. Ai tha se është e pamundur të përshkruhet se çka mund të kenë menduar ato viktima kur u është marrë toka, ose kur u është mohuar mundësia për të vazhduar studimet,  kur janë sëmur, kur janë prekur nga depresioni ose kur janë detyruar madje edhe të vrasin veten nga torturat.

Askush nuk kërkon hakmarrje për ato që kanë ndodhur, madje as vet ata që kanë vuajtur, e që kanë pësuar trajtimet më çnjerzore. Kërkohet vetëm drejtësi morale për viktimat e komunizmit.   Të këqiat e atij sistemi, përfshirë edhe krimet ndaj kunërshtarve të tij, po injorohen nga shoqëria, por nuk duhet të harrohen. Të pakën pjesa më e madhe e botës demokratike e pranon nevojën për t’i kundërshtuar ato barbarizma dhe për të njohur e kujtuar viktimat e komunizmit, megjitëse kompensimet e plota morale dhe materiale ndoshta janë të pamundura për tu realizuar për shumë prej tyre, kur të merret parasyshë numri i madh i viktimave dhe krimet në shkallë të gjërë që ata kanë pësuar gjatë atij regjimi.  Viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të vendeve të tjera ish komuniste po presin për pothuaj një çerek shekulli për drejtësi. Fatkeqsisht, bazuar në këtë përvojë historike, ata mund të presin për gjithë jetën!

I nderuar lexues i këtyre rreshtave, a mendon se shoqëria shqiptare ka bërë aq sa duhet dhe aq sa ka mundësi — të pakën nga pikëpamja morale — për tu përballur me trashëgiminë e komunizmit dhe me dënimin e krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist?

Filed Under: Analiza Tagged With: Drejtesi per viktimat, e komunizmit, Frank shkreli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT